ATV

Tag: Ballina

  • Mbi 83 mijë nënshkrime për peticionin e OVL-UÇK-së, Gucati: E ka nënshkruar edhe një serb

    Mbi 83 mijë nënshkrime për peticionin e OVL-UÇK-së, Gucati: E ka nënshkruar edhe një serb

    Mbi 83 mijë nënshkrime janë mbledhur deri më tani në kuadër të Peticionit Kombëtar të inicuar nga Ogranizatat e Veteranëve të Luftës që do t’i drejtohet Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një intervistë për Ekonomia Online, i cili ka treguar se peticioni është nënshkruar edhe nga një pjesëtar i komunitetit serb.

    Ai tha se procesi i mbledhjes së nënshkrimeve po ecën mirë dhe se afati përfundon në fund të muajit prill.

    “Deri më tash asht tu shku mirë, unë kam dëshirë hala ma mirë me shku, po mirë tu shku. Në bazë të informacionit që kemi, vetëm në Kosovë jemi mbi 83,000 nënshkrime deri në këto momente, do të thotë për nja afat tre javore, nëse s’gaboj aty dikun. Pa llogarit Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, po edhe diasporën. Në mënyrën online janë mbi 26,300, nëse s’gaboj. Në Shqipëri s’kam marr hala informacionet se ku ka shku. Duhet t’i falënderoj qytetarët e Shqipërisë edhe ata që po na ndihmojnë shumë atje. Kështu që po duket një interesim i madh, na kemi afat edhe një muj, do të thotë deri kah fundi i mujit prill. Në fund, kah fundi i mujit prill ne përgatitemi domethënë do t’i nisim për në Hagë, apo për ata që na i dërgojnë në dhomat speciale”, tha ai.

    Gucati theksoi se motivi i peticionit është të dëshmohet mbështetja qytetare për ish-krerët e UÇK-së dhe të kundërshtohet narrativa, siç tha ai, se ata nuk gëzojnë mbështetje.

    “Motivi është, kuptohet, edhe protestat kanë pas një motiv gjithmonë, me tregu realitetin. Gjykatës Speciale që qytetarët shqiptarë janë në mbështetje të UÇK-së, do të thotë janë në mbështetje të krerëve të shtetit, të krerëve të UÇK-së dhe jo ashtu qysh ka thënë në atë kohë Xhek Smithi edhe të tjerët që nuk kanë mbështetje nga qytetarët, apo edhe vetë Trandafilova. Motivi është ky që është një motiv që me tregu një realitet, me dal në shesh një e vërtetë, që krerët e UÇK-së nuk kanë bo krime lufte dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë organizatë kriminale, po ka qenë organizatë çlirimtare e vendit, e kombit. Protestat dalin 50 mijë, 60 mijë, mund të dalin 100 mijë, 200 mijë, po kur t’i çosh atje afër gjysmë milioni nënshkrime, apo mbi gjysmë milionin, apo të llogarisim ma shumë nënshkrime në Hagë, do të thotë atëherë dihet numri që edhe vetë gjyqtarët do të merren, do ta kontrollojnë këtë pjesë. Ky duhet të verifikohet me nënshkrimet atje, që ata vetë do të binden që me siguri paska pas mbështetje të madhe edhe pjesëtarët e luftës, edhe njerëzit që kanë udhëheq këtë vend. Dhe ky është një që e bëjmë, nënshkrimi është i fundit, ne i bëmë gjashtë protesta ju e dini, dy aksione tash edhe nënshkrimi. Do të thotë mirë jemi tu shku. I falënderoj gjithë qytetarët të cilët po gjejnë kohë edhe po përgjigjen, po nënshkruajnë, po shkojnë nëpër organizata”, tha ai.

    Ai bëri të ditur se nënshkrimet po mblidhen edhe derë më derë nëpër fshatra, nga aktivistët e degëve të OVL-UÇK-së.

    “Ne kemi bërë një iniciativë krejt tjetër. Iniciativa jonë është nëpër fshatra jemi tu punu shumë, njerëzit që shkojnë nga degët e Kosovës, kanë marrë iniciativë, kanë dalë, janë nëpër sheshe, po pjesa dërrmuese është do të dalin me makina, ka tre-katër vetë dalin nëpër fshat dhe punojnë nëpër fshatrat e ndryshme, çdo derë për derë tu mbledh nënshkrime, shtëpi për shtëpi”, tha ai.

    Gucati u bëri thirrje qytetarëve që të nënshkruajnë peticionin, duke theksuar se procedura online zgjat vetëm një minutë.

    “Thirrja ime është për qytetarët, ju baj apel gjithë qytetarëve, mos hezitoni t’ja kushtoni një minutë kohë nënshkrimit. Online e keni shumë ma shpejt me apliku apo me nënshkru, edhe kështu e keni një minutë punë e keni. Kisha ba thirrje gjithë qytetarët e Kosovës, edhe gjithë qytetarët shqiptarë që ta nënshkruajnë, mos të hezitojnë. Unë du ta falënderoj edhe universitetet tona të vendit të Kosovës, edhe në Shqipëri, edhe në Maqedoni. Njerëzit e universitetit që janë tu punu shumë këto ditë, edhe ata janë mbledh, edhe të gjithë, të tjerët, po edhe liderët tonë këtu që i kemi në Kosovë, si Ramush Haradinajn ju e dini, Bedri Hamza, të gjithë, të gjithë”, tha ai.

    Ai bëri të ditur se peticioni është nënshkruar edhe nga një pjesëtar i komunitetit serb, i cili, sipas tij, ka shprehur gatishmëri për të dëshmuar në Hagë.

    “Po jua them me sinqeritetin ma të madh, kemi nga komuniteti serb. Po do ta bëj publike ma vonë, kur ta marr listën nga një komunë ku do ta shihni edhe emrin që kanë nënshkru. Një pjesëtar i një komunitetit tjetër ka nënshkru për peticionin edhe ka thënë: ‘Unë, thotë, nëse m’thirr gjykata apo kisha pas dëshirë me m’thirrë, me shku me dëshmu, me thënë çoni njerëzit që janë të pafajshëm, krime ka bo Serbia. Është i komunitetit serb. Bashkë komuniteti serb është. Është me emër e mbiemër, krejt është që ka nënshkru në peticion edhe ka bo thirrje në komunën e Klinës, kjo është e vërtetë që do të thotë duhet me bo edhe me shkru peticionin të gjithë. Kështu që për ne është një sukses i madh që po shohim tu i vetëdijësu njerëzit, duke pas parasysh që Kosova asht e vendit të gjithëve. Në Kosovë kanë të drejtë të gjithë. Jo kriminelët kuptohet, jo njerëzit që kanë bo krime në Kosovë, po ata të cilët s’kanë bo krime në Kosovë, ata të cilët ja dojnë të mirën vendit. Është Kosova e mund t’jetojnë të gjithë”, tha ai.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka nisur Peticioni Kombëtar drejtuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë me 25 shkurt.

  • Kjo është punishtja fatale ku humbën jetën katër punëtorët nga Kosova

    Kjo është punishtja fatale ku humbën jetën katër punëtorët nga Kosova

    Një aksident i rëndë ndodhur sot në një kantier ndërtimi, në “Bezirkun” Alsergrund të Vjenës.

    Sipas raporteve fillestare, në këtë aksident që përfshinte disa persona, tragjedia ndodhi gjatë punimeve të betonit, ku janë thyer skelet dhe disa punëtorë kanë rënë në oborrin e një ndërtese të vjetër, shkruajnë mediat austriake.

    Numri i punëtorëve të zënë nën gërmadha është 5, ku 4 prej tyre janë nga Kosova.

    Një nga viktimat është identifikuar si Pajtim Bajrami. Vdekjen e këtij të fundit e kanë konfirmuar familjarët e tij.

  • E pranon Fitore Pacolli: Logjika për t’i bashkuar ministritë nuk ka qenë e mirë, shumica e punimeve kanë çaluar

    E pranon Fitore Pacolli: Logjika për t’i bashkuar ministritë nuk ka qenë e mirë, shumica e punimeve kanë çaluar

    Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka pranuar se bashkimi i ministrive ishte gabim, ndonëse kjo parti akuzonte pushtetet e kaluara për numrin e lartë të tyre.

    Gjatë një interviste në ATV, ajo ka pranuar se shumica e punëve kanë çaluar për shkak të bashkimit të ministrive.

    “Logjika për t’i bashkuar ministritë nuk ka qenë e mirë, që në fillim të mandatit të kaluar. Sepse Ministria e Mjedisit ka përfshirë edhe transportin. Ka qenë tejet e madhe dhe menaxhimi i një ministrie tepër të madhe ka qenë pak i vështirë, dhe shumica e punëve që janë bërë në ministri, në disa raste, kanë çaluar.

    Ideja ka qenë të kemi më pak ministri, mirëpo me administratën aktuale që kanë ministritë, është problem të funksionohet me më pak ministri dhe të krijohen ministri gjigante. Nuk është se kemi gabuar plotësisht, qëllimi ka qenë i mirë. Kur hyn në institucion dhe e sheh si funksionon dhe si funksionojnë dikasteret, atëherë të jepet sinjali që duhet të kemi pak më shumë ministri, derisa të reformohet administrata brenda”, ka thënë ajo.

  • Ish-Kryediplomati i Shqipërisë-BE’së: Tani nxirreni nga sirtari aplikimin e Kosovës për anëtarësim

    Ish-Kryediplomati i Shqipërisë-BE’së: Tani nxirreni nga sirtari aplikimin e Kosovës për anëtarësim

    Ish-kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, ka thënë se tani BE duhet ta nxjerrë nga sirtari aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat.

    Ky reagim i Bushatit ka ardhur pasi sot është konfirmuar heqja e masave ndaj Kosovës nga Komisioni Evropian.

    “Konfirmimi i sotëm nga Komisioni Evropian në Komitetin e Parlamentit Evropian për heqjen e masave dhe lirimin e të gjithë ndihmës financiare për Kosovën duhet të hapë një fazë të re të angazhimit produktiv: Koha për të nxjerrë nga sirtari aplikimin e Kosovë anëtarësim “, ka shkruar Bushati.

  • Presidentja Osmani reagon për konfirmimin e heqjes së masave: Ishin të padrejta, dëmtuan qytetarët

    Presidentja Osmani reagon për konfirmimin e heqjes së masave: Ishin të padrejta, dëmtuan qytetarët

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi sot në Parlamentin Evropian është konfirmuar heqja e masave ndaj Kosovës nga Komisioni Evropian.

    Osmani ka thënë se Kosova mirëpret një vendim të tillë dhe ka falendëruar vendet aleate për përkrahjen në heqjen e sanksioneve.

    Presidentja Osmani ka thënë se këto masa kanë qenë të padrejta dhe kanë pasur ndikim negativ në jetën e kosovaarëve

    “Bazuar në vendimin e shpallur në dhjetor nga Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von Der Leyen, për të hequr të gjitha masat e BE-së kundër Kosovës, pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ne mirëpresim konfirmimin e sotëm nga Komisioni se ky vendim tani është zbatuar plotësisht.Falënderoj Komisionin dhe të gjithë partnerët tanë nga shtetet anëtare për mbështetjen e tyre në mbylljen e kësaj çështjeje, e cila rezultoi në heqjen e masave të padrejta që ndikuan negativisht në jetën e popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani.

    “Kosova mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe për të ecur përpara në rrugën tonë drejt statusit të kandidatit të BE-së.”, ka përfunduar ajo.

  • Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve në skandalin e Rezervës Shtetërore

    Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve në skandalin e Rezervës Shtetërore

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari dhe tre të tjerëve Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi, në skandalin e Rezervës Shtetërore.

    Lajmi u bë i ditur nga Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate.

    Gashi tha se Departamenti Special, e ka hedhur kërkesën si të pa bazuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, përmes Aktvendimit PS.nr.68/2025 të datës 13.03.2026, ka refuzuar si të pa bazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve, të ushtruara ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e evidentuar me shenjën PPPS.nr.35/2023 të datës 11.11.2025, në çështjen penale kundër të pandehurve R.H., I.L., H.G., për shkak të veprës penale Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, R.M. për shkak të veprës penale Ndihma në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, i pandehuri H.G. për shkak të veprës penale Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 par.1 të KPRK-së, si dhe të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G. për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, deklaroi Gashi.

  • 22 vjet nga trazirat e marsit – “Kur u vra vllau im e kam pa por nuk e kam ditur që është ai”, Elshani jep detaje nga trazirat e vitit 2004

    22 vjet nga trazirat e marsit – “Kur u vra vllau im e kam pa por nuk e kam ditur që është ai”, Elshani jep detaje nga trazirat e vitit 2004

    Sot janë bërë 22 vjet nga trazirat e marsit. Trazirat që fillimisht nisën si protestë, shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur tre fëmijë shqiptarë në tentim për t’i shpëtuar sulmit nga një grup i të rinjve serbë.

    Shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.

    Për trazirat e marsit mbrëmë në emisionin ‘Compass’ në ATV ka folur Asllan Elshani, të cilit dy vëllezur iu vranë në atë kohë.

    Elshani thotë se edhe 22 vjet më pas, drejtësia nuk ka triumfuar. Ndiqni në linkun në vazhdim një pjesë të intervistës.

     

  • Komuna e Prishtinës cakton lokacion të veçantë për shitjen e kafshëve gjatë Bajramit

    Komuna e Prishtinës cakton lokacion të veçantë për shitjen e kafshëve gjatë Bajramit

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët dhe shitësit e kafshëve, se me rastin e Festës së Bajramit, shitja e deleve, shpezëve dhe kafshëve të tjera do të organizohet në një lokacion të vetëm të përcaktuar nga autoritetet komunale.

    Sipas njoftimit zyrtar, aktiviteti do të lejohet vetëm më 18 dhe 19 mars 2026 në fshatin Bernicë e Poshtme, konkretisht në parkingun në rrugën “Vëllezërit Fazliu”, i njohur si ish-tregu i automjeteve.

    “Në këtë lokacion lejohet vetëm shitja e kafshëve, ndërsa nuk lejohet therja apo prerja e tyre në asnjë rrethanë”, thuhet në njoftim.

    Autoritetet kanë bërë thirrje për respektimin e rregullave dhe ruajtjen e ambientit gjatë zhvillimit të aktivitetit.

    “Po ashtu, kërkohet nga të gjithë shitësit që gjatë qëndrimit dhe aktivitetit të tyre të kujdesen për mirëmbajtjen e ambientit përreth, duke mos hedhur mbeturina apo mbetje të tjera”, theksohet më tej.

    Për mbarëvajtjen e këtij organizimi do të kujdeset Inspektorati i Kryeqytetit, i cili do të monitorojë zbatimin e rregullave në terren.

    “Ndaj të gjithë shitësve që hasen duke zhvilluar aktivitet jashtë këtij lokacioni do të ndërmerren masa ligjore sipas legjislacionit në fuqi”, paralajmëron komuna.

  • Edhe dy javë afat, deri tash më pak se 20% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë

    Edhe dy javë afat, deri tash më pak se 20% e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë

    Kur kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundimin e afatit për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, vetëm 1.920 zyrtarë publikë e kanë kryer këtë obligim.

    Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, 8.420 të tjerë nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe atyre u është bërë thirrje ta kryejnë këtë obligim ligjor.

    Sipas APK-së, deklarimi i rregullt i pasurisë është proces që kontribuon në forcimin e integritetit institucional dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.

    “Deklarimi në kohë i pasurisë forcon kulturën e integritetit në institucionet tona dhe njëkohësisht kontribuon në shmangien e pasojave dhe sanksioneve të parapara në rast të mosrespektimit të obligimit ligjor”, ka thënë në një njoftim, Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Sipas APK-së, mosdeklarimi brenda afatit, vonesa në deklarim apo deklarimi i pasaktë përbën shkelje ligjore.

    Në këtë agjenci thonë se sanksionet përfshijnë gjoba deri në 500 euro e paraqitje të kallëzimit penal.
    Sipas ligjit, Gjykata mund të shqiptojë edhe dënim me burgim deri në 5 vjet.

    Gjatë vitit të kaluar, sipas Agjencisë për Parandalimin e Pasurisë mbi 100 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre në përputhje me afatet ligjore.

    Deri më 2024, zyrtarë të shumtë publikë janë dënuar për mosdeklarim apo deklarim të rrejshëm të pasurisë.

    E pas këtij viti, me qindra zyrtarë nuk janë ndjekur penalisht, pasi Supremja e ka vlerësuar vetëm si kundërvajtje mosdeklarimin e pasurisë.

  • Tragjedia që tronditi Gjakovën: Çfarë dihet për vrasjen dhe vetëdorëzimin e autorit

    Tragjedia që tronditi Gjakovën: Çfarë dihet për vrasjen dhe vetëdorëzimin e autorit

    Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 16 marsit në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i vrarë 38-vjeçari Rasim Binakaj, ndërsa u plagos Edi Mehmeti, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

    Sipas të dhënave fillestare, viktima dhe i dyshuari, Nexhdet Zymberaj – pronar i lokalit “My Place” – kishin qenë shokë, ndërsa dyshohet se ngjarja ndodhi pas një konflikti brenda një lokali. Në vendin e ngjarjes policia gjeti pesë gëzhoja dhe një thikë, duke treguar për një përshkallëzim të dhunës.

    Fillimisht, i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes dhe ishte në kërkim, por në orët e pasdites (rreth 16:30) ai u vetëdorëzua në Stacionin Policor në Gjakovë. Me vete dorëzoi edhe armën e dyshuar të krimit – një pistoletë TT me një karikator – e cila u sekuestrua si provë materiale.

    Pas intervistimit në prani të avokatit, i dyshuari zgjodhi të mbrohet në heshtje. Me vendim të prokurorit për krime të rënda, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

    Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje e paautorizuar e armëve”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka tronditur qytetin e Gjakovës.