ATV

Blog

  • “Erdh mashtruesi, ke ushqy zagar …”, Albulena Haxhiu ia ndërpret fjalën Ramush Haradinajt

    “Erdh mashtruesi, ke ushqy zagar …”, Albulena Haxhiu ia ndërpret fjalën Ramush Haradinajt

    Albin Kurti ka paralajmëruar se projektligji për çmimet tavan do të rikthehet për votim në Kuvend, duke theksuar se synimi është mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi me çmimet e larta.

    Pas kësaj fjalën ka marrë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Ai hodhi akuza për keqmenaxhim në sektorin e energjisë, duke thënë se qeveria mban përgjegjësi për vjedhjet dhe faturat e larta, si dhe për, sipas tij, lidhje me kompani të afërta që përfitojnë nga tregu i energjisë.

    “Mashtrimi nuk është fyerje. Du me demasku këtë mashtrim. Që sa vjet në pushtet mban përgjegjësi për vjedhjet në energji për faturat, nuk mund të ikni. Nuk mund të fshihni pas çmimit tavan sepse oligark tu po shesin e po blejnë energji, po shtohen çdo ditë e më shumë kompanitë për njerëz të tu të afërt. E dyta po thotë po financohen mediat, ky më së shumti shpenzon pare duke ushqy zagar për me dy qytetarë.

    Pas këtyre deklaratave, Albulena Haxhiu, i tërhoqi vërejtjen për gjuhën e përdorur dhe më pas i ndërpreu fjalën, duke kërkuar respektim të rregullores së Kuvendit.

  • Kampi Ndërkombëtar i Xhudos në Tata me pjesëmarrjen e ekipit të Kosovës

    Kampi Ndërkombëtar i Xhudos në Tata me pjesëmarrjen e ekipit të Kosovës

    Në qytetin Tata të Hungarisë u mbajt Kampi Stërvitor Ndërkombëtar i xhudos, ku u mblodhën sportistë elitarë nga mbarë bota për të shkëmbyer përvoja dhe për të zhvilluar stërvitje në një nivel të lartë profesional.

    Në këtë kamp mori pjesë edhe ekipi i Kosovës, i përfaqësuar nga disa prej emrave më të njohur të xhudos vendase: Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi, Erza Muminoviq, Dardan Cena, Laurinë Gashi dhe Enise Zijade.

    Ekipi u udhëhoq nga kryemjeshtri Driton Kuka dhe trajnerja Majlinda Kelmendi, të cilët vazhdojnë të luajnë rol kyç në zhvillimin dhe suksesin e xhudos kosovare në arenën ndërkombëtare.

    Ky kamp shërben si një mundësi e rëndësishme për xhudistët kosovarë që të përballen me konkurrentë të nivelit të lartë, duke përforcuar përgatitjet për garat e ardhshme ndërkombëtare.

  • Bolton: Shqipëria ka rrezik për shkak të strehimit të opozitës iraniane

    Bolton: Shqipëria ka rrezik për shkak të strehimit të opozitës iraniane

    Ish-këshilltari sigurisë së SHBA-së, John Bolton në një intervistë për Euronews Albania, ka analizuar zhvillimet e fundit nga konflikti në Iran dhe pasojat.

    Bolton ka ngre pikëpyetje mbi objektivat e administratës së Donald Trump, ndërsa lufta ka hyrë në javën e pestë.

    Ai thekson se mungesa e një strategjie të qartë e bën situatën të paparashikueshme dhe rrit rrezikun e një konflikti të zgjatur.

    Sipas tij, ndryshimi i regjimit në Iran mbetet kyç për stabilitetin në Lindjen e Mesme, megjithëse një objektiv i vështirë për t’u arritur.

    Bolton paralajmëron gjithashtu për pasojat që kjo situatë mund të ketë për aleancat ndërkombëtare, përfshirë NATO.

    Në këtë kontekst, ai ndalet edhe te Shqipëria, duke theksuar se vendi përballet me rreziqe të mundshme për shkak të strehimit të opozitës iraniane, por njëkohësisht meriton mbështetje të veçantë nga aleatët për sigurinë e saj.

  • 10 ditë në hapësirë: Si shkatërrohet trupi njerëzor

    10 ditë në hapësirë: Si shkatërrohet trupi njerëzor

    Katër astronautë janë gati të nisen për një udhëtim 10-ditor drejt Hënës dhe mbrapsht – por çfarë do t’u bëjë 240 orë në hapësirë trupave të tyre?

    Ekspertët zbulojnë rreziqet shëndetësore, nga të përzierat e hapësirës deri tek “këmba e pulës” – humbja e muskujve dhe dobësimi i këmbëve.

    Edhe pse Artemis II konsiderohet një mision afatshkurtër, astronautët Reid Wiseman, Victor Glover, Jeremy Hansen dhe Christina Koch do të përballen me një sërë sfidash. Dr. Irene Di Giulio nga Qendra për Shkencat Njerëzore dhe Fizologjinë e Aplikuar në King’s College London shpjegon se rreziqet afatgjata janë “ndjeshëm më të ulëta” krahasuar me ata që qëndrojnë muaj të tërë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

    Megjithatë, ata do të ekspozohen ndaj niveleve të larta të rrezatimit, që mund të shkaktojnë nauze.

    “Trupi ka nevojë për disa ditë për t’u përshtatur, prandaj mund të përjetohet të përzierat e hapësirës. Lëvizja e lëngjeve nga pjesa e poshtme drejt kokës mund të shkaktojë siklet dhe ënjtje,” thotë ajo.

    Ndryshimet e papritura në ciklin dritë–errësirë dhe përdorimi i dritës artificiale mund të shkaktojnë shqetësime gjumi. Po ashtu, stresi mendor dhe izolimi, sidomos gjatë jetës në një hapësirë të mbyllur, mund të ndikojnë në performancë.

    Vitit të kaluar, imazhet para–dhe–pas treguan dëmet që 9 muaj në hapësirë shkaktuan tek astronautët Butch Wilmore dhe Suni Williams: humbje peshe, atrofi muskulore dhe dukje më e plakur.

    Astronautët e Artemis II nuk pritet të përjetojnë një rënie kaq të madhe të shëndetit të muskujve dhe kockave. “Efektet mbi muskujt dhe kockat nga misionet e gjata zakonisht shfaqen pas ekspozimeve të zgjatura ndaj gravitacionit të ndryshuar,” shpjegon Dr. Di Giulio. “Por humbja e kockave dhe dobësimi i muskujve mund të fillojë brenda disa ditësh, siç kanë treguar misionet e mëparshme të NASA-s.”

    Këto efekte nënvizojnë rëndësinë e ushtrimeve gjatë fluturimit për të mbrojtur kockat dhe muskujt. Aktivitetet para, gjatë dhe pas misionit ndihmojnë në reduktimin e këtyre ndikimeve. Të përzierat e hapësirës mund të reduktohen me trajnim dhe medikamente, dobësimi i muskujve me ushtrime në bord, ndërsa shqetësimet e gjumit me orar të strukturuar dhe dritë të kontrolluar.

    Gjatë misionit, ekuipazhi do të testojë çdo sistem të anijes Orion dhe do të mbledhë të dhëna biologjike për të kuptuar efektet e udhëtimit në hapësirën e thellë mbi trupin. Kjo do të ndihmojë në planifikimin e misioneve të ardhshme, përfshirë udhëtime të gjata drejt Marsit.

    Dr. Di Giulio shpjegon: “Artemis II është hapi i parë drejt uljes në Hënë dhe krijimit të një pranisë afatgjatë atje. Ka sfida të shumta për të minimizuar efektet e hapësirës mbi trupin njerëzor. Edhe pse misioni është i shkurtër, ai ofron të dhëna të vlefshme për misione më të gjata dhe praninë e qëndrueshme hënore.”

    NASA ka identifikuar pesë rreziqe kryesore të fluturimit njerëzor: rrezatimi hapësinor, izolimi dhe mbyllja, largësia nga Toka, gravitacioni dhe mjedise të mbyllura ose armiqësore. Misionet Apollo treguan edhe çështje shtesë në Hënë: pluhuri hënor dhe stabiliteti i lëvizjes.

    Nëse njerëzit ndonjëherë do të vendosin një bazë në Hënë, do të përballen me rrezatim që rrit rrezikun e kancerit, dëmtimit të organeve dhe ndikimit në sistemin nervor. Graviteti i Hënës është 1/6 i Tokës, duke shkaktuar dobësim të muskujve, humbje kockash dhe ndryshime kardiovaskulare që ndikojnë në tru dhe sy. Pluhuri hënor është i mprehtë dhe mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen, lëkurën dhe sytë.

    Dr. Di Giulio thekson: “Për të krijuar një prani afatgjatë në Hënë, autonomia mjekësore është thelbësore. Habitatet duhet të kenë mjete diagnostikuese, furnizime mjekësore dhe ekuipazh të trajnuar për të trajtuar plagë apo sëmundje në mënyrë të pavarur.”

    Gjatë trajnimit për Artemis II, astronautët kanë mësuar emergjenca mjekësore në hapësirë, ndihmën e parë, CPR, kujdesin e plagëve dhe përdorimin e seteve mjekësore, duke praktikuar edhe në mjedise me mikrogravitet të simuluar, si nën ujë.

  • Gruda: Kurti me agjendë që vendi të mbahet i bllokuar

    Gruda: Kurti me agjendë që vendi të mbahet i bllokuar

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe LVV-në për agjendë të fshehur për bllokimin e zgjedhjes së presidentit të ri. Në një bisedë për rtv21, deputeti Gruda tha se presidenti i ri do të duhej të zgjidhet përpara përfundimit të mandatit të presidentes Osmani.

    ‘’Me 4 prill përfundon mandati i presidentes aktuale dhe vendi kalon në ushtrues detyre të presidentit. Mendoj se vendi është dashur që të ketë president para se t’i përfundoj mandati siç e kërkon kushtetuta që të mos shkohet me ushtrues detyre të presidentit sepse u.d i presidentit është gjendje jo normale. Kjo vonesë që po ndodh, pra u konsumua një javë dhe nuk ka asnjë hap për zgjedhjen e presidentit është e papranueshme dhe tregon që ka një agjendë që të mos arrihet deri tek zgjedhja e presidentit, por të mbahet vendi i bllokuar.’’, tha Gruda.

    Deputeti Gruda tha se Kurti ka synim që ta zvarris zgjedhjen e presidentit për ta vendosur kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu si ushtruese e detyrës së presidentes.

    ‘’Synimi është ky që, në fundjavë Albulena Haxhiu sipas kushtetutës bëhet ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj këtyre nuk iu ngutet. Por, vendi nuk duhet të jetë me u,d të presidentit, ose duhet ta zgjedhim presidentin ose të shkojmë në zgjedhje. Tash fakti që e mbajnë me u.d të president tregon se krejt qëllimi ky ka qenë në fakt. Edhe kërkesa e afatit shtesë nga Gjykata Kushtetuese ka qenë qëllimi që ta marrin në kontroll atë institucion efektivisht që ta bëjnë Albulena Haxhiun u.d të presidentit për ta vazhduar lojën tjetër politike. Shpresoj që të kthehen tek diskutimet dhe debate normal.’’, tha Gruda.

    Deputeti Gruda tha se nuk kanë pranuar ende ftesë nga Kurti për takim. Por, sipas tij pa marrëveshje politike PDK nuk ka votë për kandidatët e LVV-së për president.

    ‘’s’kemi marrë ftesë deri sot, kur të marrim ftesën do të marrim një qëndrim të organeve të partisë. Pa marrëveshje normalisht nuk do të ketë votë dhe nuk mendoj se ka përpjekje serioze për ta zgjedhur presidentin, nuk shoh. Nëse nuk zgjidhet presidenti ne shkojmë drejtë zgjedhjeve kjo është automatikisht. Nuk është më në dorën dhe vullnetin tonë. Nëse nuk ka zgjidhje prej partisë që ka shumicën e votave. Pa Vetëvendosjes nuk zgjidhet presidenti, pa njërin prej neve të opozitës mundet. Ne kemi pasur një propozim që të na leu neve me propozu kandidatin, nuk është pranuar”, tha Gruda.

  • Bastisje në Prizren, dy të arrestuar për kultivim të narkotikëve dhe mbajtje në pronësi të armëve

    Bastisje në Prizren, dy të arrestuar për kultivim të narkotikëve dhe mbajtje në pronësi të armëve

    Policia e Kosovës ka kryer kontroll në një shtëpi në Prizren mbi dyshimet se ndodhej një laborator për kultivim të bimëve narkotike të llojit kanabis sativa.

    Aty është arrestuar një i dyshuar, ndërsa Policia ka vazhduar edhe me bastisjen e tri lokacioneve të tjera në Prizren, ku është arrestuar edhe i dyshuari i dytë.

    Gjatë bastisjes në lokacionet janë gjetur dhe janë sekuestruar pajisje të ndryshme të dedikuara për kultivim të bimëve narkotike si (llampa për ndriçim, aparat për ngrohje, klima, trafo të ndryshme të rrymës, gypa ventilimi, pajisje për matje të lagështisë, temperaturës, vegla pune, vazo, preparate kimike dhe pajisje tjera).

    Po ashtu janë sekuestruar edhe një bimë narkotike kanabis sativa rreth 30 cm, një qese me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 1.19 gramë, gjethe, dyshohet të bimës kanabis sativa me peshë 53.84 gramë, dy qese plastike me substancë narkotike dyshohet kokainë me peshë 0.41 gramë, një aparat vakumi, qese plastike, armë zjarri (pistoletë) e çmontuar me dy fishekë, 27 fishekë kalibër i panjohur, një veturë, dhe një furgon me targa vendore.

    “Të dyshuarit e lartcekur po ashtu dyshohet se kishin shkatërruar rreth 300 bimë të llojit kanabis sativa të mbjella në laborator brenda shtëpisë, me gjatësi rreth 20-30 cm, të cilat dyshohet se janë djegur”, thuhet në njoftim e PK-së.

    Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Kurti: Do ta rikthejmë ligjin për çmimet tavan, ka tregtarë që po abuzojnë duke e keqpërdorur krizën

    Kurti: Do ta rikthejmë ligjin për çmimet tavan, ka tregtarë që po abuzojnë duke e keqpërdorur krizën

    Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi risjelljen për votim në Kuvend të projektligjit për çmimet tavan, që tha se do t’i mbrojë qytetarët “nga abuzimi me çmimet e larta”.

    “Duhet ta rikthejmë ligjin për çmimet tavan”, tha Kurti gjatë fjalës së tij në Kuvend.

    Ai përmendi krizat dhe luftërat në botë, ndërsa foli për çmimet e larta.

    “Bota po kalon nga kriza në krizë. Një luftë që ka nis nuk përfundon, fillon një tjetër që as s’mendonim se do të niste. Dhe nga pandemia e vitit 2020, tash te lufta në Ukrainë në vitin 2022 e tash së fundmi edhe kjo lufta në Lindjen e Mesme, e ndërkohë krizës energjetike të vitit 2022 po i shtohet edhe ajo e vitit 2026. Ju e dini që secilës sfidë i jemi përgjigjur me pako konkrete”, tha ai.

    Kurti tha se kanë ndihmuar “secilën kategori shoqërore”.

    “Ka tregtarë, biznese të mëdha që e kanë keqpërdorur krizën për t’i rritur artificialisht çmimet”, tha ai.

    “Tash shumë shpejt do ta risjellim këtu për ta votuar dhe presim që edhe opozita të reflektojë e të na mbështesë në këtë projekligj”, tha ndër tjerash Kurti.

  • Fjalimi i jashtëzakonshëm: Shikoni çka ndodhi me çmimet e naftës gjatë dhe pas fjalimit të Trumpit

    Fjalimi i jashtëzakonshëm: Shikoni çka ndodhi me çmimet e naftës gjatë dhe pas fjalimit të Trumpit

    Duket se fjalimi i jashtëzakonshëm i Donald Trump nuk i ka bindur tregjet globale të naftës se ndërprerjet në një nga rrugët më të rëndësishme detare, Ngushticën e Hormuzit, do të zbuten së shpejti, raporton gazetari i biznesit i BBC-së, Peter Hoskins nga Singapori.

    Çmimi i naftës referencë Brent po tregtohej rreth 100 dollarë për fuçi para se presidenti të fillonte fjalimin.

    Gjatë fjalimit, çmimi ka luhatur, por më pas ka vazhduar rritjen dhe aktualisht është rritur me rreth 4%, duke arritur në 105.38 dollarë.

  • Arrestohet një burrë për hyrje pa leje në shtëpinë e Nicki Minaj

    Arrestohet një burrë për hyrje pa leje në shtëpinë e Nicki Minaj

    Një burrë është arrestuar për hyrje pa leje në pronën e Nicki Minaj.

    Policia shkoi në shtëpinë e reperes 43-vjeçare pas një telefonate të dyshuar për hyrje pa leje në rezidencën e saj në Los Angeles.

    Zyrtarët u thirrën për një të dyshuar të parë në kamera në oborrin e saj, thanë burime brenda policisë për TMZ.

    I dyshuari u arrestua në vendngjarje nga policia.

    Nicki nuk ishte në shtëpi në kohën e hyrjes pa leje, sipas raportimeve.

  • KS i OKB-së, më 9 prill debaton për punën e UNMIK-ut në Kosovë

    KS i OKB-së, më 9 prill debaton për punën e UNMIK-ut në Kosovë

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS i OKB) të do të debatojë në Nju Jork për raportin e ri të punës së UNMIK-ut në Kosovë të enjten më 9 prill, është bërë e ditur në ueb-faqen zyrtare të kësaj organizare.

    Seanca pritet të mbahet nga ora 16:00.

    Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi punën e UNMIK-ut do të prezantohet nga shefi i ri i misionit të OKB-së në Kosovë, Peter Due, i cili e mori detyrën janarin e këtij viti.

    Klankosova gjatë ditës së djeshme publikoi këtë raport, i cili përfshin periudhën e fundit raportuese, ku përfshihet situata politike dhe ajo e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

    Po ashtu, vlerësohet se nuk ka pasur progres domethënës në dialogun Kosovë-Serbi, në udhëheqjen e BE-së.

    Gjithashtu, thuhet se seancat e këtilla po shqyrtohet që të mbahen të mbyllura.