ATV

Blog

  • Borussia Dortmund ul çmimin për Karim Adeyemin

    Borussia Dortmund ul çmimin për Karim Adeyemin

    E ardhmja e Karim Adeyemi te Borussia Dortmund duket gjithnjë e më e pasigurt, pavarësisht se ka pasur një ofertë për zgjatjen e kontratës prej kohësh. Sulmuesi gjerman nuk ishte pjesë e skuadrës së Gjermanisë për ndeshjet e fundit ndërkombëtare, ndërsa në Dortmund ka humbur rëndësinë e tij gjatë pjesës së dytë të sezonit, duke u aktivizuar shpesh nga stoli.

    Këto zhvillime po e bëjnë gjithnjë e më të pamundur rinovimin e kontratës së tij, e cila aktualisht skadon në vitin 2027. Sipas raportimeve nga Sport Bild, vetë lojtari është i interesuar për një transferim në Premier League. Klubet angleze pritet të jenë në gjendje të përballojnë një transferim të tillë, ndërkohë që çmimi i kartonit të Adeyemit ka pësuar një rënie. Nga 60 milionë euro që flitej më parë, tani Borussia Dortmund kërkon rreth 50 milionë euro për kartonin e tij.

    Interes për sulmuesin kanë shprehur disa klube të mëdha europiane, përfshirë Juventusin, Romën, si dhe gjigantët anglezë Chelsea, Manchester United dhe Arsenal.

  • Kusari-Lila: Janë parashtruar 206 kërkesa për verifikim të njehsorëve

    Kusari-Lila: Janë parashtruar 206 kërkesa për verifikim të njehsorëve

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka folur mbi raportimet për keqllogaritje të kohës nga njehsorët elektrikë.

    Në seancën plenare të Kuvendit, Kusari-Lila bëri të ditur se në kuadër të ministrisë që ajo drejton, është themeluar komisioni për të mbikëqyrur këtë çështje.

    “Deri në momentin kur çështja është aktivizuar publikisht, nuk ka pasur asnjë kërkesë tek Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ndërsa dje kanë qenë 73 kërkesa për verifikim të njehsorëve sot janë bërë 206 kërkesa”, tha ajo.

    Pos tjerash, ajo u deklarua edhe për fryrjen e çmimeve të naftës.

  • “Pesë fytyrat e heshtjes” vjen si shfaqje mysafire në Teatrin Kombëtar më 4 prill

    “Pesë fytyrat e heshtjes” vjen si shfaqje mysafire në Teatrin Kombëtar më 4 prill

    Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se më 4 prill 2026, në orën 20:00, do të shfaqet pjesa mysafire “Pesë fytyrat e heshtjes”.

    Shfaqja vjen me regji të Ilir Bokshit dhe skenografi nga Divni Gushta, ndërsa asistent i regjisorit është Astrit Fani. Në skenë do të paraqiten aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Ina Morinaj, Uratë Shabani, Nikolin Ferketa dhe Fritz Selmani.

    Sipas njoftimit, publiku i interesuar mund të rezervojë biletat duke dërguar SMS me emrin, mbiemrin dhe numrin e biletave në numrin 044 430 693.

    Kjo shfaqje pritet të sjellë një tjetër mbrëmje artistike për dashamirët e teatrit në vend.

  • Irani: Në Hormuz do kalojnë anijet që nuk kanë lidhje me SHBA dhe Izrael

    Irani: Në Hormuz do kalojnë anijet që nuk kanë lidhje me SHBA dhe Izrael

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit thotë se po lejon anijet të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit rruga kryesore e transportit të naftës për sa kohë që “nuk i përkasin agresorit dhe nuk lidhen me ta”.

    Në një intervistë për kanalin televiziv Newzroom Afrika, Esmail Baghaei thotë se anijet do të lejohen të kalojnë përmes ngushticës “pas koordinimit të nevojshëm me autoritetet tona”.

    Duke iu referuar konfliktit më të gjerë, Baghaei thotë se Irani nuk do të tolerojë një “cikël të egër lufte, negociatash dhe armëpushimi”.

    Në qershor, një luftë 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit përfshiu SHBA-në që sulmoi disa nga objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit.

    “Thanë le të ndalim, kështu që ne ndaluam, dhe pas nëntë muajsh, ata filluan përsëri,” thotë Baghaei.

  • Tahiri: AAK do e votojë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, le t’na hetojë mua e Kurtin të partë, të këqyrim kush sa ka

    Tahiri: AAK do e votojë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, le t’na hetojë mua e Kurtin të partë, të këqyrim kush sa ka

    Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kritikuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, duke thënë se ky i fundit po mundohet që ta bartë tek opozita përgjegjësinë për disa çështje.

    Tahiri, po ashtu, ka thënë se Kurti po synon zgjedhjet për çështjen e presidentit, duke theksuar se deri më tani nuk ka asnjë veprim për zgjidhjen e kryetarit të shtetit.

    Deputeti i AAK’së po ashtu ka deklaruar se AAK do ta votojë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, duke thënë se kjo byro le ta hetojë atë dhe Kurtin së pari.

    ‘‘Kryeministri u mundu me na e bartë përgjegjësinë neve di deputetët të opozitës, për çështje që janë saktësisht të qarta. Kanë kalu 8 ditë, nuk ka asnjë veprim se don me na çu deri në moment të fundit me bllokadën e njëjtë, e me i thirre edhe njëherë 1 milion qytetarë me dalë me votu. Është përgjegjësia e kësaj partie me gjet zgjidhje e jo me bart fajin e me sjell një kandidat të vet. AAK do ta votojë byronë për konfiskimin e pasurisë. I tham kryeministrit le të jam unë i pari, e ky i dyti, le ta na hetohet pasuria. E të këqyrim qysh u artrit ajo pasuri, sa kam unë e sa ka ky për shembull’’, ka deklaruar Tahiri.

  • Moskompletimi i KQZ-së, Behrami thirrje Vjosa Osmanit: Mos e lër këtë në dorë të një militanteje si Albulena Haxhiu

    Moskompletimi i KQZ-së, Behrami thirrje Vjosa Osmanit: Mos e lër këtë në dorë të një militanteje si Albulena Haxhiu

    Deputeti i PDK-së Artan Behrami ka folur lidhur me mos emërimin e anëtarit të dhjetë në KQZ-së nga presidentja Osmani të cilës vetëm veç së po i përfundon afati.

    Behrami gjithashtu ka pasur një kërkesë drejtuar Osmanit, ”mos ia lë këtë në dorë një militanteje si Albulena Haxhiu”.

    “Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar edhe njëherë nga presidentja Osmani që të emërojë të dytin në KQZ nga partia Demokratike e Kosovës sidomos pas vendimit të gjykatës kushtetuese prandaj ne presim që urgjentisht ajo edhe në frymën e këtij vendimi por edhe në frymën e argumentit që ne i kemi dhënë si parti të vendos për lirinë e dytë qe PDK duhet ta ketë patjetër në KQZ”, tha ai ndër të tjera.

  • Inspektorët e Gjilanit nisin aksion për largimin e reklamave pa leje

    Inspektorët e Gjilanit nisin aksion për largimin e reklamave pa leje

    Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Gjilanit ka nisur një aksion për largimin e reklamave të vendosura pa leje në hapësirat publike, si pjesë e angazhimeve për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e rendit urban.

    Sipas Drejtoratit për Inspekcion, një reklamë e madhe është hequr në rrugën “Nëna Tereze”, pranë rrugës së Prishtinës në qendër të qytetit, ndërsa aksioni përfshin edhe largimin e reklamave të tjera që ndodhen në zona të ndryshme.

    “Inspektorët më 13 mars kishin vendosur shirita paralajmërues dhe njoftime në shtyllën e reklamës, duke informuar pronarin për pasojat e mundshme në rast mosveprimi. Reklama u hoq nga personat përgjegjës për vendosjen e saj,” njofton Drejtoria për Inspekcion.

    Sipas zyrës për informim të komunës, aksioni do të vazhdojë deri në largimin e të gjitha reklamave dhe gjësendeve të tjera të paligjshme në hapësirat publike.

  • Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Gjermani

    Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Gjermani

    Të premten, më 3 prill, në ora 20:15, do të mbahet finalja e madhe e spektaklit të njohur “The Voice Kids”, ku do të përcaktohet fituesi i këtij edicioni

    Në këtë natë vendimtare, secili talent do të performojë një këngë solo dhe më pas do të rikthehet në skenë për një performancë të përbashkët me trajnerin dhe ekipin e tij. Fituesi do të vendoset nga votat e publikut, të cilat mund të realizohen përmes aplikacionit Joyn, me telefon dhe përmes mesazheve.

    Në finale kanë arritur gjithsej 12 finalistë, të ndarë në katër grupe, ku secili grup përbëhet nga tre këngëtarë dhe udhëhiqet nga trajneri përkatës.

    Pjesë e finales është edhe Lionela Jakaj, 14-vjeçarja shqiptare që banon në Tulln të Austrisë dhe është me origjinë nga komuna e Gjakovës. Ajo është pjesë e grupit HE/RO dhe ka tërhequr vëmendjen e publikut me paraqitjen e saj energjike dhe vetëbesimin në skenë,

    Lionela është prezantuar në spektakël me këngën “Easy” të Loredanës, ndërsa muzika rep mbetet stili që ajo e pëlqen më shumë. Sipas albinfo.at, Lionela tashmë mund të rivalizojë reperët e njohur për sa i përket vetëbesimit, duke u shprehur me moton e saj: “Nëse dua diçka, e arrij!”

    Sa i përket çmimit, talenti fitues i “The Voice Kids” do të shpërblehet me 20,000 euro fonde arsimore, si dhe me mundësinë për të prodhuar këngën e tij në bashkëpunim me “Embassy of Music”.

    Finalja pritet të sjellë emocione të mëdha, ndërsa Lionela Jakaj mbetet një nga emrat më të komentuar dhe shpresë e madhe për sukses në këtë garë prestigjioze./Albinfo

  • “Për ata që (s)’janë” – Eliza Hoxha rrëfen përmes artit historitë e të pagjeturve

    “Për ata që (s)’janë” – Eliza Hoxha rrëfen përmes artit historitë e të pagjeturve

    Artistja Eliza Hoxha, ka sjellë një rrëfim të fuqishëm artistik përmes tri ekspozitave të saj të rëndësishme: “Për ata që (s)’janë”, “Run for your life” dhe “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”. Këto projekte trajtojnë tema të ndjeshme dhe thellësisht të rrënjosura në historinë dhe realitetin shoqëror të Kosovës, me fokus të veçantë te çështja e personave të pagjetur.

    Ajo ka botuar edhe librin “Artivizëm” që përmbledh të gjithë veprimtarinë e saj artistike ndër vite. Libri përfshin ekspozita personale, kolektive, projekte kuratoriale dhe iniciativa të tjera që ndërthurin artin vizual, muzikën dhe arkitekturën.

    “Për mua këto janë një kujtim jetësor që përmes modaliteteve të ndryshme të shprehjes artistike – qoftë muzikë, video, instalacion, multimedia apo fotografi – jam përpjekur me kriju kontekste të caktuara hapësinore dhe diskursive për fenomene që e kanë prek shoqërinë e Kosovës,” u shpreh Hoxha. Sipas saj, të gjitha këto projekte lidhen me periudhën e viteve ’90, duke përfshirë jetën në “qytetin paralel”, shkollat shtëpi, luftën dhe pasojat e saj, si dhe temat e të pagjeturve dhe viktimave të dhunës seksuale.

    Ajo theksoi se, ndonëse jo të gjitha këto përvoja i ka jetuar drejtpërdrejt, në shumë prej tyre ka qenë pjesë aktive, sidomos në dokumentimin e protestave në Prishtinë gjatë asaj kohe.

    Sa i përket librit, Hoxha tregoi se ai erdhi si rezultat i disa nevojave të rëndësishme: për të përmbledhur projektet multidisiplinare që ndërthurin muzikën me artin vizual dhe arkitekturën; për të qenë zë i kategorive të margjinalizuara në shoqëri; si dhe për të ndarë qartë aktivizmin e saj artistik dhe kulturor nga ai politik.

    “Një prej arsyeve ishte edhe fakti që njerëzit më njohin kryesisht nga këngët, ndërkohë që shumë prej ekspozitave kanë rrjedh pikërisht prej tyre,” shtoi ajo.

    Përmes këtij angazhimi artistik dhe dokumentues, Eliza Hoxha vazhdon të sjellë në vëmendje kujtesën kolektive dhe plagët e hapura të shoqërisë kosovare, duke i dhënë zë atyre që shpesh kanë mbetur në heshtje.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Eliza Hoxhës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Nga sekonda në euro, pse koha e saktë ka rëndësi? Çfarë po ndodh me njehsorët e rrymës?

    Nga sekonda në euro, pse koha e saktë ka rëndësi? Çfarë po ndodh me njehsorët e rrymës?

    Debati disaditor se në Kosovë ka njehsorë elektrikë me orë tarifore të pasakta u kurorëzua më 1 prill, me tërheqjen e disa sosh prej funksionit nga një komision i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).

    Komisioni doli në terren pasi partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe media lokale Nacionale, publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në total – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

    Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht prej temperaturës dhe kohëzgjatjes së njehsorit, ndërsa ka qytetarë që pretendojnë se pasaktësia shkon në disa orë, shkruan Evropa e Lirë.

    Pse koha e saktë ka rëndësi?

    Sepse çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është ndryshe-ndryshe, varësisht se kur shpenzohet.

    Ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00.

    Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.

    Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

    LDK-ja pretendon se qytetarët janë dëmtuar nga “një skemë e madhe mashtrimi”, meqë ata mund të kenë besuar se e kanë shpenzuar energjinë në orët kur zbatohet tarifa e ulët, por me dallimet në kohë ata kanë shpenzuar shumë më tepër.

    Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) tha në një konferencë për media, më 1 prill, se mospërputhjet janë çështje teknike dhe nuk përfaqësojnë manipulim. Sipas kompanisë, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë – por, në rast të identifikimit të pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”.

    “KEDS dhe KESCO [Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike] nuk mund të përfitojnë financiarisht nga kjo situatë. Një gjë të tillë nuk e lejon as korniza rregullative, e cila vendoset në bazë të parimit të të hyrave të lejuara maksimale”, thanë mes tjerash zyrtarë të kompanisë.

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) – e cila mbikëqyr KEDS-in dhe KESCO-n – është zotuar se do të marrë masa në rast të konstatimit të gabimeve në funksionimin e njehsorëve elektrikë, dhe ka rikujtuar se përgjegjës për kalibrimin e njehsorëve është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, e cila funksionon në kuadër të MINTI-t.

    Pse po ndërrohen njehsorët?

    Një tjetër aspekt shumë i diskutuar në ditët e fundit ka të bëjë me ndërrimin e njehsorëve. Për KEDS-in, kjo procedurë është krejt normale dhe parashihet me rregulloret e punës.

    “U kemi dhënë përparësi njehsorëve me vjetërsi më të lartë. Kemi një sasi të vogël të njehsorëve mekanikë”, tha Flamur Kurtaj nga KEDS-i, duke përmendur se bëhet fjalë për pothuajse 10 për qind të njehsorëve të tillë në total, pasi rreth 70 për qind e njehsorëve janë digjitalë dhe 20 për qind janë inteligjentë – ku pasaktësitë në kohë janë të pamundshme.

    Kompania bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar janë instaluar 130 mijë njehsorë të rinj digjitalë në gjithë Kosovën.

    Por, Burim Ejupi nga Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP i tha Radios Evropa e Lirë se beson që ky veprim vetëm sa i rrit dyshimet që njehsorët nuk kanë qenë të saktë.

    “Fakti që këto ndryshime kanë nisur të bëhen në këtë moment tregon se kompania po tenton të fshehë gjurmë”.

    LDK-ja paralajmëroi që dosjen me mbi 500 dëshmi të qytetarëve për pasaktësitë në orët tarifore në njehsorë do ta dërgojë në Prokurori.

    “Ne i thërrasim organet kompetente që t’i hetojnë, edhe KEDS-in edhe Ministrinë, sepse këtu kemi të bëjmë me një skandal super serioz dhe super të madh. Nuk munden as KEDS-i dhe as Ministria të dalin dhe t’i tërheqin këta njehsorë, të pretendojnë që rastet janë të izoluara, pa pasur një hetim të plotë nga të gjitha organet e hetuesisë”.

    Gjithë këto diskutime bëhen pak kohë pas ankesave të qytetarëve për reduktime të rrymës.

    Ndonëse është vend që fle në thëngjill, Kosova prodhon pjesën më të madhe të energjisë përmes dy termocentraleve të vjetra prej disa dekadash – Kosova A dhe Kosova B. Marrëveshjet për ndërtim të një termocentrali të ri kanë dështuar vite më parë.

    Kjo situatë e bën të pashmangshme blerjen e rrymës në vlera milionëshe në baza vjetore. Diçka e tillë reflektohet më pas në përcaktimin e tarifave vjetore të rrymës nga ana e ZRRE-së.

    Ky institucion shpall tarifat prej 1 prillit, të cilat vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues, mirëpo këtë vit vendimi është shtyrë për 1 maj.

    Disa operatorë energjetikë kanë kërkuar rritje të tarifave prej 20 për qind, por asgjë nuk është përcaktuar ende.