ATV

Blog

  • KS i OKB-së, më 9 prill debaton për punën e UNMIK-ut në Kosovë

    KS i OKB-së, më 9 prill debaton për punën e UNMIK-ut në Kosovë

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS i OKB) të do të debatojë në Nju Jork për raportin e ri të punës së UNMIK-ut në Kosovë të enjten më 9 prill, është bërë e ditur në ueb-faqen zyrtare të kësaj organizare.

    Seanca pritet të mbahet nga ora 16:00.

    Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi punën e UNMIK-ut do të prezantohet nga shefi i ri i misionit të OKB-së në Kosovë, Peter Due, i cili e mori detyrën janarin e këtij viti.

    Klankosova gjatë ditës së djeshme publikoi këtë raport, i cili përfshin periudhën e fundit raportuese, ku përfshihet situata politike dhe ajo e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

    Po ashtu, vlerësohet se nuk ka pasur progres domethënës në dialogun Kosovë-Serbi, në udhëheqjen e BE-së.

    Gjithashtu, thuhet se seancat e këtilla po shqyrtohet që të mbahen të mbyllura.

  • Fryrja e çmimeve, Mustafa: Qytetari detyrohet t’i numërojë centët – qeveria të marrë masa sa më shpejt

    Fryrja e çmimeve, Mustafa: Qytetari detyrohet t’i numërojë centët – qeveria të marrë masa sa më shpejt

    Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka folur për rritjen enorme të çmimeve të derivateve, teksa është paralajmëruar edhe fryrja e çmimit të rrymës.

    Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Mustafa kërkoi masa të menjëhershme nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të vihet në kontroll situata e krijuar.

    “Kohëve të fundit të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes enorme të çmimeve të derivateve, edhe një paralajmërim nga ana e ZRrE-së, që me gjasë do të kemi edhe një rritje të çmimit të energjisë që nga 1 maji. Këto rritje të çmimeve kanë një efekt zinxhiror, pra kur rritet çmimi i derivateve dhe rrymës, do të kemi rritje të çmimit të ushqimit, transportit, barnave, imputove bujqësore, veshmbathje, pra kemi efet zinxhiror të rritjes së çmimit të çdo produkti”, tha ai.

    “Çdo familje në Kosovë duhet të numërojë centët, sepse fatkeqësisht nuk arrijnë të blejnë çdo gjq që iu nevojiten në çdo kohë. Pensionistët duhet t’i numërojnë centët, sepse nuk arrijnë të blejnë barnat. Vlen kjo edhe për studentët, për çdo qytetarë”, tha Mustafa.

    Ai shtoi se Kosova nuk ka mundësi të ndërhyrje në rritjen e çmimeve në botë, megjithatë, sipas tij, qeveria e ka për detyrë të mbështesë qytetarët e saj.

    “Kërkojmë urgjentisht nga Qeveria të merr masa për të mbrojtur dhe përkrahur qytetarët, qoftë largim i përkohshëm i akcizës në derivate, largim ose ulje komplet e TVSH-së për një periudhe, përkrahje financiare për qytetarët, sidomos për familjet e cenuara”, tha ai.

  • ​Nagavci kërkon bashkëpunim: Më mirë ta zgjedhim tani presidentin sesa më vonë

    ​Nagavci kërkon bashkëpunim: Më mirë ta zgjedhim tani presidentin sesa më vonë

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar bashkëpunim dhe konsensus për zgjedhjen e presidentit.

    Në seancën e sotme të Kuvendit, Nagavci tha se në këtë fazë ka nevojë për unitet dhe bashkëpunim për të dalë nga ngërçi aktual.

    Në deklarimet jashtë rendit të ditës, Nagavci tha se ata që punojnë për zgjedhje të reja duhet ta dinë se ato nuk ua heqin përgjegjësinë për të punuar sërish bashkë për të zgjedhur presidentin.

    Prandaj, sipas saj, më mirë është të zgjidhet presidenti në këto kushte sesa më vonë.

    “Në këtë fazë kemi nevojë për unitet dhe bashkëpunim. Para nesh kemi një proces të rëndësishëm kushtetues, zgjedhja e presidentit të Republikës, ku nga secili prej nesh kërkohet pjekuri politike. Presidenti si figurë e unitetit të popullit thërret për proces që duhet të udhëhiqet nga fryma e bashkëpunimit. Përgjegjësia është e jona, prandaj qytetarët presin nga ne që të marrim vendime. Ata që mendojnë dhe punojnë për zgjedhje duhet ta dinë se ato nuk na heqin përgjegjësinë për të punuar për të njëjtat tema herët apo më vonë. Në këto kushte më mirë tani sesa më vonë”, tha ajo.

    Nagavci para deputetëve foli edhe për pasaktësitë e ekspozitës së fundit të Shkëlzen Gashit për masakrat në Kosovë në vitet 1998-1999.

    Sipas saj, qeveria nuk do të ndalet në asnjë rrethanë deri në kompletimin e dokumentimit të këtyre masakrave dhe vendosjen e drejtësisë për çdo masakër, krim lufte dhe gjenocidin e kryer nga Serbia, raporton kp.

    “Ky debat duhet të jetë i përgjegjshëm, i bazuar në fakte dhe zhvilluar me respekt të veçantë për të vërtetën. Mbi metoda shkencore dhe mbi të gjitha me një respekt të thellë për ndjenjat dhe vuajtjet e jashtëzakonshme të qytetarëve tanë… Lufta jonë çlirimtare është një fakt historik dhe moral që nuk mund të relativizohet. Kjo nuk e përjashton nevojën për reflektim dhe diskutim, por e vendos atë në një kornizë të qartë të historisë… Nuk do të ndalemi në asnjë rrethanë deri në kompletimin e dokumentimit për çdo ngjarje të dhimbshme të vendit tonë, përfshirë vendosjen e drejtësisë për çdo masakër, krim lufte dhe gjenocidin e kryer nga Serbia”, tha ajo.

  • “Asnjë hatërmbetje”, Vengu reagon pas largimit nga Qeveria: Kam 13 vite që vetëm promovohem si shërbyes i shtetit

    “Asnjë hatërmbetje”, Vengu reagon pas largimit nga Qeveria: Kam 13 vite që vetëm promovohem si shërbyes i shtetit

    Pas largimit nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar publikisht duke theksuar se nuk ka asnjë hatërmbetje personale, ndërsa vuri theksin tek rëndësia e sfidave që përballet vendi.

    Në një deklaratë të tij, ai u shpreh se Shqipëria ka përpara çështje shumë më jetike sesa pakënaqësitë individuale. “Në këtë kontekst rajonal dhe ndërkombëtar, hatërmbetjet janë një luks që nuk e kemi”, theksoi ai, duke shtuar se “ky është një vit që kërkon pjekuri kombëtare përballë zhvillimeve globale”.

    Vengu nënvizoi se debatet e brendshme janë normale në politikë, por sipas tij, fokusi nuk duhet të zhvendoset tek çështje dytësore. Ai shmangu komentet për ish-ministren e Jashtme, Elisa Spiropali e cila në mbledhjen e grupit parlamentar socialist u përplas me kryeministrin Edi Rama, duke e konsideruar qëndrimin e saj si një pikëpamje personale.

    Po ashtu, ai nuk komentoi as deklaratën e Erion Braçes lidhur me gatishmërinë e tij për të kandiduar për Tiranën, duke theksuar se është krejt normale që në politikë individët të shprehin ambicie për poste të caktuara.

    Në vijim, ai ngriti një pyetje për opinionin publik dhe median: “Çfarë është më e rëndësishme për qytetarët? Ku u ul dikush dhe çfarë tha, apo çfarë punësh po bëhen realisht për ta?”

    Sipas tij, vëmendja duhet të përqendrohet tek problematikat konkrete si rritja e çmimeve, çmimi i naftës dhe ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në jetën e përditshme të qytetarëve, dhe jo tek çështje që ai i cilësoi si periferike.

    Në përfundim, Vengu e konsideroi të pavend fokusin mediatik tek detaje të tilla, duke bërë thirrje për një qasje më të përgjegjshme në raportimin dhe trajtimin e çështjeve me interes publik.

    Prononcimi i plotë i Vengut

    Shqipëria ka çështje shumë më jetike sesa hatërmbetja ime apo e dikujt tjetër. Ne kete kontekst rajonal dhe nderkombetar, hatermbetjet jane nje luks qe nuk e kemi. Ky është një vit sfidash ndërkombëtare dhe na duhet pjekuri kombëtare.

    Debatet e brendshme janë normale. Skam asnjë koment për znj. Spiropali, pasi e konsideroj një çështje të pikëpamjes së saj personale. Sikundër nuk kam asnjë koment për deklaratën e kolegut Braçe për t’u ofruar si kandidat për Tiranën. Nuk ka asgjë të pazakontë që dikush në politikë të jetë i gatshëm për të kandiduar.

    Në kontekstin e sfidave aktuale, çfarë është më e rëndësishme për publikun? Ku u ul dikush dhe çfarë tha, apo çfarë punësh po bëhen për qytetarët?

    Janë më të rendësishme rritja e çmimeve, nafta, ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në jetën e përditshme, apo kush është ulur në karrigen e ministrit në mënyrë të përsëritur?

    Prandaj e konsideroj të pavend zhvendosjen e mbulimit mediatik tek detaje periferike.

  • VV s’pranoi të trajtohet si pikë e parë, PDK: Shmangie e përgjegjësisë institucionale për ta mbrojtur të vërtetën historike

    VV s’pranoi të trajtohet si pikë e parë, PDK: Shmangie e përgjegjësisë institucionale për ta mbrojtur të vërtetën historike

    Në seancën e sotme parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës, ka propozuar rezolutë ‘’ për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës dhe dinjitetit të viktimave’’.

    PDK, ka kërkuar që kjo rezolutë të trajtohet në Kuvend, si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e sotme, megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje s’ka pranuar një gjë të tillë. Për këtë, PDK ka tërhequr përkohësisht rezolutën dhe ka lëshuar sallën.

    Nga PDK, për këtë, kanë thënë se, ‘’ refuzimi për ta trajtuar këtë çështje si prioritet nuk është një vendim procedural, por një shmangie nga përgjegjësia institucionale për ta mbrojtur të vërtetën historike dhe për të respektuar dinjitetin e viktimave të luftës’’.

    Komunikata:

    PDK: Refuzimi për t’i dhënë prioritet Rezolutës është shmangie e përgjegjësisë ndaj së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave të luftës

    Prishtinë, 2 prill 2026 – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka propozuar sot një Rezolutë të rëndësisë së veçantë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës dhe dinjitetit të viktimave.

    PDK ka kërkuar që kjo rezolutë të përfshihet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe urgjencën që lidhet me zhvillimet e fundit dhe reagimin e drejtë institucional ndaj tyre.

    Fatkeqësisht, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka mbështetur këtë kërkesë, duke refuzuar që Rezoluta të trajtohet me prioritetin që meriton.

    Në këto rrethana dhe për ta shmangur një votim të paracaktuar për dështim, PDK është detyruar ta tërheqë përkohësisht këtë Rezolutë nga procedura parlamentare dhe të lëshoi sallën e Kuvendit.

    PDK vlerëson se refuzimi për ta trajtuar këtë çështje si prioritet nuk është një vendim procedural, por një shmangie nga përgjegjësia institucionale për ta mbrojtur të vërtetën historike dhe për të respektuar dinjitetin e viktimave të luftës.

    Rezoluta e propozuar nga PDK synon të dënojë çdo shtrembërim të fakteve historike, të kërkojë përgjegjësi për keqinformimin dhe të garantojë standarde të qarta institucionale në trajtimin e historisë së luftës së Kosovës.

    Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur që këtë çështje ta rikthejë në Kuvend dhe të kërkojë mbështetje të gjerë politike dhe shoqërore për miratimin e saj.

    Mbrojtja e së vërtetës historike nuk është çështje e një partie, por detyrim ndaj shtetit, ndaj viktimave dhe ndaj brezave që vijnë.

  • Murati pyetet pse s’iu nda paga e 13-të sektorit privat, kjo është përgjigja e tij

    Murati pyetet pse s’iu nda paga e 13-të sektorit privat, kjo është përgjigja e tij

    Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka folur për pagën e 13-të.

    I pyetur se a e ka marrë ai vetë pagën 13-të, Murati s’dha ndonjë përgjigje.

    Sa i përket mos përfshirjes të sektorit privat në këtë vendim Murati tha ”S’ka pasur ndarje, secili punëdhënës është përgjegjës”./RTV21

  • Kadrijaj, qeverisë: Marre – tërhiqeni librin e Shkëlzen Gashit

    Kadrijaj, qeverisë: Marre – tërhiqeni librin e Shkëlzen Gashit

    Time Kadijaj, deputetja e AAK-së, ka hedhur kritika ndaj partisë në pushtet, pasi nuk u vendos si pikë e parë në rend të ditës Rezoluta e propozuar nga PDK për mbrojtjen e vlerave të luftës.

    “Muaji mars është i epopeve të rëndësishme të UÇK-së. Janë edhe përvjetorët e masakrave të kryera nga regjimi serb. Dje kryeministri Kurti ka qenë për masakrën në Lubeniq. A kemi të drejtë ne si shtet t’i fyejmë këto viktima? Nuk kemi. Ne po bëjmë padrejtësi dhe po më vjen keq se në çfarë deregje ka rënë kjo qeveri. Për një Rezolutë që nuk është politike, por për të mbrojtur vlerat e luftës, kemi këso kundërshtimesh se ku të vihet në rend dite, në fillim apo në fund”.

    “Unë po e luti Andin Hotin si ministër, bëje një Ligj për vlerat e luftës, të takon si biri i Ukshin Hotit”, tha Kadrijaj.

    Deputetja e AAK-së tha se duhet të tërhiqet nga tregu edhe libri i Shkëlzen Gashit, i cili, sipas saj, përmban të pavërteta mbi masakrat në Kosovë.

    “Historia nuk ndryshohet, nuk mund ta ndryshoni me këto linçime që po i bëni. Tërhiqeni edhe librin për masakrat në Kosovë të Shkëlzen Gashit, i cili ka shkruar të pavërteta, dhe është financuar nga Ministria e Jashtme, e që ai libër është shpërndarë nëpër vende të tjera. Pra, vetë shteti i Kosovës ka shpërndarë libra me të pavërteta, për të prezantuar një të pavërtetë, në vende të ndryshme të Evropës. Marre”, tha Kadrijaj nga foltorja e Kuvendit.

  • Lushaku-Sadriu për ‘dallaveret’ me njehsorë: Qytetarët u mashtruan

    Lushaku-Sadriu për ‘dallaveret’ me njehsorë: Qytetarët u mashtruan

    Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, shefja e Grupit Parlamentar e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka deklaruar se qytetari është mashtruar, sa i përket shpenzimit të energjisë elektrike.

    Ajo ritheksoi, se bazuar në hulumtimet e Visar Azemit nga LDK, ka dalë që njehsorë në Prishtinë e Ferizaj llogarisin gabim kohën.

    “Dua ta ngriti një temë që është shumë e rëndësishme për çdo familje të Kosovës, një çështje që ka të bëjë me një mashtrim përmes një keqllogaritjeje të shpenzimit të energjisë elektrike. E prek secilin prej nesh. Është një padrejtësi që po bëhet për muaj, apo vite me radhë”.

    “Teksa kemi dëgjuar qeverinë që u ka bërë thirrje qytetarëve ta kursejnë energjinë elektrike, të presin e të shpenzojnë prej orës 22:00, ne sot kemi parë që shumica e njehsorëve nuk e llogarisin saktë shpenzimin e energjisë, dhe kjo çon te llogaritja më e madhe dhe faturimi më i shtrenjtë te çdo familje e Kosovës”, tha deputetja.

    Deputetja ndër të tjera hodhi edhe gishtin, nga institucionet dhe kompanitë që ajo mendon që janë fajtorë për këtë çështje.

  • Nait Hasani i PDK-së: Autorët e ekspozitës me pasaktësi për masakrat, të mbahen përgjegjës

    Nait Hasani i PDK-së: Autorët e ekspozitës me pasaktësi për masakrat, të mbahen përgjegjës

    Partia Demokratike e Kosovës ka lëshuar seancën e sotme parlamentare, pasi Draft-rezoluta e propozuar nga kjo parti në mbrojtje të së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave të luftës e propozuar nga dhe kërkesa që të trajtohet si pikë e parë të rendit të ditës nuk gjeti përkrahje.

    Në sallë qëndroi vetëm deputeti Nait Hasani. Ai përmendi ekspozitën me pasaktësi për masakrat dhe tha se duhet të nxirret një ligj për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së.

    “Kjo ekspozitë është me pasoja të rënda për Kosovën. Kërkimfalja e Shëlzenit nuk e riparon dëmin e shkaktuar për shtetin tonë dhe të vërtetën në masakrën e burgut të Dubravës.

    Unë kam qenë i burgosur aty dhe në burg nuk ka pasur ushtarë, nuk ka pasur beteja, nuk ka pasur kryengritje vetëm, të burgosur shqiptar dhe masakër të shtetit serb mi të burgosurit shqiptarë.

    Aty janë vrarë njerëz të paarmatosur, që nuk kishin asnjë mundësi mbrojtje. Sot në shtetin tonë, na paraqitet në ekspozitë në Prishtinë versioni i udbës mbi masakrat në Kosovë. Kushdo që e ka mbështetur këtë vepër të tij është duke i bërë një shërbim të qartë Beogradit dhe Vuçiqit. Kërkoj publikisht që asnjëherë të mos shfaqen ekspozita të tilla dhe të nxirret një ligj për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së”, tha Hasani në Kuvend.

  • Iniciativa e Britanisë, Kosova mes 30 vendeve që u bashkuan në përpjekjet për të gjetur zgjidhje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

    Iniciativa e Britanisë, Kosova mes 30 vendeve që u bashkuan në përpjekjet për të gjetur zgjidhje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

    Kosova dhe Shqipëria janë në mesin e mbi 30 vendeve që i janë bashkuar Britanisë së Madhe në përpjekjet për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike detare që është bllokuar nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, shkruan Reporteri.net.

    Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga vendet pjesëmarrëse në këtë iniciativë, të publikuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, i bëhet thirrje Iranit që të ndalojë sulmet.

    “Ne dënojmë me termat më të fortë sulmet e fundit të Iranit ndaj anijeve tregtare të pambrojtura në Gjirin Persik, sulmet ndaj infrastrukturës civile, duke përfshirë objektet e naftës dhe gazit, si dhe mbylljen de fakto të Ngushticës të Hormuzit nga forcat iraniane. Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për përshkallëzimin e konfliktit. Ne i bëjmë thirrje Iranit që të ndalojë menjëherë kërcënimet, vendosjen e minave, sulmet me dron dhe raketa, dhe çdo përpjekje tjetër për të bllokuar ngushticën për transportin tregtar, dhe të zbatojë Rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

    Sipas njoftimit, Kosova i është bashkuar kësaj deklarate më 23 mars.

    Shtetet nënshkruese të deklaratës së përbashkët shprehin gatishmëri për të kontribuar në përpjekjet për kalim të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit.

    “Ne gjithashtu do të punojmë për të ofruar mbështetje për vendet më të prekura, duke përfshirë përmes Kombeve të Bashkuara dhe Institucioneve Financiare Ndërkombëtare (IFIs)”, thuhet tutje në deklaratë.

    Deklarata e përbashkët është lëshuar liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Japonisë, Kanadasë, Republikës së Koresë, Zelandës së Re, Danimarkës, Letonisë, Sllovenisë, Estonisë, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës, Çekisë, Rumanisë, Bahreinit, Lituanisë, Australisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Portugalisë, Trinitatit dhe Tobagos, Kroacisë, Bullgarisë, Kosovës, Panamasë, Maqedonisë së Veriut, Nigerisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Ishujve Marshall, Kilit, Moldavisë, Greqisë dhe Somalisë.

    Kryeministri britanik, Keir Starmer tha se takimi virtual i drejtuar nga Sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper “do të vlerësojë të gjitha masat e mundshme diplomatike dhe politike që mund të ndërmarrim për të rikthyer lirinë e lundrimit, për të garantuar sigurinë e anijeve dhe detarëve të bllokuar dhe për të rifilluar lëvizjen e mallrave jetike.”

    Sulmet iraniane ndaj anijeve tregtare, dhe kërcënimi për të tjera, kanë ndalur pothuajse të gjithë trafikun në këtë rrugë ujore që lidh Gjirin Persik me pjesën tjetër të oqeaneve të botës, duke mbyllur një rrugë kritike për rrjedhën globale të naftës dhe duke rritur ndjeshëm çmimet e saj.

    Trump ka thënë se sigurimi i kësaj rruge ujore nuk është detyrë e Amerikës dhe u ka thënë aleatëve të SHBA-së “shkoni dhe siguroni vetë naftën tuaj.