ATV

Blog

  • Çfarë hanë astronautët e Artemis II gjatë misionit rreth Hënës

    Çfarë hanë astronautët e Artemis II gjatë misionit rreth Hënës

    Fluturimi i parë me ekuipazh i Artemis i NASA-s ka nisur. Katër astronautët e Artemis II po fluturojnë me anijen kozmike Orion rreth Hënës, për të testuar se si funksionojnë sistemet e saj në hapësirën e thellë.

    Astronautët e NASA-s, Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, së bashku me astronautin kanadez të Agjencia Hapësinore Kanadeze, Jeremy Hansen, u nisën në orën 18:35 më 1 prill nga platforma 39B në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida.

    Krahas shumë pyetjeve kryesore, ku shumë prej tyre përgjigjen mund ta gjejnë tek faqja zyrtare e NASA, aty flitet edhe për pjesën e ushqimit.

    Çfarë hanë astronautët gjatë këtij misioni?

    Ekuipazhi i Artemis II ka në dispozicion 189 artikuj të ndryshëm ushqimi gjatë misionit, përfshirë 10 lloje të ndryshme pijesh si kafe dhe smoothie.

    Ushqimet më të zakonshme përfshijnë tortilja, arra, brisket viçi me BBQ, lulelakër, makarona me djathë, kungull të ëmbël, biskota dhe çokollatë.

    “Ushqimi që kanë ekuipazhi është i bërë për të mbështetur shëndetin dhe performancën e tyre gjatë misionit rreth Hënës. Përzgjedhjet e menusë janë zhvilluar bashkë me ekspertë të ushqimit hapësinor dhe ekuipazhin për të balancuar nevojat për kalori, hidratim dhe marrjen e nutrientëve, duke marrë parasysh edhe preferencat individuale”, thuhet në faqen zyrtare të NASA-s.

  • Soda e bukës dhe barnat: Kombinimi që mund të bëhet i rrezikshëm pa e ditur

    Soda e bukës dhe barnat: Kombinimi që mund të bëhet i rrezikshëm pa e ditur

    Përdoret shpesh për urthin dhe duket e padëmshme, por soda e bukës mund të ndërveprojë me barna të rëndësishme dhe të prishë ekuilibrin në organizëm. Ekspertët paralajmërojnë për rreziqet që shpesh neglizhohen

    Soda e bukës (natrium-bikarbonat) përdoret shpesh për lehtësimin e urthit dhe aciditetit në stomak, por kjo përdorim nuk është pa rreziqe. Edhe pse soda medicinale është e disponueshme pa recetë, te disa persona mund të shkaktojë ose përkeqësojë probleme ekzistuese shëndetësore. Sipas Mayo Clinic, përdorimi i pakontrolluar i antacideve që përmbajnë natrium mund të ndikojë në ekuilibrin elektrolitik dhe në funksionin kardiovaskular.

    Soda e bukës: Disa persona kanë rrezik të shtuar nga përdorimi

    Përdorimi i sodës së bukës kërkon kujdes të veçantë te disa grupe pacientësh. Natrium-bikarbonati përmban sasi të konsiderueshme natriumi, gjë që mund të jetë problem për personat që kanë kufizim të marrjes së kripës, sidomos te hipertensioni ose sëmundjet kardiovaskulare (persona në dietë me natrium të kufizuar). Sipas American Heart Association, marrja e lartë e natriumit lidhet drejtpërdrejt me rritjen e presionit të gjakut dhe rrezikun për komplikime kardiake.

    Tabletët ose pluhuri duhet të treten plotësisht në ujë para përdorimit. Përndryshe, mund të shkaktojnë irritim ose dëmtim të mukozës së stomakut. Gjithashtu, nuk rekomandohet marrja me stomak të mbushur, pasi kjo mund të rrisë rrezikun e parehatisë dhe dhimbjes, sidomos te personat me stomak të ndjeshëm.

    Masat paraprake para fillimit të përdorimit

    Para se të filloni përdorimin e natrium-bikarbonatit, është e rëndësishme të informoni mjekun për alergjitë e mundshme ndaj barnave, të paraqisni listën e të gjitha barnave që përdorni (përfshirë suplementet dhe preparatet bimore) dhe të jepni historinë e plotë mjekësore. Sipas U.S. Food and Drug Administration, ndërveprimet mes barnave dhe substancave të zakonshme pa recetë janë shpesh të nënvlerësuara dhe mund të kenë pasoja serioze.

    Ky preparat mund të mos jetë i përshtatshëm për personat me:

    • tension të lartë të gjakut
    • gjakderdhje në traktin tretës
    • insuficiencë kardiake
    • sëmundje të veshkave

    Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji duhet të konsultohen me profesionist shëndetësor para përdorimi.

    Në çfarë duhet kushtuar vëmendje gjatë përdorimit?

    Nëse përdorni sodë buke për urth dhe simptomat zgjasin më shumë se dy javë, duhet të paraqiteni te mjeku. Përdorimi i zgjatur pa mbikëqyrje mund të maskojë sëmundje më serioze të sistemit tretës, siç theksohet edhe nga National Institute of Diabetes and Digestive and Kidney Diseases.

    Ndërveprimet me barna të tjera

    Natrium-bikarbonati mund të ndikojë në veprimin e shumë barnave, duke rritur rrezikun e efekteve anësore ose duke ulur efikasitetin e tyre. Kjo ndodh sepse ai ndryshon pH-në e stomakut dhe urinës, duke ndikuar në përthithjen dhe eliminimin e barnave. Kujdes i veçantë kërkohet nëse përdorni:

    • antacide të tjera
    • barna si Aspirin dhe preparate të ngjashme
    • benzodiazepina (barna kundër ankthit)
    • antiaritmikë
    • antimikotikë si Ketoconazole
    • barna psikiatrike si Lithium
    • antibiotikë të caktuar, përfshirë Tetracycline
    • barna për artritin reumatoid si Methotrexate
    • suplemente hekuri dhe vitamina

    Çfarë thotë shkenca: Si ndodh alkaloza metabolike?

    Një nga faktet e rëndësishme, por më pak të njohura, është se përdorimi i tepërt i sodës së bukës mund të çojë në alkalozë metabolike, gjendje në të cilën prishet ekuilibri acido-bazik në organizëm. Sipas Cleveland Clinic, kjo gjendje shfaqet kur rritet niveli i bikarbonatit në gjak dhe mund të shkaktojë simptoma si nauze, dridhje muskulore, konfuzion dhe çrregullime të ritmit të zemrës.

    Në rastet më të rënda, alkaloza metabolike mund të jetë gjendje serioze dhe potencialisht e rrezikshme që kërkon mbikëqyrje mjekësore.

    Në përfundim, edhe pse natrium-bikarbonati duket si zgjidhje e thjeshtë dhe e arritshme për urthin, përdorimi i tij kërkon kujdes. Përdorimi i gabuar ose afatgjatë mund të çojë në komplikime, sidomos te personat me sëmundje kronike ose ata që përdorin barna të tjera.

    Prandaj, rregulli më i rëndësishëm është që para fillimit të përdorimit të rregullt të konsultoheni me profesionist shëndetësor dhe ta përdorni këtë preparat natyral në mënyrë të përgjegjshme.

  • Zbulohen detajet e para për Honor 600 Pro

    Zbulohen detajet e para për Honor 600 Pro

    Seria e re e smartfonëve nga Honor po tërheq vëmendje edhe para lansimit zyrtar.

    Pamjet e rrjedhura të modelit Honor 600 Pro konfirmojnë një dizajn krejtësisht të ri, me një modul kamerash më të madh dhe tre sensorë në pjesën e pasme.

    Një detaj interesant është se dizajni i kamerës dhe ngjyra portokalli duket se janë frymëzuar nga iPhone 17 Pro.

    Në pjesën e përparme, telefoni pritet të ketë korniza shumë të holla dhe një vrimë të vogël për kamerën selfie.

    Sipas informatave, pajisja do të vijë me ekran OLED 6.57 inç, rezolucion 1.5K dhe refresh rate 120Hz.

    Brenda tij pritet një procesor i fuqishëm nga seria Snapdragon 8, së bashku me një kamerë kryesore 200MP me stabilizim optik (OIS).

    Një tjetër veçori që bie në sy është bateria masive prej 9,000 mAh, që mund ta bëjë këtë model një nga më të fuqishmit.

    Honor ka nisur tashmë paralajmërimet për serinë 600, e cila pritet të dalë edhe në tregun global, jo vetëm në Kinë.

  • Dua Lipa dhe Callum Turner vendosin të martohen këtë verë, kush janë disa nga të ftuarit e famshëm?

    Dua Lipa dhe Callum Turner vendosin të martohen këtë verë, kush janë disa nga të ftuarit e famshëm?

    Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa po përgatitet për një dasmë përrallore me aktorin Callum Turner këtë verë, por ceremonia do të jetë shumë private, duke bërë që shumë nga miqtë e saj të famshëm të mos jenë të pranishëm.

    Burime të afërta me çiftin tregojnë për “The Sun” se ata kanë vendosur datën, por duan që dita e tyre e madhe të jetë vetëm për më të afërmit.

    Elton John, Olivia Dean, Mark Ronson, Rose dhe Donatella Versace janë disa nga miqtë e saj, si edhe Charli XCX, në dasmën e së cilës Dua mori pjesë në Siçili vitin e kaluar.

    Megjithatë, Dua mund të kthehet përsëri në Itali, me burime që zbulojnë se çifti ka vizituar prona atje dhe në Mbretërinë e Bashkuar verën e kaluar, si destinacione të mundshme për ditën e tyre të madhe.

    “Planet për dasmën e Dua dhe Callum janë në zhvillim të plotë, por gjithçka po mbahet sekret”, thonë burimet për “The Sun”.

    Kjo do të ndodhë këtë verë ajo do të jetë grua e martuar para se të mbushë 31 vjeç në gusht. Ata duan ta mbajnë të rrethuar vetëm me më të afërmit, kështu që nuk do të jetë një ngjarje e madhe dhe spektakolare.

    Dua e bëri publike lidhjen me aktorin Callum Turner në fillim të vitit 2024, vetëm pak javë pas ndarjes nga regjisori francez Romain Gavras, i cili tashmë ka nisur një roamncë me Emily Ratajkowski. Në dhjetor të atij viti, “The Sun” zbuloj ekskluzivisht se si Callum kishte bërë propozimin në gjunjë.

    Duke konfirmuar lajmin për British Vogue verën e kaluar, Dua tha: “Po, jemi të fejuar.

    “Është shumë emocionuese. Ky vendim për të mos u ndarë dhe për të ndarë një jetë së bashku, dhe thjesht, nuk e di, për të qenë shokë më të mirë përgjithmonë – është një ndjenjë shumë e veçantë”, tha ajo asokohe.

    Në një intervistë tjetër verën e kaluar, këngëtarja tha: “Jam më e lumtur se kurrë. Unë e dua dashurinë. Është një gjë e bukur. Një gjë shumë frymëzuese. Gjithmonë e gjen veten duke u dashuruar kaq fuqishëm në mënyrën më të bukur të mundshme. Ai lloj ndjeshmërie është i frikshëm, por ndihem kaq me fat që mund ta përjetoj.”

    Edhe Callum tregoi vitin e kaluar se si ata u takuan në një festë ditëlindjeje të një shoku të përbashkët dhe lidhën miqësi duke zbuluar se po lexonin të njëjtin libër dhe më pas bisedat zgjatën më tej.

  • Ulutash priti në takim gjeneralin grek, KFOR riafirmon sigurinë në Kosovë

    Ulutash priti në takim gjeneralin grek, KFOR riafirmon sigurinë në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutash, priti Gjeneral Major Alexandros Koufopoulos nga Greqia në Prishtinë, duke vlerësuar kontributin e Greqisë në misionin e KFOR-it.

    Ulutaş riafirmoi përkushtimin për të garantuar një ambient të sigurt dhe të qetë për qytetarët e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX.

  • “Mjerët ne kush po na udhëheq”, Bajrami e LDK-së i reagon Kurtit për numrin e votave për president

    “Mjerët ne kush po na udhëheq”, Bajrami e LDK-së i reagon Kurtit për numrin e votave për president

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti lidhur me deklaratat e tij për numrin e votave që kërkohen për zgjidhjen e presidentit.

    Pas takimit që ka pasur sot me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kreu i ekzekutivit ka thënë se 80 ose 81 vota nuk mjaftojnë për këtë proces, pasi sipas tij, nevojiten të paktën 84 ose 85 vota.

    Për këtë, deputetja Bajrami ka kritikuar këtë qasje të Kurtit.

    “Në vitin 2021, as nuk i kanë pasë 80 vota të sigurta, as kandidatja s’ka qenë konsensuale. Sot, Kurti po kërkon figurë jopartiake/unifinuese dhe garanci me 85 vota. Veç një gjë duhet ta dimë: nëse shkojmë në zgjedhje prapë, as vota për kryetar të Kuvendit s’ka me pasë, e lëre më për president.”, ka thënë Bajrami.

    Ajo ka shtuar se me këtë qasje rrezikohet të shkohet në bllokada të reja.

    “Pra, prej bllokade në bllokadë, prej krize në krizë, me rëndësi Kurti të ketë kontroll të plotë mbi buxhetin dhe institucionet. Të mjerët ne kush po na udhëheqë! Uroj ta kuptojmë sa më parë.”, ka thënë Bajrami.

  • Artemis II do të përdorë manovrën që shpëtoi Apollo 13 për kthimin në Tokë

    Artemis II do të përdorë manovrën që shpëtoi Apollo 13 për kthimin në Tokë

    Artemis II po përdor të njëjtën manovër të ekzekutuar nga misioni i famshëm Apollo 13, pas mesazhit historik “Houston, we have a problem”.

    Një shpërthim i bombolës së oksigjenit në misionin e 13-të Apollo zhduku çdo shpresë për një ulje në Hënë në prill të vitit 1970, me mbijetesën e ekuipazhit të përjetësuar në filmin e vitit 1995, me protagonist Tom Hanks.

    Shumë njerëz e dinë, si rezultat i filmit, se Apollo 13 përdori manovrën e quajtur “slingshot” për t’u kthyer në Tokë – pavarësisht dëmit të shkaktuar nga shpërthimi.

    E njohur si trajektore hënore me kthim të lirë, kjo rrugë pa ndalesa për në Tokë shfrytëzon gravitetin e Tokës dhe të Hënës, duke zvogëluar nevojën për karburant.

    Këtë herë, për Artemis II, është një pjesë e planifikuar e misionit.

    Është një manovër qiellore që do t’i vendosë astronautët në rrugën e duhur për në shtëpi, sapo të dalin nga pas Hënës sonte.

    Ndryshe, misioni Apollo 13 raportoi shpërthimin e tij ndërsa anija kozmike ishte 321,868 larg Tokës.

    Komandanti Jim Lovell dhe dy astronautët e tjerë në bord – Fred Haise dhe Jack Swigert – mezi mbijetuan.

  • Hapet GoFundMe për Stenaldon për t’u bërë me shtëpi

    Hapet GoFundMe për Stenaldon për t’u bërë me shtëpi

    Është hapur një fushatë në platformën GoFundMe për të mbështetur Stenaldo Mëhillin, ish-banorin e Big Brother VIP Albania, i cili po përballet me vështirësi ekonomike.

    Pas përfundimit të eksperiencës së tij në spektakël, Mehilli bëri një apel publik gjatë një emisioni live, ku tregoi situatën e tij dhe kërkoi ndihmë për të siguruar një shtëpi.

    Ai theksoi se jeton vetëm me nënën e tij në Tiranë dhe se dëshiron t’i ofrojë asaj kushte më të mira jetese, qoftë përmes blerjes apo ndërtimit të një banese.

    Kjo ka ka prekur shumë ndjekës dhe publikun, duke nxitur reagime dhe mbështetje të menjëhershme.

    Si rezultat, është iniciuar fushata në GoFundMe, me qëllim mbledhjen e fondeve nga qytetarë dhe dashamirës që duan ta ndihmojnë në realizimin e këtij qëllimi.

    Kjo nismë vjen si një përpjekje për të përmirësuar jetesën e tij, ndërsa mbetet për t’u parë se sa mbështetje do të arrijë të grumbullojë fushata në vijim.

    Stenaldo është banori i parë i verbër që është bërë pjesë e një spektakli si Big Brother, duke e kryer këtë sfidë me sukses.

  • Policia propozon sanksione ndaj tri kompanive private, aprovohen nga OSHP-ja

    Policia propozon sanksione ndaj tri kompanive private, aprovohen nga OSHP-ja

    Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka aprovuar propozimin e Policisë së Kosovës për sanksionimin e tri kompanive private nën dyshimin për mashtrim në prokurimin publik.

    Tre operatorë ekonomikë dyshohet se mashtruan Policinë e Kosovës në ofertat për tenderin e shpallur nga Policia e Kosovës për “furnizim me uniforma operacionale”, raporton Paparaci.

    Tre operatorët, BE NEW L.L.C, Sabit Makiqi B.I. dhe Exim Jatex Sh.P.K., sipas Policisë së Kosovës, kishin ofruar ose paraqitur dokumente të rreme apo të falsifikuara në garën për tenderin që parashihte furnizimin me uniforma operacionale të policisë.

    Në tri vendime të ndara, Organi Shqyrtues i Prokurimit aprovoi propozimet e Zyrës së Prokurimit të Policisë së Kosovës dhe vendosi në Listën e Zezë tri kompanitë private.

    Lista e Zezë e Gjykatës së Tenderëve është një proces i cili u ndalon kompanive pjesëmarrjen në aktivitetet e prokurimit publik për periudha të caktuara, raporton Paparaci.

    Sipas vendimit të OShP-së, tri kompanitë: BE NEW L.L.C. dhe Sabit Makiqi B.I., me bazë në Prishtinë, si dhe ndërmarrja private Exim Jatex Sh.P.K. me bazë në Gjakovë, janë përjashtuar nga pjesëmarrja në prokurimin publik për nëntë muajt e ardhshëm.

    Vendimet e OSHP-së kanë konstatuar se tri kompanitë private kanë “paraqitur të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara” në tenderin e Policisë së Kosovës.

    Vendimet janë nxjerrë nga Gjykata e Tenderëve më 13 tetor të këtij viti. Ato mund të anulohen nga OSHP-ja në rast se Policia e Kosovës vërteton se tri kompanitë nuk kanë tentuar mashtrimin e institucionit policor në aktivitetet e prokurimit publik.

  • Aksident mes veturës dhe kamionit në Drenas, vdes një person

    Aksident mes veturës dhe kamionit në Drenas, vdes një person

    Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur të hënën në fshatin Baincë të Drenasit.

    Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një kamion dhe një veturë.

    “Sot rreth orës 09:40 kemi pranuar informatën se në Baincë të Drenasit ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një kamion dhe një veturë. Si pasojë e aksidentit një person ka mbetur i vdekur. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, ka thënë Ahmeti.