ATV

Blog

  • “Erdhi pacienti me 20 diagnoza”, çka është Hipokondria Online?

    “Erdhi pacienti me 20 diagnoza”, çka është Hipokondria Online?

    Fenomeni i vetë-diagnostikimit përmes internetit, i njohur si “Hipokondria Online”, po bëhet gjithnjë e më shqetësues, sidomos te të rinjtë që kërkojnë përgjigje të shpejta për simptomat e tyre në Google dhe ChatGPT. Kjo temë u diskutua në emisionin “LIBERO” dhe neuropsikiatri Sami Rexhepi dha një pasqyrë të qartë mbi rreziqet që sjell ky fenomen.

    Ai tregoi raste konkrete nga praktika e tij, ku pacientët paraqiten me një listë të gjatë diagnozash të marra nga interneti.

    “Kam pasur raste kur pacienti më ka ardhur me 20 diagnoza nga Google dhe më ka pyetur se cilën prej tyre e ka…”, u shpreh Rexhepi. Sipas tij, këta persona shpesh lexojnë shumë informacione të fragmentuara, duke i lidhur gabimisht simptomat me sëmundje të ndryshme.

    Megjithatë, në shumë raste, rezulton se pacientët janë plotësisht të shëndetshëm fizikisht. Problemi, sipas neuropsikiatrit, qëndron në gjendjen psikologjike dhe mungesën e balancës me vetveten. “Kur e humbim këtë barazpeshë, fillojmë të humbasim edhe vetëbesimin, e bashkë me të edhe vetëvlerësimin,” theksoi ai.

    Rexhepi paralajmëroi se informacioni i marrë online shpesh është sipërfaqësor dhe nuk mund të zëvendësojë dijen profesionale që kërkon vite të tëra studimi dhe përvoje. Ai e krahasoi këtë fenomen me të ashtuquajturin “sindrom i studentit të mjekësisë”, ku edhe vetë studentët, gjatë studimeve, mund të mendojnë se kanë simptoma të sëmundjeve që po mësojnë.

    Në fund, Rexhepi theksoi se personat që përjetojnë ankth nga vetë-diagnostikimi duhet të kërkojnë ndihmë profesionale, duke shmangur interpretimet e gabuara që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre mendor.

    Vlen ta potencojmë se “Hipokondria Online” është një gjendje ku një person kërkon në mënyrë të tepruar informacione për simptoma shëndetësore në internet dhe si rezultat përjeton rritje të ankthit, shpesh duke besuar se ka sëmundje serioze pa bazë mjekësore.

    Sipas National Health Service, kjo sjellje lidhet me ankthin për shëndetin dhe përkeqësohet nga përdorimi i tepërt i burimeve online. Ndërsa Mayo Clinic e përshkruan si një formë të ankthit shëndetësor ku individët interpretojnë gabimisht simptomat e zakonshme si shenja të sëmundjeve të rënda.

    Për ta dëgjuar diskutimin rreth kësaj teme, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Izraeli paralajmëron qytetarët në Iran: Mos udhëtoni me tren sot

    Izraeli paralajmëron qytetarët në Iran: Mos udhëtoni me tren sot

    Ushtria izraelite ka paralajmëruar njerëzit në Iran që të mos përdorin trenin sot, raporton BBC.

    Në një postim të shpërndarë në llogarinë e ushtrisë në rrjetet sociale u thuhet njerëzve në Iran që për hir të “përmbahen nga përdorimi dhe udhëtimi me tren” në të gjithë vendin “deri në orën 21:00 sipas kohës së Iranit”.

    Në atë postim thuhet se “prania në trena dhe pranë linjave hekurudhore rrezikon jetën tuaj”.

    Kjo thirrje vjen ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënon të godasë objektiva të infrastrukturës civile në të gjithë Iranin, nëse regjimi refuzon të lejojë kalimin e lirë nëpër Ngushticën e Hormuzit deri në orën 20:00 EDT të së martës (01:00 BST të së mërkurës).

    Në përditësimet e publikuara gjatë natës, ushtria izraelite gjithashtu tha se kishte përfunduar një valë sulmesh ajrore që synonin “infrastrukturën në Teheran” të lidhur me regjimin, dhe kishte vrarë persona që i cilësoi si anëtarë të Hezbollahut

  • LDK-ja i çon në polici dëshmitë për skandalin e KEDS-it me njehsorët elektrikë

    LDK-ja i çon në polici dëshmitë për skandalin e KEDS-it me njehsorët elektrikë

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar në Polici dëshmitë rreth njehsorëve elektrikë.

    Dorëzimi është bërë nga deputeti Visar Azemi.

    Dy ditë më parë, Azemi ka kërkuar ndalimin e çdo ndërhyrjeje në njehsorët elektrikë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave. Ai ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve, sidomos në rastet me dyshime për matje të pasakta të energjisë, ngre shqetësime për pengim të hetimeve.

    Deputeti i LDK-së ka kërkuar pezullimin e veprimeve të KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në përfundimin e hetimeve dhe sigurimin e të gjitha provave. Ai ka paralajmëruar se çdo manipulim i mundshëm i provave përbën shkelje ligjore dhe duhet trajtuar si vepër penale.

    Ndërkohë gjatë një konference për media të mëhershme, Lidhja Demokratike të Kosovës ka ngritur akuza për manipulim sistematik të faturimit të energjisë elektrike, i cili sipas tyre ka dëmtuar qytetarët me miliona euro.

    Pas dyshimeve të ngritura, Ministria ka formuar Komision për verifikim.

    Pas nisjes së verifikimit, disa njëhsorë janë tërhequr nga funksioni për pasaktësi.

  • Artemis II përfundon udhëtimin rekord rreth Hënës – dhe tani po kthehen në Tokë

    Artemis II përfundon udhëtimin rekord rreth Hënës – dhe tani po kthehen në Tokë

    Astronautët e Artemis II janë nisur drejt Tokës pasi kryen një fluturim historik pranë Hënës dhe dëshmuan një eklips total diellor nga anija e tyre kozmike.

    Komandanti Reid Wiseman thotë se ekuipazhi i anijes Orion “pa pamje që asnjë njeri nuk i ka parë ndonjëherë”, ndërsa piloti Victor Glover u shpreh se nuk ka fjalë për të përshkruar atë që vëzhguan.

    Anija arriti distancën e saj maksimale nga Toka – 252,756 milje (406,771 km) – gjatë fluturimit pranë Hënës. Ekuipazhi kishte thyer tashmë rekordin e mëparshëm për distancën më të largët që njerëzit kanë udhëtuar në hapësirë.

    Astronautët humbën lidhjen me NASA-n ndërsa ndodheshin pas Hënës – ndërprerja ishte e pritshme dhe zgjati rreth 40 minuta.

    “Është shumë mirë të dëgjojmë sërish nga Toka,” tha specialistja e misionit Christina Koch teksa theu heshtjen nga anija kozmike.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tha astronautëve se ata kanë bërë histori dhe e kanë bërë gjithë Amerikën shumë krenare dhe i ftoi në Shtëpinë e Bardhë.

    Astronautët pritet të zbresin në Oqeanin Paqësor, në brigjet perëndimore të SHBA-së, në orën 20:07 sipas kohës lindore të SHBA-së të premten.

  • Policia gjen municion dhe pajisje ushtarake në Zubin Potok

    Policia gjen municion dhe pajisje ushtarake në Zubin Potok

    Gjatë një patrullimi rutinë në një shtëpi të pabanuar në Zubin Potok, policia ka gjetur dhe konfiskuar një sasi municioni dhe pajisjesh ushtarake.

    Policia ka gjetur: 15 fishekë të mbushur dhe 11 të zbrazur për pushkë gjuetie, një makinë për mbushjen e fishekëve, një sasi baruti, diabola, dhe një pjesë uniforme ushtarake.

    Në këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa policia ka njoftuar prokurorin dhe rasti është në procedurë hetimore për armëmbajtje pa leje.

    “ Policia gjatë patrullimit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe konfiskuar municion të pushkës së gjuetisë: 15 copë fishekë të mbushur, 11 fishekë të zbrazur, një makinë për mbushjen e fishekëve, një sasi baruti, diabola dhe një pjesë uniforme ushtarake. Nuk ka të dyshuar, rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Haradinaj: Kurti nuk e ka pasur prioritet zgjedhjen e presidentit, po përfundojmë në zgjedhje

    Haradinaj: Kurti nuk e ka pasur prioritet zgjedhjen e presidentit, po përfundojmë në zgjedhje

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se kjo çështje nuk ka qenë prioritet për të që nga fillimi i mandatit qeverisës.

    Në Debat Plus, Haradinaj ka thënë se zhvillimet e deritanishme tregojnë qartë se Kurti nuk e ka trajtuar me seriozitet zgjedhjen e presidentit.

    “Duke u nis nga ajo çka ka ndodh deri tani, shihet që pra Kurti nuk e ka pasur me rëndësi zgjedhjen e presidentit. Për shkak se këto marrëveshjet politike për president, sikur ta kishte pas me rëndësi, do t’i kishte bërë kur e ka bërë qeverinë. Do t’i ftonte ne koalicion qeverisës, palët e interesuara për bashkëqeverisje, ku do ta përfshinte edhe çështjen e presidentit… mundem me them që nuk e shoh të internuar, nuk e ka pas me interes të madh zgjedhjen e presidentit. Kësisoj përfundojmë në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj.

  • Për 24 orë në Kosovë: Një i vdekur e 27 të lënduar në aksidente trafiku

    Për 24 orë në Kosovë: Një i vdekur e 27 të lënduar në aksidente trafiku

    Një person ka humbur jetën dhe 27 të tjerë janë lënduar në dhjetëra aksidente që kanë ndodhur brenda 24 orëve në Kosovë.

    Sipas raportit policor, poashtu janë shënuar edhe 29 raste të aksidenteve me dëme materiale.

    Derisa, 13 persona janë arrestuar, katër janë dërguar në mbajtje, kurse një në vuajtje të dënimit.

    Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar edhe 2291 gjoba trafiku.

  • “Të martën, në orën tetë pasdite”, Shtëpia e Bardhë rikthen ultimatumin e Trump për kthimin e Iranit në “kohën e gurit”

    “Të martën, në orën tetë pasdite”, Shtëpia e Bardhë rikthen ultimatumin e Trump për kthimin e Iranit në “kohën e gurit”

    Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dhënë ultimatum Iranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit deri të martën në orën tetë të pasdites.

    Trump ka thënë se nëse nuk do të ndodh një gjë e tillë, Irani s’do të ketë as ura, as infrastrukturë energjetike dhe do t’i kthejë në “kohën e gurit”.

    Ndonëse ka pasur raportime për shtyrje të një afati të tillë, “Shtëpia e Bardhë” ka rikthyer me një postim deklaratën e Trump i cili cakton të martën dhe orën tetë të pasdites si afat për Iranin.

    Pritet të shihet nëse sot gjatë ditës do të ketë ndonjë marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit, apo nëse do të ketë ndonjë valë të re sulmesh nga SHBA, siç ka paralajmëruar Trump.

  • Rrahje mes 5 personave në Obiliq, marrin trajtim mjekësor e dërgohen në mbajtje

    Rrahje mes 5 personave në Obiliq, marrin trajtim mjekësor e dërgohen në mbajtje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në qytetin e Obiliqit ka ndodhur një rrahje në mes të pesë personave, prej të cilëve një i mitur.

    Deri tek konflikti ka ardhur pas një mosmarrëveshjeje.

    Personat e përfshirë në konflikt kanë pranuar trajtim mjekësor dhe të njëjtit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

    “LËNDIM I LEHTË TRUPOR&ASGJËSIM APO DËMTIMI I PASURISË.Rr. Tropoja, Obiliq 06.04.2026, 19:00. Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë- njëri prej tyre i mitur, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete. Të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor dhe pas tretmanit mjekësor të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, njofton Policia

  • Vidhen 300 euro në një xhami në Kamenicë

    Vidhen 300 euro në një xhami në Kamenicë

    Një shumë prej 300 eurosh në monedha metali është vjedhur nga kasaforta e një xhamie në fshatin Shipashnicë e Poshtme në Kamenicë, në disa raste që po hetohen nga policia.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë,, ankuesi ka njoftuar se përmes kamerave të sigurisë ka vërejtur një person të panjohur duke hyrë në objektin e xhamisë, ku më pas me forcë ka thyer kasafortën dhe ka marrë paratë e gatshme.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe hetimet janë në zhvillim.

    “ Me 06.04.2026 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se përmes kamerave, ka vërejtur një person që kishte hyrë në objektin e xhamisë dhe me forcë e ka thyer kasafortën ku nga aty ka vjedhur 300€ kesh para (monedha metali)”, thuhet në njoftim.

    Rasti është cilësuar si “vjedhje e rëndë”.