ATV

Blog

  • Tentoi ta vriste gruan me të cilën bashkëjetoi, dënohet me 11 vjet burgim Idriz Alija

    Tentoi ta vriste gruan me të cilën bashkëjetoi, dënohet me 11 vjet burgim Idriz Alija

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Idriz Alija lidhur me akuzën për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gruas me të cilën bashkëjetoi Sh.T. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me dënim unik prej 11 vjet burgim.

    Në këtë rast, Idriz Alija akuzohej për tentim vrasje të rëndë ndaj Sh.T., me të cilën kishte bashkëjetuar. Po ashtu, akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe mospërfillje të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi dhe anëtarët Gëzim Ademi dhe Alltën Murseli.

    Sipas vendimit, për vrasje të rëndë në tentativë, Alija u dënua me 10 vjet burgim, për “Armëmbajtje pa leje” u dënua me 1 vit burgim, kurse për “Mosërfillje të gjykatës” u dënua me 6 muaj burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik prej 11 vjet burgim.

    Në dënimin me burgim, të akuzuarit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Ai obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë për paushallin gjyqësor 150 euro dhe 50 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

    Urdhërohet konfisikimi i përhershëm i pistoletës me një karikator dhe tre fishekë. Po ashtu, u urdhërua Policia që në bashkëpunim me Prokurorinë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit të bëjë shkatërrimin e sendeve të konfiskuara.

    E dëmtuara u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Të akuzuarit Alija, me aktvendim të veçantë i vazhdohet paraburgimi.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

    Ndryshe, në shpallje nuk ishte i pranishëm i akuzuari Alija, por vetëm avokati i tij, Haxhi Millaku.

    Në dispozitivin e parë të aktakuzës, thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 7:33 minuta, i pandehuri Idriz Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje, me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T., me të cilën ka bashkëjetuar. Përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj E.T., duke ecur në rrugë, i ka përcjellë nga mbrapa.

    Aty thuhet se posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat, e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e repetit, vrapon pas tyre nga mbrapa, në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se pas këtij veprimi të të akuzuarit, djali i të dëmtuarës, i mitur E.T, tenton ta largojë nga ajo, derisa i pandehuri sërish shkrep disa herë mbi trupin e të dëmtuarës, e mandej e godet me forcë të madhe rreth tetë ose nëntë herë në kokë me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke, ku më pas të njëjtin policia e arreston.

    Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurit, thuhet se të dëmtuarës i shkaktohen tri plagë hyrëse-tejshkuese nga arma e zjarrit, ku si dëshmi posedon raportet mjekësore dhe e njëjta është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, me ç’rast sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ajo ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën.

    Me këtë, i pandehuri Alija ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.5 lidhur me nenin 28, i Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë të saj, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët një pistoletë të tipit “Cervena Zastava” M-57, me të cilën ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës disa herë, 3 nga gëzhojat e së cilës armë janë gjetur në vendin e ngjarjes si dhe një predhë, kurse armën e ka marrë një person i cili largohet nga vend i ngjarjes, ndërkaq Policia pas veprimeve hetimore më pas e ka gjetur armën dhe ka identifikuar personin nga i cili sekuestrohet arma e zjarrit. Gjithashtu, edhe ndaj këtij personi u iniciua procedurë penale.

    Me këtë, i pandehuri Idriz Alija akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronës, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

    Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, i pandehuri Alija ngarkohet se nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega Fushë-Kosovë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual.

    Për këtë veprim, i pandehuri Alija akuzohej se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393, paragrafi 1 i Kodit Penal.

  • Zbulohet arsyeja e zemërimit të Lamine Yamal në ndeshjen ndaj Atletico Madrid

    Zbulohet arsyeja e zemërimit të Lamine Yamal në ndeshjen ndaj Atletico Madrid

    Barcelona hodhi një hap të rëndësishëm drejt titullit në La Liga, pasi mposhti Atletico Madrid me rezultatin 2-1, duke e çuar diferencën në shtatë pikë ndaj Real Madridit.

    Megjithatë, fundi i ndeshjes u shoqërua me tensione të dukshme, pasi Lamine Yamal u pa i frustruar teksa largohej nga fusha, duke injoruar përpjekjet e trajnerit Hansi Flick për ta qetësuar.

    Pamjet televizive treguan gjithashtu se sulmuesi i ri reagoi me irritim edhe në momentin kur Robert Lewandowski realizoi golin e fitores në minutën e 87-të.

    Fillimisht pati spekulime të ndryshme mbi arsyet e sjelljes së tij, por duket se incidenti nuk lidhej me abuzim racor gjatë ndeshjes.

    Sipas raportimeve të para nga “Mundo Deportivo”, shkaku kryesor i pakënaqësisë së Yamal lidhej me një debat në fund të ndeshjes me trajnerin e portierëve, Jose Ramon de la Fuente.

    Ky i fundit është parë duke i kërkuar lojtarit që të lëvizte topin më shpejt në dy raste vendimtare, ku Yamal fillimisht humbi kontrollin dhe më pas goditi mbi portë.

    Reagimi i lojtarit ishte i menjëhershëm, duke drejtuar gishtin nga anëtari i stafit teksa largohej drejt tunelit.

    Pamje të tjera nga transmetuesi DAZN tregojnë Yamal duke përsëritur dy herë frazën “Çfarë doni të bëj?”, ndërsa de la Fuente vazhdonte t’i bërtiste nga zona teknike.

    De la Fuente është pjesë e stafit të Barcelonës që nga viti 2012, kur iu bashkua klubit gjatë periudhës së Tito Vilanova.

    Ai ka një eksperiencë të gjatë si trajner dhe më herët ka punuar me klube si Hercules, Racing Santander dhe Gimnastic de Tarragona, pasi kishte zhvilluar edhe një karrierë si portier në futbollin katalanas.

    Gjithashtu, ai është formuar në akademinë e njohur La Masia.

    Gjatë verës së kaluar u raportua se e ardhmja e tij mund të vihej në pikëpyetje në rast të një largimi të kapitenit Marc-Andre ter Stegen, me të cilin ka një marrëdhënie të ngushtë profesionale.

    Pavarësisht kësaj, Flick ka folur vazhdimisht në terma pozitivë për de la Fuente, duke theksuar rolin e tij të rëndësishëm në përshtatjen e stafit teknik dhe funksionimin e ekipit.

  • Kalimi në tunelin e Llogarasë do të bëhet me pagesë brenda muajit, ja sa do të jenë tarifat

    Kalimi në tunelin e Llogarasë do të bëhet me pagesë brenda muajit, ja sa do të jenë tarifat

    Në tunelin e Llogarasë pritet që brenda këtij muaji të nis dhe aplikimi i tarifave, ndërsa deri më tani kalimi është bërë pa pagesë.

    Punimet për vendosjen e sistemit të pagesës tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa këtë të hënë janë zhvilluar dhe testet e fundit për funksionimin e pajisjeve.

    Kudo janë vendosur kamerat e sigurisë dhe sistemet elektronike që do të pasojnë më pas me tarifimin e çdo mjeti që kalon në këtë aks.

    Pagesa pritet të nisë nga 100 lekë për motoçikletat dhe maksimumi do të jetë 5 mijë lekë për mjetet e tonazhit të rëndë.

    Për autoveturat tarifa e kalimit do të jetë 250 lekë, ose 500 lekë vajtje-ardhje, 500 lekë për mjete me karroceri, dhe 1000 lekë për furgonë e autobusë. /tch/

  • Haxhiu merr rolin e përkohshëm të Presidentes, pritet me lule nga stafi

    Haxhiu merr rolin e përkohshëm të Presidentes, pritet me lule nga stafi

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka nisur sot detyrën e re si ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.

    Ajo falënderoi stafin e Presidencës për pritjen e ngrohtë dhe atmosferën pozitive gjatë mëngjesit të sotëm.

    “Faleminderit stafit të Presidencës për pritjen e ngrohtë dhe atmosferën e këndshme në mëngjesin e sotëm,” shkroi Haxhiu në rrjetet sociale.

    Kujtojmë se Vjosa Osmani e ka dorëzuar të shtunën detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit.

    Në një ceremoni zyrtare në Presidencë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu është bërë zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes.

    Haxhiu do të jetë ushtruese e detyrës së të parës së vendit deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

  • Ky është çmimi i derivateve për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i derivateve për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se sot një litër naftë mund të shitet maksimumi për 1.88 euro, derisa benzina 1.46 euro.

    Derisa sipas MINTI-it çmimi i gazit për litër është 0.74 euro.

    “MINTI u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë me përpikëri vendimin e ri të nënshkruar nga ministrja Rozeta Hajdari Kusari-Lila, me synimin për të garantuar një treg funksional dhe të qëndrueshëm, në shërbim të konsumatorëve. Autoritetet kanë paralajmëruar se çdo shkelje e këtij vendimi do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • Bordi i Paqes i jep afat për çarmatosje Hamasit

    Bordi i Paqes i jep afat për çarmatosje Hamasit

    Bordi i Paqes në Gaza i ka dhënë Hamasit afat deri në fund të javës për të pranuar një propozim për çarmatim, ndërsa organi ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-të është i vendosur të çojë përpara rindërtimin e enklavës palestineze, thanë tre burime të njohura me çështjen për The Times of Israel.

    Përfaqësuesi i Lartë i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladenov, u takua të premten në Kajro me një delegacion të po zyrtarëve të lartë të Hamasit dhe grupi terrorist është informuar se bordi mbikëqyrës i Gazës dëshiron që një marrëveshje për çarmatim të finalizohet deri në fund të javës.

    Burimet sqaruan se ndryshimet e vogla në propozimin për çarmatim do të vazhdonin të shqyrtoheshin, ndërsa kërkesat për ndryshime themelore nga Hamasi nuk do të pranoheshin.

    Mladenov është i bindur se është e mundur të ecet përpara me fazën e dytë të planit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, tha një nga diplomatët arabë, ndërsa pranoi se vendet ndërmjetësuese të Lindjes së Mesme, Egjipti, Katari dhe Turqia, nuk janë aq optimiste.

    Ndërmjetësit po e bindin Hamasin që ta pranojë propozimin e çarmatimit të mbështetur nga SHBA-të, por grupi terrorist “nuk ka gjasa të thotë ‘po’ pa ndonjë kusht të rëndësishëm”, tha diplomati arab, i cili është nga një prej vendeve ndërmjetësuese.

  • “Gjeta elemente të skizofrenisë”, neuropsikiatri Sami Rexhepi tregon një përvojë personale gjatë studimeve

    “Gjeta elemente të skizofrenisë”, neuropsikiatri Sami Rexhepi tregon një përvojë personale gjatë studimeve

    Neuropsikiatri Sami Rexhepi në emisionin “LIBERO” derisa diskutohej për “Hipokondrinë Online” – ka ndarë një përvojë personale duke përmendur se gjatë periudhës së studimeve kishte vërejtur elemente të skizofrenisë te vetja.

    Ai shpjegoi se shpesh njerëzit që lexojnë informacione sipërfaqësore për sëmundje të ndryshme mund të krijojnë perceptime të gabuara për gjendjen e tyre shëndetësore, një fenomen që në mjekësi njihet si “sindromi i studentit të mjekësisë”.

    Sipas Rexhepit, dallimi qëndron te thellësia e njohurive dhe përvoja profesionale. “E lexon një informatë, e ka sipërfaqësore, nuk është njësoj sikur unë që i kam kaluar 22 vjet shkollim, edhe e kuptoj një zinxhir apo reaksion si zhvillohet, jo vetëm një reaksion të fundit”, u shpreh ai.

    Duke ilustruar këtë fenomen, ai shtoi se edhe vetë kishte kaluar nëpër një fazë të tillë: “E kujtoj, unë kam gjetur elemente të skizofrenisë te vetja derisa nuk e kam dhënë provimin – ajo është shumë normale”.

    Termat e përdorur:

    “Skizofrenia është një çrregullim serioz i shëndetit mendor që ndikon në mënyrën si një person mendon, ndjen dhe sillet”

    “Hipokondria Online është një gjendje ku një person kërkon në mënyrë të tepruar informacione për simptoma shëndetësore në internet dhe si rezultat përjeton rritje të ankthit, shpesh duke besuar se ka sëmundje serioze pa bazë mjekësore”

    Për ta dëgjuar diskutimin rreth kësaj teme, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • “Erdhi pacienti me 20 diagnoza”, çka është Hipokondria Online?

    “Erdhi pacienti me 20 diagnoza”, çka është Hipokondria Online?

    Fenomeni i vetë-diagnostikimit përmes internetit, i njohur si “Hipokondria Online”, po bëhet gjithnjë e më shqetësues, sidomos te të rinjtë që kërkojnë përgjigje të shpejta për simptomat e tyre në Google dhe ChatGPT. Kjo temë u diskutua në emisionin “LIBERO” dhe neuropsikiatri Sami Rexhepi dha një pasqyrë të qartë mbi rreziqet që sjell ky fenomen.

    Ai tregoi raste konkrete nga praktika e tij, ku pacientët paraqiten me një listë të gjatë diagnozash të marra nga interneti.

    “Kam pasur raste kur pacienti më ka ardhur me 20 diagnoza nga Google dhe më ka pyetur se cilën prej tyre e ka…”, u shpreh Rexhepi. Sipas tij, këta persona shpesh lexojnë shumë informacione të fragmentuara, duke i lidhur gabimisht simptomat me sëmundje të ndryshme.

    Megjithatë, në shumë raste, rezulton se pacientët janë plotësisht të shëndetshëm fizikisht. Problemi, sipas neuropsikiatrit, qëndron në gjendjen psikologjike dhe mungesën e balancës me vetveten. “Kur e humbim këtë barazpeshë, fillojmë të humbasim edhe vetëbesimin, e bashkë me të edhe vetëvlerësimin,” theksoi ai.

    Rexhepi paralajmëroi se informacioni i marrë online shpesh është sipërfaqësor dhe nuk mund të zëvendësojë dijen profesionale që kërkon vite të tëra studimi dhe përvoje. Ai e krahasoi këtë fenomen me të ashtuquajturin “sindrom i studentit të mjekësisë”, ku edhe vetë studentët, gjatë studimeve, mund të mendojnë se kanë simptoma të sëmundjeve që po mësojnë.

    Në fund, Rexhepi theksoi se personat që përjetojnë ankth nga vetë-diagnostikimi duhet të kërkojnë ndihmë profesionale, duke shmangur interpretimet e gabuara që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre mendor.

    Vlen ta potencojmë se “Hipokondria Online” është një gjendje ku një person kërkon në mënyrë të tepruar informacione për simptoma shëndetësore në internet dhe si rezultat përjeton rritje të ankthit, shpesh duke besuar se ka sëmundje serioze pa bazë mjekësore.

    Sipas National Health Service, kjo sjellje lidhet me ankthin për shëndetin dhe përkeqësohet nga përdorimi i tepërt i burimeve online. Ndërsa Mayo Clinic e përshkruan si një formë të ankthit shëndetësor ku individët interpretojnë gabimisht simptomat e zakonshme si shenja të sëmundjeve të rënda.

    Për ta dëgjuar diskutimin rreth kësaj teme, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Izraeli paralajmëron qytetarët në Iran: Mos udhëtoni me tren sot

    Izraeli paralajmëron qytetarët në Iran: Mos udhëtoni me tren sot

    Ushtria izraelite ka paralajmëruar njerëzit në Iran që të mos përdorin trenin sot, raporton BBC.

    Në një postim të shpërndarë në llogarinë e ushtrisë në rrjetet sociale u thuhet njerëzve në Iran që për hir të “përmbahen nga përdorimi dhe udhëtimi me tren” në të gjithë vendin “deri në orën 21:00 sipas kohës së Iranit”.

    Në atë postim thuhet se “prania në trena dhe pranë linjave hekurudhore rrezikon jetën tuaj”.

    Kjo thirrje vjen ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënon të godasë objektiva të infrastrukturës civile në të gjithë Iranin, nëse regjimi refuzon të lejojë kalimin e lirë nëpër Ngushticën e Hormuzit deri në orën 20:00 EDT të së martës (01:00 BST të së mërkurës).

    Në përditësimet e publikuara gjatë natës, ushtria izraelite gjithashtu tha se kishte përfunduar një valë sulmesh ajrore që synonin “infrastrukturën në Teheran” të lidhur me regjimin, dhe kishte vrarë persona që i cilësoi si anëtarë të Hezbollahut

  • LDK-ja i çon në polici dëshmitë për skandalin e KEDS-it me njehsorët elektrikë

    LDK-ja i çon në polici dëshmitë për skandalin e KEDS-it me njehsorët elektrikë

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar në Polici dëshmitë rreth njehsorëve elektrikë.

    Dorëzimi është bërë nga deputeti Visar Azemi.

    Dy ditë më parë, Azemi ka kërkuar ndalimin e çdo ndërhyrjeje në njehsorët elektrikë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave. Ai ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve, sidomos në rastet me dyshime për matje të pasakta të energjisë, ngre shqetësime për pengim të hetimeve.

    Deputeti i LDK-së ka kërkuar pezullimin e veprimeve të KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në përfundimin e hetimeve dhe sigurimin e të gjitha provave. Ai ka paralajmëruar se çdo manipulim i mundshëm i provave përbën shkelje ligjore dhe duhet trajtuar si vepër penale.

    Ndërkohë gjatë një konference për media të mëhershme, Lidhja Demokratike të Kosovës ka ngritur akuza për manipulim sistematik të faturimit të energjisë elektrike, i cili sipas tyre ka dëmtuar qytetarët me miliona euro.

    Pas dyshimeve të ngritura, Ministria ka formuar Komision për verifikim.

    Pas nisjes së verifikimit, disa njëhsorë janë tërhequr nga funksioni për pasaktësi.