ATV

Blog

  • 6 emrat e rekomanduar për votim në Kuvendin e Kosovës për dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese

    6 emrat e rekomanduar për votim në Kuvendin e Kosovës për dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese

    Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka përfunduar procesi i intervistimit të 22 kandidatëve për dy pozita të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, me këtë rast u rekomanduan gjashtë kandidatë për t’u votuar në Kuvend.

    Pas përfundimit të intervistimit, Komisioni me rastin e poentimit vendosi t’i rekomandojë Kuvendit për votim listën prej gjashtë kandidatëve të suksesshëm si më poshtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Komisioni posaçëm me këtë përbërje: Vigan Qorrolli- kryetar i Komisionit, Arbërie Nagavci- deputete e LVV-së, Arian Tahiri- deputet i PDK-së, Armend Zemaj- deputet i LDK-së, Sllavko Simiq- deputet i LS-së, Besnik Tahiri-deputet i AAK-së, Artan Asllani- deputet i Grupit Parlamentar muiltietnik, kishte konstatuar se 25 kandidatë i plotësojnë kushtet formale për kandidim.

    Po ashtu, pjesë e komisionit ishin Arjeta Sadiku- zëvendëskryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Safet Hoxha nga Gjykata Kushtetuese.

    Avokati i Popullit Naim Qelaj edhe pse ishte anëtar Komisioni, kishte munguar në shqyrtimin e aplikacioneve por edhe atë të intervistimit të kandidatëve.

    Kujtojmë se në total kishin aplikuar 25 kandidatë dhe atë: Vigan Rogova, Zahir Qerkini, Besart Belegu, Makfirete Krasniqi, Selman Ymeri, Avdylkader Muçaj, Elton Tota, Benina Kusari, Ramadan Gashi, Rafet Haxhaj, Shabi Idrizi, Shpresa Emra, Valbona Shala-Thaçi, Suzana Gashi, Ardita Haxhnikaj-Demi, Novitet Nezaj, Alban Muriqi, Emine Abdyli-Pozhari, Nazmije Krasniqi- Jusufi, Perparim Kalo, Riza Krasniqi, Flamur Mrasori, Jorida Xhafaj, Islam Sllamniku dhe Bahrie Zaçaj.

    Në procesin e intervistimit që u mbajt më 7 dhe 8 prill u paraqitën 22 kandidatë, duke u tërhequr nga gara: Rafet Haxhaj, Nazmije Krasniqi-Jusufi dhe Riza Krasniqi. Në fund, për votim i rekomanduan gjashtë kandidatë.

  • Elvis Rexhebeçaj mund të largohet nga Augsburgu-Klube nga Bundesliga shprehin interesim për reprezentuesin e Kombëtares së Kosovës

    Elvis Rexhebeçaj mund të largohet nga Augsburgu-Klube nga Bundesliga shprehin interesim për reprezentuesin e Kombëtares së Kosovës

    Mesfushori i Kombëtares së Kosovës Elvis Rexhbçaj mund të largohet nga Augsburgu,por jo edhe nga Bundesliga gjermane.

    Mediumi gjerman Kicker bën të ditur se Rexhebeçaj nuk do të vazhdojë sezonin e ardhshëm tek Augsburgu,teksa dy klube të njohura gjermane Werder Bremen dhe Borussia Monchengladbach  janë të interesuara për të siguruar shërbimet e reprezentuesit dardan.

    Përndryshe kontrata e Rexhbeçajt me Augsburgun përfundon këtë verë,dhe për më tepër pritet të jetë lojtar i lirë megjithatë mbetet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat për yllin dardan në vazhdim.

    Kujtojmë që Elvis Rexhbeçaj që nga transferimi i tij tek Augsburgu në vitin 2022 ka regjistruar 115 paraqitje dhe gjashtë gola me këtë të fundit.

  • Marcus Rashford ende nuk ka vendosur se a do të qëndrojë tek Barcelona apo jo-Rafael Leao i Milanit opsion nëse anglezi largohet

    Marcus Rashford ende nuk ka vendosur se a do të qëndrojë tek Barcelona apo jo-Rafael Leao i Milanit opsion nëse anglezi largohet

    FC Barcelona pritet të jetë aktive gjatë afatit kalimtar të verës, me synimin kryesor për të përforcuar krahun e majtë të sulmit. Megjithatë, klubi katalanas ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi profilin e lojtarit që do të transferojë.

    Në fillim të vitit 2026, dukej pothuajse e sigurt se marrëveshja e huazimit të Marcus Rashford do të bëhej e përhershme. Barcelona ka mundësinë të aktivizojë opsionin e blerjes për rreth 30 milionë euro, por së fundmi janë shtuar dyshimet mbi këtë vendim. Drejtuesit e klubit pritet të zhvillojnë një takim me agjentin dhe vëllain e lojtarit për të sqaruar situatën.

    Paralelisht, Barcelona po shqyrton edhe alternativa të tjera më të reja dhe më ekonomike, si Andreas Schjelderup, Ez Abde dhe Jan Virgili, duke reflektuar një strategji më të kujdesshme financiare dhe afatgjatë.

    Sipas raportimeve nga mediat italiane, të cituara nga shtypi katalanas, Rafael Leão i është ofruar Barcelonës si një opsion për këtë verë. Sulmuesi i AC Milan nuk e ka më të garantuar vendin si titullar dhe klubi italian është i hapur për ta shitur, pavarësisht kontratës që zgjat deri në vitin 2028.

    Vlera e tij mund të zbresë deri në 50 milionë euro, një shumë që konsiderohet më e përballueshme krahasuar me të kaluarën, kur çmimi i tij arrinte deri në 100 milionë euro. Megjithatë, drejtori sportiv Deco ka shprehur rezerva për angazhimin defensiv të lojtarit, ndërsa presidenti Joan Laporta besohet se e vlerëson profilin e tij.

    Këtë sezon, Leão ka regjistruar 10 gola dhe 2 asistime në 25 paraqitje, por vetëm në 20 prej tyre ka qenë titullar, një tregues i rënies së rolit të tij në skuadër.

    Barcelona mbetet në fazë vlerësimi për opsionet në dispozicion, ndërsa vendimi përfundimtar për repartin ofensiv pritet të merret në muajt në vijim.

  • ATV sjell emisionin e ri rinor “Lens” këtë të shtunë në orën 20:05

    ATV sjell emisionin e ri rinor “Lens” këtë të shtunë në orën 20:05

    Televizioni ATV po vjen me një risi në skemën e tij programore. Duke filluar nga kjo e shtunë në orën 20:05, në ekran do të nisë transmetimin emisioni i ri rinor “Lens”.

    Ky format i ri premton të sjellë një frymë ndryshe për publikun, duke trajtuar tema të ndryshme sociale që prekin të rinjtë dhe shoqërinë në përgjithësi. Përmes diskutimeve në studio, aktualiteteve dhe përmbajtjeve virale, “Lens” synon të jetë një hapësirë ku zëri i të rinjve dëgjohet dhe reflektohet në mënyrë dinamike.

    Emisioni do të moderohet nga Alfreda Gashi dhe Edona Aliu, të cilat do të udhëheqin bisedat e programit.

    “Lens” do të transmetohet çdo të shtunë në ATV, nga ora 20:05, duke u bërë një pikë takimi për të gjithë ata që duan të relaksohen dhe informohen mbi temat aktuale, kryesisht të gjeneratës së re.

  • Dukagjini dominon Ballkanin, Ferizaj fiton në Podujevë, një hap larg finales së Kupës

    Dukagjini dominon Ballkanin, Ferizaj fiton në Podujevë, një hap larg finales së Kupës

    Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës kanë sjellë emocione të mëdha dhe rezultate të rëndësishme në ndeshjet e para, ku Dukagjini dhe Ferizaj kanë hedhur hapa të mëdhenj drejt finales.

    Dukagjini ishte i jashtëzakonshëm në udhëtim, duke mposhtur Ballkanin me rezultat bindës 3-0. Skuadra nga Klina e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe kaloi në epërsi që në minutën e 8-të me një supergol nga Hekuran Berisha. Para përfundimit të pjesës së parë, mysafirët fituan penallti, të cilën e shndërroi në gol Mërgim Pefqeli për 0-2. Në pjesën e dytë, Ballkani tentoi të reagojë, por pa sukses, ndërsa në fund Meris Maliqi vulosi fitoren me golin për 0-3, duke e afruar shumë Dukagjinin me finalen. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në Klinë, ku vendasit kanë një avantazh të madh.

    Në përballjen tjetër, Ferizaj arriti një fitore të vlefshme si mysafir ndaj Llapit me rezultat 2-1 në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Goli i parë erdhi pas një goditjeje nga këndi të Qlirim Avdullit, ku topi u devijua nga mbrojtja vendase dhe përfundoi në rrjetë për 0-1. Në pjesën e dytë, Llapi kërkoi barazimin, por ishte Ferizaj që goditi sërish në minutën e 87-të me Kushtrim Shabanin për 0-2. Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan dhe në kohën shtesë Besar Musolli ngushtoi rezultatin në 1-2, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.

    Pas këtyre rezultateve, Dukagjini dhe Ferizaj janë më pranë finales, por gjithçka pritet të vendoset në ndeshjet kthyese që premtojnë tjetër dramë.

  • Andin Hoti për ekspozitën: Jam i pari që kam reaguar, s’mund ta rrah Shkëlzen Gashin

    Andin Hoti për ekspozitën: Jam i pari që kam reaguar, s’mund ta rrah Shkëlzen Gashin

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, para Komisionit për të Drejtat e Njeriut është pyetur lidhur me ekspozitën e Shkëlzen Gashit në shesh, e cila pati pasaktësi për masakrat në Kosovë.

    Në këtë temë që e ngriti deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, Hoti tha se Ministria e tij s’e kishte në mandat heqjen e ekspozitës dhe se Gashi e ka bërë këtë ekspozitë pa lejen e askujt.

    “Kam dëgjuar që të dhënat faktike të kësaj ekspozite janë marrë prej një individi që quhet Shkëlzen Gashi. Shkëlzen Gashi nuk është Albin Kurti. Shkëlzen Gashi s’është këshilltari im. Jam ndër të parët që kam reaguar kur Shkëlzen Gashi i ka cenuar vlerat e UÇK-së para pesë-gjashtë viteve”.

    Deputetët opozitarë, anëtarë të Komisionit, i kërkuan përgjegjësi Hotit, duke thënë se ka mekanizma në dorë.

    Në përgjigje, Hoti tha: “Unë s’mund ta rrah Shkëlzen Gashin”.

    “As nuk e bëj një gjë të tillë. Çka është në fushëveprimtarinë time, unë e bëj dhe është gabim kur flasim për vlerat e luftës çlirimtare ta krijojmë situatën e tillë që të bëjmë politikë për shkak se ndoshta dikush mendon që zgjedhjet janë afër dhe na vyen politika.

    Ai tha se nuk ka përgjegjësi “pse del një OJQ pa leje të kërkujt me bo një aktivitet në shesh”.

    “Do të kërkoj të krijohet që të hartohet një rregullore e qartë që asnjë OJQ, kur janë në pyetje vlerat çlirimtare, të mos ketë të drejtë të ekspozojë materiale pa verifikim paraprak të institucioneve të Kosovës”.

  • Kritika, përplasje e akuza në komisionin ku raportoi Hoti për ekspozitën e Gashit

    Kritika, përplasje e akuza në komisionin ku raportoi Hoti për ekspozitën e Gashit

    Shumë kritika, vërejtje e akuza janë dhënë gjatë raportimit të ministrit për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti në komisionin parlamentar.

    Deputetë nga partitë opozitare kanë hedhur kritika ndaj ekzekutivit për përmbajtjen e ekspozitës për masakrat në Kosovë, për çka edhe ishte thirrur në raportim ministri Hoti.

    Deputetja e PDK-së, Arbnora Salihu ka thënë se ministri Hoti, është i rrethuar nga figura që, sipas saj, kanë qëndrime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përmendur ministrat Hekuran Murati, Dimal Basha, Donika Gërvalla, MImoza Kusari Lila, si dhe kryekuvendaren Albulena Haxhiu.

    Pas këtyre deklaratave, pati përplasje mes deputetes dhe kryetares së Komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila kërkoi ndërprerjen e kësaj forme adresimi.

    Gjithashtu, edhe deputeti tjetër i PDK-së, Nait Hasani ka akuzuar për mashtrim dhe keqpërdorim lidhur me ekspozitën për luftën në Kosovë, duke kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

    Kurse, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka akuzuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, se ka financuar ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.

    Bytyqi, gjatë mbledhjes së Komisionit, ka thënë se sipas informacioneve që posedojnë, financimi i kësaj ekspozite lidhet me Gërvallën, për të cilën shtoi se në të kaluarën ka qenë kundër vlerave të UÇK-së.

    Ndaj këtyre deklaratave sërish reagoi Mulhaxha-Kollçaku, e cila ndërhyri duke kërkuar nga deputetja që të mos bëjë deklarime të tilla, pasi ministrja në fjalë nuk ishte e pranishme në mbledhje.

    Ndërkaq, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, duke iu përgjigjur deputetes së AAK-së, tha se ka kërkuar përgjegjësi institucionale lidhur me këtë çështje.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar sqarime nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, lidhur me ekspozitën, për të cilën ai tha se ka përmbajtur pasaktësi si rezultat i interpretimit të gabuar të të dhënave, i cili më pas edhe e lëshoi mbledhjen.

    Zemaj theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite, duke ngritur shqetësime për përmbajtjen e saj dhe përputhshmërinë me të vërtetën historike, ndërsa kërkoi edhe sqarime për financimin dhe shpërndarjen e materialeve të lidhura me të.

    Ministri Andin Hoti tha se është krijuar një perceptim i gabuar publik për përgjegjësinë e ministrisë që ai drejton lidhur me këtë ekspozitë, duke theksuar ndarjen e qartë të kompetencave institucionale në Kosovë.

    “Ministria e ka për mandat reagimin, mbrojtjen e vlerave, reagimin. Dhe çka kam bo unë është, nuk po thom që jam i pari, e ndër të parët që kam reagu për këto, për ekspozitën çka qe në shesh”, tha ai.

    Gjatë mbledhjes ka pasur edhe diskutime çështje të tjera që janë ngritur.

  • Punëtorët e ARPL pa paga, sqaron MMPH: Ka ndodhur për shkak të një gabimi teknik nga Ministria e Financave

    Punëtorët e ARPL pa paga, sqaron MMPH: Ka ndodhur për shkak të një gabimi teknik nga Ministria e Financave

    Punëtorët e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk kanë pranuar pagën e muajit paraprak ashtu siç nuk e kanë pranuar as pagën e 13-të sikurse punëtorët e sektorit publik në vend.

    Lidhur me këtë çështje Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në përgjigjjen zyrtare për KlanKosova.tv tha se kjo ka ndodhur për shkak të një gabimi teknik nga Ministria e Financave gjegjësisht Divizioni i pagave.

    MMPH ka kërkuar mirëkuptimin e zyrtarëve të ARPL-së, duke shtuar se kjo çështje do të rregullohet në muajin pasues pasi përgatitja e pagave për muajin mars 2026 tashmë ka përfunduar.

    “Mosrealizimi i pagës së rregullt dhe pagës së 13-të për zyrtarët e ARPL-së ka ndodhur për shkak të një gabimi teknik nga Ministria e Financave gjegjësisht Divizioni i pagave këtë muaj është përballur me shumë procese shtesë (paga e 13-të, kompensime retroaktive për përvojë pune, krijimi i ministrive të reja, bartje dhe sistemim i nëpunësve), gjë që ka krijuar ngarkesë të madhe në kohë të shkurtër. Për këtë arsye, kenë ndodhur lëshime teknike dhe kërkojmë mirëkuptimin e zyrtareve të ARPL-së. Kjo do të rregullohet në muajin vijues, pasi përgatitja e pagave për muajin mars 2026 tashmë ka përfunduar”, thuhet në përgjigjjen e MMPH.

  • Lushaku për çështjen e presidentit: Të intensifikohen bisedimet, barra e procesit bie mbi VV-në

    Lushaku për çështjen e presidentit: Të intensifikohen bisedimet, barra e procesit bie mbi VV-në

    Shefja e deputetëve të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu ia ka bartur përgjegjësinë Lëvizjes Vetëvendosje për gjetjen e zgjidhjes së çështjes së presidentit të vendit.

    Pas mbledhjes së kryesisë, ajo ka thënë se i takon partisë me numrin më të madh të votive që të ofrojë zgjidhje për këtë proces.

    Sipas saj, afatet kushtetuese janë të qarta dhe duhen veprime intensive për t’i shmangur zgjedhjet e reja.

    “Është tepër e rëndësishme që të gjithë ta kuptojmë që Gjykata Kushtetuese ka dhënë afate të qarta dhe për t’i menjanuar zgjedhjet duhet një zgjidhje për t’i dhënë vendit president. Bisedimet duhet të intesifikohen për të gjetur zgjidhje. Barra është e atyre që kanë numrin më të madh të votove. Rreziku është që të shkojmë në zgjedhje, por pa vullnetin e partisë së parë nuk mund t’I jepet zgjidhje kësaj çështjeje”, ka deklaruar ajo.

  • 1 mij֝ë e 548 intervenime në vitin 2025 – suksesi i sallës ambulantore në ShSKUK

    1 mij֝ë e 548 intervenime në vitin 2025 – suksesi i sallës ambulantore në ShSKUK

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton për funksionalizimin dhe suksesin e sallës kirurgjikale në Ambulancën Specialistike në Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ku realizohen intervenime kirurgjikale të vogla dhe të mesme në kushte ambulantore, pa pasur nevojë për hospitalizim të pacientëve.

    Kjo sallë po mundëson trajtim të shpejtë dhe efikas për pacientët, duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes dhe duke ofruar kujdes kirurgjikal cilësor. Në këtë njësi kryhen kryesisht ndërhyrje të Klinikës së Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive, përfshirë heqjen e lezioneve të lëkurës si nevuset, lipomat dhe kistet, trajtimin e plagëve dhe cikatriceve, si dhe korrigjime të ndryshme rekonstruktive. Të gjitha këto procedura realizohen me anestezion lokal.

    Përveç kësaj, salla shërben edhe për klinika të tjera, si Neurokirurgjia, Kirurgjia Torakale, Abdominale dhe Vaskulare, ku kryhen intervenime të vogla si heqja e formacioneve të indeve të buta, trajtimi i plagëve sipërfaqësore dhe procedura diagnostike e terapeutike, përfshirë biopsitë.

    E pajisur me teknologji moderne dhe në përputhje me standardet bashkëkohore mjekësore, kjo sallë garanton siguri dhe cilësi të lartë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

    Që nga funksionalizimi i saj, janë realizuar mijëra intervenime kirurgjikale, duke ndihmuar një numër të madh pacientësh. Vetëm gjatë vitit 2025 janë kryer gjithsej 1,548 intervenime, çka dëshmon për rëndësinë dhe efikasitetin e këtij shërbimi në sistemin shëndetësor të vendit.