ATV

Blog

  • Haxhiu: Partitë t’i lënë anash dallimet, ta zgjedhin presidentin e ri të vendit

    Haxhiu: Partitë t’i lënë anash dallimet, ta zgjedhin presidentin e ri të vendit

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga partitë politike që ta gjejnë një zgjidhje për çështjen e presidentit dhe që vendi të shmangë zgjedhjet e reja.

    Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ajo ka thënë se është e gatshme të ndihmojë në këtë proces.

    Ajo u ka bërë thirrje subjekteve politike që t’i lënë anash dallimet.

    “Si kryetare e kuvendit unë jam e hapur që nëse grupet parlamentare shohin se unë mund të ndihmoj. Unë mirëpres vazhdimin e takimeve që kanë ndodhur së fundmi. Ti lëmë anash të gjitha dallimet dhe ta gjejmë një zgjidhje për president dhe uroj që të mos ndodh që unë si ushtruese e detyrës së presidentes ta caktoj datën e zgjedhjeve. Prandaj, partitë të dëshmojnë vullnet për ta gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit”, ka thënë ajo.

    Haxhiu ka folur edhe për ndryshimin e profilit të Zyrës së Presidencës së Kosovës, pasi që ajo ka marrë pozitën e ushtruesës së detyrës.

    Ka thënë se qëllimi ka qenë informimi i qytetarëve për aktivitetet dhe se sipas saj, rrjetet sociale duhet të jenë trashëgimi institucionale, e jo të konsiderohen si individuale.

    “Më vjen shumë keq për debatet që janë zhvilluar në këtë drejtim, por ju them me përgjegjësi të plotë, por ne nuk kemi kontribuar që debate të shkojë në këtë mënyrë. Me qëllim që ne ti njoftojmë qytetarët jemi detyruar që të hapim faqe të tjera…E di që dikujt ju ka dukur si çështje teknike…Rrjetet sociale nuk janë individuale dhe ato duhet të mesin trashëgimi e institucioneve”, ka thënë tutje ajo.

  • Zgjedhja e presidentit, Nagavci: Kryeministri po bën gjithçka për t’i shmangur zgjedhjet

    Zgjedhja e presidentit, Nagavci: Kryeministri po bën gjithçka për t’i shmangur zgjedhjet

    Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci është deklaruar rreth çështjes së presidentit pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Para mediave, ajo tha se kryeministri Albin Kurti po bën gjithçka që është në kompetencë të tij për t’i shmangur zgjedhjet.

    “Kryeministri Kurti ka pasur takim me kryetarin e LDK-së, besoj që ai është duke vazhduar angazhimin maksimal të tij si kryetar i VV-së. Besoj që gjatë gjithë këtyre ditëve do të intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjedhje, dhe presidenti të votohet brenda afatit që ka caktuar Kushtetuesja, jemi të bindur që vendit i duhet një president i zgjedhur në kuvend, zgjedhjet e reja nuk do të sjellin asnjë rezultat tjetër, janë të panevojshme”, deklaroi Nagavci.

    “Kryeministri Kurti është duke bërë gjithçka është në mandatin e tij dhe jam e bindur që të do të trajtojë në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme, shmangien e zgjedhjeve të reja”.

  • Rezoluta e PDK-së, Çitaku: Situatë e paprecedentë në Kuvend, s’u dakordua rendi i ditës

    Rezoluta e PDK-së, Çitaku: Situatë e paprecedentë në Kuvend, s’u dakordua rendi i ditës

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit ka ndodhur një situatë e paprecedentë, pasi siç tha ajo, nuk është arritur dakordim për rendin e ditës.

    Sipas saj, PDK ka proceduar dhe protokolluar një kërkesë për miratimin e një rezolute të veçantë, e cila synon trajtimin e së kaluarës historike dhe të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

    “Për ne asnjëherë kjo çështje nuk ka qenë politike. Kujtesa nuk është veç e kaluara, por identiteti. Kujtesa është themeli mbi të cilin ndërtohemi ne si shoqëri e si shtet.

    Çitaku tha se partia ka synuar që kjo rezolutë të vijë si tekst i dakorduar mes grupeve parlamentare dhe të votohet në mënyrë unanime.

    “E kaluara, kujtesa, lufta e dhimbjet që kemi përjetuar si komb nuk guxojnë të na ndajnë. Këto janë tema rreth secilave ne si shoqëri duhet të kemi konsensus”.

    Megjithatë, Çitaku kritikoi përfaqësuesit e VV-së, duke thënë se ka pasur rezistencë të pajustifikueshme që kjo çështje të trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës.

    Ajo shtoi se, pavarësisht dështimit për miratimin e rendit të ditës në këtë seancë, PDK nuk do të tërhiqet dhe do të kërkojë që rezoluta të trajtohet si prioritet në seancat e ardhshme të Kuvendit

    “Kërkesa jonë ishte që kjo çështje të trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës, jo si fushëbetejë, do të duhej të trajtohej si pikë e parë. Pati rezistencë të paarsyeshme dhe të pashpjegueshme nga ana e përfaqësuesve të VV-së që kjo pikë të trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës. Miratimi i rendit të ditës i mbeti seancës. Ne nuk heqim dorë dhe do të kërkojmë nga seanca që ta trajtojë si pikë të parë të rendit të ditës”, theksoi deputetja e PDK-së.

  • Byroja për konfiskim të pasurisë, KDI shpreh shqetësim për ‘‘dy çështje thelbësore’’: Të ndërtohet mbi parime kushtetuese

    Byroja për konfiskim të pasurisë, KDI shpreh shqetësim për ‘‘dy çështje thelbësore’’: Të ndërtohet mbi parime kushtetuese

    Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se projektligji për Byronë kërkon trajtim të kujdesshëm dhe adresim të çështjeve kyçe të ngritura nga Kushtetuesja dhe Komisioni i Venecias.

    KDI ka vlerësuar se një reformë e tillë duhet të ndërtohet mbi parime të qarta kushtetuese, siguri juridike dhe respektim të të drejtave themelore.

    ‘’ KDI ngriti shqetësime për dy çështje thelbësore. Së pari, lidhur me vlefshmërinë kohore të verifikimit të pasurisë, ku përcaktimi i periudhës që nga viti 2008 krijon pasiguri juridike dhe bie ndesh me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka theksuar nevojën për një kufizim të arsyeshëm kohor. Së dyti, lidhur me kompetencat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar, pasi projektligji i jep Byrosë diskrecion të gjerë për të rregulluar procedura që prekin drejtpërdrejt të drejtat pronësore, çështje këto që duhet të jenë të përcaktuara qartë në vetë ligjin’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Komunikata:

    KDI: Projektligji për Byronë kërkon trajtim të kujdesshëm dhe adresim të çështjeve kyçe të ngritura nga Kushtetuesja dhe Komisioni i Venecias

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka paraqitur qëndrimet e tij lidhur me versionin aktual të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është proceduar për shqyrtim në Kuvend.

    Gjatë konferencës, KDI theksoi se forcimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është një hap i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, një reformë e tillë duhet të ndërtohet mbi parime të qarta kushtetuese, siguri juridike dhe respektim të të drejtave themelore, në mënyrë që të jetë e zbatueshme dhe e qëndrueshme në praktikë.

    Ndonëse KDI e përkrah parimisht idenë e konfiskimit civil dhe vetë Byronë si mekanizëm, vlerëson se versioni aktual i projektligjit nuk i adreson në mënyrë të plotë gjetjet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (KO46/23) dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke lënë hapësirë për paqartësi dhe rrezik për cenim të të drejtave kushtetuese.

    Në veçanti, KDI ngriti shqetësime për dy çështje thelbësore. Së pari, lidhur me vlefshmërinë kohore të verifikimit të pasurisë, ku përcaktimi i periudhës që nga viti 2008 krijon pasiguri juridike dhe bie ndesh me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka theksuar nevojën për një kufizim të arsyeshëm kohor. Së dyti, lidhur me kompetencat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar, pasi projektligji i jep Byrosë diskrecion të gjerë për të rregulluar procedura që prekin drejtpërdrejt të drejtat pronësore, çështje këto që duhet të jenë të përcaktuara qartë në vetë ligjin.

    Po ashtu, KDI theksoi mungesën e një procesi të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës të konsultimit publik për këtë version të projektligjit, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe legjitimitetin e reformës.

    Në këtë kontekst, KDI i ka dërguar një letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës me qëndrimet dhe rekomandimet për përmirësimin e projektligjit, si dhe së shpejti do të përgatisë dhe publikojë një hulumtim parlamentar për këtë çështje.

    KDI i bën thirrje Kuvendit që shqyrtimi i këtij projektligji të shoqërohet me debat të hapur, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në standarde kushtetuese dhe evropiane, në mënyrë që të shmangen zgjidhje që mund të rezultojnë të paqëndrueshme apo të kontestueshme në praktikë.

  • KQZ: Mund ta ndërroni qendrën e votimit brenda komunës edhe në periudhën jozgjedhore

    KQZ: Mund ta ndërroni qendrën e votimit brenda komunës edhe në periudhën jozgjedhore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar qytetarët se tani mund ta verifikojnë dhe nëse duan ta ndërrojnë qendrën e votimit brenda komunës edhe në periudhën jozgjedhore.

    Verifikimi dhe ndërrimi i qendrës së votimit mund të bëhen përmes:

    • Platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org/sq/, ose

    • Zyrës së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve

    Adresat: https://kqz-ks.org/adresat-e-zyrtareve-komunal/

    Ndërrimi i qendrës së votimit nga një komunë në tjetrën

    Nëse dëshironi të ndërroni qendrën e votimit nga një komunë në tjetrën, fillimisht duhet të përditësoni adresën tuaj zyrtare të vendbanimit.

    Këtë mund të bëni përmes:

    • Platformës eKosova (Adresa → Deklarimi i adresës zyrtare të vendbanimit), ose

    • Zyrës së Gjendjes Civile

    Pas përditësimit të adresës në Regjistrin Civil, qendra juaj e re e votimit do të reflektohet edhe në platformën e KQZ-së.

    Adresa juaj zyrtare në eKosova përcakton komunën dhe qendrën tuaj të votimit.

    Kjo ju mundëson të votoni sa më afër vendbanimit tuaj.

    Për informata shtesë:

    Viber / WhatsApp: +383 46 130 013

    Pa pagesë: 0800 55 555

  • Reporterët pa Kufij dhe organizatat e tjera: Qeveria e Kosovës të ndalë erozionin e lirisë së mediave, Vetëvendosje i dobësoi disa standarde

    Reporterët pa Kufij dhe organizatat e tjera: Qeveria e Kosovës të ndalë erozionin e lirisë së mediave, Vetëvendosje i dobësoi disa standarde

    Reporterët pa Kufij bashkë me një numër të madh të organizatave ndërkombëtare të cilat mbrojnë lirinë e medias dhe gazetarëve kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që drejtohet nga kryeministri, Albin Kurti, që të ndalojë gërryerjen e mëtejshme të lirisë së mediave.

    Në një reagim të përbashkët, Reporterët pa Kufij dhe organizatat e tjera kujtojnë faktin se në Kosovë ka rënie të lirisë së medias për shkak të presionit politik mbi median publike, zhvillimet shqetësuese legjislative dhe sulmeve verbale ndaj gazetarëve nga politikanët.

    “Reporterët pa Kufij (RSF) dhe partnerët e saj i kanë bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës të krijojë një grup pune për të adresuar çështjet e lirisë së shtypit dhe për t’u përgatitur për zbatimin e Marrëveshjes Evropiane për Lirinë e Medias (EMFA), ndërsa vendi kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE)”, potencon reagimi.

    Në reagim thuhet se ndonëse Kosova ka peisazh të larmishëm mediatik dhe nivel të ulët të dhunës fizike, disa standarde janë dobësuar nga Lëvizja Vetëvendosje si parti në pushtet.

    “Pas takimeve me dhjetëra gazetarë dhe media në Kosovë më 24 mars, organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve – përfshirë Reporterët pa Kufij (RSF) – diskutuan gjendjen e lirisë së shtypit me Kryeministrin Albin Kurti dhe këshilltarët e tij. Ndërsa Kosova ka një peizazh të larmishëm mediatik, një nivel të ulët të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore përgjithësisht në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, disa standarde janë dobësuar nga partia në pushtet, Vetëvendosje”, thuhet në reagim.

    “ Na duhet një sinjal i fortë nga qeveria në mbështetje të një peizazhi mediatik të lirë, të pavarur dhe të larmishëm. Ngritja e një grupi pune të dedikuar i përbërë nga palë të interesuara lokale dhe duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare do të ishte një hap i parë. Rregullorja Evropiane për Lirinë e Medias (EMFA), të cilën Kosova do të duhet ta zbatojë si shtet kandidat për në BE, adreson problemet kryesore të vendit: mungesën e pavarësisë për transmetuesin publik, mbrojtjet e dobëta për burimet gazetareske dhe transparencën e pamjaftueshme në lidhje me pronësinë dhe financimin e medias. Kjo është një thirrje për veprim të menjëhershëm.”, ka deklaruar Pavol Salzai i RFE.

  • Ndahet nga jeta gazetarja e RTK-së, Shukran Nobërdali-Qyqalla

    Ndahet nga jeta gazetarja e RTK-së, Shukran Nobërdali-Qyqalla

    Është ndarë nga jeta gazetarja shumëvjeçare e RTK-së, Shukran Nobërdali-Qyqalla.

    E ndjera ndërroi jetë sot, duke lënë pas një kontribut të çmuar në gazetarinë kosovare dhe në transmetuesin publik.

    Shukran Nobërdali-Qyqalla ishte pjesë e RTK-së që nga themelimi i saj në vitin 1999, ku për vite me radhë ishte e angazhuar në redaksinë informative si gazetare. Ajo njihej gjithashtu si autore dhe udhëheqëse e emisionit shëndetësor “Medika”, të cilin e realizoi me përkushtim për më shumë se dy dekada.

    Kolegët dhe bashkëpunëtorët e saj e vlerësojnë për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e vazhdueshëm në informimin publik.

    RTK i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nobërdali-Qyqalla, si dhe gjithë kolegëve dhe miqve të të ndjerës.

    Varrimi i saj bëhet nesër (e enjte) në orën 13:00 në varrezat e qytetit në Dragodan në Prishtinë./RTK/

  • Kurti pret në Qeveri zyrtaren e lartë të NATO-s, flasin për dërgimin e ushtrisë në Gaza

    Kurti pret në Qeveri zyrtaren e lartë të NATO-s, flasin për dërgimin e ushtrisë në Gaza

    Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, të cilën e ka falendëruar për angazhimin e NATO-s për paqe, siguri e stabilitet.

    Në këtë takim, Kurti ka folur edhe për mundësinë që pjesëtarët e FSK-së të kenë mundësinë të ndjekin trajnimet ushtarake edukuese të NATO-s dhe poashtu për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në përputhje me standardet e Aleancës.

    Temë e diskutimit ka qenë edhe përgatitja e FSK-së për misionin në Gaza në kuadër të Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare.

    “Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, njofton ZKM.

    Kurti tutje ka thënë se Kosova është e përcaktuar, angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj për integrim në NATO.

    Derisa, drejtorja e NATO-s për Operacione, Hallengren, ka vlerësuar lartë vendimin për angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gaza.

  • Ekstradohen dy persona që kishin ‘karton të kuq’  nga Interpol, njëri për në Kosovë dhe tjetri nga Kosova për në Shqipëri

    Ekstradohen dy persona që kishin ‘karton të kuq’ nga Interpol, njëri për në Kosovë dhe tjetri nga Kosova për në Shqipëri

    Policia e Kosovës tha se kanë realizuar me sukses dy ekstradime të personave të kërkuar nga drejtësia, të shpallur në kërkim ndërkombëtar me karton të kuq (red notice) në INTERPOL.

    “Dje, më 07.04.2026, është ekstraduar nga Gjermania për në Kosovë, shtetasi kosovar me inicialet I. A., pasi që i njëjti kërkohej nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Sot, më 08.04.2026 është ekstraduar nga Kosova për në Shqipëri, shtetasi kosovar me inicialet N.C., pasi që i njëjti kërkohej nga institucionet e drejtësisë shqiptare”.

    Ky i fundit i është dorëzuar autoriteteve policore shqiptare në PKK Vërmicë.

  • 6.5 milionë euro për federatat sportive, Ministri Gashani synon zhvillim dhe rezultate ndërkombëtare

    6.5 milionë euro për federatat sportive, Ministri Gashani synon zhvillim dhe rezultate ndërkombëtare

    Ministri i Sportit dhe Rinisë i Kosovës, Blerim Gashani, njoftoi ndarjen e 6.5 milionë eurove për federatat sportive për vitin 2026, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit në vend.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gashani bëri të ditur se ka nënshkruar Memorandumet e Bashkëpunimit me 39 federata, duke theksuar se kjo mbështetje financiare ka për qëllim ngritjen e cilësisë së aktiviteteve sportive, përmirësimin e performancës së sportistëve dhe arritjen e rezultateve më të larta në arenën ndërkombëtare.

    “Federatat mbeten partnerë kyç në këtë proces. Presim angazhim profesional që ky investim të shndërrohet në suksese konkrete,” shkruan ministri, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit për t’i kthyer fondet në rezultate të prekshme për sportin kosovar.

    Ky hap tregon angazhimin e Qeverisë për të ofruar mbështetje të qëndrueshme dhe strategjike federatave sportive, duke investuar në të ardhmen e sportistëve dhe përfaqësimin e vendit në garat ndërkombëtare.