ATV

Blog

  • FSK-ja do të zhvillojë ushtrime në zonën e Bukovikut, qytetarët këshillohen për kujdes

    FSK-ja do të zhvillojë ushtrime në zonën e Bukovikut, qytetarët këshillohen për kujdes

    Kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të zhvillojnë ushtrime ushtarake vlerësuese në zonën e Bukovikut në Komunën e Gjilanit, në dy periudha të planifikuara gjatë këtij muaji.

    Sipas njoftimit, ushtrimet do të mbahen më 17–19 prill dhe 24–26 prill 2026, në kuadër të plan-programit trajnimor dhe vlerësimit praktik të kadetëve të FSK-së.

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se zona e Bukovikut është përzgjedhur si hapësirë e përshtatshme për realizimin e aktiviteteve të planifikuara.

    “Trajnimi do të mbahet në zonën e Bukovikut, Komuna e Gjilanit, pasi kjo zonë është e përshtatshme për realizimin e aktiviteteve të planifikuara dhe për vlerësimin praktik të kadetëve”, thuhet në njoftim.

    Gjithashtu, qytetarët janë këshilluar për kujdes gjatë ditëve kur do të zhvillohen ushtrimet dhe të mos shqetësohen nga aktivitetet që mund të vërehen në terren.

  • Operacion policor në veri – gjenden armë, granata dhe pajisje ushtarake në Zubin Potok

    Operacion policor në veri – gjenden armë, granata dhe pajisje ushtarake në Zubin Potok

    Policia e Kosovës ka kryer sot bastisje në gjashtë lokacione në Zubin Potok, ku ka sekuestruar armatim të llojeve të ndryshme.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një postim në Facebook.

    Sveçla shtoi se provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme me potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në vend

    “Pas bastisjeve të zhvilluara në gjashtë lokacione në Zubin Potok, Policia e Kosovës ka sekuestruar sot armatim të llojeve të ndryshme, radiolidhje, granatë dore, uniforma ushtarake si dhe 213 copë municion”, ka shkruar Sveçla.

    Ministri ka shtuar se rendi, ligji dhe siguria në Kosovë mbeten prioritet institucional.

    “Institucionet shtetërore të sigurisë do të reagojnë me vendosmëri të plotë ndaj çdo individi apo grupi që përmes veprimeve kriminale paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe vendit tonë. Çdo veprim që rrezikon këto parime do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa asnjë kompromis”, ka deklaruar Sveçla.

  • Përmbysje epike e Warriors, Philadelphia rikthehet në play-off dhe sfidon Bostonin

    Përmbysje epike e Warriors, Philadelphia rikthehet në play-off dhe sfidon Bostonin

    Golden State Warriors dhuruan një përmbysje spektakolare ndaj Los Angeles Clippers, duke triumfuar 126:121 në play-in e NBA, pasi rikuperuan një disavantazh prej 13 pikësh në çerekun e fundit.

    Ndeshja dukej se po shkonte në favor të Clippers, të cilët kryesonin 98:85 në mesin e periodës së katërt. Por Warriors reaguan fuqishëm me një seri mbresëlënëse, duke përmbysur gjithçka në minutat vendimtare. Momenti kulmor erdhi 50 sekonda para fundit, kur Stephen Curry realizoi një treshe vendimtare, e shtata e tij në këtë sfidë, për t’i dhënë epërsinë ekipit të tij. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e Warriors neutralizoi Kawhi Leonard, duke e mbajtur pa pikë në çerekun e fundit deri në sekondat e fundit.

    Curry ishte i jashtëzakonshëm me 35 pikë, ku 27 prej tyre i realizoi vetëm në pjesën e dytë. Ai pati mbështetje të fortë nga Kristaps Porziņģis me 20 pikë dhe Al Horford, i cili goditi disa treshe vendimtare në momentet finale. Në anën tjetër, për Clippers u dalluan Bennedict Mathurin me 23 pikë, si dhe Leonard e Darius Garland me nga 21 pikë secili.

    Warriors tani udhëtojnë drejt Phoenix Suns për një tjetër duel vendimtar, ku fituesi do të përballet me kampionët në fuqi, Oklahoma City Thunder, në raundin e parë të play-off-it.

     

    Në Lindje, Philadelphia 76ers siguruan një vend në play-off pas fitores 109:97 ndaj Orlando Magic. Protagonist ishte Tyrese Maxey me 31 pikë, duke udhëhequr ekipin drejt vendit të shtatë. Paraqitje të shkëlqyer pati edhe i riu VJ Edgecombe me 19 pikë dhe 11 kërcime.

    Pas një sezoni zhgënjyes një vit më parë, Philadelphia rikthehet fuqishëm, por tani përballet me një sfidë të madhe ndaj Boston Celtics, skuadër ndaj së cilës kanë humbur gjashtë seritë e fundit të play-off-it. Ndeshja e parë e kësaj serie zhvillohet të dielën në Boston.

  • Ministri i Jashtëm i Belgjikës sot në Kosovë, takohet me krerët e shtetit

    Ministri i Jashtëm i Belgjikës sot në Kosovë, takohet me krerët e shtetit

    Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Maxime Prévot sot do të jetë për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të së cilës deri më tani janë konfirmuar zyrtarisht dy takime nga pala kosovare.

    Ministri belg do të takohet me kryeministrin Kurti në orën 13:30, njoftoi Zyra e kryeministrit.

    Ndërsa, në orën 15:15 Prevot do të takohet me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca.

    Pas këtij takimi, dy homologët do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

    Kryediplomati belg ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve do të vizitojë Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, dhe Bosnjë Hercegovinën, kurse Shqipërinë, ka bërë të ditur ai, do ta vizitojë në një tjetër fazë, kur do të ketë ‘’kënaqësinë të hap ambasadën’’ belge në Tiranë,

    Duke njoftuar për vizitën në vendet e rajonit, kryediplomati belg ka shkruar se është me rëndësi që për gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor të ruhet perspektivë e besueshme integrimi.

    “Por procesi mbetet i bazuar në merita: presim prej tyre të kenë guximin për të zbatuar reformat e nevojshme, në lidhje me sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe pajtimin rajonal”, ka thënë Prevot.

  • “Po e vrisni muzikën tonë” – Agim Poshka me letër të fortë publike kundër tallavasë, kritika të ashpra për kolegët

    “Po e vrisni muzikën tonë” – Agim Poshka me letër të fortë publike kundër tallavasë, kritika të ashpra për kolegët

    Këngëtari Agim Poshka në emisionin “LIBERO” shkroi një letër publike të pazakontë, të cilën e lexoi në rubrikën “Letër vetes”, por që në fakt ia drejtoi kolegëve të tij në industrinë muzikore.

    Në një mesazh të drejtpërdrejtë, Poshka ngriti shqetësimin për degradimin e muzikës shqiptare, duke e cilësuar fenomenin e tallavasë si një “virus” që po dëmton kulturën dhe estetikën muzikore.

    Ai kritikon ashpër muzikantët që, sipas tij, justifikohen me kërkesën e publikut. “Mos u fshihni pas fjalëve se ‘populli këtë kërkon’. Shija e publikut është pasqyra e asaj që ne prodhojmë”, thekson Poshka, duke e kthyer vëmendjen nga konsumatori te vetë krijuesit.

    Poshka shkon edhe më tej, duke ngritur pyetje të forta për brezin aktual të artistëve: “A doni të mbaheni mend si brezi që e këputi zinxhirin mijëvjeçar të traditës vetëm për pak para më shumë?”

    Në fund të letrës, Poshka bën thirrje për rikthim te rrënjët dhe ruajtje të identitetit kulturor…

    Letra e tij, ishte e shoqëruar në fund me hashtagun #AntiTallava!

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Agim Poshkës, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Aksion i gjerë për sigurinë në punë, angazhohen 30 inspektorë në gjithë vendin

    Aksion i gjerë për sigurinë në punë, angazhohen 30 inspektorë në gjithë vendin

    Numri i lartë i personave që kanë humbur jetën në vendet e punës, ka bërë që Inspektorati Qendror i Punës të dalë në terren për të inspektuar bizneset.

    Inspektimi po kryhet në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj.

    Lidhur me këtë, koordinatori Ahmet Delolli, tha se plani operativ do të zhvillohet në shtatë rajonet e Republikës së Kosovës.

    “Me 15 ekipe të inspektorëve. Në gjithsej inspektorë të angazhuar në terren 30, i cili do të zgjasë në 14 ditë vijuese të aksionit”, tha Delolli para mediave.

    “Për më tepër zonat dhe subjektet të cilat do të inspektohen, do të jenë të ndara ndërmjet koordinatorëve të rajoneve përkatëse”, shtoi ai.

    Vdekjet në vendet e punës, Jashari: Qëllimi i inspektimit është rritja e sigurisë

  • Distria Krasniqi kualifikohet në gjysmëfinale të Evropianit

    Distria Krasniqi kualifikohet në gjysmëfinale të Evropianit

    Distria Krasniqi është kualifikuar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të xhudos.

    Kampionia olimpike në çerekfinale e eliminoi polaken Aleksandra Kaleta.

    Paraprakisht, ajo e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë e eliminoi çeken Tereza Bodnarova.

    Krasniqi synon të fitojë medalje në Evropian.

  • Çka nëse sulmohet Kosova? Përgjigjen ministrat e mbrojtjes të Shqipërisë dhe Kroacisë

    Çka nëse sulmohet Kosova? Përgjigjen ministrat e mbrojtjes të Shqipërisë dhe Kroacisë

    Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, gjatë qëndrimit të tij në një vizitë zyrtare në Kroaci, ka takuar homologun e tij kroat, Ivan Anushiq.

    Dyshja mbajtën një konferencë të përbashkët për media gjatë ditës së djeshme, teksa u pyetën se si do të silleshin Shqipëria dhe Kroacia, duke pasur parasysh deklaratën e nënshkruar për bashkëpunim ushtarak mes tre shteteve, në rast të ndonjë sulmi ndaj Kosovës.

    Ministri shqiptar dha një përgjigje interesante për këtë çështje, duke thënë se si anëtar i NATO-s, do të harmonizonte çdo veprim me Aleancën, mirëpo shtoi se si shtet do të vepronin ndryshe.

    “Shqipëria dhe Kroacia janë të harmonizuara me NATO-n dhe çdo veprim që do të ndërmarrin, do të jetë në përputhje me NATO-n. Por kjo nuk do të thotë që ne si shtet nuk do të ndërmarrim asgjë në mbrojtje të Kosovës. Deklarata mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë është nënshkruar me vullnetin e popujve shqiptar dhe kroat. Natyrisht, Kosova synon të integrohet në BE, në NATO dhe në të gjitha instrumentet e sigurisë, prandaj nuk shihet asnjë rrezik”.

    “Si Kroacia ashtu edhe Shqipëria konsiderojnë se siguria në këtë rajon është në interes të përbashkët të të gjitha shteteve në rajon”, deklaroi ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka raportuar media kroate, “Vecernji List”.

    Ndërkaq, homologu i tij kroat, Ivan Anushiq, për çështjen e njëjtë, theksoi se deklarata e nënshkruar mes tri vendeve nuk paraqet aleancë ushtarake.

    “Kjo deklaratë nuk përfshin asnjë aleancë ushtarake. Është një deklaratë bashkëpunimi, jo një aleancë ushtarake”, tha ai, teksa shtoi: “Ju kujtoj se që nga viti 2010 ekziston një marrëveshje shumë më e gjerë, më përmbajtjesore dhe më e detajuar pikërisht me Serbinë, të cilën Serbia e hesht. Ne e kemi atë marrëveshje dhe është në fuqi që nga viti 2010. Deklarata që kemi nënshkruar nuk përfshin asnjë aleancë ushtarake, as aktivitete luftarake apo të luftës. Kjo deklaratë është ekskluzivisht në nivel të bashkëpunimit teknik, shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, dhe kjo është ajo që ne bëjmë”, tha Anushiq.

    Ndaj marrëveshjes trepalëshe për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, ka reaguar ashpër vazhdimisht Serbia, duke e quajtur këtë si një “aleancë kundër Serbisë”. Këtë e kanë mohuar në vazhdimësi palët.

  • Vdes ish-punonjësi i Doganës, institucioni: Shërbeu me përkushtim, dha kontribut të jashtëzakonshëm

    Vdes ish-punonjësi i Doganës, institucioni: Shërbeu me përkushtim, dha kontribut të jashtëzakonshëm

    Ish-punonjësi i Doganës së Kosovës, Haxhi Blakaj ka vdekur, njoftoi institucioni, duke u shprehur ngushëllime familjarëve, kolegëve, miqve e bashkëpunëtorë të tij.

    “Me pikëllim të thellë, Dogana e Kosovës njofton vdekjen e ish-kolegut tonë, z.Haxhi Blakaj. I ndjeri ishte ndër zyrtarët më të vjetër në Doganë e Kosovës, duke shërbyer me përkushtim dhe duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe forcimin e institucionit të Doganës së Kosovës, në periudha të rëndësishme për vendin”, thuhet në njoftimin e Doganës.

    “Kontributi i tij ishte i veçantë edhe në organizimin sindikal, si bashkëthemelues dhe kryetari i parë i Sindikatës së Doganës në vitin 2007, duke punuar vazhdimisht për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Me ndarjen e tij nga jeta, humbëm një profesionist të rrallë dhe një njeri me vlera të mëdha”.

  • Pas trajtimit intensiv, 5-vjeçari nga Lipjani lirohet nga QKUK në gjendje stabile

    Pas trajtimit intensiv, 5-vjeçari nga Lipjani lirohet nga QKUK në gjendje stabile

    Fëmija 5-vjeçar nga Lipjani, rasti i të cilit ka nxitur reagime të shumta në opinion publik, është liruar nga trajtimi në QKUK.

    Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, e cila bëri të ditur se gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile.

    “Në përgjigje të pyetjeve të parashtruara, bazuar në të dhënat zyrtare nga Klinika e Pediatrisë, ju njoftojmë se gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile. Fëmija është liruar nga Klinika e Pediatrisë gjatë ditës së djeshme”, thuhet në përgjigjen e saj.

    Së fundmi Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale.

    Hoti e konfirmoi se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.

    Rasti i 5-vjeçarit nga Lipjani ka qenë në qendër të vëmendjes pas raportimeve për keqtrajtimit nga prindërit.

    Për shkak të kësaj ai mori trajtim mjekësor në Kujdesin Intensiv Pediatrik.

    Për dy prindërit e tij, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte caktuar masa e paraburgimit.

    Ndërkaq, gjashtë fëmijët të kësaj familje janë marrë nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale të Lipjanit.