ATV

Blog

  • PDK mbledh sot Kryesinë, del me qëndrim për çështjen e presidentit

    PDK mbledh sot Kryesinë, del me qëndrim për çështjen e presidentit

    Kuvendi i Kosovës ka më pak se dy javë kohë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit para se vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

    Partitë parlamentare, pavarësisht diskutimeve, nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për emrin e të parit të vendit, teksa opozita akuzon Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë të konsensusit.

    Partia Demokratike e Kosovës sot do të mbajë mbledhje të Kryesisë ku do të diskutohet kjo çështje si dhe do të dalë me qëndrim rreth çështjes së presidentit menjëherë pas përfundimit të mbledhjes.

    Zyrtarë të kësaj partie, publikisht kanë thënë se nuk do të takohen me LVV-në pa pranuar një ftesë zyrtare specifike për temat që do të diskutohen. E partia e kryeministrit Albin Kurti ende nuk i ka dërguar një ftesë së tillë.

  • Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë memorandum për mbrojtjen e Lumit Drin

    Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë memorandum për mbrojtjen e Lumit Drin

    Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës dhe Ministria e Mjedisit e Shqipërisë kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit në menaxhimin e qëndrueshëm të segmentit ndërkufitar të Lumit Drin.

    Sipas njoftimit thuhet se marrëveshja synon mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së ujërave, parandalimin e ndotjes ndërkufitare, si dhe ruajtjen e ekosistemeve dhe biodiversitetit në zonat përkatëse të lumit.

    Po ashtu, dokumenti parasheh promovimin e përdorimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta për monitorimin dhe pastrimin e Lumit Drin.

    “Në kuadër të këtij memorandumi do të krijohet një Grup i Përbashkët Pune Kosovë–Shqipëri për Lumin Drin, i cili do të koordinojë aktivitetet dhe politikat ndërinstitucionale në këtë fushë. Bashkëpunimi do të përfshijë gjithashtu shkëmbimin e të dhënave, ekspertizës teknike dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale”, thuhet në njoftim.

    Ky bashkëpunim vlerësohet se do të kontribuojë edhe në avancimin e procesit të integrimit evropian të të dy vendeve, veçanërisht në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, si një nga prioritetet e përbashkëta rajonale.

  • Arrestimi për vrasjen në vitin 2022 në Lipjan, Prokuroria jep detaje

    Arrestimi për vrasjen në vitin 2022 në Lipjan, Prokuroria jep detaje

    Policia e Kosovës ka bërë sot të ditur se ka arrestuar dy persona lidhur me vrasjen e vitit 2022 në Lipjan.

    E lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dhënë detaje.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, pas një pune intensive në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës ka arritur të lokalizoj të pandehurin M.G, i cili ishte në kërkim nën dyshim për veprën penale ‘Vrasje e Rëndë’, me ç’rast ndaj të njëjtit është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, si dhe i janë sekuestruar dy armë, narkotikë, si dhe dokumente të falsifikuara, cilat i pandehuri i ka përdorur gjatë kohës së arratisë, me qëllim të shmangies nga legjitimimi”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, në këtë aksion është arrestuar edhe një person tjetër në drejtim të veprës penale “Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380 i KPRK-së.

    Në njoftim thuhet se Prokurori i shtetit me kohë do të vazhdoj ndërmarrjen e veprimeve hetimore të nevojshme, si dhe do të shqyrtoj mundësinë e paraqitjes së kërkesës për ndonjë nga masat për sigurinë e prezencës së të pandehurit në procedurë penale.

    Prokurori i shtetit do të vazhdoj punën në mënyrë që të gjithë kryerësit e veprave penale të vendosen para drejtësisë.

  • Prokuroria nis hetimin e palëve të përfshira në rastin e 5 vjeçarit nga Lipjani

    Prokuroria nis hetimin e palëve të përfshira në rastin e 5 vjeçarit nga Lipjani

    Pasi ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, pranoi pasditen e së mërkurës raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale ka thënë se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.

    Lidhur me këtë në një prononcim për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala ka thënë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim Policisë, me qëllim të mbledhjes dhe grumbullimit të provave dhe intervistimin e palëve, të përfshirë në këtë rast.

    “Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim Policisë, me qëllim të mbledhjes dhe grumbullimit të provave dhe intervistimin e palëve, të përfshirë në këtë rast. Aktualisht, ende nuk kemi pranuar raport nga Policia. Për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje, do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Shala.

    Ndërkaq, sot ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, e ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale.

    Ky raport është pranuar, vonë pasditen e së mërkurës nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare.

    Ministri Hoti e konfirmoi për KosovaPress se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.

    “Raportin çuditërisht e kam pranuar sot. Njëra prej të gjeturave të raportit thotë që në vendimin e Gjykatës të vitit 2023 i ka obliguar Qendrën për Punë Sociale për monitorimin e familjes në raport me fëmijët. Pra, e ka obliguar Qendrën për Punë Sociale në raport edhe me prindërit për shëndetin mendor të tyre, që QPS-të nuk merren me shëndetin mendor, janë Qendrat për Shëndetin Mendor që merren me shëndetin mendor, jo QPS-së. Sidoqoftë, është nën hetim prej Prokurorisë. Çka mund të ndërmarrim tjetër ne është një propozim ndaj kryetarit të komunës së Lipjanit që me i qit në masa disiplinore të gjithë stafin e Qendrës për Punë Sociale që është në Lipjan dhe këtë do ta bëjmë nesër, sepse sot është jashtë afatit të punës dhe të shqyrtohen nëse ata vërtetë i kanë ndjekur masat”, shtoi ai.

  • Hamza viziton familjen Prekazi: Rritja e çmimeve po rëndon jetën e qytetarëve, familjet kanë nevojë për politika që i mbrojnë

    Hamza viziton familjen Prekazi: Rritja e çmimeve po rëndon jetën e qytetarëve, familjet kanë nevojë për politika që i mbrojnë

    Partia Demokratike e Kosovës, ka njoftuar se kryetari i saj, Bedri Hamza, ka vizituar familjen Prekazi në Prishtinë, ku kanë folur për situatën ekonomike në vend, si dhe, rritjen e çmimeve.

    Nga PDK, bëhet e ditur se Hamza ka theksuar se standardi i jetesës është përkeqësuar ndjeshëm kohëve të fundit, duke u bazuar edhe në të dhënat e fundit të statistikave.

    ‘’ “Është shumë shqetësuese rritja e çmimeve. Inflacioni vetëm në muajin mars ka arritur në 6.7% krahasuar me vitin paraprak. Kur e shohim në periudhë më të gjatë, shumë produkte janë shtrenjtuar 50, 60 deri në 100 për qind. Ndërkohë, të ardhurat në sektorin privat dhe publik nuk kanë arritur ta përcjellin këtë rritje, duke e bërë jetën shumë më të vështirë për qytetarët”, u shpreh Hamza.

    Komunikata:

    Hamza viziton familjen Prekazi: Rritja e çmimeve po rëndon jetën e qytetarëve, familjet kosovare kanë nevojë për politika që i mbrojnë (Video)

    Prishtinë, 16 prill 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar familjen Prekazi në Prishtinë, me të cilën ka diskutuar për sfidat ekonomike me të cilat po përballen familjet kosovare, si pasojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe kostos së jetesës.

    Gjatë vizitës, kryetari Hamza theksoi se standardi i jetesës është përkeqësuar ndjeshëm kohëve të fundit, duke u bazuar edhe në të dhënat e fundit të statistikave.

    “Është shumë shqetësuese rritja e çmimeve. Inflacioni vetëm në muajin mars ka arritur në 6.7% krahasuar me vitin paraprak. Kur e shohim në periudhë më të gjatë, shumë produkte janë shtrenjtuar 50, 60 deri në 100 për qind. Ndërkohë, të ardhurat në sektorin privat dhe publik nuk kanë arritur ta përcjellin këtë rritje, duke e bërë jetën shumë më të vështirë për qytetarët”, u shpreh Hamza.

    Kryefamiljari Afrim Prekazi tha se sfidat e familjes së tij janë të njëjta me ato të shumicës së qytetarëve.

    “Janë rritur për 100% nxemja, rryma, uji dhe shumë shpenzime të tjera. Për një familje me një të punësuar, këto janë të papërballueshme. Unë dal në pension pas tre muajsh, ndërsa gruaja pas një viti, dhe brenga jonë më e madhe është si do ta përballojmë këtë situatë me pensionet dhe koston e jetesës”, theksoi ai.

    Edhe zonja e shtëpisë, Valbona Shala Prekazi, ngriti shqetësimin për përballimin e shpenzimeve ditore.

    “Ne që merremi me mirëmbajtjen e shtëpisë e ndjejmë drejtpërdrejt rritjen e çmimeve. Pagat që kemi, me rritje minimale, nuk e përballojnë jetën e përditshme”, tha ajo.

    Kryetari Hamza theksoi se rritja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve ka ndikim zinxhir në gjithë ekonominë, ndërsa adresoi edhe përgjegjësinë institucionale për situatën aktuale.

    “Kur shtrenjtohet energjia dhe nafta, rriten të gjitha çmimet e tjera. Por fatkeqësisht, edhe kur bie çmimi i naftës, çmimet e produkteve nuk ulen. Shumë qytetarë sot janë të detyruar të hyjnë në kredi apo overdraft vetëm për ta përballuar muajin. Familjet po e bartin barrën kryesore të kësaj krize dhe ato kanë nevojë për politika që i mbrojnë. Qytetarët tanë meritojnë jetë më të dinjitetshme”, tha ai.

    Në fund, Hamza u shpreh optimist se situata mund të përmirësohet përmes politikave të duhura dhe angazhimit të sinqertë institucional.

    “Nëse dëgjojmë qytetarët dhe punojmë me përkushtim, mund të ndërtojmë një Kosovë më të mirë për të gjithë”, përfundoi Hamza.

    Ndërsa kryefamiljari Prekazi shtoi: “Ky vend mund të ecë përpara vetëm me njerëz të mençur dhe vendime të drejta.”

  • Borussia Dortmund nis përpjekjet për transferimin e Fisnik Asllanit

    Borussia Dortmund nis përpjekjet për transferimin e Fisnik Asllanit

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Fisnik Asllani pritet të jetë një nga emrat që do të jetë më i përfolur në afatin kalimtar veror.

    Shumë klube në Evropë janë vënë në ndjekje të shërbimeve të Asllanit,dhe Hoffenheim do ta ketë të vështirë që ta mbajë në sezonin e ardhshëm.

    Përndryshe gjiganti gjerman Borussia Dortmund po synon transferimin e Asllanit,dhe sipas gazetës gjermane Bild kontaktet mes palëve tashmë kanë nisur dhe kjo varet edhe nga Serhou Guirrasy i cili nuk ka marrë vendim se nëse do të largohet nga Signal Iduna Park,teksa në anën tjetër Hoffenheim po kërkon rreth 30 milionë euro.

    Kujtojmë që Fisnik Asllani po kalon një sezon fantastik tek Hoffenheim,ku ka realizuar 10 gola e bëri 9 asistime në 30 ndeshje të zhvilluara,ndërkohë që është duke u kërkuar edhe nga gjiganti katalunas Barcelona i cili konsiderohet si pasardhës i Robert Leëandovëskit

  • Gërvalla në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan: Marrëveshja me Danimarkën rrit përgjegjësinë për sistemin korrektues

    Gërvalla në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan: Marrëveshja me Danimarkën rrit përgjegjësinë për sistemin korrektues

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka vizituar të mërkurën Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, gjersa ka folur edhe për Marrëveshjen Ndërkombëtare me Mbretërinë e Danimarkës.

    Gërvalla në një postim në Facebook shkruan se sistemi korrektues mbetet një nga testet më të drejtpërdrejta të seriozitetit të shtetit ndaj drejtësisë dhe nuk lë hapësirë për standarde të dyfishta.

    “Në këtë drejtim, edhe angazhimet ndërkombëtare që kemi marrë, përfshirë këtu Marrëveshjen Ndërkombëtare me Mbretërinë e Danimarkës, e rrisin përgjegjësinë tonë për të ndërtuar një sistem korrektues funksional, të besueshëm dhe në përputhje të plotë me standardet që kërkojmë vetë t’i përfaqësojmë.

    Me stafin drejtues dhe atë korrektues, folëm për përgjegjësinë konkrete që kemi në garantimin e respektimit të të drejtave të personave të privuar nga liria, si dhe për nevojën që standardet të zbatohen në praktikë, jo vetëm të mbeten në letër, sepse si trajtohen të privuarit nga liria, tregon sa vlen realisht sundimi i ligjit”, tha ajo.

    Gërvalla tha tutje se angazhimi institucional në këtë fushë do të jetë i çdoditshëm dhe i pandërprerë, ndërsa rritja e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë institucionale mbetet detyrim dhe jo zgjedhje, që do të ndiqet me vendosmërinë më të madhe. /Telegrafi/

  • Ministri grek Dendias sot në Prishtinë, takim me KFOR-in dhe Kurtin

    Ministri grek Dendias sot në Prishtinë, takim me KFOR-in dhe Kurtin

    Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias, pritet të vizitojë sot Prishtinën,

    Siç ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes së Greqisë, Dendias gjatë qëndrimit në Kosovë do të vizitojë Shtabin e Kontingjentit Grek në kuadër të misionit të KFOR.

    Gjithashtu, Dendias pritet të zhvillojë takime me komandantin e KFOR-it dhe zyrtarë të tjerë të lartë të misionit ndërkombëtar për siguri në Kosovë.

    Në kuadër të vizitës në Prishtinë, është paraparë edhe një takim privat me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Kujtojmë se sot në Kosovë po qëndron për vizitë zyrtare edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim të Belgjikës, Maxime Prevot.

  • Vdekja e punëtorit në Shtime, reagon kompania: Lajm i rëndë, do ofrojmë mbështetjen e nevojshme për familjen

    Vdekja e punëtorit në Shtime, reagon kompania: Lajm i rëndë, do ofrojmë mbështetjen e nevojshme për familjen

    Një rast i rëndë ka ndodhur dje, ku një punëtor, Isuf Bislimi, ka humbur jetën në vendin e tij të punës në zonën industriale të Shtimes, në kompaninë ‘’Doni Fruits’’.

    Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe vetë kompania. Nga kjo e fundit, vdekja e punëtori është cilësuar ‘’lajmë i rëndë’’, dhe se, Bislimi ka qenë një ‘’koleg i përkushtuar, punëtor dhe i respektuar nga të gjithë’’.

    ‘’ Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të të ndjerit. Doni Fruits qëndron pranë familjes Bislimi dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë periudhë të rëndë’’, është thënë nga kompania.

    Postimi:

    Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se kolegu ynë i nderuar, Isuf Bislimi, ka ndërruar jetë në mënyrë aksidentale gjatë orarit të punës.

    Ky është një lajm i rëndë për të gjithë ne në Doni Fruits, pasi kemi humbur një koleg të përkushtuar, punëtor dhe të respektuar nga të gjithë.

    Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të të ndjerit. Doni Fruits qëndron pranë familjes Bislimi dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë periudhë të rëndë.

    Kujtimi për Isufin do të mbetet gjithmonë pjesë e kompanisë sonë.

    Me respekt,

    Doni Fruits

  • Infantino: Irani pritet të luajë në Botërorin 2026 pavarësisht tensioneve politike

    Infantino: Irani pritet të luajë në Botërorin 2026 pavarësisht tensioneve politike

    Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka deklaruar se Kombëtarja e Iranit pritet të marrë pjesë në FIFA World Cup 2026, pavarësisht tensioneve të fundit ndërkombëtare.

    Gjatë forumit “Invest in America”, Infantino theksoi se Kombëtarja Iraniane e ka fituar me meritë vendin në Botëror dhe duhet të jetë pjesë e turneut. Ai shprehu shpresën që situata politike të stabilizohet deri atëherë, duke nënvizuar se futbolli duhet të mbetet një hapësirë që bashkon, jo që ndan.

    “Lojtarët duan të luajnë dhe përfaqësojnë popullin e tyre. Ata janë kualifikuar dhe meritojnë të jenë aty”, u shpreh Infantino, duke shtuar se sporti duhet të qëndrojë sa më larg ndikimeve politike, edhe pse pranoi se kjo nuk është gjithmonë e lehtë në realitetin global.

    Ai zbuloi gjithashtu se kishte takuar ekipin iranian së fundmi në Antalia dhe ishte impresionuar nga përkushtimi dhe dëshira e tyre për të garuar në skenën më të madhe të futbollit botëror.

    FIFA World Cup 2026 do të organizohet nga Shtetët e Bashkuara të Amerikës, Canada dhe Meksika, ndërsa sipas planit aktual, Irani pritet të zhvillojë ndeshje në Kaliforni dhe Seattle.

    Megjithatë, zhvillimet e fundit politike dhe konfliktet në rajon kanë ngritur pikëpyetje rreth pjesëmarrjes së tyre, me deklarata të ndryshme nga zyrtarët dhe shqetësime të ngritura edhe nga Donald Trump për çështje sigurie.

    Pavarësisht kësaj, qëndrimi i FIFA-s mbetet i qartë: nëse një skuadër kualifikohet në fushë, ajo duhet të ketë mundësinë të garojë.