ATV

Blog

  • Afati për presidentin po afron, AAK pa qëndrim ndryshues – s’ka votë për kandidatët e VV-së

    Afati për presidentin po afron, AAK pa qëndrim ndryshues – s’ka votë për kandidatët e VV-së

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj ka konfirmuar sërish qëndrimin e partisë së saj se nuk do të votohet asnjë emër kandidat për president nga LVV.

    Kadrijaj tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të konsideronte votë për president vetëm nëse propozohet një figurë konsensuale me bagazh historik dhe kombëtar.

    “Pa dalë një emër në publik, ne nuk mundemi me diskutu se a do e përkrahim apo jo. Për momentin AAK nuk ka votë për kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk do të ketë votë për kandidatët e LVV, vetëm në rast se është ndonjë figurë tepër konsensuale dhe me një background historik dhe kombëtar atëherë ulemi dhe bisedojmë, por në këto kushte dhe në këto rrethana AAK nuk ka votë për presidentin”, tha Kadrijaj në një prononcim për KlanKosova.tv.

    Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se nuk ka asnjë marrëveshje me partinë në pushtet lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës sot mban mbledhjen e grupit parlamentar, nga e cila pritet të dalë një qëndrim zyrtar për këtë temë.

    Kujtojmë se data e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës është 28 prilli sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

  • Trepça publikon pamjet, si e bojkotuan punëtorët punën, u skanuan dhe ecën në shtëpi

    Trepça publikon pamjet, si e bojkotuan punëtorët punën, u skanuan dhe ecën në shtëpi

    Komisioni Disiplinor i Trepça Sh.A. ka mbajtur shqyrtim publik lidhur me rastet e dy punonjësve me inicialet Xh.Q. dhe I.H., ndaj të cilëve janë konstatuar shkelje të rënda të detyrave të punës, në bazë të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve.

    Trepça Sh.A përmes një njoftimi në facebook ka bërë të ditur se sipas vendimit të Komisionit, pas analizimit të provave dhe raportimeve zyrtare, është konstatuar se punonjësit kanë kryer mungesa të pajustifikuara në përmasa të mëdha, përkatësisht I.H. me 194 ditë mungesë dhe Xh.Q. me 188 ditë mungesë nga vendi i punës.

    Gjithashtu, në raportet e sistemit elektronik të evidencës është evidentuar se në disa raste është regjistruar vetëm hyrja në punë pa dalje, apo mungesë e plotë e evidencës së prezencës, ndërkohë që pagesat janë realizuar sikur punonjësit të kenë qenë të pranishëm.

    Komisioni thekson se këto veprime përbëjnë shkelje të rënda disiplinore, duke përfshirë mungesa të pajustifikuara, paraqitje të pasaktë të evidencave të punës dhe manipulim të sistemit të evidencës së prezencës, në përputhje me nenin 10 të rregullores përkatëse.

    Si pasojë, është marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për të dy punonjësit, ndërsa ndërmarrjes i është shkaktuar dëm financiar në vlerë të konsiderueshme.

    Në kuadër të provave është shqyrtuar edhe një incizim video i datës 01.04.2026, i cili, sipas Komisionit, ilustron një rast të mosprezencës në vendin e punës.

  • Ndërpriten punimet në një vendpunishte në Fushë-Kosovë, Inspektorati konstaton shkelje të rënda

    Ndërpriten punimet në një vendpunishte në Fushë-Kosovë, Inspektorati konstaton shkelje të rënda

    Inspektorati Qendror i Punës ka konstatuar shkelje të rënda të kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë në një vendpunishte në Fushë Kosovë, duke urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve deri në përmbushjen e masave të kërkuara.

    Sipas inspektorëve, në këtë objekt janë evidentuar mungesa të theksuara të kushteve bazë të sigurisë për punëtorët, përfshirë problemet me skelat, hapësirat e pasigurta dhe mungesën e dokumentacionit përkatës.

    Inspektori që mbikëqyri punimet në këtë objekt, Gëzim Sahiti, tha se janë konstatuar një sërë parregullsish që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

    “Është konstatua se mungojnë masat e sigurisë dhe shëndetit në punë. Përfshirë skelet, të përfshira hapësirat që do të pastrohen, do të mbyllen hapësirat e liftit, si dhe kontrolla e skeleve. Pra do të bëhet një kontroll e skeleve në mënyrë që të jenë të sigurta për punë gjatë kësaj vendpunishti. Do të përforcohen shkallët,, jo me ashtu të armaturës siç janë vendosë. Po ashtu do të pastrohet secila hapësirë në mënyrë që punëtorët të ndihen të sigurt gjatë ecjes, siç e pamë pak ma herët. Ne tani do ta hartojmë një raport në bazë të kësaj gjendje, do ta lëmë raportin, do të konstatojmë në mënyrë që brenda afati të paraparë ju t’i merrni masat. Dhe deri në marrjen e masave nuk lejohet puna. Ndërsa sa i përket dokumentacionit, i keni këto tre ditë me na e sjellë dokumentacionin lidhur me.pjesën e marrëdhënies investitor me punëkryes, kontrollat mjekësore për punëtorët, si dhe gjithë dokumentacionin të cilin do t’jua shkruajmë: vlerësimin e rrezikut dhe të gjitha, trajnimin e punëtorëve”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

    Ai shtoi se gjatë inspektimit është vërejtur se punimet po zhvilloheshin pa asnjë standard të sigurisë.

    “Pra domethënë sot jemi duke bërë një inspektim në objekt. Nga kjo po e vazhdojmë një inspektim deri lart. E pamë që masat e sigurisë nuk janë ndërmarrë hiç. Pra ka shumë masa të cilat duhet të ndërmirren dhe puna që po zhvillohet këtu nuk është e sigurt për punëtorët. Ne tani do ta hartojmë një raport, dhe prej këtij momenti punimet janë të ndaluara. Unë desha me ditë a keni pas tash më herët ndonjë inspektim në këtë objekt?”, tha ai.

    Nga ana tjetër, inxhinieri i ndërtimit i kompanisë kërkoi nga inspektorët që të lejohet vazhdimi i një pjese të punimeve për të shmangur dëmet.

    “A ka mundësi që me vazhdu (vendosja e pllakës, pasi (nëse ndalohet sot puna) dëmet janë të pa riparueshme”, tha ai.

    Megjithatë, inspektori refuzoi këtë kërkesë, duke theksuar se siguria e punëtorëve është prioritet absolut.

    “Mbi të gjitha janë shëndeti i punëtorëve, jeta e punëtorëve”, iu përgjigj ai.

  • Izraeli shkatërron urën e fundit që lidh Libanin jugor me pjesën tjetër të vendit

    Izraeli shkatërron urën e fundit që lidh Libanin jugor me pjesën tjetër të vendit

    Një sulm izraelit ka shkatërruar urën e fundit që lidh Libanin jugor me pjesën tjetër të vendit, ka njoftuar një zyrtar i lartë i sigurisë libaneze për Reuters.

    Ai shtoi se ura ishte “e shkatërruar” dhe se goditja e kishte lënë atë të pandreqshme.

    Sky News raporton se ishte ura Al-Qasimia.

    Ndryshe, ushtria izraelite tha se shkatërroi 70 pozicione të Hezbollahut në zonën Bint Jbeil të Libanit jugor, pas një bastisjeje nga forcat komando.

    Trupat e njësisë komando Egoz bastisën lagjen e fortifikuar ngjitur me Bint Jbeil, të cilën IDF e përshkruan si një “kompleks luftimi” të Hezbollahut.

    Trupat gjetën armë të shumta, duke përfshirë RPG-të, pushkë, granata, raketa anti-ajrore dhe pajisje të tjera.

  • Alvaro Arbeloa i revoltuar me gjyqtarin Slavko Vincic për përjashtimin e Eduardo Camavingas

    Alvaro Arbeloa i revoltuar me gjyqtarin Slavko Vincic për përjashtimin e Eduardo Camavingas

    Trajneri i Real Madrid Alvaro Arbeloa është shprehur mjaft i zhgënjyer pas eliminimit nga Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.

    Arbeloa shprehu revoltën e tij ndaj gjyqtarit slloven Slavko Vincic,ku në një intervistë për Moviestar+tekniku i “Los Blancos”thotë se përjashtimi i Eduardo Camavingës me karton të kuq nuk duhej të ndodhte në këtë mënyrë.

    “Nuk mund ta përjashtosh një lojtar në atë mënyrë. Madje, kam përshtypjen se gjyqtari as nuk e kishte të qartë që Camavinga kishte tashmë një karton të verdhë. Me atë vendim, prishi një ndeshje të bukur” deklaroi Arbeloa.

    Përndryshe Arbeloa u shpreh krenar me paraqitjen e futbollistëve të tij ndaj bavarezëve,dhe se në Madrid po kthehen me kokën e lartë me synimin që në sezonin e ardhshëm të rikthehen më të fortë.

    Kujtojmë që Real Madrid u eliminua nga Bayern Munich në cerekfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat 6:4 nga të dy ndeshjet,teksa në La Liga janë 9 pikë më pak se Barcelona dhe se janë afër që për herë të dytë të mbesin pa trofe.

  • Pula hyn në Guinness si më e vjetra në botë

    Pula hyn në Guinness si më e vjetra në botë

    Pula shtëpiake e një banoreje të Maine u emërua zyrtarisht si më e vjetra e specieve të saj në botë në moshën 15 vjeç e 100 ditë.

    Frank Turek solli pulën Gertie, të racës Golden Sebright, në pronën e tij në Portland kur ajo ishte një zog, në vitin 2010.

    Turek njoftoi se Gertie filloi të verbohej disa vjet më parë dhe ai e zhvendosi atë në një kafaz privat në vitin 2024 për ta mbrojtur nga përballjet me pula më të reja.

    “Ajo duket shumë e kënaqur me jetën e saj të re vetëm në shtëpi”, tha Turek.

    Gertie fitoi Rekordin Botëror Guinness për pulën më të vjetër kur mosha e saj u verifikua në 15 vjeç e 100 ditë.

  • I arrestuari sot po kërkohej për vrasjen e para 4 vitesh në Lipjan – shëtiste me dokumente të falsifikuara

    I arrestuari sot po kërkohej për vrasjen e para 4 vitesh në Lipjan – shëtiste me dokumente të falsifikuara

    Sot, Prokuroria bëri të ditur se ka arrestuar M.G , i cili ishte në kërkim për vrasje të rëndë, dhe se i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    I dyshuari është Muhamet Gashi, i cili është arrestuar për vrasjen që ka ndodhur në vitin 2022 në qytetin e Lipjanit.

    Në njoftim e Prokurorisë, është bërë e ditur edhe se tek i arrestuari janë sekuestruar dy armë, narkotikë, si dhe dokumente të falsifikuara, cilat i pandehuri i ka përdorur gjatë kohës së arratisë, me qëllim të shmangies nga legjitimimi.

    Po ashtu, pos tij, në këtë aksion është arrestuar edhe një person tjetër në drejtim të veprës penale Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale nga neni 380 i KPRK-së.

  • Del para gjykatës i dyshuari për krime lufte në Skenderaj, Dejan Peleviq

    Del para gjykatës i dyshuari për krime lufte në Skenderaj, Dejan Peleviq

    Të enjten ka dalë para Gjykatës, Dejan Peleviq, i dyshuar për krime lufte në komunën e Skenderajt.

    Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit prej 1 muaji, ndaj të dyshuarit Peleviq.

    I dyshuari Peleviq në hetimet e zhvilluara dyshohet se në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i sistemuar në Stacionin Policor të Skenderajt, i uniformuar dhe i armatosur, në mars të vitit 1999 në Skenderaj në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, të organizuar si grup, kanë marr pjesë në operacion policor-ushtarak, ku kanë bërë dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre, kanë rrahur, torturuar, plagosur dhe privuar nga jeta 15 civilë shqiptarë, si dhe zhdukur 16 civilë të tjerë në dy lokacione në Skënderaj.

    Ai u arrestua të martën në Soqanicë të Leposaviqit.

  • Si flisnin shqiptarët në antikitet? Zvicra ndan 1 milion euro për të zbuluar rrënjët e gjuhës shqipe

    Si flisnin shqiptarët në antikitet? Zvicra ndan 1 milion euro për të zbuluar rrënjët e gjuhës shqipe

    Universiteti i Baselit e ka zgjedhur një fotografi të portës juglindore të qytetit ilir Amantia për të njoftuar mbi një projekt kërkimor mbi gjuhën shqipe.

    Siç bëhet me dije, projekti është financuar nga Fondi Kombëtar i Zvicrës për Shkencën (SNSF) dhe bart titullin “Gjuha Shqipe në Antikitet”.

    Projekti ka nisur në tetor të vitit 2022 dhe pritet të përmbyllet në shtator të këtij viti.

    Qëllimi i projektit është të përcaktojë se si kanë folur paraardhësit e shqiptarëve në antikitet. Ose, siç nënvizohet në përshkrim, projekti synon të përcaktojë se si dukej pararendësja e gjuhës shqipe në antikitet dhe ku mund të jetë folur kjo pararendëse.

    “Ky projekt është frymëzuar nga puna e vazhdueshme e kolegëve të ndryshëm mbi përshkrimin gramatikor të teksteve të shqipes së vjetër dhe puna aktuale mbi etimologjinë e shqipes”, shkruan gazetari Enver Robelli.

    Për këtë qëllim Fondi Kombëtar i Zvicrës për Shkencën ka ndarë për një periudhë 4-vjeçare një shumë prej 916’708 franga (1 milion euro).

    Më tutje në njoftim nënvizohet: “Gjuha shqipe përbën një degë të veçantë të familjes së gjuhëve indo-evropiane. Përveç greqishtes dhe gjuhëve romane, shqipja është pasardhësja e vetme e mbijetuar e gjuhëve të folura në Ballkan në antikitet. Meqenëse teksti më i hershëm koherent në shqip daton nga viti 1555, qasja jonë kryesore në historinë e gjuhës bëhet nëpërmjet rindërtimit gjuhësor dhe studimit të huazimeve të hershme. Këto huazime kanë hyrë në gjuhë si rezultat i kontaktit midis folësve të shqipes dhe greqishtes, latinishtes dhe rumanishtes (tri gjuhët në të cilat ne përqendrohemi në këtë projekt), si dhe me gjuhët sllave të jugut, turqishten dhe italishten”.

    Sa i përket metodave, shkencëtarët e përfshirë në këtë projekt tregojnë se “metodat shkencore të përdorura do të jenë rindërtimi gjuhësor krahasues dhe gjuhësia e kontaktit”. Rindërtimi gjuhësor krahasues përbëhet nga dy hapa. I pari është rindërtimi i brendshëm gjuhësor, i cili rezulton nga krahasimi i dialekteve të gegnishtes dhe toskërishtes së vjetër, duke dhënë një përafrim të parë të proto-shqipes. Hapi i dytë: krahasimi i pastajmë i shqipes së vjetër dhe proto-shqipes me gjuhët e tjera indo-evropiane (dhe protogjuhët e tyre përkatëse), gjë që, sipas shkencëtarëve, mundëson të korrigjohet dhe përmirësohet rezultati i hapit të parë.

    Lidhur me kontaktin gjuhësor, projekti fokusohet në korrespondencat leksikore dhe gramatikore midis shqipes dhe latinishtes, shqipes dhe rumanishtes, si dhe shqipes dhe fazave të ndryshme të greqishtes.

    Ky kërkim është i ndarë në tre nën-projekte plotësuese që realizohen nga kërkuesi post-doktorant dr. Sergio Neri dhe nga dy doktorantët Gerard Spaans dhe Alexander Herren.

    “Rezultati i projektit do të jetë një monografi akademike (ose një seri artikujsh të gjatë) mbi rindërtimin e proto-shqipes, dy teza doktorature, disa artikuj bashkëpunues ndërkombëtarë të rishikuar nga kolegët dhe akte të konferencave. Përveç kësaj, ne do të krijojmë një bazë të dhënash etimologjike të korrespondencave leksikore latine/shqipe, shqipe/rumune dhe shqipe/greke, e cila do të plotësojë bazën e të dhënave etimologjike të shqipes së vjetër në München”, njoftojnë shkëncëtarët e përfshirë në këtë projekt.

  • Afati po ecën, Kurti me përgjigje të njëjtë për presidentin: Kur të kemi rezultat ju njoftojmë

    Afati po ecën, Kurti me përgjigje të njëjtë për presidentin: Kur të kemi rezultat ju njoftojmë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sërish nuk ka komentuar shumë rreth çështjes së presidentit.

    Kurti tha tha sot se, me kryetarin e LDK- së, Lumir Abdixhiku janë në komunikim dhe kur të kenë rezultate do t’i bëjnë publike.

    “Më shumë se gjysmë ore jam vonë për takim, jemi në komunikim kur të kemi rezultate do tua komunikojmë” , tha ai.

    Këto komente Kurti i bëri shkurt për media pas pjesëmarrjes në Tryezën e Dialogut Ndërfetar “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?” E cila po mbahet në Prishtinë.

    Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, edhe 12 ditë kanë mbetur afat për zgjedhjen e presidentit të ri nga Kuvendi i Kosovës.