ATV

Blog

  • Jeleku i një të mbijetuare të Titanikut del në ankand

    Jeleku i një të mbijetuare të Titanikut del në ankand

    Një jelek shpëtimi i veshur nga një i mbijetuar i Titanikut do të dalë në shitje këtë fundjavë, në një ankand të rrallë të përshkruar si një mundësi që “ndodh vetëm një herë në një brez”.

    Jeleku i cili pritet të shitet midis 287,743 dhe 402,331 euro, është i vetmi që doli në ankand nga një i mbijetuar i tragjedisë së vitit 1912,

    Ai ishte veshur nga Laura Mabel Francatelli, një pasagjere e klasit të parë në anijen historike, e cila u fundos 114 vjet më parë këtë javë.

    Kur RMS Titanic u nis për në det më 10 prill 1912, ajo ishte anija më e madhe e pasagjerëve në shërbim dhe konsiderohej si “e pafundosshme”.

    Vetëm katër ditë më vonë, udhëtimi i parë i Titanikut u shndërrua në një tragjedi ndërkombëtare kur anija goditi një ajsberg në Atlantikun e Veriut.

  • Netflix ndryshon lojën, përmbajtje në stilin e TikTok së shpejti

    Netflix ndryshon lojën, përmbajtje në stilin e TikTok së shpejti

    Netflix ka qenë shërbimi dominues i transmetimit për një kohë të gjatë, por suksesi i tij është bazuar kryesisht në përvojat në ekranet televizive.

    Kompania ka folur për zhvendosjen e të paktën një pjese të vëmendjes së saj te telefonat dhe duket se koha për të parë se çfarë do të thotë kjo është shumë afër.

    Raportohet se Netflix do të lansojë një version të ri të aplikacionit të tij në javët në vijim.

    Kompania njoftoi se përditësimi do të përfshijë një transmetim vertikal videosh, duke thënë se kjo do të pasqyrojë më mirë ofertën e saj.

    Në letrën drejtuar aksionarëve për fitimet e tremujorit të parë të vitit 2026 , kompania thotë se përditësimi do të lansohet në fund të prillit.

    Ndryshe, Netflix ka testuar një transmetim vertikal në stilin e TikTok në telefon që nga viti i kaluar.

    Një tjetër fakt interesant është se rreth gjysma e profileve të fëmijëve shikojnë përmbajtje të Netflix në pajisje mobile dhe tableta.

  • “Hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit bam” – Prokurorja tregon çfarë ka thënë djali i madh i Liridona Ademajt në prani të psikologut

    “Hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit bam” – Prokurorja tregon çfarë ka thënë djali i madh i Liridona Ademajt në prani të psikologut

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur sot seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku pritet të jepen fjalët përfundimtare.

    Në sallën e gjyqit, nën masa të rrepta sigurie dhe me pranga në duar, janë futur të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

    Në seancë po merr pjesë edhe prokurorja Javorka Perlinçeviq, e cila e ka cilësuar vrasjen e Liridona Ademajt si “krim makabër”.

    Gjatë fjalës së saj, ajo ka sjellë edhe deklarime që lidhen me fëmijët e viktimës, të dhëna gjatë një vizite të njërit prej djemve në Suedi, në prani të psikologes.

    Sipas prokurores, djali i madh ka deklaruar, “Hajni i futi dorën dhe i bëri mamasë bam”.

    Po ashtu, është theksuar se fëmijët refuzojnë thirrjet telefonike të mundësuara nga Qendra për Punë Sociale në Suedi për kontakt me Naim Murselin.

    Prokurorja ka shtuar se Leonardi ka treguar se fëmijët dëshmojnë se si Naim Murseli e ka mbajtur Liridonën në njërin krah në momentin e ngjarjes. /KlanKosova

  • Reagojnë organizatat monitoruese: Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK’së është i komprometuar

    Reagojnë organizatat monitoruese: Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK’së është i komprometuar

    Organizatat e jo-qeveritare, Lëvizja FOL, IKD, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe juristja Flutura Kusari kanë nxjerrë një komunikatë të përbashkët pas monitorimit që i kanë bërë procesit të intervistimit të kandidatëve për Bord të RTK’së dhe kanë konstatuar se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është i komprometuar.

    Në komunikatë thuhet se procesi nuk i plotëson as standardet minimale të vlerësimit.

    “Pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës vlerësojmë se ky proces është haptazi i komprometuar, i cili proces nuk plotëson standardet minimale përmes të cilit duhet të rekomandohen emrat e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Mungesa e standardeve themelore të transparencës, barazisë dhe rregullsisë procedurale janë arsyet krysore të kompromentimit të këtij procesi. Prandaj, rekomandojmë që kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc të mos procedohen për votim në seancë plenare”, thuhet në reagim.

    “Ne vlerësojmë se procesi ka dështuar për arsyet në vijim: insistimi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ky proces të përmbyllej brenda një afati të shkurtër dhe koha e pamjaftueshme në dispozicion, organizimi i çrregullt si pasojë e presionit kohor, cenimi i trajtimit të barabartë të kandidatëve, metodologjia e paqartë dhe transparente sidomos me vendimin që poentimi i kandidatëve të mos bëhet pas secilës intervistë, si dhe shmangia nga standardet e vendosura në vitin 2021 gjatë procesit të rekrutimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së”, vazhdon reagimi.

  • Këngëtari D4vd arrestohet me dyshimin për vrasjen e një vajze adoleshente

    Këngëtari D4vd arrestohet me dyshimin për vrasjen e një vajze adoleshente

    Këngëtari amerikan D4vd është arrestuar me dyshimin për vrasjen e një vajze adoleshente e cila u zhduk vitin e kaluar, thotë policia.

    Ylli i TikTok, emri i ligjshëm i të cilit është David Anthony Burke, ishte shënjestra e një hetimi të jurisë së madhe për vrasjen e menjëhershme të Celeste Rivas Hernandez, mbetjet e së cilës u gjetën në Teslën e tij në shtator, shkruan BBC.

    Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit tha të enjten se 21-vjeçari po mbahej në paraburgim pa lirim me kusht dhe çështja do t’i paraqitet zyrës së Prokurorit të Qarkut të hënën.

    Këngëtari ka qenë praktikisht i heshtur për rastin, por përfaqësuesit e tij më parë thanë se ai po bashkëpunonte me autoritetet. BBC ka kontaktuar përfaqësuesit e tij në lidhje me arrestimin.

  • Çfarë dihet për kartelin ballkanik të drogës, anëtarë të të cilit u arrestuan në Mal të Zi?

    Çfarë dihet për kartelin ballkanik të drogës, anëtarë të të cilit u arrestuan në Mal të Zi?

    Dymbëdhjetë arrestime, operacione në disa shtete, veprimtari në pesë kontinente dhe sekuestrim i 4.2 tonëve drogë. Ky është epilogu i një aksioni ndërkombëtar policor, të zhvilluar në Mal të Zi dhe në Gjermani.

    Ndër të arrestuarit në Mal të Zi është edhe S.F., për të cilin policia e këtij vendi bëri të ditur se është një nga drejtuesit e kartelit ballkanik.

    Mediat malazeze e identifikuan si Svetisllav Fillipoviq dhe ai dyshohet për prodhim, posedim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve.

    Ai përballet me një dënim deri në 15 vjet burg dhe, përveç kësaj, akuzohet edhe për tregti të paligjshme të armëve dhe materialeve shpërthyese.

    Për të nuk ka shumë informacione, ndërsa gjatë publikimit të të dhënave për aksionin, policia evropiane, Europol, tha se në Mal të Zi është arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë.

    Ai vjen nga Podgorica dhe është 47 vjeç, ndërsa që nga viti 2002 figuron si drejtor i kompanisë “Spectacular”, sipas regjistrit publik të të dhënave të biznesit “Company wall”.

    Kjo kompani, deri më tani, ka pranuar 139 dërgesa nga 16 vende, përfshirë Ekuadorin, Ukrainën dhe Kolumbinë, tregojnë të dhënat e platformës Volza, e cila mbledh informacione për tregtinë globale.

    Sipas saj, kompania ka importuar banane, shalqinj, fruta të thata dhe arra, ndërsa ndër furnizuesit e saj figuron edhe një kompani nga Hong Kongu.

    Në vitin 2023, “Spectacular” gjeneroi të ardhura totale prej 664.206 eurosh.

    Fillipoviq është gjithashtu një nga bashkëpronarët e kompanisë “Europayment”.

    Llogaritë e të dyja kompanive janë bllokuar.

    Përveç arrestimeve në Mal të Zi, katër persona u arrestuan edhe në Gjermani, por ende nuk ka shumë informacione rreth tyre.

    Sipas policisë ndërkombëtare, Interpol, në Gjermani veprojnë disa grupe globale të krimit të organizuar, të cilat merren me një gamë të gjerë krimesh, si: trafikim i drogës, krime kundër pronës dhe kontrabandë e qenieve njerëzore.

    “Të rrënjosur fort” në rrugët e trafikimit të kokainës

    Të arrestuarit më 15 prill akuzohen për dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika e Jugut në vendet e Bashkimit Evropian, tha drejtori i Drejtorisë së Policisë në Mal të Zi, Llazar Shqepanoviq.

    Sipas tij, ky grup kriminal siguroi dhe ndërmjetësoi shitjen e kokainës dhe kanabisit, si në Mal të Zi ashtu edhe në vende të tjera, si: Gjermania, Holanda, Belgjika, Bolivia dhe Tajlanda.

    Ky operacion konfirmon se, pavarësisht goditjeve të shkaktuara nga operacionet e mëparshme, grupet ballkanike nuk janë zhdukur, por vazhdojnë aktivitetet e tyre, duke i përshtatur dhe rindërtuar zinxhirët e tyre logjistikë, thotë Sasha Gjorgjeviq nga Iniciativa Globale për Luftën kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

    “Grupet kriminale ballkanike mbeten të rrënjosura fort në rrugët tradicionale të trafikimit të kokainës, veçanërisht në linjën Amerikë Latine-Evropë, me Gjermaninë që është ende një nga tregjet kryesore”, thotë Gjorgjeviq.

    Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor janë identifikuar nga organizatat ndërkombëtare, si Europol dhe Interpol, si aktorë kryesorë në kontrabandën e kokainës nga vendet e Amerikës Latine – si Brazili, Kolumbia dhe Ekuadori – drejt tregjeve kryesisht të Evropës Perëndimore.

    Por, përveç kokainës, u kontrabandua edhe kanabis – rreth 1.5 ton u gjet nga 12 sekuestrime të ndryshme.

    Kanabisi, siç tha Europol-i, u kontrabandua në Bashkimin Evropian nga dhe përmes Shqipërisë, Tajlandës dhe Shteteve të Bashkuara.

    Prania e kanabisit, shpjegon Gjorgjeviq, tregon se grupet kriminale të Ballkanit nuk specializohen vetëm në kokainë.

    “Ato tashmë po veprojnë në mënyrë oportuniste dhe po hyjnë në tregje të tjera, ku ofrojnë një kanal të sigurt dhe fitime të mira”, shton ai.

    Rreth 100 oficerë policie morën pjesë në operacionin e fundit dhe, përveç institucioneve gjermane dhe malazeze, mbështetje dhanë edhe Austria, Spanja dhe Europol-i.

    Transporti me avion

    Pas arrestimeve në Mal të Zi dhe në Gjermani, Zyra e Prokurorit të Lartë të Shtetit në Podgoricë ngriti aktakuzë kundër dhjetë personave.

    Padia penale i ngarkon të dyshuarit me shitje, transportim dhe ndërmjetësim të përsëritur në shitjen e drogave narkotike – kokainë dhe kanabis – ndërsa një grup prej katër të dyshuarve akuzohet edhe për veprën penale të organizimit kriminal.

    “Një i dyshuar urdhëroi dhe organizoi transportin detar ose ajror të ngarkesave me sasi të mëdha drogash narkotike – kokainë, kanabis dhe hashash – në Podgoricë, Gjermani, Bolivi, Tajlandë, Belgjikë dhe Republikën Dominikane”, deklaroi Zyra e Prokurorit.

    Europol-i tha gjithashtu se grupi ka përdorur edhe trafikun ajror, përveç rrugëve detare.

    Gjorgjeviq thotë se kjo tregon se këto rrjete po i përshtatin vazhdimisht metodat e tyre dhe po kërkojnë kanale të reja për kontrabandë.

    “Përdorimi i trafikut ajror, duke përfshirë korrierët dhe aviacionin e përgjithshëm, shkakton shqetësim prej kohësh, por shkalla e tij ende nuk është e qartë plotësisht”, thotë Gjorgjeviq.

    Përveç metodave të reja të transportit, grupet po i ndryshojnë edhe rrugët.

    Kështu, një hulumtim i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, vitin e kaluar, tregoi se grupet e krimit të organizuar, anëtarët e të cilëve kanë origjinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përdorin një rrugë të re për të kontrabanduar kokainë nga Amerika Latine në Evropë, përmes vendeve të Afrikës Perëndimore.

    Mali i Zi është strehë e dy klaneve kriminale, Kavaç dhe Shkalar, të cilat janë në konflikt që nga viti 2014, kur disa qindra kilogramë kokainë u zhdukën në Valencia.

    Më shumë se 70 persona janë vrarë në konfliktet e tyre deri më tani.

    Vitin e kaluar, ky vend u rendit i dhjeti në Evropë në Indeksin Global të Krimit të Organizuar.

    Përveç tij, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë gjithashtu në dhjetë vendet e para.

    Indeksi Global i Krimit të Organizuar vlerëson nivelin e krimit dhe rezistencën ndaj krimit të organizuar në 193 vende të botës./REL/

  • Sekuestrohet mall i kontrabanduar, arrestohet një person për ‘kalim të paautorizuar të kufirit’

    Sekuestrohet mall i kontrabanduar, arrestohet një person për ‘kalim të paautorizuar të kufirit’

    Policia e Kosovës ka sekuestruar mall të kontrabanduar si dhe ka arrestuar një person për ‘kalim të paautorizuar të kufirit’

    Policia e Kosovës, ekipet patrulluese të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë-NjNSh Veri, Departamenti për Kufi, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme policore, në ruajtjen e kufirit shtetëror dhe parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, me datën 16.04.2026 rreth orës 20:05, në rrugën ilegale ndërmjet fshatrave Beluqe-Rvatska -Leposaviq kanë parandaluar një rast të kontrabandës me mallra nga territori i Serbisë, duke ndaluar automjetin me vozitës P. S. (2002), të ngarkuar me mallra të ndryshme:

    – 38 pako me gjithsej 760 shishe me pije alkoolike/birra,

    – 2 pako pije,

    – 2 pako korneta.

    Sipas njoftimin, me autorizim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti ‘kalim i paautorizuar i vijës kufitare’, kurse automjeti dhe malli i kontrabanduar janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë, për procedura të mëtejshme doganore nga Dogana e Kosovës.

    Personi i dyshuar lirohet pas intervistimit dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

  • Fjala përfundimtare: Dalin para gjykatës tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt

    Fjala përfundimtare: Dalin para gjykatës tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt

    Ka filluar senaca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, raporton Ekonomia Online.

    Sot në këtë seancë pritet që të dëgjohen fjalët përfundimtare për këtë rast.

    Pkuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj tyre dhe ndaj Tom Dodajt.

    Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

    I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

    Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

    Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

    Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.

    Aktakuza thotë se fillimisht, Kokalla ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin dhe që të tre janë dakorduar që Graniti të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’ia paguajë kompensimin në shumën prej 30 mijë euro.

    Ndërsa, Naimi më 29 nëntor 2023, thuhet se ka siguruar armën e zjarrit dhe 20 fishekë, të cilat i ka blerë rreth orës 14:00 po të njëjtën ditë nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro, e të cilën armë ia ka dhënë të pandehurit të dytë- Granit Plavës.

    Granit Plava, thuhet se armën në fjalë e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona. Vrasje kjo e kryer në të njëjtën ditë në orët e mbrëmjes, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18 në vendin për të cilin është dakorduar me Naimin, duke e inskenuar që të duket si grabitje, ndërsa Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, për çka Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Plava thotë se për vrasjen kishte marrëveshje me Murselin: Më tha që edhe Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni për këtë rast.

    Me këtë, Naim Murseli akuzohet se në bashkëkryerje me të akuzuarit Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1., pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në 20:18 në fshatin Bërnicë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, i pandehuri i parë Naim Murseli me veturë në të cilën ka qenë tani e ndjera Liridona dhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, pas marrëveshjes paraprake, i ka dhënë shenjë me drita të veturës të pandehurit Plava, për çka ai befas ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i pandehuri Murseli, ka ndaluar dhe ka fikur motorin e veturës dhe me dorën e tij e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Naim Murseli thotë që s’e di si iu shkaktuan Liridonës lëndimet në dorën e majtë

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Granit Plava për kompensim në shumën prej 30 mijë euro, nga afërsia e drejtpërdrejtë përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë një fishek nga pistoleta në drejtim të Liridonës dhe e qëllon në kokë, në pjesën prapa veshit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, ku për pasojë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e saj, sipas raportit të autopsisë erdhi si rezultat i gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme.

    Me këtë, Granit Plava akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.6 lidhur me nenin 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Në pikën e tretë të aktakuzës, Granit Plava ngarkohet se nga 29 nëntori 2023 rreth orës 14:00 deri më 1 dhjetor 2023 rreth orës 16:15, ku është kryer bastisja në shtëpinë e tij në Cërmjan, Komuna e Gjakovës, ku është gjetur arma, pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për armë, ka poseduar pistoletën së bashku me 19 fishekë, me të cilën ka kryer veprën, e të cilën armë Naimi e ka blerë më 29 nëntor 2023 rreth orës 14:00 nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro.

    Me këtë, Plava akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Kushtrim Kokalla njoftoi Granit Plavën me Naim Murselin dhe u dakorduan që Graniti ta kryejë vrasjen për 30 mijë euro.

    Në aktakuzë thuhet se pasi që i pandehuri i parë Naim Murseli ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e bashkëshortes së tij- Liridona Murselit dhe i njëjti ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë Granit Plava me të cilin e ka njoftuar Naimin dhe të tretë janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim shumën prej 30 mijë euro.

    Sipas aktakuzës, Naimi më 29 nëntor 2023 ka siguruar armën dhe 20 fishekë të cilat i ka blerë të njëjtën ditë rreth orës 14:00 nga Tom Dodaj për 280 euro, ia ka dhënë Plavës i cili armën e përmendur e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona.

    Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Granit Plavën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.13 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Kokalla s’e lajmëroi vrasjen, edhe pse Naimi e kishte pranuar në dhomën e hotelit.

    Kokalla po ashtu akuzohet se edhe pse menjëherë pas kryerjes së vrasjes së tani të ndjerës Liridona ka pasur njohuri që veprën penale e kanë kryer i pandehuri Naim Murseli (i cili këtë e ka pranuar derisa kanë qenë në dhomën e hotelit të njëjtën natë pas vrasjes së kryer) dhe i pandehuri i dytë Granit Plava, i pandehuri Kokalla nuk i ka lajmëruar kryerësit e as veprën penale vrasje për planifikimin e kryerjes së të cilës ka marrë pjesë në mënyrë aktive së bashku me Murselin e Plavën, e të cilin rast organet kompetente fillimisht e kanë hetuar si grabitje deri dy ditë më vonë kur është arrestuar (më 1 dhjetor 2023).

    Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.1 lidhur me nenin 34 të Kodit Penal.

    Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se qeveria është duke përgatitur një paketë të re financiare për të përballuar rritjen e inflacionit dhe për të zbutur ndikimin e krizës ekonomike tek qytetarët.

  • BE’ja me një aplikacion të ri për verifikimin e moshës

    BE’ja me një aplikacion të ri për verifikimin e moshës

    Një aplikacion i ri për verifikimin moshës në internet, i krijuar nga BE-ja, është teknikisht gati dhe synon të mbrojë fëmijët në internet.

    Bashkimi Evropian njoftoi se një aplikacion i ri për verifikimin e moshës është teknikisht gati. Aplikacioni është projektuar për të përmbushur rregullat e rrepta digjitale të BE-së.

    Mjeti mund të ndihmojë së shpejti përdoruesit të dëshmojnë moshën e tyre online pa ndarë të dhëna personale, njoftoi Presidentja e Komisionit Evropian,Ursula von der Leyen.

    Si funksionon?

    Pasi të hidhet në treg përdoruesit do të mund ta shkarkojnë aplikacionin dhe ta konfigurojnë atë duke përdorur një dokument identifikimi, p.sh. pasaportë ose kartë identiteti.

    Më pas ata mund ta përdorin këtë aplikacion për të konfirmuar se janë mbi një moshë të caktuar kur duan të hyjnë në faqe me përmbajtje të kufizuara, pa zbuluar identitetin e tyre.

    Sipas Komisionit sistemi është i ngjashëm me certifikatat digjitale të përdorura gjatë pandemisë COVID-19, të cilat u lejonin njerëzve të provonin statusin e tyre të vaksinimit.

    Aplikacioni pritet të mbështesë zbatimin e Ligjit për Shërbimet Digjitale, i cili synon të rregullojë më mirë platformat online. Kjo përfshin kufizimin e aksesit në përmbajtje si pornografia, lojërat e fatit dhe shërbimet që lidhen me alkoolin.

    Zyrtarët thonë se aplikacioni do të jetë “plotësisht anonim” dhe i ndërtuar mbi teknologji open-source, që do të thotë se mund të adoptohet edhe jashtë Bashkimit Evropian.

    Siguria e fëmijëve në rrjetet sociale në fokus

    Presioni për të ndërmarrë masa në nivel evropian u rritur që kur Australia vendosi ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit nën moshën 16 vjeç.

    Disa vende të BE-së po shqyrtojnë tani vendosjen e kufijve minimalë të moshës për përdorimin e rrjeteve sociale. Megjithatë deri tani nuk ka pasur një mjet të besueshëm verifikimi që përmbush standardet e rrepta të BE-së për mbrojtjen e të dhënave.

    “Kur bëhet fjalë për sigurinë e fëmijëve në internet, situata është jashtëzakonisht shqetësuese,” tha Ursula von der Leyen. Ajo përmendi scrolling pa pushim, përmbajtje shumë të personalizuara dhe videot e shkurtra, të cilat sipas saj mund të krijojnë varësi dhe të jenë të dëmshme për përdoruesit e rinj.

    Edhe pse ende nuk ka një ligj detyrues në të gjithë BE-në, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje për një moshë minimale prej 16 vjeç për akses në rrjetet sociale.

    Për momentin zbatimi i këtyre rregullave do të mbetet kryesisht në dorë të shteteve anëtare, por aplikacioni i ri synon të ndihmojë platformat të përputhen me rregullat e ardhshme kombëtare dhe të BE-së./DW/

  • Rasti tragjik në Malishevë, trupat e pajetë dërgohen në IML

    Rasti tragjik në Malishevë, trupat e pajetë dërgohen në IML

    Një rast i rëndë ka ndodhur të enjten në Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën pasi zjarri ka përfshirë banesën ku jetonin.

    Rasti ka ndodhur në lagjen “Mirdita” në Malishevë, të enjten në ora 12:55.

    Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Është raportuar se është përfshirë nga zjarri një banesë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi zjarrfikës ka lokalizuar zjarrin. Pas kontrollit brenda në banese janë gjetur tre persona, dy meshkuj dhe një femër (dy të mitur) të cilët janë dërguar në Qendrën Emergjente ku është konstatuar vdekja e tyre. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.