ATV

Blog

  • Defekt në gypin kryesor në Shkabaj, reduktime të ujit në disa zona të Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Obiliqit

    Defekt në gypin kryesor në Shkabaj, reduktime të ujit në disa zona të Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Obiliqit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për reduktime të përkohshme në furnizimin me ujë të pijshëm, si pasojë e një defekti në gypin kryesor me diametër Ø1200 mm në zonën e Shkabajt.

    Sipas njoftimit, ndërprerjet do të zgjasin nga ora 11:00 deri në orën 17:00 dhe do të prekin komunën e Fushë Kosovës, Obiliqin, si dhe një pjesë të Prishtinës që furnizohet nga kjo linjë, përfshirë lagjen Kalabria.

    Po ashtu, bëhet e ditur se ndikime në furnizim mund të ketë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.

    Nga KRU “Prishtina” thuhet se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal me ujë.

    Kompania ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për shqetësimet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe.

  • Kërkohet ndihmë për trajtimin e Liridon Rexhës në Turqi, i nevojiten 200 mijë euro për shërim

    Kërkohet ndihmë për trajtimin e Liridon Rexhës në Turqi, i nevojiten 200 mijë euro për shërim

    Familja e Liridon Rexhës ka bërë një apel publik për ndihmë financiare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të tij dhe nevojës për trajtim urgjent jashtë vendit.

    Sipas njoftimit, pas një periudhe 3-mujore trajtimi në Shqipëri me kimioterapi dhe imunoterapi, analizat e fundit kanë treguar se terapia nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

    Për këtë arsye, mjekët kanë rekomanduar vazhdimin e trajtimit në Turqi me terapi të avancuar onkologjike.

    Familja thekson se Liridon Rexha tashmë ka nisur procedurat e para të trajtimit në Turqi, por kostot kanë tejkaluar pritshmëritë fillestare.

    Sipas tyre, terapia e rekomanduar, e cila përfshin metoda bashkëkohore si “Padcev + Keytruda”, ka një kosto të lartë dhe pritet të arrijë rreth 200,000 euro.

    Ndërkohë, ndihmat e premtuara institucionale mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të shpenzimeve, duke mos përfshirë të gjitha ekzaminimet dhe terapitë shtesë.

    Familja e pacientit ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar deri më tani dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë dhe të shpërndajnë apelin, duke theksuar se çdo mbështetje është e rëndësishme në këtë betejë të vështirë.

  • Akil Gjakova mposhtet në çerekfinale, medaljen e bronztë e kërkon në repesazh

    Akil Gjakova mposhtet në çerekfinale, medaljen e bronztë e kërkon në repesazh

    Akil Gjakova ka humbur në çerekfinale të Kampionatit Evropian, i cili po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku garojnë 400 xhudistë nga 46 vende të ndryshme, por mbetet ende në garë për medaljen e bronztë.

    Akil Gjakova i ka nisur për mrekulli garat në Kampionatin Evropian, duke marrë dy fitore dhe duke siguruar kalimin në çerekfinale.

    Xhudisti pejan i nisi garat pa lojë në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë mposhti Samuel Gassner të Austrisë dhe pastaj në raundin pasues Benjamin Levy të Britanisë së Madhe.

    Me këto dy fitore, Akili kalon kaloi në çerekfinale të kategorisë deri në 73 kilogramë, ku u takua me Lasha Shavdatuashvili nga Gjeorgjia, por ishte i pafat duke humbur me ippon.

    Megjithatë, xhudisti jonë mbetet në garë për të fituar medaljen e bronztë me anë të repesazhit, ku fillimisht do të ndeshet me Adil Osmanov nga Moldavia.

    Vlen të theksohet se gjatë ditës së djeshme (e enjte), Distria Krasniqi arriti ta fitojë medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë.

  • “Mos të ndodh me u çu pa ta japë fjalën”, tensione në Kuvend mes Haxhiut dhe Ferat Shalës, afrohen tek kryetarja Tahiri e Nagavci

    “Mos të ndodh me u çu pa ta japë fjalën”, tensione në Kuvend mes Haxhiut dhe Ferat Shalës, afrohen tek kryetarja Tahiri e Nagavci

    Diskutimi për çështjen e energjisë ka nxitur përplasje në mes të kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe deputetit të PDK-së, Ferat Shala.

    Shala ka dashur që ta marrë fjalën pas një diskutimi që ka mbajtur ministrja, Artane Rizvanolli, megjithatë Haxhiu ka insistuar se ai s’mund të flasë pa ia dhënë fjalën kryetarja e Kuvendit.

    “Mos të ndodh me u çu pa ta jep fjalën se s’e merr”, thotë Haxhiu.

    Megjithatë Ferat Shala pozicionohet tek foltorja e Kuvendit dhe pastaj afrohet tek kryetarja e Kuvendit për të diskutuar.

    Tek kryetarja e Kuvendit janë afruar më pas edhe shefat e GP të LVV-së dhe PDK’së.

  • Fazliu, Gjakova dhe Cena synojnë medalje evropiane në Kampionatin Evropian të Xhudos

    Fazliu, Gjakova dhe Cena synojnë medalje evropiane në Kampionatin Evropian të Xhudos

    Pas suksesit të Distria Krasniqit, e cila u kurorëzua me medalje të artë në Kampionatin Evropian të Xhudos, Kosova synon edhe më shumë suksese në këtë garë prestigjioze.

    Sot në tatami do të ngjiten xhudistët Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena, me synimin për të siguruar medalje evropiane për vendin.

    Laura Fazliu garon në kategorinë -63 kg te femrat, ndërsa Akil Gjakova dhe Dardan Cena do të garojnë në kategorinë -73 kg te meshkujt.

    Sportistët kosovarë pritet të kërkojnë vazhdimin e suksesit të xhudos kosovare në arenën evropiane.

  • Prokurorja kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë

    Prokurorja kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë

    Prokurorja Javorka Perlinqeviq ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Sipas Perlinqeviq, është vërtetuar se Naim Murseli ka vepruar për përfitim financiar apo moral, duke e simuluar një grabitje në të cilën viktima është trajtuar si “dëm kolateral”, ndërsa sipas pretendimeve të aktakuzës, ai ka marrë pjesë në organizimin dhe planifikimin e vrasjes.

    Në seancë është theksuar se vrasja është kryer nga i akuzuari Granit Plava, i cili ka shtënë me armë që dyshohet se është siguruar përmes Naim Murselit, ndërsa një tjetër i akuzuar ka ndërmjetësuar në sigurimin e armës dhe kontaktin mes personave të përfshirë.

    Ajo thekson se të akuzuarit ngarkohen edhe për moslajmërim të veprës penale dhe kryerësve të saj, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Në kërkesën përfundimtare, Perlinqeviq i ka propozuar gjykatës shpalljen fajtorë të të akuzuarve, duke vlerësuar se veprimi, mënyra e kryerjes, sjellja pas ngjarjes dhe tentativat për manipulim publik rëndojnë pozitën e tyre, ndërsa sipas saj nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese.

    Prokurorja ka kërkuar që të shqiptohet dënimi maksimal i paraparë për veprën penale “vrasje e rëndë”, respektivisht burgim i përjetshëm./BetimipërDrejtësi/

  • Fahri Fazliu lejohet ta takojë babain e tij, Fadil Fazliu pas 1 viti e 4 muajsh ndalesë nga Specialja

    Fahri Fazliu lejohet ta takojë babain e tij, Fadil Fazliu pas 1 viti e 4 muajsh ndalesë nga Specialja

    Fahri Fazliu është lejuar ta takoj babain e tij, Fadil Fazliu, pas një ndalese prej 1 viti e 4 muajsh nga Gjykata Speciale.

    Fadil Fazliu është i akuzuar në gjyqin e dytë të ish-presidentit, Hashim Thaçi për administrim të drejtësisë.

    Në postimin e bërë, Fahri Fazliu tha se kjo ndarje ishte e padrejtë.

    Postimi i plotë:

    Pas 1 viti e 4 muajsh të ndarë padrejtësisht nga njëri-tjetri, babë e bir, sot, nesër e gjithmonë bashkë, babloki im, Fadil Fazliu.

    Sprovat nuk të thyen asnjëherë, përkundrazi, të bënë edhe më të fortë.

    Qëndrove ballëhapur, kokëlart e me dinjitet, ashtu siç të ka hije.

    Ti je frymëzim dhe krenari për familjen, për të gjithë ne dhe për mbarë kombin shqiptar.

    Krenar me ty gjithmonë, babloki jem!

  • Prokurorja: Tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit synojnë shmangien e përgjegjësisë penale

    Prokurorja: Tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit synojnë shmangien e përgjegjësisë penale

    Prokurorja Javorka Perlinqeviq, në fjalën përfundimtare, tha se pas zhvillimit të procedurës së provave, ku janë paraqitur të gjitha provat materiale të grumbulluara gjatë hetimit, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët relevantë që kishin njohuri lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe pas paraqitjes së mbrojtjes nga të akuzuarit, po përmbyllet një proces gjyqësor që, sipas saj, ka sqaruar një krim makabër – vrasjen e Liridona Ademajt Murseli, të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.

    Perlinqeviq tha se në këtë fjalë përfundimtare fokusi do të jetë në faktet e paraqitura nga dëshmitarët dhe rrethanat e shqyrtuara gjatë gjykimit, dhe jo në procedurën paraprake.

    Sipas saj, djali i madh, në prani të psikologut, ka deklaruar: “hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit ban”. Gjithashtu, ajo përmendi dëshminë e Leonardit, sipas së cilës fëmijët e kanë sqaruar qartë ngjarjen dhe nuk dëshirojnë të komunikojnë me babain e tyre, të akuzuarin Naim Murseli, duke refuzuar edhe thirrjet telefonike të mundësuara përmes Qendrës për Punë Sociale në Suedi.

    Prokurorja theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, të cilat, sipas saj, paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale dhe bartje të fajit te të tjerët, duke e quajtur këtë “tre skenarë të ndryshëm të një ngjarjeje”.

    Ajo shtoi se, sipas provave të administruara, i akuzuari Naim Murseli ka kaluar pasditen e ditës kritike me të akuzuarin Granit Plava, me të cilin dyshohet se ka blerë armën e përdorur në kryerjen e veprës, si dhe ka përdorur veturë të huazuar në atë periudhë. Sipas saj, këto rrethana nuk përputhen me deklarimet e mbrojtjes dhe analizat e videoincizimeve tregojnë lëvizje të koordinuara të automjeteve.

    Po ashtu, Perlinqeviq përmendi se në qershor të vitit 2022 familja Murseli në Suedi kishte paguar një policë sigurimi në emër të viktimës Liridona Ademaj, dhe se sipas saj, pas kësaj, i akuzuari Naim Murseli i kishte kërkuar të akuzuarit Kushtrim Kokalla të gjejë mënyrën për vrasjen e saj.

  • Zgjedhja e presidentit, Haziri: LDK dhe VV janë në konsultime për një marrëveshje

    Zgjedhja e presidentit, Haziri: LDK dhe VV janë në konsultime për një marrëveshje

    Deputeti i LDK-së Lutfi Haziri, ka deklaruar para nisjes së seancës së Kuvendit se LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë në konsultime për një marrëveshje lidhur me zgjedhjen e presidentit.

    Sipas tij, qëllimi është arritja e një marrëveshjeje sa më shpejt për të siguruar funksionalitet institucional, raporton Klankosova.

    “Jemi në konsultime aktive, kryetari i LDK-së është duke punuar për t’i dhënë një mundësi marrëveshjes mes LDK-së dhe VV-së. Qëllimi ynë është që shteti të jetë funksional dhe të kemi organin më të lartë përfaqësues sa më shpejt. Jemi në 11 ditët e fundit dhe ky afat duhet të na obligojë që sa më shpejt t’i japim vendit një marrëveshje”, ka deklaruar Haziri.

  • Politikani amerikan vret gruan dhe më pas veten, detajet e para

    Politikani amerikan vret gruan dhe më pas veten, detajet e para

    Ish-nënkryetari i guvernatorit të Virxhinias, Justin Fairfax, një yll në ngritje në Partinë Demokratike derisa akuzat për sulm seksual e shkatërruan politikisht, vrau gruan e tij dhe më pas veten.

    Oficerët e thirrur në shtëpinë në periferi të Annandale në Uashington, gjetën trupat e Fairfax, 47 vjeç, dhe gruas së tij, Dr. Cerina Fairfax, 49 vjeç, ka njoftuar shefi i policisë së qarkut Fairfax, Kevin Davis.

    Justin Fairfax qëlloi për vdekje gruan e tij, një dentiste e suksesshme, në bodrum përpara se të shkonte në një dhomë gjumi në katin e sipërm dhe të vriste veten, sipas Davis.

    Djali i tyre telefonoi policinë, shkruan AP.

    Një nga miqtë e Fairfax tha se ai u bë gjithnjë e më i dëshpëruar pasi gruaja e tij paraqiti kërkesë për divorc vitin e kaluar.

    Gjykatësi që mbikëqyrte divorcin shkroi së fundmi se “izolimi, pirja e alkoolit dhe mungesa e pjesëmarrjes në jetën familjare janë manifestime të asaj që duket të jetë një ndjenjë humbje shprese”.

    Ndryshe, më pak se një dekadë më parë, karriera politike e Justin Fairfax po merrte hov. Ai fitoi garën për zëvendësguvernator në vitin 2017 dhe dukej se ishte gati të bëhej guvernatori i dytë me ngjyrë i Virxhinias dy vjet më vonë, kur guvernatori demokrat Ralph Northam u përball me thirrje të shumta për të dhënë dorëheqjen.

    Fairfax do të ishte bërë guvernator nëse Northam do të kishte dhënë dorëheqjen.

    Por dy gra dolën hapur duke e akuzuar se i kishte sulmuar seksualisht vite më parë.

    Ai u përpoq të kandidonte për guvernator në vitin 2021, por u shmang kryesisht nga demokratët e Virxhinias dhe u mund në zgjedhjet paraprake demokrate.

    Cerina Fairfax tha në dosjet gjyqësore se ajo dhe bashkëshorti i saj u ndanë gati dy vjet më parë. Por ata ende jetonin në të njëjtën shtëpi me dy fëmijët e tyre adoleshentë, të cilët ishin të dy në shtëpi kur ndodhën vdekjet.

    Dosjet tregojnë se Justin Fairfax pati sfida financiare pas akuzave për sulm seksual, të cilat çuan në dorëheqjen e tij si partner në një firmë prestigjioze ligjore.