ATV

Blog

  • Rikthehet çmimi i madh i Turqisë në Formula 1-Gara do të zhvillohet në Stamboll për të paktën 5 vite

    Rikthehet çmimi i madh i Turqisë në Formula 1-Gara do të zhvillohet në Stamboll për të paktën 5 vite

    Stambolli do të presë sërish Çmimin e Madh të Turqisë në Formula 1, duke filluar nga viti 2027, për një periudhë të paktën pesëvjeçare. Lajmin e bëri të ditur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një eventi me temë garat e Formula 1.

    Formula 1 ishte zhvilluar më parë në Stamboll gjatë periudhës 2005–2011 dhe më pas në vitin 2020, ndërsa në vitin 2021 gara u zhvillua në pistën e Tuzlas, në periferi të qytetit. Erdogan e vlerësoi rikthimin e garës si një fitore për pasionin dhe besimin e Turqisë në sport, duke theksuar se ngjarjet në Istanbul Park jo vetëm që do të forcojnë pozicionin e qytetit në arenën ndërkombëtare, por do të tregojnë gjithashtu se vendi është një strehë e sigurt në rajon.

    Istanbul Park ka një gjatësi prej 5.338 metrash dhe njihet për kthesën e saj sfiduese, Kthesën 8. Në sezonin 2025, Formula 1 regjistroi 827 milionë teleshikues në mbi 180 vende, me mbi 6.7 milionë spektatorë në tribuna, dhe ishte eventi sportiv ndërkombëtar më i ndjekur në rrjetet sociale, me 2.3 miliardë përdorues

  • Kjo është artistja më e dëgjuar e të gjitha kohërave në Spotify

    Kjo është artistja më e dëgjuar e të gjitha kohërave në Spotify

    Spotify feston 20 vjetorin dhe publikoi listën e këngëve më të transmetuara të të gjitha kohërave.

    Të dhënat janë mjaft interesante dhe përfshijnë muzikantë, podkaste, albume dhe audiolibra.

    Dhe nëse jeni kuriozë, të dhënat pasqyrojnë transmetimet globale të Spotify që nga prilli i vitit 2026. Informacioni merr parasysh qindra miliona transmetime.

    Dhe nuk duhet të jetë çudi që Taylor Swift , e cila është vazhdimisht artistja më e transmetuar çdo vit, është numri një në listën e të gjitha kohërave! Bad Bunny renditet në vendin e dytë.

    Për sa i përket albumeve, kënga “Un Verano Sin Ti” e Bad Bunny është më e transmetuara ndonjëherë!

    Shkoni poshtë për të parë se kush mban titujt më të transmetuar në Spotify…

    Artistët më të dëgjuar të të gjitha kohërave në Spotify
    1) Taylor Swift
    2) Bad Bunny
    3) Drake
    4) The Weeknd
    5) Ariana Grande
    6) Ed Sheeran
    7) Justin Bieber
    8) Billie Eilish
    9) Eminem
    10) Kanye West
    11) Travis Scott
    12) BTS
    13) Post Malone
    14) Bruno Mars
    15) J Balvin
    16) Rihanna
    17) Coldplay
    18) Kendrick Lamar
    19) Future
    20) Juice WRLD.

  • Deputeti i PDK-së e ngacmon Kurtin: S’jeni bërë të gjallë për Bordin e Paqes, ndoshta që e sponzorizoi Osmani

    Deputeti i PDK-së e ngacmon Kurtin: S’jeni bërë të gjallë për Bordin e Paqes, ndoshta që e sponzorizoi Osmani

    Deputeti i PDK’së, Elmi Reçica, ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës ku edhe ka folur për Projektligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

    Ai për një moment është kthyer kah Kurti duke i thënë se Qeveria e kryeministri s’janë bërë fare të gjallë për ligjin në fjalë, mbase për shkak se atë e ka sponzorizuar ish-presidentja Vjosa Osmani.

    “Kryeministri dhe Qeveria s’janë bo të gjallë fare për këtë ligj, me gjasë që sponzorizues ka qenë presidentja, apo ish-presidentja”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

  • Inspektorati i Punës ndalon punimet në 13 vendpunishte të inspektuara

    Inspektorati i Punës ndalon punimet në 13 vendpunishte të inspektuara

    Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar për aksionin e jashtëzakonshëm që ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorin e ndërtimtarisë në të gjithë vendin.

    Ky inspektorat ka bërë të ditur se në 48 orët e fundit, ka kryer gjithsej 31 inspektime e 44 rinspektime.

    Nga inspektimet e kryera është bërë ndalimi i 13 punimeve dhe janë shqiptuar 10 vërejtje.

    Siç njofton ky institucion në përfundim të aksionit të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve me automatizëm janë procesuar në gjykatat për kundërvajtje përkitazi me shkeljet e konstatuara.

    Ky zhvillim vjen në kuadër të aksionit 15-ditor të nisur nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës, një ditë pasi një punëtor humbi jetën në vendin e punës, rasti i tetë i tillë këtë vit.

  • Rrahmani: Pse iu ndanë para Dioqezës që Kosovës i referohet me “Metohi”, Kurti: Ishte donacion norvegjez

    Rrahmani: Pse iu ndanë para Dioqezës që Kosovës i referohet me “Metohi”, Kurti: Ishte donacion norvegjez

    Deputeti i PDK’së, Eman Rrahmani, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se pse iu ndanë para Eparkisë së Rashkës e Prizrenit nga Zyra e Kryeministrit, një dioqeze që Kosovës i referohet “Kosovë e Metohi”.

    “Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2023 nga buxheti i Kosovës janë ndarë 146, 965 euro për Eparki Rasko Prizrenska. Kërkoj sqarim prej teje kryeministër, cilat janë arsyet konkrete për ndarje të kësaj ndihme financiare dhe pse kjo ndarje është bërë drejtpërdrejt nga Zyra e Kryeministrit?”, pyeti Rrahmani.

    Kurti në përgjigje tha se këto para ishin donacion nga ambasada norvegjeze, por që kaluan nga Zyra e Komuniteteve brenda Zyrës së Kryeministrit.

    “Me marrëveshjen që ambasada e Norvegjisë ka pasë me Zyrën e Kryeministrit për zbatimin e projektit si donacion, ndërtimin e një ferme për mbarështimin e deleve për nevojat e Manastirit të Graçanicës në vlerë prej 147,965 euro. Kjo vlerë është paguar me datën 14 shkurt të vitit 2023 nga Zyra e Kryeministrit, është Zyra e Komuniteteve sipas planit të projektit të ambasadës së Norvegjisë”.

    Rrahmani insistoi se paratë shkuan për një bashkësi fetare direkt prej Zyrës së Kryeministrit.

    “Hyra në faqe të kësaj bashkësie, dioqezës dhe në ballinë shkruante “Kosova Metohi”. D.m.th një arsyetim rreth mbështetjes financiare ndaj dikujt që e mohon shtetësinë e Kosovës”.

    Kurti sërish u përgjigj duke thënë se bëhet fjalë për projektin si donacion, ndërsa i tha deputetit Rrahmani se ngriti edhe pyetje tjera që shkojnë deri te Kushtetuta e vendit.

    Ai tha se paratë u ndanë “nga Zyra e Komuniteteve sipas planit të projektit të ambasadës së Norvegjisë”.

    “Nuk është nga Republika e Kosovës”.

    “Këtu u ngritën edhe disa çështje të tjera që në fakt janë pyetje të tjera, ndoshta për herën e ardhshme mbi emërtimet e Kishës Ortodokse Serbe, mandej të infrastrukturës legjislative tek ne e që shkon deri te Kushtetuta e Republikës e te propozimi për status i ish-presidentit finlandez, Ahtisaari, që janë çështje shumë më të gjera e pyetje të tjera”.

    Rrahmani sërish u përgjigj duke thënë: “Pavarësisht a janë donacion, ato kanë kaluar përmes institucioneve të Republikës së Kosovës”.

  • SHBA kërkon udhëheqësin e milicisë irakiane, ofron 10 milionë dollarë për informacione

    SHBA kërkon udhëheqësin e milicisë irakiane, ofron 10 milionë dollarë për informacione

    Shtetet e Bashkuara ofrojnë një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione rreth udhëheqësit të milicisë shiite irakiane Kata’ib Sayyid al-Shuhada (KSS), e cila mbështetet nga Irani.

    Departamenti amerikan i Shtetit, përmes programit “Rewards for Justice” (Shpërblime për Drejtësi), e ka identifikuar udhëheqësin si Hashim Finyan Rahim al-Saraji, ndërsa grupin e tij e ka shpallur organizatë terroriste.

    Në një njoftim në platformën X thuhet se “anëtarët e KSS kanë vrarë civilë irakianë dhe kanë sulmuar përfaqësitë diplomatike amerikane në Irak, si dhe bazat ushtarake dhe personelin amerikan në Irak dhe Siri”.

  • ​Musliu-Shoshi ngre shqetësim për shkelje të të drejtave të njeriut të katërshes së UÇK-së në Hagë

    ​Musliu-Shoshi ngre shqetësim për shkelje të të drejtave të njeriut të katërshes së UÇK-së në Hagë

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu Shoshi ka ngritur shqetësimin për shkelje të të drejtave të njeriut për katërshen e UÇK-së në Hagë.

    Gjatë pyetje parlamentare në seancë, ajo e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se a janë të njoftuar partnerët ndërkombëtarë për këto shkelje.

    “Shqetësimi i parë që kam ngritur meqë kjo mund të jetë seanca e fundit ku ne bëjmë pyetje parlamentare dhe ngrisim çështje me rëndësi ka të bëjë me shqetësimin që kemi për shkeljet e të drejtave të njeriut që po ndodhin në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si dhe deklarimet e ministrit të Punëve të Jashtme, njëkohësisht zëvendëskryeministër i Belgjikës, Maxime Prévot, i cili tha se mungesë informacioni jemi si shtete për këto të padrejta që po bëhen. Prandaj, pyetjet e mia drejtuar Albin Kurtit janë si në vijim: A i ka informuar qeveria partnerët ndërkombëtarë për këto shqetësime që i kemi të gjithë ne lidhur me shkeljet e të drejtave të Njeriut që po ndodhin në Dhomat e Specializuara në Hagë? Pse ka mungesë koordinimi dhe informimi në këtë nivel, çfarë veprimesh konkrete po ndërmerren për mbrojtjen e të drejtave të çlirimtarëve tanë”, deklaroi ajo. /Kp/

  • Ndryshimi i gjinisë, Kurti i përgjigjet Rrahmanit: Këto çështje nuk i takojnë familjes

    Ndryshimi i gjinisë, Kurti i përgjigjet Rrahmanit: Këto çështje nuk i takojnë familjes

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur pyetjeve të deputetit Eman Rrahmani i cili ngriti shqetësimet e tij lidhur me konceptet e familjes dhe ndërlidhjes së saj me ndërrimin e gjinisë.

    Rrahmani në foltoren e Kuvendit ka prezantuar pyetjet e tij drejtuar kryeministrit Kurti duke thënë se si do të duket familja sipas konceptit të tij.

    “Si e shihni ju familjen, kush do ta përbëjë familjen sipas konceptit tuaj? A do të përfshini si familje edhe rastet që sipas ligjit që keni propozuar për ndryshimin e gjinisë, një burrë që ka ndryshuar gjini dhe është bërë grua, ose një grua që ka ndryshuar gjininë dhe është bërë burrë a do ta njihni si familje? A do ta njihni si familje martesën e të njëjtës gjini? A do ta njihni si familje një grua që ka lindur fëmijë nga një dhurues i spermës? Ju keni deklaruar se rreth 10% e popullsisë ka orientim të tillë seksual. Pra, a do angazhoheni si Qeveri për t’i realizuar këto qëllime, pra të drejtat e këtij 10% siç e quani ju”, tha Rrahmani.

    Kurti tha se çështjet e ngritura nga Rrahmani nuk janë çështje që i takojnë familjes, por janë çështje gjinore.

    “Është e qartë që kjo nuk ishte një pyetje, por një pyetësor. Nuk kam se si t’iu përgjigjjem të gjitha këtyre çështjeve, por ajo që do të them është se në mandatin e kaluar dhe këtë mandat kemi ndërmarrë hapa të qartë dhe të matshëm për të vendosur familjen në qendër të politikbërjes shtetërore. Këto masa përfaqësojnë ndryshim thelbësor në çasjen e shtetit ndaj familjes, nga një rol pasiv në mbështetje aktive për mbështetjen e saj, duke kontribuuar në ngritjen e natalitetit dhe përmirësimin e perspektives demografike të vendit. Kemi nisur reformën e thellë të asistencës sociale e cila është në fazë të avancuar, kjo reformë synon eliminimin e padrejtësive, identifikimin e saktë të familjeve në nevojë dhe vendosjen e një sistemi që e mbështet realisht familjen. Çështjet që u adresuan këtu, nuk i konsideroj çështje të familjes, por çështje gjinore”, tha Kurti.

  • Prishtina-Gjilani derbi kryesor i kësaj fundjave në Albi Mall Superligë

    Prishtina-Gjilani derbi kryesor i kësaj fundjave në Albi Mall Superligë

    Albi Mall Superliga e Kosovës hyn në momentin vendimtar të sezonit, ndërsa xhiroja e 30-të pritet të sjellë përballje dramatike dhe emocione të forta për tifozët e futbollit vendor.

    E shtuna nis me ndeshjen Prishtina e Re – Drenica në orën 15:00, në Fushën Sintetike të Kampit Nacional në Hajvali. Pasditja vazhdon me derbin kryesor të javës, Prishtina – Gjilani, i cili nis në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë,ku të dyja skuadrat janë në luftë për pozitën e tretë e cila siguron garat evropiane sezonin tjetër

    E diela sjell tre përballje të tjera interesante. Ballkani – Ferizaj, Drita – Llapi dhe Dukagjini – Malisheva do të nisin të gjitha në orën 15:00, duke ofruar ndeshje paralelisht në Suharekë, Gjilan dhe Klina. Çdo takim ka rëndësinë e vet, pasi disa ekipe luftojnë për pozita në vendet e para, ndërsa të tjerët për mbijetesë në elitën e futbollit vendor.

  • “Ishte luftëtar i pendës”, Rexhep Qosja kujtohet nga ASHAK-u dhe liderët institucionalë

    “Ishte luftëtar i pendës”, Rexhep Qosja kujtohet nga ASHAK-u dhe liderët institucionalë

    Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ka mbajtur mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të akademik Rexhep Qosjes.

    Në këtë mbledhje u vlerësua lartë jeta dhe vepra e akademik Rexhep Qosjes.

    Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e ka cilësuar të ndjerin Qosja si zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe mbrojtës i së vërtetës.

    “Akademik Qosja ishte më shumë se një shkrimtar. Ai ishte një institucion në vete, një zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe një mbrojtës i palëkundur i së vërtetës. Humbja e tij nuk është vetëm humbje e letërsisë dhe kulturës sonë. Ajo përmban një humbje të madhe kombëtare, një zbrazëti që prek ndërgjegjen intelektuale të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.

    Veprimtaria e tij shumëdimensionale si studiues, shkrimtar, kritik letrar dhe mendimtar publik përfaqëson arritje të rëndësishme të kulturës shqiptare bashkëkohore. Ai ndërtoi një opus të gjerë dhe të qëndrueshëm, i cili jo vetëm pasuroi fondin tonë shkencor e letrar, por edhe kontribuoi në frymëzimin e vetëdijes sonë kombëtare në periudha vendimtare historike.

    Trashëgimia e tij do të mbetet një udhërrëfyes i çmuar, një pasuri e mendimit, e krijimtarisë dhe integritetit që do të vazhdojë të frymëzojë brezat që vijnë. Vepra e tij do të vazhdojë të jetë si një referencë e rëndësishme e dijes dhe si një burim frymëzimi për studiuesit, krijuesit dhe të gjithë ata që besojnë në fuqinë e mendimit të lirë.

    Akademik Qosja mishëroi në mënyrë të denjë figurën intelektuale të angazhuar, të përkushtuar ndaj së vërtetës dhe të palëkundur në mbrojtje të vlerave themelore të shoqërisë. Ai mbeti gjithmonë konsekuent në mendimin e tij, duke dëshmuar integritet të lartë dhe guxim qytetar edhe në rrethana kur fjala e lirë kërkonte sakrificë”, tha Shiroka Pula.

    Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për Qosjen tha se nuk i druhej polemikës dhe se ishte luftëtar i pendës i cili u bë zëdhënës i popullit të ndaluar.

    “Ai u dallua si kritik letrar, eseist dhe intelektual publik duke kontribuar në mënyrë të thellë në analizën e identitetit kombëtar, historisë dhe zhvillimit të letërsisë shqipe.

    Ai mbrojti vazhdimisht rëndësinë e kulturës si bazë të vetëdijes kombëtare dhe si instrument për emancipim shoqëror, duke ndikuar në formimin intelektual të brezave të tërë në hapësirën shqiptare. Rexhep Qosja ishte modeli i intelektualit publik. Puna e tij shkencore ishte e pandarë nga angazhimi për identitetin kombëtar, shtetësinë e Kosovës dhe bashkimin shqiptar.

    Studimet e tij për rilindasit, sidomos vepra ‘Porosia e Madhe’ kushtuar poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, apo studimet për Asdrenin e të tjerë, ndihmuan jashtëzakonisht shumë në formimin kombëtar të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. Studimet e Rexhep Qosjes dhe kolegëve të tij për gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin shqiptar, përgatitën dy breza të shqiptarëve për përballjen politike dhe shoqërore që do të vinte në dekadat 1980 dhe më pas 1990, për mbrojtjen e të drejtave dhe të dinjitetit kombëtar.

    Kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë dhe u shtua shtypja mbi shqiptarët, Rexhep Qosja u bë zëri më i spikatur akademik i intelektualit shqiptar. Ai denoncoi shtypjen jugosllave dhe serbomadhe, gënjeshtrat dhe propagandën e atyre intelektualëve serbë që do të shkruanin e përkrahnin Memorandumin famëkeq të Akademisë Serbe nga viti 1986, dhe që përgatitën terrenin për gjenocidet që Serbia do të ndërmerrte në vitet e 90-ta.

    Ai u bë zëdhënësi i popullit të ndaluar, siç titullohej një prej veprave të tij të shumta, dhe kjo ishte një përmbledhje e polemikave të tij me intelektualët jugosllavë të kohës. Profesor Rexhep Qosja frymëzoi breza studentësh, i dha guxim e zë drejtësisë së protestave studentore të vitit 1981 që u bënë demonstrata gjithëpopullore, e madje posaçërisht kur vala e tyre dukej se kishte rënë.

    Në vitin 1985, ai rikonfirmoi brenda vetë atij sistemi, pra në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad, në prill të vitit 1985, shtypjen që ushtrohej nga regjimi serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve. Aty ai u foli pjesëmarrësve në gjuhën e tyre, siç tha: ‘jo nga frika se mos e quanin autoqefal, por që ta kuptonin të gjithë’, sepse në gjuhën e tyre ai do të shpaloste megjithatë qenien shqiptare dhe gjendjen e trupit e të shpirtit të saj.

    Aty ai demaskoi procesin e diferencimit të ushtruar nga Lidhja e Komunistëve me ndihmën e shërbimeve sekrete e të aparatit të dhunës. Mes 14 pikave se çka do të thotë me qenë intelektual shqiptar në Kosovë, ai thekson se kjo do të thotë me iu frikësuar fjalës ‘diferencim’, po aq sa intelektualët e Mesjetës i frikësoheshin fjalës ‘Inkuizicion’.

    Qosja nuk i druhej polemikës. Ai ishte luftëtar i pendës, artikulues i palodhur i ideve dhe këmbëngulës në mendimet e veta. Ai shkruante dhe fliste për zhvillimet politike në trojet shqiptare, si për qëndresën paqësore në Kosovë, si për zhvillimet demokratike në Shqipëri e në Maqedoni. Ai argumentonte se rilindja demokratike e shqiptarëve pas rënies së regjimeve komuniste dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, kishte plot pikëtakime me Rilindjen tonë Kombëtare dhe se tani, si atëherë, duheshin synuar si zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare, po ashtu edhe orientimi ynë nga qytetërimi perëndimor.”, tha Kurti.

    Anila Hoda sekretare shkencore në Akademinë e Skencave dhe Arteve të Shqipërisë, tha se Rexhep Qosja ishte një erudit i rrallë, një personalitet i jashtëzakonshëm i kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar dhe shkrimtar i mirënjohur.

    “Me emër të kryesisë së Akademisë së Shkencave, të asamblesë së saj dhe tërë komunitetit shkencor në Shqipëri, kam nderin dhe njëkohësisht me dhimbje të thellë t’ju përcjell ngushëllimet tona për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja. Një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar.

    Akademik Rexhep Qosja ishte një erudit i rrallë, një personalitet i jashtëzakonshëm i kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar dhe shkrimtar i mirënjohur. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë e mendimit shkencor, letrar dhe politik të botës shqiptare. Për më shumë se gjysmë shekulli, ai ishte një zë i fuqishëm në jetën intelektuale dhe publike duke u shndërruar në një nga figurat më përfaqësuese të vetëdijes sonë kombëtare. Ai njihet gjerësisht si një nga zërat më të fortë në debatet publike shqiptare duke trajtuar me guxim dhe përgjegjësi çështjet themelore të identitetit kombëtar, historisë, kulturës dhe zhvillimeve politike në Kosovë e Shqipëri.

    Angazhimi i tij qytetar dhe atdhetar për demokracinë, shtetin ligjor dhe marrëdhëniet ndërshqiptare u shpreh përmes një veprimtarie të gjerë studimore e publicistike. Si drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës, profesor Rexhep Qosja kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e albanologjisë dhe në artikullimin e ideve për liri, pavarësi dhe identitet kulturor. Njëkohësisht, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ai u shqua ndër dekada si një ndër studiuesit më të rëndësishëm të historisë së letërsisë shqipe dhe të kritikës moderne, duke dhënë një kontribut të vyer në jetën akademike dhe në zhvillimin e kërkimit shkencor.

    Po aq e rëndësishme është edhe krijimtaria e tij letrare, e cila dëshmon për një romancier, eseist me ndjeshmëri të thellë artistike dhe vizion modern, ku trajtohen në mënyrë shumëdimensionale temat kombëtare dhe ato shoqërore. Angazhimi i tij në çështjen kombëtare dhe në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës është i pashembullt. Pjesëmarrja në konferencën e Rambujesë si anëtar i delegacionit shqiptar, si dhe roli i tij në argumentimin dhe përfaqësimin me qëndrimet shqiptare në një moment vendimtar historik dëshmojnë për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në proceset që përcaktuan zhvillimin e zhvillimet e mëtejshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Në vlerësim të këtij kontributi kolosal, Akademia e Shkencave Shqiptare ka patur nderin ta zgjedhë anëtar të jashtëm të saj, si shenjë mirënjohje për rolin e ndikimin e tij të shquar në zhvillimin e shkencës, dijes e të kulturës në Shqipëri. Ndaj në këto momente dhimbjeje e humbjeje të pazëvendësueshme, ne ndajmë dhimbjen me familjen e tij, me kolegët dhe gjithë komunitetin akademiko-kulturor në Kosovë e më gjerë.

    Kujtimi, vepra dhe kontributi i akademikut Rexhep Qosja do të mbeten të përhershëm në fondin e kulturës dhe të shkencës shqiptare dhe në ndërgjegjen kolektive të kombit tonë”, tha Hoda, raporton EO