ATV

Blog

  • Kapen hajnat që vodhën në xhamitë e Ferizajt dhe Lipjanit

    Kapen hajnat që vodhën në xhamitë e Ferizajt dhe Lipjanit

    Dy persona janë arrestuar në Ferizaj nën dyshimin se janë të përfshirë në disa raste të vjedhjeve të rënda, përfshirë edhe vjedhje në objekte fetare në Lipjan.

    Rasti është zbuluar më 5 shtator, kur Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj, në asistencë të Njësitit të Hetimeve të Stacionit Policor në Lipjan, ka realizuar një kontroll në një lokacion në qytetin e Ferizajt.

    Si rezultat i veprimeve hetimore, policia ka arrestuar dy persona, A.M., 39 vjeç, dhe B.K., 31 vjeç, të cilët dyshohet se kanë kryer vjedhje në disa lokacione të ndryshme.

    Sipas policisë, të dyshuarit dyshohet se janë përfshirë edhe në vjedhje të rënda në objekte me rëndësi të veçantë, përfshirë xhami në territorin e Komunës së Lipjanit.

    Gjatë verifikimeve është konstatuar gjithashtu se A.M. dhe B.K. dyshohet se janë të përfshirë në rastin e vjedhjes së rëndë të raportuar më 5 shtator në Xhaminë e fshatit Nikadin, në Ferizaj.

    Pas arrestimit, të dyshuarit janë dorëzuar për procedura të mëtejme te Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Lipjan.

  • Komuna e Drenasit njofton për subvencionimin e nënave lehona me nga 100 euro

    Komuna e Drenasit njofton për subvencionimin e nënave lehona me nga 100 euro

    Komuna e Drenasit, përmes Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka njoftuar qytetarët për procedurat e aplikimit për subvencionimin e nënave lehona.

    Sipas njoftimit, nënat lehona kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për përfitimin e subvencionit në vlerë prej 100 euro për secilën lindje, brenda afatit prej një viti nga data e lindjes së fëmijës.

    Për aplikim kërkohen formulari i aplikimit, dokumentet e identifikimit të të dy prindërve, ekstrakti i të porsalindurit, fletëlëshimi nga institucioni shëndetësor ose kartela e të porsalindurit, certifikata e bashkësisë familjare, si dhe konfirmimi i regjistrimit si përfitues në SIMFK përmes platformës e-Kosova.

    Komuna ka bërë të ditur se aplikimet me dokumentacion të pakompletuar do të refuzohen, ndërsa formulari i aplikimit plotësohet në sportelet nr. 9 dhe 10.

  • Vajzat e Kosovës performuan më mirë se djemtë në PISA 2025

    Vajzat e Kosovës performuan më mirë se djemtë në PISA 2025

    Ministria e Arsimit ka njoftuar se janë publikuar rezultatet e PISA 2025.

    Një prej gjetjeve të spikatura të PISA 2025 për nxënësit e Kosovës, është performanca më e lartë e vajzave në raport me djemtë.

    Në shkencë, vajzat kanë shënuar 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë, me një diferencë prej 19 pikësh.

    Dallimi është edhe më i madh në lexim. Vajzat kanë arritur 358 pikë, ndërsa djemtë 322 pikë, duke krijuar një diferencë prej 36 pikësh.

    Në matematikë, rezultatet janë pothuajse të barabarta, 351 pikë për vajzat dhe 350 pikë për djemtë.

  • “Krim me përmasa rrëqethëse”, Spiropali për varrimin e Mladiqit: Serbia s’ka autoritet moral të na japë leksione për drejtësinë

    “Krim me përmasa rrëqethëse”, Spiropali për varrimin e Mladiqit: Serbia s’ka autoritet moral të na japë leksione për drejtësinë

    Ish-ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me ceremoninë e varrimit të kriminelit Ratko Mlladiq, duke thënë se Beogradi u shndërrua në vend pelegrinazhi për të nderuar një turp dhe krim me përmasa rrëqethëse.

    Spiropali në një postim në Facebook shkruan Serbia zyrtare nuk ka autoritet moral, as juridik, të na japë leksione për drejtësinë.

    Lexoni të plotë postimin e saj:

    Dje Beogradi u shndërrua në vend pelegrinazhi për të nderuar një turp dhe krim me përmasa rrëqethëse.

    Mijëra njerëz, ministra, ushtarakë dhe klerikë u mblodhën për ta përcjellë si hero kriminelin Ratko Mladiq. Trupi iu soll me aeroplan qeveritar, arkivoli iu mbulua me flamuj, nderimet ushtarake iu kushtuan një të dënuari me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

    Mladiqi nuk ishte viktimë e asnjë padrejtësie. Ishte organizatori i gjenocidit në Srebrenicë dhe i rrethimit të Sarajevës. Ai u fsheh për gjashtëmbëdhjetë vjet nga drejtësia. Serbia “e gjeti” vetëm pasi nuk mundi ta fshihte më, ndërsa sot po e varros si të ishte ajo viktima dhe jo mijëra njerëzit që mbetën në varre pa emër, për shkak të saj.

    Pas tetë ditësh, në Hagë do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ata nuk u fshehën nga drejtësia, nuk u arrestuan pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh arrati dhe nuk po gjykohen për gjenocid.

    Serbia zyrtare nuk ka autoritet moral, as juridik, të na japë leksione për drejtësinë. Nuk mund ta kthesh një të dënuar për gjenocid në shenjtor kombëtar dhe, në të njëjtën frymë, të kërkosh dënimin e njerëzve ndaj të cilëve ende nuk është shqiptuar vendimi i parë.

    Një shoqëri nuk gjykohet vetëm nga kriminelët që ka prodhuar. Gjykimi i saj i vërtetë fillon kur faktet janë provuar dhe ajo duhet të vendosë nëse do vajtojë viktimat apo do adhurojë vrasësit.

    Serbia dje e bëri zgjedhjen e saj.

    Ajo nuk varrosi vetëm Ratko Mladiqin.

    Varrosi edhe turpin e vet duke nderuar krimet.

  • PISA 2025: Nxënësit e Kosovës mbeten nën mesatare

    PISA 2025: Nxënësit e Kosovës mbeten nën mesatare

    Kosova ka shënuar rezultate të ngjashme me vitin 2022 në shkencë dhe lexim, ndërsa në matematikë ka pasur rënie të lehtë.

    Të dhënat e PISA 2025 tregojnë gjithashtu dallime të dukshme gjinore, me vajzat që kanë performuar më mirë se djemtë në të tri fushat e vlerësuara.

    Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2025 morën pjesë gjithsej 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Rezultatet e publikuara tregojnë se performanca e nxënësve në vend vazhdon të mbetet nën mesataren e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

    Në shkencë, nxënësit e Kosovës kanë shënuar mesatarisht 357 pikë, rezultat i njëjtë me atë të vitit 2022. Në lexim, rezultati ka qenë 340 pikë, dy pikë më i ulët krahasuar me vitin 2022, kur ishte 342 pikë.

    Rënia më e dukshme është regjistruar në matematikë, ku nxënësit kanë arritur mesatarisht 350 pikë, pesë pikë më pak se në vitin 2022.

    Ndërkaq, rezultati më i lartë në katër treguesit kryesorë të performancës është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me gjithsej 359 pikë.

    Një prej gjetjeve të spikatura të PISA 2025 është performanca më e lartë e vajzave në raport me djemtë.

    Në shkencë, vajzat kanë shënuar 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë, me një diferencë prej 19 pikësh.

    Dallimi është edhe më i madh në lexim. Vajzat kanë arritur 358 pikë, ndërsa djemtë 322 pikë, duke krijuar një diferencë prej 36 pikësh.

    Në matematikë, rezultatet janë pothuajse të barabarta: 351 pikë për vajzat dhe 350 pikë për djemtë.

    Të dhënat tregojnë se një prej sfidave kryesore mbetet rritja e numrit të nxënësve që arrijnë të paktën Nivelin 2 të aftësive, i konsideruar si niveli bazë i performancës.

    Në vitin 2025, vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur këtë nivel në shkencë, rreth 15 për qind në matematikë dhe rreth 16 për qind në lexim.

    Në të njëjtën kohë, numri i nxënësve që arrijnë nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i ulët.

    Sipas leximit preliminar të rezultateve, kjo kërkon një qasje të dyfishtë, mbështetje më të madhe për nxënësit me rezultate të ulëta, por edhe programe të veçanta për identifikimin dhe zhvillimin e potencialit të nxënësve me performancë të lartë.

    Vijueshmëria në shkollë është një tjetër çështje që del në pah nga rezultatet.

    Rreth 54 për qind e nxënësve kanë raportuar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, ndërsa 56 për qind kanë deklaruar se kanë munguar të paktën në një orë mësimore.

    Këto të dhëna, sipas gjetjeve, nënvizojnë nevojën për mekanizma më të mirë të monitorimit të vijueshmërisë dhe për një bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet shkollave, prindërve dhe nxënësve.

    Në bazë të gjetjeve të PISA 2025, raporti i Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve ka rekomanduar forcimin e të nxënit bazë në matematikë, shkencë dhe lexim, me fokus të veçantë te nxënësit që nuk arrijnë Nivelin 2 të aftësive.

    Po ashtu, rekomandohet:

    -zhvillimi i mësimdhënies përmes zgjidhjes së problemeve dhe situatave reale;

    -forcimi i mendimit kritik dhe aplikimit praktik të njohurive;

    -krijimi i programeve për nxënësit me performancë të lartë;

    -identifikimi dhe përhapja e praktikave të shkollave dhe mësuesve që ndihmojnë nxënësit e pafavorizuar të arrijnë rezultate më të mira;

    -forcimi i zhvillimit profesional të mësimdhënësve;

    -përdorimi më efektiv i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në procesin mësimor;

    -forcimi i bashkëpunimit shkollë–familje;

    -përmirësimi i klimës së të nxënit dhe disiplinës pozitive;

    -monitorimi më i mirë i vijueshmërisë dhe ndërhyrja e hershme për nxënësit me mungesa të shpeshta.

  • Pse duhet të hani një lugë mjaltë përpara gjumit?

    Pse duhet të hani një lugë mjaltë përpara gjumit?

    Mjalti konsiderohet prej kohësh një nga produktet natyrale më të përdorura në ushqim dhe mjekësinë popullore.

    Të konsumoni një lugë mjaltë përpara gjumit mund të ofrojë disa përfitime për shëndetin dhe gjumin tuaj. Më poshtë kemi listuar se cilat janë këto benefite.

    Përmirësimi i cilësisë së gjumit

    Mjalti stimulon prodhimin e melatoninës, një hormon që ndihmon trupin të relaksohet dhe të hyjë në fazat e gjumit të thellë.

    Rregullimi i niveleve të sheqerit në gjak

    Mjalti ndihmon në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak gjatë natës, duke parandaluar zgjimet e papritura.

    Nxitja e metabolizmit të trurit

    Glukoza natyrale te mjalti furnizon trurin me energji gjatë gjumit, gjë që ndihmon në përmirësimin e kujtesës dhe funksionit njohës.

    Mbështet sistemin imunitar

    Mjalti ka veti antibakteriale dhe antioksiduese që ndihmojnë në forcimin e imunitetit.

    Zbutja e kollës dhe e fytit të irrituar

    Nëse keni kollë ose ndjeni irritim në fyt, mjalti mund të ndihmojë në zbutjen e këtyre simptomave, duke ju ndihmuar të flini më mirë.

  • Pesë arsye të papritura pse ju mungon vitamina D edhe verës

    Pesë arsye të papritura pse ju mungon vitamina D edhe verës

    Vitamina D njihet si “vitamina e diellit” sepse trupi e prodhon atë kur ekspozohet në diell. Por shumë njerëz kanë mungesë të këtij lëndë ushqyese të rëndësishme edhe në mes të verës.

    Rreth 60 përqind e popullsisë së botës nuk merr mjaftueshëm vitaminë D, thotë Dr. Michael Holick, profesor i mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë Chobanian dhe Avedisian në Boston. Mungesa e saj mund të kalojë pa simptoma, megjithëse disa ndiejnë dobësi muskulore, dhimbje kockash ose ndryshime humori.

    “Në fakt nuk është vetëm një vitaminë, por një hormon që i mban kockat të forta dhe të shëndetshme, dhe gjithashtu luan një rol në funksionin e muskujve”, tha për HuffPost Dr. Kendall F. Moseley, drejtor mjekësor i Qendrës Johns Hopkins për Sëmundjet Metabolike të Kockave dhe Osteoporozën.

    Hulumtimi merret gjithashtu me rolin e vitaminës D në parandalimin e kancerit, forcimin e imunitetit, luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare dhe demencës. Mjekët shpjegojnë arsyet e papritura të mungesës së saj, transmeton Klankosova.tv.

    Është e vështirë të marrësh mjaftueshëm nga ushqimi

    “Një dietë e shëndetshme zakonisht ofron vetëm rreth 100 deri në 400 njësi ndërkombëtare (IU) të vitaminës D në ditë, gjë që nuk është e mjaftueshme sipas shumicës së standardeve”, tha Moseley. “Për më tepër, ushqimet e pasura me vitaminë D nuk janë një zgjedhje e zakonshme për shumë njerëz.”

    Ushqimet që përmbajnë vitaminë D përfshijnë peshq të yndyrshëm si toni, salmoni dhe skumbri, të verdhën e vezëve, mëlçinë e viçit dhe vajin e mëlçisë së merlucit. Mund të gjendet gjithashtu në qumështin e fortifikuar, kosin dhe drithërat, por Moseley thotë se është ende një sfidë të marrësh mjaftueshëm vetëm nga ushqimi.

    Lëkura nuk i merr shumë rrezet e diellit

    Kur rrezet UVB godasin lëkurën, ato e nxisin trupin të prodhojë vitaminë D. Megjithatë, ka një numër pengesash që mund t’i bllokojnë këto rreze, shpjegon Dr. Moseley. Në dimër ose në klimat me re, ekspozimi në diell është më i ulët, por edhe në zonat me diell, njerëzit nuk marrin mjaftueshëm vitaminë D nga dielli. Dr. Holick thekson se koha e ditës është një faktor kyç.

    “Edhe në verë, nëse dilni jashtë në orën 8 ose 9 të mëngjesit, nuk do të prodhoni një sasi të konsiderueshme të vitaminës D”, thotë ai. E njëjta gjë vlen edhe pas orës 3 të pasdites. “Gjithçka varet nga këndi në të cilin rrezet e diellit bien në Tokë”, shton ai. Cilësia e ajrit gjithashtu luan një rol. “Nëse jetoni në një qytet me nivele të larta ndotjeje, grimcat në ajër thithin rrezet UVB, të cilat zvogëlojnë aftësinë e trupit për të prodhuar vitaminë D”, thotë Holick.

    Trupi juaj prodhon më pak vitaminë D ndërsa plakeni

    Ndërsa plakeni, lëkura juaj e ka më të vështirë të prodhojë vitaminë D, edhe kur është e ekspozuar ndaj rrezeve të diellit, thotë Dr. Moseley. “Në kushte normale, rrezet UVB në lëkurë shkaktojnë një reaksion kimik që shndërron një përbërës të ngjashëm me kolesterolin të njohur si 7-DHC në vitaminë D,” shpjegon ajo.

    Keni një lëkurë më të errët

    Njerëzit me lëkurë më të errët kanë më shumë melaninë, substancën që i jep ngjyrë lëkurës, syve dhe flokëve të tyre. Melanina thith rrezet UV, të cilat ofrojnë njëfarë mbrojtjeje për lëkurën, por gjithashtu zvogëlon prodhimin e vitaminës D.

    Keni një sëmundje kronike ose po merrni ilaçe

    Disa gjendje mjekësore mund të “ndërhyjnë në thithjen e vitaminës D”, duke përfshirë sëmundjen celiake, çrregullimet e zorrëve ose kirurgjinë pas bariatrike, shpjegoi Dr. Khan. Sëmundja e mëlçisë yndyrore, cirroza ose dëmtimi kronik i mëlçisë mund të ndikojnë gjithashtu në nivelet e vitaminës D. “Mëlçia e shndërron vitaminën D në një formë të quajtur 25-hidroksivitaminë D”, shpjegoi Dr. Moseley.

  • Miss Austria vdes papritmas në moshën 22-vjeçare

    Miss Austria vdes papritmas në moshën 22-vjeçare

    Miss Austria Lucija Shisgiq , me origjinë nga Bosnjë e Hercegovina, ndërroi jetë papritur në moshën 22-vjeçare.

    Lajmi u raportua nga pothuajse të gjitha mediat austriake, ndërsa familjarët dhe shumë miq i thanë lamtumirën Lucijas, e cila jetonte në Vjenë.

    Lucija lindi dhe jetoi në Vjenë. Prindërit e saj vijnë nga Bosanska Posavina dhe, megjithëse Lucija u rrit në Austri, ajo shpesh theksonte lidhjen e saj me rajonin nga vijnë prindërit e saj.

    Šišić, siç raportohet nga Heute , vuante nga një defekt i rëndë në zemër, të cilin e zbuloi në një intervistë pasi fitoi titullin Miss Austria.

    “Javët sportive u mbajtën pa mua. Fëmijëria ime ishte thjesht ndryshe, por më bëri edhe më të fortë”, thoshte ajo.

  • Kurti: Nesër do të jemi në Kuvend, do të vazhdojmë bisedimet për zgjedhjen e Presidentit

    Kurti: Nesër do të jemi në Kuvend, do të vazhdojmë bisedimet për zgjedhjen e Presidentit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e pranishme në seancën e Kuvendit të Kosovës që është thirrur për nesër.

    “Nesër e kanë thirrë seancën e Kuvendit, do të jemi aty”, deklaroi Kurti.

    Ai tha se ndërkohë do të vazhdojnë takimet dhe bisedimet politike me synimin që të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit dhe të shmangen zgjedhjet e reja.

    “Vazhdojmë me takime e bisedime në mënyrë që ta zgjedhim Presidentin dhe të mos kemi nevojë t’i përsërisim zgjedhjet, që janë të paarsyeshme e të kushtueshme”, tha Kurti.

    I pyetur nëse do të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se është në komunikim të vazhdueshëm me aktorë të tjerë politikë.

    “Jam vazhdimisht në komunikim me të tjerët dhe besoj që duhet t’ua shtroni pyetjet atyre që thonë që do ta bojkotojnë zgjedhjen e Presidentit”, u shpreh Kurti.

    Deklaratat e Kurtit vijnë një ditë para seancës së Kuvendit, në një kohë kur partitë politike po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për konstituimin e institucioneve dhe shmangien e një tjetër procesi zgjedhor.

  • Tetë ditë para vendimit të Hagës, Kurti: Nuk kam asnjë informacion

    Tetë ditë para vendimit të Hagës, Kurti: Nuk kam asnjë informacion

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot është pyetur nga gazetarët nëse ka marrë informacione për vendimin që do të shpallet ndaj katër ish-krerëve të UÇK’së në Hagë.

    “Nuk kam asnjë informacion”, tha shkurt Kurti.

    Gjykata Speciale do të shpallë verdiktin më 16 shtator.