ATV

Blog

  • Xhelal Sveçla dënohet me burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Xhelal Sveçla dënohet me burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dënuar nga gjykata me një vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Sipas vendimit të gjykatës, Sveçlës i është caktuar dënimi prej një viti burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës së verifikimit prej një viti.

    Sveçla nuk ishte i pranishëm në seancë gjatë shpalljes së dënimit.

    Në seancën e sotme, prokurori ka deklaruar se Prokuroria qëndron prapa rrethanave rënduese dhe lehtësuese të paraqitura në fjalën përfundimtare më 28 gusht 2026.

    “Duke qenë se tanimë gjykata të pandehurin Xhelal Sveçla e ka shpallur fajtor për këtë vepër penale, duke pasur parasysh se neni 375 paragrafi 2 i KPRK-së parashihet për këtë vepër penale dënim me gjobë deri në 10 mijë euro dhe dënim me burg prej 1-10 vjet”, ka deklaruar prokurori.

    Prokuroria kishte kërkuar që Sveçla të dënohej me dy vjet burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.

    “Gjykatës i propozojmë që me rastin e dënimit të pandehurit Xhelal Sveçla t’i shqiptohet dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 2 vitesh dhe dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë euro”, ka thënë prokurori.

    Ndërkaq, mbrojtja ka deklaruar se nuk do të paraqesë propozime për dënimin, duke u bazuar në faktin se Sveçla nuk e ka pranuar fajësinë.

    “Duke u nisur nga fakti që i mbrojturi im nuk e ka pranuar fajësinë, ne nuk e shohim të arsyeshme që të paraqesim propozime apo të japim komente rreth rrethanave”, ka deklaruar avokati mbrojtës.

    Në fund, gjykata vendosi që Sveçla të dënohet me një vit burgim me kusht, duke mos e shqiptuar dënimin efektiv nëse brenda afatit të përcaktuar nuk kryen vepër tjetër penale.

  • IKD: Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye për vazhdimin e bllokadës

    IKD: Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye për vazhdimin e bllokadës

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar që seanca e Kuvendit të Kosovës e thirrur për 9 shtator të përfundojë me konstituimin e Kuvendit dhe t’i hapë rrugë funksionalizimit të institucioneve të vendit.

    Në një reagim të publikuar të martën, IKD e ka vlerësuar pozitive gatishmërinë e PDK-së dhe LDK-së për të marrë pjesë në seancë, duke theksuar se tashmë përgjegjësia e të gjithë deputetëve është që procesi të mos bllokohet sërish.

    Sipas IKD-së, afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit është tejkaluar dhe kjo përbën shkelje që duhet të konstatohet e të mos relativizohet. Megjithatë, instituti thekson se tejkalimi i këtij afati nuk mund të përdoret si arsye për të vazhduar bllokadën institucionale.

    IKD ka kritikuar veçanërisht veprimet dhe mosveprimet e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i bërë përgjegjës për pamundësimin e përfundimit të procesit brenda afatit kushtetues.

    “Shkelja që ka ndodhur nuk mund të përdoret për të prodhuar një bllokadë të re dhe potencialisht të pakufishme”, thuhet në reagimin e institutit.

    IKD vlerëson se, pavarësisht tejkalimit të afatit, kjo legjislaturë nuk e humb automatikisht të drejtën për të ushtruar kompetencat e saj kushtetuese. Për rrjedhojë, sipas institutit, ekziston rruga ligjore që Kuvendi të konstituohet dhe të vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit.

    IKD ka paralajmëruar se vazhdimi i bllokadës vetëm sa do ta thellonte krizën institucionale dhe do ta mbante vendin pa institucione funksionale.

    “Konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë dhe vendit duhet t’i hapet rruga për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në përfundim të reagimit.

    Sipas IKD-së, mbrojtja e Kushtetutës nuk nënkupton vazhdimin e një gjendjeje jofunksionale, por rikthimin e institucioneve në funksion dhe respektimin e detyrimeve kushtetuese.

  • Rama takon Shefin e ri të EULEX-it: Siguria, sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme, themel i kryeqytetit

    Rama takon Shefin e ri të EULEX-it: Siguria, sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme, themel i kryeqytetit

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur në takim Shefin e ri të Misionit të EULEX-it në Kosovë, Antero Lopes.

    Ai e uroi Lopesin për detyrën e re dhe i dëshiroi shumë sukses në misionin e tij.

    “Siguria, sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme janë themel i një Kryeqyteti që zhvillohet dhe ecën përpara”, thuhet në njoftimin e komunës së Prishtinës.

    Bëhet e ditur që gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit institucional, sfidat në fushën e sigurisë dhe angazhimin e përbashkët për një Prishtinë më të sigurt për të gjithë qytetarët.

    “Kryeqyteti do të vazhdojë të jetë partner i hapur dhe konstruktiv në forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit”.

  • Hapet pjesërisht për vizitorë Kalaja e Prizrenit

    Hapet pjesërisht për vizitorë Kalaja e Prizrenit

    Kalaja e Prizrenit është hapur për vizitorët nga data 7 shtator, ndërsa orari i vizitave nis nga ora 12:00.

    Megjithatë, Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se punimet në hapësirat e kalasë do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye, disa pjesë të hapësirës do të jenë të mbyllura për vizitorët.

    Vizitorët ftohen të respektojnë shenjat orientuese, si dhe kufizimet e vendosura në zonat ku po zhvillohen punimet, me qëllim të garantimit të sigurisë gjatë vizitës.

  • Dy burra ushtrojnë dhunë psiqike ndaj familjares në Malishevë

    Dy burra ushtrojnë dhunë psiqike ndaj familjares në Malishevë

    Një rast i dhunës në familje është raportuar më të dielën në Malishevë.

    Sipas raportimit, dy burra dyshohet se kanë ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa procedurat hetimore po vazhdojnë në procedurë të rregullt.

  • Prishtina 2030 tashmë ka identitetin e saj, historia dhe tradita fshihen pas logos së re

    Prishtina 2030 tashmë ka identitetin e saj, historia dhe tradita fshihen pas logos së re

    Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” tashmë kanë edhe simbolin e tyre zyrtar. Logoja, e krijuar nga dizajneri Dardan Luta, do të jetë një prej elementeve kryesore të identitetit të Kosovës gjatë organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive.

    Logoja u prezantua në Taranto, gjatë ceremonisë përmbyllëse të Lojërave Mesdhetare 2026, në një moment simbolik kur Kosova mori zyrtarisht stafetën për organizimin e edicionit të vitit 2030.

    Në pamje të parë, dizajni duket minimalist dhe i thjeshtë, por pas formave të tij fshihen disa referenca të lidhura ngushtë me Prishtinën, kulturën dhe historinë e Kosovës.

    Elementi qendror është vetë numri “2030”. Forma e tij e përmbysur është konceptuar si një referencë ndaj Hyjneshës në Fron, një prej simboleve më të njohura të kryeqytetit.

    Edhe numrat 2 dhe 3 kanë një funksion të dyfishtë. Përmes mënyrës se si janë vendosur, ato krijojnë forma që të kujtojnë shkronjat “P” dhe “R”, duke iu referuar drejtpërdrejt emrit të Prishtinës.

    Në dy zerot e logos është integruar një tjetër element i trashëgimisë shqiptare. Format e tyre janë frymëzuar nga motivet tradicionale të qilimave shqiptarë, duke i dhënë dizajnit një karakter të veçantë kulturor.

    Jo më pak domethënëse është edhe tipografia. Ajo është bazuar në anatominë e alfabetit latin-romak të zbuluar në Ulpianë, duke krijuar një lidhje mes identitetit modern të Lojërave dhe historisë së lashtë të Kosovës e Dardanisë.

    Kështu, një simbol në dukje minimalist është ndërtuar mbi disa shtresa kuptimore: Prishtina, trashëgimia kulturore, historia dhe sporti janë ndërthurur në një identitet të vetëm vizual.

    Kjo ishte edhe një prej kërkesave kryesore të konkursit për krijimin e logos, e cila duhej të ishte origjinale, e qartë, e dallueshme, lehtësisht e mbajtshme në mend dhe funksionale në madhësi e formate të ndryshme.

    Logoja është konceptuar për t’u përdorur shumë përtej materialeve promocionale. Ajo do të shfaqet në fanella, stadiume, dokumente zyrtare, materiale reklamuese, transport dhe hapësira publike, si dhe në qytetet ku do të zhvillohen garat e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

    Një tjetër veçori e këtij identiteti është pritja e parë publike. Krahasuar me disa projekte të mëparshme të identitetit vizual në Kosovë, të cilat kanë shkaktuar debate të shumta, logoja e “Prishtina 2030” është pritur dukshëm më pozitivisht.

    Ndoshta pikërisht sepse arrin të bëjë një kompromis mes modernes dhe tradicionales: vizualisht është e pastër dhe bashkëkohore, ndërsa në përmbajtje bart simbole që lidhen me Prishtinën, kulturën shqiptare dhe historinë e Kosovës.

    Në fund, logoja e Dardan Lutës nuk është thjesht një kombinim numrash për të shënuar vitin 2030. Ajo është konceptuar si një rrëfim vizual për qytetin dhe vendin që do të presë Lojërat Mesdhetare – një identitet që synon ta përfaqësojë Kosovën para mijëra sportistëve dhe miliona shikuesve nga rajoni e më gjerë.

    Prishtina 2030 kështu nuk ka marrë vetëm një logo, por një simbol që synon ta tregojë historinë e saj në një gjuhë moderne.

  • Kosova dhe Shqipëria promovojnë kulturën në Embassy Festival në Hagë

    Kosova dhe Shqipëria promovojnë kulturën në Embassy Festival në Hagë

    Ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë në Holandë kanë marrë pjesë së bashku në “Embassy Festival 2026” në Hagë, ku kanë promovuar kulturën, traditat dhe mikpritjen shqiptare.

    Sipas Ambasadës së Kosovës në Hagë, në pavijonin e përbashkët u prezantuan gatime tradicionale, verëra vendore, si dhe muzikë e valle tradicionale shqiptare.

    Gjatë festivalit, vizitorët patën mundësi të mësonin më shumë për kulturën dhe turizmin e Kosovës, si dhe të shijonin ushqime tradicionale dhe produkte vendore.

    Në kuadër të programit artistik “Folk in Motion”, Ansambli “Dardanet” dhe Hajrjie Preniqi Gashi performuan valle dhe melodi tradicionale shqiptare të Kosovës.

    Ambasada e Kosovës në Hagë ka falënderuar ambasadorët, komunitetin diplomatik, si dhe të gjithë vizitorët që morën pjesë në festival dhe vizituan pavijonin e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë.

  • Fury trondit me deklaratën për Joshuan: Po tërhiqet, më pas sfidon Usykun

    Fury trondit me deklaratën për Joshuan: Po tërhiqet, më pas sfidon Usykun

    Tyson Fury ka hedhur benzinë mbi një prej dueleve më të shumëpritura të boksit, duke pretenduar se Anthony Joshua po tërhiqet nga përballja e planifikuar mes dy yjeve britanikë.

    “Gypsy King” nuk u ndal me kaq. Nëse dueli me Joshuan nuk realizohet, Fury ka bërë të qartë se synimi i tij i radhës është Oleksandr Usyk, të cilin e ka sfiduar publikisht për një përballje të tretë.

    Fury dhe Joshua kanë qenë prej kohësh në bisedime për një duel mes dy ish-kampionëve të botës në peshat e rënda. Përballja është përfolur për muajin nëntor, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për vendin ku do të zhvillohet.

    Fury, i cili nuk e ka fshehur zhgënjimin për vonesat në finalizimin e marrëveshjes, kishte sulmuar Joshuan edhe javën e kaluar, duke e cilësuar atë si “frikacak”.

    Në një video të publikuar në Instagram, 38-vjeçari pretendoi se Joshua po i shmanget përballjes dhe menjëherë e ktheu vëmendjen te rivali i tij ukrainas.

    “E gjithë kjo vetëm do të më çojë drejt një përballjeje me Oleksandr Usykun. Oleksandr, ti je trajneri dhe mentori i tij. E di se ai ka mentalitet të dobët dhe nuk do të përballej kurrë me ‘Gypsy King’, ndërsa ti ke pasur guximin të luftosh me mua dy herë”, deklaroi Fury.

    Britaniku më pas iu referua dy humbjeve të tij ndaj Usykut dhe i bëri ukrainasit një ftesë të drejtpërdrejtë për një trilogji.

    “Herën e fundit vendimet ishin në favorin tënd. Të lumtë. Të uroj fat dhe le ta bëjmë përsëri. Le ta përsërisim në nëntor”.

    “Topi është në fushën tënde. A dëshiron të luftosh me mua këtë vit, në 2026, apo po e lë fare? Më njofto, sepse tani jam duke kërkuar një kundërshtar të ri”, shtoi ai.

    Fury është mposhtur dy herë nga Usyk, i cili gjatë karrierës së tij ka arritur të shpallet dy herë kampion i padiskutueshëm i botës në kategorinë e peshave të rënda.

    Në anën tjetër, Joshua së fundmi ka punuar me ekipin ukrainas të stërvitjes që ka bashkëpunuar edhe me Usykun, një detaj që e bën edhe më pikante deklaratën e Furyt.

    Sa i përket duelit Fury–Joshua, Madison Square Garden në New York është përmendur si një prej opsioneve kryesore për organizimin e tij. Megjithatë, kampi i Joshuas preferon që përballja të zhvillohet në Wembley Stadium.

    Kompania saudite Sela, e cila raportohet se po financon eventin, së bashku me transmetuesin Netflix, thuhet se favorizojnë zhvillimin e duelit në Shtetet e Bashkuara.

    Tani vëmendja është kthyer te negociatat. Nëse Fury–Joshua merr dritën jeshile për nëntor, fansat do të shohin më në fund një duel që është kërkuar prej vitesh. Në të kundërt, “Gypsy King” tashmë e ka bërë të qartë alternativën e tij: një kapitull të tretë me Usykun.

  • Rahoveci 029 merr dritën jeshile për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026

    Rahoveci 029 merr dritën jeshile për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026

    Federata e Basketbollit të Kosovës ka miratuar me kusht aplikimin e KB Rahoveci 029 për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026.

    Sipas vendimit të Bordit të FBK-së, edicioni i ardhshëm i kësaj gare do të zhvillohet në palestrën sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.

    Megjithatë, për organizimin e eventit, klubi rahovecian duhet të përmbushë një sërë kriteresh të përcaktuara nga Federata. Rahoveci 029 është obliguar të garantojë përmbushjen e kërkesave organizative, teknike dhe të sigurisë, si dhe të gjitha detyrimet financiare që burojnë nga organizimi i Superkupës.

    Një çështje tjetër që do të rregullohet me marrëveshje është administrimi dhe destinimi i të hyrave nga shitja online e biletave. Këto detaje do të përcaktohen në kontratën që do të nënshkruhet ndërmjet FBK-së dhe klubit organizator.

    Në kuadër të vendimit, Bordi i Federatës ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të FBK-së që të lidhë kontratën për organizimin e Superkupës së Kosovës 2026 me KB Rahoveci 029.

    Kështu, Rahoveci pritet të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme të basketbollit kosovar në vitin 2026.

  • Hat-triku që i solli fitoren Malishevës, Vusal Isgandarli shpallet “Ylli i Javës”

    Hat-triku që i solli fitoren Malishevës, Vusal Isgandarli shpallet “Ylli i Javës”

    Vusal Isgandarli ka marrë vlerësimin “Ylli i Javës” për xhiron e katërt të Albi Mall Superligës së Kosovës, pas një paraqitjeje fantastike me fanellën e FC Malisheva.

    Sulmuesi ishte protagonisti kryesor në fitoren 3:1 të Malishevës ndaj SC Gjilanit, duke realizuar të tre golat e skuadrës së tij dhe duke i siguruar tri pikët ekipit që aktualisht kryeson tabelën e kampionatit.

    Hat-triku i Isgandarli-t ishte vendimtar në këtë sukses, ndërsa paraqitja e tij individuale është shpërblyer me çmimin tradicional “Ylli i Javës”.

    Ky vlerësim ndahet nga Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, dhe i dedikohet futbollistit më të dalluar të secilës xhiro.

    Përzgjedhja e fituesit të këtij çmimi bëhet nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili këtë herë vendosi që mirënjohja t’i takojë sulmuesit të Malishevës.

    Me tre golat e tij ndaj Gjilanit, Isgandarli jo vetëm që udhëhoqi ekipin drejt fitores, por u shndërrua edhe në figurën kryesore të xhiros së katërt në elitën e futbollit kosovar.