ATV

Blog

  • Lushaku e LDK-së: PISA 2025, turpi qeveritar!

    Lushaku e LDK-së: PISA 2025, turpi qeveritar!

    Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku ka komentuar publikimin e fundit të PISA’së, e cila Kosovën e rendit thuajse në fund.

    Sipas saj, rezultatet e PISA 2025 tregojnë se 3 nga 4 nxënës të Kosovës nuk e arrijnë nivelin bazë në matematikë, lexim dhe shkencë.

    Postimi i plotë:

    PISA 2025, TURPI QEVERITAR

    Sot u publikuan rezultatet e Testit të PISA-s 2025, që janë shqetësuese jo vetëm për faktin se Kosova vazhdon të jetë në fund të tabelës, por për mospërmirësimin e njohurive të nxënësve tanë në dhjetë vitet e kaluara. Duhet të na alarmojë ajo që fshihet pas këtyre numrave!

    Rezultatet e PISA 2025 tregojnë se 3 nga 4 nxënës të Kosovës nuk e arrijnë nivelin bazë në matematikë, lexim dhe shkencë.

    Mendoni pak çfarë do të thotë kjo!

  • Singapori i rikthehet librit, qytetarët nxiten të lexojnë 15 minuta në ditë

    Singapori i rikthehet librit, qytetarët nxiten të lexojnë 15 minuta në ditë

    Singapori ka nisur një lëvizje të re kombëtare që synon të forcojë kulturën e leximit, duke i nxitur qytetarët të lexojnë të paktën 15 minuta çdo ditë. Nisma pesëvjeçare, e quajtur “ReadSG”, u lansua më 6 shtator nga National Library Board (NLB).

    Një nga programet kryesore është “ReadSG Challenge”, përmes së cilës pjesëmarrësit mund të regjistrojnë kohën e përditshme të leximit, të vendosin objektiva personale dhe të fitojnë shpërblime virtuale. Platforma përfshin edhe seri ditore leximi, pikë eksperience dhe monedha virtuale që mund të përdoren për shpërblime.

    Sfida do të pilotohet nga 6 shtatori deri më 31 dhjetor, ndërsa veçori të reja pritet të shtohen në bazë të reagimeve të përdoruesve. NLB synon që deri në shtator 2027, në këtë sfidë të marrin pjesë rreth 150 mijë persona.

    Presidenti i Singaporit, Tharman Shanmugaratnam, i cili është patron i “ReadSG”, mori pjesë në ceremoninë e lançimit në National Library Building në Bugis. Duke shpjeguar vendimin për ta mbështetur lëvizjen për pesë vjet, ai theksoi se krijimi i zakoneve kërkon kohë.

    “Pesë vjet në fakt nuk janë shumë gjatë, por shpresojmë që pas pesë vitesh të shohim diçka ndryshe në zakonet tona”, tha ai.

    Sipas NLB-së, qëllimi i “ReadSG” është të ndihmojë qytetarët të ndërtojnë zakone të qëndrueshme leximi përmes hapave të vegjël dhe të arritshëm. Drejtoresha ekzekutive e institucionit, Melissa Tam, tha se nisma vjen në një kohë kur njerëzit kanë qasje në një sasi të jashtëzakonshme informacioni dhe përmbajtjeje, por mund të kenë më pak kohë për t’u përqendruar thellësisht në atë që lexojnë.

    Ajo vuri në dukje se leximi i rregullt i teksteve të gjata ndihmon në zhvillimin e mendimit kritik, imagjinatës, empatisë dhe përqendrimit.

    “Zakonet ndërtohen përmes veprimeve të vogla dhe të qëndrueshme. Prandaj, po fillojmë me një objektiv të thjeshtë – vetëm 15 minuta lexim në ditë. Në autobus, para gjumit ose gjatë drekës”, tha Tam.

    Një tjetër nismë e “ReadSG”, “Get It Now”, do t’u mundësojë përdoruesve të Libby-t të lexojnë një titull të përzgjedhur pa radhë pritjeje, të premten e parë të çdo muaji deri në mars 2027.

    Lëvizja përkon edhe me fillimin e “National Reading Month”, që do të zhvillohet çdo shtator dhe do të sjellë aktivitete të ndryshme të lidhura me librin në bibliotekat e Singaporit.

    Leximi i regjistruar gjatë muajit shtator do të kontribuojë gjithashtu në fushatën bamirëse “Read for Good”. Nisma synon që gjatë vitit 2026 të arrijë 7.5 milionë minuta leximi dhe të mbledhë deri në 150 mijë dollarë për komunitetet në nevojë.

    Nga 6 shtatori deri më 7 tetor, çdo 15 minuta lexim i regjistruar në ditë do të kontribuojë në këtë përpjekje. NLB synon që fondet të ndihmojnë rreth 10 mijë persona përmes mbështetjes për fëmijët dhe komunitetet më pak të privilegjuara, duke siguruar materiale leximi dhe mësimi, si dhe libra të dhuruar nga sponsorët.

    “ReadSG” mbështetet nga më shumë se 40 partnerë dhe përfaqësues të institucioneve, përfshirë agjenci shtetërore, Ministrinë e Arsimit, Këshillin Kombëtar të Arteve, Shoqatën e Botuesve të Librit të Singaporit, SPH Media dhe Mediacorp.

    Lëvizja synon të përfshijë të gjitha grupmoshat. Për fëmijët, institucionet theksojnë rëndësinë e leximit të hershëm për zhvillimin e vëmendjes, kureshtjes dhe imagjinatës, ndërsa për të moshuarit parashikohet përfshirje përmes qendrave të ndryshme të aktivitetit dhe plakjes aktive.

    Mes aktiviteteve të tjera të “ReadSG” janë “Readers Assemble: A Marvel Festival”, “Time of Your Life Celebration” dhe “A Book A Day”.

    “Kjo është një lëvizje kombëtare shumëvjeçare për leximin dhe ne po mendojmë afatgjatë. Jo vetëm për librin e parë që dikush zgjedh, por për atë se si do të duket jeta pesë vjet më vonë, kur leximi të jetë bërë një pjesë e natyrshme dhe domethënëse e përditshmërisë”, tha Tam.

  • Renditja në PISA, Sejdiu: Pas 6 vitesh qeverisje, fëmijët tanë me rezultatet më të dobëta – kaq për “ndryshimin”

    Renditja në PISA, Sejdiu: Pas 6 vitesh qeverisje, fëmijët tanë me rezultatet më të dobëta – kaq për “ndryshimin”

    Analisti Dardan Sejdiu ka thënë se pas gjashtë viteve qeverisje të Albin Kurtit, fëmijët e Kosovës po dalin me rezultate edhe më të dobëta në testin PISA.

    Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se “pas gjashtë vitesh nuk mundesh me tregu më kush e la keq”.

    “Pas gjashte vjetesh qeverisje, femijet tane po dalin me rezultate me te dobeta. Kaq per “ndryshimin”. Sepse pas gjashte vjetesh nuk mundesh me tregu ma kush e la keq. Qeverisja matet me ate qe e ke bo ma mire. “Bota ka ec. Na kemi ngec.” – Po te ishte dikush tjeter ne pushtet, ky do te ishte slogani”, ka shkruar ai.

    Theksojmë se sipas rezultateve që u bënë publike sot, nxënësit nga Kosova sërish janë renditur në fund të listës së PISA.

  • UEFA ndryshon rregullat në UCL, Gjyqtari në qendër, VAR-i me më pak ndërhyrje

    UEFA ndryshon rregullat në UCL, Gjyqtari në qendër, VAR-i me më pak ndërhyrje

    Liga e Kampionëve rikthehet me ndryshime të rëndësishme në gjykimin e ndeshjeve dhe përdorimin e VAR-it.

    UEFA ka prezantuar direktiva të reja, duke rikthyer gjyqtarin kryesor në qendër të vendimmarrjes. Sipas shefit të gjyqtarëve të UEFA-s, Roberto Rosetti, vendimet duhet të merren fillimisht në fushë, ndërsa VAR-i duhet të ndërhyjë vetëm kur ka një gabim të qartë dhe të rëndësishëm.

    Një tjetër objektiv është që kontrollet e VAR-it të jenë më të shpejta dhe të mos shkaktojnë vonesa të panevojshme. Teknologjia mund të përdoret edhe për korrigjimin e identitetit të lojtarit të ndëshkuar gabimisht, ndërsa në raste të caktuara mund të rishikohet edhe një karton i dytë i verdhë i dhënë gabimisht.

    VAR-i mund të ndërhyjë gjithashtu për faulle pa top, nëse ato ndikojnë drejtpërdrejt në një gol, penallti apo vendim tjetër të rëndësishëm.

    UEFA kërkon më shumë uniformitet edhe në rastet e prekjeve me dorë në zonë, për të shmangur interpretime të ndryshme.

    Ndryshime ka edhe në ritmin e lojës. Lojtarët që zëvendësohen duhet të largohen nga fusha brenda 10 sekondash, ndërsa vonesat në rivëniet nga porta apo goditjet e këndit mund të sjellin ndëshkime dhe ndryshim të zotërimit.

    Ndërkohë, UEFA nuk do të aplikojë automatikisht “ligjin Prestianni” për mbulimin e gojës gjatë komunikimit. Por sjellja antisportive mund të ndëshkohet.

    Në fund, vetëm kapiteni pritet të komunikojë me gjyqtarin për vendimet, ndërsa protestat e lojtarëve të tjerë mund të ndëshkohen me karton të verdhë.

    Mesazhi i UEFA-s për sezonin e ri është i qartë: më shumë autoritet për gjyqtarin në fushë dhe një VAR që korrigjon gabimet, por nuk merr kontrollin e ndeshjes.

  • Para zyrës së Speciales në Prishtinë kërkohet lirimi i katërshes së UÇK-së

    Para zyrës së Speciales në Prishtinë kërkohet lirimi i katërshes së UÇK-së

    Tetë ditë para se të shpallet vendimi për katërshen e UÇK-së në Hagë, aktivistë të organizatës “Liria ka Emër” kanë kërkuar lirimin e tyre në një aktivitet simbolik të zhvilluar para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara.

    “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm”, thuhej në banerin që mbante figurat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka deklaruar se nuk asnjë informacion se çfarë vendimi është marrë në Gjykatën Speciale.

    Katërshja e UÇK-së është në pritje të aktgjykimit lidhur me këtë rast, i cili do të shpallet në seancë publike më 16 shtator.

    Vetëm në vitin 2025 janë organizuar pesë protesta në mbështetje të UÇK-së. Ndërsa, dy të tjera u mbajtën gjatë këtij viti.

    Më 12 shtator do të mbahet një protestë tjetër në Prishtinë për të kërkuar vendim lirues për katërshen e UÇK-së.

  • Hoti kërkon konventë të LDK-së: Na duhet një pajtim i madh

    Hoti kërkon konventë të LDK-së: Na duhet një pajtim i madh

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbajtjen e një konvente të madhe të LDK-së, përmes së cilës, sipas tij, partia duhet të qartësojë rrugën e saj politike dhe të rikthejë besimin e brendshëm.

    Hoti ka thënë se në këtë konventë duhet të përfshihen të gjitha strukturat e LDK-së.

    “LDK-ja ka nevojë urgjente për një konventë të madhe, për një pajtim të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara”, ka shkruar Hoti.

    Sipas tij, konventa duhet të shërbejë si një moment i ri për partinë dhe të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.

    “Konventa duhet të jetë një bashkim i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Hoti.

    Ai ka theksuar se rikthimi i besimit brenda partisë është kusht për unitet dhe punë ekipore.

    “Mbi të gjitha, konventa duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore”, ka shkruar ai.

    Hoti ka bërë të ditur se do të angazhohet për këtë proces, duke thënë se vetëm një LDK e bashkuar mund të rikthejë besimin e qytetarëve.

  • Eduard Kuçi mohoi dhunën, Policia e shpall në kërkim për moskallëzim krimi

    Eduard Kuçi mohoi dhunën, Policia e shpall në kërkim për moskallëzim krimi

    Një tjetër zhvillim është bërë publik lidhur me ngjarjen ku këngëtari Jozefin Marku dhe shoferi i tij, Kristjan Nikolli, janë arrestuar nga Policia.

    Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe rolin e personave të përfshirë.

    Ndërkohë, Eduard Kuçi, i cili dyshohet se është sulmuar, është shpallur në kërkim policor për moskallëzim krimi.

    Detajet e reja janë bërë publike nga gazetarja Anila Hoxha gjatë emisionit “Breaking” me Fjori Dardhën në Top News.

    “Prokurori i çështjes, Françesk Galaj, i ka kërkuar gjykatës arrest me burg. Ende nuk është caktuar ora e seancës për dy të arrestuarit, Jozefin Marku dhe Kristjan Nikolli. Eduard Kuçi nuk e ka kallëzuar krimin, në polici ka thënë se ka qenë një konflikt i thjeshtë për shkak të bllokimit të rrugës me makinë.

    Më pas policia ka konfirmuar dhe ka bërë verifikimet e nevojshme, ka ngritur akuzën e moskallëzimit të krimit për Kuçin dhe e ka vënë në kërkim policor. Më pas, Marku është thirrur në polici, por ai nuk ka pranuar. Pas arrestimit ka thënë se është mërzitur që Kuçi e ka ofenduar në rrjetet sociale.

    Prokuroria ka ngritur disa akuza ndaj tij dhe Kristjan Nikolli. Kuçi nuk ka bërë denoncim dhe është një hetim i nisur nga ana e policisë. Kuçi është në kërkim policor, që ndryshon nga kërkimi nga ana e gjykatës apo prokurorisë. Ai kërkohet të japë sqarime për ngjarjen.

    Prokurori ka kërkuar akt-ekspertimi për të kuptuar nëse ka dëme trupore ndaj viktimës së sulmit. Po hetohet gjithashtu për përdorimin e simboleve të policisë së shtetit. Pika më e fortë e mbrojtjes së Markut do të jetë fakti që Kuçi nuk ka bërë denoncim”, u shpreh Anila Hoxha.

  • Xiaomi nuk ndalet te telefonat, në 2027 sjell veturat elektrike

    Xiaomi nuk ndalet te telefonat, në 2027 sjell veturat elektrike

    Xiaomi po synon të shkojë përtej telefonave inteligjentë.

    Në panairin IFA 2026 në Berlin, kompania kineze prezantoi planet për të sjellë makinat e saj elektrike në Evropë në vitin 2027.

    Kompania tashmë shet automjete elektrike në Kinë dhe tani synon të zgjerohet në tregun evropian.

    Por ambicia e Xiaomi nuk kufizohet vetëm te shitja e makinave.

    Në qendër të strategjisë së saj është ekosistemi “Human x Car x Home”, që synon të lidhë telefonat, automjetet dhe pajisjet inteligjente të shtëpisë në një sistem të vetëm.

    Në prezantimin në IFA, Xiaomi tregoi se përdoruesit mund të kontrollojnë nga makina pajisje të ndryshme në shtëpi, si kondicionerin apo perdet inteligjente.

    Kompania synon që Al dhe sistemi HyperOS të mundësojnë një koordinim më të avancuar mes makinës, telefonit dhe shtëpisë.

    Xiaomi prezantoi gjithashtu konceptin elektrik Vision Gran Turismo, një hiper-makinë futuriste e krijuar për serinë e lojërave Gran Turismo.

    Megjithatë, ky model mbetet vetëm një koncept.

    Për hyrjen në tregun evropian, Xiaomi ka nënshkruar marrëveshje me tetë grupe gjermane të shitjes së automjeteve, ndërsa Gjermania pritet të jetë vetëm pika e parë e zgjerimit në Evropë.

    Kompania ka njoftuar gjithashtu se planifikon të investojë më shumë se 24 miliardë euro në kërkim dhe zhvillim globalisht gjatë viteve 2026–2030, në fusha si Al, automjetet inteligjente, robotika, gjysmëpërçuesit dhe prodhimi i avancuar.

  • Audi rikthen legjendën A2, vetura e vogël elektrike premton deri në 645 kilometra autonomi

    Audi rikthen legjendën A2, vetura e vogël elektrike premton deri në 645 kilometra autonomi

    Më shumë se dy dekada pas largimit nga tregu, Audi A2 rikthehet – këtë herë si një makinë tërësisht elektrike dhe me një autonomi mbresëlënëse.

    Prodhuesi gjerman ka prezantuar A2 E-Tron, modelin që synon të rikthejë në jetë emrin e njohur, por duke e përshtatur atë me epokën e automjeteve elektrike.

    A2 E-Tron pritet të mbërrijë në tregun evropian në fund të vitit 2026, ndërsa për momentin nuk pritet të ofrohet në Shtetet e Bashkuara, transmeton Telegrafi.

    Një prej pikave më të forta të modelit është autonomia. Versioni më efikas, me baterinë 84 kWh dhe motorin 228 kuaj fuqi, premton deri në 401 milje, ose rreth 645 kilometra sipas ciklit WLTP.

    Audi e ka projektuar A2 E-Tron duke vendosur në qendër aerodinamikën. Automjeti ka një koeficient rezistence prej vetëm 0.24, që sipas kompanisë e bën atë modelin kompakt më aerodinamik në gamën e saj.

    Për këtë rezultat janë përdorur një pjesë e poshtme pothuajse tërësisht e mbyllur, hyrje aktive të ajrit në pjesën e përparme, harqe rrotash të optimizuara dhe disqe të projektuara posaçërisht për të reduktuar turbulencat.

    Modeli ka një gjatësi prej rreth 4.32 metrash, por Audi premton hapësirë të brendshme të krahasueshme me automjete më të mëdha. Bagazhi ofron rreth 397 litra hapësirë, ndërsa me sediljet e pasme të palosura kapaciteti rritet në rreth 1,336 litra.

    Në brendësi, Audi ka shtuar edhe sistemin Fidlock, i cili përdor magnete dhe mekanizëm mekanik për të fiksuar aksesorë si mbajtëse gotash dhe çanta.

    A2 E-Tron do të ofrohet me katër nivele fuqie: 168, 187, 228 dhe 322 kuaj fuqi, të gjitha me motorë elektrikë sinkronë me magnet të përhershëm dhe me fuqinë të dërguar në rrotat e pasme.

    Versioni më i fuqishëm përshpejton nga 0 në 100 km/h për vetëm 5.7 sekonda dhe arrin shpejtësinë maksimale prej rreth 200 km/h.

    Audi ofron tre madhësi baterish: 52, 61 dhe 84 kWh. Në varësi të konfigurimit, autonomia shkon nga rreth 423 kilometra deri në 645 kilometra WLTP.

    Karikimi i shpejtë DC arrin deri në 183 kW, ndërsa karikimi nga 10 në 80 për qind kërkon rreth 24–29 minuta, në varësi të versionit.

    Një tjetër veçori interesante është mundësia e karikimit dydrejtimësh. A2 E-Tron mund të përdoret si burim energjie për pajisje të jashtme përmes Vehicle-to-Load (V2L), ndërsa në tregjet ku mbështetet teknologjia, mund të furnizojë me energji edhe një shtëpi përmes Vehicle-to-Home (V2H).

    Çmimi fillestar në Gjermani është rreth 38,350 euro për versionin me 168 kuaj fuqi dhe baterinë 52 kWh. Versionet më të fuqishme dhe më të pajisura do të kalojnë pragun e 50 mijë eurove.

    Me A2 E-Tron, Audi po rikthen një prej emrave më të pazakontë të historisë së saj, por këtë herë me një mision krejt tjetër: të ofrojë një automjet kompakt, praktik dhe aerodinamik, me autonomi që rivalizon shumë makina elektrike dukshëm më të mëdha.

  • “Sapo jam sulmuar në Rahovec nga 3 veta”, Labinot Rexha përfundon në emergjencë

    “Sapo jam sulmuar në Rahovec nga 3 veta”, Labinot Rexha përfundon në emergjencë

    Këngëtari dhe ish-banori i Big Brother VIP Kosova 4, Labinot Rexha, ka bërë të ditur përmes një postimi në Instagram se është sulmuar nga tre persona në Rahovec.

    “Sapo jam sulmuar në Rahovec nga 3 veta”, ka shkruar Rexha, pa dhënë fillimisht detaje të tjera rreth incidentit.

    Sipas informacioneve të siguruara nga Prive By Liberta Spahiu, ngjarja dyshohet se lidhet me një konflikt të kahershëm mes palëve.

    Bëhet fjalë për një mosmarrëveshje me fqinjët, e cila lidhet me një çështje pronësore dhe një tokë.

    Pas sulmit, Labinot Rexha ka përfunduar në Emergjencë, ku ka marrë trajtim dhe i është nënshtruar kontrolleve mjekësore.

    Deri tani nuk ka të dhëna të tjera zyrtare për shkallën e lëndimeve apo për zhvillimet e mëtejshme lidhur me rastin.