ATV

Blog

  • Parashikimi i motit për sot, temperaturat shkojnë deri në 26°C

    Parashikimi i motit për sot, temperaturat shkojnë deri në 26°C

    Sot parashikohet të mbajë mot me diell në pjesën e parë të ditës, ndërsa më pas priten vranësira të pakta të shtresave të larta.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugperëndimit, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, konkretisht në regjionin e Gjakovës, me shpejtësi prej 15-48 km/h.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje të mëtejshme, me minimale që do të lëvizin prej 3 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 24 deri në 26°C.

  • “Trepça” largon nga puna 3 punëtorë pas vjedhjes së trafove, kishin përgjegjësi për t’i ruajtur

    “Trepça” largon nga puna 3 punëtorë pas vjedhjes së trafove, kishin përgjegjësi për t’i ruajtur

    Ndërmarrja publike Trepça Sh.A. ka njoftuar largimin e përkohshëm nga puna të tre punonjësve, pas dy rasteve të raportuara të vjedhjes së trafove gjatë shkurtit dhe majit të vitit 2026.

    Sipas njoftimit, vendimi është marrë nga Kryeshefi Ekzekutiv dhe bazohet në raportet që lidhen me dëme materiale dhe shkelje të rëndë të detyrave të punës gjatë ndërrimeve përkatëse.

    Njoftimi:

    Me datën 04.05.2026, Kryeshefi Ekzekutiv ka nxjerrë Vendimin nr. prot. 3814 për largimin e përkohshëm nga puna të punonjësve

    1. z. M.U.,
    2. z. K.K. dhe
    3. z. S.M.

    Vendimi është bazuar në raportet përkatëse, sipas të cilave gjatë ushtrimit të detyrës kanë ndodhur dy raste vjedhjeje (10.02.2026 dhe 01.05.2026), ku janë shkaktuar dëme materiale, përfshirë kabllo elektrike, komponente dhe pjesë të trafove.

    Nga shqyrtimi i rasteve rezulton se ngjarjet kanë ndodhur gjatë kohës kur punonjësit në fjalë kanë qenë në ndërrim, duke bartur përgjegjësi për mbikëqyrjen dhe sigurinë e aseteve.

    Këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të detyrave të punës dhe cenim të disiplinës në vendin e punës.

  • Lezha vendos çmimin e plazheve, 3 euro në ato publike dhe deri në 20 euro te privatët

    Lezha vendos çmimin e plazheve, 3 euro në ato publike dhe deri në 20 euro te privatët

    Për të qëndruar në plazhet publike edhe në Lezhë qytetarët do të duhet të paguajnë për çadra dhe shezlongë nga 300 lekë (3 euro).

    Po ashtu këshilli bashkiak ka miratuar me shumicë votash vendimin për të përcaktuar çmime të diferencuara sipas zonës dhe nivelit të shërbimit, që shkon deri në 2000 lekë (20 euro) në plazhet private.

    Sipas kryetarit të bashkisë, Pjerin Ndreu, unifikimi i tarifave synon gjithashtu të shmangë abuzimet e konstatuara në sezonet e mëparshme, duke vendosur rregulla të qarta edhe për strukturat hoteliere që operojnë në vijën bregdetare.

    Ndërkohë, përfaqësues të opozitës në këshill, i cilësuan tarifat të larta, duke argumentuar se ato mund të rëndojnë mbi buxhetin e pushuesve.

    Pavarësisht debatit, autoritetet lokale bëjnë me dije se 30% e hapësirës përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit dhe Tales do të mbetet pa pagesë, duke garantuar akses për të gjithë qytetarët, përfshirë ata me mundësi më të kufizuara ekonomike./Top Channel

  • Çitaku ia mbyll derën Limajt: Nuk është çështje fare përfshirja e tij në listën e PDK-së

    Çitaku ia mbyll derën Limajt: Nuk është çështje fare përfshirja e tij në listën e PDK-së

    Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ia ka mbyllur derën mundësisë për përfshirjen e kryetarit të Nsimsës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në listë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

    Çitaku tha në Frontal në T7 se synimi i PDK-së është që të bëjnë “një listë sa më gjithpërfshirëse”. Në këtë pikë, ajo tha skena politike ka nevojë për figura të reja.

    “Synimi ynë është që ta bëjmë një listë sa më gjithpërfshirëse… Unë po besoj që skena politike në Kosovë ka nevojë për figura të reja, ka nevojë për personalitete të reja. Shumë prej nesh – po e fus edhe veten këtu – kemi një jetë të tërë në politikë. Nuk është diskutuar fare çështja e zotit Limaj dhe nuk pres që të ketë një epilog ndryshe nga ai që ishte në zgjedhjet e fundit”, tha ajo.

    Çështja e përfshirjes së Limajt në listë, Çitaku tha se diskutohet nëpër studio televizive, por në strukturat drejtuese të partisë, tha se “nuk është çështje fare”.

  • Është marrë vendim që të rritet për 10 euro pagesa për komisionerë e vëzhgues

    Është marrë vendim që të rritet për 10 euro pagesa për komisionerë e vëzhgues

    Anëtari në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka thënë se krahas organizimit të një procesi sa më të mirë zgjedhor është marrë vendim edhe që të rritet për 10 euro pagesa për të gjithë ata që angazhohen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

    Krasniqi në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë po ashtu se kjo vlen për secilin prej funksioneve që ka të bëjë me Këshillet e Vendvotimit, që nënkupton komisionerë e vëzhgues.

    Anëtari i LVV-së në KQZ ka deklaruar po ashtu se në buxhetin e paraparë për një proces zgjedhor, 60 për qind e buxhetit parashihen për pagesat e të angazhuarve në zgjedhje.

    “Ne kemi marrë një masë shtesë, duke e parë nivelin e jetesës në vazhdimësi, e kemi peshuar pagesën e tyre kundrejt standardeve, ne e kemi rritur për 10 euro secilin prej funksioneve që ka të bëjë me Këshillet e Vendvotimit dhe vetë numëruesit. Pagesa është për të mbuluar shpenzimet e tyre për këtë proces por për kah rëndësia s’ka mjete që mund ta vlerësojnë këtë proces. Në planifikimin buxhetor, 60% janë të parapara për paga dhe pagesa të tjera që kanë të bëjnë për trupa zgjedhore që përfshihen gjatë këtij procesi”, ka thënë Krasniqi.

    Për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, KQZ-ja ka planifikuar gati 11 milionë euro shpenzime për organizim.

    Në mbledhjen që KQZ-ja e mbajti më 1 maj ka miratuar edhe planin e aktiviteteve. Bazuar në të, fushata zgjedhore e partive politike do të zgjasë 10 ditë, duke nisur nga 28 maji e deri më 7 qershor në orën 7:00 kur edhe hapen vendvotimet.

  • Michael Carrick udhëhoqi Manchester United në Ligën e Kampionëve dhe ka mundësinë për t’u bërë trajner i përhershëm

    Michael Carrick udhëhoqi Manchester United në Ligën e Kampionëve dhe ka mundësinë për t’u bërë trajner i përhershëm

    Manchester United po i ofron Michael Carrick mundësinë për të vazhduar si trajner i parë në mënyrë të përhershme, pas suksesit të tij në drejtimin e klubit dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

    Sipas “The Guardian”, Carrick ende nuk ka zhvilluar bisedime zyrtare për të konvertuar rolin e tij të përkohshëm në një emërim afatgjatë. Kjo ndodhi pasi drejtuesit e klubit kishin planifikuar fillimisht të prisnin dhe të vlerësonin nëse ai do ta arrinte objektivin kryesor, sigurimin e një vendi në garat elitare evropiane.

    Synimi u realizua pas fitores 3-2 ndaj Liverpoolit, që i garantoi United-it një vend në pesëshen e parë. Që nga marrja e drejtimit në janar, Carrick ka regjistruar 10 fitore dhe dy barazime në 14 ndeshje të Ligës Premier.

    Raportohet se drejtori i futbollit, Jason Wilcox, dhe shefi ekzekutiv, Omar Berrada, janë të kënaqur me ndikimin e tij që nga momenti kur zëvendësoi Ruben Amorimin. Po ashtu, mbështetje të fortë për Carrickun ka edhe nga brenda skuadrës.

  • Ferland Mendy mbyll sezonin-Real Madridi konfirmon dëmtimin e rëndë

    Ferland Mendy mbyll sezonin-Real Madridi konfirmon dëmtimin e rëndë

    Ferland Mendy është përjashtuar për pjesën e mbetur të sezonit, pasi Real Madridi ka konfirmuar se mbrojtësi francez ka pësuar një dëmtim të rëndë.

    Sipas njoftimit zyrtar të klubit, pas ekzaminimeve të kryera nga stafi mjekësor, Mendy është diagnostikuar me dëmtim në tendinën e muskulit në këmbën e djathtë.

    Reali shtoi se gjendja e lojtarit do të monitorohet gjatë procesit të rikuperimit, por sinjalet e para tregojnë për një mungesë të gjatë. Vlerësimet fillestare bëjnë të ditur se mbrojtësi i krahut të majtë mund të qëndrojë jashtë fushave deri në pesë muaj, çka e përmbyll praktikisht sezonin e tij dhe vë në pikëpyetje gatishmërinë për fillimin e edicionit të ardhshëm.

    Ky është një lajm i keq për Real Madridin, pasi Mendy ka qenë një alternativë e rëndësishme në repartin defensiv, sidomos në ndeshjet me intensitet të lartë.

    Mungesa e tij pritet ta detyrojë stafin teknik të bëjë ndryshime në organizimin mbrojtës në një periudhë vendimtare të sezonit. Tani fokusi do të jetë te rehabilitimi, me klubin që synon rikuperimin e plotë të lojtarit, pa e nxituar kthimin e tij në fushë.

  • Talenti i Chelseat pëson dëmtim në kokë merr trajtim urgjent në fushë

    Talenti i Chelseat pëson dëmtim në kokë merr trajtim urgjent në fushë

    Talenti i Chelseat, Jesse Derry, ka pasur nevojë për ndërhyrje mjekësore në fushë pasi u përplas kokë më kokë në zonën e penalltisë gjatë ndeshjes së Ligës Premier ndaj Nottingham Forest.

    18-vjeçari e nisi për herë të parë si titullar në Ligën Premier me fanellën e “Bluve”, por u detyrua të marrë trajtim të menjëhershëm pas incidentit shqetësues. Sipas raportimeve, Derry mori oksigjen në fushë, ndërsa stafi mjekësor reagoi shpejt për ta stabilizuar.

    Ngjarja ndodhi pas një fillimi kaotik të ndeshjes, ku Chelsea e pa veten në disavantazh me dy gola brenda gjysmë ore.

    Më pas, Derry u përplas rëndë me mbrojtësin e Nottingham Forest, Zach Abbott, në një duel brenda zonës. Për shkak të natyrës së rëndë të incidentit, Sky Sports vendosi të mos i shfaqte pamjet e përplasjes gjatë transmetimit.

  • Barcelona synon të arkëtojë 150 milionë euro nga shitjet në merkato

    Barcelona synon të arkëtojë 150 milionë euro nga shitjet në merkato

    Barcelona po përgatitet për një afat kalimtar vendimtar, ndërsa drejtuesit sportivë kanë vendosur një objektiv të qartë financiar: sigurimin e rreth 150 milionë eurove përmes shitjes së lojtarëve.

     

    Klubi katalanas synon të krijojë hapësirë ekonomike për të përforcuar skuadrën, ndërsa disa emra të rëndësishëm janë në listën e mundshme të largimeve, në rast se mbërrijnë oferta bindëse. Në mesin e lojtarëve për të cilët priten oferta janë Ronald Araujo, Alejandro Balde, Jules Kounde, Marc Casado dhe Roony Bardghji.

     

    Megjithatë, plani i klubit nuk është të heqë dorë nga të gjithë këta futbollistë, por të realizojë shitje strategjike që mundësojnë afrime më të rëndësishme.

     

    Në “Camp Nou” mbizotëron ideja se tregu kërkon vendime të ftohta dhe se disa prej lojtarëve aktualë kanë vlerë të mjaftueshme për të arritur objektivin financiar.

     

    Ndër emrat më të spikatur është Ronald Araujo, i cili gëzon interes të madh në tregun evropian dhe mund të sjellë të ardhura të konsiderueshme në rast largimi. Klubi beson se pikërisht nga repartet mbrojtëse mund të sigurojë një pjesë të madhe të shumës së synuar, duke qenë se tregje si Liga Premier vazhdojnë të kërkojnë profile fizike, të reja dhe të provuara.

     

    Edhe pse një shitje e tij do të kishte ndikim sportiv, ajo konsiderohet si më fitimprurësja në aspektin financiar. Në të njëjtën linjë, Balde dhe Kounde mbeten lojtarë me kërkesë të lartë, falë potencialit, shpejtësisë dhe eksperiencës në nivelet më të larta të futbollit.

     

    Megjithëse nuk dëshiron të dobësojë stabilitetin defensiv, Barcelona e konsideron një shitje të madhe si çelës për të zhbllokuar të gjithë planifikimin e verës.

    Ndërkohë, Casado dhe Bardghji përfaqësojnë një tjetër lloj operacioni. Edhe pse nuk pritet të gjenerojnë shifra të njëjta me emrat kryesorë, largimet e tyre mund të kontribuojnë në rritjen e të ardhurave, lirimin e hapësirave në skuadër dhe balancimin e strukturës së ekipit.

     

    Casado vlerësohet për moshën dhe formimin e tij, ndërsa Bardghji vazhdon të shihet si një investim premtues për të ardhmen.

     

    Arritja e objektivit prej 150 milionë eurosh do t’i jepte klubit mundësinë të realizojë transferimet prioritare, të përmirësojë kufirin e pagave dhe të hyjë më e fortë në treg.

     

    Vendimet nuk do të jenë të lehta, por mesazhi është i qartë: për të blerë, fillimisht duhet të shesë, dhe këta pesë emra mund të përcaktojnë të gjithë afatin kalimtar veror.

  • Marotta: Barcelona e interesuar për Bastonin por Interi nuk shqetësohet

    Marotta: Barcelona e interesuar për Bastonin por Interi nuk shqetësohet

    Presidenti i Inter Milan, Beppe Marotta, ka konfirmuar interesimin e FC Barcelona për mbrojtësin italian Alessandro Bastoni, por ka theksuar se lojtari mbetet i lumtur te klubi zikaltër dhe nuk ka asgjë konkrete në tavolinë.

    Duke folur për “Radio Anch’Io Sport”, Marotta e vlerësoi Bastonin si një nga talentet më të rëndësishëm në futbollin italian, por sqaroi se deri tani nuk ka pasur ndonjë ofertë zyrtare.

    “Është një talent i madh. Nuk e mohoj interesimin e Barcelonës, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Një lojtar largohet vetëm nëse shpreh dëshirën për t’u larguar. Aktualisht ai është i lumtur me ne dhe ne jemi të kënaqur me të”, u shpreh Marotta.

    Bastoni është një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Interit dhe ka qenë pjesë e rëndësishme e suksesit të skuadrës në vitet e fundit në Serie A.

    Marotta theksoi gjithashtu strategjinë e klubit për të ndërtuar një bazë të fortë lojtarësh italianë, duke shtuar se për sukses në kampionat nevojitet një grup që kupton mirë futbollin vendas.

    Në fund, ai foli edhe për ambiciet në Evropë, duke rikujtuar përvojat e tij në finale të Ligës së Kampionëve, ku ka humbur disa herë, por duke theksuar se objektivi mbetet i njëjtë:

    “Kam arritur në katër finale dhe fatkeqësisht i kam humbur të gjitha. Është diçka që ende dua ta arrij”, tha ai.