ATV

Blog

  • Policia jep detaje për ngjarjen e rëndë në Gjakovë: Viktima u dërgua në spital por nuk iu mbijetoi plagëve, rasti cilësohet si “vrasje”

    Policia jep detaje për ngjarjen e rëndë në Gjakovë: Viktima u dërgua në spital por nuk iu mbijetoi plagëve, rasti cilësohet si “vrasje”

    Policia është deklaruar lidhur me një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Gjakovë, ku një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë.

    Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 02:20, pas një mosmarrëveshjeje në rrugën “Mbretëresha Teutë”, viktima, person i moshës madhore, është sulmuar nga një tjetër person, po ashtu i rritur, i cili aktualisht ndodhet në arrati.

    Fillimisht, i lënduari është dërguar për trajtim në QKMF, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku fatkeqësisht nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

    Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “vrasje”. Ndërkohë, autoritetet janë duke zhvilluar hetime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e të dyshuarit.

    “Sot, në orët e hershme të mëngjesit jemi njoftuar se një person i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Fillimisht ishte dërguar në QKMF dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku edhe ka ndërruar jetë. Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se rreth orës 02:20 pas një mosmarrëveshje në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë, viktima është sulmuar nga një person, po ashtu i moshës madhore, i cili ndodhet në arrati. Njësitë kompetente policore menjëherë kanë dalë ne vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast “vrasje”. Aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”.

  • Rekord historik, shqiptarët investuan 760 mln euro në pasuri të paluajtshme jashtë vendit

    Rekord historik, shqiptarët investuan 760 mln euro në pasuri të paluajtshme jashtë vendit

    Shqiptarët kanë rritur investimet në pasuri të paluajtshme jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vitet e fundit.

    Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat mbi pozicionet e Investimeve të Huaja Direkte, stoku i investimeve që rezidentët shqiptarë zotërojnë në pronat jashtë kufijve ka kapur vlerën rekord me një stok 766.5 milionë euro në fund të vitit 2023.

    Siç shihet nga të dhënat në tabelën e mëposhtme fluksi ka qenë shumë i lartë në vitin 2023 me 760 milionë euro, pasi deri në vitin 2022, stoku i investimeve të shqiptarëve në pasuri të paluajtshme jashtë vendit ka qenë vetëm 6.5 milionë euro, sipas Eurostat.

    Të dhënat tregojnë se shqiptarët kanë dërguar jashtë vendit rreth 760 milionë euro për blerje pronash, një vlerë kjo sa 2.5% të PBB-së së vendit. Kjo shifër dëshmon për një akumulim të lartë kapitali në duart e individëve dhe kompanive shqiptare, të cilët po e zhvendosin pasurinë e tyre jashtë.

    Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria paraqet një profil krejtësisht të ndryshëm dhe shumë më agresiv në raport me investimet jashtë vendit. Maqedonia e Veriut raporton shifra modeste që nuk i kalojnë 3 milionë eurot, dhe vende si Serbia apo Mali i Zi nuk kanë të dhëna të publikuara.

    Ky ekspansion ngre pyetje mbi burimet e këtij likuiditeti dhe arsyet që po i shtyjnë investitorët shqiptarë të zhvendosen jashtë, pasi tregu i brendshëm është në një fazë bumi çmimesh.

    Ekspertët e tregut pohojnë se ka një vale reale ku individët e pasur po blejnë prona apo shtëpi pushimi në vende si Greqia, Italia apo Spanja, nisur nga kursi i favorshëm i euros dhe rregullat më të qarta të pronësisë. Gjithashtu mësohet se ka rol përmirësimi i metodologjisë nga Banka e Shqipërisë dhe rritja e shkëmbimit të informacionit.

    Gjithashtu rritja e çmimeve të pronave në vendi tonë sidomos në Tiranë ka kaluar nivelet mesatare të çmimeve ë disa zona të Mesdheut, duke shtyrë gjithnjë e më shumë kapitalin vendas jashtë.

    Nëse një apartament në Tiranë kushton afërsisht sa një apartament në një qytet europian, shumë blerës zgjedhin të dytin, duke e parë si një investim me kthim më të mirë nga qiraja.

    Gjithashtu grupet e mëdha të biznesit shqiptare kanë blerë asete të rëndësishme jashtë vendit, si hotele, resorte ose ndërtesa zyrash.

    Nëse një kompani shqiptare blen një pronë të tillë në emër të saj, e gjithë vlera regjistrohet si investim dalës. Pronat jashtë vendit ofrojnë siguri më të madhe ligjore dhe mbrojtje nga luhatjet e mundshme të ekonomisë tonë. Monitor.al

  • “Kosova është subjekti i procesit gjyqësor në Speciale, bërthama e saj po goditet rëndë e më rëndë”, çka tha Thaçi në intervistën nga Haga

    “Kosova është subjekti i procesit gjyqësor në Speciale, bërthama e saj po goditet rëndë e më rëndë”, çka tha Thaçi në intervistën nga Haga

    I devijuar nga misioni i drejtësisë.

    Kështu e përshkroi ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi procesin gjyqësor në Hagë ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një intervistë me shkrim për emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun. Ai tha se gjykata duhet të ofrojë drejtësi dhe jo“hakmarrje të bazuar në mashtrim”.

    Thaçi ka thënë se bërthama e Kosovës, duke iu referuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është subjekti i procesit të gjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë por ajo po goditet rëndë e çdo ditë.

    “ Kosova është subjekti i këtij procesi, pasi unë jam vetëm objekti. Bërthama e subjektit është duke u goditur ditë për ditë, rëndë e më rëndë. Por diçka harrohet. Rezistenca kosovare është pika më e lartë e identiteti kombëtar dhe shtetëror. Rezistenca ndaloi rrjedhën e mëtutjeshme të robërisë. Legjitimiteti i saj buron nga vullneti dhe qëllimi i drejtë i qytetarëve për liri. Është rrjedhojë e historisë me shkaqe e rrethana socio-ekonomike, kulturore, politiko-ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi në intervistën e tij.

    Thaçi shprehu besimin se, pas dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë dhe atyre të mbrojtjes, gjykatësit do të nxjerrin një vendim të drejtë dhe meritor. Ai kujtoi se ky proces nuk lidhet vetëm me fatin e tij personal, por edhe me historinë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.

    “Në izolim po kaloj vitin e gjashtë pa vendim gjyqësor. Siç theksoi së fundmi eksperti politik amerikan Daniel Serwer, ky proces ka devijuar nga misioni. Duhet të ofrohet drejtësi e jo hakmarrje e bazuar në mashtrim. Nga ana ime, nuk kam çfarë t’i shtoj këtij konstatimi”, tha Thaçi.

    “Të ishte transparent, llogaridhënës, me mekanizëm kujdestarie, të respektohej barazia e palëve, të drejtat e njeriut e, mbi të gjitha, legjislacioni i Kosovës, mbi bazën e të cilit është themeluar kjo gjykatë. Ndjekja penale të respektonte parimet themelore të kodit të etikës, që të ndiqej e vërteta kudo që të çon ajo, duke përfshirë edhe dëshmitë shfajësuese”, shtoi ai.

    Thaçi u shpreh se megjithatë, beson se do të nxirret një vendim meritor dhe i drejtë në rastin e tij dhe ish krerëve të tjerë të UÇK-së.

    “ Plotësisht. Historia e lirisë së Kosovës prej fillimeve të viteve 1980 e deri sot është thelbi i këtij procesi. Unë jam vetëm instrument në këtë eksperiment juridik. Nxjerrja e aktgjykimit është në duart e gjykatësve, por unë kam besim që, pas dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë e, në veçanti, atyre të mbrojtjes, të profilit dhe kredibilitetit më të lartë ndërkombëtar, ata do të nxjerrin vendim të drejtë dhe meritor. Shumëçka lidhur me legjitimitetin e së drejtës penale ndërkombëtare varet nga rezultati i këtij procesi”. tha ai.

    Duke folur për jetën në Hagë, ai tha se po kalon vitin e gjashtë në izolim pa vendim gjyqësor, ndërsa qëndrimin atje e përshkroi si shkëputje të gjatë nga jeta familjare, publike dhe institucionale.

    Ish-presidenti i Kosovës ka rrëfyer edhe momentet më të vështira që nga viti 2020, ku ai shkoi në paraburgim në Hagë.

    Teksa bën një kthim pas në kohë, duke treguar përjetimet dhe kontributin e tij për Kosovës, një nga momentet që ai e cilëson si drama e jetës së tij është se nuk ndodhej pranë gjatë kohës që babai i tij ishte i sëmurë në spital dhe që më pas ndërroi jetë.

    “Moment tjetër të cilin nuk do ta harroj kurrë ka qenë viti 2025 kur vizitova babanë në spital- nën ruajtjen e DHSK-së. Autoritetet gjyqësore më kishin refuzuar disa herë vizitën… Në fund më për arsye humanitare më lejuan të udhëtoja disi. Babai tani po lëngonte në shtrat, po kalonte orët e fundit të jetës; derisa po çmalleshim,… Përjetova çastet më të shpejta e më të rënda të jetës. Ato momente kisha veç një dëshirë, ta ndalja tik-takun e akrepave të orës…E dija se ishte hera e fundit që po e shihja të gjallë. Nuk mund të imagjinoja atë që përjetova, mbetet dramë në jetën time. Derisa po largohesha zemra po më rrihte fort, sikur po ma çante gjoksin. Truri më gjëmonte. Shikimi mu mjegullua. Trupi më ishte këputur. Duke u larguar, me të dalë në korridor takova dy motrat; ishim në distancë tre-katër metra. U përshëndetëm sikurse me lëvizje koke robotike; e kishim të ndaluar të ndërronim fjalë, të shtrëngonim duart e lere më të përqafoheshim. Por nuk ka ndalesë ligjore, urdhër apo fuqi tjetër gë mund t’i ndalojë përjetimet… shikimi i fliste shikimit. Në sytë e motrave pashë rrëketë e lotëve të dy zemrave të pastra dhimbshmërie shpirti për babanë që po i linte, si dhe për vëllanë me të cilin nuk mund ta ndanin dhimbjen dhe ngushëllimin. Atë ditë mu mohua e drejta të takoja Endritin; qëndronte para hyrjes së spitalit. U përshëndetëm në distancë. Babai kishte punuar dhe luftuar gjithë jetën për lirinë time; paradoksalisht mu privua liria dhe e drejta të qëndroj afër tij në çastet e fundit të jetës së tij. Gjatë ceremonisë së varrimit, në mungesë time, Endriti hodhi një grusht dheu edhe për mua mbi varr. Unë nuk jam rritur në kopsht fëmijësh; mënyrën si jam edukuar gjatë fëmijërisë e kam nga prindërit dhe miedisi social Megjithatë, edukatën familjare nuk ka çerdhe apo akademi që e zëvendëson apo e plotëson”, ka thënë ai.

    Thaçi deklaroi me bindje se, pavarësisht faktit që ai po “tretet” në burg, rrugëtimi i Republikës së Kosovës drejt progresit është tashmë një proces i pakthyeshëm.

    “E përcjell çka po ndodh në Ukrainë, Lindje të Mesme apo ngjarje të tjera botërore. E kam të përjetuar edhe sjellën “për dikë nënë e për dikë njerkë”. Nuk ka forcë fizike apo furtunë politike, e cila mund të më lëkundë besimin për qytetarët e Kosovës. Edi, sot ndonjë zyrtar apo ish-zyrtar nëpër botë edhe mund të jetë penduat krejt padrejtësisht për pavarësinë e Kosovës. Por, me ose pa Thaçin në Kosovë, ky proces i meritueshëm tashmë ka marrë fund. OK. Thaçi vazhdon të tretet në burg, por për Republikën e Kosovës jam i bindur që do të ketë progres.”

    Ai hodhi akuza ndaj përpjekjeve të Serbisë për të kriminalizuar filozofinë e shtetbërjes shqiptare përmes proceseve gjyqësore aktuale. Sipas tij, liria dhe pavarësia janë fitore që nuk mund të zhbëhen më, pavarësisht lëkundjeve të mundshme diplomatike nëpër botë.

    “Serbia luftoi shumë ta pengojë lirinë dhe pavarësinë – ka dështuar ta arrijë këtë për mbi tri dekada. Tani përpjekja është si ta kriminalizojë filozofinë e shtet-bërjes. A do të arrijë përmes kësaj gjykate? Nuk dua as ta mendoj. Shpresoj ende ka njerëz me vlerë morale dhe integritet profesional. Gjyqtarët gjatë procesit kanë parë të vërtetën. Të vërtetën e ka parë edhe bota. Vendimi është në dorën e tyre.”

    Duke folur për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi ka shprehur kritika ndaj Marrëveshjes së Ohrit. Ai ka thënë se ajo defunksionalizon shtetin e Kosovës.

    “Dialogu Kosovë-Serbi; kështu siç duken gjërat në dy kryeqendrat, bllokada mund të vazhdojë. Është befasi si me aneksin e Ohrit, Serbia arriti të sigurojë ‘autonominë politike dhe territoriale’. Kjo defunksionalizon shtetin e Kosovës, integrimi e jo autonomia është çelësi i ecjes përpara edhe për serbët e Kosovës”.

    Me keqardhje foli për një ftohje të marrëdhënieve të Prishtinës zyrtare me Tiranën.

    “Do duhej të jenë më të bashkuar, bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë, rikthimin e raporteve speciale me SHBA-të, bashkëpunim më serioz me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.”

    Është i bindur gjithashtu se pa heqjen e plotë të sanksioneve nga SHBA-të dhe BE-ja për Kosovën, nuk mund të ecet përpara në planin e brendshëm e as atë jashtëm.

  • Kë emëroi, kë liroi nga detyra – Çfarë riorganizimesh bëri Haxhiu në misionet diplomatike?

    Kë emëroi, kë liroi nga detyra – Çfarë riorganizimesh bëri Haxhiu në misionet diplomatike?

    Me ardhjen e Albulena Haxhiut në krye të Presidencës si ushtruese e detyrës, janë bërë disa ndryshime në misionet diplomatike të Kosovës.

    Presidenca thotë se veprimet që janë ndërmarrë lidhur me përfaqësimin diplomatik dhe konsullor janë procedura të rregullta institucionale.

    “Ato [veprimet] lidhen me plotësimin e pozitave të paplotësuara, përfundimin e mandateve, propozimet dhe rikonfirmimet e MPJD-së, si dhe me funksionalizimin e përfaqësimit diplomatik e konsullor të Republikës së Kosovës”- shpjegoi Presidenca përmes përgjigjeve zyrtare.

    Për KALLXO.com, Presidenca ka dhënë edhe hollësi lidhur me ndryshimet që janë bërë nëpër misione.

    Lirije Berisha është emëruar ambasadore e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Tajlandës, njëherësh Shefe e Misionit.

    Sipas Presidencës, ky mision nuk ka pasur ambasador që nga data 24.06.2020, ndërsa rekomandimi i MPJD-së për emërimin e Berishës është bërë më 05.06.2024.

    Heroina Telaku është liruar nga detyra pas përfundimit të mandatit si ambasadore e Republikës së Kosovës në Panama dhe është emëruar ambasadore e Republikës së Kosovës në Republikën e Kolumbisë.

    Suzan Novobrdaliu ka përfunduar mandatin dhe është kthyer në MPJD, ndërsa në vend të saj është emëruar Kenan Tora, pas përmbushjes së kritereve të kërkuara, thotë Presidenca.

    Presidenca ka shpjeguar se Vehbi Miftari është liruar nga detyra “pas konstatimit të shkeljeve të etikës profesionale dhe të cenimit të integritetit e reputacionit të shërbimit diplomatik”.

    KALLXO.com ka dërguar pyetje te Miftari në lidhje me këtë arsye që ka dhënë Presidenca për lirimin e tij nga detyra, dhe është në pritje të përgjigjes.

    Në vend të Miftarit, Presidenca ka njoftuar se është emëruar Ruvelt Frrokaj.

    Në anën tjetër, Enis Xhemajli është emëruar ambasador i Republikës së Kosovës në Panama pas përfundimit të mandatit të Telakut.

    Dy riorganizimet në përfaqësimin konsullor lidhen me funksionalizimin e Konsullatës së Përgjithshme në Dyseldorf dhe Konsullatës së Përgjithshme në Gjenevë, pas procedurave përkatëse dhe rikonfirmimeve nga MPJD.

    Behar Isma është emëruar Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, me seli në Dyseldorf.

    Sipas arsyetimit të Presidencës, propozimi është pranuar në Presidencë më 12.08.2024 dhe, pas përmbushjes së procedurave të përcaktuara me aktet përkatëse nënligjore, është rikonfirmuar nga MPJD.

    Një riorganizim tjetër është bërë në Gjenevë.

    Floreta Kabashi është emëruar Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës, me seli në Gjenevë.

    Sipas Presidencës, edhe ky propozim është pranuar në Presidencë më 12.08.2024 dhe, pas përmbushjes së procedurave të përcaktuara me aktet përkatëse nënligjore, është rikonfirmuar nga MPJD.

    “Pra, bëhet fjalë për vendime të bazuara në procedurë, në përfundim mandatesh, në propozime të MPJD-së dhe në nevojën që përfaqësimi diplomatik e konsullor i Republikës së Kosovës të jetë funksional dhe profesional”- tha Presidenca.

    Këto ndryshime u bënë ditura pasi që u lirua nga detyra Vehbi Miftari i cili ka qenë shef i Misionit të Posaçëm diplomatik të Kosovës në Selinë e Shenjtë.

    Haxhiu tha ditë më parë se në shërbimet diplomatike të Kosovës janë bërë tetë emërime të reja, tri lirime nga detyra dhe riorganizime të misioneve konsullore.

    “Unë kam trashëguar një numër të madh lëndësh nga Presidentja Osmani dhe aty ku gjithçka është në rregull në raport me procedurat, natyrisht që do t’i shtyj përpara dhe në këtë drejtim janë bërë 8 emërime, 3 lirime dhe 2 riorganizime të misioneve konsullore”- tha kur u pyet nga KALLXO.com në lidhje me lirimin nga detyra e Miftarit.

    Miftari, kishte njoftuar se është liruar nga pozita e tij me urdhër të ushtrueses të detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

    “Ju njoftoj se këto ditë kam pranuar dekretin e U.D. Presidentes Haxhiu për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë. Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim”- ka njoftuar Miftari në Facebook, duke e përfunduar njoftimin e tij “Me përvujtni!”.

    Miftari tha se “ka qenë nderi jetësor që më është bërë”, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan.

    Me këtë rast, ai ka falënderuar ish-presidenten Vjosa Osmani për besimin.

    “Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi”- ka shkruar Miftari.

    Krejt në fund, ai tha se do të sigurohet që kur t’ia dorëzojë mandatin pasardhësit a pasardhëses, të sigurohet “që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”. /Kallxo.com

  • Konfirmohet rasti i dytë i hantavirusit pas tre vdekjeve në anijen turistike në Atlantik

    Konfirmohet rasti i dytë i hantavirusit pas tre vdekjeve në anijen turistike në Atlantik

    Dy raste të hantavirusit janë konfirmuar pasi tre persona vdiqën dhe një shtetas britanik u sëmur rëndë pas një shpërthimi të dyshuar në një anije turistike në Oqeanin Atlantik.

    Operatori i anijes MV Hondius, Oceanwide Expeditions, tha se një burrë dhe një grua holandeze, si dhe një shtetas gjerman, kishin vdekur, shkruan BBC.

    Hantavirusi është konfirmuar në rastin e shtetasit 69-vjeçar britanik i cili është në kujdes intensiv në një spital në Afrikën e Jugut dhe ishte i pranishëm te gruaja holandeze që vdiq.

    Shkaqet e vdekjeve të pasagjerëve të tjerë po hetohen.

  • Ndërrohet komanda e kontingjentit grek në KFOR në Prishtinë

    Ndërrohet komanda e kontingjentit grek në KFOR në Prishtinë

    Në selinë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, në Kampin Film City në Prishtinë është mbajtur dje ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës së kontingjentit grek, në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.

    Sipas njoftimit zyrtar, ceremonia u kryesua nga Shefi i Shtabit të misionit të NATO-s, Admirali Maximilian Clark, dhe u zhvillua në praninë e ambasadores së Greqisë, Heleni Vakali, si dhe përfaqësuesve të tjerë ushtarakë dhe diplomatikë të misionit ndërkombëtar.

    Gjatë fjalës së tij, Admirali Clark ka vlerësuar lart profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e kontingjentit grek që përfundon misionin e tij në kuadër të KFOR-it, duke theksuar kontributin e tij në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

    Ai i ka uruar mirëseardhje njësisë së re greke që do të vazhdojë detyrën në kuadër të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

    Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin dhe shërbimin e tyre, pjesëtarët e kontingjentit grek u dekoruan me Medaljen e Nenit 5 të NATO-s, e cila jepet për kontribut në operacionet e Aleancës.

  • Zgjedhjet e parakohshme: Sot nis periudha e akreditimit për vëzhgues të partive politike, organizatave e mediave

    Zgjedhjet e parakohshme: Sot nis periudha e akreditimit për vëzhgues të partive politike, organizatave e mediave

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar me zbatimin e planit operacional për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, të caktuara për 7 qershor.

    Sipas këtij plani, nga dita e sotme hapet periudha për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike. Paralelisht, nis edhe procesi i akreditimit për vëzhguesit nga organizatat joqeveritare dhe përfaqësuesit e mediave.

    Ky afat do të zgjasë deri më 30 maj, duke ofruar gjithsej 26 ditë për aplikim.

    Në të njëjtën kohë, të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë janë të obliguara të informojnë KQZ-në nëse do të marrin pjesë apo jo në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për më tepër, deri më 7 maj, subjektet politike duhet të deklarojnë nëse synojnë të garojnë në kuadër të ndonjë koalicioni.

    Ndërkohë, sipas njoftimit të KQZ-së, fushata zgjedhore pritet të fillojë më 28 maj. Kostoja totale e organizimit të këtyre zgjedhjeve vlerësohet të arrijë në rreth 10.8 milionë euro.

  • Ditët e Dëshmorëve dhe Martirëve të Deçanit, mbahen aktivitete përkujtimore

    Ditët e Dëshmorëve dhe Martirëve të Deçanit, mbahen aktivitete përkujtimore

    Komuna e Deçanit sot do të mbajë aktivitete përkujtimore me rastin e 5 dhe 6 Majit, Ditët e Dëshmorëve dhe Martirëve të Komunës së Deçanit.

    Homazhet do të mbahen në shumë vende të komunës.

    Agjenda e plotë:

    -09:00 – Homazhe në Deçan.

    -10:00 – Homazhe në Gllogjan.

    -10:20 – Homazhe në Irzniq.

    -10:30 – Homazhe në Prilep.

    -10:40 – Homazhe në Carrabreg i Ulët.

    -10:50 – Homazhe në Llukë e Epërme.

    -11:00 – Ekspozitë dhe program i përgatitur nga nxënësit e Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”. (Qendra rinore, Deçan).

    -13:00 – Homazhe në Lëbushë.

    -13:10 – Homazhe në Strellc i Epërm.

    -13:20 – Homazhe në Strellc i Ulët.

    -13:40 – Homazhe në Dubovik.

    -13:50 – Homazhe në Propoqan.

    -14:00 Homazhe në Isniq.

    -14:20 – Homazhe në Lumbardh.

    -14:30 – Homazhe në Pozhar.

    -14:40 – Homazhe në Kodrali.

    -14:50 – Homazhe në Boleg.

    -15:00 – Homazhe në Ratishë e Ulët.

    -15:10 – Homazhe në Doshinoc.

    -15:20 – Homazhe në Maznik.

    -15:30 – Homazhe në Vranoc i vogël.

  • Fatos Geci pas intervistës së Hashim Thaçit: Me 19 maj lidhesh për krejt jetën

    Fatos Geci pas intervistës së Hashim Thaçit: Me 19 maj lidhesh për krejt jetën

    Ish-deputeti i Guxo-s, pjesë e ish-grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka bërë një tjetër koment të rëndë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Këtë e ka bërë në ‘Facebook’, nën një postim për intervistën e Thaçit nga Haga në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.

    Në postimin ku citohej deklarata e Thaçit se “më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar”, Geci komentoi: “Mire qe koke pergadit se tash me 19 maj lidhesh per krjet jeten”.

  • Hapet sot Gjykata Administrative në Prishtinë

    Hapet sot Gjykata Administrative në Prishtinë

    Në ambientet e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, sot do të mbahet ceremonia zyrtare e hapjes së Gjykatës Administrative.

    Në këtë ngjarje të rëndësishme institucionale do të marrë pjesë edhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

    Sipas njoftimit zyrtar, ceremonia do të fillojë në orën 09:00, ku pritet të theksohet rëndësia e kësaj gjykate në forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e sistemit të drejtësisë në vend.