ATV

Blog

  • Nga Beyonce te Taylor Swift: Pritshmëritë për Met Gala 2026

    Nga Beyonce te Taylor Swift: Pritshmëritë për Met Gala 2026

    Mbrëmja më e madhe e modës, Met Gala 2026, rikthehet në Nju Jork me pritshmëri të larta, ndërsa detajet për të ftuarit dhe temën po tërheqin vëmendjen globale.

    Eventi i përvitshëm, që organizohet për të mbledhur fonde për Institutin e Kostumeve në Muzeun Metropolitan të Artit, mbledh rreth 450 figura nga bota e filmit, muzikës, modës, sportit dhe biznesit.

    Në qendër të vëmendjes këtë vit janë bashkëkryesuesit e eventit, përfshirë Anna Wintour, Beyoncé, Nicole Kidman dhe Venus Williams. Pjesëmarrja e Beyoncé ka ngjallur interes të veçantë, pasi mund të shënojë rikthimin e saj pas gati një dekade mungesë.

    Në komitetin organizues dhe listën e të ftuarve priten emra të njohur si Doja Cat, Sabrina Carpenter, Sam Smith dhe Zoë Kravitz, mes shumë figurave të tjera nga industri të ndryshme.

    Ndërkohë, mbulimi i tapetit të kuq do të drejtohet nga emra të njohur si Emma Chamberlain dhe Cara Delevingne.

    Tema e këtij viti, “Costume Art”, pritet të sjellë një qasje më konceptuale ndaj modës. Kuratori Andrew Bolton ka theksuar se ekspozita do të fokusohet te lidhja mes veshjes dhe trupit njerëzor, duke e trajtuar modën si një formë arti të mishëruar. Kjo nënkupton se të ftuarit mund të eksperimentojnë me stile më artistike dhe më të guximshme, duke u larguar nga interpretimet tradicionale.

    Përveç të konfirmuarve, spekulimet për pjesëmarrësit janë në kulm. Mes emrave më të përfolur janë Taylor Swift, Rihanna, Kim Kardashian, Zendaya, Harry Styles dhe Timothée Chalamet. Një rikthim i mundshëm i Taylor Swift pas një mungese të gjatë, si dhe një debutim i mundshëm i Adele, po mbajnë të lartë interesin e publikut.

    Pavarësisht spekulimeve, lista përfundimtare e të ftuarve mbetet një nga sekretet më të ruajtura të eventit. Ftesat janë të kufizuara dhe shpesh ndryshojnë në momentet e fundit, duke garantuar surpriza në tapetin e kuq.

  • Hapet Gjykata Administrative, Haxhiu: Ditë e rëndësishme për drejtësinë

    Hapet Gjykata Administrative, Haxhiu: Ditë e rëndësishme për drejtësinë

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Gjykatës Administrative të Kosovës, duke e cilësuar fillimin e funksionimit të saj si një moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.

    Në fjalën e saj, ajo theksoi se rëndësia e kësaj gjykate nuk qëndron vetëm në themelimin formal, por në ndikimin që do të ketë në jetën e përditshme të qytetarëve.

    “Fillimi i punës së Gjykatës Administrative është ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet jashtë këtyre ambienteve. Në zyrat, në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje. Në familjet që varen nga një vendim në punën e përditshme të administratës dhe në besimin që njerëzit kanë në raport me shtetin”, tha Haxhiu.

    “Vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës. Kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur, shteti vendos kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm. Në një republikë demokrati,e, vendimi i administratës nuk mund ta lë qytetarin pa rrugë. Edhe sot në një kapacitet tjetër, e shoh këtë gjykatë me të njëjtën bindje, reforma nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj por atëherë kur qytetari fillon ta ndjej në jetën e vet. Me hapjen e Gjykatës Administrative uroj fort që qytetari ta ndjej dorën e shtetit dhe uroj që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme”, deklaroi ajo.

  • I mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Kosova të ketë datë zyrtare për dëshmorët e kombit

    I mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Kosova të ketë datë zyrtare për dëshmorët e kombit

    I mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Bislim Zogaj, ka deklaruar se është i zhgënjyer me mënyrën se si po vlerësohen dëshmorët e kombit.

    Ai u nis pikërisht nga dita e sotme, 5 maji që llogaritet si Dita e Dëshmorëve, pavarësisht se nuk është datë zyrtare.

    “Unë personalisht jam i zhgënjyer me faktin apo me atë që bëhet për dëshmorët, apo formën se si mundohemi t’i vlerësojmë, duke filluar nga dita e sotme, që llogaritet si Ditë e Dëshmorëve, që ende nuk është datë zyrtare. Kjo do duhej të ishte zyrtare”, tha Zogaj në Klan Kosova.

    Sipas tij, Kosova do duhej të kishte një datë kur përkujtohen të gjithë dëshmorët.

    “Pa dashje, shpesh bëhet dallimi i dëshmorëve, dhe një jetë kanë pasur, atë e kanë dhen. Meritojnë respekt maksimal”, tha Zogaj.

  • Gazetarët luftojnë për të drejtat e të gjithëve, por të drejtat e tyre janë lënë anash

    Gazetarët luftojnë për të drejtat e të gjithëve, por të drejtat e tyre janë lënë anash

    Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, Kosova është renditur në vendin e 84-të, duke shënuar një përmirësim prej 15 pozitash krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2025, vendi kishte pësuar rënie, duke u pozicionuar në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete të përfshira në këtë raport global.

    Në kontekstin e këtij raporti dhe shënimit të 3 majit – Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit – në emisionin “LIBERO” u diskutua për gjendjen e mediave në Kosovë dhe rolin e tyre në një shoqëri demokratike.

    Profesori universitar Gëzim Qerimi vlerësoi punën e mediave në vend, duke theksuar sfidat e shumta me të cilat ato përballen. Ai u shpreh se, pavarësisht kushteve të vështira, “…Mediat në Kosovë janë duke e luajtur rolin e tyre jashtëzakonisht mirë…”, ndërsa shtoi se tregu i vogël dhe pagat e ulëta mbeten problem serioz. Sipas tij, gazetarët angazhohen për të drejtat e shoqërisë, por fatkeqësisht nuk i kanë të rregulluara të drejtat e tyre.

    Gazetari Florent Zeqaj theksoi se motivimi për gazetari në Kosovë rrallëherë lidhet me përfitime financiare. Ai potencoi se shumica e gazetarëve e kanë zgjedhur këtë profesion nga vullneti dhe pasioni, duke e cilësuar atë si një përkushtim të vështirë dhe sfidues. “…Shpesh, kur e analizon punën dhe përkushtimin në raport me pagesën, të vjen keq për atë që ke kaluar…”, tha ai.

    Ndërkohë, gazetari hulumtues, Kreshnik Gashi, e vendosi situatën në një kontekst më të gjerë global. Ai theksoi se raporti i Reporterëve pa Kufij tregon për një përkeqësim të përgjithshëm të kushteve të gazetarisë në mbarë botën. Sipas tij, “…degradimi dhe ambienti në të cilin gazetarët punojnë është duke shku drejt të keqes…”, duke shtuar se gazetarët po përballen me një realitet gjithnjë e më sfidues dhe me kufizime në ushtrimin e profesionit të tyre.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Nga janari deri në mars, 334 çifte në Kosovë i kanë dhënë fund martesës së tyre

    Nga janari deri në mars, 334 çifte në Kosovë i kanë dhënë fund martesës së tyre

    Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, nga janari deri në mars, 334 çifte në Kosovë i kanë dhënë fund martesës së tyre.

    Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), trendi i shkurorëzimeve ka qenë i theksuar që në fillim të vitit. Në muajin janar, 88 çifte vendosën t’i japin fund bashkëjetesës së tyre martesore.

    Ky numër pësoi rritje të ndjeshme në shkurt, ku 135 çifte u ndanë ligjërisht.

    Ndërsa në mars, edhe 111 çifte të tjera iu shtuan kësaj statistike, duke e çuar totalin në 334 ndarje për vetëm tre muaj.

  • Haradinaj nderon luftëtarët shqiptarë: Lavdi të rënëve për liri!

    Haradinaj nderon luftëtarët shqiptarë: Lavdi të rënëve për liri!

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka nderuar të rënët për liri si dhe luftëtarët shqiptarë të të gjitha kohërave.

    Përmes një postimi në Facebook, në Ditët e Dëshmorëve dhe Martirëve, Haradinaj tha po ashtu: “Rroftë kombi shqiptar”.

    “Lavdi të rënëve për liri dhe nderim për luftëtarët shqiptarë të të gjitha kohërave. Rroftë kombi shqiptar! Rroftë Kosova!”, ka shkruar ai.

  • Vrasje në tentativë në Prishtinë, i dyshuari shtiu me armë në drejtim të dy personave

    Vrasje në tentativë në Prishtinë, i dyshuari shtiu me armë në drejtim të dy personave

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vrasjes në tentativë në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur të martën, në ora 00:40.

    “Prishtinë / 05.05.2026 – 00:40. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë”, thuhet në raport.

    Përveç dëmtimeve të veturës viktimat nuk janë lënduar.

    Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 4 gëzhoja, ndërkaq rasti po hetohet.

  • Bordi i RTK-së mban mbledhje, Kusari: Pavarësia e bordit fillon të testohet që nga sot

    Bordi i RTK-së mban mbledhje, Kusari: Pavarësia e bordit fillon të testohet që nga sot

    Juristja e medias, Flutura Kusari, ka njoftuar se sot bordi i RTK-së, do të mbajë mbledhje.

    Në këtë mbledhje do të zgjidhet kryetari i bordit dhe do të emërohet ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm.

    Kusari, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se pavarësia e bordit të RTK-së fillon të testohet që nga sot, në orën 17:30.

    Postimi i saj i plotë:

    Pavarësia e bordit të RTK-së fillon të testohet që nga sot, në orën 17:30.

    Bordi i RTK-së e publikoi njoftimin për mbledhje, jo tri ditë më herët, por vetëm një ditë më herët. Shnosh, kanë mujtë edhe mos me na lajmëru hiç.

    Atëherë, sot mbledhja e bordit të RTK-së mbahet në orën 17:30. Do të zgjidhet kryetari i bordit dhe do të emërohet ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm.

    Ju ftoj të mos paragjykoni derisa t’i shohim vendimet e para të bordit.

    Unë, sigurisht, do të shkoj ta monitoroj dhe do t’ju mbaj të informum, tha Kusari.

  • Agjencia e Kosovës për Akreditim pranohet zyrtarisht në Amerikë

    Agjencia e Kosovës për Akreditim pranohet zyrtarisht në Amerikë

    Bordi i Këshillit për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në SHBA e ka pranuar për shtatë vjet (deri me 31.12.2033) Agjencinë e Kosovës për Akreditim, me statusin e “autoritetit akreditues” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Siç njofton kjo agjenci, në njoftimin zyrtar të dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi, Loretta C. Waldron, Zëvendëspresidente për Shërbime të Njohjes në Këshillin për Akreditimin e Arsimit të Lartë në SHBA, konfirmon se “Bordi i Drejtorëve të CHEA-s ka miratuar rekomandimin e Komitetit dhe e ka njohur Agjencinë e Kosovës për Akreditim si autoritet akreditues”.

    Bëhet e ditur se Kosova është shteti i parë dhe i vetëm aktualisht në Evropë me këtë status të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Njoftimi i plotë:

    Bordi i Këshillit për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në SHBA e ka pranuar për shtatë vjet (deri me 31.12.2033) Agjencinë e Kosovës për Akreditim, me statusin e “autoritetit akreditues” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në njoftimin zyrtar të dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi, Loretta C. Waldron, Zëvendëspresidente për Shërbime të Njohjes në Këshillin për Akreditimin e Arsimit të Lartë në SHBA, konfirmon se “Bordi i Drejtorëve të CHEA-s ka miratuar rekomandimin e Komitetit dhe e ka njohur Agjencinë e Kosovës për Akreditim si autoritet akreditues”.
    Kosova bëhet shteti i parë dhe i vetëm aktualisht në Evropë me këtë status të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kjo njohje nga SHBA-të vjen më pak se një vit pasi Agjencia e Kosovës për Akreditim u regjistrua në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), duke e bërë Kosovën shtetin e vetëm në Ballkanin Perëndimor me këtë status. Ky vendim vjen si rezultat i një procesi të gjerë dhe të kujdesshëm vlerësimi dhe përbën një dëshmi të
    qartë të reformave të ndërmarra, profesionalizmit institucional dhe përkushtimit të vazhdueshëm të AKA- së për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. Kjo njohje forcon kredibilitetin ndërkombëtar të sistemit të akreditimit në Kosovë, rrit besueshmërinë e
    programeve të studimit dhe hap mundësi të reja për studentët, institucionet e arsimit të lartë dhe diasporën tonë.

    Për studentët, kjo nënkupton më shumë mundësi për vazhdim të studimeve, mobilitet akademik dhe lehtësim në njohjen dhe vlerësimin e diplomave të tyre jashtë vendit.
    Për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, ky është një nxitje e rëndësishme për thellim të
    bashkëpunimit me universitetet ndërkombëtare, veçanërisht ato amerikane, si dhe për avancim të mëtejshëm të standardeve akademike dhe cilësisë së programeve studimore.
    Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), profesoresha Hasnije Ilazi, dhe Drejtori i Përgjithshëm Naim Gashi, shprehin mirënjohje për partnerët dhe aleatët amerikanë për këtë njohje të rëndësishme të arritjeve të saj. Po ashtu, falënderojnë të gjithë partnerët institucionalë, stafin akademik, studentët dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Ky është një moment krenarie për Kosovën dhe një hap i madh përpara për sistemin e arsimit të lartë në
    vend.

    Tashmë e kemi dëshmuar: Cilësia është standardi ynë!

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot

    Publikohen çmimet e derivateve për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur çmimet tavan për derivatet e naftës që do të jenë në fuqi gjatë ditës së sotme.

    Sipas këtij vendimi, çmimi maksimal për naftën (dizel) është caktuar në 1.68 euro për litër, një cent më lirë se dje, ndërsa benzina do të tregtohet deri në 1.49 euro për litër.

    Ndërkaq, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.82 euro për litër.