ATV

Blog

  • Mira Murati shkëlqen, merr pjesë në Met Gala 2026

    Mira Murati shkëlqen, merr pjesë në Met Gala 2026

    E njohur si themeluesja e intelegjencës artficiale, Mira Murati ka marr pjesë në Met Gala 2026, ngjarje që mbledh njerëzit më të suksesshëm të rruzulit tokësor.

    Themeluesja e Thinking Machines dhe ish-drejtoresha e teknologjisë në OpenAI, mori pjesë në eventin e këtij viti me temë “Arti i Kostumit”, që mblodhi të gjithë të famshmit.

    Murati u shfaq me një fustan të zi të mbuluar me gurë të verdhë dhe me dekolte të hapur në formë V.

    Ajo ka qenë edhe më herët pjesë e Met Gala, në vitin 2024 me një fustan të Christan Dior të vitit 1951.

  • Mashtrimet dhe keqpërdorimet e llogarive bankare, policia apelon për kujdes

    Mashtrimet dhe keqpërdorimet e llogarive bankare, policia apelon për kujdes

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut ka njoftuar qytetarët se kohëve të fundit është vërejtur rritje e rasteve të mashtrimeve dhe keqpërdorimeve të llogarive bankare përmes formave të ndryshme të komunikimit, përfshirë mesazhe SMS, thirrje telefonike dhe platforma online.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se personat e dyshuar, duke u paraqitur rrejshëm në emër të institucioneve financiare apo kompanive të ndryshme, kërkojnë nga qytetarët të dhëna personale si numri i kartelës bankare, kodin, fjalëkalime me qëllim të përfitimit të mashtrimit dhe përfitimit të kundërligjshëm.

    “Disa nga mesazhet e mashtrimeve përfshijnë një link (faqe interneti) që në pamje të parë duken si zyrtare dhe kanë këtë përmbajtje: llogaria juaj do të pezullohet për shkak të mos përditësimit. Verifikoni të dhënat tuaja për të shmangur bllokimin e llogarisë. Policia apelon tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes: të mos ndajnë me askënd të dhënat personale dhe bankare, të shmangin hapjen e link-ve të dyshimta të pranuara përmes SMS apo email-it, të verifikojnë çdo komunikim të dyshimtë drejtpërdrejt me institucionin përkatës, të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë në polici”, thuhet në njoftim.

  • Përparim Rama emëron Musmuratin e PDK-së nënkryetare të Prishtinës

    Përparim Rama emëron Musmuratin e PDK-së nënkryetare të Prishtinës

    Besianë Musmurati është emëruar në pozitën e nënkryetares së Prishtinës. Kështu ka bërë të ditur kryetari Përparim Rama, i cili ka thënë se po fillojnë një bashkëpunim të ri politik me Partinë Demokratike të Kosovës, me qëllim zhvillimin e Prishtinës.

    “Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës. Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të së mirës publike. Nga sot, Besianë Musmurati emërohet në pozitën e nënkryetares së kryeqytetit, duke sjell me vete përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare. Me një angazhim mbi një dekadë në fusha si diplomacia, politika publike dhe menaxhimi institucional, ajo ka kontribuar në avancimin e proceseve vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përvoja e saj në kryeqytet, veçanërisht në drejtimin e arsimit, ka lënë gjurmë në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit”, ka thënë Përparim Rama.

  • Sarajeva përkujton fëmijët e vrarë gjatë rrethimit 1992-1995

    Sarajeva përkujton fëmijët e vrarë gjatë rrethimit 1992-1995

    Në Kantonin e Sarajevës, 5 maji është ditë zie në kujtim të fëmijëve të vrarë të Sarajevës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në vitet ’90.

    Sipas të dhënave zyrtare, 1.601 fëmijë u vranë gjatë katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës (1992-1995).

    Sipas vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore, së paku 53 prej tyre janë vrarë nga snajperët, ndërsa më shumë se 14 mijë janë plagosur.

    Për krimet ndaj fëmijëve të kryera gjatë rrethimit, deri më tani nuk është mbajtur askush përgjegjës.

    Qeveria e Kantonit të Sarajevës, në vitin 2019, ka marrë vendim që 5 maji të shënohet si Dita e Kujtimit për Fëmijët e Vrarë të Sarajevës.

    Muzeu Historik i Bosnje dhe Hercegovinës, që nga shkurti i vitit 2020, po mbledh sende personale të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës, të cilat janë ekspozuar në kuadër të instalacionit memorial “Dhoma e Bardhë”.

    Rrethimi i Sarajevës

    Terrori ndaj qytetarëve të Sarajevës zgjati 1.425 ditë.

    Sipas vendimeve të Gjykatës në Hagë, sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin kudo dhe në çdo kohë të ditës apo natës.

    Për rrethimin e Sarajevës, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë ka dënuar me burgim të përjetshëm Stanisllav Galliqin, ndërsa Dragomir Millosheviq është dënuar me 29 vjet burg.

    Të dy ata kanë qenë komandantë të Korpusit Sarajevë-Romanija, i cili e ka mbajtur qytetin nën rrethim për 44 muaj.

    Disa pjesë të dënimeve të përjetshme të Radovan Karaxhiqit, ish-president i Republikës Sërpska, dhe Ratko Mlladiqit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, lidhen po ashtu me terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës.

    Në nivel vendor, për krimet në pjesët e rrethuara të qytetit janë ndjekur deri tani 12 persona.

    Para Tribunalit të Hagës është akuzuar edhe ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, por ai ka vdekur gjatë procesit, në mars të vitit 2006, dhe gjykimi është ndërprerë.

    Bilana Pllavshiq, ish-presidente e Republikës Sërpska, ka pranuar fajësinë për pjesëmarrje në krimet në Sarajevë dhe është dënuar me 11 vjet burg nga Gjykata e Hagës./REL/

  • Daut Haradinaj: Deçani simbol i qëndresës, Dita e Dëshmorëve kujtesë e sakrificës për liri

    Daut Haradinaj: Deçani simbol i qëndresës, Dita e Dëshmorëve kujtesë e sakrificës për liri

    Në Ditën e Dëshmorëve, Daut Haradinaj, ka bërë homazhe në nderim të të rënëve për liri. Ai gjithashtu ka veçuar rolin dhe sakrificën e komunës së Deçanit gjatë luftës së viteve 1998–1999.

    Në shkrimin e tij ne profilin zyrtar në Facebook, Haradinaj theksoi se Deçani shënon me krenari këtë ditë, duke kujtuar dëshmorët dhe martirët e kësaj ane, ku çdo fshat dhe çdo lagje u përgjak në përballje të drejtpërdrejtë me makinerinë ushtarake jugosllave.

    “Qyteti dhe çdo cep i Deçanit u bënë pjesë e sakrificës për liri. Për plot 18 muaj, kjo trevë përjetoi luftime të pandërprera, ballë për ballë me një makineri të egër, por që nuk arriti ta thyente qëndresën tonë”, u shpreh Haradinaj.

    Ai shtoi se ndihet krenar që ishte pjesë e atyre zhvillimeve historike, duke e cilësuar fitoren si rezultat të një vetmohimi të jashtëzakonshëm të popullit të Kosovës.

    “Është krenari personale dhe kombëtare të jesh pjesë e një historie që solli lirinë”, theksoi ai.

  • “Nuk kërkova vende në listën e LDK-së” – Vjosa Osmani flet për kandidimin e saj në zgjedhje

    “Nuk kërkova vende në listën e LDK-së” – Vjosa Osmani flet për kandidimin e saj në zgjedhje

    Ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk ka kërkuar që të jenë katër emra në top dhjetëshen e Listës së LDK-së, duke shmangur përgjigjen konkrete se si do të kandidojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.

    E pyetur nëse do të kandidojë si presidente apo deputete, ajo tha se çdo vendim do të bëhet i ditur në kohën e duhur, ndërsa theksoi se mbështetja kryesore për të vjen nga qytetarët.

    “Nuk është mirë me spekulu. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush”, tha Osmani.

    “ Kurdo që kemi diçka për t’ju thënë do t’ju themi”, shtoi ajo.

    Ajo bëri të ditur se do të vazhdojë angazhimin me qytetarët, duke përmendur edhe paraqitjet e përbashkëta në terren.

    “Me Farije Hotin bashkë te qytetarët”, tha ajo.

    E pyetur për kundërshtimet e disa ish-deputetëve të LDK-së ndaj rikthimit të saj në politikë, Osmani tha se fokusi i saj mbetet tek qytetarët dhe mbështetja që merr prej tyre.

    “Do të jem para qytetarëve, deri sot në të gjithë angazhimin tim politik janë ata që ma kanë dhënë forcën dhe edhe tash e tutje do të jetë njësoj”, tha ajo.

  • Interi i vendos çmim të lartë Bastonit, Barcelona në vështirësi për transferimin

    Interi i vendos çmim të lartë Bastonit, Barcelona në vështirësi për transferimin

    Inter ka bërë të qartë qëndrimin e tij sa i përket së ardhmes së Alessandro Bastoni, duke vendosur një çmim të lartë që e bën të vështirë çdo tentativë të Barcelona për ta transferuar gjatë verës.

    Sipas raportimeve nga Fabrizio Romano, klubi zikaltër nuk pranon të negociojë për më pak se 70 milionë euro për mbrojtësin italian, i cili konsiderohet një nga shtyllat kryesore të skuadrës.

    Interi do të shqyrtonte largimin e tij vetëm nëse vetë lojtari kërkon një transferim, por deri tani Bastoni nuk ka dhënë asnjë sinjal për një lëvizje të tillë, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm nga Barcelona.

    Në anën tjetër, situata financiare e klubit katalanas e bën këtë operacion edhe më të komplikuar, duke e kthyer transferimin në një objektiv të vështirë për këtë merkato.

    Barcelona mbetet në kërkim të një qendërmbrojtësi cilësor për të përforcuar prapavijën, me Bastonin në krye të listës. Megjithatë, në radar janë edhe alternativa si Jon Martin i Real Sociedad dhe Cristian Romero i Tottenham Hotspur.

    Për momentin, gjithçka mbetet nën kontrollin e Interit, i cili nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm pa një ofertë të jashtëzakonshme.

  • Galatasaray synon transferimin e Bruno Fernandes në verë

    Galatasaray synon transferimin e Bruno Fernandes në verë

    Galatasaray po përgatitet për një merkato verore shumë ambicioze, me synimin për të ngritur ndjeshëm cilësinë e skuadrës. Në krye të listës së dëshirave qëndron kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, një emër që konsiderohet si objektivi ideal për mesfushën.

    Klubi turk po kërkon përforcime kyçe në repartin e mesfushës, konkretisht një organizator loje dhe një mesfushor me tipare mbrojtëse. Në këtë kontekst, profili i Fernandes shihet si i përkryer për të udhëhequr skuadrën në nivele më të larta.

    Interesi për portugezin nuk është i ri, Galatasaray kishte tentuar të afrohej me të edhe gjatë afatit kalimtar të dimrit. Sipas raportimeve, kontaktet pritet të rifillojnë gjatë verës, megjithatë realizimi i këtij transferimi mbetet një mision shumë i vështirë.

    Arsyeja kryesore është e qartë, Manchester United ka siguruar pjesëmarrjen në UEFA Champions League për sezonin 2026/27, duke e bërë largimin e kapitenit të tyre pak të mundshëm.

    Forma e shkëlqyer e Fernandes këtë sezon vetëm sa e rrit interesin për të. Ai ka regjistruar 19 asistime në Premier League, shtatë më shumë se rekordi i tij i mëparshëm, duke iu afruar ndjeshëm rekordit historik të një sezoni që mbahet nga Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne.

    Përveç asistimeve, Fernandes ka kontribuar edhe me 8 gola në kampionat, duke konfirmuar rolin e tij si një nga mesfushorët më vendimtarë në futbollin evropian aktual.

  • Gjithçka vendoset sonte: Arsenal–Atletico, beteja për finalen e madhe

    Gjithçka vendoset sonte: Arsenal–Atletico, beteja për finalen e madhe

    Sonte mbrëma, Arsenal dhe Atletico Madrid përballen në një duel vendimtar në gjysmëfinalen e UEFA Champions League, ku vetëm njëra skuadër do të sigurojë biletën për finalen e sezonit 2025/26.

    Takimi i parë në Metropolitano Stadium përfundoi 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Emirates Stadium. Nuk ka favorit të qartë, vetëm tension, pritje dhe 90 minuta që vlejnë sa një sezon i tërë.

    Arsenali synon të rikthehet në një finale të madhe evropiane pas dy dekadash, i mbështetur nga atmosfera elektrizuese në shtëpi dhe loja dinamike. Por përballë ka një Atletico Madrid të kalitur për netë të tilla, të organizuar, të fortë në mbrojtje dhe tejet të rrezikshëm në kundërsulme. Në një përballje kaq të ekuilibruar, një moment i vetëm mund të bëjë diferencën mes lavdisë dhe eliminimit.

    Presioni është në kulm dhe çdo duel në fushë do të ketë peshë vendimtare. Gabimet nuk falen, ndërsa durimi dhe përqendrimi mund të shpërblehen me një vend në finale.

    Ndërkohë, spektakli vazhdon edhe të mërkurën në Gjermani, ku Bayern Munich pret Paris Saint-Germain në Allianz Arena. Me rezultatin e parë 5-4 në favor të francezëve, gjithçka mbetet e hapur. PSG ka një avantazh minimal, por Bayern në shtëpi di të shndërrohet në një forcë të pakontrollueshme.

    Dy net, katër gjigantë dhe vetëm dy vende në finale, emocionet janë në kulmin e tyre.

  • Timberwolves dhe Knicks nisin fuqishëm gjysmëfinalet e NBA-së

    Timberwolves dhe Knicks nisin fuqishëm gjysmëfinalet e NBA-së

    Minnesota Timberwolves dhe New York Knicks e kanë hapur me fitore fazën gjysmëfinale të konferencave në NBA, duke kaluar në epërsi 1-0 në seritë e tyre.

    Në Perëndim, Timberwolves morën një fitore të vështirë 104-102 ndaj San Antonio Spurs në një përballje dramatike në San Antonio. Rikthimi i Anthony Edwards rezultoi vendimtar, pasi ai kontribuoi me 18 pikë, pavarësisht dyshimeve për shkak të dëmtimit.

    Figura kryesore për Minnesotën ishte Julius Randle me 21 pikë dhe 10 ribaunde. Në anën tjetër, për Spurs u dalluan Dylan Harper me 18 pikë, si dhe Julian Champagnie dhe Stephon Castle me nga 17 pikë secili.

    Ndeshja u vendos në çastet e fundit, kur vendasit u afruan në 104-102 pas një ndërhyrjeje të Devin Vassell dhe realizimit të Harper. Megjithatë, tentativa për tre pikë nga Champagnie në sekondat e fundit nuk gjeti shënjestër, duke vulosur fitoren e mysafirëve.

    Një performancë e rrallë u regjistrua nga Victor Wembanyama, i cili realizoi triple-double me 11 pikë, 15 ribaunde dhe plot 12 bllokime, një arritje historike në fazën e playoff-it.

    Edwards, i cili pritej të mungonte pas dëmtimit të pësuar ndaj Denver Nuggets, u rikthye më herët se parashikimet dhe kontribuoi për 25 minuta me efikasitet të lartë në gjuajtje.

     

    Në Lindje, New York Knicks dominuan bindshëm Philadelphia 76ers me rezultatin e thellë 137-98.

    Jalen Brunson udhëhoqi skuadrën me 35 pikë, ndërsa OG Anunoby shtoi 18. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Mikal Bridges dhe Karl-Anthony Towns me nga 17 pikë secili.

    Me këtë fitore të thellë, Knicks japin një mesazh të qartë për ambiciet e tyre në këtë fazë të playoff-it, duke marrë një epërsi të rëndësishme në seri.