ATV

Blog

  • “Vogue” me modele 106 vjeçare

    “Vogue” me modele 106 vjeçare

    Apo Whang-Od është ylli i revistës Vogue Filipinas për muajin prill, duke e bërë 106-vjeçaren personin më të vjetër që është shfaqur ndonjëherë në kopertinën e kësaj reviste.

    Whang-Od, e njohur gjithashtu si Maria Oggay ka përsosur artin e tatuazheve me dorë që kur ishte adoleshente, duke mësuar nga babai i saj.

    Whang-Od përsos tatuazhet vetëm duke përdorur një shkop bambuje, një gjemb nga një pemë pomelo, ujë dhe qymyr, nga luftëtarët indigjenë Butbut.

    Tani, të huajt janë klientët më të shpeshtë të saj. “E fundit nga brezi i saj, ajo ka ngulitur simbolet e fisit Kalinga që nënkuptojnë forcën, guximin dhe bukurinë në lëkurën e mijëra njerëzve që kanë bërë pelegrinazhin në Buscalan”, tha Vogue Filipine në një postim në mediat sociale.

    Ajo mund t’ia kalojë artin vetëm të afërmeve të saj të gjakut dhe Whang Od ka disa vite që po mëson mbesat e saj Elyang Wigan dhe Grace Palicas.

    “Miqtë e mi që bënin tatuazhe kanë vdekur të gjithë,” tha Whang Od për CNN Travel në 2017.

    “Unë jam e vetmja që kam mbetur gjallë që ende bëj tatuazhe. Por nuk kam frikë se tradita do të marrë fund sepse po mësoj mjeshtrit e ardhshëm të tatuazheve. Tradita do të vazhdojë për aq kohë sa njerëzit vazhdojnë të vijnë për të bërë tatuazhe”, shtoi ajo.

    “Për sa kohë që mund të shoh, do të vazhdoj të bëj tatuazhe. Do të ndaloj sapo të mos shoh më qartë,” theksoi ajo.

    Kryeredaktorja e Vogue në Filipine, Bea Valdes tha se stafi i botimit vendosën njëzëri që Ëhang-Od të dilte në kopertinë.

    “Ne ndjemë se ajo përfaqësonte idealet tona për atë që është e bukur në kulturën tonë filipinase. Ne besojmë se koncepti i bukurisë duhet të evoluojë dhe të përfshijë fytyra dhe forma të ndryshme dhe gjithëpërfshirëse. Ajo për të cilën shpresojmë të flasim është bukuria e njerëzimit,” shtoi Valdes.

    Para daljes së Whang-Od në Vogue të Filipineve, rekordi për modelen më të vjetër të kopertinës së Vogue mbahej nga aktorja Judi Dench, e cila u shfaq në ballinën e British Vogue në vitin 2020, në moshën 85-vjeçare.

  • Mediat ndërkombëtare raportojnë për Marshin për Drejtësi

    Mediat ndërkombëtare raportojnë për Marshin për Drejtësi

    Pjesëmarrja masive në Marshin për Drejtësi në sheshet e Prishtinës është pasqyruar edhe në mediat më të mëdha botërore.

    Agjencia amerikane e lajmeve Associated Press (AP) raportoi se mijëra njerëz mbushen rrugët e kryeqytetit në marshin në përkrahje të ish udhëheqësve të UÇK-së dhe se përkrahja ishte e gjithmbarshme.

    “Duke mbushur sheshet e kryeqytetit Prishtina, demonstruesit bartin fotografi të ish-presidentit Hashim Thaçi, shkruan AP.

    Të gjitha partitë politike të Kosovës kanë përkrahur tubimin e së dielës. Dmonstruesit bartin pankarta me parullat “Marshojme për drejtësi”, “Liria ka emër” si dhe brohoritën në përkrahje të UÇK-së”, ka raportuar AP.

    Agjencia amerikane shkruan se shumë kosovarë e konsiderojnë gjykatën në Hagë si një padrejtësi. “E shohin atë si një përpjekje për të rishkruar historinë e tyre duke thënë se ajo gjykatë po bën përpjekje të barazojë gjenocidin e Serbisë me vuajtjet e tyre”, thuhet në raportin e AP.

    Ndërkaq, agjencia franceze e lajmeve AFP ka shkruar se Gjykata Speciale “është kryesisht e përbuzur nga shqiptarët e Kosovës, të cilët besojnë se gjykata po njollos trashëgiminë e veteranëve që luftuan për pavarësinë e Kosovës duke paguar çmim të lartë”.

    Kjo agjenci citon kryetarin e PDK-së,. Memli Krasniqi se krerët e UÇK-së do të ngadhnjejne në Hagë.

    “Ne jemi me ta përgjithmonë… dhe nuk kemi dyshim se ata do të kthehen fitimtarë siç kanë ardhur dikur si çlirimtarë sepse janë heronj të gjallë”, citohet të ketë thënë Krasniqi.

  • ​Zbatimi i marrëveshjes, më 4 prill pritet të diskutohet formimi i komisionit mbikëqyrës

    ​Zbatimi i marrëveshjes, më 4 prill pritet të diskutohet formimi i komisionit mbikëqyrës

    Kosova dhe Serbia javën e ardhshme do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut në Bruksel, e para që prej dakordimit për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj muajin e kaluar. Më 4 prill do të takohen shefat e ekipeve negociatore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga pala serbe. Në takim pritet të diskutohet zbatimi i neneve të marrëveshjes bazë si dhe formimi i komisionit të përbashkët mbikëqyrës për implementimin e ujdisë.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se nenet e marrëveshjes bazë duhet të zbatohen pavarësisht prej njëra-tjetrës, por pa specifikuar asnjërin prej 11 neneve të marrëveshjes.

    “Dokumenti i Aneksit parasheh formimin e Komisionit të Përbashkët Mbikëqyrës brenda 30 ditësh për të siguruar zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes Bazë. Takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh pritet të mbahet javën që vjen në Bruksel ku edhe do të diskutohet për zbatimin e neneve të Marrëveshjes Bazë, të cilat duhet të zbatohen pavarësisht prej njëra-tjetrës”, thotë ai.

    Në anën tjetër, partitë politike në Kosovë, komentojnë pritjet e tyre për takimin e radhës të dialogut, derisa edhe akuzojnë Serbinë për qasje dekonstruktive në dialog.

    Deputetja Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se Qeveria po punon në fillimin e zbatimit të marrëveshjes bazë.

    Sipas saj, pala kosovare po vazhdon të jetë konstruktive në dialog dhe se nuk do të bëjë problem në implementimin e pikave të përfshira në marrëveshje.

    “Serbia do të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim dekonstruktiv, do të vazhdojë të jetë kaq dekonstruktive, ndërsa pala kosovare ka treguar konstruktivitetin e saj. Ka vepruar ashtu siç është dashur të veprojë. Ndërkaq, po punon edhe në fillimin e zbatimit të planit, në pikat të cilat është e rëndësishme të punohet, sigurisht edhe në të gjitha prej tyre. Megjithatë, i kemi edhe një procedurë tjetër kohore kur shtetet do të fillojnë të implementojnë specifikisht çështjet që janë të përfshira në kuadër të marrëveshjes bazë dhe që hyn në kuadër të planit të zbatimit. Republika e Kosovës po e bën punën e vet qysh nga fillimi dhe nuk besoj se do të kemi ndonjë problem në implementimin e pikave të përfshira. Ne kemi treguar se në secilën prej këtyre pikave kemi edhe propozimet tona dhe diskutimet tona që kanë të bëjnë me zbatimin e tyre”, thotë ajo.

    Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thekson se palët në dialog kanë shumë pak hapësirë për moszbatim të marrëveshjes.

    Ai thotë se marrëveshja është e monitoruar nga BE-ja dhe ShBA-ja dhe se pasojat politike dhe ekonomike do të jenë shumë të mëdha për palët që nuk e zbatojnë marrëveshjen.

    “Kjo marrëveshje është e monitoruar dhe është marrëveshje e cila do të jetë e monitoruar çdo ditë dhe do të thirren në përgjegjësi çdo ditë secila palë që e pengon zbatueshmërinë e kësaj marrëveshje. Tani për zbatimin e kësaj janë të ngarkuar BE-ja të mbështetur nga ShBA-ja. Mendoj se ka pak hapësirë për të manovruar pasi pasojat do të jenë për secilin vend që nuk e zbaton këtë marrëveshje. Pasojat politike, pasojat ekonomike dhe të tjera që do të ndërmarrin ata që e monitorojnë marrëveshjen”, thekson Haliti.

    Pas marrëveshjes bazë të dakorduar më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan edhe më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje, megjithëse nuk pati nënshkrim të saj.

    Në kuadër të aneksit të zbatimit të marrëveshjes, palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente. Ndërkaq, për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së. /kp

  • Murphy: Njohja e ndërsjellë Kosovë – Serbi, pozitive për të ardhmen e tyre politike dhe ekonomike

    Murphy: Njohja e ndërsjellë Kosovë – Serbi, pozitive për të ardhmen e tyre politike dhe ekonomike

    Senatori Amerikan Chris Murphy, tha se marrëveshja Kosovë-Serbi është shumë rëndësishme për të ardhmen euro-atlantike të të dyja vendeve.

    Shtetet e Bashkuara dhe Brukseli, që mbajnë çelësat e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, tha ai, do të vazhdojnë ta bëjnë të qartë se do të jetë shumë e vështirë për cilindo vend që t’u bashkohet atyre organizatave, nëse nuk tejkalohen dallimet ndërmjet palëve.

    Murphy tha po ashtu se Serbia duhet t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Klankosova.tv.

    Zëri i Amerikës: Kosova dhe Serbia së fundmi kanë arritur një pajtim për zbatimin e marrëveshjes së mbështetur nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe ju e përmendët këtë gjatë seancës dëgjimore me sekretarin (Antony) Blinken. A jeni optimist se palët do ta zbatojnë marrëveshjen këtë herë dhe çfarë duhet të bëjnë Uashingtoni dhe Brukseli për t’u siguruar që kjo do të ndodhë?

    Chris Murphy: Mendoj se është një marrëveshje shumë e rëndësishme. Kam kaluar shumë kohë në Ballkan. Unë mendoj se është një rajon tepër i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Është një rajon ku nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë. Kam kaluar shumë kohë me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiçin dhe të dy kanë bërë, mendoj, lëvizje shumë të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëveshja nuk është pa rrezik politik, por mendoj se është një rrezik që ia vlen të ndërmerret. Unë besoj se të dyja palët janë serioze për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe mendoj se mund të jetë gurthemel për punën e vazhdueshme për t’u siguruar që secili vend të njohë dhe respektojë qytetarët e vendit tjetër dhe të drejtën e secilit komb për t’u bashkuar me institucionet ndërkombëtare për t’u bërë anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare.

    Zëri i Amerikës: Por çfarë mund të bëjnë Uashingtoni dhe Brukseli për t’u siguruar që kjo të ndodhë? Ne e dimë se ka pasur marrëveshje të Brukselit nga viti 2013. Disa nga pjesët e saj nuk janë zbatuar. Çfarë duhet të bëjnë ata për t’u siguruar që edhe Vuçiçi edhe Kurti të respektojnë atë për të cilën janë zotuar?

    Chris Murphy: Epo, në fund të fundit ky është një vendim i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka asgjë përfundimtare që Evropa apo Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë. Ne mund të ofrojmë inkurajim. Dhe sigurisht, të dyja vendet mendoj se e shohin të ardhmen e tyre si të integruar në aleancën transatlantike. Sigurisht, të dyja kombet duan të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Kosova e sheh të ardhmen e saj në NATO. Së këndejmi Shtetet e Bashkuara dhe Brukseli, të cilët padyshim mbajnë çelësat e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, do të vazhdojnë ta bëjnë të qartë se do të jetë shumë e vështirë për secilin vend që t’u bashkohet atyre organizatave nëse nuk ka një tejkalim të dallimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    Zëri i Amerikës: Por, çfarë lloj stimujsh apo edhe pasojash mund t’u paraqes Uashingtoni të dyja palëve për t’u siguruar që po e zbatojnë marrëveshjen?

    Chris Murphy: Nuk mendoj se do të paraqesim pasojat. Ne mendojmë se është në interesin më të mirë të Kosovës dhe Beogradit që të zbatohet kjo marrëveshje. Nuk mendoj se është një politikë e mirë për fuqitë ose entitetet e jashtme që t’i detyrojnë vendet të bëjnë diçka që nuk duan ta bëjnë ose mendojnë se nuk është në interesin e tyre më të mirë. Kështu që unë nuk e shoh këtë si një çështje që Shtetet e Bashkuara ofrojnë stimuj dhe pasoja. Kjo thjesht nuk është e dobishme sipas mendimit tim. Ne duhet të punojmë me udhëheqësit dhe grupet elektorale në Kosovë dhe Serbi për t’i bindur ata të bëjnë atë që është e drejtë për vendet e tyre. Dhe njohja e ndërsjellë është e drejtë dhe është pozitive si për të ardhmen politike ashtu edhe për atë ekonomike të të dyja vendeve.

    Zëri i Amerikës: Sa realiste është ideja e njohjes së ndërsjellë kur, për shembull, presidenti i Serbisë pas takimit në Ohër tha se ka dy vija të kuqe dhe se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do ta lejojë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara? Sa realiste është të presim që kjo marrëveshje të çojë në njohje të ndërsjellë në fund?

    Chris Murphy: Epo, le të ecim hap pas hapi. Unë e kuptoj se udhëheqësit politikë ndonjëherë duhet të pozicionohen në mënyra të caktuara, por mendoj se fakti që kjo marrëveshje u realizua tregon se si Vuçiçi ashtu edhe Kurti, të cilët kanë zgjedhës që nuk duan pajtim mes dy vendeve, janë të gatshëm të ndërmarrin rreziqe, janë të gatshëm për të bërë gjënë e duhur, për të nxitur paqen. Ka lloj-lloj gjërash në Ballkan për të cilat udhëheqësit thanë se nuk do të ndodhin kurrë, por pastaj ndodhën, sepse ju u jepni kohë, vazhdoni të flisni, vazhdoni të ndërtoni një rrugë drejt pajtimit dhe ndonjëherë ndodhin gjëra të habitshme.

    Zëri i Amerikës: E dimë se zoti Kurti për shembull, i ka rezistuar idesë së formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe SHBA-ja dhe BE-ja kanë ngulur këmbë për këtë. A mendoni se zoti Kurti do ta formojë Asociacionin? Sa i rëndësishëm është formimi i tij për normalizimin e marrëdhënieve dhe a ka ndonjë rrezik që formimi i Asociacionit të çojë në një Republika Srpska tjetër, siç thonë disa nga kritikët?

    Chris Murphy: Dëgjoni, askush nuk e dëshiron një Bosnjë tjetër. Kjo nuk duhet të jetë e ardhmja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Unë kam biseduar me zotin Kurti në disa raste dhe i kam shpjeguar se në Shtetet e Bashkuara, kemi një qeveri të fortë federale. Ne kemi një ndjenjë të fortë të patriotizmit amerikan, por kemi gjithashtu qeveri të forta shtetërore. Ne gjithashtu u kemi dhënë mundësinë njerëzve në Oklahoma dhe Connecticut për të krijuar një të ardhme për veten e tyre. Ky është ndryshimi. Mendoj se sigurisht që ka një mënyrë që Kosova të vërë në jetë një shkallë të kufizuar të vetëqeverisjes për ato që janë komunat me shumicë serbe dhe ta bëjë këtë në një mënyrë që nuk e copëton strukturën e vendit. Ky është një zotim që është bërë në Bruksel dhe që Kosova duhet ta bëjë si duhet. Më vjen mirë që kjo është pjesë e kësaj marrëveshjeje.

    Zëri i Amerikës: Një aspekt më i rëndësishëm i kësaj është se kritikët mendojnë se komuniteti ndërkombëtar po i injoron çështjet me proceset demokratike në Serbi, siç theksohet në raporte të shumta, për hir të marrëveshjes me Vuçiçin. E shihni se kjo po ndodh në këtë rast?

    Chris Murphy: Sigurisht që jam i shqetësuar për shëndetin e opozitës politike në Serbi, për shkallën e kontrollit që qeveria në Beograd ushtron mbi median. Unë i kam ngritur shqetësimet e mia drejtpërdrejt me Vuçiçin dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. Mendoj se, si zakonisht, Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë dy gjëra në të njëjtën kohë. Ne mund të punojmë me qeverinë serbe për t’i bërë ata që të marrin një qëndrim më të ashpër në mbështetje të Ukrainës, për t’i bërë ata të gjejnë rrugën drejt pajtimit me Kosovën dhe të sigurohemi që e kuptojnë që nëse nuk mbrojnë sundimin e ligjit, nëse nuk kanë një demokraci të shëndoshë, atëherë pa marrë parasysh sa përparim bëjnë në Ukrainë apo Kosovë, ata nuk do të hyjnë në Bashkimin Evropian, gjë që unë e di se është synim i Aleksandër Vuçiçit.

    Zëri i Amerikës: Meqë e përmendët Ukrainën, ju e vizituat Serbinë herën e fundit në muajin prill, dhe më pas keni shkruar se Serbia do të duhet të zgjedhë për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por duket që nga ajo kohë Vuçiçi është ulur në ato dy karriget proverbiale. Ai po mbështet rezolutat e OKB-së për Ukrainën, por ende refuzon të zbatojë sanksionet perëndimore ndaj Rusisë. A është ende e rëndësishme të bëhet kjo zgjedhje, Evropa apo Rusia për Serbinë dhe pse?

    Chris Murphy: Është e rëndësishme që Serbia ta marrë atë vendim për çështjen e Ukrainës. Mendoj se është joreale të besohet se Serbia do të shkëpusë plotësisht një lloj lidhjeje kulturore dhe ekonomike me Rusinë dhe as nuk duhet të presim që ajo të bëjë një shkëputje të plotë. Por, për çështjen e Ukrainës, Serbia duhet të bëjë një zgjedhje. Serbia duhet t’u bashkohet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara dhe të zbatojë sanksionet e nevojshme për të dërguar një mesazh të përbashkët se ky akt brutal agresioni nuk do të tolerohet.

    Zëri i Amerikës: Çfarë ndodhë nëse ajo nuk e bën një gjë të tillë?

    Chris Murphy: Mendoj se është shumë e vështirë për Serbinë të ketë një të ardhme evropiane nëse qëndron në kundërshtim të përpjekjes më të rëndësishme të politikës së jashtme të mbështetjes së pakushtëzuar të BE-së për Ukrainën.

  • Deliu-Kodra: Këto dy vite sa ish-krerët e UÇK-së po mbahen në Hagë, të vështira për PDK-në

    Deliu-Kodra: Këto dy vite sa ish-krerët e UÇK-së po mbahen në Hagë, të vështira për PDK-në

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, në emisionin “A23” në ATV, derisa foli lidhur me marshin që pritet të mbahet nesër në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhën në paraburgim në Hagë që nga 2020-ta, ajo tha se këto dy vite ishin të vështira për PDK-në.

    “Ka dy vite e gjysmë që liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë dhe për këtë kohë, ne kemi qenë të rezervuar qoftë që organizojmë diçka apo edhe të mbështesim iniciativa për ta ruajtur një proces që po ndodhë në Hagë. Ju e dini që atje po gjykohen dy prej kryetarëve të PDK-së dhe këto dy vite e gjysmë ka qenë tejet të vështira për partinë por konsiderojë që kanë qenë të vështira edhe për Kosovën, duke u përballur me një proces që duke të jetë më i vështirë dhe urojë që të mos jetë i gjatë dhe që sa më parë të kemi një vendim me atë proces që po ndodhë atje”, deklaroi Deliu-Kodra./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Chollet takohet me Gjuriqin, flasin për marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë

    Chollet takohet me Gjuriqin, flasin për marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë

    Këshilltari i Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet është takuar me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq.

    Në këtë takim, Chollet e Gjuriq kanë diskutuar për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi në Ohër dhe për avancimin e ambicieve të Serbisë.

    Ai i ka shprehur falënderime Serbisë për mbështetjen e Ukrainës.

    Gjithashtu ka thënë se e mirëpret Gjuriqin në vjeshtë për programin e ndërlidhjes.

  • Ambasadorët shohin progres në dialog, thonë se do të ketë pasoja nëse marrëveshjet nuk zbatohen

    Ambasadorët shohin progres në dialog, thonë se do të ketë pasoja nëse marrëveshjet nuk zbatohen

    Ambasadori i Francës në Kosovë dhe ai i Gjermanisë janë shprehur optimist për dialogun Kosovë-Serbi dhe dakordimet e arritura në mes të palëve muajin e kaluar dhe këtë muaj, raporton Ekonomia Online.

    Në diskutimin me temën “Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, e organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, ambasadori francez në Prishtinë, Oliver Guerot, ka thënë se Kosova duhet të fillojë krijimin e Asociacionit, e se kjo është e qartë edhe në tekstin e Aneksit të Implementimit.

    Guerot ka thënë se pas një periudhe të gjatë, ky dialog ka marrë një kahje positive, e se nuk duhet të humbasë ky “momentum”.

    Ai ka folur edhe për dakordimin e palëve në Bruksel më 27 shkurt për Planin evropian si dhe aneksin e zbatimit për të cilin palët u dakorduan në Ohër më 18 mars.

    “Të dy marrëveshjet janë një arritje e madhe dhe udhëheqësit ishin të suksesshme, pavarësisht se nuk u nënshkrua, marrëveshja është obliguese dhe detyruese për Kosovën e Serbinë dhe presim nga dy vendet që t’i zbatojnë ato. Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar”, është shprehur Guerot.

    “Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar, prandaj do të përpiqemi t’iu themi se çfarë pasoja. Do të thosha se presim nga Qeveria që ta lëshojnë vendimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ky është hapi i parë”.

    “Mendoj që kam qenë shumë i qartë. Presim nga Qeveria e Kosovës, siç ceket në Aneks që Kosova të fillojë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të ofrojë garanci për të siguruar një nivel të vetëqeverisjes të komunave me shumicë serbe të Kosovës në pajtim me marrëveshjet dhe për ne teksti është i qartë që flet për krijim të Asociacionit”.

    “Dhe unë s’e kam lirinë që t’i zbuloj sekretet këtu”, ka thënë Guerot.

    E ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë obligimet e saja duke bërë hapa që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    “E kuptoj skepticizmin, por natyrisht ne jemi optimistë. Jam optimist sepse ka shumë presion politik. Alternativa tjetër është që rruga e mbyllur për BE për të dyja vendet. Të rinjtë po largohen dhe ne duhet të ndryshojmë këtë – e kjo bëhet nga vullneti politik për të ndryshuar”.

    “Kosova duhet t’i përmbush obligimet duke bërë hapa që ta themelojë asociacionin. Serbia duhet të pajtohet që Kosova është një fqinj që ka perspektive evropiane”.

  • Abbott e quan të “papranueshëm” aktin e djegies së veturave në veri, kërkon hetime të shpejta

    Abbott e quan të “papranueshëm” aktin e djegies së veturave në veri, kërkon hetime të shpejta

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott e ka quajtur të papranueshëm aktin e djegies së veturave me targa RKS në veri të Kosovës.

    Përmes një postimi në Twitter, ambasadori britanik ka kërkuar këto akte dhune të dënohen nga akterët politikë seriozë.

    Sipas tij pas këtyre incidenteve duhen hetime të shpejta të cilat siç është shprehur ai duhet të kryhen me ndjeshmëri dhe seriozitet.

    “Djegia e veturave pas ri-regjistrimit në targa RKS në veri të Kosovës është e papranueshme. Të gjithë aktorët seriozë politikë duhet t’i dënojnë këto akte dhune dhe rreziqet që ato paraqesin për stabilitetin dhe qetësinë. Hetimet e shpejta për këtë akt krimi janë të nevojshme dhe duhet të kryhen me ndjeshmëri dhe seriozitet”, ka shkruar Abbott.

  • ​Osmani: Në Pastasellë e Malishevë u bë masakër, kërkojmë drejtësi për viktimat

    ​Osmani: Në Pastasellë e Malishevë u bë masakër, kërkojmë drejtësi për viktimat

    Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Pastasellës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës.

    “Sot kujtojmë masakrën e kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, me ç‘ rast u vranë dhe u masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë në Burim të Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civil. Dhembja vazhdon të jetë po kaq e madhe sikur në ditën e vrasjes së tyre, ndërsa kujtimi për ta i përhershëm. Drejtësia për viktimat e regjimit serb dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë kërkesa të përhershme tonat, nga të cilat ne nuk heqim dorë”, ka shkruar Osmani.

  • Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm

    Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm

    Në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen në Samitin e dytë për Demokraci, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në panelin me temën “Zgjedhje të lira dhe të drejta – Roli i Kongresit në promovimin e politikave të shëndosha zgjedhore dhe pjesëmarrjen e votuesve”.

    Në fjalimin e tij, kryetari Konjufca foli për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në organizimin e të gjitha cikleve zgjedhore deri më tani, duke shtuar se progresi i arritur në këtë fushë ka kontribuar në zhvillimin demokratik të Kosovës.

    “Kosova ka treguar progres të jashtëzakonshëm në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë dhe se të gjitha proceset elektorale viteve të fundit, sipas raporteve vendore e ndërkombëtare, janë organizuar duke përmbushur standaret më të larta demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta duke dëshmuar kështu pjekuri dhe kulturë të lartë politike dhe qytetare”, theksoi kryetari Konjufca.

    Kryetari i Kuvendit potencoi gjithashtu rolin e Kuvendit të Kosovës në këtë process, duke theksuar faktin që pas një përpjekjeje disa vjeçare, tashmë grupet politike parlamentare janë në prag të përmbylljes së punës për reformën zgjedhore, për të mundësuar adresimin e mangësive të shpërfaqura gjatë proceseve të kaluara zgjedhore dhe së shpejti ato ndryshime do të miratohen në Kuvend.

    “Pavarësisht sfidave dhe punës që na pret, të arriturat e deritanishme dëshmojnë maturinë tonë politike dhe përkushtimin për ndërtimin e një shoqërie dhe shteti demokratik të qëndrueshëm”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.