ATV

Blog

  • Ministrja Nagavci: Ka lëshime teknike e shkencore në tekstet shkollore

    Ministrja Nagavci: Ka lëshime teknike e shkencore në tekstet shkollore

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Arbërie Nagavci ka deklaruar sot se ende ka lëshime teknike e shkencore në tekstet shkollore.

    Në prezantimin zyrtar të fillimit të procesit të rishikimit të teksteve shkollore nga Instituti EdGuard dhe Ministrisë së Arsimit, Nagavci ka thënë se rezultatet e testeve ndërkombëtare kanë qenë këmbana e fundit për përmirësim.

    “Ka qenë një nga prioritet tona që të sigurohemi qe të kemi tekste shkollore cilësore për nxënësit tanë. Qe dy vite kemi filluar tekstet e mësimit alternativ. Cilësia e teksteve janë përcjell me sfida të shumta. Akoma ka vend për përmirësim, ka raportime nga prindërit, mësimdhënësit për lëshime te ndryshme. Qofshin të atyre teknike, por edhe shkencore”, ka thënë Nagavci.

    Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja është shprehur se në fazën e parë, procesi i rishikimit do të bëhet për tekstet shkollore në Gjuhë shqipe dhe Matematikë, në klasën 1 deri në 9.

  • Gëzim Kelmendi kërkon dënimin e Valon Sylës për nxitje të urrejtjes ndër fetare

    Gëzim Kelmendi kërkon dënimin e Valon Sylës për nxitje të urrejtjes ndër fetare

    Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi ka komentuar sulmin e djeshëm ndaj gazetarit Valon Syla ku ka thënë se sulmuesit dhe vet Valon Syla duhet të dënohen.

    Ai ka thënë se e ka dënuar dhunën menjëherë, por pasi ka lexuar postimet e Sylës ka kërkuar dënim për të dy palët.

    Kelmendi ka thënë se Syla duhet të dënohet për nxitje të urrejtjes fetare.

    Ky është postimi i tij:

    Dënim për Valon Sylën dhe për sulmuesit e Valon Sylës!

    Me të kuptuar se sonte ishte sulmuar fizikisht gazetari dhe analisti Valon Syla, unë nuk hezitova aspak dhe menjëherë e dënova dhunën dhe kërkova që autorët të dënohen.

    Por, sapo lexova postimin e Valonit ku ai ishte tallur me Pejgamberin tonë të dashur Muhamedin a.s.s dhe Pejgamberin tjetër tonë të dashur Isën a.s.s.

    Bile tallja tij kishte shkuar edhe më larg dhe më keq, ZOTIT i kishe përshkruar grua- Marien dhe për djalë- Isën a.s.s.

    Kështu që unë kërkoj që të dyja palët ta marrin dënimin e merituar në bazë të ligjeve dhe

    Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    1.Valon Syla të dënohet për nxitje të urrejtjes ndër fetare.
    2. Autorët e sulmit fizik mbi Valon Sylën ta marrin dënimin e merituar.

    Shoqëria jonë kultivon një kulturë dhe bashkëjetesë të mirëfilltë ndërfetare shumëshekullore dhe këtë duhet ta ruajmë edhe në ardhmen.
    Gëzim Kelmendi

  • Vdes Lasse Wellander

    Vdes Lasse Wellander

    Ka vdekur kitaristi i grupit ‘’ABBA’’ 70 vjeçari, Lasse Wellander.

    Përmes një komunikate për media, familja e tij deklaroi për lajmin duke thënë se: “Me pikëllim të madh po ju lajmërojmë se i dashuri ynë Lasse ka vdekur. Së fundmi ai u prek nga sëmundja e kancerit dhe si pasojë vdiq i rrethuar nga më të dashurit e tij”.

    Keqardhje për vdekjen e tij e shprehën edhe anëtarët e tjerë të grupit Abba, të cilët thanë se “Lasse ishte një mik i dashur, një person qesharak dhe një kitarist i jashtëzakonshëm. Do të na mungojë shumë dhe nuk do ta harrojmë kurrë atë”.

    Lasse kishte filluar të luajë me kitarë kur ishte vetëm 13 vjeç dhe që nga atëherë kishte qenë I njohur në Suedi si një nga kitaristët më të mirë.

    Grupi Abba u formula në vitin 1972 ndërsa në vitin1982, grupi u nda por këngët e tyre vazhduan të dëgjohen duke bërë kështu të mbeten një prej grupeve më të suksesshme në historinë e muzikës pop.

  • ​Miller zëdhënësi i ri i DASh-it

    ​Miller zëdhënësi i ri i DASh-it

    Mathew Miller është zëdhënësi i ri i Departamentit Amerikan të Shtetit.

    Ish-drejtues i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Mathew Miller u caktua në këtë detyrë nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

    ”Përvoja e madhe e Mattit në qeveri dhe në çështjet e politikës së jashtme do të na shërbejë shumë, ndërkohë që ne vazhdojmë të komunikojmë mbi sfidat komplekse globale. I jam mirënjohës që ka pranuar të marrë këtë rol”, deklaroi në Twitter Blinken.

    Miller do të zëvendësojë Ned Price.

    Zëdhënësi i ri i DASh-it, Mathew Miller, është një pikë referimi në qarqet politike demokrate dhe ka qenë zëdhënës edhe i ish-prokurorit të përgjithshëm, Eric Holder gjatë administratës Obama.

    Pas zgjedhjes së Joe Biden, Miller punoi në ekipin e tranzicionit duke kontribuar në procesin e konfirmimit të Blinken në krye të diplomacisë amerikane.

    Më pas, ai mori një rol të përkohshëm në bordin e sigurisë kombëtare, vitin e kaluar, për të koordinuar qëndrimin amerikan, pas pushtimit rus të Ukrainës.

  • Taylor Swift dhe Joe Alwyn ndahen pas 6 vitesh

    Taylor Swift dhe Joe Alwyn ndahen pas 6 vitesh

    Taylor Swift dhe aktori Joe Alwyn thuhet se janë ndarë pas gjashtë vitesh lidhje.

    Lidhja e tyre e dashurisë duket se ka përfunduar muaj më parë për shkak se aktori nuk ishte shfaqur në asnjë nga koncertet e saj, gjë të cilën e bënte pothuajse gjithnjë, shkruan atvlive.tv.

    Edhe pse lidhjen e tyre për vite u munduan ta mbajnë private, një burim pranë çiftit foli për ‘Entertainment tonight’, duke thënë se ata u takuan në Met Gala dhe këngëtarja kishte rrëfyer se kënga Gorgeous ishte dedikim për Alwyn.

    Taylor Swift dhe Joe Alwyn e nisën lidhjen e tyre në vitin 2016./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Shakira ka disa fjalë për gazetarët: E shkruaj këtë kërkesë si një nënë…

    Shakira ka disa fjalë për gazetarët: E shkruaj këtë kërkesë si një nënë…

    Këngëtarja Shakira me një letër emocionuese u është drejtuar mediave që ta respektojnë privatësinë e saj e ta lënë të qetë.

    Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e saj në “Instagram”, Shakira ka thënë se në një masë e kupton interesimin e mediave meqë kanë ndodhur disa ndryshime në jetën e saj dhe gazetarët kanë kuriozitet për të dhe familjen, transmeton atvlive.tv.

    ‘’E shkruaj këtë kërkesë jo më si artiste, por si një nënë që dëshiron të mbrojë dhe të kujdeset për mirëqenien psikologjike dhe emocionale të fëmijëve të saj, në mënyrë që ata të bëjnë një jetë të shëndetshme dhe të lumtur, siç e meriton çdo fëmijë’’, shkroi Shakira.

    Ajo tregoi se fëmijët Milan dhe Sasha kanë kaluar një vit jashtëzakonisht të vështirë pasi që çdo ditë, gazetarë të ndryshëm kishin rrethuar ata.

    Tash e disa javë këngëtarja ka filluar një jetë të re në Miami, prandaj kërkoi nga mediat që ta respektojnë të drejtën e fëmijëve të saj për privatësi.

    Ajo bëri lutje që paparacit të mos i ndjekin në hyrje apo dalje të shkollës fëmijët dhe në asnjë aktivitet që ata ndjekin./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Vazhdojnë luftimet intensive në Bahmut, Ukraina: Kemi zmbrapsur mbi 70 sulme ruse

    Vazhdojnë luftimet intensive në Bahmut, Ukraina: Kemi zmbrapsur mbi 70 sulme ruse

    Ukraina tha se forcat e saj kanë zmbrapsur dhjetëra sulme të forcave ruse në lindje, teksa luftimet intensive po vazhdojnë përreth qytetit të shkatërruar të Bahmutit.

    “Pavarësisht humbjeve të mëdha të pajisjeve dhe ushtarëve, armiku nuk po heq dorë nga lufta e agresionit. Po vazhdon të përqendrojë përpjekjet kryesore në kryerjen e operacioneve të ofensivës në zonat e Limanit, Bahmutit, Avdivit dhe Marinit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

    Forcat ukrainase kanë zmbrapsur 72 sulme gjatë ditës së kaluar, u tha në deklaratë. Serhiy Çerevati, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, tha se situata në Bahmut është nën kontroll, duke shtuar se Kievi nuk do të lejojë që trupat e tij të rrethohen.

    Beteja disamujore për Bahmutin, që gjendet në rajonin lindor të Donjeckut, është shndërruar në një prej betejave më të përgjakshme të pushtimit rus të Ukrainës.

  • Vendoset tabelë afër urës së Bistricës me mbishkrimin, “Policia speciale e Kurtit po qëllon ndaj serbëve”

    Vendoset tabelë afër urës së Bistricës me mbishkrimin, “Policia speciale e Kurtit po qëllon ndaj serbëve”

    Pranë pikës ku janë vendosur forcat speciale të policisë së Kosovës, afër urës së Bistricës në Zveçan, gjatë natës është vendosur tabela me paralajmërim – “Policia speciale e Kurtit po qëllon ndaj serbëve”, njofton FrontOnline.

    Në vendin ku mbrëmë mbeti i plagosur serbi Milan Jovanoviq, është vendosur tabela me të cilën paralajmërohen vozitësit se në afërsi të saj ndodhet njësiti i forcave speciale të Policisë së Kosovës.

  • Formacionet e mundshme të Realit dhe Chelseat

    Formacionet e mundshme të Realit dhe Chelseat

    “Santiago Bernabeu” do të jetë nikoqir i super përballjes së sotme mes Real Madridit dhe Chelseat, e vlefshme kjo për ndeshjen e parë mes dy klubeve në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

    Për të tretin sezon me radhë, dy gjigantët evropianë takohen mes vete në fazat eliminatore të turneut, ku fituesit e dy përballjeve të fundit që vazhduan deri në fund për ta fituar trofeun, raporton KosovaPress.

    Me dy skuadrat që janë larg të arrijnë objektivat e këtij sezon në kampionatet e tyre, të dyja do të kërkojnë suksesin në garën më prestigjioze evropiane, andaj pritet që sot të zhvillohet një ndeshje tejet e zjarrtë.

    Të dy skuadrat, si Reali ashtu edhe Chelsea u mposhtën në vikend me diferencë prej një goli, ku Reali u mposht si vendas nga Villarreali me shifrat 3:2, kurse Chelsea pësoi humbje 1:0 nga Wolverhamptoni.

    Takimi i fundit mes Realit dhe Chelseat daton në muajin prill të vitit 2022, ku asokohe Chelsea e mposhti Realin me rezultat të ngushtë 3:2.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy skuadrat do të kenë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Realin nuk do të paraqitet Mendy, kurse te Chelsea mungojnë Aubameyang, Badiashile, Broja, Chukwuemeka dhe Madueke.

    Formacionet e mundshme i gjeni më poshtë.

    Real Madrid (4-3-3): Courtois; Carvajal, Militao, Rudiger, Alaba; Kroos, Modric, Tchouameni; Valverde, Benzema, Vinicius

    Chelsea (4-3-3): Kepa; James, Fofana, Koulibaly, Chilwell; Kovacic, Enzo Fernandez, N’Golo Kante; Sterling, Havertz, Joao Felix

    21:00 Real Madrid – Chelsea (Stadiumi Santiago Bernabeu)

  • Serbët e veriut thonë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve

    Serbët e veriut thonë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve

    Tashmë që kanë mbetur edhe dhjetë ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore të vendit, serbët e asaj pjese thonë se nuk ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve dhe se nuk do të dalin në votime.

    Të paktë janë ata qytetarë të cilët pranojnë të flasin publikisht për këtë çështje dhe sikur hezitojnë të shprehen lirshëm, por prapa kamerës së KosovaPress-it dhe pa përmendur emra, bëjnë të ditur se janë të frikësuar për të dalë në zgjedhje nga grupe të caktuara në veri të vendit.

    Me krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve ata nënkuptojnë kthimin e serbëve nëpër institucione.

    Sllobodanka Zaporozhac, qytetare e veriut të Mitrovicës, thotë se nuk do të dalë në zgjedhjet e 23 prillit sepse nuk ekzistojnë kushtet për një gjë të tillë.

    “Jo, kështu si qëndrojnë gjërat jo (nuk ka kushte për zgjedhje). As që mendoj të dal në zgjedhje… Zgjedhjet duhet të mbahen kur të krijohen kushtet, ndërsa kur do të ndodhë kjo nuk e di”, ka thënë Zaporozhac.

    Ngjashëm u shpreh edhe një banor tjetër nga kjo pjesë e qytetit, i cili nuk deshi të prezantohet, por tha se nuk ka kushte për zgjedhje.

    “Në një situatë të tillë, fare nuk ekzistojnë kushte për të dalë në zgjedhje… dhe në një situatë të tillë mendimi im personal është se nuk ka kushte as minimale për zgjedhje”, theksoi ai.

    Në anën tjetër, Aleksandar Arsenijeviq, lider i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe” në veri të Mitrovicës, situatën politike dhe të sigurisë në veri e ka përshkruar të rëndë, me mundësi shpërthimi çdo moment.

    Duke e quajtur të paligjshme mbajtjen e zgjedhjeve nëpër stacione policore, Arsenijeviq tha se ato duhet të shtyhen deri sa të krijohet atmosferë e përshtatshme.

    Ai tha se nuk ka kandiduar për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore, veç tjerash edhe për shkak se nuk ka dashur të ndahet nga shumica e popullit të tij.

    “Situata aktuale politike dhe e sigurisë është e rëndë dhe e pasigurt, kështu që çdo shkëndijë mund ta ndezë fuqinë e barutit që ndodhet në veri. Sa i përket Beogradit dhe Prishtinës është e qartë se pas marrëveshjes së Ohrit nuk kanë arritur asgjë që do të ishte në interesin e qytetarëve dhe të qetësimit të situatës në terren… Para së gjithash nuk ka vendvotime për mbajtjen e zgjedhjeve, sepse shkollat funksionojnë sipas sistemit të Republikës së Serbisë… Sipas ligjeve ndalohet edhe filmimi i spoteve politike gjatë fushatës ku shihet stacioni policor, gjykata dhe institucionet e ngjashme shtetërore, të cilat duhet të mbeten neutrale… Pikërisht për shkak të një pjese të këtyre arsyeve nuk kam kandiduar, ndërsa arsyeja tjetër është se kur bëhet fjalë për të drejtat kolektive të komunitetit tonë në Kosovë ne duhet të qëndrojmë pranë popullit tonë… Zgjedhjet duhet të shtyhen para së gjithash jo për shkak të Listës Serbe, por për shkak të atmosferës që duhet krijuar për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, dhe deri atëherë është e pamundur të mbahen zgjedhjet”, u shpreh për KosovaPress Arsenijeviq.

    Ndryshe, zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit janë shpallur pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar për shkak të përplasjeve rreth çështjes së targave, ndërsa u parapanë të mbahen fillimisht më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për 23 prill.