ATV

Blog

  • United e konfirmon lëndimin e Rashford

    United e konfirmon lëndimin e Rashford

    Marcus Rashford do t’i mungojë Manchester Unitedit në disa ndeshje, ndërsa ai po rikuperohet nga një lëndim në muskul.

    Rashford u lëndua në fitoren 2:0 të United kundër Evertonit të shtunën, dhe pritet që të mungojë nesër në ndeshjen e çerekfinales së Ligës së Evropës kundër Sevillas në “Old Trafford”, dhe në disa ndeshje të tjera të rëndësishme, raporton KosovaPress.

    United ka thënë se Rashford nuk do të jetë i gatshëm për disa ndeshje, por pritet të rikthehet në pjesën e mbetur të sezonit.

    Kjo do të jetë një goditje e madhe për Ten Hag, pasi që ylli anglez e ka gjetur rrjetën plot 28 herë këtë sezon, dhe është njëri nga lojtarët kyç të United.

  • Nuk mbahet mbledhja e KQZ-së, shtyhet sërish miratimi i listës së qendrave të votimit

    Nuk mbahet mbledhja e KQZ-së, shtyhet sërish miratimi i listës së qendrave të votimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk do të mbajë mbledhje gjatë ditës së sotme (e mërkurë). Pas anulimit të mbledhjes të së martës, KQZ pritej që të mblidhej për të miratuar listën me qendra të votimit të cilat do të hapen për zgjedhjet e 23 prillit në veri të vendit.

    Mirëpo, zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, konfirmoi për KosovaPress se nuk do të ketë mbledhje sot.

    “Mbledhja e planifikuar për sot nuk do të mbahet. Jemi në përgatitje të materialeve për mbledhje, për mbajtjen e së cilës do t’iu njoftojmë me kohë”, deklaroi shkurti ai.

    KQZ është duke i zhvilluar të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës të planifikuara për 23 prill.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej disa mbledhjes ka shtyrë shqyrtimin e rekomandimeve të Këshillave Komunal Zgjedhor për qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.

    Si arsyetim është thënë se kërkojnë më shumë informacione nga organet e sigurisë.

  • ​Fillon zyrtarisht rishikimi i teksteve shkollore, Nagavci: Ka lëshime shkencore profesionale

    ​Fillon zyrtarisht rishikimi i teksteve shkollore, Nagavci: Ka lëshime shkencore profesionale

    Instituti EdGuard bashkë me Ministrinë e Arsimit kanë prezantuar zyrtarisht fillimin e procesit të rishikimit të teksteve shkollore. Ministrja Arbërie Nagavci ka deklaruar se ende në këto tekste ka lëshime teknike, shkencore e profesionale. Sipas saj, rezultatet e testeve ndërkombëtare kanë qenë kambana e fundit për përmirësim. Në prezantimin e këtij procesi, u tha se në fazën e parë do të përfshihen klasat 1 deri në 9 në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Matematikë.

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se një nga prioritetet gjatë mandatit të saj ka qenë përmirësimi i cilësisë së teksteve mësimore për nxënësit dhe mësimdhënësit.

    “Është e qartë se në vendin tonë për vite me radhë, cilësia e tyre është përcjell me sfida të shumta, përfshirë edhe aspektin përmbajtësor edhe atë teknik por edhe aspekte të tjera pedagogjike, metodologjike dhe kështu me radhë. Gjatë viteve ka pasur përpjekje serioze, por edhe nga autorët e teksteve gjithë ata që kanë qenë të përfshirë që të përmirësojnë cilësinë e teksteve… Akoma ka vend për përmirësim dhe sa do që mund të evidentohen përmirësimeve të cilësisë së teksteve mësimore, megjithatë akoma kemi raportime qoftë nga prindërit, qoftë nga mësimdhënësit edhe për lëshime të ndryshme, qofshin ato të natyrës teknike apo për fat të keq shkencore dhe profesionale”, ka deklaruar ministrja Nagavci, transmeton KosovaPress.

    Nagavci ka shtuar se rezultatet e testeve ndërkombëtare kanë qenë kambana e fundit për përmirësim.

    “Rezultatet e fundit të testeve ndërkombëtare e të testeve të tjera të cilat kemi marrë pjesë, kanë qenë kambana e fundit e alarmit. Sepse jo që ka qenë diçka që ndoshta nuk e kemi menduar, apo vërejtur prej pozitave në të cilat jemi, por ka shërbyer si një ndërgjegjësim dhe diskutim i gjithë opinionit. Në këtë vit ne do të kemi rezultatet edhe të dy testeve ndërkombëtare”, ka shtuar Nagavci.

    Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja tha se qëllimi i këtij rishikimi është rritja e vetëdijësimit për rëndësinë e teksteve shkollore cilësore.

    “Më e rëndësishmja është rritja e vetëdijesimit për rëndësinë e teksteve shkollore. Për herë të parë po ofrojmë një evidencë të mjaftueshme empirike për domosdoshmërinë e përmirësimit të cilësisë së teksteve shkollore. Përmes këtij rishikimi që synojmë të krijojmë edhe një qasje pozitive dhe pro-aktive të hisedarëve të përfshirë në këtë proces… Objektivat afatshkurta pa dyshim janë mbledhja e të dhënave specifike për cilësinë e teksteve shkollore aktuale, identifikimi i fushave që kërkojnë përmirësim dhe ofrimi i rekomandimeve për ndërhyrje të bazuar në tekstet shkollore ekzistuese”, u shpreh ai.

    Qehaja tha se në fazën e parë, procesi i rishikimit do të bëhet për tekstet shkollore në Gjuhë shqipe dhe Matematikë në klasën 1 deri në 9.

    “Rishikimi është i ndarë në disa faza. Faza e parë është ajo që me të cilën fillojmë nga ky muaj, e që ka të bëjë me rishikimin e teksteve në Gjuhë Shqipe dhe Matematikë për klasat 1 dhe 9. Pse kjo përzgjedhje, pa dyshim se në këtë fusha kemi ngecjet më të mëdha të raportuara në testet ndërkombëtare. Kjo synojmë që do të jetë përgjigja jonë, përmes rishikimit të teksteve shkollore të tentojmë të krijojmë një performancë më të mirë në rezultatet e testeve ndërkombëtare”, ka vijuar Qehaja.

    Ky proces i rishikimit të teksteve shkollore do të udhëhiqet nga Ministria e Arsimit, ku të përfshirë do të jenë ekspertë të fushës.

    Për tërë arsimin para-universitar, janë përafërsisht 200 kurrikula lëndore, së paku 600 tituj librash, së paku 100 recensentë, ku do të duhet të identifikohen dhe trajnohen në vit.

  • ​Escobar takohet edhe me Alibeajn

    ​Escobar takohet edhe me Alibeajn

    I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar vijon sot ditën e tij të dytë të vizitës në Shqipëri.

    Ai ka takuar mëngjesin e kësaj të mërkure kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajn.

    Të pranishëm kanë qenë edhe deputetë të tjerë si Gazment Bardhi, Oriola Pampuri dhe Kreshnik Çollaku.

    Në këtë takim është diskutuar për zgjedhjet lokale të 14 majit.

  • Ministrja e Drejtësisë dënon sulmin ndaj Valon Sylës: I papranueshëm dhe i dënueshëm

    Ministrja e Drejtësisë dënon sulmin ndaj Valon Sylës: I papranueshëm dhe i dënueshëm

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit dhe opinionistit, Valon Syla.

    Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Haxhiu doli në një konferencë për media, ku tha se liria e shprehjes është e garantuar me kushtetutë.

    Ajo shtoi se sulmet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe të dënueshme.

    “Dua të shpreh indinjatën tonë për sulmin e mbrendshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valo Sylaj. E dënojmë ashpër një veprim të tillë të dënueshëm. Sulmi që ka ndodhur mbrëmë është i papranueshëm dhe i patolerueshëm po ashtu siç e përmenda është edhe i dënueshëm. Urojmë që organet si Policia, prokuroria dhe gjyqësia ta bëjnë punën e tyre me seriozitetin më të lartë dhe jo vetëm ndaj këtij rasti, por ndaj të gjitha rasteve kur ka sulme ndaj gazetarëve. Iu urojmë shërim të shpejt gazetarit dhe opinionistit Valon Sylaj”, ka thënë Haxhiu.

  • “Askush nuk më jep vajzë” , Abazoviq shkakton bujë në rrjet me deklaratën për martesë

    “Askush nuk më jep vajzë” , Abazoviq shkakton bujë në rrjet me deklaratën për martesë

    Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq shkaktoi një ortek komentesh pasi u pyet për martesë në emisionin “Mirëmengjesi Mali i Zi”.

    Në një video që është shfaqur në Twitter, Abazoviq i është përgjigjur drejtuesit të programit se nuk është martuar ende, sepse “askush nuk i jep vajzë”.

  • Vetëm 48 deputetë në sallë, seanca e kuvendit shtyhet për nesër

    Vetëm 48 deputetë në sallë, seanca e kuvendit shtyhet për nesër

    Seanca e sotme plenare e paraparë të niste sot në orën 12:00, nuk është mbajtur.

    Sipas kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk ka kushte për t’u mbajtur seanca.

    “Gjysmë ore është bërë prej kur është e ftuar kjo seancë dhe është dashur t’ia niste. Kështu që vetëm 48 deputetë me sa po e shoh janë të pranishëm. Nuk ka kushte për t’u mbajtur seanca, shihemi në seancën e nesërme”, tha Konjufca.

  • 14 prilli caktohet Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

    14 prilli caktohet Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Me propozim të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbledhjen e 138-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, 14 prilli është caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Presidentja Osmani, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

    “Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës.

  • 8-vjeçari humb jetën pasi u sulmua nga qeni

    8-vjeçari humb jetën pasi u sulmua nga qeni

    Një 8-vjeçar ka ndërruar jetë pasi është sulmuar nga një qen në lagjen “Pintija” në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

    Tragjedia ka ndodhur pasi fëmija është afruar në oborrin ku mbahej qeni, e më pas është sulmuar, shkruan Alsat.

    Fëmija me plagë të rënda është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit, ku ka ndërruar jetë.

    “Dje në orën 18:25 nga spitalin “Shën Naum i Ohrit” është raportuar se tek ta është sjellë një i mitur nga Shkupi, i cili edhe përkundur intervenimit të mjekëve u është nënshtruar plagëve. Për këtë rast është njoftuar prokurori publik, me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dorëzuar për autopsi. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga Ministria për Punë të Brendshme.

  • Javë me diell apo shi? Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Javë me diell apo shi? Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë mot kryesisht me vranësira të shpërndara dhe me reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Prishtina me 3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 16 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 6 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 21 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme: