ATV

Blog

  • Sulmi ndaj gazetarit Syla, Prokuroria thotë se hetimet po vazhdojnë

    Sulmi ndaj gazetarit Syla, Prokuroria thotë se hetimet po vazhdojnë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se lidhur me rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla, po zhvillohen hetime në mënyrë intensive.

    Përmes një komunikate, Prokuroria njoftoi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton lidhur me rastin e gazetarit V.S., i cili ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik nga tre persona, me ç’ rast i njëjti ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatë.

    Prokuroria bëri të ditur se hetimet janë duke vazhduar, derisa të dyshuarit ende nuk janë identifikuar.

    “Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Kujtojmë se mbrëmë rreth orës 22:29, në rrugën “Ilir Durmishi” në Prishtinë, gazetari Valon Syla u sulmua fizikisht nga tre persona deri më tani të panjohur e të cilët pas aktit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

    Lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta, me ç’rast ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke kërkuar hetime urgjente./atvlive.tv/

     

  • Akademik Anastas Angjeli promovon kolanën me 8 vëllime “Ditari i tranzicionit”

    Akademik Anastas Angjeli promovon kolanën me 8 vëllime “Ditari i tranzicionit”

    Promovohet në Akademinë e Shkencave, kolana “Ditari i tranzicionit”, me 8 vëllime, nga Akademik, Prof.Dr Anastas Angjeli. Kjo kolanë, si përmbledhje e ngjareve ekonomike në Shqipëri, për 30 vjet, vjen pak muaj pasi profesori mori çmimin “Eqerem Çabej”, çmimi më i rëndësishëm shkencor që akordohet nga Akademia e Shkencave.

    Në ceremoninë e organizuar, morën pjesë studiues, akademikë të njohur, gazetarë e profesorë. E ftuar e veçantë ishte edhe Zv Kryetarja e Akademisë së Shkencave të Kosovës, Justina Pulaj Shiroka. Në fjalën e saj ajo shprehu vlerësime jo vetëm për kolanën, por veçanërisht për figurën e njohur dhe të respektuar si dhe kontributin në ekonomi e politikë të Prof. Angjelit.

    “Akademik Angjeli është së pari intelektual i çmuar, ekonomist i përmasave evropiane, anëtar i Akademisë europiane të Shkencave, si dhe Doctor Honoris Causa në disa Universitete botërore”, u shpreh akademikja nga Kosova.

    Nga sa theksoi në fjalën e saj, Prof Angjeli është padyshim një nga studiuesit më të njohur në lëmin e ekonomisë dhe veçanërisht ekonomisë financiare.

    “Na ka dhuruar dhjetra publikime shkencore si autor dhe bashkëautor të publikuara në Shqipëri dhe jashtë vendit. Por jo vetëm kaq. Në këtë hark kohor ai ka mbajtur edhe mjaft detyra të larta shtetërore si deputet, ministër, anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë etj. Në botimet e tij, Akademik Angjeli ka pasqyruqar një begati diturish,në lidhje me reformat, zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Ndaj respekti dhe vlerësimi jonë është tepër i madh për të gjitha zgjidhjet praktike dhe analizat”, tha Akademikja Pulaj.

    Ajo shtoi se ajo çka pasqyrohet në këtë kolanë ka qenë edhe një mësim edhe për Kosovën duke mësuar nga gabimet si dy ekonomi të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi në fjalën e tij u shpreh se kolana “Ditari i Tranzicionit ekonomik”, ka tre specifika.

    “Është e para herë që një përmbledhje studimesh e analizash kaq voluminoze në ekonomi, të promovohet në këto mjedise të Akademisë së Shkencave. Kolana është produkt i një autori, por ai në shkrimin e konceptimin e saj shfaqet me disa cilësi e funksione. Ky ditar rrok një periudhë të papersëritshme të ekonomisë e historisë shqiptare, atë të tranzicionit, që rezulton më i veshtiri e i shoqëruar me dukuri e eksperimente të panjohura më pare. Në këto zhvillime, autori ka qenë protagonist e oponent, sipas rastit, i reformave të thella a të veçanta, që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe. Kështu kjo kolanë, është ditar e dëshmi me vlerë i tre dekadave aktivitet intensiv e punë kërkimore-shkencore prej autorit: në fushat akademike e mediatike, institucionale e qeverisëse, intelektuale e qytetare”, u shpreh Gjinushi në fjalën e tij.

    Altin Tanku, Drejtor i Kërkimit Shkencor në Bankën e Shqipërisë u shprh se kjo, vepër shumëdimensionale në këndvështrimin ekonomik vjen si kombinim të gjitha elementëve së bashku duke sjellë pikërisht filozofinë e zhvillimit nga një ekonomi e centralizuar drejt ekonomisë së tregut të drejtuar nga iniciativa e lirë.

    “Vepra ka një veçori si në aspektin historik, aspektin e kërkimit por dhe aspektin e politikbërjes. Të tre këto aspekte e bëjnë këtë vepër një bashkëpunëtore të rëndësishme të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera financiare dhe ekonomike”, tha Tanku.

    Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë , Adrian Civici theksoi në fjalën e tij se në kolanën që përmledh ngjajrjet ekonomike të këtyre 30 viteve, ndihet qartë pulsi i gjithë vendimarrjes ekonomike shqiptare dhe gjithë sfidave që kaloi Shqipëria për të arritur deri këtu ku është.

    “Kjo kolanë ka brenda dinamikën e këtyre sfidave që kërkonin zgjidhje në funksion të bërjes më mirë të gjithë gjërave. Në këtë aspekt kjo vepër për të gjithë studiuesit e financave dhe ekonomisë, por edhe për një masë të gjëre lexuesisht përfshi dhe studentët, natyrisht që është një burim për të mësuar dhe kuptuar”, tha Civici.

    Studiuesi dhe gazetari, Lorenc Vangjeli, i cili është edhe redaktor i kësaj kolane, shprehu gjithashtu vlerësimet e tij.

    “Janë tetë libra me një kryepersonazh, Paranë. Janë kujtesë për kohën kur në Shqipëri paraja ishte mjet për të mbijetuar dhe për të sotmen kur paraja është bërë qëllim i vetëm në jetë. Atëherë më të guximshmit i luteshin perëndisë për pak më shumë liri, bukë e dinjitet, kurse sot paraja është perëndia kryerëndë e qiellit të vetmuar arbnor pa perëndi të tjera”, tha Vangjeli.

    Vetë autori u shpreh se kjo kolanë erdhi si pasojë e dy detyrimeve personale, së pari për të lënë një gjurmë në në historinë e tranzicionit, sepse shumë pak kur flitet për zhvillimet ekonomike, financiare dhe sociale që janë bërë në Shqipëri kemi informacion dhe brezat e ardshëm duhet të dinë nga cfarë ekonomie kemi rrjedhur dhe drejt ccfarë ekonomie po shkojmë.

    ”Besoj që me këtë kolanë kam dhënë një kontribut modest për këtë pjesë. Së dyti isha përballë presionit të fëmijëve miqve dhe bashkëpunëtorëve të mi, që këto botime t’i përmblidhja në një kolanë për t’ju lënë brezave të rinj, studiuesve, studentëve disa informacione për disa reforma e procese që janë zhvilluar në vendin tonë. Këto dy arsye dhe disa vite punë, sjellin sot këtë kolanë”, tha Angjeli.

  • Dita Ndërkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë

    Dita Ndërkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë

    Gjatë shekullit të 20-të, udhëtimi në hapësirë u konsiderua si kufiri përfundimtar për miliarda njerëz që jetonin në tokë.

    Eksplorimi i hapësirës përfshinte dërgimin e njerëzve në hapësirë, vendosjen e njerëzve në hënë dhe krijimin e anijeve kozmike dhe stacioneve hapësinore.

    Një nga arritjet më domethënëse të “garës së hapësirës” ishte kur një astronaut u bë njeriu i parë që hyri në hapësirë.

    Ishte 12 prilli i vitit 1961 kur Yuri Gagarin, një qytetar sovjetik, kreu fluturimin e parë njerëzor në hapësirë, një ngjarje historike që hapi rrugën për eksplorimin e hapësirës për të mirën e mbarë njerëzimit.

    Anija kozmike 4 ton e Gagarin Vostok 1 u nis në orën 9:07 të mëngjesit me kohën e Moskës më 12 prill 1961, rrotulloi Tokën një herë në 1 orë e 29 minuta në një lartësi maksimale prej 301 km dhe u ul në orën 10:55 të mëngjesit në Bashkimin Sovjetik.

    Fluturimi i tij në hapësirë i solli atij famë të menjëhershme botërore. Atij iu dha Urdhri i Leninit dhe iu dhanë titujt Hero i Bashkimit Sovjetik dhe Pilot Kozmonaut i Bashkimit Sovjetik.

    Gagarini nuk shkoi më në hapësirë, por mori pjesë aktive në stërvitjen e kozmonautëve të tjerë, transmeton atvlive.tv.

    Ai bëri disa turne në vende të tjera pas fluturimit të tij historik, dhe nga viti 1962 ai shërbeu si deputet i Sovjetit Suprem.

    Gagarin vdiq si pasojë e rrëzimit të një aeroplani reaktiv bashkë me një tjetër pilot, ndërsa ishte në atë që u përshkrua si një fluturim rutinë stërvitor.

    Pas fluturimit të Gagarinit në hapësirë, pati një entuziazëm të ripërtërirë për studimin e hapësirave dhe kozmosit.

    Në vitin 1969 Neil Armstrong u bë njeriu i parë që zbarkoi në sipërfaqen e hënës.

    Në vetëm një hark kohor prej 15 vjetësh, njerëzimi bëri përparim në eksplorimin e hapësirës si kurrë më parë.

    Në vitin 2011, Asambleja e Përgjithshme, duke njohur 50 vjetorin e fluturimit të parë njerëzor në hapësirë, shpalli 12 Prillin si Ditën Ndërkombëtare të Fluturimit në Hapësirë të Njeriut.

    Rezoluta, e datës 7 prill 2011, e quajti atë një ditë “për të festuar çdo vit në nivel ndërkombëtar fillimin e epokës së hapësirës për njerëzimin, duke riafirmuar kontributin e rëndësishëm të shkencës dhe teknologjisë hapësinore në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm”./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ky është vendi më i ftohtë në univers

    Ky është vendi më i ftohtë në univers

    A keni menduar se mund të ketë vend më të ftohtë se Antarktiku?

    Nuk po flasim për qytetin më të ftohtë në planetin Tokë, e as për sistemin tonë diellor.

    Mjegullnaja Bumerang është zyrtarisht vendi më i ftohtë në univers, i cili u formua nga një re gazi që buronte nga një yll, arsyeja e temperaturës shumë të ulët është se gazi lëviz nga jashtë me një shpejtësi prej 164 km/s dhe zgjerohet shumë shpejt në hapësirë.

    Mjegullnaja Bumerang ka një temperaturë të brendshme prej -272ºC pak mbi zero absolute.

    Për shkak të ligjeve të termodinamikës në praktike nuk është e mundur të arrihet me 0 kelvin.

    Ku përbëhet nga gazi, bërthama yjore, që njihet edhe si Mjegullnaja e harkut.

    E zbuluar në vitin 1980 nga astronomët Keith Taylor dhe Mike Scarrott pasi u vëzhguan me një teleskop të madh tokësor nga Australia, temperatura e Mjegullnajës Bumerang u llogarit si 1 kelvin.

    Veçoritë e mjegullnajës janë që thith nxehtësinë minimale nga rrezatimi i mikrovalës së sfondit, transmeton atvlive.tv.

    Në vitin 2013, matjet u konfirmuan me ndihmën e radio teleskopit ALMA.

    Ku në vitin 2017, u publikua një studim i ri duke parë se çfarë ndodh në mjegullnajë.

    Ku thanë që temperatura është kaq e ulët për shkak të përshpejtimit të shpejtë të gazit që del nga ylli.

    Nuk është çudi që janë arritur temperatura kaq të ulëta.

    Dhe kjo nuk ndodh edhe në mjegullnajat e tjera? Por në të gjitha mjegullnajat në sistemet e yjeve “që vdesin” zgjerohen, por me një shpejtësi shumë më të ngadalta.

    Në Mjegullnajën Bomerang, zgjerimi është 100 herë më i shpejtë, kështu që rënia e temperaturës është shumë më e theksuar, dhe për këtë është një nga objektet e veçanta të universit, shkenca po përparon gjithnjë e më shumë dhe është në gjendje të zbulojë këto vende të largëta./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • “Unë besoj shumë në Zot, por nuk besoj në fe, sepse janë si partitë politike”

    “Unë besoj shumë në Zot, por nuk besoj në fe, sepse janë si partitë politike”

    Gazetare mjaft e suksesshme në Shqipëri e në Kosovë, Edlira Qefalija, ishte e ftuar të hënën në emisionin “LIBERO”, në një rrëfim të veçantë bashkë me bashkëshortin e saj, ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës dhe gazetarin Milaim Zeka.

    Edlira kujtoi kohën kur ishte fëmijë, teksa ndau historinë së si është lindur dhe rritur në kohën e komunizmit të Shqipërisë që të gjithë në atë periudhë ishin ateistë, kohë sigurisht shumë e vështirë për të gjithë.

    “… Unë besoj shumë në Zot. Mirëpo, jam totalisht jo fetare, nuk besoj në fe. Ndoshta në këndvështrimin tim fetë janë si partitë politike”, u shpreh Edlira.

    Ndërkohë, ajo përmendi edhe një rast kur ka qenë në fillimet e shkollimit, në faqen e parë të abetares shkruante feja është ‘opium për popullin, Zoti nuk ekziston’.

    “… Kam pasur fatin që jam rritur në një familje shumë besimtare. Rreth vetes e kam pasur nënën time që më thoshte ti nuk e sheh ajrin por edhe pse nuk e sheh ai ekziston sepse (ti) merr frymë. Kështu që ndoshta Zoti ekziston edhe pse ti nuk e sheh. Pyetja ime për nënën ishte ‘po çka ti them unë mësueses nesër në shkollë?’, thuaj nuk ekziston Zoti se na futin në burg”, tha mes tjerash Edlira.

    Megjithatë ajo këto ngjarje i rrëfeu me plotë emocion në emision, se në atë kohë nuk ishte gjendje e mirë emocionale për askënd.

    Krahas kësaj, ajo rrëfeu edhe shumë ngjarje të tjera për sa i takon jetës së saj.

    Për ta shikuar emisionin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kuvendi mblidhet sot

    Kuvendi mblidhet sot

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të vazhduar pikat e papërfunduara nga seancat e muajve të kaluar.

    Seanca pritet të fillojë nga ora 12:00.

    Rendi i ditës:

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e filluar më 2 shkurt dhe vazhduar 22 mars 2023:

    20. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021,

    21. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021,

    22. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021,

    23. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare,

    24. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e filluar më 9 shkurt 2023:

    15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,

    16. Shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike,

    17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e filluar më 23 shkurt 2023:

    8. Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,

    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike,

    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme,

    11. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”,

    12. Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”,

    13. Propozimi i GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.

    IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e filluar më 9 mars 2023:

    9. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021,

    10. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”,

    11. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”,

    12. Emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

    13. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

    V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e filluar më 23 mars 2023:

    6. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158,

    8. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,

    9. Formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,

    10. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,

    11. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,

    12. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë,

    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,

    14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,

    15. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

  • Sot vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitarja e parë vazhdon dëshminë

    Sot vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitarja e parë vazhdon dëshminë

    Dëshmitarja e parë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit do të vazhdojë sot dëshminë e saj.

    Gjatë ditës së djeshme, dëshmia e saj është marrë në seancë private gjatë gjithë kohës dhe pothuajse asgjë nuk ka qenë e hapur për publikun.

    Sipas deklarimeve të gjykatës, do të duhen katër ditë që dëshmitarja e parë të përfundojë dëshminë e saj, ndërsa mbrojtja do të ketë kohën e vet për të bërë pyetje.

    Specialja është kritikuar lidhur me mbajtjen e seancave private dhe përmbajtjeve të redaktuara në rastin ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

  • Sveçla tregon në detaje si u plagos serbi në veri: Kanë nisur hetimet intensive

    Sveçla tregon në detaje si u plagos serbi në veri: Kanë nisur hetimet intensive

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për incidentin e sotëm që ka ndodhur në rrugën nacionale në mes të Leposaviqit dhe Zveçanit, ku është plagosur një qytetar i Kosovës i etnisë serbe.

    Sveçla në një status në Facebook ka treguar se kanë filluar hetimet intensive të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, por edhe vetë Policisë lidhur me rastin.

    “Pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës por edhe Inspektoriati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intensive.”, ka shkruar ai.

    Sveçla tregon detajet e sulmit, ku thotë se vetura nuk i ishte bindur urdhërit të zyrtarit policor, andaj polici ka shtënë me armë.

    “Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J”, thotë tutje ministri.

    4 zyrtarë policorë janë arrestuar si pasojë e incidentit.

    “Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njejtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK. Me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, hetimet do të vazhdojnë intenzivisht dhe gjithësecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin”, përfundon ai.

  • Italia shpall gjendje të jashtëzakonshme pas numrit në rritje të emigrantëve

    Italia shpall gjendje të jashtëzakonshme pas numrit në rritje të emigrantëve

    Italia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas rritjes së numrit të emigrantëve që duan të hyjnë nga Mesdheu.

    Agjencia italiane e lajmeve ANSA, raporton se vetëm në tri ditët e fundit në brigjet jugore të Italisë kanë mbërritur mbi 3 mijë persona. Rreth 38 persona të tjerë janë raportuar të vdekur dhe 18 të tjerë të zhdukur.

    Gjendja e jashtëzakonshme është paraparë të zgjasë 6 muaj ndërsa janë ndarë edhe 5 milionë euro.

    Qeveria italiane e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni u mblodh për të shqyrtuar masa më të rrepta për operacionet e kërkim-shpëtimit.

    Përpos gjendjes së jashtëzakonshme, zyrtarë të lartë italiane kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian që të reagojë pasi nuk mund të përballojë e vetme këtë situatë të krijuar. 

  • Zyra e BE-së dënon incidentin në veri ku mbeti një serb i plagosur

    Zyra e BE-së dënon incidentin në veri ku mbeti një serb i plagosur

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar incidentin në veri të Kosovës, ku mbeti i plagosur një qytetar.

    “BE në Kosovë dënon incidentin e sigurisë, ku një serb i Kosovës është qëlluar dhe plagosur mbrëmë afër pikëkaklimit kufitar të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit”, thuhet në reagimin e lëshuar.

    Policia e Kosovës ka njoftuar për përfshirjen e katër zyrtarëve policorë në plagosjen e qytetarit serb Milan Jovanoviç, një natë më parë pranë Urës së Bistricës në Leposaviç.

    “Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”, sqaron njoftimi.

    Tutje thuhet se zyrtari në fjalë është suspenduar, bashkë me tre të tjerë që dyshohen për përfshirje në rast.

    “Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.