ATV

Blog

  • Kurti: Sulmi ndaj Valon Sylës i patolerueshëm, autorët sa më parë të vihen para drejtësisë

    Kurti: Sulmi ndaj Valon Sylës i patolerueshëm, autorët sa më parë të vihen para drejtësisë

    Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 138 të Qeverisë e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike, duke e cilësuar sulmin si të patolerueshëm dhe të papranueshëm.

    Ai tutje tha se në një shoqëri demokratike nuk duhet lejuar asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë se liria e fjalës.

    Kreu i Qeverisë ka kërkuar nga institucionet që ta trajtojnë këtë rast seriozisht që autorët të vihen para drejtësisë sa më parë.

    “Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.

    “Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e vendit presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, tha Kurti.

    “Komision Ad-hoc javën e kaluar përmbylli drafti ligjin për zgjedhje. Ky draft ka të bëjë më mundësimin e mergatës në votim, ky draft ka ndalur padrejtësinë që ju është bërë mërgimtareve”.

    “Konsullatat dhe ambasadtdt do të shndërrohen në vendvotime. Uroj që ky projektligj të kaloj të gjitha procedurat e parapara. Sot para vetës kemi disa pika të rëndësishme, është ai i IP, një projektligj tjetër është ai për arbitrazhin”, tha ai.

    Syla është sulmuar fizikisht nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë.

    Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë.

  • ​Kurti: Drafti për reformë zgjedhore shqyrtohet së shpejti në ekzekutiv

    ​Kurti: Drafti për reformë zgjedhore shqyrtohet së shpejti në ekzekutiv

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se drafti për reformën zgjedhore së shpejti do të trajtohet në ekzekutiv. Sipas tij, ai i jep fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës.

    Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri ka thënë se dokumenti parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit politik derisa ambasadat dhe konsullatat e Kosovës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.

    “Javën e kaluar Komisioni ad hoc për reformë zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi i Republikës përmbylli punën e tij duke hartuar draftin e ri të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtë draft së shpejti do ta kemi për trajtim edhe në Qeveri, për të dhënë opinionin dhe komentet tona. Megjithatë, sot para jush dua ta shpalos një dimension të veçantë të tij, e që ka të bëjë me votimin e mërgatës në zgjedhjet në Kosovë. Në esencë, ky draft ligj i jep fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës, kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit”, ka thënë Kurti, transmeton KP.

    Kurti ka thënë se sipas draft-ligjit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mërgata do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike.

    Ai ka thënë se regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet online ndërsa ka bërë të ditur se për hedhjen e fletëvotimeve, ata do të kenë tri opsione.

    “I pari, do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat apo konsullatat e Republikës së Kosovës. Opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë, në adresën që e cakton Ambasada e Republikës së Kosovës. Me këtë, ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Kjo do t’i kursejë bashkatdhetarëve tanë buxhet dhe kohë dhe do të mundësojë që fletëvotimet të arrijnë shpejt e sigurt, si dhe opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë ende”, ka shtuar Kurti.

    Gjatë adresimit të tij, Kurti ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla dhe ka kërkuar që autorët të vihen sa më parë para drejtësisë.

  • ​Xhaçka takon Escobar, në fokus forcimi i mëtejshëm i qëndrueshmërisë në rajon

    ​Xhaçka takon Escobar, në fokus forcimi i mëtejshëm i qëndrueshmërisë në rajon

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka zhvilloi një takim me zv.ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Dy zyrtarët vlerësuan partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, teksa në fokus të bisedës ishte edhe forcimi i mëtejshëm i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon, në kontekstin e situatës së sigurisë në Evropë.

    Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohjen ndaj Gabriel Escobar për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    “Mirënjohje për zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit Escobar për përfshirjen e tij personale dhe të SHBA në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. E sigurova atë për përkushtimin e Shqipërisë për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA dhe për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal”, shkroi Xhaçka në rrjete sociale.

  • Qeveria vendos sot për kompensimin e delegatëve të Kuvendit të Kaçanikut

    Qeveria vendos sot për kompensimin e delegatëve të Kuvendit të Kaçanikut

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati do të paraqesë sot propozimin për miratimin e vendimit për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.

    Propozimi është vendosur në rendin e ditës të mbledhjes së kabinetit qeveritar të mërkurën.

    Sipas pikës 9 të rendit të ditës, qeveria pritet të miratojë sot kompensimin financiar të deputetëve të legjislaturës së viteve 90′.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, mbledhja do të fillojë në ora 11:00.

    Në rend të ditës janë 15 pika.

  • Hendboll/Kosova synon të bëjë historinë ndaj Polonisë

    Hendboll/Kosova synon të bëjë historinë ndaj Polonisë

    Kombëtarja e Kosovës e femrave në hendboll do ta luajë sot ndeshjen e kthimit ndaj Polonisë, në kuadër të fazës së dytë kualifikuese drejt Kampionatit Botëror të këtij viti.

    Vashat kosovare dhe ato polake përballen sot në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë me fillim nga ora 20:15, raporton KosovaPress.

    Ndeshja e parë, që u zhvillua në Bielsko-Biala, përfundoi me fitore të vashave të Polonisë, të cilat mposhtën “Dardanet” me shifrat 36:22.

    Hendbollistet tona janë optimiste për paraqitje të denjë, ndërsa kanë premtuar luftë sportive nga fillimi e deri në fund për të prezantuar sa më mirë ngjyrat e shtetit.

    Të kujtojmë që në fazën e parë kualifikuese, Kosova e eliminoi Kombëtaren e Ishujve Faroe, për suksesin historik.

    20:15 Kosova – Polonia (Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë)

  • Plagosja e qytetarit serb në veri, Rohde: Një tjetër incident shqetësues sigurie

    Plagosja e qytetarit serb në veri, Rohde: Një tjetër incident shqetësues sigurie

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka reaguar pas incidentit në Veri të vendit, ku një qytetar serb mbeti i plagosur të hënën mbrëma te Ura e Bistricës në afërsi të Zveçanit.

    Rohde në rrjetin social Twitter ka shpërndarë reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke thënë se është një tjetër incident shqetësues sigurie.

    ”Jam plotësisht dakord. Një tjetër incident shqetësues sigurie. Është mirë ta shohësh atë se Policia e Kosovës ka reaguar duke hetuar gjerësisht rastin. Sjellja e mundshme e keqe nga policia duhet të shqyrtohet si çdo tjetër. Viktimës i uroj shërim të shpejtë“, ka shkruar ambasadori gjerman mbrëmë.

    Për incidentin në veri, ka reaguar edhe ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Ai thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara që fillimisht u mohua krimi, teksa kërkojnë hetim të plotë nga policia për këtë rast.

    Hovenier, mes tjerash, tha se mbështetja e Amerikës për Kosovën do të vazhdojë veçse ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi.

  • Vuçiq: Serbia nuk i ka shitur armë Ukrainës dhe Rusisë

    Vuçiq: Serbia nuk i ka shitur armë Ukrainës dhe Rusisë

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 5 mars ka deklaruar se asnjë armë, pajisje apo municion serb nuk i është shitur Rusisë apo Ukrainës dhe se ata që pretendojnë të kundërtën janë “gënjeshtarë, sinjalizues dhe duhet të kenë turp, sepse po i sjellin dëme Serbisë”.

    “Për Serbinë, në përputhje me ligjet ndërkombëtare, ekzistojnë të ashtuquajturit përdorues të lejuar dhe Serbia mund të eksportojë vetëm në vende të tilla. Ne kemi bërë gjithçka në përputhje me ligjin, jemi të pastër si loti”, tha Vuçiq në Doha, ku po merr pjesë në një konferencë të organizuar nga Kombet e Bashkuara.

    Në fund të shkurtit, disa media ruse njoftuan se 3.500 raketa nga fabrika serbe “Krushik” iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës, përmes Turqisë dhe Sllovakisë, ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se ky informacion shkakton “shqetësim të thellë”.

    Më herët, demanti ka ardhur nga “Krushik” dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

    Lidhur me pretendimin se armët janë eksportuar në Ukrainë nga Serbia, përmes Turqisë, Vuçiq tha se Serbia “e ka mbrojtur veten në mënyrë shtesë” duke ditur se ekziston mundësia që një pjesë e mallit të përfundojë diku tjetër.

    “Ne theksuam se është e pamundur që pa pëlqimin tonë të eksportohen municionet që i kemi dhënë Turqisë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia “nuk e ka detyruar askënd të luftojë”.

    Portali rus “Mash” njoftoi mbi dyshimet se 3.500 copë raketa “M-21 GRAD” 122 milimetra të Krushikut iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës.

    Portali publikoi dokumente, autenticitetin e të cilave Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë, të cilat pretendohet se tregojnë që kompania kanadeze “JNJ Export Import” ka porositur raketa nga “Krushik”.

    Media ruse ka pohuan se arkat kanë fluturuar nga Serbia në Turqi, ku si ndërmjetës ka kryer transitin kompania turke “Arca Savunma Sanayi Ticaret”, përmes së cilës ngarkesa ka shkuar në Sllovaki, e më pas në Ukrainë.

    Kompania “Krushik” nga Valeva, në perëndim të Serbisë, më 28 shkurt ka njoftuar se nuk ka pasur shitje të raketave në këtë treg dhe as nuk ka pasur kontrata për sasitë dhe shenjat e specifikuara.

    Në deklaratë thuhet se “i gjithë ‘rasti’ mediatik bazohet në shfrytëzimin e informacioneve jo të plota dhe të pandërlidhura”, të cilat, siç thuhet, janë vendosur “në një kontekst negativ”.

    Paraprakisht, më 27 shkurt, reagoi ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili mohoi se Serbia eksporton armë në Ukrainë.

    Kjo nuk është afera e parë, në të cilën Serbia akuzohet për shitjen e armëve në luftën ruse-ukrainase.

    Më 16 korrik 2021, në veri të Greqisë u rrëzua një aeroplan ukrainas dhe u konstatua se po transportonte për në Bangladesh mina për stërvitje, të cilat kompania serbe “Valir” i bleu nga fabrika shtetërore “Krushik”.

    Në mars të vitit 2022, në portalet dhe rrjetet sociale ruse u publikua një fotografia e një ushtari të të ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut”, i cili në duar po mbante një minë të pashpërthyer.

    Në bazë të shenjave që ndodheshin në minë, Radio Evropa e Lirë konstatoi se është prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2016. Mina të tilla prodhohen nga fabrika shtetërore serbe e armëve “Krushik”. /REL

  • Abdixhiku: Sulmi ndaj gazetarit Syla, është sulm ndaj vet fjalës së lirë dhe mendimit të lirë

    Abdixhiku: Sulmi ndaj gazetarit Syla, është sulm ndaj vet fjalës së lirë dhe mendimit të lirë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm fizik ndaj gazetarit Valon Syla, siç dhe ka kërkuar dhe angazhimin e institucioneve të rendit për vënien para drejtësisë të sulmuesve.

    Në një reagim për media, Abdixhiku ka thënë se angazhimi ynë për një shoqëri të lirë dhe demokratike nënkupton angazhimin për mbrojtjen e fjalës së lirë të secilit.

    “Sulmi ndaj gazetarit Syla, është sulm ndaj vet fjalës së lirë dhe mendimit të lirë – shtylla thelbësore të vet demokracisë. Angazhimi ynë për një shoqëri të lirë dhe demokratike nënkupton angazhimin për mbrojtjen e fjalës së lirë të secilit. Prandaj sulmi ndaj gazetarit Syla është sulm ndaj këtij angazhimi. Ftoj organit e rendit dhe drejtësisë të gjejnë sulmuesit dhe të njëjtit t’i vënë para vet drejtësisë.”, ka thënë Abdixhiku.

    Mbrëmë vonë, gazetari dhe opinionisti, Valon Syla është sulmuar nga tre persona.

    Syla, i cili ishte pjesë e emisionit Pressing në një debat që lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar pak minuta pasi që ka dalë nga studioja.

    Tre persona e kanë përcjell Sylën deri te Bregu i Diellit e më pas e kanë sulmuar. Për pasojë, Syla ka pësuar lëndime të lehta në kokë.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka lëshuar një komunikatë për shtyp në orët e vona ku ka dënuar ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

    AGK ka kërkuar hetime urgjente për këtë rast.

    Reagime kishte edhe nga politikanë të Kosovës.

  • Shkencëtari: Brenda vitit, njerëzit do të jenë të “pavdekshëm”… virtualisht

    Shkencëtari: Brenda vitit, njerëzit do të jenë të “pavdekshëm”… virtualisht

    Gjatë kohëve të fundit, shkenca ka evoluar me ritme të jashtëzakonshme, por ChatGPT e çoi në një tjetër nivel këtë zhvillim. Megjithatë, shkencëtarët duket se nuk kanë ndërmend të ndalen, madje po pretendojnë se do t’i bëjnë njerëzit e pavdekshëm, të paktën virtualisht.

    Dr. Pratik Desai, një shkencëtar që ka punuar në themelimin e shumë startupe të Silicon Valley AI, tha se nëse njerëzit kanë video të të dashurve të tyre, mundësia që “ata të jetojnë me ju përgjithmonë është në nivelin maksimal, 100 përqind”. Desai, i cili ka krijuar sistemin e tij të ngjashëm me ChatGPT, shkroi në Twitter : “Kjo duhet të jetë e mundur deri në fund të vitit”.

    Shumë shkencëtarë besojnë se përparimet e shpejta në inteligjencën artificiale, të cilat ChatGPT po i kryeson, janë gati të sjellin një epokë të re të artë për teknologjinë.

    Megjithatë, personat më me ndikim në botë janë të ndarë për teknologjinë. Elon Musk dhe me qindra persona të tjerë të rëndësishëm në teknologji kanë bërë thirrje që të bëhet një “pushim”, duke paralajmëruar se mund të shkatërrohet njerëzimi. Në anën tjetër, Bill Gates është një nga ata që mendon se inteligjenca artificiale do të përmirësojë jetën tonë.

    Desai mendon njësoi si Bill Gates dhe beson se ne mund të rikrijojmë të dashurit tanë si “avatarë” që jetojnë në një kompjuter!

    Ky proces, të cilin as do ta kishin çuar në mend personat e varur pas teknologjisë para pak vitesh, do të përfshijë digjitalizimin e videove, regjistrimeve zanore, dokumenteve dhe fotove të personit, të cilat do të futen më pas në një sistem me inteligjencë artificiale, e cila mëson gjithçka mbi personin. Më pas, përdoruesit mund të dizajnojnë një avatar specifik, i cili duket dhe vepron njësoj si i afërmi i tyre.

  • Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias dënon sulmin ndaj Sylës, kërkon hetime profesionale

    Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias dënon sulmin ndaj Sylës, kërkon hetime profesionale

    Për sulmin fizik kundër gazetarit Valon Syla, ka reaguar edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias.

    Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias e ka dënuar ashpër sulmin ndaj gazetarit Syla, i cili u sulmua fizikisht nga tre persona të panjohur duke i shkaktuar lëndime trupore.

    Po ashtu kjo Qendër i bën thirrje autoriteteve në Kosovë që të zhvillojnë hetime në mënyrë të pavarura e profesionale.

    “I bëjmë thirrje autoriteteve kosovare, që në mënyrë profesionale dhe të pavarur të zhvillojnë hetimet, në mënyrë që autorët të dalin para drejtësisë.”