ATV

Blog

  • Sveçla: Policia e gatshme të ofrojë siguri gjatë zgjedhjeve

    Sveçla: Policia e gatshme të ofrojë siguri gjatë zgjedhjeve

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Lista Serbe është kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit, sepse ajo e ka humbur mbështetjen e komunitetit serb atje.

    Ai ka thënë se Kosova nuk guxon të bjerë në shantazh të atyre të cilët, sipas tij, ndihen të rrezikuar nga sundimi i ligjit.

    Derisa ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, Sveçla ka thënë se nuk ka arsye të mos mbahen zgjedhjet e 23 prillit.

    Ministri i Brendshëm duke iu përgjigjur shqetësimeve të kryetares së Komisionit, Rrezarta Krasniqi, ka deklaruar se Policia e Kosovës është e gatshme të ofrojë siguri në mënyrë që zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në katër komunat në veri të mbahen.

    Shqetësime për sigurinë rreth mbajtjes së zgjedhjeve në veri ka ngritur edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

    Por, Sveçla ka insistuar se nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale, siç është shprehur ai, të disa bandave që veprojnë në atë pjesë të Kosovës.

    Duke folur për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në pjesën veriore të vendit, Sveçla ka thënë se gjendja nuk është e kënaqshme, por ka përmirësim në sundimin e ligjit dhe sigurisë.

    Ndërsa, sukses të Policisë së Kosovës në veri i ka vlerësuar aksionet kundër keqpërdorimeve të energjisë elektrike për t’i kultivuar kriptovalutat.

  • E përjetoi shumë keq qëndrimin larg vajzave, Diola Dosti rrëfen eksperiencën në Big Brother

    E përjetoi shumë keq qëndrimin larg vajzave, Diola Dosti rrëfen eksperiencën në Big Brother

    Nutricionistja dhe ish-banorja e “Big Brother Vip Albania”, Diola Dosti, ishte e ftuar të premten si mysafire speciale në “LIBERO”, për të shpalosur shumëçka sa i përket eksperiencës së saj në këtë reality show.

    Diola ndau rrëfime nga qëndrimi i saj në “Big Brother”, në program të cilin u eliminua disa javë pasi që u bë pjesë e tij.

    “Fjala sfidë është shumë e vogël për ta përshkruar emocionin brenda në “Big Brother”…Kam 10 vite në media, por popullaritetin që ma dha Big Brother, nuk ma ka dhënë ajo eksperienca ime 10 vjeçare”, u shpreh Diola.

    Ndërkaq, ajo rrëfeu dhe për vajzat e saj dhe sa e vështirë ishte për të, që të rrinte larg tyre, e sidomos fakti që për një kohë, gjatë divorcit me ish-bashkëshortin e saj, vajzat e saj ishin me babain e tyre.

    “Ku do që shkojë sot e kësaj dite, më thonë se nuk mbeti burrë dhe grua shqiptare pa qarë me momentin kur vajzat më vizituan në “Big Brother”, më kanë munguar shumë dhe e kam përjetuar shumë keq…Unë nuk jam vetëm nënë, jam edhe baba”, shtoi ajo.

    Mes tjerash, Diola foli edhe për strategjitë e lojës së Luizit, personazhin më të përfolur të “Big Brother Vip Albania”, e për të cilin tha se deshëm apo jo, ai është fitues.

    Për të shikuar intervistën e plotë të Diola Dosti, klikoni në linkun më poshtë:

  • Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për sulmin ndaj Valon Sylës

    Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për sulmin ndaj Valon Sylës

    Nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ku erdhën në mëngjesin e së premtes, tre të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, u dërguan në Qendrën e paraburgimit.

    Gjyqtari i Procedurës Paraprake atyre ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, për secilin.

    Seanca e paraburgimit, gjatë së cilës mbrojtja kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë Speciale, u mbajt e mbyllur për publikun.

    Të dyshuarit, dy nga ta vëllezër, K.H, O.H., dhe L.D., sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, të siguruar nga ATV-ja po dyshohen se të motivuar me ideologji ekstreme radikale islame e me motiv të nxitjes së urrejtjes fetare, sulmuan Sylën.

    Televizioni merr vesh se fillimisht të dyshuarit nuk kishin dashur të pranojnë avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare, duke thënë se “nuk kanë nevojë, se për këtë i mbron Zoti”.

    “Për shkak të një postimi në rrjetin social “Facebook”, për profetin Muhamed dhe profetin Isa, paraprakisht e përcjellin të dëmtuarin nga TV “T7” dhe me të arritur afër restorantit “Image”, në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, duke ia rrezikuar sigurinë, e sulmojnë fizikisht me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për çka edhe si rast urgjent dërgohet në QKUK”, thuhet në kërkesën e PRSK-së.

    Më tej, kërkesën për paraburgim prokurori special, Afrim Shefkiu, e ka arsyetuar në raportet mjekësore, në deklaratat e dëshmitarëve, me rrezikun e asgjësimit të provave dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.

    “Ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, duke marrë për bazë peshën e veprës penale për të cilën është paraparë dënimi me burg 1 deri në 8 vjet, rrethanat në të cilat ata kanë vepruar, e duke marrë për bazë edhe karakteristikat e tyre personale, duke mos u penduar për veprimet e bëra, e veçmas rrezikshmërinë shoqërore të fjalës”, thuhet në kërkesën e PRSK-së.

    Gazetari Valon Syla u sulmua në mbrëmjen e 11 prillit.

    Duke e konsideruar sulm ndaj lirisë së shprehjes, sulmin e dënuan Kryetari i Kuvendit, kryeministri Albin Kurti, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e organizata të tjera, përfshirë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez.

  • KEDS-i në heshtje, ZRRE-ja duhet të vendosë për formën e kompensimit

    KEDS-i në heshtje, ZRRE-ja duhet të vendosë për formën e kompensimit

    KEDS-i ende nuk është deklaruar për aktgjykimin e Gjykatës Supreme, që e detyron atë t’i kompensojë konsumatorët nga 34 komuna për dëmin nga faturimi shtesë për katër komunat në veri, në vlerë 40.8 milionë euro, në periudhën 2012-2017.

    Zyra e Rregullatorit, e cila ka rreth dy javë kohë të caktojë formën e kompensimit, nuk ka dhënë detaje pos konfirmimit fillestar të pranimit të vendimit.

    Kompensimi në faturat e ardhshme, sipas ekspertit të energjisë Visar Azemi, është opsioni më i mundshëm.

    “Unë e shoh më reale që kjo kosto të shkëputet nga faturimi, pra të do të ketë minusim në faturat e energjisë elektrike për muajt në vazhdim. Kjo do jetë ndoshta situata më reale, jo të tërhiqen para kesh”, tha njohësi i çështjeve të energjisë, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Visar Azemi.

    Pavarësisht se aktgjykimi i Supremes detyron KEDS-in ta bëjë kompensimin, sipas tij, fakti se faturimi ishte kryer me vendim të ZRRE-së mund të përfshijë edhe Qeverinë në diskutime.

    “Nuk mund të themi që gjithçka përfundon me këtë vendim të gjykatës dhe KEDS-i është i obliguar t’i paguaj ato. KEDS-it iu është dhënë kjo mundësi me anë të marrëveshjes që ka pasur me ZRRE-në. Tani ajo është hudhë poshtë, ato mjete duhet t’i kompensojë dikush”, tha Azemi.

    Për pesë vjet e tetë muaj, nga Shkurti 2012 e deri në fund të Tetorit 2017, konsumatorët e 34 komunave, përmes faturave të fryra të energjisë, paguan për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

    Në një llogaritje jozyrtare, një konsumator i cili gjatë kësaj periudhe ka paguar mesatarisht 30 euro në muaj, mund të kompensohet në total rreth 70 euro. /atvlive.tv

  • Prokuroria jep detaje për ngjarjen tragjike në Pejë: Djali që dyshohet se vrau nënën e tij, nuk ishte në gjendje të flasë

    Prokuroria jep detaje për ngjarjen tragjike në Pejë: Djali që dyshohet se vrau nënën e tij, nuk ishte në gjendje të flasë

    Prokurorja e rastit të rëndë që ka ndodhur në Pejë ka dhënë detaje lidhur me rastin ku ka konfirmuar se i biri ka vrarë nënën e tij.

    Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mbreti Zog”, derisa prokurorja e rastit ka thënë se i dyshuari është arrestuar dhe është parandaluar mundësia që ai t’i shkaktojë dikujt tjetër ndonjë dëm.

    “Sot jam para jush dhe bashkëqytetarëve të Pejës lidhur me një rast tragjik dhe të dhimbshëm që ka ndodhur në Pejë dhe familjes i shprehim ngushëllime. Sot rreth orës 16:00 jemi njoftuar se ka ndodhur një vrasje në qytetin e Pejës ku dyshohet se i biri ka privuar nga jeta të ëmën. Duke iu falënderuar reagimit të shpejt të Policisë është arritur që i njëjti të arrestohet në mënyrë që të mos i shkaktojë dikujt tjetër ndonjë dëm ose vetës.”, ka thënë Prokurorja.

    Prokurorja e rastit ka bërë të ditur se janë mbledhur të gjitha provat dhe është urdhëruar autopsia e të ndjerës. Po ashtu ka pasur dëshmitarë okularë.

    “Kemi dalur së bashku me njësitin e forenzikës në vendin e ngjarjes ku janë mbledhur të gjitha provat, kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës. Kemi siguruar dëshmitarë okularë. I dyshuari nuk ka qenë në gjendje të merret në pyetje, kemi urdhëruar që nesër në prezencë të psikologut dhe avokatit mbrojtës të merret në pyetje. Po ashtu do të vazhdojmë me hetime. Në bazë të të gjitha rrethanave, do të urdhërojmë edhe ekzaminimin në Institutin e Psikiatrisë të të dyshuarit.”, tha Prokurorja e rastit.

    I dyshuari nuk ka qenë në gjendje të merret në pyetje gjatë ditës së sotme, ndersa nesër është urdhëruar në prezencë të psikologut dhe avokatit mbrojtës që i njëjti të merret në pyetje.

    I dyshuari gjithashtu do të ekzaminohet edhe për shëndetin e tij mendor.

  • Detaje të reja: Ky dyshohet të jetë motivi që shkaktoi konfliktin nënë e bir

    Detaje të reja: Ky dyshohet të jetë motivi që shkaktoi konfliktin nënë e bir

    Një grua është vrarë në Pejë pasditen e së premtes, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    Gazetari i ATV-së, në një lidhje direkte për edicionin qendror të lajmeve, ka raportuar konfirmimin e Policisë së Kosovës për vrasjen e një 63-vjeçareje, në lagjen Kapeshnicë, në rrugën “Mbreti Zogu” në Pejë dhe arrestimin e të dyshuarit.

    Ndonëse policia nuk ka dhënë detaje rreth raportit familjar që viktima me të dyshuarin, që tashmë është i arrestuar, jo zyrtarisht ATV ka mësuar se kemi të bëjmë me një raport fëmijë – nënë.

    Në vendin e ngjarjes shihen dy vetura të policisë, ndërsa janë parë edhe hetues të policisë të cilët kanë hyrë dhe kanë dalur nga kjo shtëpi.

    Deri më tani nuk janë konfirmuar motivet e kësaj ngjarjeje, por jo zyrtarisht kemi mësuar se kemi të bëjmë me një ngatërresë familjare. /atvlive.tv

  • Direkt nga vendi i ngjarjes: Policia ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e 63-vjeçares

    Direkt nga vendi i ngjarjes: Policia ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e 63-vjeçares

    Një grua është vrarë në Pejë pasditen e së premtes, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    Gazetari i ATV-së, në një lidhje direkte për edicionin qendror të lajmeve, ka raportuar konfirmimin e Policisë së Kosovës për vrasjen e një 63-vjeçareje, në lagjen Kapeshnicë, në rrugën “Mbreti Zogu” në Pejë dhe arrestimin e të dyshuarit.

    Ndonëse policia nuk ka dhënë detaje rreth raportit familjar që viktima me të dyshuarin, që tashmë është i arrestuar, jo zyrtarisht ATV ka mësuar se kemi të bëjmë me një raport fëmijë – nënë.

  • Policia sekuestron 174 pajisje të kriptovalutave

    Policia sekuestron 174 pajisje të kriptovalutave

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar të premten se Policia e Kosovës ka sekuestruar 174 pajisje të paligjshme për mihje të kriptovalutave në Zubin-Potok.

    Përmes Twitterit, Rizvanolli ka thënë se mospagesa e faturave të energjisë elektrike nxit aktivitete të tilla. Dhe ka shtuar se për këtë arsye Serbia po e bllokon zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë.

    “Policia ka sekuestruar 174 pajisje të paligjshme të kripto-minimit në Zubin-Potok. Mospagesa e faturave të energjisë elektrike nxit aktivitete të tilla të paligjshme. Kjo është arsyeja pse Serbia bllokon zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë”, ka shkruar Rizvanolli.

    Tutje, ajo ka shkruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha angazhimet, ndërsa tani është “koha që edhe pala tjetër të bëjë të njëjtën gjë, urgjentisht”.

  • Ngjarje tragjike në Pejë: Dyshohet se djali vrau nënën e tij

    Ngjarje tragjike në Pejë: Dyshohet se djali vrau nënën e tij

    Një ngjarje e rëndë ka goditur Pejën pasditën e së premtës.

    Në rrugën “Mbreti Zog” të qytetit, ka ndodhur një vrasje e rëndë.

    Këtë e kanë konfirmuar edhe nga policia e Pejës.

    “Sot rreth orës 16:00 policia ka marrë një informacion në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, me të arritur në vendin e ngjarjes kemi parë është se bëhet fjalë për vrasje të rëndë teksa vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi kujdestar”, tha Rugova.

    Ndërkohë, jozyrtarisht ka marrë vesh se bëhet fjalë për një rast ku djali ka vrarë nënën e tij.

  • Kurti emëron këshilltar për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut

    Kurti emëron këshilltar për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Bekim Qokun, këshilltar të jashtëm politik për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, emërimi i Qokut është bërë në funksion të zgjerimit dhe të thellimit të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut.

    “Kryeministri Kurti i uroi Qokut suksese në detyrën dhe përgjegjësitë e reja, në funksion të zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.