ATV

Blog

  • Sot bëhen 158 vjet nga vrasja e presidentit amerikan Abraham Lincoln

    Sot bëhen 158 vjet nga vrasja e presidentit amerikan Abraham Lincoln

    Sot bëhen 158 vjet nga vrasja e presidentit amerikan Abraham Lincoln. Ai u vra më 15 prill të vitit 1865.

    Lincoln vazhdon të mbetet dhe konsiderohet si një nga udhëheqësit më të dashur të Amerikës, legjitimiteti i të cilit vazhdon të frymëzojë presidentët amerikanë dhe udhëheqësit botërorë.

    Lincoln u vra përderisa bashkë me të shoqen po shikonte një shfaqje në kinemanë Ford në Uashington.

    Ndërsa vrasësi i tij, John Wilkes Booth largohej nga skena e krimit, zotin Linkoln e çuan në një shtëpi pranë kinemasë, ku ai vdiq mëngjesin e së nesërmes.

    Vdekja e tij ndodhi pikërisht në momentet kur ai po e udhëhiqte vendin drejt daljes nga Lufta Civile, gjatë së cilës u vranë mbi 620 mijë ushtarë amerikanë.

  • 15 Prilli – Dita Botërore e Artit

    15 Prilli – Dita Botërore e Artit

    Në mbarë botën, njerëzit kanë përkufizimet e tyre për atë që ata e konsiderojnë si art.

    Kultura të ndryshme kanë shije dhe stile të ndryshme.

    Kjo festë përdoret si një mundësi për të nxitur zhvillimin e artit. Ai i inkurajon njerëzit të marrin kohë për të vënë re gjërat e bukura rreth tyre.

    Me oraret tona të ngarkuara, njerëzit nuk kanë gjithmonë kohë për të shkuar në galeritë e artit.

    Një kujtesë vjetore për bukurinë i ndihmon njerëzit të pushojnë dhe thjesht të shijojnë duke përjetuar botën, shkruan atvlive.tv.

    15 Prilli është shpallur Dita Botërore e Artit, deklaruar nga Shoqata Ndërkombëtare e Artit si një festë ndërkombëtare e arteve të bukura.

    Data është vendosur për nder të ditëlindjes së Leonardo da Vinçit, i zgjedhur si simbol i lirisë së shprehjes, tolerancës dhe multikulturalizmit.

    Dita e parë Botërore e Artit e organizuar më 15 prill 2012 dhe u mbështet nga të gjitha komisionet kombëtare të Shoqatës Ndërkombëtare të Artit si edhe 150 artistë nga Franca, Suedia, Sllovakia, Afrika e Jugut, Qipro dhe Venezuela.

    Piktura është mënyrë komunikimi, duke shprehur emocionet ose ndjenjat përmes përdorimit të ngjyrave, vizave, kontrasteve, dhe kombinimeve të tyre.

    Por, Leonardo da Vinçi e ngriti piktorin mbi shkencëtarin dhe poetin, vetëm nëse vepra e tij është unike dhe e veçantë. Sipas tij, piktura është poezi e nemitur, kurse poezia është pikturë e verbër.

    Që në kohët parahistorike njerëzit kanë pikturuar brenda mureve të shtëpive të tyre.

    Zbulimi i qindra pikturave tregon qartë se dashuria për pikturën është një krijim i hershëm.

    Gjëja më e rëndësishme e një pikture është se ajo nuk kërkon investim tjetër pasi është blerë, por qëndron e njëjtë.

    Pozitivja e pikturës është se ajo rigjeneron ndjenja të mrekullueshme dhe qetësi sa herë që e shikon. Sa më shumë breza të kalojnë, aq më tepër vlerë ka piktura.

    Në ditët e sotme ka materiale, bojëra uji apo tempera, mjete: penela, furçë, sfungjerë etj., dhe me to mund të pikturojmë në kanavacë, dru, xham, metal, fletë, qeramikë, si dhe objekte të ndryshme.

    Stilet më të rëndësishme përfshijnë realizmin, ekspresionizmin, kubizmin, abstrakten etj., që nuk mund t’i përmendim të gjitha.

    Në ditën botërore të artit, shprehim mirënjohje të thellë për të gjithë mjeshtrit, artistët që shprehinë e tyre artistike e kanë vulosur në gjinitë e arkitekturës, pikturës, skulpturës, mozaikëve etj., duke krijuar dhe treguar shpirtin krijues dhe artistik.

    Duke lënë trashëgim një pasuri të madhe veprash arti, ata kanë frymëzuar, edukuar e kanë mbushur me kënaqësi shpirtin e shumë brezave.

    Mirënjohje për të gjithë ata dhe për të gjithë brezat e
    restauruesve që jetën e tyre ia kanë kushtuar ruajtjes së kësaj trashëgimie.

    Sot më shumë se kurrë kuptojmë se arti është një nga forcat më të mëdha, që ndihmon individët dhe shoqërinë për të ecur përpara./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Java nisë me shi – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Java nisë me shi – Parashikimi i motit me Erza Hotin

    Ditën e sotme do të kemi kryesisht reshje të shiut dhe kthjellime të herë pas hershme.

    Temperatura minimale do të jetë në Gjakovë me 4 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë me 16 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë kryesisht me reshje të shiut. Temperatura minimale do të jetë serish në Gjakovë me 7 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 16 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Erza Hotin në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • Britney Spears, në vjeshtë publikon librin për jetën e saj

    Britney Spears, në vjeshtë publikon librin për jetën e saj

    Këngëtarja, Britney Spears, ka kohë që ka lajmëruar se do të publikojë librin e saj.

    “Page Six” ka njoftuar se libri i Britney-t është gati dhe do të publikohet në vjeshtë. Libri do të jetë frymëzues.

    Spears ka shkruar për momentet e saj më të trishta të jetës, fëmijërinë, ndarjen nga Justin Timberlake dhe secilën sfidë të saj, transmeton tvlive.tv.

    Është një histori mbijetese, që tregon se si gjeti rrugën e saj nga kjo jetë dhe gjeti lumturinë me bashkëshortin e saj, Sam Asghari.

    Britney bashkëpunoi me Sam Lansky, një autor, gazetar i njohur që ka redaktuar biografitë e Madonna, Nicki Minaj dhe Adele.

    Britney Spears ka filluar të këndojë në vitin 1998 me albumin ” Baby One More Time”, i cili u bë një sukses i madh në skena muzikore ndërkombëtare dhe e bëri atë një yll pop të njohur në të gjithë botën.

    Që nga ajo kohë, Britney Spears është në fokus të mediave, sidomos viteve të fundit pasi që i ka dërguar një kërkesë gjykatës për të hequr dorë nga kontrolli prindëror mbi jetën e saj.

    Kjo është një çështje që ka qenë në vëmendjen e mediave për disa vite pasi që ajo u vendos nën kujdesin e babait të saj në vitin 2008.

    Ndryshe, ajo ka bërë një postim në instagram duke thënë se është e lumtur për jetën që ka ndërtuar./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Rafuna: Çmimet do të stabilizohen, pagat e sektorit privat janë ngritur

    Rafuna: Çmimet do të stabilizohen, pagat e sektorit privat janë ngritur

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se ka indikacione të mira nga tregu evropian, por edhe ai global, për stabilizimin e inflacionit dhe ekonomisë në përgjithësi.

    Mirëpo, sipas Rafunës çmimet nuk do të kthehen në nivelin të cilin ishin para pandemisë.

    Teksa ka përmendur disa sfida aktuale të bizneseve kosovare, kryetari i OEK-ut ka treguar se, përkundër atyre sfidave, ka edhe rritje të pagave në sektorin privat.

    “Ka qenë një periudhë sfiduese për bizneset. Pas pandemisë, pati një shpresë se do të hapej tregu, mirëpo nuk u arrit që zinxhiri i furnizimit të stabilizohej. Menjëherë pas kësaj pasoi lufta Ukrainë-Rusi, prapë u çrregullua tregu, inflacioni. Ishte edhe pasiguria rreth energjisë elektrike, se a do të ketë furnizim, a do të shtrenjtohet”.

    Siç sqaroi Rafuna, rënia e çmimit të derivateve, çmimit të gazit dhe e shpenzimeve të transportit ndërkombëtar janë indikacione të mira për stabilizimin e çmimeve.

    “Indikacionet që na vijnë prej tregut evropian, prej të cilit dihet se jemi së pari të varur e më pas edhe nga ai global, na tregojnë se inflacioni ka filluar pak të bie. Kur marrim parasysh se çmimi i derivateve ka rënë, çmimi i gazit po ashtu, shpenzimet e transportit ndërkombëtar janë ulur – këto janë indikacione të mira që do të kemi një stabilizim të çmimeve, një rënie të lehtë. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm që çmimet nuk do të kthehen në masën e para pandemisë”.

    Ndërsa, rritjen e pagave të sektorit privat ai e ka mirëpritur edhe pse “nuk janë pagat më të mëdha të mundshme”.

    “Jam shumë i lumtur që sektori privat ka lëvizur me pagat. Nuk janë pagat më të mëdha të mundshme. Varësisht mundësive, bizneset kanë lëvizur me një rritje të mirë të pagave. Këtë e them nga terreni që i vizitoj bizneset, nuk kam hasur në asnjë punëtor që është ankuar për pagën e vogël”.

    I pyetur nga EO për moszgjedhjen e bordeve të Bankës Qendrore dhe TRUSTI-t, Rafuna ka thënë se është e pafalshme nga Qeveria, si nga ana e qytetarëve ashtu edhe nga ajo e bankave të cilat nuk kanë kujt t’i drejtohen.

    “Nuk është mirë kjo që po ndodh, sidomos kur kemi një tronditje në sistemet financiare të Amerikës, Gjermanisë, tani së fundi edhe Zvicrës. Kosova ka qenë për lakmi dhe ka pasur një sistem shumë të mirë financiar, të qëndrueshëm. Sipas raportit të Bankës Qendrore, bankat vendore qëndrojnë mjaft mirë. Mirëpo të jetë Banka Qendrore pa bord, TRUST-i pa bord, sidomos TRUST-i kur ato janë para private të qytetarëve dhe punëtoreve, nuk është e falshme. Me urgjencë duhet të kompletohen bordet që të krijohet siguri. Bankat kanë shumë problem në kuptimin e sigurisë kur e dinë që s’ka bord as guvernator në Bankën Qendrore, nuk kanë kujt t’i drejtohen dhe as me kë të konsultohen”, është shprehur ai.

  • 24 vjet nga masakra në Lagjen e Boshnjakëve

    24 vjet nga masakra në Lagjen e Boshnjakëve

    Sot bëhen 24 vjet që kur dora e kriminelëve serbë mori jetën e 23 civilëve të pafajshëm në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

    Forcat serbe më 15 prill të vitit 1999, pasi kishin mbledhur rreth 80 persona në shtëpinë e Mustafë Sahitit, kishin nisur torturimin e tyre dhe vranë 23 shqiptarë në të gjithë lagjen.

    Shtëpia në të cilën ndodhi masakra tashmë është shndërruar në muze.

  • Presidetja Osmani pret sot Abavoviqin, kryeministri malazez e mbyll vizitën në Pejë

    Presidetja Osmani pret sot Abavoviqin, kryeministri malazez e mbyll vizitën në Pejë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot (e shtunë) do të presë në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

    Sipas njoftimit të presidencës, takimi pritet të nisë në ora 10:00.

    Mediat fillimisht mund të marrin pamje nga pritja para ndërtesës së Kuvendit, dhe më pas pamje do të ketë edhe në fillim të takimit.

    Abazoviq është duke qëndruar për vizitë në Kosovë ndërsa sot pritet ta mbyllë të njëjtën në qytetin e Pejës.

    Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri do të presë në takim Abazoviqin në ora 15:40.

    Pas takimit në zyrë së bashku do të vizitojnë projektin IPA ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, si dhe në ora 16:15 do të vizitojnë Muzeun e Pejës.

    Gjatë së premtes, Abazoviq pati takim me kryeministrin Albin Kurti ku u nënshkrua edhe një marrëveshje për shërbime ajrore mes dy vendeve.

    Gjithashtu Abazoviq pati takime me krerët e partive opozitare si dhe vizitoi disa universitete e shoqata biznesesh private.

  • BQK paralajmëron rënie të kamatave të kredive me ngadalësimin e inflacionit

    BQK paralajmëron rënie të kamatave të kredive me ngadalësimin e inflacionit

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) paralajmëron se me ngadalësimin e shkallës së inflacionit dhe stabilizimin e çmimeve, do të fillojnë të bien edhe normat e interesit në kredi.

    “Me rënien e inflacionit, bankat pritet të fillojnë gradualisht t’i lehtësojnë politikat monetare – gjë që do të ndikojë në uljen e normave reale të interesit”, thuhet në një deklaratë me shkrim të BQK-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

    BQK-ja, megjithatë, nuk jep detaje se në çfarë përqindjeje mund të bien normat e interesit në kredi, të cilat kanë kaluar tashmë 6-përqindëshin. Ky institucion nuk specifikon as kur mund të bjerë inflacioni, ndonëse më herët është përmendur gjysma e dytë e vitit 2023.

    Normat e interesit në kredi kanë nisur të rriten gjetiu në botë në muajt e fundit të vitit të kaluar. Kjo ka ndodhur si rezultat i shtrëngimit të politikave monetare nga bankat qendrore, për shkak të shkallës së lartë të inflacionit.

    Kosova e ka përmbyllur vitin 2022 me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.
    Normat mesatare të interesit në kredi, sipas BQK-së, janë rritur nga 5.8% sa kanë qenë në shkurt të vitit të kaluar, në 6.5% në periudhën e njëjtë të këtij viti.

    Përkundër kësaj, të dhënat e këtij institucioni konfirmojnë se në sektorin bankar ka rritje të kredive familjare.

    Në Kosovë veprojnë aktualisht 12 banka komerciale dhe vlera e kredive në to ka arritur në mbi 4 miliardë euro.

    Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk mund të ndërhyjë te to.

    Inflacioni vështirëson pagesën e këstit mujor

    Bardhyl Krasniqi, qytetar nga Prishtina, tregon për Radion Evropa e Lirë se në janar të vitit të kaluar ka marrë kredi në vlerë prej 40 mijë eurosh për blerjen e një banese.

    Për tetë vjet rresht, ai duhet t’i paguajë bankës kreditore një këst mujor prej më shumë se 500 eurosh, me normë interesi rreth 5%.

    “Norma e interesit është e lartë, por këto norma janë në të gjitha bankat në Kosovë. Për të blerë banesë apo diçka tjetër në vlera më të mëdha, nuk arrin pa kredi. Jemi të detyruar ta marrim edhe me këto norma të interesit”, thotë Bardhyli, i cili punon në një kompani të sektorit privat.

    Paga mesatare ne Kosovë është më pak se 500 euro, minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro, ndërsa pensionet janë nga 100 deri në 265 euro.

    Bardhyli thotë se ka “pagë të mirë”, gjë që i ka mundësuar të marrë edhe kredi. Por, shton ai, rritja e vazhdueshme e inflacionit ia ka vështirësuar pagesën e këstit mujor.

    “Unë kam pagë mbi mesataren e pagave në Kosovë, bashkëshortja dhe djali po ashtu punojnë. Pagesa e këstit është e menaxhueshme, por jo edhe shumë e lehtë për ta përballuar, pas ngritjes së çmimeve të konsumit. Çmimet janë të larta – më të larta sesa inflacioni që po jepet zyrtarisht”, thotë Bardhyli.

    Rritjes së inflacionit gjetkë në botë i kanë kontribuar në masë të madhe pandemia e koronaviursit dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në muajin janar, se inflacioni do të bjerë në pjesën e dytë të këtij viti.

    Ngjashëm presin edhe ekspertët e çështjeve financiare, të cilët thonë se me rënien e inflacionit, do të bien edhe normat e interesit në kredi.

    “Interesat e larta e ngadalësojnë marrjen e kredive. Me ngadalësimin e kredisë ngadalësohet edhe zhvillimi ekonomik”, thotë Milazim Abazi, ish-kryesues i Komitetit të Financave në Oden Ekonomike Amerikane, për Radion Evropa e Lirë.

    Përveç bankave komerciale, në Kosovë funksionojnë edhe 30 institucione mikrofinanciare, të cilat po ashtu ofrojnë kredi për qytetarët. Ndonëse me më pak kritere, normat e tyre të interesit janë më të larta – afro 20%.

    Të dhënat e institucioneve financiare në rajon, të cilat ka arritur t’i sigurojë Radio Evropa e Lirë, tregojnë se normat mesatare të interesit në kredi variojnë – diku më të larta, diku më të ulëta.

    Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili monitoron sistemin monetar ndërkombëtar dhe zhvillimet ekonomike globale, ka paralajmëruar po ashtu rënie të normave të interesit në ekonomitë e mëdha. Në një raport të publikuar më 11 prill thuhet se këto norma pritet të bien në nivelet para pandemisë së koronavirusit, përkatësisht para vitit 2020.

  • Dokumentet e Pentagonit: Kina pranoi të armatoste fshehurazi Rusinë

    Dokumentet e Pentagonit: Kina pranoi të armatoste fshehurazi Rusinë

    Kina miratoi dhënien e ndihmës vdekjeprurëse për Rusinë për luftën e saj në Ukrainë, por donte që çdo dërgesë të mbetej sekret, sipas dokumenteve të qeverisë amerikane të zbuluara.

    Një përmbledhje e fshehtë e inteligjencës e datës 23 shkurt thotë se Pekini kishte miratuar furnizimin në rritje të Moskës me armë, të cilat do t’i maskonte si sende civile, sipas një raporti në Washington Post.

    Përgjimi i inteligjencës ruse tregon se Pekini dëshironte të maskonte ndihmat vdekjeprurëse si objekte civile, thuhet aty.

    Inteligjenca u mblodh nga agjentë amerikanë që përgjonin diskutimet e shërbimit sekret rus, raportoi gazeta. Rusët thanë se komisioni qendror ushtarak i Kinës donte që dërgesat të mbeten sekrete.

    Një dosje e veçantë e inteligjencës në grumbullin e dokumenteve të zbuluara tha se Pekini do të konsideronte një sulm “të rëndësishëm” ukrainas me armë të SHBA ose NATO në territorin rus si një përshkallëzim të konfliktit që do të meritonte dërgimin e armëve në Rusi.

    Dosjet ishin pjesë e një grupi të madh dokumentesh të klasifikuara të zbuluara që u shfaqën në platformën online Discord muajin e kaluar.

    Të premten, Jack Teixeira, 21-vjeçari i akuzuar për nxjerrjen e dokumenteve, doli në gjykatë në Boston. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se dokumentet janë autentike dhe përmbajnë informacione shumë të ndjeshme, edhe pse disa duket se janë përpunuar.

    Sipas dokumenteve të zbuluara, forcat speciale të Rusisë janë shkatërruar nga lufta në Ukrainë. Washington Post citoi një raport të inteligjencës që thoshte se një njësi elitare, Brigada 346 Spetsnaz ka vetëm 125 trupa të mbetura nga 900 të dislokuara.

    “Nuk ishte e qartë se kur u bë ai vlerësim, por përputhet me vlerësimet e analistëve për vështirësitë e Rusisë në Ukrainë.”

    Të premten, ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha se vendi i tij nuk do të sigurojë armë për asnjërën palë të konfliktit dhe gjithashtu do të kufizojë eksportin e teknologjisë me përdorim të dyfishtë.

  • Bideni i emocionuar përkujton Beaun, djalin që shërbeu në Kosovë

    Bideni i emocionuar përkujton Beaun, djalin që shërbeu në Kosovë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, gjatë vizitës në Mayo të Irlandës, pati shansin të takonte priftin i cili kishte udhëhequr ceremoninë e varrimit të djalit të tij, Beau, i cili vdiq nga kanceri në tru.

    Beau Biden ka shërbyer në Kosovë pas përfundimit të luftës, përkatësisht më 2001 në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.

    Presidenti amerikan ka vizituar kishën në Mayo dhe ka folur për familjen e tij, besimin dhe djalin e tij, Beau.

    “Ishte spontane. Bideni qau, vërtetë e preku atë dhe më pas u lutëm bashkë për familjen e tij”, ka thënë prifti.

    Bideni ka nisur një seri vizitash në vendet ku ka lidhje familjare dhe në Mayo ai ka lidhje përmes stërgjyshit të tij.