ATV

Blog

  • Këshilli Kushtetues francez miraton reformën e pensioneve

    Këshilli Kushtetues francez miraton reformën e pensioneve

    Pavarësisht kundërshtimit të gjerë të opinionit në sondazhe, autoriteti më i lartë kushtetues i Francës mbështeti reformën e diskutueshme të pensioneve nga presidenti Emmanuel Macron.

    Këshilli Kushtetues francez përfundoi shqyrtimin e propozim-ligjit të reformës, i cili përfshin rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 deri në vitin 2030, shkruan Anadolu.

    Këshilli hodhi poshtë kërkesën e deputetëve të krahut të majtë që të organizohet referendum në lidhje me reformën.

    Qeveria zbuloi propozimin për reformat në janar dhe u hap debat parlamentar muajin e ardhshëm, edhe pse miliona njerëz dolën në rrugë për të kundërshtuar reformat.

    Gjithashtu, punëtorët dhe sindikatat kundërshtojnë fuqishëm reformat.

    Trazirat u intensifikuan kur kryeministrja Elisabeth Borne, pas konsultimit me presidentin francez Macron, vendosi të përdorë kompetenca të veçanta kushtetuese për të miratuar propozim-ligjin pa miratimin e parlamentit më 16 mars.

    Vendimi u nxit nga frika se deputetët do të mund të bllokonin reformat pasi qeverisë i mungon një shumicë absolute në parlament.

    Mes muajsh protestash, policia franceze u akuzua për arrestime arbitrare dhe përdorimin e forcës së tepruar kundër demonstruesve.

  • Joseph: Në marrëveshjen e Ohrit ka detaje të paspeficikuara

    Joseph: Në marrëveshjen e Ohrit ka detaje të paspeficikuara

    Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, në bashkëpunim me Universitetin “Johns Hopkins”, kanë organizuar tryezën me diskutimin për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë ku u tha se aneksi i marrëveshjes ka paqartësi dhe se diskursi politik nuk ka ndryshuar.

    Analisti amerikan dhe ligjëruesi në Universitetin “Johns Hopkins”, Edward Joseph tha se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe se fokusi duhet të jetë në zbatim.

    Po ashtu, ai theksoi se në këtë marrëveshje ka shumë boshllëqe dhe detaje të paspecifikuara.

    “Tani, këtu qëndrojmë formalisht, realiteti joformal dhe kontekstual, i njohur nga të gjithë në këtë sallë, dhe nga miqtë dhe kolegët tanë gjetkë në Kosovë dhe në Beograd, të gjithë i dinë sfidat e mëdha. Numër një, paqartësia e vetë marrëveshjes. Fakti që ka boshllëqe, ka elementë që nuk specifikohen, detaje të paspecifikuara, paqartësi që krijojnë pikëpyetje, ky është numri një”.

    “Numri dy është, natyrisht, statusi i marrëveshjes, fakti që ajo nuk u nënshkrua, fakti që nuk pati shtrëngim duarsh mes palëve dhe kontekstualisht, fakti që dëgjojmë një rrjedhë negativiteti për marrëveshjen, që sigurisht nuk është inkurajuese, dhe jo ajo që është standarde në çdo negociatë të suksesshme ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

    Në anën tjetër, drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, Lulzim Peci theksoi se shpreson se për 100 ditë, të dyja vendet do të kompletojnë obligimet e tyre.

    Për normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëveshjen finale ka folur edhe Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkut për të drejtat e njeriut në Serbi.

    “Sa i përket Serbisë, do të thosha, meqë u përmend pajtimi, problemi është se kemi nacionalizëm dhe kujtesë kulturore… Nuk mendoj se do të ketë konflikt, edhe pse ka potencial për një gjë të tillë… Ne jemi në një lloj okupimi nga mediat e Vuçiqit dhe OJQ-të e tij”, ka deklaruar ajo.

  • Halimi e LDK-së për rastin tragjik në Pejë: Alarm për institucionet

    Halimi e LDK-së për rastin tragjik në Pejë: Alarm për institucionet

    Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar ndaj rastit tragjik në Pejë ku dyshohet se djali ka vrarë nënën e tij.

    Halimi vlerëson se shoqëria kosovare përditë po tronditet nga dhuna e vrasjet teksa shton se nuk ndërmerret asnjë hap drejt ndryshimit të mendësisë dhe politikave ndëshkimore.

    “Shoqëria kosovare përditë po tronditet nga dhuna e vrasjet, ndërsa nuk ndërmerret asnjë hap drejt ndryshimit të mendësisë dhe politikave ndëshkimore. Institucionet e shtetit, urgjentisht duhet të mendojnë për një qasje shumë dimensionale për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje. Tashmë nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por për një plagë shoqërore thellësisht strukturore të dhunës së fshehur brenda psikologjisë shoqërore”, ka thënë Halimi.

    Mes tjerash, ajo tha se ky rast tragjik duhet të jetë alarm për institucionet.

    “Rasti i vrasjes së gruas në Pejë, të dridh në shpirt; alarm për këtë shoqëri e këto institucione, që të lëvizin nga parimi i dënimit verbal të rasteve në rrjete sociale e media. Në të kundërtën dhuna dhe vrasjet kanë filluar të shndërrohen në përditshmëri deri në normalizim” ka thënë Halimi në Facebook.

  • Nëna u vra nga djali i saj: Gjithçka që dihet deri më tani për krimin makabër në Pejë

    Nëna u vra nga djali i saj: Gjithçka që dihet deri më tani për krimin makabër në Pejë

    Një ngjarje e rëndë ka goditur dje qytetin e Pejës. Një grua rreth moshës 60 vjeçare u bë viktimë e djalit të saj dhe u vra brenda shtëpisë.

    Sipas hetimeve fillestare të policisë dhe Prokurorisë – që tani e ka në dorë procesin e hetimit të rastit bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë e cila ka tronditur edhe organet e rendit, shkruan Paparaci.com.

    Nga Prokuroria e Pejës kanë bërë të ditur se dyshimet e para thonë se i biri ka privuar nga jeta të ëmën, ndërsa i njëjti është arrestuar.

    “Sot jam para jush dhe bashkëqytetarëve të Pejës lidhur me një rast tragjik dhe të dhimbshëm që ka ndodhur në Pejë dhe familjes i shprehim ngushëllime. Sot rreth orës 16:00 jemi njoftuar se ka ndodhur një vrasje në qytetin e Pejës ku dyshohet se i biri ka privuar nga jeta të ëmën. Duke iu falënderuar reagimit të shpejt të Policisë është arritur që i njëjti të arrestohet në mënyrë që të mos i shkaktojë dikujt tjetër ndonjë dëm ose vetës.”, ka thënë dje para gazetarëve Prokuroria .

    Prokuroria e Pejës gjithashtu ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë mbledhur të gjitha provat dhe është urdhëruar autopsia e së ndjerës.

    Lidhur me rastin e rëndë janë siguruar edhe dëshmitarë okularë. Sipas Prokurorisë, i dyshuari nuk ka qenë në gjendje të merret në pyetje, ndërsa kjo do të ndodh nesër në prani të psikologut dhe avokatit mbrojtës.

    Përveç kësaj, Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit do t’i bëhet edhe ekzaminim në Institutin e Psikiatrisë.

    “Kemi dalur së bashku me njësitin e forenzikës në vendin e ngjarjes ku janë mbledhur të gjitha provat, kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës. Kemi siguruar dëshmitarë okularë. I dyshuari nuk ka qenë në gjendje të merret në pyetje, kemi urdhëruar që nesër në prezencë të psikologut dhe avokatit mbrojtës të merret nëpyetje. Po ashtu do të vazhdojmë me hetime. Në bazë të të gjitha rrethanave, do të urdhërojmë edhe ekzaminimin në Institutin e Psikiatrisë të të dyshuarit.”, tha Prokurorja e rastit.

    Detaje lidhur me rastin ka dhënë edhe komandanti i Policisë në Pejë, Nue Nikolla i cili ka thënë se policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe i dyshuari është arrestuar dhe prangosur nga patrulla e parë në vendngjarje.

    Më tej, Nikolla ka bërë të ditur se vendit të ngjarjes i janë përgjigjur të gjitha njësitet relevante të policisë së Kosovës, përfshirë forenzikën që kanë bërë mbledhjen e provave.

    I pyetur për detaje lidhur me krimin makabër, Nikolla është treguar i rezervuar marrë parasysh se bëhet fjalë për krim në familje.

    “Menjëherë në vend të ngjarjes kanë konstatuar se bëhej fjalë për një vrasje të rëndë dhe kanë arrestuar dhe prangosur kryerësin e rastit. Arrestimi është kryer nga patrulla policore. Është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes, pastaj vendit të ngjarjes i janë përgjigjur të gjitha njësitet. Jemi në fazën e hetimeve dhe meqë kemi të bëjmë me rast brenda familjes, këto janë të gjitha informacionet që mund të japim për momentin.”, tha Nikolla.

    I pyetur lidhur me motivet e ngjarjes, Nikolla tha se ende nuk janë zbardhur të gjitha motivet.

    “Ende nuk janë sqaruar të gjitha motivet, por jemi në fazë fillestare dhe ditët e orët në vijim do të bëhen të ditura.”, tha Nikolla.

    Ai ka thënë se i dyshuari nuk ka pasur precedent penal më herët.

    “Unë si komandant stacioni nuk kemi pranuar informacion se kemi pasur të bëjmë me ndonjë rast të raportuar më herët në stacionin e Pejës.”, tha Nikolla.

  • Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së: Prokuroria i zhvlerëson dëshmitë për krimet serbe në Kosovë

    Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së: Prokuroria i zhvlerëson dëshmitë për krimet serbe në Kosovë

    Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në një parashtresë të përbashkët ka thënë se Prokuroria Speciale po synon që krimet serbe që po prezantohen si fakte t’i kategorizojë si jo-relevante.

    Në parashtresën në fjalë, mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kujton se edhe vetë Prokuroria e ka pranuar se serbët po kryenin krime gjatë kohës së përcaktuar për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Në formë të parashikueshme, ZPS përsëri kërkon të përjashtojë provat e krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Për shumicën dërrmuese të fakteve të propozuara nga mbrojtja, i vetmi argument kundërshtues është relevanca. Megjithatë, faktet janë qartësisht të rëndësishme për kontekstin, përfshirë deklaratat përkatëse publike, motivimin e luftëtarëve të UÇK-së dhe të akuzuarve dhe motivimin e hakmarrjes së autorëve individualë të krimeve të supozuara”, thuhet në parashtresë.

    Mbrojtja potencon se ZPS-ja po i konsideron si jo-relevante edhe faktet që lidhen me Masakrën e Reçakut.

    “ZPS-ja po jep qëndrime qesharake kur po thotë se faktet janë jo-relevante. Ta zëmë, ngrit parashtresë pa shpjegim se fakti 60, i cili lidhet me Masakrën e Reçakut, është jo-relevant. Përkundër kësaj, ZPS-ja po vazhdon të thërrasë dëshmitarë që dëshmojnë për Masakrën e Reçakut dhe i referohen si ngjarje kryesore. Qartazi, fakti 60 është relevant”, potencon mbrojtja e ish-krerëve, percjell Demokracia.com.

    Mbrojtja argumenton tutje se ofenzivat dhe krimet e caktuara serbe gjatë verës së 1998-ës dhe pranverës së 99-ës ndikuan në çrregullimin e strukturës së UÇK-së. Mbrojtja thotë se kjo është e rëndësishme për të shpjeguar edhe efektivitetin e kontrollit në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

    “Këtu, Prokuroria po tenton që të akuzuarit t’i parandalojë edhe ne paraqitjen e provave, në mënyrë që trupi gjykues të mos i shohë kurrë. Siç ka theksuar më parë mbrojtja, ZPS nuk është në gjendje të përmend asnjë rast kur gjykatat ndërkombëtare ia kane mohuar ndonjëherë një të akuzuari të drejtën për të paraqitur prova për mbrojtjen, përfshirë edhe mbrojtjen në heshtje”.

    Në parashtresën e së martës, mbrojtja kujton se si është pajtuar kryetari i Gjykatës Speciale me deklaratën e Gregory Kehoe, avokatit të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se do të shpërfaqen krimet serbe për ta kontekstualizuar rastin.

    “Pasi z. Kehoe u përgjigj se “në kohën e duhur ne do të diskutojmë rëndësinë e krimeve të veçanta serbe në kontekst me atë që po ndodh në terren”, kryetari i trupit gjykues konfirmoi “kjo është kërkesa jonë e vetme””.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin e këtyre persoanve

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e këtyre persoanve

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e dy personave të dyshuar për veprën e zjarrvënies.

    “Njësiti i hetimeve të stacionit Jugu në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që shihen në fotografi.”, thotë policia.

    Ky është njoftimi i plotë:

    Kërkesë për bashkëpunim – identifikim të personit të dyshuar

    Njësiti i hetimeve të stacionit Jugu në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që shihen në fotografi.

    Personat kërkohen për përfshirje në një rast të zjarrvënies, që është raportuar në fund të muajit mars Prishtinë.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.

  • “Politika është sikur droga, të qorron” – Besnik Tahiri tregon se si politikanët dehen për pushtet

    “Politika është sikur droga, të qorron” – Besnik Tahiri tregon se si politikanët dehen për pushtet

    Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ishte i ftuar të premten në emisionin “LIBERO”, ku rrëfeu shumë të pathëna për sa i takon jetës personale, duke mos anashkaluar as jetën politike.

    Në lidhje me politikën, ai befasoi kur tha se shpeshherë e ka tjetërsuar si person.

    “…Politika të ndryshon, të qorron. Ajo është si droga, e sheh që po të bën dëm dhe vazhdon ta konsumosh…”, potencoi Tahiri.

    Gjithashtu, ai foli edhe për liderin e tij partiak, Ramush Haradinaj, për të cilin tha se ka mësuar shumë gjëra për sa i takon politikës.

    “…Prej tij e kam mësuar se për ta arritur një qëllim duhet të kesh konsistencë, qëndrueshmëri në qëllimet tua profesionale politike. E kam mësuar se pa sakrificë suksesi i shpejt, përfundon shpejt…”, theksoi Tahiri.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • A e largon besimin në Zot, shikimi i astrologjisë për të ardhmen, flet astrologia

    A e largon besimin në Zot, shikimi i astrologjisë për të ardhmen, flet astrologia

    Astrologia Laura Bilalli pasionin e saj për yjet, galaktikën e universin e ka kthyer edhe në profesion, madje edhe duke studiuar për këtë gjë në universitetin e Los Angeles.

    Të premten, ishte e ftuar në emisionin “LIBERO”, ku sqaroi diçka shumë të rëndësishme për sa i takon astrologjisë – profesion i cili nganjëherë (edhe) keqkuptohet.

    “…Astrologjia është shkencë (te ne nuk e kuptojnë këtë gjë), astrologjia nuk është fall. Parashikimet bëhen në bazë të rrotullimit të planetëve dhe yjeve… Është një pyetje e thjeshtë ‘Kush i krijoi yjet dhe planetët’?… Aty mund ta kuptosh se qëllimi nuk është që t’i largosh njerëzit nga besimi i tyre…”, deklaroi ajo.

    Bilalli gjithashtu potencoi se pavarësisht të gjithave, as në astrologji nuk është gjithçka 100% e vërtetë, sepse ka ndikim edhe energjia.

    Vlen të potencohet se sipas “PsychologyToday”, pavarësisht se nuk ka prova se astrologjia mund të parashikojë me saktësi të ardhmen e një personi, shumë njerëz besojnë në të.

    Sipas studimeve, njerëzit që janë narcistë kanë më shumë gjasa të besojnë në astrologji.

    Për ta shikuar emisionin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Astrologia shokon me deklaratën: 80 për qind i kam klientë meshkuj, të gjithë duan të dinë për dashurinë, nuk interesohen as për para

    Astrologia shokon me deklaratën: 80 për qind i kam klientë meshkuj, të gjithë duan të dinë për dashurinë, nuk interesohen as për para

    Astrologia e njohur kosovare Laura Bilalli, ishte e ftuar të premten në emisionin “LIBERO”.

    Duke qenë astrologe e njohur dhe ndër të paktat në Kosovë, ajo tha se ka klientë të shumtë, por befasoi kur potencoi se 80 për qind e atyre që shikojnë astrologjinë (tek ajo) janë meshkuj, dhe 50 për qind nga ta kërkojnë të dinë më shumë rreth dashurisë.

    “…Më së shumti pyesin për pjesën personale se çka ka me ndodhë në të ardhmen. 80 për qind të klientëve i kam meshkuj dhe 20 për qind femra… Diçka tjetër interesante është se femrat pyesin për punë, familje dhe për dashurinë, ndërsa 50 për qind e meshkujve pyesin vetëm për dashurinë, nuk ju intereson as pjesa e karrierës…”, deklaroi ajo.

    Ndërkohë, për sa i takon vitit 2023, ajo tha se do të jetë një vit i mirë, duke qenë se Saturni që njihet si planet i fatkeqësive është larguar.

    Për ta shikuar emisionin e plotë, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Presidentja Vjosa Osmani e surprizoi piktoren e njohur kosovare, në ekspozitën e saj në Francë

    Presidentja Vjosa Osmani e surprizoi piktoren e njohur kosovare, në ekspozitën e saj në Francë

    Piktorja e njohur kosovare Fjolla Ferati, ishte e ftuar të premten në “LIBERO”, ku përmes ekspozitave të saj personale ka shpalosur pjesën e kulturës së vendit tonë.

    Artistja ka treguar që deri më sot ka realizuar tri ekspozita të saj personale.

    Ndërkohë, ajo përmendi ekspozitën e saj “ANTARIA”, e cila është transmetuar në kulturën shqiptare në Ambasadën e Kosovës në Paris, ku kishte qenë prezente edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    “Ekspozitën e parë e kam pasur në Cyrih, pastaj në Gjenevë, në Sofja dhe kjo e fundit në Paris, ku këto punime i kam punuar gjatë gjithë studimeve… Në ekspozitën në Sofje ka qenë prezente edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Aty kam pasur mundësinë për të diskutuar diçka më konkrete me të…”, shprehet piktorja Fjolla.

    Vlen të theksohet se piktorja Fjolla Ferati, tha se i gjithë mesazhi i këtyre punimeve të kësaj ekspozite “ANTARIA”, në ambasadë ishin veshjet tradicionale shqiptare.

    Krahas këtyre, Fjolla theksoi se thellimi brenda vetes ia mundëson asaj, inspirimin për krijime të reja.

    Ndryshe, kur arti përdorë çdo mënyrë për të krijuar dhe komunikuar nëpërmjet ngjyrave, atëherë arrihet të reflektohet njohja e vlerave tona kulturore edhe nga të huajt.

    Për të shikuar emisionin e plotë, klikoni në linkun më poshtë: