ATV

Blog

  • Begaj vizitoi Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, promovim trashëgimisë kulturore

    Begaj vizitoi Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, promovim trashëgimisë kulturore

    Kryeministri i Shqipërisë, Bajram Begaj së bashku me zonjën e parë, Armandën vizituan sot Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

    Siç bëri të ditur Begaj, vizita u bë në kuadër të nismës për promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

    “Rreth 150 kryemjeshtra të artit mesjetar, që nga Onufri tek Konstandin Shpataraku, mund të eksplorohen nga afër, duke dëgjuar për ta edhe përmes një audio-guide në 4 gjuhë, ku veçanti është përfshirja e gjuhës ukrainase. Kjo gjuhë është bërë pjesë e audio-guidës së muzeut, përmes një iniciative të kërkuar nga Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, me mbështetjen e Armandës, duke konfirmuar nje tjetër herë se popujt mund dhe duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin përmes vlerave më të larta njerëzore.”, shkroi Begaj në Facebook.

  • Peleshi: Trupat tona po japin kontribut të rëndësishëm në misionin e KFOR-it në Kosovë

    Peleshi: Trupat tona po japin kontribut të rëndësishëm në misionin e KFOR-it në Kosovë

    Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi deklaroi sot se ushtria shqiptare po jep kontribut të rëndësishëm në misionin e KFOR-it në Kosovë.

    Peleshi ka potencuar se trupat shqiptare po shërbejnë pa u lodhur përkrah kolegëve të tyre ndërkombëtarë për të siguruar mjedis të sigurt.

    “Trupat tona po japin një kontribut të rëndësishëm në misionin e KFOR-it në Kosovë. Me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre të palëkundur, ata po shërbejnë pa u lodhur përkrah kolegëve të tyre ndërkombëtarë për të siguruar një mjedis të sigurt. Këtë e tregon më së miri pjesemarrja në dy stervitjet e fundit COBWEB dhe GOLDEN SABER. Të përkushtuar të ruajmë një nivel të lartë të gatishmërisë operacionale dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë.”, ka shkruar Peleshi në Facebook.

  • Zyrtare: Arsim Thaqi jep dorëheqje nga posti i trajnerit të Dritës

    Zyrtare: Arsim Thaqi jep dorëheqje nga posti i trajnerit të Dritës

    Arsim Thaqi ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Dritës.

    Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi përmes një postimi në rrjetet sociale.

    “Trajneri, Thaqi e ka ofruar dorëheqjen pas barazimit në ndeshjen e fundit kundër Dukagjinit. i pakënaqur me rezultatet e deritanishme, trajneri THaqi sot kërkoi takim me kryesinë e klubit për të ofruar dorëheqjen e tij”, shkruhet në komunikatë.

    Ndryshe, Thaqi kishte marrë drejtimin e skuadrës nga Gjilani më 4 janar të këtij viti, duke zëvendësuar Ardian Nuhiun e larguar.

    E sipas komunikatës nga bardhekaltrit, barazimi 0-0 në fundjavë kundër Dukagjinit, ka qenë goditje e rëndë për të, me ç’rast edhe humbën pozitën e parë në renditjen tabelare.

    Kujtojmë që Drita, aktualisht zë vendin e dytë me 57 pikë të grumbulluara, një më pak se Ballkani e cila zë vendin e parë./ATV

  • Nëna që largimin e rejes nga shtëpia e vuajti më shumë se vdekjen e djalit

    Nëna që largimin e rejes nga shtëpia e vuajti më shumë se vdekjen e djalit

    Kanë kaluar 23 vjet që nga humbja e djalit në luftë, por Elife Muhadini, ende nuk po mund të pajtohet me vdekjen e tij. Me lot në sy, ajo kujton kohën kur e përcolli në frontin e luftës.

    “Si nanë, unë nuk e kam ditur deri vonë, por kur e kam pa që erdh një hov me ushtarë, edhe e pash veshë në tesha të ushtrisë, “o Hajriz” i thash a qeshtu a, the po shkoj të Zaferi me pi çaj e koke vesh ushtar, më tha “nanë, duhet për popull tim, për tokë””, rrëfen me s lotësh Elifja.

    I thash veç për hajr të qoftë, Allahu të ndihmoftë, Zoti në hajër të qoftë.

    I mori shokët, dolën dhe ecën. Am vështirë më, nuk di çka të them. Ma mërzi më nuk di çka të them.

    Më shumë se humbjen e djalit, Elife Muhadini, e vuajti largimin e nusës së tij nga shtëpia.

    Kunati tha çka je t’u ba, i thash që t’u ndejt. Tha hajde po shkojmë, ku e ke Hajrizin, i thash në luftë. Tha hajde shkojmë se nijta që e kanë plagu pak. Ai ish kanë i mbytur krejt, po unë nuk e kisha ditë. Hypëm në traktor, nami do të familjes së ngushtë dhe po shkojmë. Ece, shiko këndej, shiko andej se ku po e shoh në rrugë të plagosur, kur shkuam në një shtëpi në Petrovë, hymë, plotë njerëz e plotë ushtarë, kur hymë, ai ishte i mbuluar me një qebe dhe i mbytur. Aty s’kam ditë mo çka me ba, jam aftu e kam përqafë dhe kam dalë jashtë. Kur erdhëm të shtëpia, u çel e pame, ndejti tani nusja edhe 2-3 javë ditë, tani erdhën vëllëzrit e saj e morën. valla kur u dalë nusja, sikur atë natë kur është mbytë djali jam mërzitë, ish mërzi shumë e madhe. Nuk po kish njeriu çka me ba”, rrëfen Elifja.

    Ndonëse dha një djalë për atdhe, 80-vjeçarja nuk besoi asnjëherë që do të arrijë ta përjetojë lirinë që Kosova e gëzon sot. /atvlive.tv

  • Ministri Murati ia hedh fajin LDK-së, thotë se për shkak të tyre qytetarët po e paguajnë më shtrenjtë vajin e grurin

    Ministri Murati ia hedh fajin LDK-së, thotë se për shkak të tyre qytetarët po e paguajnë më shtrenjtë vajin e grurin

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se çmimet e importit për vaj dhe grurë kanë rënë, teksa fajin për çmimet e shtrenjta ia ka hedhur LDK-së.

    Sipas tij, qytetarët po vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Çmimet Tavan.

    ”Çmimi i furnizimit nga importi për vaj ushqimor ka rënë në 1.05 euro/litër. Çmimi i furnizimit nga importi për grurë ka rënë në 0.24 euro/kg. Ligjin për çmimet tavan, LDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese. Prandaj qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë se që do duhej për vaj, miell e bukë”, ka shkruar Murati në Facebook.

    Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend projektligjin për çmimet tavan – që nënkuptonte vendosjen e disa çmimeve nga shteti për produktet esenciale – më pas kishte kaluar në Kuvend, por LDK-ja, si dhe partitë e tjera opozitare kishin thënë se ai ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

  • Fillon dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Fillon dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Fillimisht dëshmitari bëri betimin se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, derisa Gjykata njoftoi se dëshmia do të zgjasë të paktën pesë ditë.

    Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.

    Ndërsa paraprakisht, Gjykata njoftoi se gjatë ditës do të lëshohet një vendim verbal për një çështje që ka të bëjë me të akuzuarin Thaçi.

    Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

  • Sulmi i sportistëve në Tivar, Gjukanoviq: Autoritetet ta ndriçojnë rastin

    Sulmi i sportistëve në Tivar, Gjukanoviq: Autoritetet ta ndriçojnë rastin

    Presidenti i deritashëm i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq është shprehur se autoritetet kompetente shtetërore duhet të ndriçojnë rastin e sulmit ndaj dy sportistëve të mitur nga Bosnja dhe Hercegovina, të cilët kanë qenë duke u stërvitur në Tivar.

    Ai ka shkruar se Mali i Zi nuk mban mend një akt të tillë të turpshëm dhune ndaj mysafirëve, si ai ndaj të rinjve.

    Gjukanoviq, në Twitter u ka kërkuar falje të rinjve të sulmuar dhe prindërve të tyre.

    “Djem, sportistë të rinj nga Bosnja dhe Hercegovina mike u sulmuan në mënyrë të egër. Më shkatërruesja nga të gjitha do të ishte nëse ai incident vandalizmi do të kishte një konotacion kombëtar dhe fetar. Autoritetet kompetente shtetërore duhet ta ndriçojnë rastin deri në fund, veçanërisht duke pasur parasysh se kohët e fundit në Mal të Zi gjithnjë e më shpesh po hasim në dhunë e bashkëmoshatarëve. Me këtë e kalojmë testin si shoqëri dhe si shtet”, ka shkruar Gjukanoviq.

  • “Kur më ka pa nana e Naimit për herë të parë…” Mihrija tregon se çfarë i kishte ndodhur në takimin me vjehrrit

    “Kur më ka pa nana e Naimit për herë të parë…” Mihrija tregon se çfarë i kishte ndodhur në takimin me vjehrrit

    Këngëtarja e njohur Mihrije Braha ishte mysafire në emisionin STUDIO A në ATV. Ajo në këtë emision rrëfeu shumë nga jeta e saj private, por foli për sfidat dhe sukseset në ka kaluar gjatë karrierës së saj në skenë.

    Mihrija, gjatë emisionit pranoi edhe disa befasi të këndshme nga personat e afërm të saj, ku ndër ta ishin dhe vjehrri dhe vjehrra.

    “Si nuse shumë e mirë, si vajzë edhe më e mirë, tash si në moshë shumë e mirë, është për ne ajo. Jemi gëzu shumë qysh thotë bashkëshorti se na vajzë nuk këna pasë, tani jemi kanë krejt familja e lumtur që po na vjen një vajzë në shtëpi”, thotë vjehrra e Mihrijes.

    Pas kësaj befasie, Mihrija ka treguar edhe një moment tejet emocionues ditën kur ishte njoftuar me vjehrrit e saj.

    “Kur me ka pa nëna e Naimit për herë të parë, duart mi ka puthur dhe vazhdon e njëjta dashni sikurse në ditët e para”, tregon ajo. /atvlive.tv

  • Kurti nga Pokleku kërkon dënimin në mungesë për krimet serbe: Duhet të ketë drejtësi për viktimat

    Kurti nga Pokleku kërkon dënimin në mungesë për krimet serbe: Duhet të ketë drejtësi për viktimat

    Kryeministri Albin Kurti, tha se masakra e Poklekut është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, shtetit serb nuk i ka mjaftuar vetëm vrasje e civilëve në Poklek, por edhe kanë djegur kufomat, duke shtuar se plan nuk ka qenë vetëm shfarosja e jetëve, por edhe e qenieve.

    Prandaj nga këtu ai ka kërkuar gjykimin në mungesë të të gjithë kriminelëve, për çka tha se muajin e ardhshëm bëhen 4 vjet që një gjë e tillë është ë mundur me ligjet në vend.

    “Masakra e Poklekut është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, këtu para 24 vjetëve janë vrarë 54 civilë shqiptarë, për shkak se ishin shqiptarë dhe për shkak se dëshironin të jetonin të lirë e në paqe në tokën e tyre. Prej këtyre 54 të vrarëve, 25 kanë qenë nën moshën 18 vjeçare, ndërkaq 18, pra çdo i treti ka qenë nën moshën 12 vjeçare. 5 kanë qenë  foshnjë prej 6 muajsh deri në 2 vjeç, ndërkaq Lirie Muçolli ka qenë veç 6 muajsh si foshnjë kur është vrarë në këtë masakër”.

    “Siç edhe presidentja Osmani nuk ka mjaftuar vrasja, por ka pasuar edhe djegia e kufomave që do të thotë se plani ka qenë për shfarosje jo vetëm të jetërave, por edhe të qenieve. Andaj masakra e Poklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite”.

    “Në muajin e ardhshëm bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës patëm mundësuar që Prokuroria e Shtetit, prokurorët specialë të ndjekin e më pastaj sistemi i drejtësisë edhe të gjykojë në mungesë kriminelët serbë. Pra në muajin e ardhshëm bëhen që ekziston një mundësi e tillë dhe këto krime të kryera gjatë luftës që janë edhe gjenocid, edhe krime kundër njerëzimit, edhe krime luftë do të duhej të kenë drejtësi për viktimat, por edhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ata që ekzekutuan dhe për ata që i urdhëruan ato”, tha Kurti.

  • Osmani e quan masakrën e Poklekut – Holokaust: Regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë

    Osmani e quan masakrën e Poklekut – Holokaust: Regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë

    Presidentja Vjosa Osmani masakrën e Poklekut e ka krahasuar me Holokaustin, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se në këtë masakër janë vrarë më së shumti fëmijë e madje janë djegur trupat e tyre për të fshehur krimin e ndodhur nga forcat serbe.

    Sipas të parës së shtetit regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë. Ajo ka shtua se personat që e kanë urdhëruar masakrën dihen me emër e mbiemër, por regjimi në Serbi nuk po vendos drejtësi.

    Këto komente ajo i bëri pas homazheve në Kompleksin Memorial në Poklek, bashkë me kreun e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kreun e Qeverisë, Albin Kurti.

    “Këtu ne Polklek ka ngjarë një Holokaust i vërtet, siç edhe e dini diku 54 anëtar të familjeve Muçolli, Elshani dhe të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë. Shumica dërmuese fëmijë fillimisht janë ekzekutuar pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që të eliminohen krimi i tyre”.

    “Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që as një shqiptar të mos mbetet në tokën e Kosovës. Edhe kjo masakër ashtu si edhe ajo në Çikatovë dëshmojnë egërsinë e këtij regjimi dhe njëkohësisht janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha këto viktima”.

    “Personat që e kanë urdhëruar masakrën dihen me emër e mbiemër për ta janë mbledhur prova, por për fat të keq regjimi në Serbi nuk po vendos drejtësi. Ata që i bënë këto masakra po shpërblehen me pozicione të larta në policinë në serbi”, tha ajo.