ATV

Blog

  • G7 i bën thirrje Rusisë të tërhiqet nga Ukraina

    G7 i bën thirrje Rusisë të tërhiqet nga Ukraina

    Ministrat e Jashtëm të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, përsëritën përkushtimin e tyre për të mbështetur fuqishëm Ukrainën, duke “intensifikuar, koordinuar dhe zbatuar plotësisht sanksionet kundër Rusisë”.

    Gjatë një takimi në Japoni, ministrat e G7-ës thanë se “Rusia duhet t’i tërheqë të gjitha forcat dhe pajisjet nga Ukraina, menjëherë dhe pa kushte”, transmeton një deklaratë e lëshuar nga Ministria e Jashtme e Japonisë.

    Ministri i Jashtëm japonez, Hayashi Yoshimasa, tha se është e rëndësishme që të ruhet uniteti në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.

    Duke komentuar njoftimin e presidentit rus, Vladimir Putin, se Rusia do të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusi, ministrat e G7-ës thanë se “retorika e papërgjegjshme bërthamore e Rusisë është e papranueshme”.

    Rusia dikur ka qenë pjesë e asaj që është njohur si G8, por është dëbuar pasi ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

    Me urdhër të Putinit, ushtria ruse ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

    Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër Moskës, ndërsa Kievin është duke e ndihmuar me armatim dhe logjistikë./REL/

  • Itali, sekuestrohen 2 tonë kokainë

    Itali, sekuestrohen 2 tonë kokainë

    Rreth 2 tonë kokainë, me vlerë tregu mbi 400 milionë euro, u sekuestruan nga “Guardia di Finanza” (GDF) në Itali.

    Kokaina u gjet në det, në brigjet lindore të Siçilisë, nga ushtarë të komandës provinciale të Katanias dhe grupit ajror-detar të Mesinas, shkruan ANSA.

    Droga ishte e paketuar, për të shmangur depërtimin dhe fundosjen në ujë, në rreth 70 pako “lundruese”, të shoqëruara nga një pajisje sinjalizuese ndriçuese dhe të mbajtura së bashku me rrjeta.

    Ky është një nga zbulimet më të mëdha të drogës që është bërë ndonjëherë në territorin kombëtar dhe marketingu i saj i mëvonshëm do të kishte sjellë, sipas vlerësimeve të hetuesve, të ardhura me pakicë mbi 400 milionë euro.

    Pakot ishin parë nga njësitë ajrore-detare.

    Më pas, u aktivizua edhe bërthama e policisë ekonomike dhe financiare të ”Guardia di Finanza”-s të Katanias, e cila, me mbështetjen e departamentit të operacioneve aeronautike të Palermos, siguroi bashkëpunim dhe koordinoi operacionet e mëvonshme për sigurimin e ngarkesës.

  • ​Licencimi i mësimdhënësve, MAShTI dhe SBASHK-u ende të ndarë

    ​Licencimi i mësimdhënësve, MAShTI dhe SBASHK-u ende të ndarë

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) është duke përgatitur një pako të ndryshimeve legjislative, në të cilën parashihet licencimi i mësimdhënësve. Por kjo iniciativë po kundërshtohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), pasi që kalimi nga një licencë në tjetrën realizohet përmes vlerësimit të performancës.

    Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit pakoe ndryshimeve legjislative, do të ndikojë në cilësi të mësimdhënies dhe të mësimnxënies.

    Përmes një përgjigje me shkrim, nga MAShTI bëjnë të ditur se në kuadër të draftit UA për lincencimin e mësimdhënësve parashihen tri nivele të licencave, të cilat vlejnë vetëm për arsimin parauniversitar. Sipas Ministrisë, në rast se mësimdhënësi kalon nga licenca e karrierës në licencën e avancuar, parashihet edhe një shtesë në pagë.

    “MASHTI është duke përgatitur një pako të ndryshimeve legjislative të cilat ndikojnë në cilësi të arsimit përkatësisht mësimdhënies dhe mësimnxënies. Në kuadër të kësaj pakoje është edhe draft-UA, për licencimin e mësimdhënësve. Grupi punues ka hartuar draftin për këtë udhëzim dhe shumë shpejtë do të fillojë diskutimi i gjerë me mësimdhënës për këtë pako ligjore… Ky draft UA parasheh 3 nivele të licencave (licenca e karrierës, licenca e avancuar dhe licenca e përhershme). Kalimi nga një licencë në tjetrën realizohet përmes vlerësimit të performancës-i brendshëm dhe i jashtëm dhe vlerësimit që pritet të organizohet nga MASHTI. Në rast se mësimdhënësi kalon nga licenca e karrierës në licencën e avancuar, parashihet edhe një shtesë në pagë. Këto nivele të licencave vlejnë vetëm për arsimin parauniversitar. Zbatimi i këtyre niveleve të licencës do të fillojë pas finalizimit të kuadrit ligjor”, bëri të ditur MASHTI përmes një përgjigje me shkrim.

    Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj deklaroi për KosovaPress se do ta kundërshtojnë me të gjitha metodat testimin e mundshëm me shkrim për mësimdhënësit në vend.

    Sipas tij, SBASHK-u insiston që të shtohet numri i inspektorëve profesionalë që ata të shkojnë shkollë më shkollë, klasë më klasë dhe të shohin nga afër punën që bënë mësimdhënësi tha Jashari.

    “SBASHK-u kurdo që është përdorur si me qëllim ashtu edhe pa qëllim nga institucionet termi test me shkrim, për dituri apo njohurinë e mësimdhënësve që moti ka qëndrim, të cilin e mbron edhe tani, test për njohuritë e mësimdhënësve nuk ka pasur, nuk ka të tilla edhe nuk do të ketë asnjëherë. Ne do të marrim të gjitha angazhimet që të mos ndodh kurrë me të vetmen arsye, sepse e konsiderojmë si degradim dhe nënçmim për arritjen dhe shkollimin që kanë bërë mësimdhënësit, sepse ata në Fakultetin e Edukimit janë testuar dhjetëra herë, janë pyetur mësimdhënësit dhe me diplomë ata dëshmojnë se individi i caktuar është i përgatitur për sektorin e arsimit”, tha ai.

    Kundër vlerësimit me shkrim (testimit) të mësimdhënësve shprehen edhe nga Instituti EdGuard.

    Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Rinor Qehaja, tha për KosovaPress se ka një strukturë aktuale të vlerësimit të performancës.

    “Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është i domosdoshëm mirëpo vlerësimi sipas legjislacionit aktual sikurse në atë të rishikuar nuk parasheh testimin e mësimdhënësve si instrument të vetëm, ajo që është më e rëndësishme është që të ketë një vlerësim të vazhdueshëm të performancës së mësimdhënësve jo testim të tyre, mësimdhënia është shumë komplekse dhe shumë e ndjeshme për tu vlerësuar ose gjykuar me një test të vetëm… Testimi si instrument i vetëm, padyshim që jemi kundër, edhe nga një këndvështrim statistikor në terma të validitetit dhe besueshmërisë mungon në të tilla, mirëpo më e rëndësishme për neve është të kemi një strukturë aktuale të vlerësimit të performancës që parasheh vetëvlerësim nga mësimdhënësi, vlerësim nga drejtori i shkollës, vlerësim të jashtëm nga inspektorati, dhe vlerësim portofolit, pra kjo është ajo çka na thotë ligji aktual që në secilin rast dëshirojmë ta kemi të rishikuar dhe të përditësuar për ta gjetur atë modalitetin ideal që na siguron një vlerësim të sigurt dhe të besueshëm në performancën e secilit mësimdhënës”, ka theksuar ai.

    Në Programin për vlerësim ndërkombëtar PISA, në vitin 2019, Kosova është renditur e treta nga fundi, në rezultatet e publikuara nga programi për vlerësimin ndërkombëtar të studentëve, PISA.

    Kosova është vendin e 77-të për cilësi të dobët në arsim, nga 79-të vende të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.

  • Trajnimi “Power Mind”, investim në edukimin financiar

    Trajnimi “Power Mind”, investim në edukimin financiar

    Trajnerja e mendjes, Valentina Rexhaj, e ftuar në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, foli për inteligjencën financiare, manifestimin si dhe eventin “Power mind” që do të mbahet në Kosovë.

    “Këtë event kam dashur me e realizu sepse në botë veç ekzistojnë gjëra të tilla me vite dhe janë të shumtë. Mendoj se këtu mungon diçka që një herë në vit të lidhen disa mendarë, njerëz të suksesshëm, do të bëhet një event super i fuqishëm, se kur futesh në një dhomë me aq shumë njerëz, aq shumë energji pozitive, lindin ideja të reja”, tregon Rexhaj.

    Eventi “Power Minds” është një seminar mbi Ligjin e Tërheqjes, fuqinë e falënderimit, shërimin emocional është një mundësi e përsosur nga mentor të njohur e biznesmenë të suksesshëm.

    Në këtë seminar, do të mësohet për sekretet e Ligjit të Tërheqjes dhe si të përdoret ai për të tërhequr sukses në të gjitha fushat e jetës. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të Valentina Rexhajt në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, e gjeni në videon e më poshtme:

  • E akuzoi LDK-në për shtrenjtimin e çmimeve, Hykmete Bajrami i reagon Hekuran Muratit

    E akuzoi LDK-në për shtrenjtimin e çmimeve, Hykmete Bajrami i reagon Hekuran Muratit

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë sot se arsyeja se perse qytetarët e Kosovës po e paguajnë më shtrenjtë vajin, miellin dhe bukën është LDK-ja.

    Këtë e ka arsyetuar me dërgimin në Kushtetuese të ligjit për çmimet tavan.

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami në një prononcim për IndeksOnline, ka komentuar këtë deklaratë të ministrit

    Ajo ka thënë se çmimet kanë filluar të rriten para se Ministri i Financave me e dërgu ligjin për çmimet tavan në parlament.

    ‘’Nuk ja vlen fare me u marr dhe me i komentu deklaratat e ministrit Murati sepse janë aq të paqëndrueshme dhe aq kontradiktore saqë nuk di nëse duhet me shpenzu minuta. Qytetarët e vendit e dinë se çmimet janë rritë shumë kohë para se ministri i financave me sjell ligjin në parlament. Ligjin për çmimet tavan e ka sjell diku ne fund të vitit’’, tha ajo

    Bajrami, tha se LDK-ja si grup parlamentar, ka qene e bindur se ky ligj është në kundërshtim me nenin 10 të kushtetutës dhe do të mbyllte shumë biznese dhe vende të punës, prandaj e kanë dërguar në gjykatën kushtetuese.

    ‘’Ne si grup parlamentar, LDK, ka qene e bindur se ky ligj është në kundërshtim me nenin 10 të kushtetutës. Dhe si të tillë e kemi dërgu në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.’’

    Më tutje, ajo tha se Murati nuk ka marrë asnjë masë sa i përket inflacionit edhe pse LDK-ja kishte disa propozime.

    Ndërkohë, ministri Murati nuk e ka ndërmarrë asnjë masë tjetër sa i përket, inflacioni, ne kemi pas disa propozime të tjera

    ” Ligji që është në gjykatën kushtetues, nuk ka pas me u adresu, nuk ka shanca qe mundet me adresu çështjen e inflacionit. Ligji si i tillë do te mbyllte mijëra biznese familjare. Biznese familjare të cilat kostot e operimit i kanë shumë me të larta se sa rrjetet e marketeve të mëdha. Andaj ne e kemi konsideruar se është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe gjithashtu do të mbyllte një numër të madh të bizneseve familjareve dhe do të mbyllte shumë vende pune dhe si të tillë e kemi dërgu në Gjykatën Kushtetuese’’, tha Bajrami për IndeksOnline.

    Po ashtu, Bajrami akuzon ministrin se ka dy vite qe ka mbetur duke e fajësuar opozitën dhe qeveritë e kaluara duke mos bërë asnjë hapë drejt përmirësimit po vetëm keqësimit të gjendjes ekonomike të Kosovës.

    ‘’Ministri ka ngel që dy vite duke e fajësu opozitën dhe qeveritë e kaluara ndërkohë nuk kemi pa asnjë hap për përmirësimin e situatës ekonomike në fakt kemi vetëm përkeqësim’’. /IndeksOnline/

  • Vazhdon greva e punëtorëve teknik në spitalin e Gjakovës dhe në shkollat e Prishtinës

    Vazhdon greva e punëtorëve teknik në spitalin e Gjakovës dhe në shkollat e Prishtinës

    Rreth 50 punëtorë të Spitalit Regjional “Isa Grezda” në Gjakovë kanë hyrë në ditën e 18-të të grevës, për shkak të pagave të ulëta.

    Përmes një komunikate për media, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka bërë të ditur se greva do të përfundojë kur pagat të rriten në 450 euro.

    “Punëtorët teknik të spitalit ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, rreth 54 punëtorë, sot kanë hyrë në ditën e 18-të të grevës për shkak të pagave të ulëta, edhe përkundër kërcënimeve nga udhëheqja e spitalit këta punëtorë mund të dalin nga greva vetëm atëherë kur pagat e tyre të jenë 450 euro. Nuk ka fuqi që ua ndryshon mendjen pa u plotësua kërkesa e tyre”, thuhet në komunikatën e tyre, teksa është bërë e ditur se nesër do t’i vizitojë kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi.

    Krahas grevës së punëtorëve të spitalit të Gjakovës, në grevë janë edhe disa punëtorë teknik të disa shkollave në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.

    “Po kështu edhe 140 punëtorë teknik të disa shkollave të Prishtinës nga sot kanë hyr në javën e dytë të protestës, për shkak të mos transparencës të organeve gjegjëse të komunës, mijëra nxënës janë pa përkujdesjen e tyre, dhe ata mund të infektohen, kurse drejtoresha e arsimit të Komunës së Prishtinës thotë që vetë nxënësit e këtyre klasave të mbajnë higjienën. Për të dy rastet për gjendjen e krijuar janë vetë udhëheqësit e këtyre institucioneve pasi që, këtu mungon vullneti për t’i mbyllur këto konteste të cilat ligjërisht edhe nuk ekzistojnë”, thuhet në komunikatë.

  • ​Nuk dihet numri i saktë i personave me hemofili, vetëm 51% e rasteve janë identifikuar

    ​Nuk dihet numri i saktë i personave me hemofili, vetëm 51% e rasteve janë identifikuar

    Në mungesë të një baze të të dhënave në Kosovë nuk dihet numri i saktë i personave të prekur me sëmundjen e hemofilisë. Por, bazuar në të dhënat e Klinikës së Hematologjisë dhe asaj të Pediatrisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës thuhet se 97 pacientë vuajnë nga kjo sëmundje.

    E në Ditën Botërore të Hemofilisë po kërkohet krijimi i një qendre të hemofilisë ku këta pacientë do të mund të marrin shërbimet mjekësore multidisiplinare.

    Hemofilia është sëmundje e lindur dhe paraqet çrregullim me gjakderdhje të shumta, sidomos në nyje. Mjekimi themelor i hemofilisë është marrja e plazmës, që është produkt i gjakut ose faktori në formë të koncentruar, që ndryshe njihet si ‘faktori 8’ ose ‘faktori 9, medikamente këto të cilat aktualisht në Kosovë kanë furnizim të qëndrueshëm.

    Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit të Hemofilisë në Kosovë, Elmedina Kukaj u shpreh se në vendin tonë janë të identifikuar vetëm 51% të rasteve me hemofili.

    Sipas saj, këta persona kanë nevojë për më shumë trajtim dhe gjithëpërfshirje.

    “Deri tani janë të identifikuar vetëm 97 persona, prej dy klinikave edhe nga Pediatria edhe nga Hematologjia për të rriturit. Ndërsa, sipas statistikave dhe sipas numri të banorëve në Kosovë ata duhet të jenë 188, do të thotë ne kemi mundur t’i identifikojmë vetëm 51% të personave të prekur me hemofili… Gjithnjë duhet të ketë më shumë që këta persona të vazhdojnë një jetë sa më të shëndetshme dhe sa më normale, mos të mungojnë prej aktiviteteve të përditshme prej punës, shkollimi dhe duhet të kenë trajtim sa më shumë… Është sfiduese sepse personat e prekur me hemofili zgjedhin që ta fshehin këtë çrregullim që kanë dhe kjo e komplikon gjithë punën”, theksoi ajo.

    Sipas Kukajt, meqenëse Kosova nuk ka një databazë të të dhënave nuk dihet numri i saktë i personave që vuajnë me hemofili.

    Por, kërkesë kyçe mbetet krijimi i një qendre ku të prekurit me hemofili mund të marrin shërbime shëndetësore.

    “Trajtimi është prioritet për t’i parandaluar gjakderdhjet dhe lëndimet që mund të ndodhin. Dhe tjetra është se kemi mungesë të databazës të të dhënave, nuk e dimë se sa janë të diagnostikuar sa nuk janë, nuk e dimë numrin e saktë të personave të prekur me hemofili. Po ashtu, më e rëndësishmja është që këta persona ta kenë një qendër të hemofilisë ku mund ta kenë një kujdes të plotë, që nënkupton se mund ta kenë kujdesin multidisiplinar, fizioterapeutin e trajnuar, infermierë, psikolog, hematologë, dentist”, shprehet Kukaj.

    E në Klinikën e Pediatrisë pranë QKUK-së shprehen se nga sëmundja e Hemofilisë marrin trajtim mjekësor mbi 40 pacientë, dhe tash e disa muaj nuk kanë të shtrirë asnjë pacientë.

    Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtoresha e Pediatrisë, Violeta Grajçevci e cila u shpreh se lloji i hemofilisë më i shprehur në Kosovë është ai i tipit ‘A’ me gjithsej 29 raste.

    Pediatrja, Grajçevci ka treguar se të gjithë fëmijët e prekur me hemofili marrin trajtim ambulatorë.

    “Pasi që hemofilia është një sëmundje e lindur, zakonisht kemi dy lloje të hemofilive që ne i trajtojmë që ka edhe lloje të tjera. Është hemofilia ‘A’ dhe hemofilia ‘B’ që janë përqindje më të madhe në krahasim me hemofilitë tjera dhe janë shumë më të lehta të tjerat në krahasim me këto dyja. Numri i rasteve që i kemi të fëmijëve prej moshave 0-18 vjet i kemi diku 29 raste me hemofilinë ‘A’, 15 raste me hemofili ‘B’. Aktualisht nuk e kemi asnjë fëmijë të hospitalizuar dhe me muaj të tërë nuk kemi pasur për shkak se tash trajtimi bëhet në mënyrë ambulantore. Pacientët e marrin faktorin 8 dhe 9 në mënyrë ambulantore. Prej 29 rasteve të hemofilisë ‘A’, që këta faktor duhet ta marrin dy herë në javë deri në tri herë, 11 prej tyre i marrin në mënyrë kontinuale me profillaks, ndërsa pjesa tjetër merr vetëm në rast të lëndëve nëse kanë sepse kanë gjakderdhje në nyje e organe sepse iu mungon një faktor i koagulimit që merr pjesë në trashjen e gjakut”, tha ajo.

    E kostoja e terapisë që nevojitet për trajtim të hemofilikëve është e lartë, prandaj Ministria e Shëndetësisë e siguron një pjesë të faktorit mjekësor që nevojitet, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga Federata Botërore e Hemofilisë.

    “Një pjesë sigurohet nga ministria e Shëndetësisë sepse është bar që duhet ta siguroj ministria e Shëndetësisë për arsye se ky ilaç kushton shumë dhe pacientët nuk kanë mundësi ta blejnë për arsye se këtu në Kosovë nuk ka në treg për ta blerë atë, dhe një pjesë tjetër mbulohet nga Federata Botërore e Hemofilisë që na siguron një faktor kombinant të faktorit ‘A’ dhe ‘B’ të koagulimit të gjakut dhe mundohemi që me arrit atë që të gjithë fëmijët me i fut në profillaks me e marr ashtu siç duhet me marr, por kostoja shumë e lartë e tyre na ka mundësuar, sidomos ato rastet e rënda, sepse kjo sëmundje ka formën e lehtë, mesatare dhe të rëndë. Format e rënda i kemi profilaktikë dhe format e lehta t’i vendosim edhe ata në profillaks”, theksoi Grajçevci.

    Sot në shënim të Ditës Botërore të Hemofilisë në shenjë ndërgjegjësimi në Prishtinë në Sahat kullë do të ndezën drita të kuqe.

    Vlerësohet se rreth 1 në 10,000 njerëz janë prekur nga hemofilia, dhe janë 450,000 njerëz që vuajnë nga hemofilia në të gjithë botën.

    Lloji më i zakonshëm është hemofilia ‘A’, ku personi nuk ka faktorë të mjaftueshëm të koagulimit VIII (FVIII).

    Dita Botërore e Hemofilisë filloi të shënohet në vitin 1989 dhe shënohet çdo vit, në nder të ditëlindjes së Frank Schnabel, themeluesit të Federatës Botërore të Hemofilisë në vitin 1963.

  • Kurti: Lista Serbe po mban takime në Rashkë, atje ku u dërguan në varreza masive të vrarët nga Kosova

    Kurti: Lista Serbe po mban takime në Rashkë, atje ku u dërguan në varreza masive të vrarët nga Kosova

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se shqiptarët jo vetëm që u vranë, por kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive.

    Ai tha se viktimat e Çikatovës së Vjetër u dërguan në varrezë masive në Rashkë të Serbisë, sipas tij atje ku krerët shtetërore të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politik të Listës Serbe.

    Ai edhe një herë i ka bërë thirrje Prokurorisë që të jetë sa më shumë aktive, duke shtuar se është koha e fundit që të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët.

    “Para 24 vjetëve, pra më 17 prill të viti 1999 këtu në Çikatovë të vjetër të Drenicës janë vrarë 28 civilë të paarmatosur e të pambrojtur nga forcat e Serbisë, të regjimit fashist të Millosheviçit, i cili në pranverën e vitit 1999 kreu gjenocid kundër popullit shqiptar në Kosovë. Jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe, por gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive, në 5 varreza masive gjithsej, mbi 950 shqiptarë. Njëra prej atyre varrezave është edhe varreza në Rudnicë të Rashkës, ku në fakt janë dërguar edhe të vrarët e Çikatovës së Vjetër. Pra edhe ata që u vranë në Çikatovë të Vjetër u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës, pra në Rashkë atje ku krerët shtetërore të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politik të Listës Serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe drejtues të strukturave paralele në Kosovë”.

    “Me datën 30 maj të vitit 2019 pra së shpejti bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës së Kosovës është amandamentuar, është ndryshuar është plotësuar Kodi i Procedurës Penale, është mundësuar që kriminelët serbë për krimet që i kanë kryer në Kosovë të gjykohen edhe në mungesë. Pra ndjekja e tyre, akuzimi, gjyqësia dhe ndëshkimi janë të mundshme edhe në mungesë për shkak se më datën 30 maj të vitit 2019 Kuvendi i Republikës e ka mundësuar një gjë të tillë duke kaluar në lexim të dytë plotësim-ndryshimin e kodit të procedurës penale”.

    “Andaj ne këtu si tre krerë të institucioneve shtetërore që jemi bëjmë thirrje edhe njëherë që Prokuroria e Shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë më aktiv sepse është koha e fundit që të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët. Nuk mund të presim që faktorët ndërkombëtarë do ta bëjnë punën tonë, nëse ne së pari nuk e bëjmë një gjë të tillë vet. Kosova është shtëpia jonë dhe e kemi për obligim shtetëror, kombëtar e qytetar që të sjellim drejtësi për ata që e derdhën gjakun për lirinë tonë të cilën ne e gëzojmë të gjithë ne sot”, tha ai.

  • Luan Haradinajt i dhurohet ora që babai i vet Shkëlzeni e mbajti deri në rënien në betejë

    Luan Haradinajt i dhurohet ora që babai i vet Shkëlzeni e mbajti deri në rënien në betejë

    Luani, i biri i dëshmorit Shkelzen Haradinaj, sot ka pranuar dhuratë orën të cilën babai i vet e mbajti në dorë deri në momentin e fundit të jetës së vet.

    Shpëtim Selmanaj, këshilltar politik i ministrit të Mbrojtjes, ishte ai që ia dhuroi orën ushtarit të FSK-së.

    Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se kjo dorë do të tregojë gjithmonë kohën e saktë se kur nisi liria.

    “Ora që do t’u mbijetojë kohëve, aq sa do të jetë i gjallë emri i Shkëlzenit. Akrepat që u ndalën atë ditë në dorën e tij, do të tregojnë gjithmonë kohën e saktë se kur nisi liria. Faleminderit Shpëtim që e ke ruajtur në vite këtë simbol kaq të vyeshëm për ne e na nderove kaq shumë sot në këtë ditë krenarie”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • ​Komunat kërkojnë të mos ndryshohen faturat e tatimit në pronë, apelojnë qeverinë t’i konsultojë

    ​Komunat kërkojnë të mos ndryshohen faturat e tatimit në pronë, apelojnë qeverinë t’i konsultojë

    Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin e fundit për pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë, komunat po insistojnë që vlera e faturave të mos ndryshohet. Ndonëse Projektligji për tatimin në pronë është në procedurë në Kuvendin e Kosovës, nga Asociacioni i Komunave po kërkojnë që paraprakisht të konsultohen edhe komunat.

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, duke dhënë pikëpamjen e komunave për vendimin e Qeverisë së Kosovës thotë se faturat nuk duhet të ndryshojnë fare. Derisa kur flitet për falje të borxhit, ai thotë se për këtë vendim duhet të konsultohen komunat.

    “Kryetarët e komunave kanë kërkuar që çdo gjë sa i përket tatimit në pronë të kthehet në pikën zero, pra, që të mos kemi ngritje të faturave të tatimit në pronë, për shkak situatës ekonomike sociale. Situata ekonomike sociale po shihet se nuk është duke ndryshuar për të mirë, dhe për këtë arsyeje edhe neve si Asociacion insistojmë që faturat e tatimit në pronë të mos ndryshohen, vlera e tyre të jetë e njëjtë me vitin 2022… Dhe sa i përket pagesës së tatimit në pronë me faturat e reja të cilat janë dërguar këtë vit në bazë të informatave që kemi nga drejtorët komunal të financave, qytetarët nuk kanë shprehur gatishmëri maksimale që ta paguajnë tatimin në pronë, sepse janë në pritje se çfarë do të ndodhë në ditët apo muajt në vijim”, thotë Ibrahimi.

    Madje, sipas tij, faturat e tatimit në pronë në vitin 2025 do të jenë edhe më të larta.

    “Neve si Asociacion e kemi analizuar këtë dokument dhe në bazë të konsultimeve që kemi pasur, të brendshme me drejtorët financiarë, del se tatimi në pronë nuk do të zvogëlohet, vlera apo faturat nuk do të zvogëlohen në krahasim me këtë vit. Ky projekt-dokument i cili është miratuar në qeveri synon që të fillojë të zbatohet në vitin 2025, dhe nëse i krahasojmë faturat të cilat janë dërguar në vitin 2023 dhe se çfarë synon qeveria në vitin 2025 në bazë të analizave tona del se faturat do të jenë pothuajse të ngjashme, në disa raste ka mundësi edhe rritje të faturave”, thekson Ibrahimi.

    Pas iniciativës së Qeverisë për faljen e tatimit në pronë, Ibrahimi thotë se duhet të merret parasysh edhe vendimi i Kuvendit Komunal.

    “Me ligjin aktual, qytetarët janë të obliguar që këstin e parë të faturës së tatimit në pronë ta paguajnë deri në fund të muajit prill, nëse nuk e bëjnë pagesën e këstit parë të faturës për 2023 deri në fund të prillit, me ligjin aktual parashihen gjobat dhe kamatat. Për këtë arsyeje është mirë që qytetarët të informohen me kohë nga niveli qendror se kur procedohet ky ndryshim, sepse edhe nëse me këtë plotësim ndryshim komunat obligohen që të ndërmarrin hapa që t’i falin nga 100 euro, atëherë duhet të ndërmerret parasysh vendimi i Kuvendit Komunal, sepse kryetarët nuk mund të vendosin për falje, dhe duhet të ftohen takimet nga Kuvendi Komunal që të merren këto vendime”, thotë mes tjerash Ibrahimi.

    Për kryetarin e komunës së Rahovecit, Smajl Latifin, rritja e çmimit të tatimit në pronë është në dëm të qytetarëve.

    “Unë nuk jam ithtar i disa ideve që do ta prekte shumë keq nëse deri 100 euro do mundeshe më ja falë. Kuvendeve dhe Komunave nuk falet tatim në pronë, falen taksat e të tjerat, tatimi në pronë është obligative sepse dhe ligji nuk e lejon. Në qoftë se shkohet me falje, atëherë 85 deri në 90 për qind e qytetarëve nuk paguajnë hiç, sepse nuk kanë arsyeje të paguajnë se nuk ju bie të paguajnë. Atëherë na tregoni, a ia vëmë drynin komunave tona që nuk ka më, taksa kryesore dhe e hyra kryesore është tatimi në pronë. Shfuqizohet ky vendim ose shtyhet për një kohë, apo adresohet një ndryshim plotësimi në Kuvendin e Kosovës i ligjit për tatimin në pronë, ndryshe un nuk jam për falje. Ne nuk jemi të gatshëm të ia vëmë drynat komunës, ftojmë qeverinë të reflektojë”, tha Latifi.

    Nderkaq, Besart Selimi nga kabineti i kryetarit të Komunës së Gjilanit, e thotë të kundërtën. Sipas tij, qytetarët në këtë komunë, pavarësisht rritjes së tatimit në pronë po vazhdojnë t’i paguajnë faturat.

    “Qytetarët kanë vazhduar njësoj të bëjnë pagesat sipas faturave të reja të tatimit në pronë. Ne si komunë, presim nga qeveria e republikës së Kosovës, që pas miratimit të vendimit në qeveri, ta procedojë dhe të votohet nga Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që pastaj të ndajë dhe transferoj buxhetin e llogaritur si rezultat i faljes së faturave të tatimpaguesve deri në vlerën 100 euro. Qytetarët të cilët kanë kryer pagesat e faturave të këtij viti, do të kompensohen, zbriten në faturat e vitit 2024”, thuhet nga Kabineti i Kryetarit të Komunës së Gjilanit.

    Se rritja e kësaj takse komunale do të shkaktojë dëme thonë edhe në Iniciatën për Progres (INPO).

    Monitoruesi në INPO, Valmir Ilazi derisa thotë se nuk e mbështesin këtë vendim, thotë se i njëjti do të shkaktojë dëme në ekonominë familjare.

    Sipas tij, më të dëmtuarit në këtë mes janë qytetarët.

    “Sa i përket tatimeve në pronë është kompetence ekskluzive e komunave, pra, komunat i mbledhin ato por nuk do të thotë që edhe falja e tatimit në pronë mund t’i dëmtojë, kryesisht mund të vërehet një dëmtim i vogël tek komunat, por, nuk do të vërehet një dëmtim i vogël tek qytetarët…Pra, rritja e kësaj takse komunale të pronës, ekskluzivisht do të shkaktojë dëme në ekonominë familjare. Pra, ne nuk e mbështesim idenë të rritet tatimi në pronë pa u njoftuar paraprakisht edhe qytetarët, pasi siç duket kanë qenë nën një hije”, tha Ilazi.

    Deri në fund të muajit prill, qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë, në të kundërtën do të gjobiten. Ndërsa afati për këstin e dytë të pagesës është fundi i muajit shtator.

    Nëse pagesa nuk bëhet në kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj që vonohet pagesa dhe një gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar./KP