ATV

Blog

  • FFK-ja njofton për vizitën e zyrtarëve të UEFA-s dhe të FIFA-s, u fol veç për licencim

    FFK-ja njofton për vizitën e zyrtarëve të UEFA-s dhe të FIFA-s, u fol veç për licencim

    Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar sot për vizitën që ia bënë asaj delegacioni i UEFA-s dhe ai i FIFA-s.

    Servet Yardimci, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe kryetar i Komitetit të UEFA-s për Federatat Kombëtare dhe Luca Nicola, kryesues i Qeverisjes Kombëtare dhe Institucioneve Globale të UEFA-s, si dhe Sofia Malizia, menaxhere e qeverisjes së federatave anëtare të FIFA-s, po qëndrojnë sot në Kosovë, për t’u njoftuar nga afër me zhvillimet e fundit rreth FFK-së, procesin e licencimit nga MKRS-ja dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohen klubet e futbollit.

    Siç njofton FFK-ja, delegacioni, që ka ardhur për një “vizitë të jashtëzakonshme”, fillimisht u takua me nënkryetarin Bakir Burri dhe me sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj, derisa më pas e zhvilluan një takim të përbashkët edhe me përfaqësuesit e disa prej klubeve, për t’i diskutuar shqetësimet e këtyre të fundit në lidhje me procesin e licencimit dhe vështirësitë që po i hasin gjatë këtij procesi.

    “Përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s i dëgjuan me vëmendje të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e klubeve, premtuan se do t’i adresojnë ato në organet kompetente dhe me angazhimin e përbashkët të të gjitha palëve shumë shpejt mund të ketë rezultate pozitive në këtë drejtim. Më pas delegacioni i UEFA-s dhe FIFA-s i vazhdoi takimet me akterët tjerë të sportit në Kosovë, po ashtu, në frymën e bashkëpunimit dhe konstruktivitetit”, njofton shtëpia e futbollit kosovar.

    Pra, në këto takime u fol vetëm për çështjen e licencimit, por jo edhe për dërgimin në arrest shtëpiak për një muaj të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, i cili dyshohet për veprat “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga takimi”.

  • Zëdhënësi i Parlamentit Evropian: Gjithçka gati për liberalizimin e vizave të Kosovës

    Zëdhënësi i Parlamentit Evropian: Gjithçka gati për liberalizimin e vizave të Kosovës

    Zëdhënësi i Parlamentit Evropian, Ojamo Janne thotë se nesër në seancën plenare të PE-së do të jetë miratimi përfundimtar për liberalizimin e vizave të Kosovës.

    Ojamo Janne shtoi se ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14:45.

    “Miratimi përfundimtar i Kuvendit do të shpallet nesër, e martë 18/4, në seancën plenare (duke filluar rreth orës 12:00 CEST). Votimi nuk është i nevojshëm në këtë fazë dhe ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14.45”, tha ai.

    Janne shtoi se do të ketë edhe deklaratë për shtyp për më shumë detaje rreth kësaj procedure.

    “Ne do të dërgojmë gjithashtu një deklaratë për shtyp nesër, me informacionin e një konference për shtyp të mërkurën pasdite që mund ta ndiqni edhe nga distanca”, shtoi tha ai për GazetaBlic.

    Kujtojmë se, që nga viti 2018, Komisioni Europian pati deklaruar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, megjithatë procesi nuk u çua më tej në hallkat tjera të BE-së. Për këtë arsye, ndër vitesh ka pasë zhgënjim te qytetarët, por me hapat aktualë të ndërmarrë nga institucionet e BE-së tashmë dhënia e fund e kësaj sage është reale.

  • Eksperti i kriminalistikës: Urimi ka një sëmundje të rëndë, e shikoi nënën si fajtore që nuk e lë të jetojë

    Eksperti i kriminalistikës: Urimi ka një sëmundje të rëndë, e shikoi nënën si fajtore që nuk e lë të jetojë

    Në një lidhje direkte, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka folur për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Pejë pak ditë më parë, ku i dyshuari Urim Hyseni, vrau në mënyrë makabre nënën e tij, duke i pirë edhe gjakun.

    Sipas Karamuço, i dyshuari Hyseni ka një sëmundje mendore të rëndë dhe sipas tij, vrasësi nuk është përballur me një çrregullim të momentit.

    Karamuço gjithashtu shtoi se kur vjen një pikë, këta persona e shikojnë nënën në mënyrë komplekse dhe e shikon nënë si fajtore dhe që nuk e lë të jetojë.

    ”Këta nisin e shikojnë nënën në mënyrë komplekse dhe e shikon nënë si fajtore dhe që nuk e lë të jetojë, e shikon që jam i varur nga ty dhe dua të çlirohem, ai mund ta shprehë në mënyra të ndryshme. Në këto kushte ku futet në lojë patologjia, kalon në krizë. Unë nisem nga këto që ka thënë pasi ka kryer ngjarjen, ai mund të bënte edhe vetëvrasje dhe për këtë shtohen masat, por ai është jashtë realitetit, nuk është thjesht një çrregullim i momentit, por shumë më tepër se kaq, kemi të bëjmë me një sëmundje mendore të rëndë”, tha ai.

  • Kurti takon ambasadorin e OSBE-së, Davenport, diskutohet për zgjedhjet në veri

    Kurti takon ambasadorin e OSBE-së, Davenport, diskutohet për zgjedhjet në veri

    Në më pak se një javë para mbajtjes së zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi ambasadorin e OSBE-së, Michael Davenport.

    Në takim u diskutua për zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës dhe për fushat e përbashkëta të bashkëpunimit në mes të OSBE-së dhe Qeverisë së Kosovës.

    Kryeministri theksoi rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale edhe si obligim kushtetues e ligjor, por edhe si procedurë e legjitimitet demokratik për institucionet në shërbim të qytetarëve. Nevoja për funksionim normal të sistemit dhe institucioneve shtetërore e bënë të nevojshme mbajtjen e zgjedhjeve.​

  • Sonte fillojnë të mbahen “Netët e shahut” në Mitrovicë

    Sonte fillojnë të mbahen “Netët e shahut” në Mitrovicë

    Në qytetin e Mitrovicës, tashmë dy vite radhazi veç se realizohen lojërat e shahut, por vitet e fundit kishte një pauzë, ndërsa sivjet janë rikthyer sërish.

    Edi Tahiri nga Hapësira Shoqërore e Dekonstruksionit, në një prononcim për ATV-në, tha se ky rikthim ka ardhur pas kërkesës së vullnetarëve nga Gjermania.

    “Të martën nga ora 20:30, do e mbajmë “Chess Evening”. Kjo ka qenë iniciativë për me e rikthye këtë nga vullnetarët tanë nga Gjermania. Përndryshe jemi krejt gati, dhe unë për veti mezi po pres t’i shoh edhe pjesëmarrësit tjerë qysh do kalojnë dhe se çfarë atmosfere kompetitive do të krijohet këtu”, thotë Tahiri.

    Ai tha se tashmë janë edhe janë lajmëruar të interesuarit e parë për pjesëmarrje, fillimisht një numër më i vogël prej 5-6 njerëzve, por se ky numër do të rritet gjatë javëve sa do të zgjasë eventi “Netët e Shahut”. /atvlive.tv

  • Prokurori s’i ndahet dëshmitarit duke e pyetur për heroin Mujë Krasniqi

    Prokurori s’i ndahet dëshmitarit duke e pyetur për heroin Mujë Krasniqi

    Dëshmitari dytë kundër krerëve ka dalë të ketë qenë ish-pjesëtar i UÇK-së.

    Këtë e ka konfirmuar vet ai në përgjigjet e dhëna ndaj pyetjeve të prokurorit në Hagë.

    Pyetjet e prokurorit dhe përgjigjet e dëshmitarit:

    Kur e keni dëgjuar për herë të parë UÇK-në?

    Dihet që ka ekzistu Ministria e Mbrojtjes. UÇK si formacion është dalë pak ma vonë. Më 1998. Prej fillimit kam qenë pjesëtar i saj.

    Para sulmit tek Jasharët, si e keni dëgjuar emrin e UÇK-së?

    Po që ju prijshin aksioneve ndaj ushtrisë serbe dhe me komunikatat e tyre që i merrshin përgjegjësitë, thojshin që këto i ka kry UÇK-ja.

    Ju në 97-ën e keni parë këtë komunikatë vet?

    Jo, vetëm përmes pjesës së informimit. Në do gazeta të shkruara në Prishtinë. Në gazetën Koha Ditore, Bujku, edhe Televizioni Shqiptar. Përmes satelitëve.

    Si u bë UÇK publike?

    UÇK u bë publike në vitin 1997 në Llaushë me vrasjen e mësuesit Halit Geci. Pas vrasjes së Jasharajve, i madh e i vogël u kyçën në UÇK.

    Çka ndodhi në varrimin që ju përmendet që çoi në bërjen publike të UÇK-së?

    Unë kam qenë prezent. Aty ka marrë pjesë Fatmir Sejdiu, Halit Geci, dhe pas tyre kanë dalë përfaqësuesit e UÇK-së, kanë lexu një tekst dhe i kanë shprehur ngushëllime familjes.

    Të nisim me Mujë Krasniqin, a e mbani mend Mujë Krasniqin të ketë marrë pjesë në këtë ceremoni mortore?

    Përgjigje…Nuk dëgjohet mirë…

    Nëse e kujtoj ka qenë pa maskë, kta tjerët kanë qenë me maska.

    A të kujtohet ose e ke mësuar më vonë se kush ishte personi që nuk ishte maskë?

    Të ndjerin e kam njoftë edhe më përpara, ka qenë këngëtar. Ka knu në fshatin tim.

    Kush ishte ky pjesëtar i UÇK-së?

    Mujë Krasniqi.

    Prokurori ka vazhduar edhe më tutje me pyetje për Mujë Krasniqin.

  • Të mbijetuarit e masakrës së Poklekut rrëfejnë tmerrin: Notonim në gjak, asnjëherë s’u intervistuam nga hetuesia

    Të mbijetuarit e masakrës së Poklekut rrëfejnë tmerrin: Notonim në gjak, asnjëherë s’u intervistuam nga hetuesia

    Të mbijetuarit e masakrës se Poklekut, të komunës së Drenasit kanë rrëfyer për Ekonomia Online tmerrin që e kanë përjetuar, ku janë vrarë mbi 50 civil shqiptarë, shumica prej tyre fëmije, gra e pleq.

    Kësaj masakre i shpëtuan gjashtë dëshmitarë, të cilët arritën të iknin nga vendi i ngjarjes.

    Dëshmitarja e kësaj masakre, Lumnije Muqolli, që mezi tregonte ngjarjen e tmerrshme që kishte përjetuar, tha se mbi 50 qytetarë serbët i kishin futur në sallon e shtëpisë së familjes Muqolli, ku i kishin pushkatuar e më pas i kishin djegur.

    Ajo tha se në atë sallon trupat e viktimave “notonin” në gjak, sipas saj, në shtëpi kishin mbetur shumë të plagosur, që u dogjën për së gjalli.

    Ajo tha se është plagosur edhe vetë po që ka arritur që të shpëtojë së bashku me vajzën e saj dhe djalin e kunatës.

    “Sot është 17 prill që kam përjetuar shumë momente të rëna. Në atë masakër kemi qenë 53 anëtar e 6 dëshmitarë që kemi shpëtuar nga masakra, një nuk jeton më. Unë kam shpëtuar me qikën, i ka pasur 3 vite e gjysmë dhe me djalin e kunatës Leutrimin”.

    “Kur ka ndodhur rasti u kanë ora 04:30 në mbrëmje, kanë ardhur serbët, na kanë shti në atë shtëpinë, kena tentuar na me dalë prej asaj dhome, kur jena dal na kanë bërtit. Na kanë fut brenda. E kanë marr bacin Sinanin edhe Imerin edhe i kanë vra afër shtëpisëë ku u kanë masakra edhe aty e kemi ditë se çka ka ndodh me ta edhe çka ka ndodh me neve”.

    “Në sallon kur jemi kanë, në korridor u hi një polic e ka gju me automat që mos me dal na jashtë tani tanë jena hi me atë sallon, jemi tubuar me një venë. Një polic e ka gjuajtur bombë, ka gjuajtur gaz si helm, kam nisur që të trollohem. Kanë filluar me gjuajt me automat, ka gjuajt sa ka mujt deri sa ja ka marr mendja që i ka mbyt krejt. Kur u ndal jena qu kush jemi kanë gjallë, unë djali i kunatës, qiken e kam pas 3 vite e gjysmë. Kur e kam pa se janë do të gjallë, por nuk jam kanë në gjendje jo të mirë për veti. Nisha bërtitma të njerëzve që janë plagos”, tha ajo.

    Ajo tha se aty ka pasur njerëz të shtypur, njerëz me tru jashtë, e të plagosur. Ajo tregon edhe momentin më të vështirë e ka pasur për të dalë dalë nga shtëpia për të kërkuar ndihmë për të plagosurit, por e ka parë se paramilitarët serb i kishin djegur edhe shtëpinë.

    “Në atë moment qysh me ka ruajt Zoti, jam mundu me ja dhënë një ndihmë, por nuk kam mujtur se kam qenë edhe vetë e plagosur. Zani i Leotrimit më trishtojke, edhe sot e kam në vesh sepse e kërkojke nënën e vetë. Kur jam qu e kam parë vetën sikur në lum kur të notojsh nga gjaku, është një tmerr i rënë që me i vra njerëzit brenda. Kur i kam parë njerëzit krejt të shtypur, ka pasur tru jashtë, ka pasur me duar krejt llom, jam mundu ata me i largu, se gjashtë janë metë ashtu”

    E dëshmitari tjetër i kësaj masakre, Hisen Klunaj, tha se edhe pas 24 vjetëve nuk ka drejtësi për këtë masakër.

    Sipas tij, as Prokuroria e Kosovës, as organizatat për të drejta të njeriut nuk i kanë intervistuar këta dëshmitarë. Ai tha se në këtë masakër është vrarë edhe fëmija tetë muajsh.

    “As një Prokuror i Kosovës shqiptarë nuk na kanë marr në pyetje, mu jo. E dyta as prej të drejtave të njeriut nga tont, të huajt po kanë marr dëshmi. Këta kurrë marr gja në pyetje nuk na kanë marr. Kjo është intervistë e jemja që jam i gjallë unë kam qenë aty. U vra fëmija 8 muajsh aty . Nuk po e di si e kanë”’ tha ai.

    Ai falënderoj Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që ka rrezikuar gjatë natës dhe i ka larguar eshtrat e viktimave, pasi sipas tij po të mos i largonin ata, edhe eshtrat e viktimave nuk do të ishin më.

    “53 veta aty janë shkuar, 51 janë hyrë në sanak, Imeri e Sinani i kanë gjuajtur në bunar, pas lufte i kanë nxjerr. Duhet të i’u dimë për nderë UÇK që kanë rreziku natën i kanë marr eshtrat, sepse po të mos kishin hyre natën as eshtrat nuk do ti kishim gjetur, siç kanë humbur të tjerët. Siç i kanë nxjerrë ata nga bunari”, tha ai.

    Gjatë ditës në këtë fashat kanë bërë homazhe krerë institucionesh, përfaqësues të partive e familjarë.

    Të hënën janë bërë 24 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

  • ​Dëshmitari në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve flet për daljen e parë publike të UÇK-së

    ​Dëshmitari në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve flet për daljen e parë publike të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) i cili ka deklaruar se është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK). Ai ka folur për daljen e parë publike të UÇK-së dhe paraqitjen e Mujë Krasniqit, Daut Haradinajt dhe Rexhep Selimit. Për këtë të fundit, ka thënë se kishte adresim më të rreptë dhe sipas tij kishte mesazh për LDK-në.

    Pasi një pjesë e seancës është zhvilluar private, dëshmitari ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e prokurorit rreth UÇK-së.

    “Në Republikën e Kosovës ka ekzistuar edhe më herët Ministria e Mbrojtjes, prej vitit 1991, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si formacion ka dalë pak më vonë, në vitin 1998 dhe prej fillimit kam qenë pjesëtar i saj. U foke për UÇK-në, për veprimet, mirëpo pas vrasjes së komandantit legjendar Adem Jashari atëherë publikisht doli UCK dhe njerëzit u kyçën në të, iu bashkëngjiten dhe luftuan me të”, ka thënë ai.

    Sipas dëshmitarit, për aksionet e UÇK-së mësohej nga komunikatat që publikoheshin në media.

    “Kur bëheshin veprimet, dinim që u kry një aksion ndaj policisë apo forcave serbe nga UCK, dilnin me komunikatat e tyre që e merrnin përgjegjësinë që këtë sulm e ka kryer UCK, viti 1997 e tutje”, ka thënë ai.

    Tutje, dëshmitari ka thënë se ka marrë pjesë në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë, në nëntor të vitit 1997, dhe ka shtuar se atë ditë është bërë edhe dalja publike e UÇK-së.

    Prokuroi James Pace e ka pyetur rreth personave të cilët u ishin adresuar masës atë ditë.

    Dëshmitari ka thënë se atë ditë kishin folur Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj.

    Ai ka thënë se Mujë Krasniqi kishte bërë thirrje për mbështetjen e luftës së UÇK-së si dhe për lirinë e Kosovës.

    “Edhe të tjerë kanë folur, njëri prej folësve që ishte me maskë ka qenë pak më i rreptë, që tash duhet të dëgjohet UÇK. Që tash duhet të luftohet për lirinë e Kosovës ngase vetëm me fjalë nuk arrihet lufta, pak a shumë kështu ishte fjalimi”, ka thënë dëshmitari.

    Derisa është përgjigjur në pyetjet e prokurorit, dëshmitari ka thënë se fjalimi i Rexhep Selimit atë ditë u dedikohej edhe njerëzve të LDK-së.

    Prokurori: Përmendët që si pjesë e fjalimit u përmendën njerëz të cilët ishin pacifistë dhe at nuk mund të vazhdonin më ashtu, si e kuptuat ju këtë gjë?

    Dëshmitari: U kuptua ngase fjala ishte te Lidhja Demokratike e Kosovës, se liria nuk vjen vetëm me fjalë e me mjete paqësore por duhet të bëhet edhe lufta.

    Prokuroi: Çfarë ju bëri të kuptoni që kjo kishte të bënte më LDK-në, a u përmend LDK konkretisht nga njëri prej folësve?

    Dëshmitari: Ishte qëllimi aty.

    Prokurori: A mund të na e shpjegosh si e kuptuat që ky ishte qëllimi, që i drejtohej LDK-së, megjithëse LDK nuk ishte përmendur shprehimisht?

    Dëshmitari: U dike kush është në Prishtinë, kush punon në mënyrë paqësore.

    Prokurori: Sa pjesë të Malishevës kontrollonte UÇK në qershor të vitit 1998?

    Dëshmitari: Pothuajse komplet Malishevën.

    Prokuroi: Ishte kështu edhe në korrik të 1998?

    Dëshmitari: Në Malishevë ka qenë UÇK, kane ekzistuar disa njësite, kanë qenë të shtrirë në tërë fshatin e Malishevës.

    Në fillim të dëshmisë së tij, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se prej vitit 1990, LDK ka qenë prezentë në Malishevë dhe që prej asaj kohe është pjesë e saj.

    Ai ka thënë se është bërë pjesë e LDK-së pasi kjo parti kishte program për pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

    Ai ka folur për rezultatet e LDK-së në zgjedhjet e vitit 1992 dhe sipas tij kjo parti ishte e njohur në atë kohë.

    “Qëllimi kryesor i Lidhjes Demokratike ka qenë, e ka kundërshtuar sistemin e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë, ka filluar të punojë për jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës, deri në çlirimin e plotë. Ka punuar dhe vepruar për pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e saj, të udhëhequr nga presidenti (Ibrahim) Rugova dhe institucionet e saj të asaj kohe”, ka thënë dëshmitari.

    Dëgjimi i dëshmitarit të dytë të ZPS-së do të vazhdoje pas pauzës ndërsa tërë dëshmia pritet të zgjasë rreth pesë ditë.

    Për intervistimin e këtij dëshmitari, prokuroria ka kërkuar shtatë orë ndërsa mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar 12 orë.

  • Konjufca: Kurrë s’do të rreshtim së kërkuari drejtësi kundër gjenocidit të Serbisë

    Konjufca: Kurrë s’do të rreshtim së kërkuari drejtësi kundër gjenocidit të Serbisë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se masakrat e ndodhura në gjithë vendin dëshmojnë se Serbia ka kryer gjenocid ndaj popullatës së pafajshme gjatë luftës.

    Pas homazheve në Kompkelin Memorial në Poklek, ai tha se kurrë nuk do të rreshtin së kërkuari drejtësi kundër gjenocidit të Serbisë.

    Duke e quajtur këtë ditë të dhimbjes e krenarisë, ai shtoi se falë gjakut të të rënëve Kosova e gëzon lirinë.

    “Masakra e Poklelut dhe të gjitha ato maskara janë akte të gjenocidit mbi popullin e Kosovës, 54 veta vetëm këtu janë ekzekutuar”.

    “Sot 24 vjet më parë 128 civilë janë vrarë prej shtetit serbe, është ditë e dhimbjes dhe krenarie, falë këtij gjaku të derdhur jemi çliruar dhe ka ardhur liria”.

    “Ne kurrë nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi kundër gjenocidit të Serbisë, kundër popullatës së pafajshme. Lavdi të rënëve, lavdi dëshmorëve”.

  • Opozitari i njohur rus, Kara-Murza, dënohet me 25 vite burg për tradhti

    Opozitari i njohur rus, Kara-Murza, dënohet me 25 vite burg për tradhti

    Kritiku i njohur i Kremlinit, Vladimir Kara-Murza u dënua të hënën nga një gjykatë në Moskë me 25 vjet burg për tradhti.

    Aktivisti i opozitës ka kritikuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe njihet si një ndër kritikët më të ashpër të presidentit rus, Vladimir Putin.

    Prokurorët kishin kërkuar dënimin e gjatë në fillim të prillit, shkruan BBC.

    Sipas avokates së Kara-Murza, Maria Eismont, politikani është në gjendje të keqe shëndetësore.

    Ish-gazetari dhe politikani ruso-britanik është i fundit nga disa kundërshtarë të Putinit që janë arrestuar ose janë detyruar të largohen nga Rusia.

    Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.

    Javën e kaluar, ai tha në një deklaratë: “Unë pajtohem për çdo fjalë që kam thënë… Jo vetëm që nuk pendohem për asgjë, por jam krenar për këtë. Unë e di se do të vijë dita kur errësira që ka përfshirë vendin tonë do të pastrohet… Shoqëria jonë do të hapë sytë dhe do të dridhet kur të kuptojë se çfarë krimesh janë bërë në emër të saj”.

    Dënimi 25-vjeçar i Kara-Murza ishte maksimumi i kërkuar nga prokurorët dhe është dënimi më i gjatë që një figurë opozitare ka marrë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

    U deshën vetëm pak minuta që gjyqtari të vendoste për çështjen e tij – një proces që ndonjëherë mund të zgjasë shumë në gjykatat ruse.

    Dënimi i ashpër është një shenjë se në Rusinë e sotme autoritetet janë të vendosura jo vetëm të mbyllin gojën e kritikëve, por edhe të neutralizojnë çdo gjë ose cilindo që ata besojnë se përfaqëson një kërcënim për sistemin politik.

    BBC-së nuk iu lejua hyrja në gjykatë dhe vetëm një pjese të vogël të gazetarëve nga media shtetërore ruse iu dha akses, së bashku me nënën dhe avokatin e të pandehurit.

    Në vend të kësaj, gazetarët dhe ambasadorët e huaj u grumbulluan në një dhomë të veçantë për të parë punimet në dy ekrane televizive.

    Duke folur jashtë gjykatës pas dënimit, avokatja e Kara-Murza, Maria Eismon, tha se dënimi i ashpër ishte “i tmerrshëm”, por gjithashtu një “vlerësim i lartë” i punës së klientit të saj.

    “Kur [Z. Kara-Murza] dëgjoi se ishin 25 vjet, ai tha: vetëvlerësimi im madje u rrit; kuptova se kisha bërë gjithçka siç duhet!”, tha ajo.

    Vitin e kaluar, Kara-Murza fitoi çmimin për të drejtat e njeriut ”Vaclav Havel”.

    Ai ua dedikoi çmimin të gjithë atyre në Rusi që janë kundër luftës në Ukrainë.