ATV

Blog

  • Hoxhaj nderon Bahri Fazliun: Liria dhe shteti ynë u ndërtuan mbi sakrificë

    Hoxhaj nderon Bahri Fazliun: Liria dhe shteti ynë u ndërtuan mbi sakrificë

    Njëri nga drejtuesit e PDK-së, Enver Hoxhaj ka bërë homazhe pranë varrit të Heroit të Kombit, Bahri Fazliu, në 28-vjetorin e rënies së tij, në Varrezat e Dëshmorëve në Velani të Prishtinës.

    Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Hoxhaj ka ndarë momente nga homazhet, ku shihet edhe duke takuar familjarët e Bahri Fazliut dhe duke nderuar sakrificën e brezit të luftës çlirimtare.

    “Në 28-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, Bahri Fazliu, bëmë homazhe me nderim e përulësi pranë varrit të tij në Velani. Brezi që mori armën për rezistencë në vitet më të rënda të Kosovës, zgjodhën sakrificën dhe u bënë themeli i shtetit tonë”, ka shkruar Hoxhaj.

    Ai ka theksuar se Bahri Fazliu dhe të gjithë heronjtë e rënë mbeten amaneti më i madh i Kosovës për mbrojtjen e lirisë, dinjitetit dhe shtetit.

    “Bahri Fazliu dhe heronjtë e tjerë të rënë mbeten amaneti më i madh i Kosovës, që liria, dinjiteti dhe shteti të mbrohen gjithmonë. Lavdi e përjetshme!”, ka deklaruar Hoxhaj.

  • Caktohet data për seancën e parë të gjyqit ndaj Erion Veliajt

    Caktohet data për seancën e parë të gjyqit ndaj Erion Veliajt

    Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 26 maj ora 10:00 për të zhvilluar seancën e parë ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe të bashkëpandehurve të tjerë, shkruan A2 CNN. Trupa e re ndaj Veliajt e të tjerëve, që do të gjykohen në një proces të zakonshëm, kryesohet nga Elsa Ulliri dhe anëtare Flora Hajredini e Besmir Stroka.

    Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. 5 muaj më parë SPAK dërgoi kërkesën për gjykimin e çështjes. Ndaj tij SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

    Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

    Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.

  • Bashkimi dhe Trepça kualifikohen në finale të Playoff-it të Procredit Superligës

    Bashkimi dhe Trepça kualifikohen në finale të Playoff-it të Procredit Superligës

    Bashkimi mposhti Borën me rezultatin 100–76 në ndeshjen e pestë vendimtare dhe, duke fituar serinë 3–2, siguroi kualifikimin në finale të Playoff-it.

    Pjesa e parë ishte e barabartë, por ndryshimi u bë në çerekun e tretë, ku prizrenasit shfaqën dominim të plotë. Bashkimi ishte shumë efikas nga gjuajtjet për tri pikë, duke realizuar 12 treshe nga 25 tentime, me një saktësi prej gati 50%.

    Lojtarët kryesorë të Bashkimit ishin Lejson Zeqiri me 23 pikë dhe 6 kërcime, Nwamu me 21 pikë dhe 5 asistime, dhe Shannon Shorter me 20 pikë, 8 kërcime dhe 6 asistime. Te Bora, më efikasi ishte Tyler Cheese me 21 pikë, 7 kërcime dhe 4 asistime, ndërsa Rron Ukaj shtoi 15 pikë dhe 5 kërcime.

    Në finale, Bashkimin e pret rivali i vjetër Trepça, me ndeshjen e parë që zhvillohet më 10 maj në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

    Ndërkohë, Trepça kualifikohet në finale pas fitores ndaj Pejës me rezultatin 103–96 në ndeshjen vendimtare, duke fituar serinë gjysmëfinale 3–1. Ndeshja ishte mjaft e luftuar, me shumë kthesa: Peja udhëhoqi në fillim 27:14, por kampionët rikuperuan fuqishëm në periudhën e dytë dhe shkuan në pushim me rezultat 46:58. Drama vazhdoi deri në fund, kur Peja ngushtoi rezultatin në 91:92, por përvoja e Trepçës vendosi fatin e ndeshjes.

    Lojtarët më të spikatur te Trepça ishin Dardan Berisha me 24 pikë, 6 kërcime dhe 5 asistime dhe Daquan Bracey me 31 pikë dhe 8 asistime. Te Peja, më të dalluarit ishin Akili Vining me 24 pikë dhe Sek Henry dhe Kenneth Hasbrouck me nga 18 pikë secili.

    Finalja e Superligës do të jetë ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, duke premtuar një duel të fortë dhe dramatik për titullin kampion.

  • Marco Rubio arrin në Vatikan për takimin me Papën

    Marco Rubio arrin në Vatikan për takimin me Papën

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka arritur në Vatikan për takim me Papa Leon.

    Siç raporton Fox News, në këtë takim do të ketë bisedime të nivelit të lartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Selisë së Shenjtë.

    Rubio gjithashtu do të takohet me Kardinalin Parolin, derisa bisedat diplomatike fillojnë brenda Selisë së Shenjtë.

  • Aktorja padit James Cameron për ‘vjedhje’ të tipareve të fytyrës së saj për personazhin e filmit “Avatar”

    Aktorja padit James Cameron për ‘vjedhje’ të tipareve të fytyrës së saj për personazhin e filmit “Avatar”

    James Cameron dhe Walt Disney Company po përballen me një padi ku pretendohet se regjisori krijoi një protagonist kyç nga seriali “Avatar” bazuar në tiparet e fytyrës së një aktoreje të jetës reale pa lejen e saj.

    Padia, e ngritur nga aktorja Kyoryanka Kilcher, pretendon se Cameron “i përvetësoi tiparet e fytyrës” dhe “e drejtoi ekipin e tij të dizajnit” që personazhi kryesor i Avatar, Neytiri, të bazohej në pamjen e saj, pasi e pa atë në një reklamë të Los Angeles Times për filmin e Terrence Malick të vitit 2005 “The New World”. Në atë film, Kilcher, e cila është me prejardhje indigjene peruane, luajti Pocahontas, së bashku me një kast që përfshinte edhe Colin Farrell dhe Christian Bale.

    Në një deklaratë lidhur me padinë, thuhet se “një nga regjisorët më të fuqishëm të Hollivudit përdori identitetin biometrik dhe trashëgiminë kulturore të një vajze të re vendase për të krijuar një ekskluzivitet filmash rekord, pa e kredituar ose kompensuar atë, përmes një sërë praktikash tregtare të qëllimshme dhe të pamatura”.

    Padia e përshkruan serialin multimiliardë dollarësh “Avatar” si një serial që “u paraqit si simpatizant ndaj luftërave të popujve indigjenë, ndërsa shfrytëzonte fshehurazi një vajzë adoleshente indigjene prapa skenave”.

    Deklarata përshkruan më tej takimin midis Kilcher dhe Cameron në vitin 2010, pas premierës së filmit të parë “Avatar”. Në një rast, regjisori i tha aktores se kishte një dhuratë për të: një skicë të Neytiri-t në kornizë që ai personalisht e vizatoi dhe e firmosi. Së bashku me skicën, Kilcher pretendon se Cameron i dha asaj një shënim ku shkruhej: “Bukuroshja jote ishte frymëzimi im i hershëm për Neytiri-n. Më vjen keq që bëre një film tjetër. Herën tjetër”,

    Padia pretendon se Cameron nuk bëri asnjë përpjekje për të punësuar Kilcher për projektin, pavarësisht përpjekjeve të agjentit të saj për t’i siguruar asaj një mundësi për të bërë audicion. Roli përfundimisht i shkoi Zoe Zaldanas.

    “Miliona njerëz ia hapën zemrat filmit Avatar sepse besonin në mesazhin e tij, dhe unë isha një prej tyre”, tha Kilcher. “Nuk mund ta kisha imagjinuar kurrë që dikush të cilit i besoj do ta përdorte sistematikisht fytyrën time si pjesë të një procesi kompleks dizajni dhe do ta përfshinte atë në procesin e prodhimit pa dijeninë ose pëlqimin tim. Kjo kalon një vijë të madhe. Kjo praktikë është thellësisht e gabuar”.

  • Vitia firmos vendimin, shërbime të reja në kujdesin parësor për fëmijët

    Vitia firmos vendimin, shërbime të reja në kujdesin parësor për fëmijët

    Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se ka firmosur Udhëzimin Administrativ për Kujdesin Parësor Shëndetësor i cili rregullon ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme si pjesë të shërbimeve në kujdesin parësor.

    Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të Vitisë në Facebook.

    “Për herë të parë, me ekipe multidisiplinare për ndërhyrje në fëmijërinë e hershme. Ky ndryshim krijon bazën për mbështetje të hershme për foshnjat dhe fëmijët me rrezik për vonesa në zhvillim, përmes ekipeve profesionale multidisiplinare me psikologë klinikë, fizioterapeutë, logopedë dhe punëtorë socialë.Po e afrojmë mbështetjen profesionale më pranë fëmijëve dhe familjeve”, shkroi ai në Facebook.

    Kujdesi parësor qe një kohë ka kërkuar futjen e këtyre lëmive të reja, ndërkaq dy nga to, logopedia dhe fizioterapia janë shërbime të kushtueshme në sektorin privat.

  • Hoxha takohet me Rutten: Prania e KFOR-it në Kosovë luan rol të domosdoshëm stabilizues

    Hoxha takohet me Rutten: Prania e KFOR-it në Kosovë luan rol të domosdoshëm stabilizues

    Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha sot ka zhvilluar takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

    Hoxha dhe Rutte në këtë takim diskutuan çështjet mbi situatën aktuale gjeopolitike dhe rolin e Aleancës së NATO-s.

    Përmes një postimi në platformën X, Hoxha bëri të ditur se ky ishte takimi i tij i parë me Rutte në cilësinë e ministrit, duke theksuar angazhimin në rritje të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

    Duke folur për Ballkanin Perëndimor të dy konfirmuan se angazhimi i NATO-s mbetet thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

    Hoxha tutje theksoi rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë duke e cilësuar atë si të domosdoshëm për stabilitet.

    Postimi i plotë:

    Sot, pata takimin tim të parë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në cilësinë time si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, në një kohë kur Shqipëria vazhdon të marrë më shumë angazhim dhe përgjegjësi brenda Aleancës.

    Ndamë mendimin se në mjedisin e sotëm të sigurisë, gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, #NATO është më e rëndësishme dhe më e domosdoshme se kurrë. Forcimi i mbrojtjes kolektive, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes, mbështetja e palëkundur për Ukrainën, si edhe zgjerimi i kapaciteteve industriale të mbrojtjes, mbeten prioritete për parandalimin, qëndrueshmërinë dhe sigurinë transatlantike.

    Shqipëria e ka dëshmuar vazhdimisht veten si një #Aleat i besueshëm, i përkushtuar dhe aktiv. Kontributi ynë në sigurinë kolektive vazhdon të rritet përmes rritjes së investimeve në mbrojtje, modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe pjesëmarrjes aktive në misionet dhe operacionet e Aleancës. Bazuar në këtë trajektore, Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për të forcuar më tej aftësitë e saj mbrojtëse dhe për të siguruar që angazhimet tona përkthehen në gatishmëri konkrete operacionale që do të rrisin sigurinë kombëtare dhe atë kolektive.

    Gjithashtu theksuam rëndësinë e ruajtjes së një fokusi të fortë dhe të unifikuar strategjik për Ukrainën. Shqipëria qëndron plotësisht në krah të Aleatëve për të ofruar mbështetje të qëndrueshme përmes mekanizmave të NATO-s, përfshirë trajnimin, ndihmën dhe ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve, si pjesë e angazhimit tonë më të gjerë në mbrojtje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

    Lidhur me Ballkanin Perëndimor, riafirmuam se angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s mbetet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon. Shqipëria do të vazhdojë të investojë në bashkëpunim më të fortë rajonal, koordinim më të ngushtë midis Aleatëve dhe efektivitetin e pranisë së NATO-s në Kosovë, me #KFOR-in që luan një rol të domosdoshëm stabilizues.

    Duke parë përpara, folëm gjithashtu mbi përgatitjet e Shqipërisë për të pritur Samitin e ardhshëm të NATO-s në #Tiranë, i pari që do të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Ky angazhim përfaqëson një përgjegjësi historike, sikurse edhe një rritje të besueshme të rolit të Shqipërisë brenda Aleancës, si dhe konfirmon rëndësinë strategjike të rajonit tonë.

    U ndalëm gjithashtu në angazhimin e plotë të Shqipërisë, në koordinim të ngushtë me Selinë e NATO-s, për të ofruar një Samit të suksesshëm në Tiranë.

  • Fitore Pacolli emëron drejtorin e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore

    Fitore Pacolli emëron drejtorin e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore

    Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli ka emëruar detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Zymer Mrasori.

    “Sektori i ujërave është ndër prioritetet tona kryesore, andaj po ndërmarrim hapa konkretë për vendosjen e plotë të ligjshmërisë në mbrojtjen dhe menaxhimin e burimeve ujore, si dhe në rritjen e efikasitetit brenda këtij departamenti.

    Z.Mrasori i dëshiroj punë të mbarë e suksese në udhëheqjen e departamentit” shkruan Pacolli në njoftim.

  • Bedri Hamza e mirëpret Aida Dërgutin në PDK

    Bedri Hamza e mirëpret Aida Dërgutin në PDK

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamz, e ka mirëpritur aktivisten Aida Dërguti, e cila i është bashkuar kësaj partie, raporton Klankosova.tv

    Hamza shkroi se Dërguti, ka pasur dhe ka vetëm një qëllim, që t’i shërbejë Kosovës, sepse për të, siç tha ai. drejtësia është mbi të gjitha detyrë.

    “Sot e mirëprita në Partinë Demokratike të Kosovës, Aida Dërgutin, një aktiviste të dalluar dhe qytetare të përgjegjshme, para se të jetë politikane.

    Një zonjë që, për dekada me radhë, ka pasur vetëm një qëllim: t’i shërbejë Kosovës, në çfarëdo kapaciteti që i është besuar.

    Për Aidën, siç e dinë të gjithë, drejtësia është mbi të gjitha detyrë. Dhe, në këtë mision, do të punojmë bashkë.

    Mirë se erdhe në PDK, Aida!” – shkroi Hamza.

  • Kim kopjon Bleona Qeretin?

    Kim kopjon Bleona Qeretin?

    Bota e modës u ndal sërish te “Met Gala 2026”, ku ylli i reality show-t, Kim Kardashian, u shfaq me një veshje që provokoi diskutime të shumta.

    Megjithatë, për publikun shqiptar dhe ndjekësit besnikë të modës, ajo veshje nuk dukej edhe aq e panjohur. Bëhet fjalë për një stil “body-mold” (shkrirje pas trupit) që të kujton menjëherë një nga daljet më ikonike të këngëtares sonë, Bleona Qereti.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, vetë Bleona ka bërë krahasimin që i la të gjithë të habitur.

    Ajo ka publikuar një video të bërë bashkë me Kim Kardashianin, duke kujtuar se këtë trend ajo e ka vendosur plot 11 vjet më parë në tapetin e kuq të “Grammy Awards”. Ndërsa bota sot mahnitet pas guximit të Kim, Bleona rikujton se ajo e ka sfiduar kohën dhe kritikët që në atë periudhë, duke treguar se është gjithmonë hapa përpara trendeve globale.

    Me një dozë humori dhe krenarie, Bleona shkroi: “Jeta së fundmi, ose më saktë, jeta 11 vite më parë në Grammy”. Ky postim ka nxitur qindra komente nga ndjekësit dhe kolegët, të cilët kanë vlerësuar faktin që artistja shqiptare ka qenë gjithmonë një trendsetter. Komentet si: “Gjithmonë duke vendosur trende” dhe “E para si gjithmonë” kanë pushtuar profilin e saj, duke vënë në dukje se frymëzimi shpesh vjen nga guximi i viteve më parë.