ATV

Blog

  • Volkswagen rrezikon gjoba deri në 1.5 miliardë euro nga BE

    Volkswagen rrezikon gjoba deri në 1.5 miliardë euro nga BE

    Ashtu si të gjithë prodhuesit tradicionalë të automjeteve, Grupi Volkswagen është i zënë midis një situate të vështirë.

    Përpjekja e Bashkimit Evropian drejt elektrifikimit po e detyron gjigantin gjerman të shesë më shumë automjete elektrike për të kompensuar emetimet e CO2 (dioksid karbonit) nga automjetet e tij me motor me djegie të brendshme.

    Përndryshe, rrezikon të paguajë gjoba të rënda për tejkalimin e objektivave.

    Gjobat janë të pashmangshme.

    Raportohet se kompania rrezikon të paguajë deri në 1.5 miliardë euro për tejkalimin e objektivave të emetimeve në periudhën 2025-2027.

    Edhe me ID. Polon që do të mbërrijë këtë vit dhe një veturë elektrike më të vogël dhe më të lirë që pritet të dalë në vitin 2027, kompania parashikon se nuk do të jetë në gjendje të përmbushë objektivin e BE-së për emetimet e të gjithë flotës.

  • Ushtria izraelite heton rastin pasi një ushtar u pa duke përdhosur statujën e Virgjëreshës Mari në Liban

    Ushtria izraelite heton rastin pasi një ushtar u pa duke përdhosur statujën e Virgjëreshës Mari në Liban

    Ushtria izraelite tha të enjten se do të hetojë pasi një ushtar u fotografua duke vendosur një cigare në gojën e një statuje të Virgjëreshës Mari në Libanin jugor.

    Një imazh që duket se tregon një ushtar izraelit me krahun rreth figurës së nderuar të krishterë dhe duke mbajtur një cigare në gojën e saj, u shpërnda gjerësisht në mediat sociale të mërkurën.

    Kur u pyet për përgjigjen e saj ndaj imazhit, ushtria izraelite tha se “e sheh incidentin me ashpërsinë më të madhe dhe thekson se sjellja e ushtarit devijon plotësisht nga vlerat e pritura nga personeli i saj”.

    “Incidenti do të hetohet dhe do të merren masa komanduese kundër ushtarit në përputhje me gjetjet”, shtoi ajo.

    Tha se një shqyrtim fillestar tregoi se imazhi është bërë disa javë më parë.

    Nuk është hera e parë që ushtria izraelite është kritikuar në javët e fundit për sjelljen e ushtarëve rreth statujave të krishtera në Libanin jugor.

    Në fund të prillit, ushtria tha se dy ushtarë do të marrin 30 ditë paraburgim ushtarak dhe do të largohen nga detyra luftarake për shkatërrimin e një statuje të Jezu Krishtit në fshatin jugor të Debl.

    Në atë incident, një foto u shpërnda në internet që tregonte një ushtar izraelit duke përdorur një çekiç, për të goditur kokën e një statuje të Jezusit të kryqëzuar që kishte rënë nga një kryq.

    Ushtria izraelite tha të enjten se “respekton lirinë e fesë dhe të adhurimit, si dhe vendet e shenjta dhe simbolet fetare të të gjitha feve dhe komuniteteve”.

    Shtoi se “nuk kishte ndërmend të dëmtonte infrastrukturën civile, duke përfshirë ndërtesat fetare ose simbolet fetare”.

  • “Mos pritoni, regjistrohuni”, Haradinaj thirrje mërgatës për zgjedhjet e 7 qershorit

    “Mos pritoni, regjistrohuni”, Haradinaj thirrje mërgatës për zgjedhjet e 7 qershorit

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen për zgjedhjet që pritet të mbahen më 7 qershor.

    Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, Haradinaj tha se mërgata duhet ta shfrytëzojë të drejtën e votës për të ruajtur lidhjet me atdheun dhe për të kontribuar në të ardhmen e Kosovës.

    “Të nderuar bashkëkombas në diasporë, regjistrimi juaj për të votuar do të zgjasë deri më 17 maj. Duke e shfrytëzuar të drejtën e votës, ju i ruani lidhjet e forta me atdheun dhe kontribuoni për të ardhmen e Kosovës. Prandaj, mos pritoni, regjistrohuni”, ka shkruar Haradinaj.

  • Ermal Sadiku njofton se ka vendosur të mos merr “pagën kalimtare” të deputetit: Nuk është e moralshme

    Ermal Sadiku njofton se ka vendosur të mos merr “pagën kalimtare” të deputetit: Nuk është e moralshme

    Ermal Sadiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka njoftuar se nuk do të aplikojë për të marrë të ashtuquajturën “pagë kalimtare” të deputetit që ligjërisht u takon deputetëve për disa muaj deri në legjislaturën e re.

    Ai tha se do të ishte “e pamoralshme” që ai të merrte atë pagë pa punuar.

    Ndërkohë, arsyetoi ai, në rast se ish-deputetët s’kanë të ardhura të tjera, atëherë do të ishte “morale.”

    Postimi i plotë:

    Sa për informim, deputetëve u takon një pagë “kalimtare” deri në konstituimin e ri.

    Ligjërisht, kjo pagë mund të më takojë edhe mua. Janë rreth 7000 – 8000 euro në pytje minimalisht.

    Sot vendosa të mos aplikoj për të. Mendoj që për mua nuk është e moralshme sepse kam mundësi të mbijetoj edhe në mënyra të tjera.

    Po më kujtohet që këto para shpesh përfundojnë te tenderët njëburimorë, te Vuk Hamoviqët e rrymës dhe te hajnitë tjera të instaluara nga Vetëvendosje, por prapë s’po muj me marrë pare prej shtetit tim pa punu.

    (Mendova edhe ti marr dhe ti jap në ndonjë organizatë bamirësie)

    Në anën tjetër, mendoj që është krejtësisht morale për deputetët që kanë aplikuar për këtë pagë dhe që realisht nuk kanë të ardhura të tjera.

    ✌️

    Ju dua.

  • Gjysmëfinalet e Europa League dhe Conference League vendosin finalistët këtë të enjte

    Gjysmëfinalet e Europa League dhe Conference League vendosin finalistët këtë të enjte

    Pas emocioneve të UEFA Champions League, këtë të enjte zhvillohen ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve edhe në UEFA Europa League dhe UEFA Conference League, ku do të përcaktohen skuadrat finaliste të këtij sezoni.

    Në Europa League, vëmendja është te përballja angleze mes Aston Villa-s dhe Nottingham Forest. Forest ka një avantazh minimal pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë, por sfida në “Villa Park” mbetet e hapur, me vendasit që synojnë përmbysjen.

    Në gjysmëfinalen tjetër, Braga do të përballet në transfertë me Freiburgun. Portugezët fituan 2-1 në ndeshjen e parë në minutat e fundit, por diferenca mbetet e vogël dhe gjithçka do të vendoset në Gjermani.

    Në Conference League, Rayo Vallecano udhëton në Francë për sfidën ndaj Strasbourg, duke mbrojtur avantazhin minimal 1-0 të marrë në ndeshjen e parë. Skuadra, ku aktivizohet edhe mbrojtësi Ivan Balliu, synon të sigurojë një vend në finalen e Leipzigut.

    Në ndeshjen tjetër, Crystal Palace duket më pranë finales pas fitores 3-1 në transfertë ndaj Shakhtar Donetskut, por mbetet për t’u parë nëse skuadra ukrainase do të arrijë të surprizojë në ndeshjen e kthimit.

    Gjithçka është e hapur në këto gjysmëfinale vendimtare, ku emocionet dhe surprizat mbeten pjesë e pandashme e kompeticioneve europiane.

  • Haradinaj bën homazhe te varri i Bahri Fazliut në përvjetorin e rënies së tij

    Haradinaj bën homazhe te varri i Bahri Fazliut në përvjetorin e rënies së tij

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me bashkëpartiakët e tij, ka bërë homazhe pranë varrit të heroit Bahri Fazliu në 28-vjetorin e rënies së tij.

    Haradinaj ka vlerësuar Fazliun si një ndër figurat më të ndritura të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës.

    “Heroi Bahri Fazliu është një ndër figurat më të ndritura të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës. Trim, guximtar dhe i vendosur deri në vetëmohim, fitoi përjetësinë 28 vjet më parë, duke u bërë shembull për rininë shqiptare se si duhet Atdheu dhe si sakrifikohet për të”.

  • Aida Dërguti i bashkohet PDK-së

    Aida Dërguti i bashkohet PDK-së

    Aida Dërguti, i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.

    Kështu ka njoftuar autori i emisionit, Adriatik Kelmendi, ku Dërguti ishte opinioniste.

    “Aida, një ndër personat më të angazhuar në Kosovë për kauzat e drejta per vendin, ka vendosur t’i rikthehet aktivizimit të drejtpërdrejtë në politikë. PDK-ja sot dhe Kuvendi i Kosovës pas 9 qershorit do të fitojnë shumë, teksa në Rubikon do të ndjehet thellë mungesa e saj.”, thuhet në postimin e Kelmendit.

    Postimi i Kelmendit:

    Aida, një ndër personat më të angazhuar në Kosovë për kauzat e drejta per vendin dhe shoqërinë në këto 30 vjet, ka vendosur t’i rikthehet aktivizimit të drejtpërdrejtë në politikë. “Mendoj se ka ardhur momenti për ta kthyer vendin kah e mbara: ose tash, ose kurrë”, më tha.

    PDK-ja sot dhe Kuvendi i Kosovës pas 9 qershorit do të fitojnë shumë, teksa në Rubikon do të ndjehet thellë mungesa e saj.

    Urime dhe mbarësi, Aida! Qëndro gjithmonë kështu siç je!

  • Arsenal në garë për Marcus Rashford pas vendimit të Barcelonës

    Arsenal në garë për Marcus Rashford pas vendimit të Barcelonës

    Barcelona nuk pritet të aktivizojë opsionin për blerjen e Marcus Rashford, duke hapur mundësinë që sulmuesi anglez të ndryshojë ambient gjatë verës.

    Rashford, i cili aktualisht është në huazim nga Manchester United, ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë 14 asiste në 46 ndeshje këtë sezon, por forma e tij është konsideruar e paqëndrueshme gjatë pjesës së dytë të sezonit. Kjo ka bërë që Barcelona të rishqyrtojë opsionin e blerjes prej rreth 30 milionë eurosh.

    Sipas raportimeve të The Sun dhe Daily Mail, Manchester United nuk po e konsideron më Rashfordin për sezonin e ardhshëm dhe është i gatshëm ta shesë, pavarësisht kontratës që zgjat deri në vitin 2028.

    Në këtë situatë, një tjetër klub i madh anglez është futur në garë: finalistët e Ligës së Kampionëve dhe pretendenti kryesor për titullin e ri në Premier League, Arsenal.

    Skuadra londineze po monitoron nga afër situatën e Rashford dhe e konsideron atë një opsion serioz për krahun e majtë të sulmit, ku aktualisht as Leandro Trossard dhe as Gabriel Martinelli nuk kanë bindur plotësisht si titullarë të padiskutueshëm.

    Arsenali, i cili po ndërton një skuadër të fortë për të konkurruar në nivelin më të lartë evropian, shihet si një destinacion i mundshëm për Rashfordin nëse Barcelona nuk aktivizon opsionin e blerjes. Në këtë mënyrë, e ardhmja e sulmuesit anglez mbetet e hapur, me Premier League që duket si skena më e mundshme për hapin e tij të ardhshëm.

  • Bajrami reagon për shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë

    Bajrami reagon për shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë

    Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar lidhur me shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë.

    Bajrami përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se shpallja e rreth 20 pozitave të larta udhëheqëse në prag të shpërndarjes së Kuvendit, nuk paska qenë fundi.

    Sipas saj edhe drejtësia shpallë konkurse në kundërshtim me ligjin.

    Postimi i saj i plotë:

    Nuk paska qenë fundi

    Pas shpalljes së rreth 20 pozitave të larta udhëheqëse në prag të shpërndarjes së Kuvendit, qenkan shpallë edhe 3 pozita të tjera nga Ministria e Drejtësisë:

    1. Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas,

    2. Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar,

    3. Drejtor i Përgjithshëm në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë,

    Pra, edhe drejtësia, shpallë konkurse në kundërshtim me Ligjin,

    Institucionet që lidhen me ndihmën juridike, me pasurinë e sekuestruar dhe me inspektimin brenda Ministrisë së Drejtësisë, u bënë pjesë e valës se konkurseve joligjore, dmth. zgjedhin udhëheqës në mënyrë joligjore detyrë e të cilëve është zbatimi i ligjit.

    Ligji për Qeverinë është i qartë.

    Neni 31 – Kufizimet e Qeverisë në dorëheqje përcakton se Qeveria në dorëheqje:

    “Nuk inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve përkatëse.”

    Qeveria në dorëheqje nuk është qeveri me mandat të plotë. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet sepse me vetëdëshirë e ka dërgu vendin në zgjedhje dhe tani duhet të sillet konform kufizimeve ligjore.

    Ajo duhet të kryejë vetëm punët e domosdoshme, jo të hapë konkurse për pozita kyçe në administratë, agjenci, drejtësi e institucione publike. Institucionet nuk janë pronë partie, drejtësia nuk është strehë për militantë dhe shteti nuk është zyrë punësimi për pushtetin në ikje.

    Qeveria e re duhet t’i ndalë menjëherë këto procese, t’i shqyrtojë të gjitha konkurset e shpallura në këtë periudhë dhe të sigurojë që pozitat publike të plotësohen vetëm me njerëz profesionistë, të pavarur dhe me integritet.

  • Muharremi: Kurti po e nënçmon pak ish-partneren e tij politike

    Muharremi: Kurti po e nënçmon pak ish-partneren e tij politike

    Analisti Shenoll Muharremi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili sot ka komentuar bashkimin e Vjosa Osmanit me Lumir Abdixhikun për të garuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Muharremi ka cituar deklaratën e Kurtit i cili tha se “Njerëzit kanë dëshira, por nuk duhet me i ngatërru me faktet”.

    Sipas tij, kjo është pak si nënçmuese për ish-partneren e tij kryesore.

    Postimi tij i plotë:

    “Njerëzit kanë dëshira, por nuk duhet me i ngatërru me faktet”.

    Avavvavav… pak si nënçmuese kjo për ish-partneren e tij kryesore dhe ish-presidenten e vendit! Dmth, nëse bëheni partner i Kurtit dhe i ndihmoni me fitu, kështu po jau kthejke ky, po përfundojshi, të nënçmuar nga ai.

    Hajde Vjosa, hajde, pak ma gjallë se po nxehet puna.