ATV

Blog

  • Mbappé drejt rikthimit për “El Clásico”-Pritet vendim në orët e fundit

    Mbappé drejt rikthimit për “El Clásico”-Pritet vendim në orët e fundit

    Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappé, është shumë pranë rikthimit në fushë për sfidën e madhe ndaj Barcelonës këtë të diel në orën 21:00, ndeshje që mund të vendosë titullin e La Ligës.

    Ylli francez ka qenë në dyshim pasi mungoi në stërvitje për disa ditë për shkak të një problemi muskulor në kofshë, të pësuar pas ndeshjes ndaj Real Betisit. Megjithatë, ai nuk ka pësuar dëmtim serioz dhe ka vetëm një tendosje.

    Mbappé është rikthyer në qendrën stërvitore të Real Madridit në Valdebebas dhe ka nisur punën graduale, duke marrë pjesë pjesërisht në stërvitje me grupin dhe pjesërisht me stafin mjekësor. Ai ka kaluar teste mjekësore dhe po monitorohet nga afër nga klubi.

    Sipas raportimeve, gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen, por më shumë gjasa ka që ta nisë nga stoli sesa si titullar.

    Real Madridi përballet me Barcelonën në një ndeshje vendimtare, ku çdo rezultat përveç fitores së madrilenëve do t’i siguronte titullin katalanasve.

  • Operacioni me Prokurorinë, IPK njofton se mes të arrestuarve janë tre policë: Janë ndaluar për 48 orë

    Operacioni me Prokurorinë, IPK njofton se mes të arrestuarve janë tre policë: Janë ndaluar për 48 orë

    Inspektorati Policor i Kosovës, lidhur me operacion e përbashkët të zhvilluar sot me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka njoftuar se ka arrestuar tre zyrtarë policorë.

    Operacioni është realizuar në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq në bazë të urdhëresës se Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka përfshirë bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy personave civilë/qytetarë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale.

    Komunikata:

    IPK në operacionin e sotshëm arrestoi tre zyrtarë policorë

    Prishtinë, 07 maj 2026

    Duke ju referuar operacionit të sotshëm të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë shoqëruar në objektin e IPK-së katër zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast.

    Pas intervistimit tre zyrtarë policorë janë arrestuar dhe me vendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse ndaj një zyrtari tjetër rasti do të vazhdoj në procedurë të rregullt.

    Operacioni është realizuar në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq në bazë të urdhëresës se Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka përfshirë bastisjen e pesë (5) personave zyrtarë dhe dy (2) personave civilë/qytetarë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale.

    Hetimet lidhur me këtë rast ndaj katër zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë me dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit .

    Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për 4 zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast.

    Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin.

  • Dita e fundit e afatit, Elezi: 20 parti njoftuan pjesëmarrjen në zgjedhje

    Dita e fundit e afatit, Elezi: 20 parti njoftuan pjesëmarrjen në zgjedhje

    Sonte në mesnatë do të përmbyllet afati për partitë politike për të njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje ose mospjesëmarrjen dhe deklarimin e koalicioneve.

    Që nga hapja e këtij afati më 1 maj dhe deri në mesditën e sotme, KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 20 parti politike, mospjesëmarrje nga 5 parti politike dhe 1 koalicion i përbërë nga 2 parti politike.

    Në detaje rreth këtij afati ka folur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    “Sot, më 7 maj, në orën 24:00, përfundon afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës. Deri më tani (e enjte, 7 maj 2026, ora 12:00) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 20 parti politike, mospjesëmarrje nga 5 parti politike dhe 1 koalicion i përbërë nga 2 parti politike”, tha Elezi për Ekonomia Online.

    Sipas Elezit, partitë politike që deri në këtë kohë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; dhe 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

  • OBSH: Numri i rasteve të konfirmuara të hantavirusit rritet në pesë

    OBSH: Numri i rasteve të konfirmuara të hantavirusit rritet në pesë

    Numri i rasteve të konfirmuara të hantavirusit është rritur në pesë tha kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

    Tedros Ghebreyesus u tha gazetarëve se janë raportuar tetë raste të virusit, me pesë raste të konfirmuara dhe tre raste të dyshuara, raporton SkyNews.

    Lloji i hantavirusit të Andeve – i cili po shkakton këtë shpërthim – ka shumë të ngjarë të transmetohet midis anëtarëve të familjes, partnerëve intimë dhe njerëzve që ofrojnë kujdes mjekësor, thotë ai.

    Asnjë nga pasagjerët ose ekuipazhi i mbetur aktualisht në bordin e MV Hondius nuk ka simptoma.

    Por është e mundur që të raportohen më shumë raste të virusit për shkak të periudhës së inkubacionit të virusit deri në gjashtë javë, thotë Ghebreyesus.

  • Kishte humbur prej disa ditësh, 30-vjeçari gjendet i mbytur në lumin Osum

    Kishte humbur prej disa ditësh, 30-vjeçari gjendet i mbytur në lumin Osum

    Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Beratit, ku është gjetur pa shenja jete një 30-vjeçar që ishte raportuar i zhdukur prej disa ditësh.

    Viktima, banues në lagjen “Çlirimi”, kishte humbur kontaktet me familjen që prej datës 30 prill. Denoncimi për zhdukjen e tij ishte bërë nga i ati pranë autoriteteve policore.

    Pas dëshmive të disa banorëve të zonës, të cilët pretenduan se kishin parë të riun të hidhej në lumin Osum, policia dhe forcat e kërkim-shpëtimit nisën një operacion përgjatë rrjedhës së lumit.

    Pas disa orësh kërkime intensive, trupi i pajetë i 30-vjeçarit u lokalizua mesditën e sotme pranë fshatit Remanicë./TCh/

  • Tensione të larta në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, klubi thërret takim urgjent

    Tensione të larta në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, klubi thërret takim urgjent

    Atmosfera në kampin e Real Madrid është përshkallëzuar ndjeshëm pas një sërë incidentesh të raportuara brenda dhomës së zhveshjes, ku protagonistë janë Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni.

    Sipas raportimeve të MARCA-s, tensionet që nisën pas një përplasjeje të mëparshme mes dy lojtarëve nuk janë qetësuar, përkundrazi situata është përkeqësuar në orët e fundit me një incident të ri të cilësuar si “shumë serioz” nga brenda klubit. Kjo ka bërë që drejtuesit të reagojnë menjëherë duke thirrur një takim urgjent në dhomën e zhveshjes.

    Burimet brenda klubit bëjnë të ditur se përplasja e fundit ka eskaluar shpejt dhe ka kërkuar ndërhyrjen e disa pjesëtarëve të stafit dhe ekipit, duke reflektuar një klimë të tensionuar dhe mungesë harmonie brenda skuadrës.

    Gjendja thuhet se është më e rëndë se incidenti i mëparshëm në Valdebebas, ndërsa klubi po shqyrton mundësinë e marrjes së masave disiplinore për të rikthyer qetësinë.

    Pas ngjarjes, është zhvilluar një takim emergjent me pjesëmarrjen e drejtuesve të klubit, me qëllim stabilizimin e situatës dhe ndalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve.

    Aktualisht, në kampin madrilen mbizotëron një atmosferë e brishtë, me shqetësime serioze për unitetin e skuadrës në një periudhë vendimtare të sezonit.

  • Palatova – Kurtit: Brukseli nuk mund thjesht t’ua japë statusin e kandidatit, duhet t’i bindni 27 shtetet

    Palatova – Kurtit: Brukseli nuk mund thjesht t’ua japë statusin e kandidatit, duhet t’i bindni 27 shtetet

    Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka deklaruar se Kosova nuk mund ta marrë automatikisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi duhet t’i bindë të 27 shtetet anëtare të BE-së.

    Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, më 9 maj, në një organizim të Zyrës së BE-së në Kosovë, ajo tha se Brukseli pret nga Kosova zgjedhje të lira dhe të drejta, formim të shpejtë të institucioneve dhe avancim të reformave.

    “E di, zoti Kryeministër, që ju dëshironi që BE-ja të ecë përpara me aplikimin për anëtarësim, të cilin e dorëzuat gjatë presidencës çeke në Pragë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar që ta arrini këtë synim të radhës. Por më lejoni të jem e sinqertë, Brukseli nuk mund ta japë thjesht statusin e kandidatit. Ju duhet t’i bindni 27 shtetet anëtare”, tha ajo.

    Palatova theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë standarde demokratike dhe stabilitet institucional.

    “Dhe për këtë, rëndësi kanë këto tri elemente kyçe. Kosova është dhe duhet të mbetet një demokraci e gjallë. Zgjedhjet parlamentare që mbahen saktësisht një muaj nga sot duhet të jenë, përsëri, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, tha ajo.

    Ajo shtoi se Bashkimi Evropian pret krijimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve dhe vazhdimin e reformave.

    “Së dyti, shpresojmë të shohim një formim të shpejtë të institucioneve. Një qeveri e bazuar në një shumicë të fortë në kuvend, e aftë të gjenerojë kompromise të fuqishme ndërpartiake, të zgjedhë një president dhe të avancojë me agjendën e reformave. Dhe sigurisht, karakteri shumetnik i Kosovës është me vlerë të madhe për të gjitha shtetet tona anëtare”, tha ajo.

    Sipas saj, shtetet anëtare të BE-së po e përcjellin mënyrën se si Kosova i trajton komunitetet joshumicë dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

    “Të gjitha kryeqytetet tona vëzhgojnë ruajtjen e tij, angazhimin konstruktiv me të gjitha komunitetet shumicë, në mënyrë që të gjithë kosovarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të ndiejnë se kanë një shtëpi dhe perspektivë këtu. Në këtë drejtim, ne mbështetemi në zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes së 14 marsit. Dhe e di, zoti Kryeministër, që ju ia rikonfirmuat këtë përfaqësuesit të lartë edhe këtë javë në Jerevan”, tha ajo.

    Palatova shtoi se BE-ja pret zbatim me mirëbesim të marrëveshjeve dhe progres në dialogun e lehtësuar nga Brukseli.

    “Ne llogarisim në zbatim me mirëbesim, llogarisim që momentumi që krijon kjo marrëveshje t’i japë një shtysë të mëtejshme zgjidhjeve konkrete dhe progresit në dialogun e ri të lehtësuar. Ne llogarisim që mbi këtë bazë, përmes bashkëpunimit të udhëheqjes së Kosovës në të gjitha partitë politike, statusi i kandidatit të bëhet i prekshëm dhe premtimi nga Samiti i Selanikut i vitit 2003 të bëhet një perspektivë e arritshme. Tani, dua gjithashtu të jem i qartë se Bashkimi Evropian i vitit 2003 nuk është Bashkimi Evropian i vitit 2026”, tha ajo.

  • Pakistani thotë se pret së shpejti një marrëveshje ShBA-Iran

    Pakistani thotë se pret së shpejti një marrëveshje ShBA-Iran

    Gjatë gjithë luftës kundër Iranit, Pakistani ka qenë një ndërmjetës kyç midis Uashingtonit dhe Teheranit.

    Dhe me zhurma pozitive që vijnë nga të dyja palët – jo më pak nga Donald Trump, i cili ka thënë se mendon që një luftë do të “mbarojë shpejt” – ministria e Jashtme e Pakistanit ka nxjerrë një deklaratë të re duke nënvizuar këtë optimizëm.

    “Ne presim një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur”, tha sot zëdhënësi Tahir Andrabi, transmeton Telegrafi.

    “Shpresojmë që palët të arrijnë një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme që do të kontribuojë jo vetëm në paqen në rajonin tonë, por edhe në paqen ndërkombëtare”, shtoi ai.

    Por ai nuk dha një afat kohor, duke shtuar se Pakistani nuk do të zbulonte detaje të përpjekjeve diplomatike në vazhdim.

    “Ajo që mund t’ju them, dhe kjo është ajo që kam thënë më parë, është se ne mbetemi pozitivë, mbetemi optimistë dhe shpresojmë që zgjidhja të jetë së shpejti”, shtoi ai.

    E gjithë kjo pasqyron atë që negociatorët pakistanezë i thanë redaktorit tonë të çështjeve ndërkombëtare, Dominic Waghorn – se është bërë përparim drejt idesë së një “marrëveshjeje me një faqe” midis SHBA-së dhe Iranit, duke u përqendruar në çështjen bërthamore dhe Ngushticën e Hormuzit.

  • Operacion antimafia në Napoli, 14 të arrestuar për lidhje me trafikun e drogës

    Operacion antimafia në Napoli, 14 të arrestuar për lidhje me trafikun e drogës

    Një operacion i madh i karabinierëve italianë në Napoli ka përfunduar me arrestimin e 14 personave të dyshuar për lidhje me klanin mafioz “Di Lauro” dhe rrjete shqiptare të trafikut të drogës.

    Hetimet u koordinuan nga Drejtoria Antimafia e Napolit, e cila zbuloi një rrjet të organizuar ndërkombëtar për shpërndarjen e kokainës dhe hashashit.

    Sipas mediave italiane, në krye të grupit dyshohet se ishte 55-vjeçari Raffaele Paolo, i njohur me nofkën “O’ rockets”. Ai dyshohet se kishte rifilluar aktivitetin kriminal pas lirimit nga burgu në vitin 2019, duke organizuar shpërndarjen e drogës në rrugë dhe përmes dërgesave në banesa.

    Hetuesit italianë bëjnë të ditur se aktiviteti kriminal shtrihej në disa zona të Napolit dhe përfshinte trafikimin e sasive të mëdha të kokainës. Gjatë operacionit, autoritetet arrestuan edhe gjashtë persona të tjerë dhe sekuestruan disa kilogramë kokainë dhe hashash.

    Të arrestuarit përballen me akuza për “organizim kriminal për trafik droge” dhe “posedim droge me qëllim shpërndarjen”, ndërsa hetimet mbulojnë periudhën 2020–2023.

  • ZRrE miraton tarifat për KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n pa ndryshime në çmimin e energjisë për vitin 2026

    ZRrE miraton tarifat për KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n pa ndryshime në çmimin e energjisë për vitin 2026

    Në mbledhjen e sotme të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) janë miratuar tri pika që lidhen me tarifat e energjisë elektrike për vitin 2026, përfshirë tarifat për sistemin e transmetimit, sistemin e shpërndarjes dhe furnizimin me shërbim universal, pa ndryshime apo rritje të tarifave për konsumatorët, raporton Ekonomia Online.

    Me pesë vota për është miratuar pika e parë e rendit të ditës, shqyrtimi i propozimit për miratimin e Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

    Nga Departamenti i Tarifave, Muharrem Gashi tha se analizat janë bërë në përputhje me kornizën rregullatore në fuqi dhe se ndryshimet në nivelin e shitjeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në llogaritjen e tarifave për operatorin e sistemit dhe operatorin e tregut.

    “Këto analiza janë bërë në përputhje me pikën e parë të rendit të ditës: shqyrtimi i propozimeve për tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut, si dhe tarifat për shfrytëzimin e sistemit të transmetimit të tregut. Kostoja e ciklit të operimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë ka ndikuar në tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tregut, si dhe tarifat për fondin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me kornizën rregullatore në fuqi. Tarifat për shfrytëzimin e sistemit dhe tregut mbulojnë: Kostot totale të operimit, mirëmbajtjes, investimeve dhe zhvillimit të sistemit të transmetimit. Kjo është në përputhje me vendimin e Bordit të ZRRE-së për të hyrat e lejuara maksimale në vlerë prej 76 milionë e 484 mijë euro për vitin relevant tarifor 2026. Në aplikacionin nga KOSTT-i, shitjet për konsumatorët e kyçur në nivel transmetimi janë paraqitur në 570.7 gigavat orë (GWh), ndërsa pas verifikimit nga ZRRE-ja, ne kemi korrigjuar këtë vlerë në 329 gigavat orë (GWh). Ky ndryshim ka ndikuar drejtpërdrejt në llogaritjen e tarifave për operatorin e sistemit dhe operatorin e tregut. Të hyrat e lejuara maksimale mblidhen përmes tarifave ndaj gjeneratorëve për përdorim të rrjetit në nivel transmetimi dhe shpërndarjes”, tha ai.

    Ndërkaq, me pesë vota për është miratuar edhe shqyrtimi i propozimit për miratimin e Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).

    Nga Departamenti i Tarifave, Adelina Lokaj tha se tarifat e propozuara synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes dhe se, si rezultat i diferencës në nivelin e shitjeve të energjisë, tarifa mesatare ka pësuar rënie prej rreth 2.7 për qind.

    “Po vazhdojmë me prezantimin e tarifave për shfrytëzimin e sistemit të shpërndarjes, ku këto tarifa synojnë mbulimin e kostove totale të shpërndarjes në përputhje me të hyrat e lejuara maksimale në vlerë prej 145 milionë e 960 mijë euro për vitin relevant 2026. Në kërkesën e saj, KEDS-i ka propozuar mbajtjen e tarifave aktuale duke u bazuar në një nivel të shitjeve prej 5,581 gigavat për orë, përderisa ZRRE-ja ka marrë në konsideratë bilancin e energjisë elektrike të aprovuar me një nivel të shitjeve prej 5,745 gigavat për orë. Andaj, si rezultat i kësaj diference, tarifa mesatare ka pësuar një rënie rreth 2.7%. Kjo është llogaritur nga Departamenti i Tarifave dhe Çmimeve, e cila ka qenë në raport me kërkesën e KEDS-it që kemi pranuar, edhe që kjo diferencë është reflektuar edhe në tarifat e rrjetit të shpërndarjes sipas niveleve të tensionit. Tarifat janë strukturuar në mënyrë që të reflektojnë vëllimin e konsumit të energjisë dhe një shpërndarje të drejtë të kostove ndërmjet kategorive të konsumatorëve, respektivisht niveleve të tensionit”, tha ajo.

    Po ashtu, është miratuar edhe pika për shqyrtimin e propozimit për miratimin e Tarifave për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO), pa ndryshime apo rritje të tarifave.

    Nga Departamenti i Tarifave, Muharrem Gashi tha se ZRRE-ja nuk e ka mbështetur propozimin për ndryshimin e strukturës tarifore dhe ka vlerësuar se një ndryshim i tillë kërkon konsultim publik dhe procedurë të veçantë.

    “Në kuadër të aplikacionit, tarifa furnizuese me shërbim universal ka propozuar me ndryshu strukturën tarifore, përkatësisht me eliminimin e diferencimit të ditë/natë dhe tarifave me dy blloqe me një — me aplikuar një tarifë të unifikuar. Ne si ZRRE vlerësojmë se ky ndryshim kërkon një proces të veçantë dhe konsultim publik, për të cilin nuk ka pasur kërkesë nga furnizuesi i shërbimit universal. Prandaj, ZRRE nuk mendon që ky propozim duhet të aprovohet dhe mendojmë që duhet të mbetet pa ndryshuar struktura ekzistuese tarifore dhe niveli i tarifave”, tha ai.