ATV

Blog

  • Tatimi në pronë po alarmon qytetarët e Kosovës (Dokument)

    Tatimi në pronë po alarmon qytetarët e Kosovës (Dokument)

    Qytetari nga Prishtina, përkatësisht nga lagjja “Dodona” ka dëshmuar me faturat e tij se çmimi për tatimin në pronë për këtë vit i është rritur për rreth 700 për qind krahasuar me vitet e kaluara.

    Qytetarët vazhdojnë të shprehin shqetësimet e tyre rreth faturave për tatimin në pronë që u kanë ardhur me çmime shumëfish më të larta se viteve paraprake.

    Shqetësim të njëjtë ka një qytetar nga Prishtina, ku tatimi i ishte rritur rreth 700 për qind më shumë se që paguante zakonisht. Nga 9.93 euro sa ka pasur obligim tatimor më parë për një parcelë prej 1 ari, këtë vit këtij tatimpaguesi nga Prishtina, i ka ardhur fatura 69.71 euro. Ky banor nga Prishtina (emër i njohur për redaksinë) shprehet i habitur me çmimin kaq të lartë që është aplikuar sivjet për pronë.

    “Nuk e kuptoj pse është ardhur kjo faturë kaq e shtrenjtë për rreth 700 për qind këtë vit. Bëhet fjalë për një parcelë vetëm 1 ari në Prishtinë”, është shprehur ai.

    Nga janari i këtij viti qytetarët e Kosovës janë goditur me një rritje marramendëse dhe jonormale të tatimit në pronë, mesatarisht më shumë se 100 për qind, krahasuar me vitin paraprak. Për rritjen e tatimit në pronë përveç qytetarëve, partive opozitare dhe shoqërisë civile ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNj), e cila ka bërë përgjegjëse për këtë rritje Ministrinë e Financave që drejtohet nga Hekuran Murati.

    Rritja e tatimit në pronë, sipas KMDLNj-së është plaçkitje nga ana e shtetit.

    “Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati ka tërë përgjegjësinë për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë e adresoi te komunat duke deklaruar se këto mjete shkojnë në buxhetin e komunave në kohën kur komunat po arsyetohen se Ministria përkatëse ka përgjegjësi dhe se komunat nuk kanë as mundësi e as përgjegjësi ligjore të ndërhyjnë në vendimet e ministrisë. Realisht, qytetarët e Kosovës që pamëshirshëm po plaçkiten, qoftë nga një vendim diskriminues i ministrisë, qoftë nga mungesa e kompetencave të komunave të ndërhyjnë në caktimin e shumës së tatimit në pronë, janë të pafuqishëm të mbrojnë buxhetin familjar dhe biznesor, edhe ashtu të rrezikuar shumë nga kriza e përgjithshme ekonomike”, është bërë e ditur në njoftim.

    Edhe Instituti Kosovar Drejtësi i ka kërkuar qeverisë ta pezullojë shumëfishimin e tatimit në pronë deri më 2025. IKD e ka quajtur të padrejtë vendimin e marrë nga Ministria e Financave.

    Vendimi i Ministrisë së Financave për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë është kundërshtuar edhe nga qytetarët e vendit, ndonëse disa kanë kërkuar të falet tatimi deri në 200 euro për secilin tatimpagues.

    LDK, nëpërmjet rezolutës në Kuvend kishte kërkuar që fillimisht Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimit paraprak.

    Ndërsa, pas propozimit të Qeverisë, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, dy javë më parë ka miratuar në parim Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, mes polemikave të shumta të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë. Në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, deputetët nuk kanë arritur ta shqyrtojnë në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme që mundëson faljen deri 100 euro për çdo tatim pagues për vitin 2023. Po ashtu, si shembull konsiderohet nga tatimpaguesit se nga 1000 euro, 2000 apo 5000 euro tatim dhe falja e mëvonshme e 100 eurove nuk është asnjë ndihmë as përkrahje nga qeveria.

  • Kurorëzohet Mbreti Charles III

    Kurorëzohet Mbreti Charles III

    Për herë të parë në shtatë dekada, një monark i ri britanik është kurorëzuar zyrtarisht.

    Kryepeshkopi i Canterbury Justin Welby vendosi kurorën e Shën Eduardit mbi kokën e Charles III, pjesa më e rëndësishme e shërbimit të kurorëzimit.

    Ndërsa përgatitej ta bënte këtë, Uelbi tha: “Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotëve, bekoje, të lutemi, këtë kurorë, dhe kështu shenjtëro shërbëtorin tënd Charles, mbi kokën e të cilit sot e vendos atë si një shenjë madhështie mbretërore, që ai të kurorëzohet me favorin tënd të hirshëm dhe të mbushet me hir të bollshëm dhe të gjitha virtytet princërore; nëpërmjet atij që jeton dhe mbretëron suprem mbi të gjitha gjërat, një Perëndi i vetëm, botë pa fund. Amen.”

    Pasi kurorëzoi Mbretin, Welby tha: “Zoti e ruaj mbretin”.

  • Harry shkon në kurorëzimin e Charles, mungon Meghan

    Harry shkon në kurorëzimin e Charles, mungon Meghan

    Duka i Sussex, Harry, i cili ka shkuar pa gruan e tij Meghan, dukej i lumtur dhe i relaksuar teksa hynte me kushërirat e tij princeshat Beatrice dhe Eugenie, vajzat e Princit Andrew.

    Princi Harry ishte i veshur me një kostum ndërsa bisedonte me Princeshën Beatrice.

    Mësohet se ai shkoi në Mbretërinë e Bashkuar me një fluturim komercial dje, shkruan BBC.

    Ai mund të qëndrojë vetëm disa orë pasi të kryhet shërbimi dhe më pas pritet të fluturojë për në SHBA për ditëlindjen e djalit të tij.

     

  • Pesëvjeçari me autizëm sulmohet nga qentë endacakë, flet nëna e tij: Shpëtoi për pak

    Pesëvjeçari me autizëm sulmohet nga qentë endacakë, flet nëna e tij: Shpëtoi për pak

    Pasditen e së martës pesëvjeçari D.K. është sulmuar nga qentë endacakë në afërsi të shtëpisë së tij. Ai ka marrë lëndime në disa pjesë të trupit, ku më pas iu është nënshtruar intervenimeve kirurgjike.

    Nëna e tij, Selvetja tregon se si ka ndodhur rasti, teksa thekson se është e shqetësuar për gjendjen e djalit Veç këtij rasti, ajo thotë se janë gjithmonë të rrezikuar nga sulme të tilla.

    Tash e sa vjet, Selvetja tregon se kanë telashe me numrin e madh të qenve endacakë në lagjen ku jeton në Milloshevë të Obiliqit.

    Tutje, Selvetja tregon për KosovaPress se djali i saj është ndihmuar nga një punëtor në afërsi të shtëpisë së saj.

     

    Nga e marta, pesëvjeçari që është edhe me autizëm po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë pas lëndimeve që ka marrë në shumë pjesë të trupit.

    “Djali jem është me autizëm dhe normalisht nuk ka ditur të mbrohet. Edhe ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Kur e kemi marrë, ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Ka plagë prapa veshit, në kokë, në kukë. Është shumë i lënduar. Kemi shkuar fillimisht në Obiliq, aty kemi ardhur me ambulantë deri në Prishtinë. Këtu i kanë dhënë menjëherë ndihmën, kanë bërë intervenime, ka qepje nëpër trup. Tash ka filluar të marrë vetën, por ka trauma, si të fle vazhdimisht ka trauma, qanë. Është shumë i shqetësuar.”, tregon nënë Selvetja.

    Selvetja lutet që të mos përsëriten më raste të tilla, as për fëmijët të tjerë të lagjes.

    Pesëvjeçari nga Millosheva e Obiliqit do të vazhdojë të trajtohet edhe disa ditë në Klinikën Infektive të QKUK-së.

  • Abdixhiku me bashkëpunëtorë e nderojnë Aganin në 24-vjetroin e vrasjes

    Abdixhiku me bashkëpunëtorë e nderojnë Aganin në 24-vjetroin e vrasjes

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor kanë bërë homazhe te varri i veprimtarit Ferid Agani në 24-vjetorin e vrajës së tij, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast Abdixhiku tha se puna e Aganit si nënkryetar shumëvjeçar të LDK-së ka qenë udhërrëfyes për të gjithë.

    Ai e quajti Aganin ideator e udhëheqës të lëvizjes për liri dhe pavarësi dhe krah t djathtë të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

    Abdixhiku tha se vrasja e Aganit nga forcat serbe ishte hakmarrje për lëvizjen për liri dhe prezymim i të ardhmes së Kosovës.

    “Sot me bashkëpunëtorë, anëtarë të Kryesisë, deputetë e familjarë të profesor Aganit, nderojmë figurën e lartë të çmueshme të intelektualit profesor Agnit i cili 24 vjet më parë u vra nga forcat serbe. Profesor Agani ishte bartës, ideatorë dhe njëkohësisht udhëheqësi i lëvizjes për liri dhe pavarësi dhe krah i djathtë i presidentit Rugova si nënkryetar i LDK-së”.

    “Sot kujtojmë veprën e tij, vrasja e tij përveç që ishte hakmarrje edhe prezumim i të ardhmes së Kosovës. Familjes i themi mbahuni sot në këtë ditë, popullit iu shprehim ngushëllime e si LDK duhet që urtësinë e tij ta vazhdojmë. Profesori Agani mbete njëri prej patriotëve më të mëdhenj të Kosovës”.

    Agani është vrarë me 6 maj të vitit 1999, nga forcat serbe. Agani ka qenë njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike.

    Për nder të profesor Aganit, vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

  • Dugolli: Gjykata Speciale të nisë hetimet për masakrën e Dubravës

    Dugolli: Gjykata Speciale të nisë hetimet për masakrën e Dubravës

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje si dhe njëri nga të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës, Enver Dugolli, ka bërë kërkesë publike për nisjen e hetimit të kësaj masakre nga Gjykata Speciale.

    Në një konferencë për media, të shtunën, në Kuvendin e Kosovës, ai u shpreh se para një jave iu ka drejtuar Gjykatës Speciale me kërkesë zyrtare që të fillojë hetimet për këtë krim.

    “Nëse Gjykata Speciale nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye që të mos kryhen hetimet për këtë krim”, tha ai.

    Deputeti shtoi se ka dëshmi të mjaftueshme për t’u ngritur aktakuza në lidhje me këtë masakër dhe se kërkesa e tij është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale.

    “Kërkesa ime është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale që të nisë hetime sepse kam dëshmi të mjaftueshme për t’u zhvilluar hetimet dhe për t’u ngritur aktakuza në lidhje edhe me këtë masakër”, tha tutje Dugolli.

    Ai theksoi se është në dorën e prokurorit të vendosë nëse do të fillojë hetime në lidhje me këtë masakër dhe të dëshmojë nëse është apo jo kjo gjykatë një etnike.

    “Faktet janë se në atë masakër janë ekzekutuar 116 të burgosur dhe një i zhdukur sikurse Ukshin Hoti. Janë dëshmitarët që ende janë gjallë dhe plagët e tyre flasin vet. Madje këta dëshmitarë nuk kanë nevojë as për mbrojtje të identitetit”, theksoi Dugolli, i cili është njëri nga dëshmitarët e kësaj masakre.

    Ai ka thënë se të gjithë dëshmitarët e kësaj masakre janë të gatshëm të dëshmojmë.

    “I mbaj mend edhe emrat që i kanë urdhëruar dhe kryer këto krime”, nënvizoi Dugolli.

  • Gërvalla thërret për aplikim “diplomatët e rinj”

    Gërvalla thërret për aplikim “diplomatët e rinj”

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka bërë ftesë për aplikim në konkursin për diplomatët e rinj.

    “Edhe pak më shumë se 12 orë kanë mbetur për të aplikuar në konkursin e hapur për 30 diplomatë të rinj. Më në fund, pas shumë sfidash dhe barrierash të panevojshme, kemi arritur të hapim dyert e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe të diplomacisë për profesionistë të të gjitha moshave, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës”, është shprehur ajo.

    Sipas saj, reformat e thella që janë bërë mundësojnë shtimin e dukshëm të numrit të diplomatëve të rinj.

    “Ju ftoj të aplikoni sot, duke ju siguruar që procesi do të jetë rigoroz, ndoshta i vështirë dhe kërkesat e larta, por meritokracia kriteri i vetëm për përzgjedhjen e më të mirëve, sepse Kosova e meriton të përfaqësohet në botë nga më të mirët e këtij vendi”.

    Afati i fundit për aplikim është: 6 maj 2023, ora, 23:59.

  • Ed Sheeran befasoi fansat me një performancë në rrugë pasi fitoi gjyqin për të drejtat e autorit

    Ed Sheeran befasoi fansat me një performancë në rrugë pasi fitoi gjyqin për të drejtat e autorit

    Ed Sheeran i befasoi fansat me një performancë të improvizuar në New York pasi fitoi gjyqin e tij për të drejtat e autorit ndaj Marvin Gaye.

    Fituesi i “Grammy”-t u ndal në një dyqanin për albumin e tij të fundit, i cili u publikua të premten, ku u përshëndet nga qindra fansa që bërtisnin.

    Më pas Sheeran nxori kitarën e tij, hipi mbi një makinë aty pranë dhe i bëri serenad turmës me disa nga hitet e tij më të mëdha – duke përfshirë “Thinking Out Loud”, e cila ishte në qendër të dramës së tij të fundit ligjore.

    Shumë fansa postuan video të mini-koncertit në mediat sociale, që shfaqni Sheeran duke buzëqeshur ndërsa qetësonte turmën përpara se të performonte mbi gjashtë këngë.\

    Shfaqja festive erdhi vetëm një ditë pasi një juri deklaroi se këngëtari i “Perfect” nuk ishte përgjegjës për kopjim të këngës “Let’s Get It On” të Marvin Gaye pas vetëm tre orësh diskutimi.

    Vendimi erdhi gati katër vjet pasi trashëgimtarët e të ndjerit Ed Townsend, i cili ishte një nga bashkëpunëtorët e Gaye, pretendoi se Sheeran “kopjoi dhe shfrytëzoi, pa autorizim” këngën hit të vitit 1973.

    Ata argumentuan se këngëtari përsëriti “melodinë, ritmet, harmonitë, basin, korin mbështetës, ritmin, sinkopimin dhe looping” – dhe kërkonin 100 milionë dollarë për të.

    Megjithatë, Sheeran hodhi poshtë pretendimet e tyre, duke argumentuar se përparimi i akordit në fjalë është i zakonshëm në këngët pop.

    Pasi mësoi fatin e tij, 32-vjeçari ndau një mesazh të fuqishëm për akuzuesit e tij, duke zbuluar se duhej të humbiste funeralin e gjyshes së tij të ndjerë për të zgjidhur mosmarrëveshjen.

    “Kemi kaluar tetë vitet e fundit duke folur për dy këngë me tekste, melodi dhe katër akorde jashtëzakonisht të ndryshme, të cilat janë gjithashtu të ndryshme dhe përdoren nga kantautorët çdo ditë, në të gjithë botën”, tha ai.

    “Ato janë në alfabetin e një autori këngësh, në paketën tonë të veglave, dhe duhet të jenë aty për t’i përdorur të gjithë ne. Askush nuk i zotëron ato ose mënyra se si luhen në të njëjtën mënyrë që askush nuk e zotëron ngjyrën blu. Unë jam thjesht një djalë me një kitarë që pëlqen të shkruaj muzikë që njerëzit ta shijojnë. Nuk jam dhe nuk do ta lejoj kurrë veten të jem një derrkuc që dikush ta tundë. Të jem në New York për këtë gjyq do të thotë që më ka munguar të jem me familjen time në funeralin e gjyshes sime në Irlandë dhe nuk do ta kthej kurrë atë kohë”, shtoi ylli.

    Sheeran e mbylli mesazhin e tij duke falënderuar familjen e tij, bashkë-shkrimtaren Amy Wadge dhe jurinë për mbrojtjen e “lirisë krijuese të kantautorëve”.

    Para këtij rasti, Sheeran u padit dy herë për gjoja kopjimin e punës së një artisti tjetër. Të dyja rastet u zgjidhën jashtë gjykatës.

  • Haradinaj kujton Luanin: Krenaria e liria gjithmonë do të mbizotërojnë mbi dhembjen

    Haradinaj kujton Luanin: Krenaria e liria gjithmonë do të mbizotërojnë mbi dhembjen

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar sot të vëllain, Luanin, në 26-vjetorin e vdekjes.

    Ai ka potencuar se krenaria dhe liria që e gëzojmë do të mbizotërojnë gjithmonë mbi dhembjen.

    “Luan, 26 vjet më parë fitove përjetësinë, pikërisht në ditëlindjen e nanës Rukë. Heroizmi, krenaria e liria që e gëzojmë, gjithmonë do të mbizotërojnë mbi dhembjen.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Sot, bëhen 26 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

    Luan Haradinaj është lindur më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës, përkatësisht të Deçanit. Ai shkollën fillore e ka kryer në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme, përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme, Luan Haradinaj është regjistruar në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk ka arritur ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.

  • ​Osmani: Sjellja e vrasësve të Aganit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

    ​Osmani: Sjellja e vrasësve të Aganit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin, në 24-vjetorin e vrasjes.

    Ajo është shprehur se vizioni dhe trashëgimia e Aganit për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat.

    Osmani ka potencuar se sjellja e autorëve të vrasjes së Aganit para drejtësisë është përkushtim i tyre i vazhdueshëm.

    “Sot e kujtojmë me respekt akademik Fehmi Aganin, figurën emblematike të lëvizjes për lirinë e Kosovës, njeriun që përkushtimin e tij ndaj dijes e arsimit e kombinoi me aktivitetin politik, duke qenë dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, me të cilin u angazhua deri në vdekje në përmbushjen e idealit për Kosovën shtet të pavarur. Më 6 maj të vitit 1999, në agun e lirisë, vizionari e përbashkuesi, akademik Agani u vra mizorisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë. Vizioni dhe trashëgimia e tij për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat. Kujtimi për akademik Aganin do të jetë i përhershëm, kurse sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm!”, është shprehur Osmani.

    Sot, bëhen 24 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

    Agani është vrarë me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

    Figura e Aganit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani ka qenë njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike.