ATV

Blog

  • ​Njësia A-5 në KEK, sërish jashtë funksionit?

    ​Njësia A-5 në KEK, sërish jashtë funksionit?

    Njësia A-5 e Termocentralit “Kosova A” duket se sërish ka dal nga funksioni i prodhimit, pak ditë pas rikthimit nga remonti.

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se pa u bërë ende 10 ditë, blloku A5 ka dalë prapë jashtë funksionit.

    Megjithatë, zyrtarë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk kanë qenë të qasshëm për të verifikuar këtë njoftim të deputetes Bajrami.

    Ndërsa, këshilltarja për media e ministres së Ekonomisë, Edita Pozhegu ka thënë për KosovaPress se nuk e ka një informacion të tillë, mirëpo ka kërkuar nga media që të kontaktohet ndërmarrja publike, në këtë rast KEK-u.

    “Pa u bë ende 10 ditë, blloku A5 del prapë jashtë funksionit. Thoshin se do të ndalet ”gjakderdhja finaciare”, këta dojnë me i qitë në ”komë” ndërmarrjet publike. Ministrja e pat cilësu dhuratë kthimin në punë të bllokut A5, doli të jetë dhuratë, se vetëm dhuratat zgjasin kaq pak. Për qendrushmëri duhet punë konsistente – don me ju shku mandati pa e kuptu këtë gjë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

  • Avokati: Familja dhe shtëpia e Naser Pajazitajt është sulmuar me armë zjarri

    Avokati: Familja dhe shtëpia e Naser Pajazitajt është sulmuar me armë zjarri

    Ahmet Tahiri, avokati i Naser Pajazitajt, i cili ishte liruar nga akuza për veprën penale ‘Vrasja e rëndë’, ka deklaruar se shtëpia e klientit të tij është sulmuar me armë zjarri.

    Sipas tij, incidenti ka ndodhur sot rreth orës 02:00. Ai shprehet se është traumatizuar Pajazitaj bashkë me famijlen e tij.

    “Mbreme familja dhe shtepia e Naser Pajazitajt eshte sulmuar me arme zjarri rreth ores 02:00 te mengjesit duke traumatizuar Naserin dhe familjen e tij”, shkroi ai në Facebook.

    “Lusim organet e drejtesise, perkatesishte Policine dhe Prokurorine Themelore ne Peje qe sa me pare te zbulohet ky rast dhe personat qe kane kryer kete veper sa me pare te vihen para drejtesise dhe te marrin denimin e merituar”.

  • Ministri Çeku vizitoi KOK-un, mësohet arsyeja

    Ministri Çeku vizitoi KOK-un, mësohet arsyeja

    Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Hajrulla Çeku së bashku me zëvendës-ministren, Daulina Osmani vizituan sot Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), ku u pritë nga presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti.

    Aryseja e kësaj vizite ishte kandidatura e Kosovës për të organizuar Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, raporton KosovaPress.

    Të palët u pajtuan për të vazhduar bashkëpunimin në kryerjen e punëve para vizitës së komisionit inspektues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), në muajin korrik të këtij viti.

    Po ashtu, KOK dhe MKRS diskutuan edhe për bashkëpunimin mes dy institucioneve, si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Evropiane Krakow dhe Malopolska 2023, EYOF-in veror Maribor 2023, Lojërat Frankofone Kinshasa 2023, si dhe Lojërat Mesdhetare në rërë Heraklion 2023.

  • “Hyra brenda aty ku ishte djali i vdekur, fytyra e tij kishte mbetur duke qeshur”, nëna nuk i mban lotët derisa rrëfen momentin më të vështirë për të

    “Hyra brenda aty ku ishte djali i vdekur, fytyra e tij kishte mbetur duke qeshur”, nëna nuk i mban lotët derisa rrëfen momentin më të vështirë për të

    Në emisionin STUDIO A në ATV, sot u tregua historia e një gruaje, jeta e së cilës ndryshoi tragjikisht kur humbi djalin e saj 22-vjeçar në një aksident me motor.

    Rrëfimi emocional i Sabina Karisik në këtë emision, do të shërbejë si forcë për shumë nëna të tjera që janë përballur me eksperienca të ngjashme.

    Duke rrëfyer momentin më të vështirë në jetën e saj, me lot në sy, Sabiana tregon se ditën që e pa djalin e saj të vdekur në spitalin e Ferizajt, ajo e thërriste “çohu”, sepse nuk e besonte dot që ai tashmë kishte ndërruar jetë.

    “Kur këna mbërri atje, para Spitalit të Ferizajt, i pash do djem të rinj, i pyetja “a jeni ju shokë të Emirit”, ata me kokën poshtë më thanë “jo nuk jemi”. Po afrohem te tjetri, i thash “a je ti shok i Emirit”, “jo” më tha, “nuk jemi ne shokë të Emirit”. Unë u binda dhe hyra brenda aty me e pa Emirin, mjekët dhe motrat më kapën më thanë “jo mos hy brenda”, iu thash “si mos me hy unë, po du djalin me e pa” se t’u mëndu që është gjallë dhe sa më shpejt me mbërri. Hyna aty ku e kanë lënë, e pash Emirin shtritë, fytyra e kishte buzëqeshjen e tij. Në ato momente e kam humb veten, dyshoja që ai po bën shaka me mua, i thash “Emir, çohu mos bën hajgare me mua”, atij për njëmend i kishte mbetur buzëqeshja”, rrëfen mos lotësh ajo. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Vitia: Së shpejti rezonanca magnetike dhe investime të shumta në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit

    ​Vitia: Së shpejti rezonanca magnetike dhe investime të shumta në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do ta furnizojë Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit me rezonancën magnetike, e cila do të jetë në dispozicion për banorët e Komunës së Prizrenit, por edhe të banorëve të komunave përreth.

    Vitia i bëri këto komente pas vizitës në këtë spital, të cilin e vizitoi bashkë me zv/ministrin Arsim Berisha, të shoqëruar nga u.d drejtoresha e ShSKUK-së, Narqize Arenliu – Hoxhaj dhe zv/drejtori, Hasan Arzoallxhiu.

    Ministri Vitia theksoi intensifikimin e bashkëpunimit ngaqë, siç u shpreh, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit është spitali më i madh regjional që ofron shërbime edhe për shtetasit e Shqipërisë.

    “Deri në muajin shtator ose tetor, spitali i Prizrenit do të pajiset edhe me rezonancën magnetike, një shërbim i munguar për qytetarët. Gjatë këtij viti do të përfundoj edhe pjesa e Kardiologjisë Invazive që do të ndikojë në shtimin e shërbimeve. Shërbimet e Kardiologjisë Invazive për herë të parë do të ofrohen në një spital regjional, e jo vetëm në QKUK. Shërbimet si koronografitë dhe stentimet do të mundësohen edhe në këtë spital. Një lajm tjetër i rëndësishëm është se tashmë janë bërë planifikimet që një pjesë e shërbimeve onkologjike të merren edhe në këtë spital. Forcimi i kapaciteteve të spitaleve regjionale, do shkarkojë edhe fluksin e kërkesave në QKUK”, tha ministri Vitia.

    Sipas ministrit Vitia, përpos investimeve që do të realizohen gjatë këtij viti, në kuadër të planifikimeve të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, janë planifikuar investime në projekte të cilat do të avancojnë shërbimet për qytetarët.

    Më pas ministri Vitia bashkë me zv/ministrin Berisha dhe udhëheqësit e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, vizituan hapësirën e repartit që në të ardhmen do të ofrojë shërbimet e Kardiologjisë Invazive, Repartin e Kirurgjisë, Qendrën për Dializë si dhe hapësirën ku do të vendoset rezonanca magnetike.

    Gjatë kësaj vizite, ministri Vitia u njoftua gjithashtu edhe për mbarëvajtjen e “Objektit spitalor për nënën dhe fëmijën” që ka për qëllim përmirësimin e kujdesit ndaj shëndetit të popullatës, veçanërisht të kujdesit ndaj shëndetit të nënës e fëmijës.

  • E konfirmuar, Xhaka do të largohet nga Arsenali

    E konfirmuar, Xhaka do të largohet nga Arsenali

    Siç konfirmohet nga “LondonWorld”, Granit Xhaka dëshiron të nisë një aventurë të re dhe pritet që të largohet nga Arsenali këtë verë.

    30 vjeçari me prejardhje nga Kosova ka kontratë aktuale me Arsenalin deri në vitin 2024, por trajneri i “Topçinjve” Mikel Arteta pritet që të lejojë largimin e Xhakës nëse ka oferta të mira për të, raporton KosovaPress.

    Gjiganti gjerman, Bayer Leverkusen veçse ka shprehur interesim konkret në Xhakën, i cili thuhet se e dëshiron rikthimin në Bundesliga.

    Xhaka kaloi nga Borussia Monchengladbachu te Arsenali në verën e vitit 2016 për afro 45 milionë euro, dhe që nga ajo kojë ka arritur të bëjë 295 paraqitje në të gjitha garat për skuadrën angleze, duke regjistruar 21 gola dhe 29 asistime mbi emrin e tij.

  • ​RAI3: Vjosa, lumi i egër i Evropës e mbushur me vlera dhe potenciale

    ​RAI3: Vjosa, lumi i egër i Evropës e mbushur me vlera dhe potenciale

    Nga malet e Pindit tek grykëderdhja e Adriatikut. Lumi i Vjosës me degët e tij përshkruan 400 kilometra nga Veriu i Greqisë. Nga Shqipëria, brigjet e Vjosës banohen nga 1 100 specie dhe kafshë barngrënëse. Një zonë e blertë me një peizazh panoramik, sipas një dokumentari në televizionin italian Rai3, i cili promovon vlerat turistike të lumit Vjosa.

    ”Lumi i Vjosës i u shpall një park kombëtar nga qeveria shqiptare, shembull i parë i një parku të egër në Evropë dhe së shpejti mund të shpallet biosfera e UNESCO-s.

    Vendimi i qeverisë së Tiranës për ta shpallur ”Zonë të Mbrojtur” erdhi pas shumë vitesh betejash nga qytetarë dhe organizata të ndryshme ambientaliste kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe digave duke arritur edhe në thirrjen e aktorit të Hollivudit Leonardo DiCaprio”, thotë RAI3, i cili interviston edhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

    ”Lumi i Vjosës nuk është një lumë si gjithë të tjerët. Është një lumë i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Do të thosha më shumë. Është i vetmi lumë i egër i Evropës. Do të thosha që vendet e tjera të Europës me lumenjtë e tyre kanë bërë çfarë kanë dashur, i kanë zhvilluar, kanë ndërhyrë, ndërsa Shqipëria e vogël ka dhënë modelin që mund të mbrohet ky laborator natyral i biodiversitetit”, thotë Kumbaro.

    ”Vjosa quhet i egër pasi në të nuk ka diga, hidrocentrale, rrjedh i lirë në rrugëtimin e tij, duke favorizuar bujqësinë dhe nga pikëpamja e peshkimit ka disa lloje specie që rriten në këto ujëra. Në shkurtin e kaluar ky lumë u vizitua edhe nga drejtoresha e përgjithshme, Odri Azule e shoqëruar nga ministrja Kumbaro. Në muajt e ardhshëm ky lumë mund të marrë çmimin prestigjioz të Biosferës të agjencisë së OKB-së”, vijon RAI3.

    ”Ideja është që të ndihmojë komunitetin vendas. Është diçka tjetër të ndryshosh natyrën. Është ndryshe ta quash një territor park kombëtar. Është diçka tjetër që t’u ofrosh njerëzve që jetojnë këtu ide, mundësi, ndihma ekonomike etje. Ne nuk duam që njerëzit të braktisin ketë vende, sepse do të jenë vende të vdekura”, shton Kumbaro.

    ”Në brigjet që përshkruan Vjosa banojnë 100 000 banorë. Fermerët punojnë tokat, barinjtë kullosin bagëtitë si dhi e dhenë. Aleksi ka lindur dhe jeton në Përmet bën guida turistike. Ai e njeh Vjosën si xhepat e tij”, vijon RAI3.

    ”Një miku im italian duke parë këto bukuri thotë se ju keni një Ferrari, por nuk dini ta ngisni. Të ruash Vjosën do të thotë shumë për ekonominë tonë. Kush i ka braktisur këto vende e di që mund të kthehet të investojë në turizëm këtu”, thotë Aleksi.

    ”Ujëvara, natyrë, restorante me pamje nga lumi tërheqin vizitorët kuriozë për të zbuluar nga afër Shqipërinë e përtej detit. Një nga aktivitetet më të njohura është rafting. Në fshatin e vogël të Peshtanit takuam edhe Mirelën, e cila ofron një bujtinë për turistët. Në kopshtin e saj në qiell të hapur ndodhet një muze me reliket e Luftës së Dytë Botërore të cilat i gjeti në malet mbi fshat. Ajo gjithashtu ka luftuar për mbrojtjen e Vjosës”, vijon RAI3, transmeton ATSh.

  • ​Ambasadori gjerman: Drafti më i mirë i asociacionit mund të përgatitet nga Kosova

    ​Ambasadori gjerman: Drafti më i mirë i asociacionit mund të përgatitet nga Kosova

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi se është obligim i Kosovës që të hartojë draftin e Asociacionit. Versioni më i mirë, siç tha ai, mund të përgatitet nga Kosova dhe në kohë sa më të shpejtë, transmeton kp.

    Për këtë ai u deklarua pas takimit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, ku theksoi se ky është obligim që të shihet se cilat janë idetë për këtë proces.

    “Kjo është një përgjigje e lehtë, mendoj se drafti më i mirë mund të përgatitet nga Kosova për Kosovën, dhe vizioni nuk është draft, kështu që na duhet një draft nga Kosova, shumë shpejt, për të parë se çfarë idesh konkrete kanë për Asociacionin, dhe ky mendoj se është obligim i Kosovës, që ta çojë procesin përpara”, deklaroi diplomati gjerman.

    Ndërsa i pyetur në lidhje me operatorin VisaMetric, e cila obligon qytetarët për të paguar 30 euro për kthimin e pasaportës, Rohde refuzoi të komentojë këtë duke thënë se ky rast është në procedurë.

    “Ju duhet të flisni me VisaMetric, sepse me sa di unë, ky është një rast në procedurë dhe unë nuk dua të komentoj për këtë”, përfundoi.

  • Humbi djalin në aksident tragjik në moshën 22-vjeçare: E thirrsha çohu se nuk e besoja dot

    Humbi djalin në aksident tragjik në moshën 22-vjeçare: E thirrsha çohu se nuk e besoja dot

    Në emisionin STUDIO A në ATV, sot u tregua historia e një gruaje, jeta e së cilës ndryshoi tragjikisht kur humbi djalin e saj 22-vjeçar në një aksident me motor.

    Rrëfimi emocional i Sabina Karisik në këtë emision, do të shërbejë si forcë për shumë nëna të tjera që janë përballur me eksperienca të ngjashme.

    “Prej kur ka ndodh rasti, ditën e parë jam mundu, edhe pse ka qenë shumë vështirë me u vesh mirë, me qendru e fortë se e di që ai gjithmonë e ka pasur këtë dëshirë që unë me qenë e fortë dhe po mundohem me e vazhdu dëshirën e tij. Ndoshta dikush është çuditur në ditët e para, ndoshta edhe më vonë, por unë në çdo moment, çdo sekondë, e kam Emirin në kokë. E di çka ka pasur ai dëshirë me ba unë, çka ka pasur ai dëshirë qysh e vazhdojmë ne jetën më tutje. Nganjëherë po e vazhdoj mirë, por nganjëherë po ndihem edhe e dobët”, rrëfen ajo.

    Sabiana tregon se në fëmijërinë e tij, Emiri ishte shumë energjik, andaj me sugjerimin e mësueses, vendosën ta regjistronin në sportin e karatesë, në mënyrë që atë energji ta shkarkojë diku.

    “Emiri ka qenë një fëmijë shumë i gjallë derisa ka qenë fëmijë, bile edhe në shkollën fillore, mësuesja e tij Ikballja, shpesh me thirrke të më tregojë që Emiri po bën probleme, që është i gjallë, por me kohë edhe mësuesja e tij e kuptoi natyrën e tij dhe unë më shumë u merresha me atë, mandej e angazhoja në karate, sepse ai kishte shumë energji”, rrëfen ajo.

    Duke rrëfyer momentin më të vështirë në jetën e saj, me lot në sy, Sabiana tregon se ditën që e pa djalin e saj të vdekur, ajo e thërriste “çohu”, sepse nuk e besonte dot që ai tashmë kishte ndërruar jetë./atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Jetësohet iniciativa parë për themelimin e Qendrës Rajonale-Ballkanike

    ​Jetësohet iniciativa parë për themelimin e Qendrës Rajonale-Ballkanike

    Pasur parasysh nevojën për një qendër nacionale të trajnimit dhe certifikimit të punëtorëve, Oda Ekonomike e Kosovës ka realizuar një varg takimesh me palë relevante për jetësimin e iniciativës për themelimin e Qendrës Rajonale për Trajnime dhe Certifikime, e cila gjendet në Ferizaj.

    Meqë Oda Ekonomike e Kosovës është anëtare dhe njëkohësisht udhëheqëse e Forumit Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor (CIF), kryetari i OEK-ut Lulzim Rafuna pas takimeve të bordit menaxhues të CIF, ka inicuar themelimin e qendrës rajonale-ballkanike të trajnimeve dhe certifikimeve, me bazë në Ferizaj.

    Në njoftim thuhet se kryetari Rafuna realizoi takim me nënkryetarin e Ferizajit Lulzim Aliu si vazhdimësi e takimeve me kryetarin e Komunës së Ferizajit Agim Aliu, për mbështetje për marrje në shfrytëzim të Qendrës së Trajnimeve në Greme.

    “Ky vendim me të gjithë partnerët mbështetës vendor dhe ndërkombëtar do të finalizohet në takimin e radhës së bordit menaxhues të Odave të Ballkanit Perëndimor. Kjo qendër do të shërbejë për të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, për të trajnuar dhe certifikuar punëtorët e ndërmarrjeve që janë pjesë e këtyre ekonomive. Kjo do të ndikonte në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, qoftë aspektin e edukimit, ekonomik dhe atë social”, thuhet në njoftim.