ATV

Blog

  • Serbia rrezikon liberalizimin e vizave

    Serbia rrezikon liberalizimin e vizave

    Komisioni Evropian ka pranuar se është i shqetësuar për ekzistimin e disa procedurave të lehtësuara për dhënien e shtetësisë të huajve nga ana e vendeve, të cilat gëzojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

    Në këtë mënyrë, sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian, personat nga vendet e treta fitojnë mundësinë që të shmangin procedurat e Schengenit për t’u pajisur me viza dhe paraqesin edhe rrezik për sigurinë e vendeve të BE-së. Në mënyrë të veçantë Komisioni përmend Serbinë, e cila ka pasur një skemë të tillë.

    “Komisioni ka një shqetësim të përgjithshëm për versionet e ndryshme të skemave të dhënies së shtetësisë, siç është procedura e thjeshtëzuar për dhënien e shtetësisë pas një periudhe të shkurtër qëndrimi. Kjo mund të paraqesë rrezik publik dhe të sigurisë për BE-në, pasi Serbia gëzon lëvizje pa viza në BE. Komisioni do t’i monitorojë politikat e tilla të natyralizimit dhe dhënies së shtetësisë nga ana e shteteve që kanë liberalizim vizash në kuadër të mekanizmave për suspendimin e vizave”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

    Ai, po ashtu, ka theksuar se politika e vizave e vendeve fqinje ka një ndikim të madh në lëvizjen e imigrantëve drejt Bashkimit Evropian.

    “Në rastin e Serbisë, përshtatja me regjimin e vizave të BE-së është e rëndësishme për të vazhduar përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash. Serbia ka bërë një hap të rëndësishëm në përshtatjen e regjimit të saj të vizave me atë të BE-së. Komisioni inkurajon Serbinë që t’i vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim për të pasur një përshtatje të plotë”, ka thënë Komisioni Evropian.

    Edhe më herët nga qarqet diplomatike në BE janë dëgjuar Kritika ndaj Serbisë për heqjen e vizave për disa shtete të treta. Kryesisht kjo është bërë për shtetet, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës apo e kanë tërhequr një njohje të tillë. Disa shtete të BE-së kanë raportuar rritje të shpejtë të numrit të imigrantëve ilegalë dhe azilkërkuesve pikërisht nga këto shtete.

    Ndër vendet prej nga vijnë më së shumti migrantët janë përmendur Burundi, Kuba dhe Tunizia.

    Shtetas të këtyre vendeve kanë hyrë në Serbi pa viza dhe nga atje kanë kaluar në territorin e BE-së. Serbia është detyruar t’ua kthejë vizat këtyre shteteve sepse ishte kërcënuar se BE-ja do të suspendojë liberalizimin e vizave për Serbinë që është në fuqi që nga viti 2009.

    Por, vërejtje BE-ja u ka dërguar edhe disa vendeve të tjera të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë.

    Një shqetësim tjetër për BE-në është edhe skema e ashtuquajtur “pasaportat e arta” përmes së cilave disa vende të rajonit u japin shtetësi atyre që investojnë shuma të caktuara në këto vende. Skema të tilla kanë pasur edhe disa vende anëtare të bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian është shprehur se ato janë ilegale sipas ligjeve të BE-së. Prandaj Komisioni Evropian kërkon edhe nga vendet e rajonit që të përmbahen nga skema të tilla.

    “Komisioni vazhdimisht u ka rekomanduar partnerëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që t’i japin fund, apo të përmbahen nga vendosja e skemave ‘shtetësi për investitorët’, që njihet me termin ‘pasaportat e arta’, pasi ato paraqesin një varg rreziqesh për rendin publik dhe sigurinë e BE-së. Në veçanti këto skema u mundësojnë qytetarëve të vendeve të treta që të marrin shtetësinë e një vendi që gëzon liberalizimin e vizave dhe në këtë mënyrë të fitojnë mundësinë për lëvizje pa viza në BE”, ka thënë një zëdhënësi i Komisionit Evropian.

    Disa diplomatë të vendeve të BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se liberalizimi i vizave është bërë për t’u ndihmuar qytetarëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor për të udhëtuar në vendet e BE-së, e jo për të mundësuar keqpërdorime me qëllime politike apo financiare për qeveritë e vendeve të rajonit.

    “Duhet të punojmë së bashku që të evitojmë shndërrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një derë për hyrje ilegale në BE”, ka thënë një zyrtar i BE-së.

    Komisioni Evropian vazhdimisht monitoron zbatimin e kritereve për liberalizim e vizave nga ana e vendeve të rajonit.

    Përshtatja me regjimin e vizave të BE-së është një prej kushteve, në të cilat Brukseli insiston gjithnjë e më shumë. Në rast të refuzimit të vendeve të rajonit për t’i përmbushur kriteret, edhe pasi të ndodhë liberalizimi, BE-ja mban të drejtën për të suspenduar liberalizimin e vizave.

    Deri tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë, por në BE thonë se vendet e rajonit nuk do të duhej të rrezikonin me heqjen e liberalizimin për qytetarët e tyre për përfitime politike apo financiare.

  • Rusia arreston një ish-punonjës të Ambasadës së SHBA-së

    Rusia arreston një ish-punonjës të Ambasadës së SHBA-së

    Robert Shonov, i identifikuar si një ish-punonjës i Ambasadës së SHBA-së në Rusi, është arrestuar në qytetin rus të Vladivostok dhe u akuzua për konspiracion, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass.

    Raporti nuk identifikoi kombësinë e tij, megjithatë, Vedant Patel, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, u tha gazetarëve në një konferencë të hënën se, ai e kishte parë raportin, por se “nuk kam asgjë shtesë për të ofruar në këtë moment”, përcjell klankosova.tv.

    Tass, duke cituar një zyrtar anonim të zbatimit të ligjit, tha se Shonov akuzohej për “bashkëpunim mbi baza konfidenciale me një shtet të huaj ose organizatë ndërkombëtare ose të huaj”.

    Ai është dërguar në burgun Lefortovo në Moskë, dhe nuk është caktuar data e gjyqit.

    Mbajtja në izolim është e zakonshme në Lefortovo, një burg famëkeq i sigurisë së lartë, të burgosurit e të cilit aktualisht përfshijnë Evan Gershkovich, korrespondenti i Wall Street Journal i cili u akuzua për spiunazh në mars, akuza që punëdhënësi i tij dhe zyrtarët amerikanë i kanë mohuar fuqishëm.

    Është gjithashtu vendi ku Paul Whelan, një ish-marins amerikan, i cili po vuan një dënim 16-vjeçar për ato që Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë akuza të sajuara për spiunazh, u mbajt për 20 muaj deri në gjyqin e tij në 2020.

    Ai tani është në një punë të detyruar kampi disa qindra milje larg.

  • Shabani: LDK e PDK kanë zgjedhur mënyrën e gabuar për ta lënë të gabojë Albin Kurtin

    Shabani: LDK e PDK kanë zgjedhur mënyrën e gabuar për ta lënë të gabojë Albin Kurtin

    Gazetari dhe analisti, Zekirja Shabani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se opozita kanë zgjedhur mënyrën e gabuar për ta lënë kryeministrin Kurti të gabojë gjatë udhëheqjes së këtij të fundit.

    Ai tha se Kurti i kontrollon të gjitha ato ministri që i përmbushin kërkesat e votuesve të vet dhe në rast se gabon, sipas Shabanit, Kurti e ka mundësinë me e rikuperua gabimin për shkak se opozita nuk e ndalon.

    “Opozita, edhe LDK edhe PDK kanë zgjedhë një mënyrë të gabuar për me e lanë me gabu Albin Kurtin. Albin Kurti ka ardhur në pushtet duke mos e pasur në dispozicion asnjë mekanizëm të shtetit për me i kontrollu masat edhe për me ndiku te votuesit e vet. Albin Kurti, tash që i ka Ministrinë e Financave, të Punës, të Infrastrukturës, krejt ato ministri që i plotësojnë nevojat e qytetarëve, i përmbush kërkesat e atyre votuesve të vet të atij 51%, është shumë zor me gabu, por edhe nëse gabon, e ka mundësinë me e rikuperua atë gabimin e vet për shkak se opozita nuk e ngucë”, tha Shabani. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Kurti: Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik ndonjëherë

    ​Kurti: Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik ndonjëherë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Projektligji për Fondin Sovran së shpejti do të miratohet në Qeveri.

    Me deputetë të partisë së tij, aktivistë e ekspertë, Kurti ka diskutuar të martën për atë që ai e ka quajtur bërthama e sovranitetit ekonomik të vendit.

    “Projektligji që tashmë ka kaluar edhe konsultimet publike, shpejt do të miratohet në Qeveri. Sot në sallën 506 të mbushur plot, para deputetëve të grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aktivistë e ekspertë të pavarur, së bashku me anëtarë të kabinetit të qeverisë, e përkrah anëtarëve të grupit punues për hartimin e koncept-dokumentin, në krye me profesorin Besnik Pula dhe grupin punues juridik të drejtuar nga koordinatorja Rrezarta Pllana, prezantuam e diskutuam për atë që do të jetë bërthama e sovranitetit tonë ekonomik”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ai ka thënë se ndërmarrjet publike do të bartën nga Qeveria në Fond, çka sipas tij do të rrisë mundësinë e investimeve.

    “Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare”, ka thënë Kurti.

  • “28% investime kapitale në Prishtinë, është dështim”, Zogaj: Ka qenë vit i vështirë, kam edhe shpjegim pse!

    “28% investime kapitale në Prishtinë, është dështim”, Zogaj: Ka qenë vit i vështirë, kam edhe shpjegim pse!

    Gazetari dhe analisti, Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi se komuna e Prishtinës ka realizuar vetëm 28% investime kapitale vitin e kaluar, shifër kjo që sipas tij është një dështim për komunën.

    “Më shumë kishte larë borxhe se sa që ka bërë investime kapitale Përparim Rama. E pash në krahasim me vitin e kaluar, diku dy milionë borxhe të lame i kish sivjet, prej 5.7 milionë në 3.7 milionë, ndërsa investimet kapitale i ka 28 për qind me mesatare rreth 2% në muaj. Më e përmbyllë vitin në Prishtinë me 28% investime kapitale, është dështim total. Po thonë Albinit nuk po i thotë ‘puna e mbarë kurrkush, por as Përparim Ramës nuk i ka thënë ‘puna e mbarë” askush vitin e kaluar”, tha Hamidi.

    Pas këtyre fjalëve ka reaguar nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, i cili tha se viti i kaluar ka qenë një vit i vështirë për Prishtinën.

    “Ka qenë vit i vështirë dhe i japë shpjegimet pse ka qenë vit i vështirë. Kemi gjetur 20 e kusur milionë euro kontrata të bllokuara në organin shqyrtues të prokurimit”, tha Zogaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Zogaj: Të hyrat vetanake të komunave janë vetëm të komunave

    Zogaj: Të hyrat vetanake të komunave janë vetëm të komunave

    Nënkryetar i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, foli edhe njëherë për propozimin e Qeverisë për Ligjin Mbi Ndarjet Buxhetore, në të cilin ishte paraparë që të hyrat vetanake të komunave të mos barten prej vitit në vit.

    “Për herë të par që prej pasluftës, në 20 vietet e fundit, propozohet diçka që është antikushtetuese që është për të hyrat vetanake të komunave. Kjo është një kategori e veçantë ku mbledhin të hyra nga taksat, kryesisht në pronë por edhe në ndërtim e infrastrukturë etj, dhe këto janë ekskluzivisht të hyra të komunave, edhe kushtetuta e garanton. Për herë të parë u propozua nga Qeveria që këto të hyra vetanake mos me u bartë më prej vitit në vit, por me shku në fond të Kosovës. Ne reaguam, thamë kjo është totalisht e papranueshme, është antikushtetuese dhe nuk guxon të preken të hyrat vetanake të komunave”, tha Zogaj.

    Sipas tij, të hyrat vetanake të komunave janë vetëm të komunave.

    “Është granti qeveritar tjetër që ata munden me e ndalë dhe Qeveria e ndal në qoftë se nuk shpenzohet deri në fund. Por të hyrat vetanake në qoftë se nuk shpenzohen, barten prej një viti në vitin tjetër. Kësi soji edhe reagimi i GP të LDK-së Kuvendin e Kosovës, andaj pat një pajtim pas debateve, pat një pajtim që kanë të drejtë GP i LDK-së, u votua me u heq ai nen amendament ku thotë të hyrat vetanake të komunave barten ne fondin e Kosovës dhe pastaj prej fondit të Kosovës shpërndahen”, shpjegoi ai. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Zogaj: Ka shumë prona të Komunës së Prishtinës që janë të uzurpuara, duhet ndihmë nga Prokuroria dhe Policia

    Zogaj: Ka shumë prona të Komunës së Prishtinës që janë të uzurpuara, duhet ndihmë nga Prokuroria dhe Policia

    Nënkryetar i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ka shumë prona që vazhdojnë të jenë të uzurpuara për vite të tëra, të cilat janë pronë e Komunës së Prishtinës.

    “Ne kemi edhe prona të komunës së Prishtinës të cilat janë të uzurpuara, me vite e vite të tëra dhe për të cilat kemi një qasje të njëjtë sikur për pronat e Ministrisë së Bujqësisë, ato të AKP-së dhe të institucioneve të tjera”, tha Zogaj.

    Ai tha se nuk i takon vetëm Komunës së Prishtinës që të merret me këtë temë, por u duhet ndihmë edhe nga Prokuroria dhe Policia.

    “Kjo nuk i takon vetëm Komunës së Prishtinës me u marrë me këtë temë, por është temë me të cilën duhet me u marrë edhe nivele më të larta dhe duhet ndihmë edhe prej prokurorisë edhe prej policisë me i liru pronat dhe me i kthy te pronarët e vet. Ne po e kërkojmë këtë ndihmë edhe për pronat e Komunës së Prishtinës”, tha Zogaj.

    Ai përmendi se në Zonën Industriale ka shumë prona që janë uzurpuar të cilave ende nuk iu është bërë ndonjë zgjidhje.

    “Ka prona të komunës së Prishtinës krejt në Zonën Industriale. Ka prona e prona të uzurpuara vite e vite përpara të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje. Ka qira mbi qira, ka biznese të shumta të cilat sot funksionojnë aty e që janë në prona publike të kohës së më parshme”, theksoi Zogaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • “Uzurpimi” i pronave në qendër të Prishtinës, Besian Mustafa i bënë thirrje prokurorisë që të merret më seriozisht me këtë temë

    “Uzurpimi” i pronave në qendër të Prishtinës, Besian Mustafa i bënë thirrje prokurorisë që të merret më seriozisht me këtë temë

    Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i cili njëherësh ishte edhe ministër i Bujqësisë, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për pronat në qendër të Prishtinës, për të cilat dje ministri aktual i Bujqësisë Faton Peci kishte denoncuar se ato po përdoren kundërligjshëm.

    “Ka qenë një raport i tërë i auditorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës për këtë temë dhe shumë tema të tjera. Me to jemi marrë në mënyrë intensive. Kryesisht, shumica dërmuese për mos të thënë të gjitha, këto prona janë në menaxhimin dhe pronësinë e Institutit Bujqësor të Kosovës, aty është edhe gjeneza e këtij problemi dhe strumbullari i gjithë këtij keq menaxhimi, prandaj në bashkëpunim edhe me auditorin e përgjithshëm edhe me prokurorin e shtetit, jam marrë me këtë temë”, tha Mustafa.

    Ai tha se për këto prona, do të duhej ta kishte më të qartë prokuroria se sa vet Ministria e Bujqësisë.

    “Ministria e Bujqësisë e ka të qartë se kujt i ka dhënë kontratën për qiradhënie, nëse ka pasur ndonjë mandej ndonjë uzurpim të hapësirave ose keq menaxhim në kuptimin e zgjerimit të atyre hapësirave ose ndërrimit të planit arkitekturor, pastaj natyrisht që me ligj merret prokuroria me këto raste. Jemi marrë edhe ne”, tha Mustafa.
    Ai tha se i bashkëngjitet ministrit Peci për t’i bërë thirrje prokurorisë që të merret seriozisht me këtë temë.

    “Zotri Peci ka vazhduar ato përpjekjet tona, ka dërguar me një nivel tjetër sepse është tepër gjatë aty, tani ka kaluar gati dy vite e gjysmë dhe pjesën tjetër, i bashkëngjitëm atij dhe kujt do që prokuroria të merret seriozisht me këto tema”, u shpreh Mustafa. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Volejbollistja Venera Kadriu la Amerikën për vendlindje dhe e shpalli Dritën kampion!

    Volejbollistja Venera Kadriu la Amerikën për vendlindje dhe e shpalli Dritën kampion!

    Sa herë që vendlindja e saj ka nevojë për të, Venera Kadriu e len Amerikën dhe vjen luan Voljeboll për qytetin e Gjilanit.

    Së fundmi skuadra e këtij qyteti, Drita, u shpall Kampione në Superligën e Kosovës, ku Venera ishte aty për ti mbrojtur ngjyrat bardhë e kaltër duke qene volejbollistja më e mirë e skuadrës.

    Venera për ATV ka treguar fillimet e saja në sportin e Volejbollit, dhe ndjenjën që ka kur luan për skuadrën e Dritës.

    “Unë merrem me volejboll që gati 13 vite. Kam filluar të luaj volejboll prej moshës 11 vjeçare. Kjo ka lind si pasion I imi për të qenë sportiste edhe më ka pëlqyer shumë sporti i volejbollit”, tregon ajo.

    Venera përveç se luan për Dritën, ajo po ashtu mbron ngjyrat e kombëtares së Kosovës dhe është e gatshme sa herë që vendi e thërret.

    “Pas përfundimit të lojërave amerikane në volejboll, Drita kishte nevojë për një pranuese tjetër dhe unë me Lorik Ilazin e shtjelluam këtë plan dhe vendosa që të vijë në klubin KV Drita që ta ndihmojë të shpallet kampion”, tha Kadriu.

    Kujtojmë që Venera Kadria përveç titullit Kampion ajo ndihmoi Dritën edhe me trimufu në Kupën e Kosovës. /atvlive.tv

  • Ministri Peci inspekton nisjen e vaksinimit nga ajri kundër tërbimit të kafshëve të egra

    Ministri Peci inspekton nisjen e vaksinimit nga ajri kundër tërbimit të kafshëve të egra

    Vaksinat kundër tërbimit të kafshëve duhej të shpërndaheshin me aeroplan.

    Për këtë projekt ishte përgatitur edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, por, për shkak të kushteve klimatike fluturimi s’qe i mundur.

    “Ky aktivitet ka për synim shpërndarjen e vaksinave për kafshët e egra, me synim që të kujdesemi për aspektin shëndetësor të kafshëve, por njëkohësisht përveç aspektit shëndetësor edhe parandalimin e mundësisë së shpërndarjes së sëmundjeve, qoftë kafshët e egra, por edhe kafshët shtëpiake. Krejt kjo është në funksion të rritjes së angazhimit tonë, si institucione për të ruajtur shëndetin publik, qoftë për qytetarët, por edhe për kafshët”, tha Peci.

    Ai foli edhe për vendet ku do të shpërndahen këto vaksina.

    “Vaksinat shpërndahen në shumicën e territorit të Republikës së Kosovës, kryesisht në zonat malore, kodrinore-malore, por edhe të kullosave, nuk përfshihen zonat ku ka lumenj, ose ku ka liqene dhe si total objektivi është shpërndarja e 250 mijë vaksinave”, tha Peci.

    Vaksinat kundër tërbimit të kafshëve janë të sigurta dhe s’paraqesin rrezik për shëndet të njerëzve apo të kafshëve, bazuar në përshkrim të prodhuesit të vaksinës.

    “Për AUV-in, ky projekt është shumë i dobishëm dhe AUV i bën të gjitha përpjekjet që këtë sëmundje ta ketë nën kontroll. Aktivitete të cilat zhvillohen për këtë sëmundje janë vaksinimi vjetor i tërbimit të kafshëve shtëpiake, gjithashtu me këtë projekt vaksinohen edhe kafshët endacake”, tha Bafti Murati nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

    Projekti do të duhej të zgjaste 6 ditë, por varet edhe nga moti, derisa financohet nga Komisioni Evropian. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: