ATV

Blog

  • Presidentja Osmani sot feston ditëlindjen

    Presidentja Osmani sot feston ditëlindjen

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot feston ditëlindjen e 41-të.

    Osmani ka lindur më 17 maj 1982 në Mitrovicë.

    Kujtojmë se, Osmani është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në pesë mandate. Më 4 prill të vitit 2021, Osmani është zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca pritet të jetë publike

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca pritet të jetë publike

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë edhe të mërkurën.

    Kjo seancë do të fillojë nga ora 09:00, derisa seanca pritet të jetë publike.

    Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

    Pas më shumë se dy vjetësh në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

    Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

    Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me vranësira dhe intervale të lehta me diell në disa zona të caktuara, ndërsa gjatë pasditës pritet të ketë reshje shiu.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 20 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 17 gradë Celsius.

    Ndërkohë në Shqipëri do të ketë mot kryesisht me intervale të lehta me diell ku temperaturen minimale do e ketë Korça me 6 gradë Celcius, ndërsa ajo maksmiale do të jetë në Berat me 23 gradë Celcius./atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • 17 Maji- Dita ndërkombëtare e hipertensionit

    17 Maji- Dita ndërkombëtare e hipertensionit

    17 maji shënon ditën ndërkombëtare të hipertensionit, e cila ka një përhapje të gjërë në mbarë botën, ku çdo vit shënon 1.9 milion të vdekur.

    Problemi më i madh që haset në lidhje me këtë sëmundje është se shumica e personave që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut nuk janë në dijeni të saj.

    Hipertensioni paraqet simptoma si dhimbje koke, marramendje, pagjumësi, etje, dobësi muskulore dhe humbje ekuilibri. 40% e të sëmurëve me tension rrezikojnë të pësojnë hemoragji cerebrale dhe 16% e tyre infarkt në zemër.

    Liga Botërore e Hipertensionit ka iniciuar Ditën Botërore të Hipertensionit që nga viti 2005 duke patur si qëllim: Rritjen e ndërgjegjësimit për shkaqet dhe pasojat e presionit të lartë të gjakut.

    Dhënien e informacionit sesi të parandalojmë presionin e lartë të gjakut dhe komplikacionet e lidhura me të.

    Inkurajimin për të rritur kontrollin ndaj presionit të lartë të gjakut dhe për të ndjekur këshillat e profesionistëve të kujdesit shëndetësor.

    Inkurajimin e vetëkujdesit për të parandaluar presionin e lartë të gjakut.

    Matjen e presionit të gjakut nga të gjithë.

    Nxitjen nga autoritetet kombëtare dhe lokale për të krijuar mjedise që mundësojnë sjellje të shëndetshme.

  • Caktohet masa e paraburgimit për pesë të dyshuar për shtytje në vepra terroriste

    Caktohet masa e paraburgimit për pesë të dyshuar për shtytje në vepra terroriste

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për pesë personat të cilët ishin arrestuar nën dyshimin për veprat penale “shtytje për kryerjen e veprave terroriste” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.B, L.B, B.V, A.S dhe A.H e ka aprovuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, është bërë e ditur në njoftimin e Gjykatës Themelore.

  • Arrestohen tre të rinj në Fushë-Kosovë, të dyshuar për rrëmbim në tentativë

    Arrestohen tre të rinj në Fushë-Kosovë, të dyshuar për rrëmbim në tentativë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre të  dyshuar në Fushë Kosovë, për veprën “rrëmbim në tentativë”.

    Sipas një njoftimi nga Policia, bëhet e ditur se të dyshuarit janë: G.M, mashkull 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, E.C, mashkull 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe  D.Xh mashkull 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

    Tutje, Policia, njoftoi se aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke kryer veprimet e nevojshme procedurale, ndërkohë që personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.

     

  • Veliaj: Ky është mandati im i fundit në bashkinë Tiranë

    Veliaj: Ky është mandati im i fundit në bashkinë Tiranë

    Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është mandati i tij i fundit në bashkinë Tiranë.

    I njëjti ka treguar edhe për ndryshimet që ai dëshiron t’i bëjë gjatë këtij mandati.

    “Bashkia e re do të jetë tek Bulevardi i ri. Vendim i gjykatës për kopshtin botanik, shkollat i kemi në proces, do të marrim një vendim për vendosjen dizajnin e Gjykatës së Lartë, kemi dy grupe finaliste”.

    Ndërsa një nga arritjet e qeverisjes së tij deri tash, Veliaj e konsideron dhjetë fishimin e taksës për ndërtuesit.

    “10 fishuam taksën për ndërtuesin. Unë s’po them që shijon taksa, ka hequr spekulantë nga tregu. Ai ishte një treg bizare, çdo lloj zdromsi që s’merrte vesh fare mjaft të kishte lidhje me një kryebashkiak hapte gropë, 100 mijë leja, bëmë 10 fishim të shumës, ai nuk e bën më me lek xhepi, kur taksa shkon 10 fish, kur merr nga banka është banka që siguron, është formalizuar, ikën këta amatorë, ka vetëm ndërtues vërtet, vetëm ata që dinë të bëjnë”, tha tutje.

    Kryebashkiaku Erion Veliaj të martën zyrtarisht ka fituar mandatin e tretë në Bashkinë e Tiranës.

    Ai e mposhti bindshëm kundërshtarin e tij të “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi.

    Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, i ka fituar 158 mijë e 688 vota, derisa Këlliçi mori 100 mijë e 351 vota. /tch

  • Çfarë po pret BE-ja nga raundi i dytë i zgjedhjeve në Turqi, flet Borrell

    Çfarë po pret BE-ja nga raundi i dytë i zgjedhjeve në Turqi, flet Borrell

    Shefi i politikës së jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, e ka mirëpritur procesin zgjedhor që u zhvilluar në Turqi të dielën e javës së kaluar.

    Ai, me anë të një cicërime në Tëitter, ka deklaruar se BE-ja e pret edhe rezultatin nga zgjedhor që do të bëhet nga raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Turqi.

    “Pjesëmarrja e lartë në zgjedhjet e përgjithshme në Turqi tregoi përkushtimin e popullit turk ndaj institucioneve demokratike”.

    “BE-ja e pret me padurim raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 28 maj”, ka thënë Borrell.

    Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor (YSK) në Turqi, Ahmet Yener, duke njoftuar rezultatet e para jozyrtare dje, tha se në raundin e parë të votimit asnjë kandidat presidencial nuk arriti të kalonte pragun e kërkuar prej 50 për qind, me çka Erdogan, kandidat i përbashkët i Aleancës Popullore dhe Kemal Kılıçdaroglu, kandidati i cili u radhit i dyti, do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve më 28 maj.

    Yener njoftoi se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e djeshme ishte 88,92 për qind, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve turq jashtë vendit ishte 52,69 për qind.

    Ai po ashtu njoftoi se në zgjedhjet e djeshme Erdogan radhitet i pari duke fituar 49,51 për qind të votave, ndërsa Kılıçdaroglu fitoi 44,88 për qind të votave. Sinan Ogan nga Aleancës ATA mori 5,17 për qind, ndërsa Muharrem Ince, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në fund të javës së kaluar pasi fletëvotimet ishin shtypur, mori 0,44 për qind.

    Miliona votues iu drejtuan kutive të votimit të dielën për të zgjedhur presidentin e vendit dhe 600 deputetët e parlamentit turk.

    Më shumë se 64,1 milionë njerëz kishin të drejtë vote, duke përfshirë mbi 1,76 milionë që votuan jashtë vendit dhe 4,9 milionë persona që votuan për herë të parë.

    Gjithsej 192.214 kuti votimi u vendosën për votuesit në vend.

    Çdo votues kishte mundësi të hedh dy vota, një për presidentin dhe një për 600 vendet e parlamentit, të cilët do të shërbejnë për një mandat 5-vjeçar.

  • SHBA-ja sërish kritika Qeverisë që s’po e zbaton vendimin për Manastirin e Deçanit

    SHBA-ja sërish kritika Qeverisë që s’po e zbaton vendimin për Manastirin e Deçanit

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e vitit 2022 për Liritë Fetare.

    Në raportin për Kosovën, ka kritika të mëdha ndaj vendit, ku thotë ndër të tjera se Qeveria e Kosovës sërish ka dështuar në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që i njihte Kishës Ortodokse Serbe pronësinë e tokës rreth Manastirit të Deçanit.

    Në këtë raport përmendet se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) ka kritikuar zyrtarët e lartë të qeverisë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, që kundërshtonin meritat e vendimit të gjykatës duke i cilësuar si “politikisht të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”.

    “Qeveria përsëri dështoi në zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që i njihte KOS-it pronësinë e tokës rreth Manastirit të Deçanit. KOS kritikoi vërejtjet e zyrtarëve të lartë të qeverisë, përfshirë Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, që kundërshtonin meritat e vendimit të gjykatës si ‘politikisht të papërgjegjshme dhe të rrezikshme’”, thotë mes tjerash ky raport.

    Më tej, përmendet edhe rasti i muajit qershor 2022 kur “policia pengoi klerin e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) të kryente një liturgji me rastin e Ngjitjes së Shenjtë Ortodokse në kishën e kontestuar Krishti Shpëtimtar”.

    Në pjesën për myslimanët, raporti thotë se disa shkolla vazhduan të zbatonin një direktivë të qeverisë që ndalonte veshjen fetare, duke ua mohuar kështu qasjen në shkollë nxënëseve myslimane që mbanin hixhab.

    “Pati gjithashtu raporte për diskriminim ndaj grave myslimane që mbanin veshje fetare në punë publike dhe private”, thekson raporti i DASh-it.

    Po ashtu, në raport janë trajtuar edhe ankesat e Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës (KPEC), përfaqësuesit e Dëshmitarëve të Jehovait dhe laikët, të cilët “thanë se mungesa e mbështetjes institucionale për vendet e dedikuara të varrimit i pengonte ata të kryenin shërbimet e varrimit sipas bindjeve të tyre”.

    DASh-i përmend edhe rastin e korrikut 2022 ku tre persona sulmuan imamin e fshatit Lupç në xhaminë e tij në Podujevë, duke shtuar se policia arrestoi tre personat e dyshuar për tentativë vrasje.

    Më tej, thuhet se KOS-i është ankuar se “në shtator një individ ndaloi një autobus nga Serbia me pelegrinë, duke përfshirë fëmijë, pastaj u bërtiti pelegrinëve dhe vendosi një flamur të Kosovës në xhamin e përparmë të autobusit”.

    Po ashtu, “përfaqësuesit e Unionit të Tarikateve të Kosovës (UKT) raportuan shqetësime rreth antisufizmit dhe portretizimeve negative në media”.

    Raporti tregon se në polici janë raportuar 64 incidente që për cak kishin objektet fetare – 42 myslimane, 21 të KOS-it dhe një katolik – në nëntë muajt e parë të vitit 2022.

    “KOS-i raportoi raste të vandalizmit kundër kishave të saj, duke deklaruar se disa ishin të motivuara fetarisht dhe etnikisht dhe duke ia atribuuar ato retorikës politike anti-serbe”.

    Sipas këtij raporti, zyrtarët e ambasadës amerikane kanë vazhduar të inkurajojnë qeverinë që të miratojë legjislacionin që lejon grupet fetare të fitojnë status ligjor, të zbatojë mekanizmat për të mbrojtur lirinë e fesë, të zbatojë ligjet dhe vendimet gjyqësore që kanë të bëjnë me objektet fetare të KOS-it dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet pronësore të KOS-it.

    “Ambasadori dhe përfaqësues të tjerë të ambasadës diskutuan çështjet e lirisë fetare, duke përfshirë mbrojtjen e barabartë dhe shqetësimet e të drejtave pronësore, me udhëheqës fetarë dhe të shoqërisë civile dhe inkurajuan tolerancën fetare dhe përmirësimin e dialogut ndërfetar”.

    “Në mars, ambasada organizoi një diskutim ndërfetar me udhëheqës fetarë – i pari që përfshin udhëheqës nga komunitetet Tarikat, Bektashi dhe Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (Kisha e Jezu Krishtit) – mbi pluralizmin fetar, dialogun ndërfetar, mbrojtjen të drejtave dhe lirive individuale, si dhe ndryshimet ende në pritje të ligjit për lirinë fetare”.

    Përmbledhja ekzekutive e raportit përfundon duke përmendur se ambasadori amerikan ka vizituar objektet fetare të KOS-it dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për të mbajtur marrëdhënie pozitive dhe dialog me liderët fetarë për të promovuar lirinë universale fetare pa diskriminim.

  • Kaq është numri i popullsisë shqiptare në Serbi sipas regjistrimit të fundit

    Kaq është numri i popullsisë shqiptare në Serbi sipas regjistrimit të fundit

    Regjistrimi i popullsisë dëshmoi se pakica kombëtare shqiptare në Serbi është diskriminuar në 12 vjetët e fundit, thotë kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në këtë vend, Ragmi Mustafi.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se rezultatet përfundimtare të regjistrimit të vitit 2022, treguan se shqiptarët në këtë vend janë pakica e katërt më e madhe kombëtare.

    Ndryshe nga të dhënat e regjistrimit të vitit 2011, që tregonin se në Serbi jetojnë gjithsej 5.809 shqiptarë, të dhënat e regjistrimit të fundit tregojnë se popullsia e këtij komuniteti përbëhet prej 61.687 banorësh.

    Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin e mëparshëm, andaj edhe nuk dihej numri real i tyre.

    Vendimi për bojkotim ishte marrë pasi formularët për regjistrim ishin shtypur vetëm në gjuhën serbe, me alfabet cirilik.

    Si arsye shtesë, përfaqësuesit e shqiptarëve përmendën problemet e pazgjidhura dhe obligimet e paplotësuara të shtetit të Serbisë në zonën ku jetojnë ata.

    Por, përfaqësuesit e shqiptarëve bënë thirrje për regjistrim në procesin që u organizua nga autoritetet e Serbisë, vitin e kaluar.

    Mustafi thotë se numri i pjesëtarëve të pakicave kombëtare përcakton dhe ndikon drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave të tyre.

    “Në rastin e pakicës kombëtare shqiptare në Serbi, kjo nënkupton pjesëmarrjen e duhur të shqiptarëve në organet dhe institucionet shtetërore, përkatësisht përfaqësimin e tyre proporcional në polici, gjyqësor, arsim, shëndetësi, doganë, ndërmarrje publike… gjë që nuk po ndodh tani”, thotë Mustafi.

    Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, prej vitesh, ankohen për diskriminim, por autoritetet serbe e mohojnë një gjë të tillë.

    Para fillimit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, paralajmëroi për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, ku edhe jeton numri më i madh i shqiptarëve.