ATV

Blog

  • Mustafa: Kurti e ka pranuar edhe asociacionin edhe vetmenaxhimin

    Mustafa: Kurti e ka pranuar edhe asociacionin edhe vetmenaxhimin

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri Kurti ka pranuar, me marrëveshjen e arritur në Bruksel, të përfunduar në Ohër, ka pranuar edhe Asociacionin, edhe vetmenaxhimin e komunave me shumë serbe.

    “Kryeministri mund të shtrojë teza teorike para opinionit, mirëpo kryeministri i ka pranu të dyja. Kryeministri e ka pranu edhe vetmenaxhimin, e ka pranuar edhe Asociacionin. Kryeministri është përbetuar që do të zbatojë pikën 10 të marrëveshjes, në të cilën thuhet se do të implementohen të gjitha marrëveshjet që janë arritë përpara”, tha Mustafa.

    Mustafa tha se Kurti do të zbatojë edhe pikën 7 për vetmenaxhimin sepse ai ka shprehur edhe gatishmëri që ta nënshkruajë edhe marrëveshjen e shkurtit dhe planin e zbatimin e Ohrit. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Zhvillimet politike në Serbi, indirekt ndikojnë në procesin e dialogut

    Zhvillimet politike në Serbi, indirekt ndikojnë në procesin e dialogut

    Në dy ditët e ardhshme Serbinë e presin dy protesta të mëdha.

    Të premten, Vuçiq do t’i mbledhë përkrahësit e tij, si përgjigje ndaj protestës së të shtunës, e cila është organizuar nga opozita, kundër tij.

    “Mund të jetë njëra prej protestave më të mëdha. Opozita synon t’i mbledhë 1 milionë protestues”, tha Belgzim Kamberi nga instituti “Musine Kokalari”.

    Vuçiq e ka përmendur edhe çuarjen e vendit në zgjedhje. Në rast se ato mbahen, kjo mund të ndikojë edhe në procesin e dialogut me Kosovën.

    “Mbajtja e zgjedhjeve në Serbi, mund të ndikojë në vonesa për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”, tha Kamberi.

    Zgjedhjet mund t’i konvenojnë Vuçiq it, për disa arsye.

    “Vuçiqit i konvenon të mbahen zgjedhje. I ikë presionit për Marrëveshjen e Ohrit, fiton mandat tjetër”, tha njohësi i çështjeve politike, Bekim Kabashi.

    Përmes protestës së të shtunës, e cila për moto ka “Serbia kundër dhunës”, kërkohet shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe mbyllja e dy televizioneve të cilat përkrahin pushtetin e Vuçiqit. /atvlive.tv

  • Varhely thotë se Kosova e Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesë

    Varhely thotë se Kosova e Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesë

    Kosovës i është bërë me dije edhe nga një tjetër zyrtar i lartë evropian se duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e se nga normalizimi i raporteve me Serbinë do të përfitonte i tërë rajoni.

    Komisioneri Evropian për Zgjerim, Olivier Varhelyi, gjatë vizitës në Prishtinë ka theksuar që Kosova e Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesë.

    Varhely pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se Kosova duhet të vazhdojë me reforma sidomos në fushën e drejtësisë, duke theksuar se duhet të vazhdohet lufta kundër krimit të organizuar.

    “Të gjitha palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që janë dakorduar, përfshirë ato të viteve 2013 e 2015, dhe atë për themelimin e Asociacionit. Duhet luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova është në fazë të hershme sa i përket adresimit të këtyre çështjeve. Kosova është vend strategjik për tërheqjen e bizneseve, por për këtë duhet krijuar kushtet e volitshme”, tha Varhely.

    Komisionieri Evropian është pritur në takim edhe nga kryeministri Kurti. Ai ka përmendur edhe rastet e dhunës dhe presioneve ndaj mediave, duke kërkuar që të ndalen.

    Ndërkohë, në konferencën për media është bërë e ditur se Bashkimi Evropian do të financojë programin për sundim të ligjit në vlerë prej 6.5 milionë eurosh.

    Qëllimi i këtij programi sipas njoftimit të Komisionit Evropian është përshtatja e mëtejme e veprimeve të Kosovës në forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar me standardet e BE-së, i cili pritet të zbatohet në një periudhë kohore prej tre vjetësh. /atvlive.tv

  • Trotuaret në Prishtinë shërbejnë për parkim të taksive, qytetarët rrezikojnë jetën duke ecur në rrugë

    Trotuaret në Prishtinë shërbejnë për parkim të taksive, qytetarët rrezikojnë jetën duke ecur në rrugë

    Një muaj më parë komuna e Prishtinës ka nisur projektin “Rruga e fëmijëve”, me qëllim që qytetarët të lëvizin lirshëm, pa u penguar nga veturat.

    Por me leje të këtij institucioni, qytetarëve po u vështirësohet lëvizja. Taksitë të cilat janë të licencuara nga komuna me lehtësi parkohen në trotuare, e ketë e kanë të rregulluar edhe me shenjë të komunikacionit.

    “Shumë e pengojnë, pos taksive këtu po parkohen edhe veturat e tjera. Na detyrohemi me ecë në rrugë. Komuna po e bën këtë qysh po i shkon për qefi”, tha Ilir Mustafa, qytetar.

    “Me i hjek normal që ish bo ma mirë, se s’po kemi ka me kalua, e kjo për qytetarët e Prishtinës po pengon shumë”, tha Fisnik Zeka, qytetar.

    Këtë problem përgjegjësit në kryeqytet thonë se e kanë trashëguar, por janë në proces të riorganizimit të parkingjeve për taksitë.

    “Plani i Mobilitetit, të cilin e kemi trashëguar, parasheh një rregullim të tillë të mobilitetit, ku njëri krah është planifikuar të jetë vendparkim për taksi, ndërsa krahu tjetër është në dispozicion të kalimtarëve, pra hapësirë për këmbësorë. Gjithsesi tani jemi në proces te riorganizimit të vendparkimeve për taksi, andaj në këtë rast do ta shohim se ky organizim të cilin e kemi trashëguar, a është i duhuri apo jo”, ishte përgjigja e drejtorit të Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu.

    Ndërkaq, pronarët e taksive për ta parkuar veturën e tyre në trotuar paguajnë 160 euro çdo tre muaj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Pak deputetë, shtyhet rezoluta e PDK-së për shkarkimin e ministres Hajdari

    Pak deputetë, shtyhet rezoluta e PDK-së për shkarkimin e ministres Hajdari

    Pas debatit disaorësh për gjendjen në Ministrinë e Industrisë e Tregtisë, propozim-rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës, për shkarkimin e ministres së këtij dikasteri, nuk arriti të hidhej fare në votim, shkaku i numrit të ulët të deputetëve të pranishëm në sallë.

    “Shihemi ndonjë ditë tjetër kur t’iu lajmëroi”, u tha krye parlamentari, Glauk Konjufca.

    Pavarësisht kësaj, kërkesa për shkarkim duhet të merret si e mirëqenë, sipas deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.

    “Në njërën anë dënohet për mosdeklarim të pasurisë dhe në anën tjetër bën dëme kaq të mëdha, në kuadër të kësaj ministrie është plotësisht legjitime”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

    Dorëheqjen e ministres e kërkuan edhe deputetë të tjerë.

    “Ministre, shko në shtëpi dhe liroje edhe këtë parlament edhe veten”, tha deputeti i PDK-së, Elmi Reçica.

    “Ne e kishim në greminë rezervën shtetërore… Unë kam ndalë klientelën tuaj në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë”, tha ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.

    Përplasjes mes partisë më të madhe opozitare e asaj në pushtet vazhduan edhe më tej.

    “PDK-ja asnjëherë nuk e ka menaxhuar atë ministri. Njëherë po, por e pati dërguar Mimozën dhe ktheu për te PAN, shihe veten ku je kanë”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    “E vërteta është që ju nuk më keni dërguar. Unë kam qenë një herë ministre në jetën time, ministre e Tregtisë dhe Industrisë e dërguar nga AKR-ja”, tha deputetja e LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Por kritika pati edhe nga partitë e tjera.

    “E dini edhe ju që vetë fjalës së vet nuk i besoi, se nuk ka çka të mbrojë, se vetë ka qenë ministre e kësaj Ministrie dhe mendoj se kot edhe në fjalimin e saj bëri të qeshura”, tha deputeti i PDK-së, Pal Lekaj.

    “Dështoi në çdo fushë në menaxhim, në strategji e shumë ushtrues detyre në këtë ministri. Nuk ka vizion për mbrojtjen e ndërmarrësisë dhe tregtisë”, tha deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku.

    Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që kjo rezolutë të tërhiqet nga PDK-ja, pasi nuk ka bazë kushtetuese. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryetari i Zveçanit betohet në bibliotekën e shkollës në Boletin

    Kryetari i Zveçanit betohet në bibliotekën e shkollës në Boletin

    Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të betimit të kryetarit të ri të Zveçanit, Policia shtoi praninë në krye dhe përgjatë rrugës që shpie në tri fshatrat e banuara me shqiptarë në këtë komunë.

    Në vend të sallës së Kuvendit Komunal, për këtë solemnitet kryetari i ri Ilir Peci shfrytëzoi shkollën e fshatit të tij – Boletin.

    Në bibliotekën e shkollës fillimisht u betuan asamblistët e rinj.

    Funksionalizimi i Kuvendit Komunal i hapi rrugë betimit të kryetarit Peci.

    Kryesuese u zgjodh Selvete Kelmendi e PDK-së.

    Destinacion i parë udhëheqësisë së re komunale ishte Kulla e Isa Boletinit.

    Por, për këtë s’ishte njoftuar familja Boletini, e cila u habit kur pa kamerat në oborrin e saj.

    Pikërisht aty, kryetari Peci mbajti konferencën e parë për medie.

    “Unë porsa e mora postin si kryetar komune, ju njoftoj se të gjithë do të punojmë për të gjithë, do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Zveçanit”, tha Peci.

    Por pyetja e parë, nga një gazetar serb, s’i pëlqeu Pecit.

    Vendosja me zyrë ose jo në ndërtesën zyrtare të komunës në Zveçan, tha se s’është në dorën e tij.

    “Kjo nuk është çështje që varet prej meje, është Qeveria e Republikës së Kosovës, ajo qysh të vendosë”, tha Peci.

    Shumë pyetje nuk morën përgjigje.

    Objekti zyrtar i Komunës së Zveçanit, sikur edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok, shfrytëzohet nga strukturat ilegale të Serbisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, betohet në sallën e arsimtarëve

    Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, betohet në sallën e arsimtarëve

    Këta nxënës të shkollës fillore në Bistricë, të enjten mësimin e përfunduan para kohe.

    Kështu, objekti i shkollës “Kadri Bistrica” u rezervua për procesin e betimit të kryetarit të Leposaviqit.

    Në sallën e arsimtarëve, u bë konstituimi i Kuvendit Komunal, që i mundësoi betimin kryetarit Lulzim Hetemi.

    Siguria ishte arsyeja që ky solemnitet nuk u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal, por në fshatin e thellë me banorë shqiptarë.

    “Ashtu siç na kanë thënë Ministria e Pushtetit Lokal dhe Qeveria, për shkaqe sigurie”, tha Hetemi.

    Në pyetjen se kur do të vendoset në zyrën e tij për ta ushtruar detyrën, kryetari i ri u përgjigj shkurt.

    “Kur nuk e dimë, por sipas të gjitha gjasave është afër dita kur kemi me shku në Komunë”, tha Hetemi.

    Nëse organeve lokale, tashmë të konsoliduara, nuk u ofrohet qasje në objektin e Komunës në Leposaviq, Hetemi paralajmëroi zgjedhje të reja.

    “Mundemi, mundemi, nëse nuk mundemi na shkojmë në zgjedhje apet”, tha Hetemi.

    Deri atëherë, kryetari që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, funksionin do ta ushtrojë në zyrën për komunitete, që gjendet në oborrin e kësaj shkolle.

    Ndërkaq, Dragana Miletiq u zgjodh nënkryetare e komunës së Leposaviqit.

    “Do të angazhohemi të gjithë së bashku për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”, tha nënkryetarja e Leposaviqit, Dragana Miletiq.

    Për të siguruar mbarëvajtjen, në oborrin e shkollës dhe përreth u panë forca të shtuara të policisë. Derisa, procesi i betimit të kryetarit që doli nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, u monitorua edhe nga ndërkombëtarët. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kërkohet shkarkimi i dekanes së Fakultetit të Mjekësisë

    Kërkohet shkarkimi i dekanes së Fakultetit të Mjekësisë

    Asistentët në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës kërkuan të enjten shkarkimin e Dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu.

    Madje, këtë kërkesë e kanë dorëzuar edhe në organet më vendimmarrëse të UP-së.

    Ata po pretendojnë se Manxhuka-Kërliu ka në plan të avancojë në pozitën e profesorit, disa asistentë me të cilët ka lidhje të afërta.

    “17 emra pretendohen të avancohen në konkursin që pritet të hapet, të cilët janë klientë të dekanes…”, tha Artan Ahmeti, asistent në Fakultetin e Mjekësisë.

    Drilon Vela thotë se dekania Kërliu ka bërë edhe një varg shkeljesh të tjera në punë.

    “Në këtë situatë sigurisht që jemi të obliguar t’i ftojmë për ligjshmëri Fakultetin e Mjekësisë, e që më tepër tash kemi një komunikatë zyrtare nga UP, ku shumë qartë thuhet se procesi mësimor po realizohet në kundërshtim të këshillit drejtues. Me vendimin e shtimit të numrit të grupimeve nënkupton rritjen dhe fondin e profesorëve, domethënë bëhet fjalë për një varg shkeljesh, nuk po respektohet asnjë rregullore e UP-së…”, tha Drilon Vela, asistent në UP.

    Madje, ata kanë kërkuar nga organet e hetuesisë të nisin hetime për keqpërdorim të pozitës.

    “Kemi kërkuar nga krimet ekonomike të Policisë së Kosovës të zbarkojnë në Fakultetin e Mjekësisë për të gjitha këto parregullsi dhe këto keqpërdorime të pozitës që po i bën dekania vite me radhë”, tha Sokol Krasniqi, asistent në UP.

    Por vetë dekania e Fakultetit nuk ka qenë e qasshme për mediat, lidhur me akuzat ndaj saj.

    Lidhur me këtë situatë, ne provuam të kontaktojmë edhe dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë së UP-së, por nuk ishte i qasshëm.

    Asistentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë bërë të ditur se nëse kërkesa e tyre për shkarkimin e dekanes nuk merret parasysh, atëherë do të organizojnë edhe protesta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dëmtohet këndi i lojërave në “Lakërishtë”, banorët e lagjes: Të rriturit po i dëmtojnë lojërat

    Dëmtohet këndi i lojërave në “Lakërishtë”, banorët e lagjes: Të rriturit po i dëmtojnë lojërat

    Dëmtimet e këndit të lojërave në lagjen Lakërishtë të Prishtinës, nuk janë bërë nga fëmijët.

    Sipas banorëve të kësaj lagje, të rriturit janë ata që po i dëmtojnë ato, duke pamundësuar kështu hapësirë për të vegjlit.

    “Këto janë për neve, për fëmijët tonë, për të mirën tonë. Nuk është hera e parë, ka dy herë që i kanë vjedhë ulëset. Këtu afër është shkolla, këtu hedhin cigare, kuti dhe pije”, tha Rrustem Kaçuri, qytetar.

    Prindërit kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës ta rregullojë këtë pjesë pasi, sipas tyre, fëmijët nuk po kanë ku të luajnë.

    “Është shumë shqetësuese sepse në kohën time nuk ka pasë kësi këndi të lojërave. Unë nuk e di se si dëmtohet diçka që është për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë”, tha Sadete Islami, qytetare.
    “Është shumë keq për shkak se fëmijët kanë kaluar ditën këtu, por tani të gjitha janë dëmtuar dhe nuk kanë ku të luajnë”, tha një tjetër qytetare.

    Megjithatë, gjatë së enjtes Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë ndonjë përgjigje se si do të veprohet karshi kësaj problematike. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryetari i Zubin-Potokut betimin e bëri tjetërkund, po punën thotë se do ta bëjë në komunë

    Kryetari i Zubin-Potokut betimin e bëri tjetërkund, po punën thotë se do ta bëjë në komunë

    Betimin si kryetar e bëri në vendlindje.

    Por, punën si kryetar, i zgjedhuri për ta drejtuar Zubin-Potokun, Izmir Zeqiri, është optimist se do ta kryejë në zyrat e komunës, rreth 10 kilometra nga shtëpia e tij.

    “S’do të thotë sot apo nesër, mirëpo do të shkojmë në komunë të Zubin-Potokut, të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti im”, tha Zeqiri.

    Zeqiri thotë se do të jetë kryetar i të gjithëve pa dallim, derisa ftoi qytetarët e komunitetit serb që t’i bashkohen kabinetit të tij.

    “Uroj që në kabinetin tim shumicën e dikastereve t’i drejtojnë profesionistë të shumicës serbe, ashtu edhe se si i kemi raportet etnike, po flas këtu na si pakicë, unë uroj që një shumicë të dikastereve t’i drejtojnë serbët”, tha Zeqiri.

    Nuk dihet nëse serbët do ta pranojnë ofertën e tij, por Zeqirit në seancën e betimit nuk i shkuan as asamblistët shqiptarë, të cilët në politikë i ka kundërshtarë.

    Me zgjedhjen e kryetarit të ri, banorëve u është kthyer shpresa që dikush do të punoj për ta, megjithëse se janë të vetëdijshëm se është goxha e vështirë.

    “Besoj që me punë do t’ia dalë, shpresoj që e ka me pasë përkrahjen edhe të institucioneve qendrore, presim prej kryetarit se edhe e kemi bashkëvendas edhe është një prej atyre që i dinë të gjitha hallet e banorëve”, tha njw banor.

    Madje, nuk kursejnë as fjalët e mira për të.

    “Prej urës së ibrit e deri në Siqevë, ma djalë i sjellshëm nuk ka, kërkush nuk mundet me u anku në të”, tha Hakif Kamberi, qytetar.

    Zeqiri që në zgjedhjet e 23 prillit doli fitues në garën me kandidatin nga Vetëvendosja, pritet ta udhëheqë komunën për një gjysmë mandati. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: