ATV

Blog

  • AGK dënon sulmin ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan

    AGK dënon sulmin ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një reagimi në faqen zyrtare në facebook, ka dënuar sulmin ndaj ekpes së ATV-së që ndodhi sot në Zveçan.

    “Mëngjesin e sotëm, vetura e ATV-së ka qenë cak i sulmit nga protestuesit serbë. Në fotografitë dërguar AGK-së, shihet se i janë shpërthyer gomat veturës me qëllim të pengimit të raportimit. Kjo situatë me të cilën po përballën gazetarët është tejet shqetësuese, dhe po rëndohet çdo herë e më shumë, pasi ata po vazhdojnë të jenë target i protestuesve serbë”, thuhet në reagim.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë kolegëve gazetarë, kameramanë, fotoreporterë dhe shoferët e ekipeve të tyre, që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në rast nevoje t’i drejtohen për ndihmë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë prezent atje.

  • KFOR-i shton prezencën në Leposaviq, ushtarët amerikanë hynë në oborrin e komunës

    KFOR-i shton prezencën në Leposaviq, ushtarët amerikanë hynë në oborrin e komunës

    KFOR-i ka shtuar prezencën në Leposaviq.

    Gazetari i ATV-së nga vendi ngjarjes raporton se trupat amerikane tashmë kanë hyrë në oborrin e komunës së Leposaviqit.

    Kujtojmë se gjatë ditës së sotme në Leposaviq, kanë vazhduar t’i sulmojnë gazetarët, ku raportohet se janë sulmuar tri vetura të mediave të ndryshme, dy prej tyre media të Shqipërisë.

    AGK-ja, u ka bëre thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve. /atvlive.tv

  • ​Borrell: Kosova t’i pezullojë operacionet policore, e serbët protestat në veri

    ​Borrell: Kosova t’i pezullojë operacionet policore, e serbët protestat në veri

    Gjendja e tensionuar në veri të Kosovës, ka nxitur reagimin e shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka kërkuar nga autoritetet e kosovare t’i pezullojë operacionet policore rreth objekteve të komunave në veri të Kosovës.

    Borrell të martën në një konferencë për media ka bërë thirrje që edhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen.

    “Bashkimi Evropian dënon ashpër dhunën në veri të Kosovës që e kemi parë ditët e fundit. Veprimet e dhunshme ndaj qytetarëve, ndaj mediave, ndaj forcave të rendit dhe trupave të KFOR-it janë absolutisht të papranueshme dhe sjellin një situatë shumë të rrezikshme. Ne, Bashkimi Evropian, qëndrojmë fuqishëm prapa KFOR-it të NATO-s në përmbushjen e mandatit të saj në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Sot në mëngjes kam kontaktuar sërish me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe gjatë natës me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. U kërkova të dyja palëve që urgjentisht të marrin masa për të ulur tensionet menjëherë dhe pa kushte, dhe çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm duhet të shmanget dhe të rivendoset qetësi. Si hap i parë, do të prisja që autoritetet e Kosovës të pezullojnë operacionin policor me fokus në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, dhe protestuesit e dhunshëm të largohen dhe ne do të vazhdojmë të angazhohemi me dy liderët”, theksoi Borrell.

    Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell se BE-ja pret që palët ta vazhdojnë dialogun.

    Borrelli konfirmoi se po punohet që të organizohet një takim urgjent i nivelit të lartë për dialog.

    “Bashkimi Evropian pret që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri që garanton qetësi dhe siguri për të gjithë qytetarët dhe për të hapur rrugën për zbatimin e marrëveshjes së re në rrugën drejt normalizimit. Për këtë jam duke punuar në organizimin e një takimi urgjent të dialogut të nivelit të lartë… Nuk duhet të ketë dhunë, ka pasur shumë dhunë, tashmë kemi shumë dhunë në Evropë, nuk mund të përballojmë një konflikt tjetër. Shpresoj se zëri im do të dëgjohet dhe njerëzit do të sillen në përputhje me këtë kërkesë”, theksoi ai.

    Ai më tej theksoi se zëvendës sekretari i tij i përgjithshëm për Siguri dhe Mbrojtje, Charles Fries është në Kosovë, dhe së bashku me misionin për sundimin e ligjit EULEX si reaguesi i dytë i sigurisë do të përgjigjen për situatën në terren.

  • ​Dëshmitari i 7-të tregon kur shkoi në shtabin në Kukës dhe si takoi Shalën

    ​Dëshmitari i 7-të tregon kur shkoi në shtabin në Kukës dhe si takoi Shalën

    Dëshmitari i shtatë i ZPS-së kundër Pjetër Shalës gjatë dhënies së dëshmisë të tij para Gjykatës Speciale se në muajin maj të vitit 1999, kishte arritur në shtabin, në Kukës dhe se aty e kishte takuar Pjetër Shalën. Madje sipas dëshmisë së tij, në ditën e dytë të qëndrimin në këtë lokacion, ai edhe kishte luajtur me letra me Shalën.

    Derisa dëshmitari me kodin numër 1, po i përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ai përshkruaji se si dukej magazina ku ai kishte qëndruar.

    Prokurori: A mund t’ia përshkruash trupit gjykues se si dukej ky vend

    Dëshmitari: Shtabi i kanë pas zyrat si të hyjsh tek rampa në anën e majtë kanë qenë zyrat dhe në dhomat çka kanë pas në dytin kat nuk kam qenë. A në fund të fundit atje ka qenë kuzhina në anën tjetër të majtë. Në anën tjetër kanë qenë dhomat ku kam qenë unë i mbyllur. Pasi ma kanë ndërruar vendin në anën e djathtë kam qenë dhoma ku kam qenë unë i mbyllur

    Prokurori i specializuar kërkoi të di më shumë informacione se çfarë kishte bërë dëshmitari në ditën e dytë të qëndrimit në këtë magazinë.

    E dëshmitari tha se atë ditë kishte qëndruar me Pjetër Shalën, me një polic ushtarak dhe po ashtu një polic tjetër ku në mbrëmje edhe kanë luajtur letra.

    Prokurori: Çfarë bëtë ditën e dytë a ju kujtohet

    Dëshmitari: Ditën e dytë kemi ndejt me të njëjtit njerëz me Pjetrin janë kanë edhe një i policisë ushtarake dhe një polic tjetër dhe kah mbrëmja kemi luajtur edhe letra.

    Prokurori: Dhe atë ditë ditën e dytë a ke qenë në gjendje të lëvizësh lirisht aty brenda shtabit, shembull me dal prej magazinës në oborr, a ke mund të lëvizësh lirshëm atë ditë

    Dëshmitari: Ishin kanë duke verifikuar për ne e ne se kemi ditur

    Më pas, prokurori i ZPS-së,Minicis pyeti dëshmitarin e shtatë se gjatë qëndrimit të tij a kishte parë persona tjerë krahas atyre që i përmendi.

    Dëshmitari deklaroi se kishte parë një person nga Drenica, i cili qëndronte në magazinën e ushqimit, dhe në ditën e tretë kishte parë edhe tre romë.

    Dëshmitari: Po i kam parë këta që janë marr me magazinën tjetër të ushqimit ka qenë një i Drenicës… dhe një tjetër qysh ka qenë

    Prokurori i specializuar, Filippo De Minicis tutje për magazinën ku kishte qëndruar dëshmitari, dhe duke dhënë detaje dëshmitari i shtatë u shpreh se poshtë magazinës ka qenë një ordinacë e vogël mjekësore dhe zyrat e komandantëve.

    Ndërsa, në katin e dytë u shpreh se nuk e di se çka ka pas pasi nuk ka qenë aty.

    Për t’i freskuar kujtesën dëshmitarit lidhur me të dhënat shtesë për herën e parë që i ka parë këta persona, ZPS kërkoi që të përdorej deklarata e tij e mëhershme, por që më pas seanca kaloi në sesion privat.

    Ndërsa, trupi gjykues qysh në nisje të dhënies së dëshmisë së dëshmitarit të shtatë të ZPS-së kundër Pjetër Shala tregoi se dëshmia e këtij dëshmitari do të jetë kryesisht e mbyllur për publikun.

    Derisa, dëshmitari po e jep dëshminë e tij nga salla e gjyqit, Pjetër Shala këtë dëshmi kundër tij po e dëgjon përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

    Shala i njohur si komandat “Ujku” po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./KP

  • Vazhdojnë negociatat mes Listës Serbe dhe KFOR-it në Leposaviq

    Vazhdojnë negociatat mes Listës Serbe dhe KFOR-it në Leposaviq

    Anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Slavko Simiq dhe ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, kanë biseduar me komandantin e KFOR-it amerikan, të cilit sërish ia kanë përcjellë kërkesat që njësiti special i Policisë së Kosovës të tërhiqet dhe kryetari i sapozgjedhur Lulzim Hetemi të largohet nga ndërtesa e komunës, ku ndodhet që nga dje.

    Todiq theksoi se serbët e mbledhur para ndërtesës së komunës nuk duan asnjë incident, por vetëm “duan të sigurohen që të punojnë pa probleme në institucionet e tyre”.

    “Jeta në Leposaviq është paralizuar, ata kanë ardhur këtu me përdorimin e forcës. Ata duhet të shkojnë, që ne t’i kthehemi jetës normale,” i tha Todiq komandantit të KFOR-it amerikan, i cili zëvendësoi kontingjentin italian para komunës së Leposaviqit.

  • AGK: KFOR dhe ndërkombëtarët nuk po u ofrojnë mbrojtje gazetarëve, tjetër sulm ndaj tyre

    AGK: KFOR dhe ndërkombëtarët nuk po u ofrojnë mbrojtje gazetarëve, tjetër sulm ndaj tyre

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për shkak të një tjetër sulmi ndaj gazetarëve, kësaj here në Komunën e Zveçanit, pasi një veturë e mediumit ekipit të televizionit Kanal 10 është dëmtuar.

    Sipas AGK-së, këto sulme në drejtim të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë po intensifikohen, ndërsa ata vazhdojnë të raportojnë në kushte shumë të rënda.

    “Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë. Teksa kjo rëndohet edhe më shumë, kur atyre nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR, dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit”, thuhet në njoftim.

    AGK-ja, u ka bëre thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve.

    Gazetarët e ndryshëm edhe në komunën e Leposaviqit janë sulmuar derisa kane qenë duke raportuar për gjendjen aktuale që është duke ndodhur atje.

  • Vendosen tela me gjemba afër objektit të Komunës së Zveçanit

    Vendosen tela me gjemba afër objektit të Komunës së Zveçanit

    Ushtarët e KFOR-it kanë vendosur telat me gjemba afër objektit të Komunës në Zveçan.

    Aktualisht situata është e qetë.

    Ushtarët e KFOR-it kanë krijuar barrikadë afër objektit të komunës.

  • Milosavljeviq: Protestat në veri po zhvillohen të qeta, nesër do të jenë masovike

    Milosavljeviq: Protestat në veri po zhvillohen të qeta, nesër do të jenë masovike

    Sergjan Milosavljeviq, ish-kryesues i Kuvendit Komunal në Zveçanin, ka thënë para mediave se protestat po zhvillohen të qeta por sipas tha ai dikush sikur po donë t’i tensionojë ato.

    Ai ka përsëritur kërkesat për mosardhjen e kryetarëve të ri një objektet e komunave dhe tërheqjen e forcave të policisë nga veriu.

    Milosavljeviq potencoi edhe lirimin e menjëhershme të të arrestuarve të protestës së djeshme, derisa paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodhë, nesër do të ketë protesta edhe më masovike në të gjitha komunat e veriut.

  • MPB-ja mohon se ka marrëveshje për tërheqjen e policisë nga Zveçani

    MPB-ja mohon se ka marrëveshje për tërheqjen e policisë nga Zveçani

    Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës mohoi raportimet e disa mediave në Serbi se protestuesit serbë në veri të Kosovës dhe misioni i NATO-s, KFOR, kanë arritur marrëveshje për tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Zveçani.

    Sipas marrëveshjes së pretenduar, protestuesit e ndaluar një ditë më parë, do të lirohen po ashtu.

    “Lajmi që ka dalë në media se ka marrëveshje mes protestuesve dhe KFOR-it, nuk qëndron”, thanë nga MPB-ja për REL-in.

    Më 29 maj u arrestuan pesë të dyshuar për dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në komunën e Zveçanit.

  • ​KOK-u reagon në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për mesazhin provokues të Gjokoviq

    ​KOK-u reagon në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për mesazhin provokues të Gjokoviq

    Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka dërguar sot ankesën në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në lidhje me mesazhin provokues dhe politik të tenistit serb, Novak Gjokoviq.

    Gjokoviq, vazhdoi dhe dje me provokimet e tij politike, duke shkruar mesazhe me propagandë pro-serbe “Kosova është zemra e Serbisë, ndaleni dhunën”.

    Me këtë rast, KOK ka kërkuar sot nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON/IOC), që të marrë masa ndaj Gjokoviqit për mesazhet e vazhduara politike në dëm të një vendi të pavarur dhe anëtar i IOC-ut, siç është Kosova.

    “Gjokoviq promovoi sërish propagandën e nacionalistëve serbë dhe përdori platformën sportive për ta bërë këtë. Po ashtu, deklaratat e mëtejshme të bëra nga një personazh i tillë publik pa asnjë ndjenjë pendimi, rezultojnë drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të tensionit dhe dhunës mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në fillim të reagimit.

    KOK një kopje të reagimit ia ka dërguar edhe Fedearatës Ndërkombëtare të Tenisit.

    “Si presidenti i KOK-ut, e ndjej për obligim të ngris shqetësimet e mia dhe ju kërkoj që të reagoni në emër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, pasi këto mesazhe dhe veprime janë të rrezikshme për të ardhmen e sportit, nëse mbesin pa u ndëshkuar. Sipas Kartës Olimpike (parimi themelor 5), siç u përmend më lart, organizatat sportive në kuadër të lëvizjes olimpike do të zbatojnë neutralitetin politik dhe duke pasur parasysh se ITF është Federatë Ndërkombëtare e njohur nga IOC, unë me respekt kërkoj që IOC të reagojë në kuadër të saj dhe t’i kërkojë ITF-së të hetoj çështjen duke hapur procedurë disiplinore kundër sportistit”, thuhet më tej në reagimin e dërguar nga presidenti Krasniqi, për presidentin e IOC-ut, Thomas Bach.

    “I nderuari president, ajo që ndodhi në ‘French Open’, përceptohet si shkelje e parimeve sportive dhe e shpirtit olimpik, si një shkelje e Kartës Olimpike. Pavarësisht se Gjokoviq është një nga tenistët më të mirë, një sjellje e tillë e përsëritur nuk mund të tolerohet, pasi krijon një precedent të rrezikshëm që sporti mund të përdoret si një platformë për mesazhe politike, agjenda dhe propagandë. Unë me të vërtetë shpresoj që IOC të ngrit zërin në emër të sportit dhe të tregoj edhe një herë, siç e keni treguar gjithmonë, se sporti nuk mund të përdoret për mesazhe dhe agjenda politike dhe ju falënderoj paraprakisht për vëmendjen që do të rezervoni për këtë çështje”, shkruan në fund të reagimit të të parit të KOK-ut.

    Mesazhi i djeshëm i Gjokovoqit, nuk ishte i pari, pasi i njëjti kishte bërë deklarata të tilla politike në ngjarje të ndryshme të tenisit.