Ngjarjet e fundit në veri të vendit dhe reagimi i sotëm i ambasadorit amerikan Jeffery Hovenier, për përjashtimin e Kosovës nga pjesëmarrja në stërvitjet “Defender Europe 2023”, në emisionin CONTEXT në ATV, shkaktoi përplasje mes analistëve Bekim Kabashi dhe Xhevdet Pozhari.
“Kërkesa eksplicite e ambasadorit amerikan ka qenë që ata kryetarë të mos udhëheqin nga objektet e komunave”, i tha Kabashi – Pozharit.
“Bekim, tregom kush duhet me shku në qato ndërtesa dhe pse mbahen zgjedhjet e lira”, pyeti Pozhari. /atvlive.tv
Deputeti i VV-së, Dimal Basha, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se ndërkombëtarët duhet të mësohen që të mos i trajtojnë kosovarët si klasë e tretë.
Ai mori shembull reagimin e euro deputetes, Viola Von Cramon, e cila iu ishte drejtuar policëve të Kosovës me “çka dreqin po lypni këtu”, në vizitën e saj në veri të vendit.
“Unë nuk thash për shembull të atyre, por është në interes tonin me e shtri sovranitetin me e ndihmu komunitetin serb atje. A e patë kjo euro deputetja, vjen këtu edhe shkon te policia e Kosovës, Viola Von Cramon, edhe “shka dreqin keni lyp këtu”. Edhe ti ndalesh edhe mendoj mos rastësisht ministri i jonë e ka bërë komandante të policisë. Ky është mentalitet i keq i evropianëve që vijnë e na shohin si klasë e tretë. Ajo mundet me ardhë, është mike e Kosovës, dorën në zemër na ndihmon në shumë sende. Por këtë qasje duhet me kuptu ajo, që mundem me kanë i varfër, por e kam njëfarë dinjiteti. Fukara jam, po çka tash a me ta dhanë shpirtin a? Po me kë shpëtu, po me kë shpëtu, të dua shumë, po çka po do prej meje? Jo po shka po lyp policia e jote këtu, po a ty me tu përgjigj unë ku rrin policia?”, u shpreh Basha. /atvlive.tv
Novak Djokovic është sportisti më i urryer në botë sipas kryetarit të Federatës së Tenisit të Kosovës, Jeton Hadergjonaj.
Në një intervistë në “Direkt”, ai ka thënë se tenisti serb e vuan se nuk mund të jetë si legjendat Federer dhe Nadal dhe se nuk e ka simpatinë e tyre.
“Djokovic tregoi fytyrën e tij pse është sportisti më i urryer në botë, sepse nuk ka simpati nga publiku edhe pse është një sportist i madh. Ai nuk ka arritur kurrë të jetë si Federer dhe si Nadal dhe kjo e prenë ata se ‘pse nuk jam unë si ata, pse nuk më dojnë mua si ata. Me sjelljet e tij, Ai e ka treguar se ka mungesë të karakterit të tij”, ka thënë Hadergjonaj.
Deklaratat dhe sjelljet e Djokovicit në ndeshjen e fundit ku shkroi për Kosovën janë bërë shkas që Federata e Tenisit e Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës të dërgojnë ankesë në organet ndërkombëtare.
Si pasojë e përleshjeve që ndodhën të hënën në komunën e Zveçanit, mes ushtarëve të KFOR-it e protestuesve serbë, vlerësohet se u lënduan rreth 50 protestues.
Sipas drejtorit të spitalit të Mitrovicës së Veriut, Zlatan Elek, tre prej tyre janë në gjendje më të rëndë.
Nga ata 52, tre meritojnë vëmendjen më të madhe, ndër ta është Dragisa Galjak, i cili ka dy plagë me armë zjarri, njëra në pjesën e gjysmës së majtë të legenit dhe tjetra në pjesën e gishtit tregues të dorës së majtë. Ai është i plagosuri më i rëndë dhe aktualisht ndodhet në reanimacion dhe mjekët po luftojnë për jetën e tij, edhe pse ndërhyrja kirurgjikale ka përfunduar”, tha Zlatan Elek, drejtor i spitalit në Mitrovicë e Veriut .
Megjithatë, sipas qytetarëve që panë përleshjet nga afër, numri i të lënduarve dyshohet të jetë më i madh.
Sidoqoftë, në mesin e të lënduarve nuk pati vetëm protestues. Sipas një njoftimi për media nga Misioni i NATO-s në Kosovë, si pasojë e përleshjeve të së hënës në Zveçan u lënduan rreth 30 ushtarë të KFOR-it, 19 nga kontingjenti i Hungarisë, ndërsa 11 nga ai i Italisë.
Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri, Aleanca veri-atlantike, NATO, ka dislokuar forca shtesë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Këto ngjashmëri janë vërejtur te disa nga protestuesit serbë në Zveçan, të cilët të hënën edhe ushtruan dhunë fizike ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Me kapelat e ngjashme identifikohen pjesëtarët e grupit të tifozëve të futbollit në Serbi, i njohur si grupi i Veljko Belivuk, grup për të cilin javë më parë shkroi edhe New York Times.
Në artikullin e gazetës amerikane ishte cituar se gjatë një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, Veljko Belivuk kishte thënë se banda e tij ishte organizuar “për nevojat dhe me urdhër të presidentit Aleksandër Vucic”.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se kush është përgjegjës as për shkrimet e simbolit “Z” në veturat e Policisë, KFOR-it e të mediave.
Sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, qasja e kufizuar e institucioneve në veri e bën më të vështirë identifikimin dhe ndjekjen e grupeve kriminale.
Hulumtimet e QKSS-së tregojnë për një rritje të ekstremizmit etno-politik.
Pjesë e një strategjie, sipas hulumtuesit Shpat Balaj, në identifikimin e grupeve kriminale, do të duhej të ishte ndarja e tyre nga banorët serbë lokalë.
Policia e Kosovës njoftoi në mbrëmjen e së hënës se ka arrestuar 5 persona, që dyshohen se morën pjesë në sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Në Zveçan u nisën për të raportuar për protestat e qytetarëve serbë, por veturës së ekipit të ATV-së me qëllim të pengimit të raportimit iu shpërthyen gomat.
Përveç ATV-së, protestuesit serbë sulmuan edhe me plumba ekipe të shumë mediave të tjera, qoftë nga Kosova qoftë të huaja.
Për sulmet e vazhdueshme dhe të ashpra ndaj gazetarëve, shqetësim ka shprehur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Jemi absolutisht të alarmuar me nivelin e sulmeve ndaj gazetarëve, ekipeve që shkojnë nga Prishtina për të raportuar në tri komunat në veri të vendit. Situata është absolutisht alarmante dhe shqetësuese pasi që gjatë ditës së sotme dhe të djeshme një numër i madh i sulmeve ka ndodhur”, tha kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.
Rexha madje tha se forcat e sigurisë nuk janë duke u ofruar siguri gazetarëve.
“Fatkeqësisht asnjë organ i sigurisë që është i thirrur për të bërë, nuk po bën mjaftueshëm, nuk po bën në fakt as minimumin për të ofruar siguri te gazetarët. Gazetarët të gjithë që shkojnë atje, janë në mëshirën e gjindshmërisë së tyre, për t’iu ikur këtyre sulmeve”, tha ai.
Përveç AGK-së, për siguri për gazetarët kërkuan edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve.
“Gazetarët janë sulmuar dhe automjetet e transmetuesve mediatikë janë vandalizuar në veri të Kosovës. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve t’i mbrojnë gazetarët dhe të sigurojnë se ata mund të raportojnë në mënyrë të sigurt”, thuhet në reagimin nga Federata Evropiane e Gazetarëve.
Për shkak të situatës në veri, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve.
Ndërsa, gazetarëve u është kërkuar që t’u përmbahen instruksioneve të Policisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Ministria e Arsimit nuk ka informata rreth zhvillimit apo jo të procesit mësimor në komunat veriore. Por, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, disa shkolla në atë pjesë nuk janë duke mbajtur mësim.
“Jemi të informuar për situatën në veri, edhe në diskutimet që i kemi bërë në Qeveri. Nuk kemi raport zyrtar për shkollat atje, por kemi informata që në disa shkolla nuk është zhvilluar mësimi. Por për shkak të punës së trashëguar, përkundër angazhimit tonë që t’i përfshijmë këto institucione, ato kanë vazhduar të bëjnë rezistencën, sepse gjithë këto vite nuk kanë qenë të përfshirë në arsim, por vetëm janë përfshirë kur kanë përfituar diçka”, tha Nagavci.
Megjithatë, e para e Ministrisë së Arsimit kërkoi që të gjitha orët e humbura të kompensohen.
“Kompensimi i orëve të humbura është obligim i shkollave, të sigurohet që të mos humbet asnjë orë. Është e ditur që mësimi nuk është zhvilluar, e kemi diskutuar disa herë, e kemi përmendur që kjo ka ndodhur edhe si pasojë interferimeve politike nga prindërit. Shkollat duhet të jenë të angazhuara që nxënësit të mos humbasin asnjë kapitull, atyre ju takon si përgjegjësi”, tha ajo.
Përkundër angazhimit që institucionet arsimore të veriut të përfshihen në sistemin e arsimit në Kosovë, një gjë e tillë nuk është arritur. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
“Nuk mund të lejojmë një konflikt tjetër në Evropë”, theksoi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, duke folur për dhunën dhe tensionet në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në një konferencë me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic, Borrell dënoi, siç u shpreh, “me termat më të ashpër, dhunën ndaj qytetarëve, gazetarëve, forcave të rendit dhe KFOR-it”.
Teksa ritheksoi mbështetjen për KFOR-in në përmbushjen e mandatit për paqe dhe stabilitet në Kosovë, Borrell paralajmëroi mundësinë e një takimi urgjent ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.
“Si hap i parë, pres që autoritetet e Kosovës t’i pezullojnë operacionet policore të fokusuara në ndërtesat komunale në veri të Kosovës dhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen. Kurse ne do të vazhdojmë angazhimin me dy liderët. BE-ja pret që të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri, e cila garanton paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët dhe shtron rrugën për zbatimin e marrëveshjes për shtegun drejt normalizimit. Për këtë, po punoj që urgjentisht të organizoj një takim të nivelit të lartë”, tha Borrell.
I shqetësuar, ai vuri në pah rrezikun e konfliktit që, sipas tij, nuk guxon të ndodhë.
“Nga palët pritet të kontribuojnë për bashkëpunim rajonal të frytshëm dhe për siguri në Evropë dhe për të tejkaluar trashëgiminë e së kaluarës. Ka mjaft dhunë. Ka pasur shumë dhunë. Kemi tepër dhunë në Evropë tashmë, nuk mund të lejojmë një tjetër konflikt. Shpresoj që zëri im do të dëgjohet dhe njerëzit do të veprojnë në pajtim me këto kërkesa”, tha Borrell.
Për shkak të situatës në veri, kryeministri Albin Kurti shtyu pjesëmarrjen në forumin e sigurisë në Bratislavë – GLOBSEC.
“Ka qenë e planifikuar që të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Në një reagim gjatë ditës, NATO-ja dënoi sulmin e paprovokuar në Zveçan, teksa kërkoi që të dyja palët të marrin përgjegjësinë për atë që ka ndodhur dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejmë të situatës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Maturantë nga shumë shkolla të Kosovës u bënë pjesë e garës me biçikleta që u organizua në kryeqytet, në kuadër të edicionit të tetë të revistës shkollore “Siguria në rrugë”.
Sipas organizatorëve, aktivitete si ky kanë filluar të marrin rol edukativ dhe arsimor në vend.
“Diku në vitin 2013 ka filluar edicioni i parë i revistës shkollore “Siguria në Rrugë”. Dhe sot mbushëm 10 vjet të këtyre aktiviteteve jashtë-mësimore, por edhe mësimore, nëpër nivele të ndryshme të shkollave në mbarë Kosovën. Ministria e Arsimit është bashkëpunuese vazhdimisht në të gjitha këto aktivitete, për shkak se ka bërë përzgjedhjen e shkollave në të gjitha aktivitetet”, tha Muhamed Krasniqi nga Akademia “Tempulli”.
Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatqiu, premtoi se në të ardhmen do të ketë shtigje më të përshtatshme për çiklistët.
“Kemi zgjeruar shtigjet e biçikletave, jemi duke punuar në rritjen e sigurisë në to. Sigurisht që ka nevojë më të madhe dhe këtu ku jemi tash në shesh, kemi nevojë për ndryshimet e fundit, të cilat i nevojiten këtij sheshi që të bëhet tamam shesh”, tha nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.
Aktivitete si ky u përkrahën edhe nga Policia e Kosovës.
Si çdo aktivitet tjetër, Policia e Kosovës edhe kësaj radhe do t’i mbështesë pothuajse në të gjitha komunat, përfshirë edhe kryeqytetin me pjesën e ligjërimit nëpër institucione apo shkolla. Fokus kanë qenë klasat e 12-ta, gjë që për ne është me rëndësi, meqë kjo moshë është mosha ku pothuajse shumica prej tyre do ta kenë fatin që t’i nënshtrohen testit të pjesës teorike, apo marrjes së patentë-shoferit”, tha nënkoloneli, Jeton Rexhepi.
Kjo ngjarje u organizua nga akademia “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar për Motorizëm dhe kishte mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Policisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Procesi zgjedhor në veri të vendit kaloi qetësisht, por jo edhe ai paszgjedhor. Shkuarja e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, u përcoll me tensione të shumta, shkaku i kundërshtimeve nga ana e qytetarëve të komunitetit serb.
Andaj vlerësohet se zgjidhja mund të jetë vetëm politike.
“Zgjidhje mund të kemi, por zgjidhja do të jetë politike, gjithmonë me ndërmjetësimin e Brukselit dhe sigurisht do të shkohej në zgjedhje. Ne e kemi pa edhe prej ambasadorëve të huaj që këto zgjedhje, këta kryetarë të komunave janë të përkohshëm me një detyrë teknike, deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha analisti politik, Bekim Kabashi.
Se duhet punuar në javët në vazhdim për zgjedhjet e reja, të hënën e tha edhe eurodeputetja Viola Von Cramon, derisa për tensionet tha se do të mund të parandaloheshin nëse kryetarët nuk do të provonin të hynin në objekte me forcë.
Por, ndryshe mendon politologu Fidan Ukaj, që vlerëson se kryetarët e kanë vendin në komunë e jo nëpër fshatra.
“Ata nuk janë zgjedhur kryetarë të fshatrave, por të komunave dhe vendi ku duhet të ushtrohet ky funksion është kuvendi komunal. Dhe me të drejtë kryetarët e zgjedhur kanë shkuar në vendet e tyre të punës dhe duhet që funksioni i kryetarit të komunës të kryhet nga aty”, tha Ukaj.
Sipas tij, edhe rezistenca e serbëve nuk do të zgjasë shumë, vetëm duhet vendosmëri nga organet kompetente të Kosovës.
“Unë mendoj që mund të ketë një rezistencë në ditët e ardhshme, mirëpo besoj që nëse forcat e rendit do të jenë të vendosura që grupet kriminale që iu prijnë këtyre aksioneve do të arrestoheshin, e qytetarët e vendit do ta pranojnë një realitet të tillë”, tha Ukaj.
Kryetarët e dalë nga zgjedhjet e 23 prillit në 4 komunat veriore të vendit, fituan me një përqindje të vogël të votave të qytetarëve, pasi serbët i bojkotuan zgjedhjet krejtësisht. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: