ATV

Blog

  • Kurti nuk zmbrapset: Kryetarët veriorë kanë mbështetjen tonë të plotë, pushteti merret veç me zgjedhje e jo me dhunë

    Kurti nuk zmbrapset: Kryetarët veriorë kanë mbështetjen tonë të plotë, pushteti merret veç me zgjedhje e jo me dhunë

    Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për herë të parë pasi ambasadori Jeff Hovenier, njoftoi për sanksionet amerikane ndaj Kosovës, pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.

    Diplomati amerikan të hënën njoftoi se Kosova është përjashtuar nga stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023” dhe se vendi i tij nuk do të lobojë te shtetet mosnjohëse që ato ta ndryshojnë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës. Kjo pasi, Qeveria Kurti urdhëroi dërgimin e Policisë së Kosovës në komunat veriore, për t’i asistuar kryetarët e rinj që të hynë në ndërtesat komunale.

    Ndonëse Hovenier tha se Kurti nuk i ka dëgjuar këshillat e ShBA-së për shtensionimin e gjendjen në komunat veriore, shefi i qeverisë përmes një video-adresimi nuk është zmbrapsur apo tërhequr.

    Kësisoj, Kurti tha se kryetarët e zgjedhur në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave dhe janë në shërbim të qytetarëve.

    Sipas tij, ata kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë që ai e drejton. Ai shtoi se komuniteti serb duhet të çlirohet nga ekstremistët dhe milicët për të cilët tha se kanë emra të veçantë.

    Pavarësisht se nuk i përmendi reagimet e ashpra të sotme nga ambasadori Hovenier, Kurti u shpreh se “Policia jonë dhe KFOR-i atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore”.

    “Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta”, tha ai.

    Mes tjerash, Kurti falënderoi gazetarët, Policinë e Kosovës, KFOR-in si dhe qytetarët për mbështetjen, ndërsa të lënduarve nga tensionet e veriut, u uroi shërim të shpejtë.

    Reagimi i plotë i Kurtit:

    Të dashur qytetarë,
    Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve.

    Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë.
    Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim.

    Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Me institucione qeverisëse dhe të sigurisë të cilat trajnimet profesionale dhe orientimin vleror e kanë nga dhe kah shoqëritë perëndimore.

    E dje, na u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë.

    Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti.

    Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq.

    Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor. Por protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim.

    Policia jonë dhe KFOR-i atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore.

    Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta.

    Dhjetëra të lënduarve ju dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë. Falënderoj kryetarët e komunave që përkundër vështirësive kanë shfaqur vullnetin e sinqertë për t’u shërbyer qytetarëve i cili dëshmohet edhe në këto situata.

    Falënderoj policët e Kosovës, që përkundër tensioneve dhe sulmeve, kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizmin më të lartë. Falënderoj pjesëtarët e KFOR-it që përkundër synimeve të huaja për destablizim, po ruajnë paqen dhe sigurinë. Falënderoj gazetarët dhe mediat që përkundër rreziqeve dhe pasigurisë, na sollën me zë dhe figurë fytyrën e vërtetë të protestave të milicëve të dhunshëm. Dhe falënderoj veçanërisht qytetarët e Republikës për mirëbesimin dhe mbështetjen.

  • Kurti për deklaratën e Blinkenit: E padrejtë, e gabuar dhe shumë naive

    Kurti për deklaratën e Blinkenit: E padrejtë, e gabuar dhe shumë naive

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të martën të përditshmes britanike Guardian se, dita e hënë ka qenë shumë e rëndë, dhe se “jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë”.

    Ai u është referuar përleshjeve në mes të pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar në komunat e banuara me shumicë serbe – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nëpër ndërtesat komunale.

    Kurti i ka fajësuar për dhunën në veri, ato që i ka quajtur “banda fashiste” të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë.

    Dhuna është dënuar nga NATO-ja dhe faktori ndërkombëtar, derisa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa në uljen e tensioneve në veri.

    Të premten, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

    Kurti është shprehur i pakënaqur me këtë deklaratë.

    “Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për Guardian, në një intervistë përmes telefonit.

    “Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”.

    Prej asaj deklarate, Kurti ka thënë se ka folur me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Ai ka thënë se Escobar u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që t’i dërgojnë kryetarët në objekte tjera, apo edhe të punojnë prej shtëpisë – kërkesë që ai e ka refuzuar.

    “Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom [platformë e thirrjeve online], ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, ka shtuar ai.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund”, për të.

    Opozita në Kosovë ka reaguar duke e bërë Kurtin fajtor për tensionim me aletatët, sidomos SHBA-të. Përfaqësuesit opozitarë i kanë bërë thirrje kryeministrit që të tregojë maturi politike, të ndryshojë qasjen dhe të zgjedh të ardhmen dhe rrugën euroatlantike të Kosovës.

    Komunat veriore të Kosovës u tensionuan pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

    Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe dhe u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

    Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. /REL

  • Shpërthim pranë komunës në Zveçan, shpëton mrekullisht gazetari i ATV-së që ndodhej shumë afër

    Shpërthim pranë komunës në Zveçan, shpëton mrekullisht gazetari i ATV-së që ndodhej shumë afër

    Një mjet ka shpërthyer afër komunës së Zveçanit rreth orës 19:15. Aty pran gjendej gazetari i ATV-së, Arian Hajdaraj, i cili po priste që të inkuadrohej drejtpërdrejt në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV.

    Fatmirësisht, gazetari Hajdaraj nuk ka pësuar ndonjë lëndim dhe ka vazhduar raportim nga po i njëjti vend. Pamjet nga momenti i shpërthimit janë kapur nga kamera e ATV-së.

  • Peci: Nuk do të dal në zyrë derisa të stabilizohet situata

    Peci: Nuk do të dal në zyrë derisa të stabilizohet situata

    Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, deklaroi se nuk ka pasur propozim nga Ambasada Amerikane që të mos dalin në punë. Ai tha se ditën e sotme punën e tij e ka kryer nga zyra për komunitete në fshatin Lipë të Zveçanit.

    Peci tha për KosovaPress, se do të rikthehet në zyrën e kryetarit pasi që gjendja të stabilizohet.

    “Nuk kemi pasur kësi lloj propozimi nga ambasada amerikane. Prej ambasadës kemi pasur propozim vetëm mos me u shkaktua ndonjë ekses, jo mos me u lajmërua (në objektet e komunës). Sot kemi vazhduar në Zyrën e Komuniteteve në fshatin Lipë në Komunën e Zveçanit, por jo në zyrën e kryetarit në objekt të komunës”, deklaroi Peci.

    Peci shtoi se nuk do të shkojë në Komunë derisa të stabilizohet gjendja.

    “Ta shohim sipas gjendjes, nëse stabilizohet gjendja dhe është në rregull, atëherë vazhdojmë në objektin e komunës. Nëse për momentin vazhdon kjo gjendje, atëherë do të vazhdojmë derisa të stabilizohet gjendja… Për momentin janë kushtet me vazhdua edhe prej aty për shërbime të qytetarëve”, shtoi ai.

    Ditën e djeshme, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, dhe ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, kanë takuar ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

    Protestuesit serb po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

  • “Duhet ta fikni zjarrin në shtëpi”, Hovenier thotë se nuk do të ketë shumë durim për ta pritur përgjigjen e Kurtit

    “Duhet ta fikni zjarrin në shtëpi”, Hovenier thotë se nuk do të ketë shumë durim për ta pritur përgjigjen e Kurtit

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shpalosur disa detaje rreth kërkesave të ndërkombëtarëve karshi Qeverisë së Kosovës, pas tensioneve në komunat veriore.

    Në një takim me gazetarët në Prishtinë dhe pas përjashtimit të Kosovës nga ushtrimi “Defender Europe 2023” dhe ndalimit të lobimit te shtetet mosnjohëse, diplomati amerikan u shpreh se ShBA-të po mendojnë edhe për marrjen e veprimeve të tjera.

    Për këtë, gazetari Adriatik Kelmendi e ka pyetur Hovenierin se sa kohë do t’i jepet kryeministrit Albin Kurti për t’iu përgjigjur kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, transmeton Paparaci.

    Përgjigja e ambasadorit ishte se “nuk do të kenë shumë durim”.

    “Ne mendojmë se kjo është një situatë shumë urgjente. Krahasimet që i kam bërë është sikur ta kesh shtëpinë në zjarr. Duhet ta fikni zjarrin. Pra, nuk mendoj se do të shihni shumë durim nga ana e SHBA-së në raport me pritjet tona për qeverinë që të ndërmarrë veprime për të depërshkallëzuar situatën në veri”, tha ai.

    “Më lejoni të jem i qartë, janë dy gjëra që po i kërkojmë qeverisë t’i bëjë për të deshpërshkllëzuar, jam i lumtur të jem specifik: ne besojmë se qeveria nuk duhet të insistojë se kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, qeveria ishte në gjendje të gjejë lokacione tjera për betimin e tyre. Nuk mund të kuptojmë se përse nuk mund të përdorin ato lokacione të njëjta publike apo alternative për t’i kryer funksionet e tyre, që janë funksione administrative. Jemi “on the record”, këta kryetarë kanë një rol të rëndësishëm të luajnë për sa i përket administratës, por ky nuk është një aranzhim normal dhe nuk kanë mandate të forta nga elektorati i tyre për të ndërmarrë iniciativa të fuqishme”, shtoi ai.

    “Prandaj nuk e kuptojmë se përse ka insistim për të punuar nga ndërtesat komunale dhe ne besojmë që prezenca e Policisë së Kosovës, e cila u bë me forcë, është jashtëzakonisht sfiduese, dhe kemi kërkuar nga Qeveria që t’i tërheqë forcat policore nga tri ndërtesat. Mendojmë se kjo do të depërshkallëzonte situatën”.

  • LDK-ja për “dënimin” e Kosovës nga ShBA-të: Qeveria po përfundon në përplasje me Perëndimin, s’do ta lejojmë

    LDK-ja për “dënimin” e Kosovës nga ShBA-të: Qeveria po përfundon në përplasje me Perëndimin, s’do ta lejojmë

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për shkak të situatës në veri të vendit dhe pasi ShBA-të e përjashtuan Kosovën nga ushtrimi i madh ushtarak, “Defender Europe ’23”, i udhëhequr nga Ushtria Amerikane

    Sipas LDK-së, “Qeveria po bie në grackën e Serbisë”. Ata thanë se “LDK-ja nuk do të lejojë, për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë”.

    “Sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve raportues e ushtarëve paqëruajtës të KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, institucioneve tona e vet trupave të NATO-s me mision në Kosovë”.

    LDK-ja që drejtohet nga deputeti opozitar, Lumir Abdixhiku, është e mendimit se Kosova ndodhet në pozicion të rëndë diplomatik e strategjik.

    Reagimi i plotë i LDK-së:

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim gjithë ngjarjet e ditëve të fundit në veri të vendit.

    Sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve raportues e ushtarëve paqëruajtës të KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, institucioneve tona e vet trupave të NATO-s me mision në Kosovë.

    Këto tendenca e këto veprime kanë qenë gjithmonë të njohura për Republikën e Kosovës.

    Por e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj.

    Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë. Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë.

    LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët. Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë.

    Përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender 2023’ është hap në këtë drejtim.

    LDK-ja nuk do të lejojë, për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë.

  • “Ndjejmë shumë keqardhje”, Hovenier: SHBA-ja, pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës

    “Ndjejmë shumë keqardhje”, Hovenier: SHBA-ja, pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës

    Në takim me gazetarët në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për disponimin aktual të SHBA-së ndaj Kosovës.

    “Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”.

    “Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”.

    Sipas tij, ulja e tensioneve e kthen më pas vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton REL, transmeton Paparaci.

    Kosova dhe Serbia janë dakorduar për këtë Marrëveshje, në shkurt të këtij vitit në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit në mars.

  • Hovenier: SHBA-ja i ka dy kërkesa për Kosovën

    Hovenier: SHBA-ja i ka dy kërkesa për Kosovën

    Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale dhe t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat e komunave në veri.

    “Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha Hovenier, duke kujtuar se kryetarët e komunave në fjalë janë betuar në lokacione alternative.

    “Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që ta tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ai, duke shprehur bindjen se këto veprime do të ndihmonin në uljen e tensioneve.

    Hovenier tha se është i shqetësuar për plagosjen e ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, të cilët pësuan gjatë përplasjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

    “Arsyeja përse ushtarët kanë qenë aty, për ta ruajtur paqen me atë skenar, ka qenë vendimi i marrë nga Kurti për të tentuar që të sigurojë qasje në tri ndërtesat komunale, përmes forcës”, tha ai.

  • Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: Është i vogël t’ia ndryshojë orientimin Kosovës

    Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: Është i vogël t’ia ndryshojë orientimin Kosovës

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas përjashtimit të Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023, duke thënë se është alarm për sigurinë tonë nacionale.

    “Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike”, thotë ai.

    Haradinaj thotë se kryeministri Kurti është i vogël t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj.

    Sipas tij, e vetmja mënyrë që Kurti të bëjë një të mirë ndaj Kosovës është dorëheqja e tij.

    “Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë. Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj. Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Hovenier: Anulimi i pjesëmarrjes në Defender 23, pasoja e parë për Kosovën

    Hovenier: Anulimi i pjesëmarrjes në Defender 23, pasoja e parë për Kosovën

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet Defender Europe 2023, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar më 26 maj se veprimet e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore, do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe.

    “Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”, tha Hovenier.

    “Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, shtoi ai.

    SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore “hynë me forcë” në ndërtesat komunale në veri.

    Hovenier tha se SHBA-ja po mendon edhe për vendime të tjera që do të marrë në këtë drejtim.

    “Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera”, tha ai.