ATV

Blog

  • Dëshmitari i shtatë kundër Shalës vazhdon dëshminë e tij në Hagë

    Dëshmitari i shtatë kundër Shalës vazhdon dëshminë e tij në Hagë

    Pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe sot ka vazhduar dëshminë e tij dëshmitari i shtatë i ZPS-së, me kodin 1 kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala.

    Edhe këtë seancë Pjetër Shala po e përcjell përmes video-lidhjes, nga qendra e paraburgimit.

    Edhe në seancën e sotme gjyqësore ky dëshmitar i mbrojtur i ZPS-së do të vazhdojë tu përgjigjet pyetjeve të prokurorëve specialë.

    Ndërsa, seanca aktualisht është duke u vazhduar në sesion privat. Kjo u bë me kërkesë të kryetares së trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia e cila u shpreh se do t’i trajtojë dy çështje me mbrojtjen e viktimave dhe mbrojtjen e Pjetër Shalës.

    Gjatë ditës së djeshme në pjesën më të madhe seanca ka qenë e mbyllur për publikun. E këtë masë mbrojtëse të dëshmitarit u kundërshtoi edhe vetë Shala i cili kërkoi nga trupi gjykues që të bëhen sesionet publike.

    Ndërsa, qysh në nisjen e seancës së djeshme gjyqësore në rastin kundër Pjetër Shalës, trupi gjykues theksoi se për shkak të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarit dhe mirëqenies së tij, është paraparë që dëshmia e këtij dëshmitari të jepet në pjesën më të madhe në seancë private.

    Gjithashtu, trupi gjykues theksoi se pas përfundimit të dëshmisë së këtij dëshmitari, transkripta e dëshmisë së tij do të rishikohet në kohën e duhur dhe do të bëhet publike sa më shumë që të jetë e mundur.

    Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./

  • Kurti mbërrin në Bratislavë

    Kurti mbërrin në Bratislavë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur të mërkurën në mëngjes në Forumin e Bratislavës.

    Kjo është bërë e ditur nga një postim në rrjetetet sociale nga faqja zyrtare e “Globsec”, ku thuhet se në qendër të vëmendjes do të jetë: Ardhmëria e Kosovës.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, SH.T. Albini Kurti, ka mbërritur në Forumin #GLOBSEC2023 në Bratislavë. Dëgjojeni atë më vonë këtë mëngjes në një bisedë me titull: Në qendër të vëmendjes: Ardhmëria e Kosovës”, thuhet në njoftimin e “Globsec”.

    I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është duke bërë përpjekje që të organizojë një takim ad-hoc mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

    Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të organizohet në Bratislavë të Sllovakisë.

  • Protestuesit shpalosin një flamur gjigant të Serbisë në Zveçan

    Protestuesit shpalosin një flamur gjigant të Serbisë në Zveçan

    Protestuesit serbë në Zveçan mëngjesin e sotëm kanë shpalosur një flamur të Serbisë, i cili ka përmasa të mëdha.

    Ndërsa, edhe gjatë ditës së sotme qytetarët serbë kanë vazhduar protestat e tyre kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

    Me qëllim të shtimit të sigurisë, forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë vendosur tela gjemborë rreth objektit të komunës në Zveçan. Ndërsa, shihet edhe prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

  • Kryeziu: Jemi në pajtueshmëri me SHBA-të për qetësim të situatës

    Kryeziu: Jemi në pajtueshmëri me SHBA-të për qetësim të situatës

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një intervistë në emisionin A23 në ATV, tha në edhe SHBA, edhe Qeveria e Kosovës janë në pajtueshmëri se situata në veri duhet të qetësohet, mirëpo sipas tij, kjo nuk mund të ndodh derisa ka persona me maska që sulmojnë policinë dhe KFOR-in.

    “Duhet që gjithmonë e më shumë të ketë situata kur duhet të jemi, e mund të jemi edhe me Amerikën edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Teksa diskursi aktual synon të përshkruhet në atë mënyrë që në një situatë sikur kjo, ku askush nuk e konteston të drejtën e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe legalitetin e tyre, të bëj njëfarë lloj ndarje që, në qoftë se nuk pajtohet Amerika, atëherë unë nuk jam me Qeverinë. Unë mendoj që mund të jemi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës, madje edhe në situata kur mund të mos ketë pajtueshmëri të plotë mbi atë se çfarë po ndodh. Ne, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi pajtueshmëri që situata duhet të qetësohet, por ajo nuk qetësohet për aq kohë sa kemi persona me maska që sulmojnë policinë dhe KFOR-in”, tha Kryeziu.

    Ai tha se në krahasim me ato të ditës së hënë, të martën, pos sulmeve ndaj gazetarëve që kanë pasur synim të pengohet raportimi ashtu që mos të paraqitet e vërteta, nuk ka pasur dhunë nga ana e protestuesve.

    “Kjo është dëshmi që për aq kohë sa nuk ka banda kriminale e grupe ekstremistësh atje. Nuk ka probleme, kur ato shpërfaqen dhe ndërmarrin veprime, ka probleme dhe ai problem është problem i përbashkët, edhe i Policisë së Kosovës edhe i KFOR’it, i cili megjithatë ka një mandat për të siguruar qetësinë, paqen e sigurinë në territorin e Kosovës”, tha Kryeziu. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Behrami: Njerëzi që e mbështesin Kurtin në deklaratën kundër Blinkenit, janë të çmendur

    Behrami: Njerëzi që e mbështesin Kurtin në deklaratën kundër Blinkenit, janë të çmendur

    Analisti Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se deklarata e kryeministrit Kurti kundër sekretarit amerikan Anthony Blinken është fyerje e madhe dhe sipas tij, njerëzit që e mbështesin Kurtin në këtë deklaratë, janë të çmendur.

    “Naiv Blinkenin nuk e ka quajtuar as Lavrovi, as dikush në Kinë, as i Kubës. Në sytë e Albin Kurtit, Blinken është përnime naiv, a e dini pse, se qeky Blinkeni ia ka shkru fjalimet Bill Klintonit në kohën kur e ka bombardu Amerika Serbinë. Ia ka shkru fjalimet Albright-it kur e ka bombardu Serbinë. Unë mendoj që kjo është fyerje tepër e madhe që ka me prodhu pasoja. Marrëdhëniet mes Albin Kurtit dhe SHBA-ve janë thyer përjetësisht. Ai mundet me i fitu 99 për qind, si Enver Hoxha, ka plotë të çmendur në këtë shoqëri që edhe mas kësaj deklarate… Nuk po them për Albin Kurtin, por njerëzit që e mbështesin Albin Kurtin në këtë deklaratë kundër Blinkenit, janë po ashtu të çmendur”, tha Behrami. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Arrestohen dy serbë në veri, iu gjetën armë, flamuj e emblema nacionaliste

    Arrestohen dy serbë në veri, iu gjetën armë, flamuj e emblema nacionaliste

    Policia e Kosovës në veri të vendit ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘posedim të paautorizuar të armëve dhe narkotikëve’. Të dyshuarve serbë iu gjetën armë, flamuj e emblema nacionaliste.

    Në raportin e Policisë, bëhet e ditur se të njëjtit ishin duke qarkulluar me një automjet me targa të Sllovenisë.

    “Dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, pasi gjatë kontrollit të automjetit që drejtonin janë gjetur dhe janë konfiskuar disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione etj.

    Dëshmitë e konfiskuara në cilësi të provave materiale, të cilat dyshohet se mund të përdoren për veprime të dhunshme janë:

    – një (1) shufër metalike (policore),

    – një (1) maskë kamuflazhi,

    – disa thika,

    – disa emblema me simbole nacionaliste (4 S) dhe flamur serb (4 S),

    – disa lloje të dyshuara të substancave narkotike,

    – telefona celularë,

    – sprej të ndryshëm,

    – sfera metalike,

    – lidhëse plastike,

    – një (1) automjet,

    – një (1) kartelë e veteranëve të luftës së Serbisë, dhe

    – një (1) kartelë të akademisë për siguri e Serbisë.

    – një (1) çekan etj”, bëhet e ditur në raport.

    Aty thuhet po ashtu se pas intervistimit, ndaj dy personave të dyshuar, me vendim të prokurorit kompetent, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

    Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbajë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, si dhe do të ndërmarrë masa ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.

  • ​Osmani në Moldavi, merr pjesë në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian

    ​Osmani në Moldavi, merr pjesë në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), njofton Presidenca.

    Osmani do t’i bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

    Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë.

    Në njoftimin e Presidencës thuhet se para liderëve të tjerë evropianë, Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.

    Gjatë takimeve bilaterale, Osmani do të diskutojë thellimin e bashkëpunimit për shtyrjen përpara të aplikimit të Kosovës për BE, çështje që lidhen me situatën e sigurisë në rajon, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

    Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të Presidentit francez, Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

  • Lajçak për tensionet në veri: Nëse s’ka kthim në normalitet të dyja palët humbasin

    Lajçak për tensionet në veri: Nëse s’ka kthim në normalitet të dyja palët humbasin

    Që kur Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme Josep Borrell e emëroi atë të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në vitin 2020, Miroslav Lajçak nuk e ka parë kurrë një tension kaq të thellë.

    Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, Lajçak ka thënë se çështja nuk qëndron se kush e nisi, sipas tij nëse kjo krizë në mes të dy shteteve fqinje nuk përfundon, të gjithë do të humbasin.

    “Tani të gjithë mendojnë se për atë që ndodhi është faji i tjetrit. Detyra jonë nuk është të vendosim se kush ka të drejtë apo kush e filloi, por t’i bëjmë Beogradit dhe Prishtinës të kuptojnë se janë përballë një ‘situatë humbje’. Nëse nuk ka kthim në normalitet, të dy duhet të humbasin”, tha ai.

    Sipas tij, tani është koha për t’i ulur tensionet, teksa shton se nuk mund të ketë përshkallëzim dhe normalizim në të njëjtën kohë.

    “Nuk mund të lejojmë që njerëz të vriten ose të plagosen, tani është koha për të ulur tensionet. Marrëveshjet që nënshkruam në shkurt dhe mars duhet të veprojnë si udhërrëfyes”, shtoi ai.

    Teksa është pyetur se a është e vërtetë që përleshjet janë shkaktuar nga provokatorët serbë, të cilët kanë acaruar protestat, Lajçak ka theksuar se ka versione të ndryshme se kush e nisi dhe padyshim që në turmë kishte provokatorë.

    “Si gjithmonë në këto raste, por tani e rëndësishme është rivendosja e qetësisë”.

    Lajçak u pyet se çfarë roli luan fakti që presidenti serb Vuçiq është i kontestuar nga brenda për dhunën e regjimit të tij në tensionet aktuale mes Serbisë dhe Kosovës.

    “Nuk dua të spekuloj, procesi politik serb ka dinamikën e vet të brendshme dhe ky është një front i ri. Të dyja situatat, ajo e brendshme serbe dhe ajo e përplasjeve në Kosovë, kërkojnë vëmendjen më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ato duhen parë së bashku, por duhet të trajtohen veçmas”.

    Po ashtu, ai nuk beson se marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të kenë të njëjtin fat si marrëveshjet e Minskut ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

    “Jo, sepse këto janë marrëveshje shumë solide, ku proceset monitorohen vazhdimisht. Dhe pastaj sepse, ndryshe nga ato në Minsk, ato përcaktojnë jo vetëm marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe ndërmjet secilit prej dy aktorëve dhe Bashkimit Evropian: kjo krijon një nyje që vështirë të thyhet”.

    Megjithatë, ai është shprehur i bindur se marrëveshjet do të zbatohen dhe se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian.

    Lajçak foli edhe për ndikimin e Rusisë.

    “Rusia gjithmonë përpiqet të futet në këto kriza me një çelës antiperëndimor, por ajo nuk ka aftësinë të propozojë një axhendë më të mirë për këtë fushë. Topi është tani në duart tona dhe në atë të aleatëve tanë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe: Të gjithë jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian”.

    “Vuçiq ka thënë vazhdimisht se objektivi i tij strategjik është ta sjellë Serbinë në Bashkimin Evropian. Është e vërtetë se Serbia nuk votoi pro sanksioneve kundër Rusisë, por votoi së bashku me komunitetin ndërkombëtar në favor të mbrojtjes së integritetit territorial të Ukrainës. Nëse dëgjoni me kujdes atë që thotë Vuçiq, dilema nuk ekziston: e ardhmja e Serbisë është një e ardhme evropiane”.

    Kur pyetet se është e kapërcyeshme trashëgimia e së kaluarës, Lajçak ka potencuar se ndonëse historia nuk mund të fshihet, megjithatë supas tij gabimet e vjetra mund të shmangen.

    “Ka ende shumë nga e kaluara në politikën e Ballkanit, veçanërisht ndjenja e padrejtësive të vuajtura. Historia nuk mund të fshihet, por gabimet e vjetra mund të shmangen. Ky proces mbështetet nga një angazhim i fortë nga komuniteti ndërkombëtar. Ne kemi vite që punojmë për standardizimin, jo nga dje”, përfundoi ai.

  • Qytetarët të shqetësuar për gjendjen në veri – Policia mos të tërhiqet, të bindet edhe Amerika

    Qytetarët të shqetësuar për gjendjen në veri – Policia mos të tërhiqet, të bindet edhe Amerika

    Qytetarët e Prishtinës janë shprehur të shqetësuar për situatën në veriun e Kosovës. Ata thonë se nga ndërkombëtarët ka shumë presion e që ky presion sipas tyre është i padrejtë.

    Ata për Ekonomia Online kanë thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet që të largojë nga veriu i vendit Njësinë Speciale, ngase nga aty duhet të largohen strukturat ilegale që kanë shkaktuar trazirat.

    Selim Sherifi, tha se ndërkombëtarët janë duke e tepruar me presioni që është duke i’u bërë Kosovës sa që sipas tij, janë habitur me këtë reagim.

    Ai bëri thirrje që Qeveria të mos i tërheqë forcat speciale nga veriu dhe se në këtë kohë krize duhet që të gjithë të jenë të bashkuar kundër Serbisë.

    “Ndërkombëtarët kësaj radhe janë duke e tepruar, janë duke i bërë presion qeverisë, Kosovës i kanë bërë presion gjithherë, por tash më tepër. Skenat që po i shohim aty, është gjendja e rëndë. Nga bashkësia ndërkombëtare jemi duke u habitur, zgjedhjet kanë qenë janë mbajt ata askush si ka penguar që të dalin”.

    “Tani është situata shumë e rëndë, nuk bënë që të tërhiqen, tërheqja mendoj që do të kishte me qenë gabim. Bëjë apel tekë shqiptarët që t’i lëmë inatet mesë veti, le të bëhen bashkë sepse ndaj Serbisë, ndaj armiqve tanë duhet që të bëhemi bashkë, s’ka parti aty, duhet që të behën bashkë”, tha ai.

    Muhamet Farizi, tha se shteti nuk duhet ta largojë policin nga komunat veriore, por që duhet që ta bind Amerikën që policia duhet që të qëndrojë në atë pjesë.

    “Presioni është, ka qenë edhe më herët, devijimi dhe hilet kanë qenë prej dy përfaqësuesve të cilët tentojnë që të mbajnë bisedimet, edhe prej Borelit edhe prej Lajçakut, gjithnjë kanë qenë të një anshëm. Tash kanë dal në sipërfaqe krejt siç janë të një anshëm. Duhet të mbështetemi në SHBA-të, Anglinë, Gjermanisë se bashku me Austrinë, të tjerat ndonjë shpresë nuk kemi”.

    “Mundet të ketë vetëm tentime që të na dëmtojnë e jo që të na ndihmojnë. Kurrsesi, kurrsesi por duhet që të tentohet që me bashkëpunim me Amerikën me i bind që edhe ata pranoj që Njësia Speciale të mbetet atje. Është një meritë e madhe që janë të disiplinuar mjaftë, lëvdata duhet të jepen për policin dhe Njësinë Speciale tonën”, tha ai.

    E një qytetar tjetër tha për EO se presioni që është duke ndodhur ndaj Kosovës është një çmenduri, sipas tij, nga veriu nuk duhet që të tërhiqet Policia, por bandat kriminale.

    “Presion i madh, presion i jashtëzakonshëm prej të gjithëve e veçmas është e turpshme nga ambasadori Amerikan që po i bënë presion Kosovës. Ajo dej që erdh nga Gjermania, nëse është aq mirë me lënë kështu pse e rrëzuan murin e Berlinit , pse e bashkuan Gjermanin cila është arsyeja”.

    “Vjen nga atje ju thotë policëve ‘çka dreqin lypni ju këtu’. Kjo është çmenduri, në as një mënyre nuk duhet të tërhiqen, duhet të tërhiqen bandat kriminale. Nuk janë popull serb të Kosovës ata janë banda kriminale nga Serbia, nëse duhet që të tërhiqet dikush duhet që të tërhiqen ata. Njësia Speciale në as një mënyrë nuk është jashtë territorit të vetë”, tha ai.

  • BBC raporton për sanksionet e ShBA-së ndaj Kosovës

    BBC raporton për sanksionet e ShBA-së ndaj Kosovës

    Media britanike, BBC, ka shkruar për situatën në veri të vendit dhe për “sanksionet” që dje Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia bënë Kosovës.

    Sipas BBC-së, protestuesit serbë janë përpjekur që të pushtojnë ndërtesat e komunave mes trazirave për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në veri.

    NATO do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë pasi tha se 30 nga paqeruajtësit e saj dhe 52 protestues u lënduan në përleshjet në Zveçan.

    “Kriza daton që nga prilli, kur serbët etnikë bojkotuan zgjedhjet lokale në veri të Kosovës – duke i lejuar shqiptarët etnikë të marrin kontrollin e komunave me një pjesëmarrje prej më pak se 4%”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

    BBC raportoi edhe për sanksionet që ShBA i dha Kosovës, duke e përjashtuar nga stërvitja “Defender Europe 23”, që vështirë të ketë vizita bilaterale mes zyrtarëve të lartë të ShBA-së e Kosovës dhe ndaljen e lobimit të Shteteve të Bashkuara për njohje të reja.