ATV

Blog

  • Gjendet i varur në pyll një person në Lupç të Podujevës

    Gjendet i varur në pyll një person në Lupç të Podujevës

    Në Lupç të Podujevës një person është gjetur i varur në pyll.

    Rastin e ka raportuar në polici një dëshmitar i cili ka hasur në pyll.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    HETIM I VDEKJES/Fsh. Lupq, Podujevë 30.05.2023-10:50. Dëshmitari mashkull kosovar ka njoftuar se gjersa ishte duke ecur në pyll, kishte hasur në një person të varur me litar. Në vend-ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Lajçak udhëton për në Moldavi për të takuar Vuçiqin

    Lajçak udhëton për në Moldavi për të takuar Vuçiqin

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të udhëtojë për në Kishinjev të Moldavisë, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, merr vesh jozyrtarisht Radio Evropa e Lirë.

    Sipas REL-it, Lajçak do të qëndrojë edhe në Prishtinë e Beograd, në ditët në vazhdim.

    Të hënën në Kishinjev mbahet samiti i dytë i Komunitetit Politik Evropian, i cili është lansuar në tetor të vitit 2022 në Pragë, me iniciativë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

    Në samit do të marrë pjesë edhe Vuçiqi, ndërsa Lajçaku do të shkojë atje vetëm për të biseduar me të për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

  • Kërcënohet pronari serb i lokalit që strehoi gazetarët në Zveçan

    Kërcënohet pronari serb i lokalit që strehoi gazetarët në Zveçan

    Pronari serb i lokalit që strehoi gazetarët në Zveçan të hënën, Mladen Peroviq, është kërcënuar.

    Ai u ka thënë mediave të mërkurën se është kërcënuar për faktin se ka strehuar gazetarët.

    Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, pati njoftuar se falë ndihmës së Peroviqit kishin arritur që të gjithë gazetarët të përcillen sigurt nga Zveçani.

    Gazetarët kishin mbetur të ngujuar brenda objektit komunal të Zveçanit në ditën e parë të kësaj jave, pas sulmeve të njëpasnjëshme të serbëve që kishin dalë në protesta.

  • Zëdhënësi i Kremlinit: Rusia mbështet pa kushte Serbinë

    Zëdhënësi i Kremlinit: Rusia mbështet pa kushte Serbinë

    Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, ka reaguar lidhur me ngjarjet në veriun e Kosovës.

    Peskov tha se Rusia e mbështet pa kushte Serbinë.

    “Duhet të mbrohen të gjitha të drejtat dhe interesat legjitime të popullatës serbe. Moska po e monitoron nga afër situatën”, tha ai.

    Që nga e premtja serbët po protestojnë duke i kundërshtuar kryetarët e zgjedhur më 23 prill.

    Të hënën protesta eskaloj, ku serbët u përleshen me ushtarët e KFOR-it.

    Si pasojë 30 ushtarë u lënduan, e tre nga ta u plagosën nga arma e zjarrit.

    Për shkak të situatës, NATO i ka dislokuar 700 pjesëtarë shtesë.

    Protesta ende po vazhdon, derisa situata paraqitet e qetë.

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka vënë në gatishmëri ushtrinë serbe dhe ka urdhëruar njësitë ushtarake të avancojnë drejt kufirit.

  • Hamiti: Është hera e dytë që Kosova po sanksionohet shkaku i politikave të Kurtit

    Hamiti: Është hera e dytë që Kosova po sanksionohet shkaku i politikave të Kurtit

    Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti ka thënë se është hera e dytë që Kosova sanksionohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të kryeministrit Albin Kurit.

    Hamiti ka thënë se hera e parë ka qenë me ngrirje të fondeve milionëshe të MCC-së kur Kurti kishte refuzuar për të hequr masën e reciprocitetit dhe shton se ato fonde u shkrinë vetëm pasi LDK e mori Qeverisjen me Avdullah Hotin si kryeministër.

    ”Është hera e dytë që Kosova sanksionohet për shkak të politikës së Albin Kurtit. Hera e parë ishte në vitin 2020, kur ishim bashkë me Kurtin në Qeveri, ai ishte kryeministër. Kur refuzoi të hiqte reciprocitetin. Kjo bëri që të ngrihen fondet e MCC-së. Këto fonde u shkrinë kur LDK e mori Qeverinë”, ka thënë Hamiti në DPT te Fidani.

    Ai ka thënë se Kurit me politikën e vet po bën dëm Kosovës.

    “Po shohim që Kurti me politikën e vet po i bën dëm Kosovës. Kjo sjellje e tij ndaj SHBA-së, miqve, ky lloj komunikimi me aleatët, e popullin, është i dëmshëm”, ka thënë Hamiti.

    Vendimet e SHBA-së ai ka thënë se s’mund të quhen ndryshe përveçse sanksione.

  • ​Hoti flet për Deklaratën për të Zhdukurit: Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’

    ​Hoti flet për Deklaratën për të Zhdukurit: Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Projektligji për Personat e Zhdukur është afër finalizimit, por nuk kanë arritur dakordim për të involvuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur.

    Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ai foli edhe për termin ‘personat e zhdukur me forcë’ në kuadër të deklaratës për të zhdukurit. Për këtë janë përplasur edhe deputetët e pozitës dhe opozitës.

    Më tej, ai tha se Serbia është pajtuar për qasje në dokumentacione, megjithatë nuk e din nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

    Kryetari Hoti tha se termi i vendosur në deklaratën e personave të zhdukur ka qëllim trajtimin e dinjitetshëm të tyre.

    “Termi ‘personat e zhdukur me forcë’ nuk ka ekzistuar askund. Nuk po them që nuk e kemi ditur se çfarë është, por nuk ka ekzistuar askund. Termin ‘personat e zhdukur me forcë’ e kemi futur në deklaratën e përbashkët të Brukselit. Ky term është refuzuar prej Serbisë prej shtatorit 2021 deri në prill kur e kemi pasur takimin e fundit, për shkak se Serbia u frikësonte se përmes këtij termi ne do të kërkojmë përgjegjësi juridike dhe do të akuzojmë direkt për krimet e luftës që i ka bërë, që në fakt i ka bërë. Megjithatë, në fund në takimin në Bruksel dhe jemi pajtuar që termi ‘personat e zhdukur me forcë’ të përdoret në këtë deklaratë dhe çështja tjetër ka qenë bujë prapë në media-personat e zhdukur me forcë apo me dhunë. Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’ në gjuhën angleze, në asnjë prej dokumenteve zyrtare. Personat e zhdukur me forcë apo forcibly disappeared që për ekspertët apo juristët është term dhe sinonim i njëra-tjetrës”, deklaroi Hoti.

    Tutje, Hoti ka thënë se edhe në Gjykatën Evropiane të Njeriut përdoret termi ‘personat e zhdukur me forcë’.

    Sipas tij, në sekonda të fundit në takimin e Ohrit kanë arritur ta fusin në aneks marrëveshje, çështjen e personave të zhdukur.

    “Ne kemi arritur që Bashkimin Evropian ta bëjmë direkte pjesë të çështjes së personave të zhdukur. Deri tash nuk ka qenë direkt e involvuar në çështjen e personave të zhdukur. Tash do të themelojmë komisionin e përbashkët, e cila do të udhëhiqet prej BE-së, ajo do të jetë bashkë me ne në këtë proces. Ne veç kemi pranuar draftin e formimit të komisionit të përbashkët, i cili natyrisht duhet të bëhet publik nga zotëri Lajçak dhe zotëri Borrel, pas harmonizimit të saj. Parashihet që brenda 60 ditëve pas aprovimit të deklaratës, pas 2 majit, do të formohet komisioni i përbashkët, do të mbahet mbledhja e parë dhe do të fillojë puna jonë në fazën e implementimit të deklaratës”, tha ai.

    Me deklaratën për personat e zhdukur, siç tha Hoti, Serbia është pajtuar për qasje në të gjitha dokumentacionet, përfshirë edhe ato sekrete të klasifikuara. Megjithatë, shtoi se ka arsye të mjaftueshme që të mos i besojë Serbisë.

    Hoti: Me deklaratën për personat e zhdukur, Serbia është pajtuar për qasje në dokumentacione
    (Video)
    “Me këtë deklaratë, ata veç janë pajtuar që të qasen në të gjitha dokumentacionet, çfarëdo lloj dokumentacioni, audio, video, të shkruar. Duke i përfshirë edhe ato sekrete, të klasifikuara. Se sa do të zbatohet kjo, natyrisht nuk varet më prej meje. Mirëpo ne e kemi tashmë në deklaratë”, ka shtuar ai.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar ka shtuar se kanë arritur të harmonizojnë të dhënat përgjatë viteve. Tutje, deklaroi se është në finalizim Ligji për Personat e Zhdukur.

    “Ligji për Personat e Zhdukur është në plotësim-ndryshim që shumë vite, është shumë e vërtetë që është shumë e dhimbshme. Ne jemi afër finalizimit të tij, mirëpo nuk kemi arritur që të gjejmë një pajtueshmëri, një dakordim për të involvuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur”, deklaroi Hoti.

    Çështja e deklaratës për personat e zhdukur dhe termit të vendosur ka përplasur deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetja Ariana Musliu-Shoshi tha se në komision do të duhej të raportonte zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili sipas saj, ka bërë pazare.

    “Është dashur që Besnik Bislimi të jetë në këtë tavolinë, sepse ai është personi që është i ngarkuar nga qeveria që të bëjë pazare me Brukselin dhe me palët tjera. Prandaj, për të gjitha ato që i ka negociuar dhe po i mban të fshehura, është dashur që të jetë sot këtu dhe të raportojë për atë çfarë ne kemi kërkuar”, tha Musliu-Shoshi.

    Më pas ka reaguar deputetja e shumicës, Fatmire Kollçaku Mullhaxha, e cila kërkoi që të flasin me rend.

    Kollçaku-Mullhaxha: Të lutna mos i përsërit fjalët 100 herë.

    Musliu-Shoshi: E di që po ju dhemb se ju ishit kundër Besnik Bislimit.

    Kollçaku-Mullhaxha: Të lutem mos na i humb kohën të gjithë këta deputetë.

    Musliu-Shoshi: Kërkoj prej deputetëve të LVV-së të mbajnë tensionin e ulët, të gjithë kemi të drejtë me fol në këtë kuvend, e kemi të drejtë ligjore”, kanë thënë ato.

    Diskutimi ka shkuar edhe më tej kur Musliu-Shoshi u është drejtuar “me tru shpërlarë”, deputeteve të LVV-së.

    “Kryetare e ke obligim që deputetes me ia tërheq vërejtjen. Kush është tru-shpërlarë këtu. Ne duhet me u ngrit prej komisionit, kur deputetja përdor ‘tru-shpërlarë’. Ose ta tërheq fjalën ose ne po dalim prej komisionit”, deklaroi deputetja e LVV-së.

    Në takimin e 2 majit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq miratuan deklaratën për të zhdukurit. /KP

  • Abdixhiku: Do t’i përdorim të gjitha format që t’i ndalim veprimet e Kurtit, heshtja e Osmanit abstenim nga përgjegjësia

    Abdixhiku: Do t’i përdorim të gjitha format që t’i ndalim veprimet e Kurtit, heshtja e Osmanit abstenim nga përgjegjësia

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur konferencë për medie lidhur me situatën aktuale në veri, raporton EO.

    Ai tha se do t’i përdorin të gjitha format institucionale që t’i ndalin veprimet e Kurtit. Madje sipas tij, heshtja e presidentes Osmani, është abstenim nga funksioni e përgjegjësia që ajo ka.

    “Sot nuk është një ditë e zakonshëm e asnjë javë e zakonshëm. Kosova është në sulm të vazhdueshëm nga bandat kriminale të Vuçiqit e kryeministri jonë në sulm ndaj ndërkombëtarëve. Për këtë përmbysje as kush nuk ka votuar, kjo është një aventura personale e rrezikshme e Albin Kurtit”.

    “Duhet thënë se sulmet e bandave para politikë në veri dhe prania e interesave pro ruse paraqesin rrezik real për Kosovën dhe rajonin, kjo situata duhet kuptuar drejt nga ndërkombëtarët. Situata e krijuar më veri i konvenon Vuçiqit kështu rrezikohet Kosova. Më të dejtë themi që Kosova nuk duhet të bindet në grackën e Serbisë. E drejta jona pa alet mbete vetëm e drejt e pa implementuar. Për këtë nuk na duhet një politik që ofendon me gjuhë politike sekretarin amerikan”.

    “Kurti ka vendos që të mbroj Kosovën nga Amerika, ne kemi vendosur që të luftojmë për Kosovën. Nga sot LDK do t’i përdorim të gjitha rrugët institucionale që të ndaloj këtë që është duke bërë Kurti. Asnjë borxh nuk i’a kemi Albin Kurit, e ardhmja politikë e tij lë të jetë breng e tij. Tri kërkesa, e parë kemi ftuar për raportim në seancë, dy LDK kërkon koordinim të ngushtë me kërkesat e aleatëve tanë, tre LDK i bënë ftesë presidentes që të flasë, heshtja e presidentes është abstenim nga funksioni që ajo ka”, tha ai.

  • ​Kurti: Po përpiqemi të gjejmë një rrugëdalje për situatën në veri

    ​Kurti: Po përpiqemi të gjejmë një rrugëdalje për situatën në veri

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se është duke u përpjekur që të gjejë një rrugëdalje për situatën në veri, derisa shtoi se është i brengosur për masat që ka ndërmarrë SHBA-ja kundër Kosovës, por asnjëherë i frikësuar.

    Në Forumim “Globsec 2023” në Bratisllavë të Sllovakisë, Kurti theksoi se njësitet speciale të Policisë së Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në komunat në veri, derisa para tyre të ketë struktura kriminale.

    “Jam i brengosur gati gjithë kohën, por nuk frikësohem. Pasi ky është përshkrim i punës që mos të frikësohem, por brengosemi. Po përpiqemi fort që të gjejmë një zgjidhje, një rrugëdalje. Kjo nuk duhet të jetë rrugë e lakuar por një hekurudhë, dy shina. Më së pari të dalim nga kriza në veri që do të thotë sundim i së drejtës, turma ose kthehet në Serbi ose burgoset në Kosovë. Pastaj të ulim praninë e policisë në objekte komunale dhe pastaj e normalizojmë situatën”, tha ai.

    Përkitazi me këtë, Kurti u shpreh se nuk mund të qëndrojë vet në zyrë të kryeministrit dhe t’u thotë kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore të mos shkojnë në zyrat e tyre.

    “Sa i përket ndërtesave komunale, ato i përkasin Republikës së Kosovës. Mund të kuptoj se nuk mund të ketë shumë policë brenda apo para saj. Por, para kësaj nuk duhet të ketë turmë të dhunshme jashtë dhe kemi parë se këta njerëz të dhunshëm që godasin me armë ndaj gazetarëve, KFOR-it dhe policisë…. Nuk mund të qëndrojë në zyrën time si kryeministrisë dhe t’iu them kryetarëve në veri që nuk duhet të hyni në zyrat e juaja…Po të urdhëroja kryetarët që të dilnin nga zyrat e tyre ku janë në zyrat të tjera do të ishte sikur unë po angazhohem të krijojë një strukturë paralele ndaj strukturave paralele. Kjo do të thotë se po kopjoj metodat e tyre dhe po i bashkëngjitëm paligjshmërisë së tyre, por këtë nuk mund të bëjë. Sot një prej definicioneve të mira të demokracisë është se ligji duhet të jetë mbi politikën. Ligji duhet të jetë përtej politikës, çfarë mund të bëjmë brenda ligjit është se në një pikë të caktuar zgjedhje të parakohshme, por nuk mund të themi se këta kryetar nuk janë kryetar”, theksoi Kurti.

    Duke folur për raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtar, Kurti tha se koordinohet vazhdimisht, por kjo nuk do të thotë se pajtohet për gjithçka.

    “Bashkësia ndërkombëtare me konsensus të përgjithshëm ka pranuar procesin e zgjedhjeve dhe rezultatet e tij. Ka pranuar këta kryetar që kanë bërë betimin dhe si tash po i konteston këta kryetar kur duan të hyn në një objekt që është zyrtar dhe publik. Nëse bashkësia ndërkombëtare do të më thoshte mos bëjë zgjedhje se nuk ka rrethana duhet të angazhohemi në negociata ose e keni bërë procesin e zgjedhjeve, por ky rezultat nuk është i duhuri, ose i keni rezultatet por mos bëni betimit, atëherë do të flisnim për politikë. Tash politikisht po bëjë atë që po bëjë, jo nga pozita e fuqisë, por nga mungesa e fuqisë pasi nuk kam fuqi për të bërë diçka tjetër. Përndryshe nuk është e mundur për mua, pasi kam pas fuqinë më parë dhe jo tash, pasi po marr veprime juridike në bazë të ligjit”, shtoi ai.

    Duke folur për marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, Kurti u shpreh kritik për moszbatimin e saj, me ç’rast tha se janë rikthyer në sindromin e vjetër, ku ka marrëveshje, por nuk zbatohen.

    “Legjitimiteti, autoriteti e kredibiliteti i të trija palëve, 3+1 të them – Kosovës, Serbisë, BE-së e SHBA-së, po gërryhet duke e pasur një tekst e duke mos pasur zbatim. Një nga kritikat e mia më të mëdha ndaj paraardhësve të mi ishin se bënin këto marrëveshje, duke nënshkruar e duke mos u zbatuar ato. Marrëveshja e nënshkruar dhe zbatimi ishin dy botë krejt tjera. Shpresoja t’i sillnim më afër këto botë, në të njëjtin kontinent Evropë. Por, po kemi rikthim në sindromën e vjetër, ku kemi marrëveshje që nuk zbatohen”, tha Kurti.

    Ai shtoi se misioni i NATO- s është i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit të Kosovës./KosovaPress/

  • ​Gashi: Sanksionet janë jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën

    ​Gashi: Sanksionet janë jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën

    Sanksionet e Shteteve të Bashkuara karshi Kosovës pas situatës së tensionuar në veri të vendit, Lidhja Demokratike e Kosovës i vlerëson si jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën. Dhe sipas kësaj partie, Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të vijë në një moment të përballet me sanksione nga ShBA.

    Kështu deklaroi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendi, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili tha se situatë në veri të vendit është delikate.

    Ai kërkoi sjellje të vetëdijshme politike karshi situatës së krijuar në komunat veriore, Gashi theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po sillet në mënyrë tekanjoze dhe të paarsyeshme.

    “Situata nëpër të cilën po kalon vendi është jashtëzakonisht delikate, prandaj ne nuk mund të sillemi sikur nuk po ndodh asgjë. Ajo çka po shohim këto ditë në pjesën veriore të vendit është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe kërkon sjellje të vetëdijshme politike dhe po ashtu veprime, të cilat janë në interes të vendit. Kryeministri i Kosovës për momentin duket se ka një sjellje tekanjoze dhe të paarsyeshme sidomos me deklaratat të cilat i bënë në drejtim të zyrtarëve më të lartë të vendeve partnerëve, të cilat janë të panevojshme, të paarsyeshme, të palogjikshme dhe absurde. Pra, një kryeministër i tillë nuk i duhet Kosovës, një sjellje e tillë e Kosovës me partnerët ndërkombëtar nuk i duhet hiç se hiç, ne sot më shumë se kurrë na duhet uniteteti i brendshëm dhe bashkëpunimi i palëkundër ndërkombëtar”, tha ai.

    Lidhur me sanksionet e ShBA-ve karshi Kosovës, Gashi konsideron se këto sanksione janë diçka e rrezikshme për Kosovën.

    Sipas tij, raportet e punës në mes kryeministrit Kurti dhe ShBA-ve janë të lënduara.

    Ai theksoi se institucionet e vendit duhet të shohin interesin shtetërore dhe të punojnë në ruajtjen e raporteve me SHBA-të.

    “Sanksionet janë diçka jashtëzakonisht e rrezikshme për Kosovën mendoj se Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të vijë në një moment kur përballet ndërkombëtare sidomos me sanksione nga SHBA…Si duket nga ajo që ju dhe ne kemi informacione është informacion i pjesshëm raportet e punës me kryeministrin si duket raportet me kryeministrin e Kosovës janë të lënduara në raport me SHBA-të dhe partnerëve ndërkombëtar, prandaj edhe ka ardhur deri tek kjo situatë, sepse raportet e tyre të punës si duket nuk kanë besim reciprok dhe mirëbesim.. edhe deklarata e parë dhe e dytë e sekretarit Blinken po ashtu janë shqetësuese, por mendoj se Kosova duhet të shohë interesin shtetëror, institucionet e Kosovës duhet të shohin interesin shtetëror dhe të ruajnë raportet me SHBA-të, pra është interes shtetërore ruajtja e raporteve me SHBA dhe në këtë rast institucionet e kanë këtë përgjegjësi”, tha ai.

    Sipas deputetit të LDK-së, opozita nuk po hesht karshi gjendjen së krijuar në veri të Kosovës dhe se në vazhdimësi kanë përkrahur institucionet e Kosovës.

    Ai tha se nëse opozita do të dilte me sugjerime konkrete kjo do të ishte e dëmshme për vendin.

    “Opozita nuk po heshtë në vazhdimësi ka përkrahur institucionet e Kosovës, policinë dhe gjitha institucionet tjera dhe nuk është detyrë e opozitës dhe nuk mundet opozita në mënyrë proaktive me ndërhyrë në punën e institucioneve, sepse presupozohet se ka një strukturë të specializuar, e cila merret me vlerësim të rrezikshmërisë dhe nevojës për veprim dhe mos veprim. Prandaj, sikur ne të bëheshim proaktiv dhe të dilnim me sugjerime konkrete do të ishte e dëmshme për interesin e vendit prandaj ne kemi dhënë përkrahjen e plotë dhe të parezerv institucioneve të Kosovës…çdo masë proaktive që do të merrej nga opozita derisa situata është në zhvillim mendoj se do te ishte kundër-produktive dhe ne nuk jemi të interesuar që të marrim masa dhe veprime që janë kundër produkteve me interesin shtetërore. Ne nuk heshtim ne nuk duhet në asnjë formë të marrim përsipër detyra, të cilat janë ekskluzive kompetencë e institucioneve shtetërore kushtetuese”, theksoi ai.

    Deputeti i LDK-së kërkoi nga institucionet e Kosovës të sillen me dinjitet dhe përgjegjësi karshi situatës së tensionuar në veri të vendit.

    Gashi theksoi se i dënojnë të gjitha veprimet e dhunshme huligane nga protestuesit serbë.

    “Ne po kërkojmë në vazhdimësi nga institucionet e Kosovës që të sjellen me dinjitet dhe përgjegjësi dhe po ashtu po japim përkrahje të parezervë për gjithë policinë, KFOR-in…..Si parti politike i dënojmë në mënyrën më të rëndë të mundshme veprimet e dhunshme huligane të disa prej huliganëve të ashtuquajtur protestues në veriun e Kosovës dhe përkrahim në mënyrë të parezervë të gjithë aktorët dhe faktorë që merren me sigurimin e demokracisë, rendit dhe ligjit dhe po ashtu me gazetarët që raportojnë nga terreni”, u shpreh ai.

    Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

    Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit./KP

  • ​Serbët përdorin edhe fëmijët në protestat në Zubin Potok

    ​Serbët përdorin edhe fëmijët në protestat në Zubin Potok

    Në protestën e serbëve në Zubin Potok shihen edhe fëmijë, raporton KosovaPress.

    Madje, njërin nga ta shihet sesi një protestues e afron krejt pranë kordonit të Policisë së Kosovës.

    Ndërkaq protestuesit vazhdojnë të provokojnë me këngë nacionaliste e me gjeste, duke ngritur tre gishta, simbolikë e tyre.

    KP më herët ka raportuar se në Zubin Potok sot ka numër më të madh të protestuesve.