ATV

Blog

  • ​Mbledhja e dy qeverive në Gjakovë, zbardhet agjenda

    ​Mbledhja e dy qeverive në Gjakovë, zbardhet agjenda

    E mërkura e 14 qershorit do të bëjë bashkë qeveritë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa ky do të jetë takimi i parë i kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama pas propozimit të këtij të fundit të një drafti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Sipas agjendës, takimet do të nisin në ora 11:00, kur edhe pritet të mbërrijë delegacioni i Qeverisë së Shqipërisë në vend.

    Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Kosovë – Shqipëri do të bëhet në ora 11:30 në Bibliotekën e qytetit, në Gjakovë.

    Për në ora 12:40 është paraparë fotoja e përbashkët.

    Në ora 12:45 në Teatrin e qytetit “Hadi Shehu” do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve ndërqeveritare.

    Ndërsa konferenca e përbashkët për media e kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama do të mbahet në ora 13:15, po në këtë teatër.

    Në kuadër të agjendës përfshihen edhe homazhe te Lapidari i Dëshmorëve të Gjakovës, në ora 13:45.

    Në ora 14:00 dreka zyrtare, tek restaurant “Hani i Haraçisë”, ndërsa në ora 16:00, takimi me kryetarët e komunave të zonave kufitare.

  • Konfirmohet: Belgjika do ta hapë ambasadën e saj në Kosovë

    Konfirmohet: Belgjika do ta hapë ambasadën e saj në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, ka takuar kolegen e saj kosovare Donika Gërvalla-Scharz, të cilën e ka njoftuar për vendimin e Belgjikës për hapjen e ambasadës në Prishtinë.

    Lahbib në profilin e saj në Facebook ka theksuar se ndër të tjera është folur për situatën në veri të Kosovës dhe ka theksuar se të gjitha palët duhet të marrin masa për uljen e tensioneve.

    “E njoftova kolegen time kosovare Donika Gërvalla për vendimin tonë për hapjen e ambasadës në Prishtinë. Diskutuam edhe për dhunën e fundit në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të marrin masa për uljen e tensioneve”, shkroi ajo.

  • Hoti lajmërohet nga Izraeli: Potenciali i bashkëpunimit është shumë i madh

    Hoti lajmërohet nga Izraeli: Potenciali i bashkëpunimit është shumë i madh

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar se bashkë me disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, gjendet në një vizitë zyrtare në Izrael.

    Ai tha se në ditën e parë të kësaj vizite, kanë takuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, zyrtarë të nivelit qendror dhe lokal dhe qendra hulumtuese të fushës së sigurisë.

    “Kosova ka shumë miq në Izrael. Bashkëpunimi jonë me Izraelin ka rëndësi strategjike”, shkroi Hoti në Facebook.

  • Sot mbahet takimi i parë i grupit punues të Këshillit të Evropës dhe institucioneve të Kosovës

    Sot mbahet takimi i parë i grupit punues të Këshillit të Evropës dhe institucioneve të Kosovës

    Në Qeverinë e Kosovës sot do të mbahet takimi i përbashkët i Grupit Punues ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe Këshillit të Evropës.

    Takimi është planifikuar të mbahet në ora 13:00 në ndërtesën e Qeverisë, njoftoi MPJD-ja.

    “Të martën në Qeverinë e Kosovës do të mbahet takimi i përbashkët i Grupit Punues ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim.

    Takimin do ta hapin zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe Claus Neukirch, nga Këshilli i Evropës.

  • Blinken: Një kundërsulm i suksesshëm ukrainas do ta detyrojë Putinin të negociojë

    Blinken: Një kundërsulm i suksesshëm ukrainas do ta detyrojë Putinin të negociojë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se shpreson që një ofensivë e suksesshme nga Ukraina do ta detyrojë presidentin rus, Vladimir Putin, të pajtohej për bisedime për përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës.

    Duke folur gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij italian, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë “të bindura se ata do të vazhdojnë të kenë sukses” pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, la të kuptohet se kundërofensiva ukrainase po zhvillohet.

    “Suksesi në kundërofensivë do të bënte dy gjëra: do të forconte pozicionin e saj [Ukrainës] në çdo tavolinë negociuese që do të mund të organizohej dhe mund të ketë efektin që në fakt të detyrojë Putinin që më në fund të përqendrohet në negociata për t’i dhënë fund luftës që ai nisi”, tha Blinken.

    “Në këtë kuptim, mund ta sjellë më afër paqen, jo ta largojë arritjen e saj”, tha Blinken gjatë konferencës për media me kryediplomatin italian, Antonio Tajani.

    Blinken tha se ofensiva ka treguar nevojën për të “maksimizuar mbështetjen tonë për Ukrainën tani, në mënyrë që ajo të mund të ketë sukses në fushëbetejë”.

    Rusia publikisht ka mbështetur organizimin e negociatave, me Kinën si ndërmjetësuese.

    Shtetet e Bashkuara janë shprehur skeptike për përpjekje të tilla, duke thënë se Rusia nuk është serioze për negociata dhe vetëm i intereson vetëm të shfajësojë veten për pushtimin.

    Paqja duhet të jetë “e drejtë dhe e qëndrueshme”, tha Blinken.

    Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Ukraina pretendoi se pas nisjes së kundërofensivës, më 12 qershor kishte arritur të çlironte katër vendbanime në rajonin lindor të Donjeckut./REL

  • “We love Albania”, DJ kosovar e djegë atmosferën në Gjermani

    “We love Albania”, DJ kosovar e djegë atmosferën në Gjermani

    Festivali ‘’We Love Albania’’, është njëri ndër festivalet që bën së bashku artistët më të mirë kosovar për të performuar dhe për ti argëtuar shqiptarët që jetojnë në vendet gjerman folëse.

    Ky festival, po mbahet në Mannheim të Gjermanisë, ku përformuan këngëtar e DJ të ndryshëm.

    Ajo çfarë ra në sy më shumë nga të gjithë, dhe elektrizoj publikun ishte paraqitja e DJ Unique.

    DJ Unique është njëri nga DJ më të mirë kosovar, këtë e dëshmoi edhe me performancën  e tij në  ‘’We Love Albania’’, ku sa filloi ndezi publikun dhe krijoj një atmosferë të ‘’zjarrtë’’.

    Kjo gjë shihet edhe nga videot më poshtë:

  • Në fshatin Shkabaj, asnjë vendkalim për këmbësor

    Në fshatin Shkabaj, asnjë vendkalim për këmbësor

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI 

    Banorët e fshatit Shkabaj, të komunës së Obiliqit, nuk kanë vendkalime. Për të kaluar në anën tjetër të rrugës duhet të kalojnë mbi barrierat e vendosura në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë. Ndonëse, policia ka shqiptuar gjoba për tejkalim të shpejtësisë në këtë pjesë, një gjë e tillë nuk ka ndikuar në vetëdijesimin e shoferëve.

    Vetëm në 5-mujorin e parë të këtij viti, në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë, Policia e Kosovës ka shqiptuar mbi 1 mijë gjoba për mosrespektim të shpejtësisë.

    Sa u përket gjobave të shqiptuara, në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, në periudhën kohore Janar-Maj 2023, janë shqiptuar gjithsej 1107 gjoba, shumica nga këto gjoba janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë.

    Por as këto gjoba nuk ndikuan që ngasësit e veturave të ngasin në bazë të shenjave të vendosura në këtë rrugë nacionale.

    Efekt.. shpejtësia

    Kurse, mespërmes veturave që kalojnë shpejtësinë maksimale të lejuar, banorët e fshatit Shkabaj detyrohen ta kalojnë rrugën, sepse aty nuk ka asnjë vendkalim për këmbësorë.

    Banorët e fshatit Shkabaj, të komunës së Obiliqit, në mungesë të vendkalimeve për këmbësorë, kanë filluar që në rrugën nacionale, në mes të barrierave, të vendosin paleta për të kaluar më lehtë në anën tjetër të rrugës.

    Mungesa e vendkalimeve, sipas njohësve të komunikacionit lidhet me mosplanifikimin e duhur nga ana e institucioneve kompetente.

    Kemi shumë pak, një numër tepër simbolik, që nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve dhe si pasojë e kësaj, kemi pasur edhe jetë të humbura të qytetarëve. Ka pasur anomali që nga fillimi kur kanë mendu prej dy korsive me i bë katër. Tash nuk po e dimë a janë parapa, apo nuk janë parapa fare ato.

    Pikërisht në vendin e njëjtë, vitin e kaluar, si pasojë e aksidenteve kanë humbur jetën dy këmbësorë.

    Për mungesën e vendkalimeve për këmbësorë nëpër këtë rrugë nacionale, ATV-ja ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës, por askush nga kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

     

  • Nuk u kompensuan për dëmet nga përmbytjet, shqiptarë, serbë e boshnjakë protestojnë në Mitrovicë të Veriut

    Nuk u kompensuan për dëmet nga përmbytjet, shqiptarë, serbë e boshnjakë protestojnë në Mitrovicë të Veriut

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Dhjetëra protestues shqiptarë, serbë e boshnjakë protestuan sot para objektit të komunës në Mitrovicë të Veriut, për shkak se nuk u kompensuan për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, që ndodhën në janar të këtij viti. Ata u pritën në komunë, por u tha se faji nuk qëndron në Komunë, por te niveli qendror. Kështu protestën thonë se do ta vazhdojnë nesër, dhe derisa të kompensohen për dëmet.

    Një hall i vetëm, i bëri bashkë qytetarët e tri etnive, shqiptar, serb e boshnjak, të cilët të organizuar ia zunë derën komunës së Mitrovicës së veriut.

    Ata po kërkojnë kompensim për dëmet që iu shkaktuan nga përmbytjet në janar të këtij viti.

    Deri tash thonë se nuk kanë marrë asnjë cent, përkundër se dëmet thonë se i kishin të mëdha.

    “Nuk kemi as ku të rrimë, as kur të flemë. As Qeveria e as këta në komunë nuk na kanë marrë parasysh. Neve qitu na ka ardhë shpirti, edhe sot e kemi nijet me dal në protestë paqësore, në qoftë se nuk ndërmarrin diçka, ka me qenë krejt tjetër protestë, kemi me blloku rrugën”.

    “Kemi dalë me protestu, sepse nga janari ne nuk kemi ku te qëndrojmë e as ku të flemë. Shtëpitë na janë dëmtuar”.

    “Prej që na ka marrë uji flemë në qebe e patos, kjo është marre”.

    Përreth një orë, këta dhjetëra protestues qëndruan para komunës pa dalë kush të flasë me ta, derisa dikur u ftuan brenda që të bisedojnë.

    Por nga aty dolën edhe më të nervozuar.

    Kryetari i ri, Erden Atiq, nuk u pa fare jashtë komunës, por një përgjigje lidhur kompensimin e dëmeve nga përmbytjet e dha zëvendëskryesuesi i asamblesë komunale në këtë komunë, Skender Sadiku.

    “Ne si asamble i kemi nda diku 300 mijë euro. Është votuar, ka ardhur edhe ekzekutivi dhe besoj që shumë shpejt do të finalizohen dhe besoj që edhe ky do të jetë një presion kushtimisht pozitiv i banorëve, sepse vërtet këta janë në telashe.

    Ani pse faji thonë se rëndon mbi qeverinë, protesta do të vazhdojë edhe nesër në të njëjtin vend.

  • Pediatria në QKUK bëhet me rezonancë magnetike

    Pediatria në QKUK bëhet me rezonancë magnetike

    PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë përuruar rezonancës magnetike në Spitalin e Pediatrisë në QKUK. Gjatë përurimit Kurti e Vitia premtuan se në shëndetësi do të ketë investime të reja.

    Në Spitalin e Pediatrisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është përuruar rezonanca magnetike, e cila do të shërbejë për diagnostikimin e shpejtë të sëmundjeve që i prekin fëmijët.

    Kjo rezonancë magnetike, që është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, kap koston e mbi 1 milion eurove.

    Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti ka vizituar nga afër Pediatrinë, me ç’rast ka lavdëruar punën e Ministrisë së Shëndetësisë.

    “Pas funksionalizimit të rezonancës magnetike në spitalin e Pejës, po e bëjmë këtë edhe në spitalin Pediatrik, këtu në QKUK. Ndërkaq, në vjeshtë do ta kemi edhe rezonancën magnetike në spitalin e Prizrenit. Në njërën anë, ne dëshirojmë që të kemi sa më shumë decentralizim të shërbimeve gjithnjë e më cilësore, të ketë diagnostikim sa më të mirë për të gjithë pacientë e të ketë gjithashtu edhe lista sa më të shkurtra për pacientët. Meqenëse shërimi dhe terapia varen shumë prej diagnostikimit sa më cilësor, sa më të thellë, kjo në njërën anë varet nga kuadri mjekësor, ndërkaq në anën tjetër edhe nga teknologjia moderne që është kjo rezonancë magnetike”.

    Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se janë duke punuar maksimalisht për t’i reduktuar listat e gjata të pritjes.

    “Është në vazhdën e punës të cilën jemi duke e bërë kohën e fundit realisht me një intensitet të shtuar për t’i shkurtuar edhe listat e pritjes në një anë dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve”.

    Vitia, me këtë rast, ka shpalosur edhe projekte të reja që pritet të funksionalizohen në klinikën e Nuerokirurgjisë.

    “Janë edhe disa projekte të rëndësishme që janë duke u kryer. Deri në vjeshtën e këtij viti, përveç rezonancës në Prizren, edhe përveç pjesës diagnostikuese, janë edhe pjesë intervenuese ku vetëm në Neurokirurgji tani është në proces një projekt me teknologjinë më moderne, për intervenimin e shumë rasteve të cilat deri më tani për shkaqe të ndryshme, për shkak të mungesë së këtyre pajisjeve, fatkeqësisht pacientët tanë është dashur që të kërkojnë ndihmë jashtë institucioneve publike shëndetësore. Është bërë lista prej 42 milionë eurosh investime, e cila do të adresojë investime në infrastrukturë dhe në pajisje”.

    Përurimin e kësaj rezonance e ka mirëpritur edhe menaxhmenti i SHSKUK-së.

     

     

     

     

     

  • Shkollat në pushim për ditën e çlirimit të Kosovës

    Shkollat në pushim për ditën e çlirimit të Kosovës

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU

    E hëna ishte ditë pushimi për nxënësit dhe mësimdhënësit në gjithë vendin. Ndonëse 12 qershori nuk figuron në kalendarin e festave zyrtare, kjo rregullohet për sistemin arsimor përmes kalendarit shkollor.

    Ashtu sikurse shkolla e mesme “Xhevdet Doda”, edhe të gjitha shkollat e tjera të vendit të hënën e kishin pushim.

    “Për Ditën e Çlirimit të Kosovës, sipas kalendarit shkollor të Ministrisë së Arsimit, është paraparë që në të gjitha shkollat e vendit të jetë pushim”.

    Por për dallim nga nxënësit dhe mësimdhënësit, pushim nuk patën zyrtarët në  institucionet e tjera shtetërore, pasi një gjë të tillë nuk e parasheh kalendari i festave zyrtare.

    Drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi, thotë se 12 qershori është ditë pushimi me vendim të Ministrisë së Arsimit.

    “Nxënësit dhe mësimdhënësit e Kosovës për çdo vit më 12 qershor kanë pushim. Kjo ditë është në kalendarin e festave, është urdhër dhe duhet të respektohet gjithmonë kjo ditë, sepse na obligon vetë Ministria e Arsimit”.

    Megjithatë, ai thotë se festat zyrtare nuk ndikojnë negativisht në plan-programin mësimor.

    “Kjo është e paraparë edhe për përgatitjet e plan-programeve mësimore, që janë dhe parashihet të jetë festë dhe nuk parashihet që të punohet”.

    Ndryshe, janë 13 festa që bëjnë pjesë në kalendarin shkollor të Ministrisë së Arsimit.