ATV

Blog

  • Milatoviq: Ndajmë qëndrimin e BE-së për veriun e Kosovës, i gatshëm për të ndihmuar

    Milatoviq: Ndajmë qëndrimin e BE-së për veriun e Kosovës, i gatshëm për të ndihmuar

    Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq u shpreh sot se Mali i Zi mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se është i gatshëm të ndihmojë nëse i kërkohet ndihmë.

    “Ne e mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse kërkohet ndihmë nga ne, por normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është me të vërtetë, më duket, baza e një Ballkani perëndimor të qëndrueshëm dhe të begatë dhe ne për këtë po angazhohemi”, tha Milatoviq në një intervistë për agjencinë MIA.

    Ai tha se personalisht do të dëshironte dhe mendon se të gjithë në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të dëshironin të shihnin një de-eskalim të plotë të konfliktit dhe në përgjithësi të mosmarrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe vuri në dukje se përmirësimi shtesë i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi.

    Sipas tij, Mali i Zi ndan plotësisht qëndrimin me Bashkimin Evropian (BE) se për të de-eskaluar tensionet është e nevojshme që sërish të zhvillohen zgjedhjet në veri të Kosovës dhe të plotësohen parakushtet për formimin e Asociacionit të komunave serbe.

    “Mendoj se ne kemi një qëndrim krejtësisht identik për këtë çështje me BE-në, se për të arritur atë de-eskalim, duhet të mbahen sërish zgjedhje në veri të Kosovës, duhet të përmbushen parakushtet që kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës, si disa hapa drejt deeskalimit të mëtejshëm të tensioneve. Mali i Zi mbështet gjithçka që të çon në këtë drejtim”, u shpreh Milatoviq.

    “Besoj se ne me të vërtetë kemi nevojë për një Ballkan Perëndimor të prosperuar dhe të qëndrueshëm si pjesë e BE-së”, theksoi presidenti i ri malazez, në një intervistë në margjinat e Forumit të Prespës në Maqedoninë e Veriut.

    Milatoviq tha se mendon se iniciativa “Ballkani i Hapur” është një gjë e mirë për Malin e Zi dhe Ballkanin Perëndimor dhe se mund të jetë një trampolinë e mirë për integrimin evropian.

    Dje (15 qershor), përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell ka deklaruar se javën e ardhshme do të ftojë Kosovën dhe Serbinë në një takim në Bruksel.

    Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në veri. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

    Qeveria e Kosovës është kritikuar lidhur me veprimet në veri të vendit.

    Të martën (13 qershor), është raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Ndërsa, të mërkurën (14 qershor) Bashkimi Evropian ka deklaruar se kanë vendosur të ndërmarrin masa ndaj Kosovës, por që të njëjtat nuk janë sanksione. Sipas zëdhënësit Peter Stano, nuk përjashtohet mundësia për masa të tjera nëse Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve.

  • Paraburgim për tre policët e Kosovës të arrestuar nga forcat serbe

    Paraburgim për tre policët e Kosovës të arrestuar nga forcat serbe

    Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë – dha urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, më 14 qershor.

    Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

    Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., iu shqiptua të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

    Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

    Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.

    Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.

    “Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara”, tha ai.

    “Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, shtoi Kurti.

    Ai, po ashtu, tha se NATO-ja duhet ta dënojë shkeljen që, sipas tij, i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre./REL/

    *Ky lajm është duke u përditësuar.

     

  • Krasniqi i shkon në zyrë Lulzim Hetemit, zbulon vendimet që ka marrë kreu i Leposaviqit

    Krasniqi i shkon në zyrë Lulzim Hetemit, zbulon vendimet që ka marrë kreu i Leposaviqit

    Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka qëndruar sot në Leposaviq ku edhe është takuar me kryetrarin e kësaj Komune, Lulzim Hetemin.

    Krasniqi thotë se në këtë takim është njoftuar për vendimet e fundit të Hetemit, për emërimin e disa drejtorëve, duke dhënë dhe emrat.

    “Në takim me Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, diskutuam për zhvillimet në Komunë me ç’rast Kryetari më njoftoi për vendimet e fundit. Kryetari Hetemi, ka vazhduar me plotësimin e kabinetit të tij, si rrjedhojë ka emëruar drejtorë në drejtoritë përkatëse: Sretena Bojovic, Andjela Simic, Valton Peci dhe Arjeta Tahiri. Falënderoj Kryetarin Hetemi për përkushtimin e tij që të punojë së bashku me kabinetin e tij për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”, ka shkruar Elbert Kransiqi.

  • Tahiri kërkon angazhim nga Kurti e ndërkombëtarët për lirimin e zyrtarëve policor

    Tahiri kërkon angazhim nga Kurti e ndërkombëtarët për lirimin e zyrtarëve policor

    Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar më shumë angazhim nga kryeministri Albin Kurti e faktori ndërkombëtar që tre policët e kidnapuar nga Serbia të lirohen sa më parë.

    Në një deklarim për gazetarë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri deklaroi se kjo situatë do të ndikojë në përkeqësim të raporteve ndëretnike.

    “Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës kërkoj një angazhim më serioz së bashku me partnerët ndërkombëtare për lirimin e tre zyrtarëve policor të kidnapuar të cilët janë duke u mbajt peng realisht nga dhe kidnapuar nga forcat paramilitare të Serbisë e të cilët kanë bërë një cenim të integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

    “Është e papranueshme që ata policë të mbahet atje dhe njëkohësisht do të ndikojë që në një formë apo tjetrën në përkeqësim të raporteve ndëretnike”, u shpreh Tahiri.

  • Gjakova lufton për medaljen e artë në Grand Slam të Kazakistanit

    Gjakova lufton për medaljen e artë në Grand Slam të Kazakistanit

    Edhe një tjetër medalje është siguruar për Kosovën në garat e xhudos, përkatësisht në Grand Slamin e Kazakistanit.

    Bëhet fjalë për Nora Gjakovën, e cila në kuadër të kategorisë deri në 57 kilogram do të luftojë në finale të këtij Grand Slami për medaljen e artë, raporton KosovaPress.

    Në raundin e Gjakova ishte e lirë, kurse në xhiron e dytë ajo mposhti me Ippon, garuesen nga Letonia, Anastasija Sokirjanska. Nora në çerekfinale mposhti me Ippon edhe polaken, Julia Kowalczyk.

    Në gjysmëfinale garuesja jonë mposhti me tri dënime për Ippon, holandezen, Julie Beurskens.

    Tani, Nora Gjakova, e cila gjithashtu është edhe kampione Olimpike, në finale do të ndeshet me xhudisten franceze, Sarah Leonie Cysique.

  • Vërshohet nga uji një lagje në Fushë-Kosovë pas reshjeve të shiut

    Vërshohet nga uji një lagje në Fushë-Kosovë pas reshjeve të shiut

    Reshtje e pandërprera të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në gjithë vendin. Një lagje në Fushë-Kosovë është vërshuar, duke bërë që uji të hyjë edhe në bodrumet e ndërtesave.

    Reshtjet e shiut nuk kanë pushuar as të premten, duke bërë të pamundur që të hiqet ujit nga ndërtesat.

    Burim Kika, tha se kjo është hera e dytë që Lagjja “Eliza” po përmallet me përmbytje. Ai madje është ankuar se askush nga komuna nuk i vizituar.

    “Prej dje pasdite ka filluar gjendja veç sa po vjen e po përkeqësohet prapë po ka reshje tash fillojë me pas reshje prapë. Objektet përreth thuaj se të gjitha janë të përmbytura prej ujit nuk kemi pas vizitë prej komunës”.

    “Është hera e dytë që po ballafaqohemi me ketë problem. Garazhet janë të përmbytura. Kemi angazhuar kompania me disa punëtorë për me bë tërheqjen e ujit të shohim ne veç po lutemi me u ndal shiu edhe me filluar mu nxeh koha që mos me pas më përmbytje”.

    Demir Zhugolli tha se të gjithë duhet që të punojnë në mënyrë që të tejkalohet kjo gjendje, raporton EO.

    “Duhet mu qu krejt ka pak edhe komuna. Prej komunës s’kemi asgjë veç kur janë zgjedhjet vijën”.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishe paralajmëruar vështrime ditë më parë. Përderisa sipas parashikimeve temperaturat do të rriten veç javën tjetër.

  • Merren në pyetje në Serbi tre policët e Kosovës, Prokuroria s’tregon akuzat që rëndojnë mbi ta

    Merren në pyetje në Serbi tre policët e Kosovës, Prokuroria s’tregon akuzat që rëndojnë mbi ta

    Në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë po merren në pyetje tre policët e Kosovës, të cilët sipas autoriteteve në Beograd, janë arrestuar në territorin e Serbisë më 14 qershor.

    Lajmin e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Prokuroria e këtij qyteti në jug të Serbisë.

    Prokuroria nuk iu përgjigj pyetjeve se çfarë akuzash rëndojnë mbi tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e saj.

    Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

    Autoritetet në Serbi të premten e 16 qershorit duhet të vendosin për trajtimin e mëtjemë të çështjes së arrestimit të tre policëve të Kosovës, pasi kanë kaluar 48 orë nga arrestimi i tyre.

    Ky është afati ligjor në të cilin Prokuroria duhet të vendosë nëse do të propozojë masën e paraburgimit prej një muaji, dhe më pas gjyqtari të marrë vendimin.

    Nëse një vendim i tillë nuk merret, policët e arrestuar duhet të lirohen.

  • Kurti: Rrëmbimi i tre policëve akt i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës

    Kurti: Rrëmbimi i tre policëve akt i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Prespës, pati një takim me Livia Leu, Sekretaren e Shtetit të Federatës së Zvicrës.

    Kryeministri Kurti dhe Sekretarja Leu biseduan mbi raportin mes dy shteteve, gjegjësisht marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Me këtë rast, kryeministri shprehu falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim u vlerësua roli i rëndësishëm i mërgatës shqiptare në Zvicër, si urë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe mundësinë që ajo paraqet për zhvillimin ekonomik të vendit.

    Lidhur me situatën aktuale në vend, kryeministri riktheksoi kërkesën për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer, pasi ky veprim është një akt i agresionit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, teksa përsëriti nevojën për deeskalim dhe normalizim të situatës.

    Në këtë drejtim, kryeministri Kurti nënvizoi propozimin e tij për deeskalim të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, të paraqitur ditën e hënë dhe nevojën për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

    Duke falënderuar Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Zvicrës, kryeministri Kurti shtoi që komunat ende kanë nevojë për zhvillim dhe njëkohësisht kërkoi që të ketë edhe më shumë mbështetje në vazhdimësi. Ai gjithashtu falënderoi edhe për kontributin e Zvicrës në KFOR nëpërmjet Sëisscoy.

    Në takim, ishte i pranishëm Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.

  • Abazoviq takon Kurtin në Strugë: Mali i Zi i gatshëm të mirëpresë raundin e radhës të dialogut Kosovë-Serbi

    Abazoviq takon Kurtin në Strugë: Mali i Zi i gatshëm të mirëpresë raundin e radhës të dialogut Kosovë-Serbi

    Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka njoftuar se është takuar në Strugë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Abazoviq ka thënë se Mali i Zi si një vend mik i Serbisë dhe Kosovës por edhe i gjithë të tjerëve në rajon, është i gatshëm që të mirëpres raundin e radhës të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me përfshirjen zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.

  • Tahiri: Murati duhet të jap llogari – Qeveria i ka bllokuar investimet, infrastruktura në kolaps

    Tahiri: Murati duhet të jap llogari – Qeveria i ka bllokuar investimet, infrastruktura në kolaps

    Shefi i Deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se me kërkesë të kësaj partie, të enjten do të diskutohet me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

    Ministri Murati është ftuar në interpelancë për “Rishikimin e buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritjen e pagave në sektorin publik”.

    Tahiri shtoi Qeveria i ka bllokuar krejtësisht investimet kapitale dhe se infrastruktura rrugore është në kolaps.

    “Të enjten do të mbahet seancë e rregull, me një pikë të rendit të ditës interpelanca e ministrit Murati. E para lidhet me bllokimin total që Qeveria u ka bërë investimeve kapitale”.

    Infrastruktura rrugore është në kolaps dhe në këtë interpelancë do ta diskutojmë me ministrin”, tha ai, teksa shtoi se kërkesa e dytë do të jetë rritja e koeficientit të Ligjit për paga.

    Murati në interpelancë të enjten për rishikimin e buxhetit dhe rritjen e pagave në sektorin publik