ATV

Blog

  • Nora Gjakova e argjendtë në Kazakistan

    Nora Gjakova e argjendtë në Kazakistan

    Xhudistja jonë, Nora Gjakova ishte e pafat duke humbur në finale, por fitoi medaljen e argjendtë të Grand Slamit që po mbahet në Kazakistan.

    Gjakova nuk ka arritur të triumfojë në finalen e madhe në kategorinë deri në 57 kilogramë.

    Në finale, xhudisja jonë u mposht me ‘ippon’ nga xhudistes nga Franca, Sara Leonie Cysique.

    Ndryshe, Gjakova e nisi ditën për mrekulli në Kazakistan, duke shënuar fillimisht dy fitore në kategorinë deri në 57 kilogramë.

    Pejania raundin e parë e nisi pa luftë, ndërsa në raundin e dytë fitoi ndaj Anastasija Sokirjanska të Letonisë.

    Në rrethin e tretë, Nora u ndesh me polaken Julia Kowalczyk, të cilën gjithashtu e mposhti për të kaluar në gjysmëfinale.

    Në gjysmëfinale, kampionia olimpike pati punë me Julie Beurskens, të cilën e mposhti për të kaluar në finalen e madhe.

  • “Pa bukë e ujë”, MPJD thotë se policët e kidnapuar po trajtohen çnjerëzisht në Kralevë

    “Pa bukë e ujë”, MPJD thotë se policët e kidnapuar po trajtohen çnjerëzisht në Kralevë

    Shefi i kabinetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sharr Jakupi, ka thënë se policët e Kosovës, të kidnapuar nga forcat serbe, janë duke u trajtuar në mënyrë çnjerëzore nga Serbia.

    Sipas Jakupit, policëve kosovarë nuk po u jepet as ushqim e as ujë, teksa shtoi se njërit nga ta, përkundër kërkesës për kujdes mjekësor, një gjë e tillë nuk i është ofruar.

    “Raporte thellësisht shqetësuese në lidhje me trajtimin e tmerrshëm të tre policëve tanë të rrëmbyer me forcë nga Republika e Kosovës, aktualisht të ndaluar në Kralevë. Pavarësisht se u është zgjatur 30 ditë paraburgimi për akuzën e ‘armëmbajtjes pa leje’, krimi i vërtetë janë kushtet e turpshme që po përballojnë. Të privuar nga ushqimi dhe uji, oficerët i janë nënshtruar një trajtimi krejtësisht çnjerëzor. Duke shtuar fyerjen ndaj lëndimit, një oficer, në nevojë të dëshpëruar për kujdes mjekësor, është lënë pas dore, duke iu dhënë vetëm një injeksion të pashpjegueshëm që nga ndalimi i tij”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se mostrajtimi i duhur mjekësor ndaj policëve kosovarë është shqetësim i madh.

    “Fakti që zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd paralajmëroi autoritetet serbe dhe komunitetin diplomatik për nevojën e trajtimit mjekësor, vetëm për t’u injoruar tërësisht nga autoritetet serbe, është një shqetësim i madh’, ka thënë ai.

    “Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i dënojë me zë të lartë këto mizori dhe t’i bëjë presion Serbisë që të lirojë menjëherë oficerët tanë. Heshtja dhe mosveprimi i barabartë bashkëfajësi”, ka vijuar ai.

  • Sulmohen gazetarët në veri, Konjufca: Nëse BE-ja toleron agresionin e Serbisë, dialogu s’ka kuptim

    Sulmohen gazetarët në veri, Konjufca: Nëse BE-ja toleron agresionin e Serbisë, dialogu s’ka kuptim

    Kyetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka dënuar ashpër sulmet e sotme ndaj gazetarëve kosovarë në veri të vendit dhe ka kërkuar që kriminelët të vihen para drejtësisë.

    “Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të medieve kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës. E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

    Ai po ashtu tha se i bën thirrje edhe një herë faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë, si shkaktare të këtyre tensioneve, “sepse s’mund të ketë qetësi dhe stabilitet nëse bandat vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe terror mbi popullsinë e këtyre komunave, gazetarët dhe forcat e rendit”.

    Ai madje tha se nëse BE-ja i toleron këto veprime të Serbisë, atëherë dialogu nuk ka më kuptim.

    “Çfarë fqinjësie të mirë dhe normalizimi raportesh mes dy vendeve mund të pretendohet nëse Bashkimi Evropian e toleron një sjelle të tillë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës. Nëse BE e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi”, ka thënë ai.

    Konjufca theksoi se Kosova nuk do t’i tolerojë provokime të tilla, por as faktori ndërkombëtar nuk duhet t’i kalojë pa ndëshkim interferime të tilla të Serbisë në stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

    Sipas Konjufcës, duke vazhduar t’i mbajë të aktivizuara grupet kriminale dhe sulmuesit e maskuar në katër komunat veriore të Kosovës, Serbia dëshiron me çdo kusht ta përshkallëzojë dhe ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë.

    “Që nga pengimi i të drejtës ligjore të kryetarëve të zgjedhur të komunave për ta ushtruar detyrën në institucionet komunale përmes sulmesh të dhunshme e me armë zjarri kundrejt policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it, sulmeve ndaj gazetarëve e deri te rrëmbimi i tre policëve kufitarë nga ushtria serbe brenda territorit të Kosovës, Serbia po dëshmon se dëshiron patjetër tension dhe konflikt në Kosovë, saktësisht të kundërtën e asaj që po kërkon bashkësia ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

  • Avokati serb e konfirmon: Paraburgim prej 30 ditësh për tre policët e kidnapuar

    Avokati serb e konfirmon: Paraburgim prej 30 ditësh për tre policët e kidnapuar

    Avokati serb, Çedomir Stajkoviç, ka konfirmuar përmes rrjetit social Twitter se Gjykata në Kraljevë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre policëve të kidnapuar nga policia serbe.

    “Prokuroria në Kralevë ka iniciuar procedurë penale kundër 3 policëve të arrestuar të Kosovës (Rifat Zeka, Beqi Sefini, Mustafa Shemi) për veprën penale “mbajtje dhe mbajtje pa leje e armëve dhe lëndëve shpërthyese” nga neni 348 paragrafi 4 i Kodit Penal”.

    “Gjykata në Kraljevë caktoi paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Duke ditur praktikën e gjykatave, kjo është bërë pothuajse me siguri për dy arsye: a) rrezik ikje; b) shqetësimi i publikut: këta janë emra të bazave ligjore, jo domosdoshmërisht fakte. Ky paraburgim mund të zgjasë deri në 6 muaj gjatë hetimit (kontrollohet çdo 30 ditë me vendim të ri gjyqësor) dhe gjatë gjykimit mund të zgjasë deri në përfundim të gjykimit”, ka shkruar Avokati serb, Çedomir Stajkoviç në Twitter.

  • ​Skandali me videon intime, Gjici shkarkohet dhe dorëhiqet

    ​Skandali me videon intime, Gjici shkarkohet dhe dorëhiqet

    Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, fillimisht ka njoftuar dorëheqjen nga kjo pozitë, e më pas është bërë e ditur se edhe është shkarkuar nga Këshilli i Ministrave, pas publikimit të një videoje ku shihet duke kryer veprime të turpshme në zyrën e tij.

    Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Gjici kërkoi ndjesë të thellë publike çdokujt që sipas tij, sot ka parë atë material të shëmtuar video.

    “Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ia arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve. Jam shumë i keqardhur për ngjarjen dhe jam më se i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi. Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë, por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarësisht se i rënë në kurth”, theksoi Gjici.

    Gjici tha se nuk mund të jem më njeriu që punon në zyrë shteti, pasi shtoi se ka tradhtuar besimin mijëra njerëzve që i besuan.

    “Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jetën kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme, ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen”, tha Gjici.

    Më pas, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi gjatë një prononcimi për mediat pas mbledhjes se Këshilli i Ministrave ka shkarkuar nga detyra kryetarin e bashkisë së Kukësit.

    Safet Gjici ishte zgjedhur kryetar i Kukësit në vitin 2019 ndërsa u rikonfirmua si kryetar në zgjedhjet e majit të këtij viti. Ai ishte pjesë e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.

  • Kurti takohet me presidentin e Kroacisë, flasin për zhvillimet e fundit në veri

    Kurti takohet me presidentin e Kroacisë, flasin për zhvillimet e fundit në veri

    Në Strugë të Maqedonisë së Veriut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović, teksa dytë po marrin pjesë në Forumin e Prespës.

    U bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe për fushat me potencial të thellimit tyre.

    Kryeministri Kurti falënderoi presidentin Milanović për përkrahjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë shtetit të Kosovës, si një kontribuues i rëndësishëm i paqes dhe sigurisë rajonale, dhe për mbështetjen e fuqishme në arenën ndërkombëtare.

    U fol edhe për zhvillimet në vend, situatën pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për veprimin agresor të Serbisë vetëm disa ditë më parë ndaj Kosovës.

    Kryeministri Kurti tha se Serbia ka shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kur nga brendia e territorit të Kosovës ka rrëmbyer tre policë të Kosovës.

    Ai tha se një sjellje e tillë e Serbisë, që për më tepër vjen në momentin kur de-përshkallëzimi i situatës në veri të vendit është synim i përbashkët, duhet të dënohet nga i gjithë faktori ndërkombëtar dhe të bëhet thirrje nga të gjithë që tre policët që po mbahen padrejtësisht në Serbi, duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

  • Reagon AGK për sulmin ndaj mediave në Leosaviq: Kameramani i RTK-së pëson lëndime të rënda në kokë dhe trup

    Reagon AGK për sulmin ndaj mediave në Leosaviq: Kameramani i RTK-së pëson lëndime të rënda në kokë dhe trup

    Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq.

    Pas sulmeve ndaj gazetarëve ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili i ka bërë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë.

    Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren.

    Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit.

    Në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e medieve, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

    “Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”.

    AGK-ja, dënon ashpër këtë sulm, njëherësh bën të ditur se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

  • Elvir Azizi drejtori i ri i ShSKUK-së

    Elvir Azizi drejtori i ri i ShSKUK-së

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar ka bërë publike rezultatet e testit të kandidatëve për drejtor të ri të SHSKUK.

    Sipas rezultatit të publikuar nga SHSKUK Elvir Azizi është përzgjedhur si drejtor i ri i përgjithshëm në ShSKUK, pasi që ka fituar më së shumti pikë me gjithsej 74.2 pikë.

    Elvir Azizi ka qenë ish-ekspert i jashtëm i Bankës Botërore për Ministrinë e Shëndetësisë.Kandidatët e tjerë si dr.

    Pas tij vjen drejtori i tanishëm i Klinikës së Gjinekologjisë Zef Ndrejaj, i cili sipas rezultateve, ka gjithsej 62.7 pikë.

    Haqif Gashi, zyrtar në administratën e SHSKUK-së ka gjithsej 58.9 pikë.

    Sipas njoftimit kandidatët e pakënaqur me rezultatin mund të bëjnë ankesë brenda afatit kohor prej 15 ditësh nga dita e publikimit të rezultateve.

    Ndryshe, kandidat ka qenë edhe ish-drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani, por i cili ka hequr dorë nga gara për drejtor të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar. Si dhe Basri Sejdiu i cili me rekomandim të MPB-së, ishte larguar nga lista për të parin e SHSKUK-së.

  • Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja

    Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se, përshkallëzimi është duke krijuar kushte të vështira për rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë.

    Ai e ka ritheksuar se kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, duhet të punojnë në lokacione alternative, Polica e Kosovës të tërhiqet nga ndërtesat komunale, që protestuesit të largohen nga rruga dhe përgjegjësit e dhunës së 29 majit ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet të mbahen përgjegjës para autoriteteve.

    Escobar ka thënë se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja.

    “Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja”.

    Ai ka thënë se të dyja palët kanë rol në uljen e tensioneve.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri:

    – Shtensionimin e situatës atje
    – Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
    – Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.

    Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

  • Protestues të maskuar në Leposaviq rrahin brutalisht kameramanin e RTK-së (VIDEO)

    Protestues të maskuar në Leposaviq rrahin brutalisht kameramanin e RTK-së (VIDEO)

    Situata në komunën e Leposaviqit ka eskaluar në dhunë ndaj gazetarëve të mediumeve të Kosovës.

    Në një video të publikuar në RTK, shihet se kameramani i mediumit publik, Bardh Bekteshi, është sulmuar nga persona të maskuar.

    Në pamje shihet se persona të maskuar fillimisht e rrëzojnë kameramanin e pastaj e godasin me shqelma.