ATV

Blog

  • Zbulohet arsyeja pse Bebe Rexha u qëllua me telefon, bëri shqiponjën në skenë

    Zbulohet arsyeja pse Bebe Rexha u qëllua me telefon, bëri shqiponjën në skenë

    Një incident ka ndodhur të dielën në koncertin e Bebe Rexhës në Nju Jork, ku këngëtarja u qëllua në kokë me një celular.

    33-vjeçarja po interpretonte në një koncert për turneun saj “Best F’n Night Of My Life”.

    Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, duket se një person nga tuma qëllon drejt artistes, gjatë kohës që ajo po interpretonte simbolin e shqiponjës me duar.

    Pas një momenti tronditjeje, këngëtarja e nominuar për Grammy ra në gjunjë me kokën ulur, ndërsa anëtarë të shumtë të ekuipazhit në krahë nxituan për ta ndihmuar.

  • ​Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale mos të afatizohet

    ​Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale mos të afatizohet

    Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, aktualisht është në vakum ligjor. Nga shkurti i këtij viti, asnjë viktimë nuk ka pasur mundësi të aplikojë pranë komisionit qeveritar dhe të gëzojë pensionin. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe organizatat tjera të licencuara, kanë përsëritur kërkesën që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Ndërkohë, është në proces plotësim-ndryshimi i ligjit, i cili mundëson zgjatjen e afatit vetëm për dy vjet.

    Sfidat dhe shqetësimet e burrave dhe grave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë përmendur edhe në tryezën “E drejta për njohje: Ndikimi i mungesës ligjore dhe afatizimit të aplikimit në procesin e njohjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

    Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se nuk duhet të kufizohet afati për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

    “Krimet e luftës nuk parashkruhen, as e drejta në krimet e luftës nuk duhet të afatizohet. Aq më shumë kur kemi të bëjmë me një grup kaq të ndjeshëm, siç janë viktimat e dhunës seksuale të luftës. Këto gra dhe burra kanë presione, janë të stigmatizuara, të paragjykuar në familje, në shoqëri ende. Edhe pse ka një progres edhe sot kur po flasim janë rreth 1500 gra dhe burra që përfitojnë dhe e kanë ndjerë dorën e shtetit që i përkrah në formë të pensionit. Fatkeqësisht janë edhe shumë gra dhe burra që ende kanë probleme me familjen, ende nuk e kanë diskutuar këtë çështje me familjen. Shumë nga ato presin fatkeqësisht që t’iu vdes burri, që t’iu vdes vjehrra, që t’iu martohet fëmijët, janë rrethana psikologjike në familje që ato duhet të marrin vendimin. Ky afatizim qysh në këtë periudhë kohore e ka krijuar një lloj vakumi ligjor”, theksoi Rushiti.

    Në komisionin i cili ka mbaruar punën në shkurt, Rushiti shtoi se nuk është pranuar asnjë histori e re e viktimave të dhunës seksuale.

    E zhgënjyer me këtë proces u shpreh drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj, e cila tha se tash e 24 vjet po përballen me sfida.

    “Jemi të shqetësuar dhe të zhgënjyer me këtë afat të kufizimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Pasi që kemi pritur shumë vjet dhe sot pas 24 vjet po duhet ende që të ballafaqohemi për të kërkuar të drejtën e këtyre grave. Ne sot si shoqëri, si institucione do të duhej të merreshim me punë, me rehabilitimin e të mbijetuarve të luftës, por edhe me përfitimin e benefitive siç janë të parapara me ligj, jo sot pas 24 vitesh ende duke kërkuar të zgjatet afati për aplikimin. Ka pasur shumë shqetësime, zhgënjime tek komisioni, është pritur me vite të tëra për njohjen e statusit. Kemi kaluar edhe fazën e pandemisë gjatë pesë vitesh sa ka qenë afati. Gjatë këtij afati ka pasur raste që asnjëra nuk ka mundur të aplikojë”, shtoi Tahiraj, duke përmendur edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen viktimat kur paraqiten në komision.

    Edhe drejtoresha e “Medica Kosova”, Veprore Shehu tha se ky afat nuk mjafton që gratë të sfidojnë mentalitetin e familjes e shoqërisë dhe të gëzojnë të drejtat e tyre.

    “Me ketë proces që kemi filluar të njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, ne jo vetëm që kemi hapur rrugë që të flasin gratë dhe që një nevojë për njohje të tillë institucionale dhe për të përfituar përmes një pensioni mujor, ka ndikuar që gratë ta marrin këtë hap. Konsideroj se shumë gra edhe tash kanë ngel akoma në dilemën e qasjes në këtë proces. Pavarësisht qe jemi në një vakum, tash kanë kaluar gjashtë muaj jemi në pritje të amendamentimit të ligjit, për ta vazhduar procesin, kemi pritur vite të tëra që të fillojmë me këtë proces, të fuqizojmë gratë dhe nuk duhet të presim më tepër që ky proces të fillojë”, theksoi Shehu në këtë tryezë.

    Të vështirë e ka konsideruar për viktimat, Mirlinda Sada nga Medica Gjakova, vakumin ligjor të krijuar pas përfundimit të mandatit. Sipas saj, krimet e luftës janë shkelje e të drejtave të njeriut dhe të njëjtat nuk parashkruhen.

    “Kjo është duke shkaktuar një ri-traumatizim tek të mbijetuarit, mirëpo ne shpresojmë dhe ju bëjmë thirrje institucioneve, parlamentit, qeverisë që sa më shpejt që të fillojmë zbatimin ose vazhdimin e punës për aplikim. Duke ditur që dy vite kalojnë shumë shpejt dhe nga 25 maji qysh ne e kemi informatës do të fillojë implementimi, sot jemi me datën 19 qershor dhe ende nuk ka filluar dhe dy vjet të plota nuk kanë mbetur. Ne si organizata kërkojmë që ligji të fillojë sa më parë me zbatimin dhe të mos jetë i kufizuar”, deklaroi Sada.

    E në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për te Drejtat e Njeriut, Duda Balje deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.

    “Kemi dy probleme të mëdha, problemi i parë është kufizimi kohor, problemi i dytë mënyra e funksionimit të komisionit. Në dy vjet e fundit, katër herë kemi pasur në takim komisionin. Kemi shkuar në Drenas, kemi pasur viktima edhe brenda komisionit edhe unë për 15 vite ka qenë takimi më i rëndë në karrierën time. Me krejt energjinë kemi provuar të ndihmojmë, por prapë se prapë kemi pasur probleme… Kërkimi i shenjave trupore pas sa kohë, mënyra si e kanë trajtuar femrën është problem. Ka qenë ofenduese çfarë kanë përjetuar”, deklaroi Balje.

    Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj. Statusi i viktimës së dhunës seksuale është njohur me ligj në vitin 2024. Ndërkaq, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018. /KP

  • ​Raportuesi për Ballkanin Perëndimor: Kush solli armë në protestat në veri?

    ​Raportuesi për Ballkanin Perëndimor: Kush solli armë në protestat në veri?

    Raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut, Boris Mijatoviç, duke diskutuar për situatën në veri të vendit, ka ngritur pyetje se kush solli armë në protestat e ditëve të fundit ndërsa tha se dëshiron të dijë se kush i dërgoi këta njerëz të armatosur në protestë.

    Duke folur për Deutche Welle, Mijatoviç u shpreh se Kurti dhe Vuçiq duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për shtensionimin e situatës.

    “Pak ditë më parë gjatë prezantimit të kryetarëve të komunave u plagosën njerëz. Jo vetëm 41 ushtarë të KFOR-it nga Hungaria dhe Italia, por edhe mbi 50 demonstrues. I uroj të gjithëve një shërim të shpejtë. Por do të doja të dija pse kishte plagë me armë zjarri. Do të doja të dija se nga vijnë bombat ndezëse. Unë do të doja të di se kush i dërgoi këta njerëz atje ose pse këta njerëz në mënyrë të pavarur sjellin armë në një demonstratë që lëndojnë njerëzit? Sulmet ndaj forcave të sigurisë janë të papranueshme dhe të patolerueshme”, tha Mijatoviç që shtoi se përgjigjet i pret nga presidenti serb Vuçiq, KFOR dhe kryeministri Kurti.

    I pyetur nëse sanksionet ndaj Kosovës janë rruga e duhur për shtensionim të situatës, Mijatoviç thotë se ndërkombëtarët nuk duhet të jenë lojtarë në këtë situatë por t’i lihet Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhin këtë çështje.

    “Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm që të mos veprojmë shumë si lojtar në këtë situatë. Ne nuk jemi aktor politik në parlamente apo në qeveri. Ne kemi një rol të politikës së jashtme. Ne mund ta mbështesim situatën me shkëmbime diplomatike. Por gabojmë kur ndërhyjmë në politikë dhe bëhemi aktorë politikë në terren. Ky është një problem që haset edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, siç mund ta shohim nga z. Schmidt. Është më mirë t’i qasemi situatës dhe detyrës me përulësi dhe të përqendrohemi në atë që duam: që z. Vuçiq dhe z. Kurti të ulen në një tryezë dhe të mendojnë se si duhet ta trajtojnë situatën në kufi, në mënyrë që të sigurojnë një të ardhme paqësore të dy vendeve fqinje në Evropë”, tha ai.

    Mijatoviç u shpreh se nuk ka zgjidhje të lehtë, por kërkohet shumë punë ndërsa vuri theksin te Asociacioni i komunave me shumicë serbe ndërsa kundërshtoi thirrjet e Vuçiq për më shumë autonomi për serbët.

    “Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet realizuar dhe ai është një sfidë për të dyja palët. Ka shumë modele të tjera se si të zbatohet një shoqatë komunash. Z. Vuçiq tani po flet sërish për autonomi. Nuk mendoj se është toni i duhur. Ne si bashkësi ndërkombëtare duhet të jemi të kujdesshëm që të dyja palët të qëndrojnë në tavolinë dhe të mos gjuajnë njeri-tjetrin me këmbë nën tryezë”, vijoi ai.

  • ​Transferimet e shtrenjta në Arabi, Ceferin: Është gabim, por nuk shqetësohem

    ​Transferimet e shtrenjta në Arabi, Ceferin: Është gabim, por nuk shqetësohem

    UEFA nuk është e shqetësuar për faktin se shumë lojtarë po i bashkohen Ligës Pro Saudite, tha të dielën presidenti i UEFA-së, Aleksander Ceferin.

    Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Luka Modric kanë fituar të gjithë çmiminTopi i Artë që nga viti 2008. Ronaldo iu bashkua Al Nassr në janar; Benzema ra dakord të nënshkruajë me Al-Ittihad në qershor. Të dy fitojnë shuma marramendëse parash në klubet e tyre të reja. Skuadrat saudite kanë arritur gjithashtu te Messi dhe Modric me oferta fitimprurëse, por të dy i refuzuan ato.

    Lëvizjet e tilla, Ceferin i ka konsideruar si të gabuara nga ana e Arabisë Saudite.

    “Unë mendoj se është kryesisht një gabim për futbollin e Arabisë Saudite. Pse është një problem për ta? Sepse ata duhet të investojnë në akademi, duhet të sjellin trajnerë dhe ata duhet të zhvillojnë lojtarët e tyre,” tha Ceferin.

    “Sistemi i blerjes së lojtarëve që pothuajse përfunduan karrierën e tyre nuk është sistemi që zhvillon futbollin”, shtoi ai. “Më thuaj një lojtar që është në moshën më të mirë dhe që e nis karrierën e tij dhe shkoi të luajë në Arabinë Saudite?”, vazhdoi Ceferinë.

    Ai shtoi se këta lojtarë po shkojnë atje vetëm për të fituar para.

    “Lojtarët duan të fitojnë kompeticionet kryesore. Dhe konkurrenca më e mirë është në Evropë. Në fund të karrierës së tyre, disa lojtarë shkojnë diku për të fituar para.”, shtoi ai.

  • ​Trupi gjykues kërkon shkurtimin e kohës për intervistimin e dëshmitarëve

    ​Trupi gjykues kërkon shkurtimin e kohës për intervistimin e dëshmitarëve

    Turpi gjykues në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve, është shprehur i shqetësuar me ritmin e këtij procesi gjyqësor. Përmes një urdhri, kryegjykatësi Charles Smith ka kërkuar nga palët që të shkurtojnë kohën për marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

    Në fillim të seancës, Smith ka thënë se prokuroria duhet të rishikojë pyetjet në mënyrë që ndaj të akuzave të zhvillohet një proces gjyqësor me kohë të arsyeshme.

    “Trupi gjykues është i shqetësuar me ritmin si po shkojnë dëshmitë, duke pasur synimin që prokuroria synon ta përfundojë paraqitjen e provave në prill të 2025, unë u detyrova të bëj disa llogaritje dhe kemi bërë rreth 120 orë deri në fund të kësaj jave, do të thotë rreth dhjetë dëshmitarë, ose 12 orë për dëshmitarë. Bëjeni vet llogaritë sa i takon planifikimit, të kuptoni se cili është rezultati, por me këtë ritëm nuk kemi për ta realizuar afatin. Në interes të kursimit të kohës, nuk është e domosdoshëm t’i pyesni dëshmitarët për çështje të cilat nuk janë në nevojë të shqyrtohen. Prokuroria duhet ta reduktojë kohën që nevojitet për pyetjet nga ana e vet, po ashtu mbrojtja ka shpenzuar një kohë të madhe për çështje anësore apo çështje që nuk janë objekt shqyrtimi mes palëve”, ka thënë Smith.

    Gjithashtu, turpi gjykues ka thënë se prokuroria nuk ka pse t’i pyes dëshmitarët për gjëra që tashmë janë të ditura në deklaratat që ata i kanë dhënë.

    “Rregulla 154 është për të reduktuar kohën që nevojitet për të bërë pyetjet nga ana e prokurorisë, dhe ndonjëherë na janë dashur orë të tëra për të pyetur dëshmitarët e rregullës 154, mund ta ndryshojmë ne si trup gjykues por sugjerojmë që ta bëjë vet prokurori. Ne i kemi lexuar deklaratat, ne e dimë çfarë kanë thënë dhe t’i pyesni prap dëshmitarët për gjëra që ne i kemi lexuar në deklaratat e tyre nuk i bënë askujt nderë. Të gjithë ne duhet të kujdesemi që t’i respektojmë afatet për hirë të të akuzuarve”, ka thënë ai.

    Në këtë seancë, trupi gjykues ka dhënë urdhrin e dytë përmes së cilit është zgjatur afati, për mbrojtjen e Thaçit, Veseli dhe Krasniqit, për apelimin e dy vendimeve gjyqësore, deri më datë 26 qershor të këtij viti.

    Ndërsa ka pasur edhe një tjetër urdhër por i njëjti është dhënë në seancë private.

    Pas kësaj, në gjykatore ka dalë dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse dhe mban kodin 3540.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp

  • ​Ende në kërkim të gruas që u hodh nga Ura e Fshajt

    ​Ende në kërkim të gruas që u hodh nga Ura e Fshajt

    Njësia për Kërkim-Shpëtim në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës është duke vijuar operacionin për kërkim të një gruaje që u hodh nga Ura e Fshajt në lumin Drin i Bardhë.

    Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Sheremet Elezaj, tha për KosovaPress se deri mëngjesin e së hënës nuk ka ndonjë të re në lidhje me rastin.

    “Kërkimet janë duke vazhduar nga Njësia për Kërkim-Shpëtim e FSK-së. Deri në këto momente nuk ka ndonjë epilog lidhur me rastin. Për informimin tuaj, FSK është duke kryer kërkime që nga dita e parë”, deklaroi Elezaj për KosovaPress.

    Mëngjesin e së premtes, një grua 59-vjeç, me inicialet A.M. nga Prizreni, ishte hedhur nga Ura e Fshajt ndërsa sendet e saj personale kishin mbetur tek ura.

    Reshjet e fundit të shiut kanë bërë që niveli i Drinit të Bardhë të rritet e gjithashtu të jetë edhe më i rrëmbyeshëm se zakonisht.

  • Rruga Ferizaj-Shtime në gjendje të mjerueshme

    Rruga Ferizaj-Shtime në gjendje të mjerueshme

    Një pjesë e rrugës Ferizaj-Shtime ka mbetur në gjendje të mjerueshme, pasi banorët thonë që ajo ka mbetur pa u rregulluar që katër muaj.

    “Qe 4 muaj jemi në hall me kompaninë e pandërgjegjshme”, tha njëri banor për Express.

    Ai ka dërguar fotografi të rrugës.

  • Instituti Albanologjik shënon 70-vjetorin, Kurti prezanton historikun – vlerëson rolin e Rugovës e shumë studiuesve të tjerë

    Instituti Albanologjik shënon 70-vjetorin, Kurti prezanton historikun – vlerëson rolin e Rugovës e shumë studiuesve të tjerë

    Instituti Albanologjik ka mbajtur Akademi solemne me rastin e 70-vjetorit të themelimit, raporton Ekonomia Online. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Ai me këtë rast tha se Instituti e kishte fatin e njëjtë sikurse të popullit të Kosovës, duke kaluar nëpër shumë sfida e vështirësi.

    Sipas tij, në shumë situata shqiptarët në ish-Jugosllavi mund të fitonin disa të drejta, por më pas mund të arrestoheshin.

    “Ndihem i nderur që marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të 70-të. Këto vjen mund të mos duken shumë, por dëshmon se ky institucion ka kaluar në peripeci sikurse populli i Kosovës”.

    “E kaluar jonë nuk ishin dokumentuar, para themelit të Instituti bëri që të bëhej punë e madhe që më herët e kishin bërë të huajt. Instituti nuk e ndali punë edhe përkundër vështirësive. Misioni ishte shumë largpamës. Shumë presona kontribuuan gjatë zhvillimit”.

    “Duke filluar nga themeluesit, Esat Mekulli, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, jo vetëm që paraqesin emrat e studiuesve tonë të famshëm, që kanë kontribuar pa ndalur. Instituti duhet të synojë të jenë të hap me kohë, ne do ta përkrahim në vazhdimësi. Duhet edhe bashkëpunim me studiues të huaj”.

    Konferenca shkencore, “Albanologjia dje, sot dhe nesër” do të mbahet më 19, 20 dhe 21 qershor në objektin e Institutit Albanologjik në Prishtinë (IAP).

    IAP është themeluar më 1 qershor 1953. Në fillim i kishte katër punonjës dhe një numër bashkëpunëtorësh të jashtëm. Pas një periudhe relativisht të shkurtër, me vendim të organeve shtetërore u mbyll (25 dhjetor 1955), për t’u rihapur më 28 shkurt 1967. Puna në këtë institucion nuk u ndërpre as pas marrjes me dhunë të objektit më 8 mars 1994 nga organet e atëhershme pushtuese serbe.

  • ​Rama paralajmëron prishjen e marrëdhënieve me Serbinë nëse nuk lirohen tre policët e Kosovës

    ​Rama paralajmëron prishjen e marrëdhënieve me Serbinë nëse nuk lirohen tre policët e Kosovës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se sa më shumë mbahen në Serbi tre policët e Kosovës, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet bilaterale në mes Shqipërisë dhe Seribë të mos bëjnë shumë hapa mbrapa. Ai madje ka paralajmëruar se kjo do jetë java e rikthimit të akullit në mes dy vendeve nëse ata nuk lirohen.

    Rama ka shkruar në Twitter se nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova, sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar.

    “Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës. E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon”, ka shkruar ai.

  • ​Kurti për takimin në Bruksel: Vendosi pasi të vizitohen policët e rrëmbyer

    ​Kurti për takimin në Bruksel: Vendosi pasi të vizitohen policët e rrëmbyer

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimin për të shkuar në Bruksel për takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiq do ta marrë pas vizitës të shefit të zyrës ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari tek tre policët e rrëmbyer që po mbahen në paraburgim në Kralevë.

    Kurti tha Jashari pritet të shkojë nesër në qendrën e paraburgimit dhe më pas do të vlerësojë për takimin me Vuçiqin.

    Në anën tjetër, Kurti tha se është e domosdoshme vendosja e ligjshmërisë në veri.

    Këto komente Kurti i bëri pasi mori pjesë në shënimin e 70-vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik.